ATV

Author: K.B.

  • Nëse injektohen gabimisht në fytyrë, preparatet estetike mund të shkaktojnë nekrozë të indeve

    Nëse injektohen gabimisht në fytyrë, preparatet estetike mund të shkaktojnë nekrozë të indeve

    Silikoni i lëngshëm, biopolimerët dhe produktet e paregjistruara mund të shkaktojnë migrim të materialit, granuloma, inflamacion kronik, dëmtime të enëve të gjakut dhe deformime të përhershme

    Preparatet e papërshtatshme dhe të pasigurta në mjekësinë estetike, si silikoni i lëngshëm dhe biopolimerët, mund të jenë jashtëzakonisht të rrezikshme. Kur injektohen në fytyrë, sidomos në buzë, faqe apo zona të tjera të ndjeshme, ato mund të shkaktojnë komplikime serioze, disa prej të cilave mbeten të përhershme.

    Bëhet fjalë për materiale që nuk shpërbëhen lehtë nga organizmi dhe që, në shumë raste, nuk janë të miratuara për përdorime të tilla estetike. Për këtë arsye, specialistët i konsiderojnë si një lloj “bombe me sahat” në trup. Pasojat mund të shfaqen menjëherë, por edhe pas disa muajsh apo vitesh, duke lënë deformime, nyje të forta, dhimbje, inflamacion dhe shenja të dukshme në fytyrë.

    Sipas U.S. Food and Drug Administration, rreziku më serioz i fillerëve dermalë është injektimi i paqëllimshëm në enë gjaku. Në raste të tilla mund të bllokohet qarkullimi, të zvogëlohet furnizimi i indeve me gjak dhe të shfaqet nekroza, pra vdekja e indit. Në raste të rralla, por shumë serioze, janë raportuar edhe dëmtime të shikimit, verbëri dhe goditje në tru.

    Pse janë të rrezikshme preparatet e pasigurta?

    Silikoni i lëngshëm dhe biopolimerët mund të lëvizin nëpër inde. Kjo do të thotë se materiali i injektuar në buzë, me kalimin e kohës, mund të përfundojë në mjekër, në faqe apo në zona të tjera të fytyrës. Graviteti, lëvizjet e muskujve dhe mimika e përditshme mund ta shtyjnë materialin nga vendi ku është injektuar fillimisht, duke krijuar asimetri dhe deformime.

    Organizmi, nga ana tjetër, i njeh këto substanca si të huaja. Meqë nuk mund t’i shpërbëjë, ai përpiqet t’i izolojë duke krijuar granuloma, që janë nyje të forta dhe të ngritura nën lëkurë. Këto nyje mund të jenë të dhimbshme, të skuqura, të dukshme dhe shpesh shfaqen shumë kohë pas ndërhyrjes.

    Preparatet e pasigurta, por edhe injektimi nga persona të pa kualifikuar, mund të shkaktojnë inflamacion të vazhdueshëm në fytyrë, infeksione që përsëriten dhe reaksione që vështirë qetësohen. Nëse preparati futet në enë gjaku ose krijon presion të madh mbi indet përreth, mund të ndërpritet qarkullimi, gjë që çon në nekrozë. Pasojat e nekrozës mund të jenë plagë, shenja të përhershme dhe defekte të dukshme në fytyrë.

    Dallimi mes acidit hialuronik dhe materialeve të përhershme

    Fillerët me acid hialuronik, kur përdoren në mënyrë profesionale dhe me produkte të certifikuara, kanë një avantazh të rëndësishëm: në raste të caktuara mund të shpërbëhen me enzimën hialuronidazë. Kjo nuk do të thotë se janë pa rrezik, por nëse shfaqet ndonjë problem, mjeku ka mundësi të ndërhyjë më shpejt.

    Ndryshe ndodh me silikonin dhe biopolimerët. Këto materiale nuk “shkrihen” dhe nuk largohen lehtë nga organizmi. Shpesh, mënyra e vetme për t’i hequr është ndërhyrja kirurgjikale. Edhe atëherë, kirurgu nuk mund ta largojë gjithmonë të gjithë materialin, sepse ai mund të shpërndahet nëpër muskuj dhe inde të shëndosha si rrjetë e hollë.

    Pacienti duhet ta shohë preparatin para përdorimit

    Në mjekësinë estetike ka preparate që përdoren gjerësisht dhe në mënyrë të sigurt, si fillerët me acid hialuronik, toksina botulinike e tipit A dhe biostimulatorët, por vetëm kur aplikohen nga mjekë të trajnuar, me produkte të regjistruara dhe me teknikë të saktë.

    Pacienti duhet ta dijë çfarë po i injektohet në fytyrë. Para ndërhyrjes, mjeku duhet ta hapë preparatin para pacientit, të tregojë ambalazhin, emrin e produktit, afatin e përdorimit dhe numrin serik. Çdo preparat cilësor ka etiketë dhe të dhëna identifikuese, të cilat duhet të ruhen në dokumentacionin mjekësor.

    American Academy of Dermatology thekson se efektet serioze anësore janë më të mundshme kur fillerët injektohen nga persona pa përgatitje të mjaftueshme mjekësore ose në ambiente jo mjekësore, si sallone, hapësira private apo vende të pakontrolluara. Prandaj, fillerët nuk duhet të trajtohen si një shërbim i thjeshtë kozmetik, por si procedurë mjekësore.

    Teknika e injektimit është po aq e rëndësishme sa preparati

    Edhe një produkt cilësor mund të shkaktojë komplikime nëse injektohet gabimisht. Mjeku që kryen procedurën duhet ta njohë shumë mirë anatominë e fytyrës, rrjedhën e enëve të gjakut, thellësinë e injektimit, sasinë e preparatit dhe mënyrën se si sillet materiali në inde.

    Komplikimet nuk janë të pamundura në mjekësi. Ato mund të ndodhin edhe kur procedura kryhet nga profesionistë. Por dallimi i madh është se një mjek i trajnuar di t’i njohë shenjat e para të rrezikut dhe të reagojë në kohë. Dhimbja e fortë gjatë ose pas injektimit, zbardhja, nxirja apo ndryshimi i ngjyrës së lëkurës, çrregullimet e shikimit dhe mpirja janë shenja që kërkojnë vlerësim të menjëhershëm mjekësor.

    Problemi bëhet shumë më i madh kur procedurat kryhen nga persona që kanë ndjekur vetëm kurse të shkurtra dhe nuk kanë njohuri të mjaftueshme mjekësore. Nëse komplikimi nuk njihet dhe nuk trajtohet me kohë, dëmtimi i indeve mund të mbetet i përhershëm.

    Çfarë mund të shkaktojnë produktet e pasigurta në fytyrë?

    Produktet e pasigurta që injektohen në fytyrë mund të shkaktojnë asimetri, deformim të buzëve, nyje të forta, inflamacion kronik, infeksione, dhimbje, skuqje, migrim të materialit dhe dëmtime të indeve. Në rastet më të rënda mund të shfaqet nekroza, e cila lë shenja dhe defekte të përhershme.

    Kjo ndodh sidomos me silikonin dhe biopolimerët. Këto produkte janë përdorur shumë në të kaluarën, por fatkeqësisht ende përdoren në disa vende, madje ndonjëherë pa i treguar pacientit se çfarë po injektohet. Pas disa vitesh, te pacientët mund të shfaqen ndryshime të mëdha në buzë dhe fytyrë, granuloma dhe probleme që shpesh nuk mund të zgjidhen pa kirurgji.

    Prandaj këshilla kryesore është e thjeshtë: zgjidhni mjekun me kujdes, kërkoni informacion për preparatin, mos pranoni produkte të hapura më parë ose pa etiketë, mos u trajtoni në ambiente jo mjekësore dhe mos e vendosni çmimin para sigurisë. Në fytyrë nuk injektohet vetëm një produkt estetik, por një substancë që mund të ndikojë drejtpërdrejt në shëndetin dhe pamjen tuaj për shumë vite.

  • ZKA gjen shkelje në Skenderaj: Komuna subvencionoi dy herë brenda vitit të njëjtën OJQ

    ZKA gjen shkelje në Skenderaj: Komuna subvencionoi dy herë brenda vitit të njëjtën OJQ

    Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka identifikuar shkelje të rregulloreve komunale sa i përket ndarjes së subvencioneve në Komunën e Skenderajt për vitin 2025. Sipas raportit të ri të auditimit, të nënshkruar nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, kjo komunë ka subvencionuar dy herë brenda të njëjtit vit buxhetor të njëjtën Organizatë Jo-Qeveritare (OJQ), në kundërshtim me rregullat në fuqi.

    Neni 19, pika 4 e Rregullores së Komunës për ndarjen e subvencioneve përcakton qartë se përfituesit mund të subvencionohen vetëm një herë në vit. Nga ky rregull përjashtohen vetëm personat fizikë në fushën e shëndetësisë (për nevoja të shërimit dhe sigurimit të ushqimeve, mirëqenies sociale) dhe në fushën e bujqësisë.

    Megjithatë, Auditori ka gjetur se Komuna e Skenderajt ka ndarë mjete financiare në dy raste të ndryshme për të njëjtën organizatë brenda vitit.

    “Komuna gjatë vitit 2025 ka subvencionuar dy (2) herë brenda vitit të njëjtën OJQ. Financimi është bërë për realizimin e aktivitetit ‘Juaji i mërgatës’ në vlerë 5,000€ dhe ‘Aktivitete rinore dhe kulturore’ në vlerë 7,500€”, thuhet në raportin e ZKA-së.

    Sipas ZKA-së, kjo situatë ka ndodhur si rezultat i mungesës së kontrolleve të mjaftueshme nga ana e zyrtarëve përgjegjës gjatë shqyrtimit dhe aprovimit të kërkesave, si dhe mungesës së një mekanizmi efektiv për verifikimin e përfitimeve paraprake të përfituesve brenda vitit buxhetor.

    Rreziqet dhe rekomandimi i Auditorit

    ZKA ka tërhequr vërejtjen se ndarja e subvencioneve në kundërshtim me rregulloren komunale rrit rrezikun e trajtimit jo të barabartë të përfituesve dhe mund të kufizojë mundësitë e përfitimit për OJQ-të e tjera.

    Lidhur me këtë gjetje, Auditorja e Përgjithshme ka dhënë rekomandim të qartë për krerët e komunës.

    “Kryetari duhet të sigurojë se, para aprovimit të subvencioneve, të kryhet verifikimi i plotë i përfitimeve paraprake të përfituesve, në mënyrë që të parandalohet subvencionimi më shumë se një herë brenda vitit për të njëjtët përfitues”, rekomandon ZKA.

    Nga ana tjetër, menaxhmenti i Komunës së Skenderajt është pajtuar plotësisht me këtë gjetje të Auditorit.

  • S’ka vota ‘karate’, kaq u vlerësua deri tash kandidati i VV-së

    S’ka vota ‘karate’, kaq u vlerësua deri tash kandidati i VV-së

    Kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Naim Bardiqi, duket se nuk ka arritur të marrë vota ‘karate’ në garën për Kuvendin e Kosovës.

    Sipas rezultateve të publikuara në platformën e KQZ-së, pas numërimit të mbi 60% të kutive të votimit për kandidatët për deputetë, Bardiqi ka siguruar 7.273 vota duke u pozicionuar i 57-ti në mesin e kandidatëve të kësaj partie.

    Kujtojmë se i njëjti qëndron pas mesazhit ‘karate’ që iu zbulua në seancën e 27 prillit për çështjen e presidentit.

  • Prishtina nis fazën e dytë të dezinsektimit hapësinor më 15 qershor

    Prishtina nis fazën e dytë të dezinsektimit hapësinor më 15 qershor

    Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se më 15 qershor 2026 do të fillojë faza e dytë e dezinsektimit hapësinor në kryeqytet, e cila do të realizohet sipas planit dinamik të operimit.

    Sipas njoftimit, aktiviteti do të nisë në orën 20:00, ndërsa gjatë kësaj faze do të zhvillohen edhe veprimet për hudhjen e larvicideve më 15 dhe 16 qershor, duke filluar nga ora 09:00.

    Nga komuna është bërë e ditur se procesi është i ndjeshëm ndaj kushteve atmosferike, prandaj datat dhe oraret mund të pësojnë ndryshime në varësi të motit.

    “Faza e dytë e dezinsektimit hapësinor në Komunën e Prishtinës për vitin 2026 fillon më 15.06.2026, nga ora 20:00, sipas planit dinamik të operimit”, thuhet në njoftim.

    Autoritetet komunale kanë apeluar për mirëkuptim nga qytetarët gjatë realizimit të këtij aktiviteti, i cili ka për qëllim kontrollin e insekteve dhe përmirësimin e kushteve higjienike në hapësirat publike.

  • Edhe Zyba i VV-së larg ulëses në Kuvend, aktualisht i 62-ti

    Edhe Zyba i VV-së larg ulëses në Kuvend, aktualisht i 62-ti

    Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Salih Zyba, nuk është as afër listës së kësaj partie për t’u bërë deputetë.

    Zyba deri më tani ka marrë 6 mijë e 941 vota, bazuar në numërimin e 61.45% të vendvotimeve.

    Kësisoj, kandidati nga Suhareka aktualisht është renditur 62-ti.

    Qytetarët e komunës së vet ia kanë dhënë 1,414 vota.

    Ndërsa në total, VV në Suharekë ka marrë 7,286 vota, rreth 10 mijë vota më pak se në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

  • Mos e vendosni televizorin menjëherë në mur: Rregulli i thjeshtë që duhet ta dini para montimit

    Mos e vendosni televizorin menjëherë në mur: Rregulli i thjeshtë që duhet ta dini para montimit

    Lartësia, largësia nga divani dhe drita natyrale mund ta bëjnë dallimin mes një shikimi të rehatshëm dhe lodhjes së syve e qafës

    Blerja e një televizori të ri shpesh është moment emocionues. Pas kërkimit, krahasimit të modeleve dhe zgjedhjes së madhësisë së ekranit, pajisja më në fund arrin në shtëpi. Mirëpo, pikërisht atëherë shumë njerëz bëjnë një gabim që mund ta prishë përvojën e shikimit: televizorin e vendosin në vendin e gabuar.

    Mund të duket se mjafton të gjendet një mur i lirë apo një komodë e përshtatshme, por pozicioni i televizorit ndikon në rehati, në cilësinë e figurës, madje edhe në shëndetin e qafës dhe të syve. Prandaj nuk është njësoj nëse ekrani qëndron shumë lart, shumë afër dritares apo në një largësi që nuk i përshtatet madhësisë së tij.

    Nëse po planifikoni riorganizimin e dhomës së ditës ose blerjen e një televizori të ri, disa rregulla të thjeshta mund ta ndryshojnë përvojën e shikimit të filmave, serialeve dhe ndeshjeve sportive.

    Sa i madh duhet të jetë televizori për hapësirën tuaj?

    Pyetja e parë që bëjnë shumica është: sa të madh duhet ta blej televizorin?

    Përgjigjja nuk varet vetëm nga dëshira personale, por para së gjithash nga largësia prej së cilës e shikoni ekranin. Sa më i madh të jetë televizori, aq më shumë hapësirë duhet të ketë ndërmjet tij dhe vendit ku uleni.

    Për dhoma më të vogla dhe dhoma gjumi rekomandohen modele deri në 43 inç, ndërsa për dhoma dite mesatare më të zakonshëm janë televizorët prej 50 deri në 55 inç. Në hapësira më të mëdha po bëhen gjithnjë e më të kërkuar modelet prej 65, madje edhe 75 inç.

    Televizorët modernë 4K kanë rezolucion shumë më të lartë se modelet e vjetra, ndaj mund të shikohen edhe nga një largësi më e vogël pa humbur cilësinë e figurës.

    Vendi ku televizori nuk duhet të qëndrojë

    Shumë njerëz e vendosin televizorin aty ku ka më shumë hapësirë, por kjo nuk është gjithmonë zgjidhja më e mirë.

    Një nga gabimet më të shpeshta është vendosja e ekranit përballë dritareve të mëdha. Drita e drejtpërdrejtë e diellit dhe reflektimet mund ta ulin ndjeshëm cilësinë e figurës dhe ta vështirësojnë shikimin gjatë ditës.

    Ekspertët këshillojnë që televizori të jetë i drejtuar nga vendi ku uleni, jo në një kënd të madh. Po ashtu, duhet të shmangen pozicionet ku drita e fortë ditore bie vazhdimisht mbi ekran.

    Televizori mbi oxhak: po apo jo?

    Fotografitë në rrjetet sociale shpesh shfaqin televizorë të vendosur mbi oxhak, por ekspertët paralajmërojnë se kjo zgjidhje nuk është gjithmonë më e rehatshmja.

    Problemi është se ekrani shpesh përfundon shumë lart, prandaj shikimi kërkon ngritje të vazhdueshme të kokës. Gjatë shikimit të gjatë, kjo mund të shkaktojë tension në qafë dhe në shpatulla.

    Problem tjetër është nxehtësia që lirohet nga oxhaku, e cila mund të ndikojë negativisht në elektronikën e televizorit dhe t’ia shkurtojë jetëgjatësinë pajisjes.

    Në çfarë lartësie duhet të jetë televizori?

    Ky është rregulli që shumë njerëz e shpërfillin.

    Idealisht, qendra e ekranit duhet të jetë në nivelin e syve të personit që ulet në divan. Te shumica e njerëzve kjo nënkupton një lartësi prej rreth 90 deri në 110 centimetra nga dyshemeja.

    Nëse ekrani nuk mund të vendoset saktësisht në atë nivel, rekomandohet që pjesa e sipërme e tij të mos jetë më shumë se 15 centimetra mbi nivelin e syve.

    Në këtë mënyrë shmanget lodhja e qafës dhe arrihet këndi më natyral i shikimit.

    Në mur apo mbi komodë?

    Dilema e përhershme në shumë shtëpi është nëse televizori duhet të montohet në mur apo të vendoset mbi komodë.

    Montimi në mur jep pamje moderne, kursen hapësirë dhe krijon përshtypjen e një ambienti më të rregullt. Nga ana tjetër, kërkon shpim të murit dhe është më pak praktik nëse më vonë dëshironi të ndryshoni renditjen e mobilieve.

    Komoda për televizor mundëson zhvendosje më të lehtë të pajisjes dhe ofron hapësirë shtesë për konzola, ruterë dhe pajisje të tjera, por zë më shumë vend në dhomë.

    Zgjedhja varet kryesisht nga madhësia e hapësirës dhe nga mënyra se si e përdorni dhomën e ditës.

    Çfarë nëse televizori duhet të qëndrojë në kënd?

    Në banesa më të vogla dhe në hapësira të hapura, këndi i dhomës shpesh duket si zgjidhja e vetme.

    Edhe pse nuk është vendosja ideale, televizori mund të funksionojë mirë edhe në kënd, nëse vendoset siç duhet. Rekomandohet përdorimi i mbajtëseve të posaçme këndore ose i komodave që mundësojnë drejtimin e ekranit nga pjesa qendrore e dhomës.

    E rëndësishme është që ulëset të jenë të vendosura në mënyrë që shumica e familjarëve të kenë pamje të drejtpërdrejtë nga ekrani, pa pasur nevojë ta kthejnë shumë kokën.

    Ndryshimet e vogla bëjnë dallim të madh

    Vendosja e duhur e televizorit nuk ndikon vetëm në pamjen e dhomës së ditës, por edhe në rehatinë e përditshme. Nga madhësia e ekranit, largësia e shikimit e deri te lartësia e montimit, çdo detaj mund të bëjë dallimin mes një përvoje mesatare dhe një shikimi vërtet të këndshëm.

    Para se ta përcaktoni përfundimisht vendin e televizorit, uluni në vendin tuaj të preferuar dhe imagjinoni si do ta shikoni serialin, filmin apo ndeshjen tuaj të preferuar. Ndonjëherë mjafton ta lëvizni ekranin vetëm disa centimetra për të fituar një kënd shumë më të mirë shikimi.

  • A po e merrni magnezin gabim? 7 mënyra për ta bërë më të dobishëm për trupin

    A po e merrni magnezin gabim? 7 mënyra për ta bërë më të dobishëm për trupin

    Efikasiteti i magnezit varet nga koha, doza, uji dhe kombinimi me ushqime e suplemente të tjera

    Suplementet e magnezit janë bërë një shtesë e rëndësishme në ushqim, sepse ky mineral merr pjesë në qindra reaksione kyçe në organizëm. Megjithatë, vetëm marrja e kapsulave ose pluhurit shpesh nuk mjafton për rezultate maksimale. Futja e disa zakoneve të thjeshta të përditshme mund t’i forcojë ndjeshëm efektet e këtyre suplementeve dhe të ndihmojë në një shëndet më të mirë të përgjithshëm.

    Efikasiteti i shtesave ushqimore varet në masë të madhe nga mënyra se si merren dhe si kombinohen me elemente të tjera. Niveli i hidratimit, koha e marrjes së dozave, si edhe prania e disa pijeve dhe mineraleve, mund të ndryshojnë dukshëm shkallën e përthithjes në organizëm.

    Zakonet që duhet të zbatohen për veprim më të mirë të magnezit

    Konsumimi i ushqimeve të pasura me magnez

    Përfshirja e ushqimeve të pasura me magnez, si perimet e gjelbra, drithërat integrale, farat dhe frutat arrore, në ushqimin e përditshëm ndihmon në forcimin e efektit të vet suplementit.

    Megjithatë, perime si spinaqi përmbajnë acid oksalik, i cili mund ta ulë përthithjen e magnezit. Për këtë arsye rekomandohet që këto ushqime të mos konsumohen në të njëjtën kohë me suplementet.

    Marrja e më shumë ujit

    Marrja e magnezit me një gotë të plotë ujë e ndihmon trupin ta përthithë më lehtë dhe më mirë. Kur ky suplement përdoret për të lehtësuar kapsllëkun, marrja e mjaftueshme e lëngjeve gjatë gjithë ditës është edhe më e rëndësishme.

    Hidratimi është thelbësor, sepse magnezi nxit zbrazjen e zorrëve duke tërhequr ujë në to dhe duke e zbutur jashtëqitjen. Si rregull i përgjithshëm, rekomandohet marrja e së paku tetë gotave ujë në ditë për të ruajtur funksionimin e rregullt të zorrëve dhe për të mundësuar veprimin optimal të magnezit.

    Ndarja e dozës

    Marrja e sasive më të vogla të magnezit gjatë ditës e ndihmon trupin të përthithë më shumë magnez sesa marrja e një doze të madhe përnjëherë.

    Kjo ndihmon edhe në shmangien e efekteve të padëshiruara të suplementeve, si diarreja, dhimbja e barkut dhe problemet me zemrën, të cilat mund të shfaqen kur dozat ditore kalojnë 350 miligramë.

    Dhënia përparësi gjumit

    Kur suplementet e magnezit përdoren për përmirësimin e gjumit, ka disa mënyra efikase për ta rritur veprimin e tyre dhe për të arritur ndjesinë e çlodhjes:

    • Praktikimi i higjienës së gjumit: nënkupton shkuarjen në gjumë dhe zgjimin në të njëjtën kohë çdo ditë. Përveç kësaj, rekomandohet shmangia e ekraneve, kafeinës, alkoolit dhe vakteve të rënda në orët e vona të mbrëmjes.

    • Teknikat e vetëdijesimit: teknikat e relaksimit, si vetëdijesimi, joga ose meditimi, mund ta përmirësojnë gjumin dhe shëndetin e përgjithshëm mendor.

    • Terapia kognitive-sjellore për pagjumësi: është dëshmuar se kjo terapi ndihmon në trajtimin e problemeve kronike të gjumit, duke u marrë me shkaqet themelore të pagjumësisë.

    • Konsultimi me mjekun: mjeku mund të kontrollojë nëse personi ka gjendje të tjera mjekësore, si apnea e gjumit ose ankthi, që mund të shkaktojnë pagjumësi, dhe të ndihmojë në hartimin e një plani individual të trajtimit.

    Kufizimi i kafeinës

    Marrja e magnezit bashkë me pije që përmbajnë kafeinë mund ta ulë efikasitetin e suplementit.

    Kafeja, pijet e gazuara, çaji dhe pijet energjike nxisin humbjen e lëngjeve nga trupi. Këto pije mund të bëjnë që magnezi dhe minerale të tjera, si kalciumi, të filtrohen nga trupi përmes urinës, në vend që të kalojnë në qarkullimin e gjakut.

    Shmangia e alkoolit

    Alkooli mund të shkaktojë nivel të ulët të magnezit dhe ta pengojë suplementin të veprojë si duhet. Konsumimi kronik i alkoolit mund të bëjë që në organizëm të merret shumë pak magnez, për shkak të kequshqyerjes.

    Efektet e padëshiruara gastrointestinale të alkoolit, si të vjellat ose diarreja, gjithashtu pengojnë përthithjen e mirë të magnezit në trup. Përveç kësaj, alkooli dëmton veshkat dhe bën që ato të eliminojnë shumë magnez.

    Nëse mjeku e rekomandon magnezin për shkak të mungesës, duhet pasur parasysh se edhe një pije alkoolike mund t’i ulë nivelet e magnezit.

    Kombinimi i kujdesshëm

    Marrja e magnezit me lëndë të tjera ushqyese dhe suplemente mund të ndikojë në atë se sa mirë vepron ai.

    Vitamina D e ndihmon trupin ta përthithë magnezin në mënyrë më efikase, prandaj kombinimi i këtyre dy elementeve konsiderohet një hap i mirë fillestar kur merren disa shtesa ushqimore njëkohësisht për të optimizuar përfitimet e tyre.

    Nga ana tjetër, dozat e larta të zinkut, kalciumit, hekurit, fosforit ose manganit mund ta ulin përthithjen e magnezit dhe ta bëjnë suplementin më pak efektiv.

    Konsultimi me mjekun, farmacistin ose dietologun e regjistruar për të gjitha shtesat ushqimore që përdoren rekomandohet për të marrë këshilla individuale dhe për të siguruar përdorim sa më të sigurt.

  • Mos e vendosni kurrë valixhen mbi krevat: Paralajmërimi që duhet ta dini para se të udhëtoni

    Mos e vendosni kurrë valixhen mbi krevat: Paralajmërimi që duhet ta dini para se të udhëtoni

    Një kontroll i thjeshtë i dhomës, larja e rrobave në temperaturë të lartë dhe pastrimi i valixhes mund t’ju kursejnë shumë telashe

    Para se ta hapni valixhen, këshillohet që fillimisht ta kontrolloni dhomën e hotelit, sidomos çarçafët, dyshekun dhe pjesën e kokës së krevatit.

    Pas kthimit në shtëpi, rekomandohet larja e rrobave në temperatura të larta dhe pastrimi i hollësishëm i valixhes, në mënyrë që të shmangni futjen e morrave të shtratit në shtëpi.

    Sezoni i pushimeve ka nisur, por nga udhëtimet, përveç kujtimeve të bukura, mund të sillni edhe “suvenire” shumë të pakëndshme: morrat e shtratit. Ekspertët paralajmërojnë se këta insekte këmbëngulëse mund të ngjiten lehtësisht në hotele, autobusë, trena dhe aeroplanë, e më pas të përfundojnë në valixhe, në rroba dhe, në fund, në shtëpinë tuaj.

    Edhe pse shumë njerëz mendojnë se morrat e shtratit janë problem vetëm i akomodimeve të lira, e vërteta është ndryshe. Ato mund të shfaqen edhe në hotele luksoze, sepse më së shpeshti i bartin vetë mysafirët. Pikërisht për këtë arsye, një send i zakonshëm mund të bëhet aleat i papritur gjatë udhëtimit: rolja ngjitëse për heqjen e qimeve nga rrobat.

    Ruli ngjitës si armë e fshehtë kundër morrave të shtratit

    Sipas këshillave të ekspertëve, një rul i vogël ngjitës mund të ndihmojë në largimin e morrave të shtratit nga këpucët dhe rrobat, para se ato të përfundojnë në valixhen tuaj. Pas kthimit në dhomën e hotelit, rekomandohet që së pari të shkoni në banjë dhe ta kaloni rulin mbi këpucët, pjesën e poshtme të pantallonave dhe qepjet e rrobave.

    Nëse në sipërfaqen ngjitëse vini re gjurmë të errëta ose të kuqërremta, është e mundur që të bëhet fjalë për mbetje të morrave të shtratit. Në këtë rast, rekomandohet kontroll shtesë i rrobave dhe i bagazhit.

    Së pari kontrolloni dhomën, e vetëm pastaj hapni valixhet

    Një nga gabimet më të zakonshme është vendosja e valixhes drejtpërdrejt mbi krevat sapo të hyni në dhomë. Në vend të kësaj, këshillohet që bagazhin ta lini përkohësisht në vaskë ose në kabinën e dushit, derisa ta kontrolloni akomodimin.

    Vëmendje të veçantë kushtojuni qepjeve të dyshekut, pjesës së kokës së krevatit dhe palosjeve të çarçafëve, sepse morrat e shtratit më së shpeshti fshihen pikërisht në ato vende. Disa përdorin edhe trukun me hekurin ose tharësen e flokëve, sepse nxehtësia mund t’i detyrojë të dalin nga vendet ku janë fshehur.

    Nëse vini re çfarëdo shenje të pranisë së morrave të shtratit, njoftoni menjëherë stafin e hotelit dhe kërkoni një dhomë tjetër, mundësisht sa më larg asaj problematike.

    Çfarë duhet të bëni sapo të ktheheni në shtëpi

    Edhe nëse nuk keni vënë re morra të shtratit gjatë udhëtimit, ekspertët këshillojnë kujdes shtesë sapo të ktheheni në shtëpi. Të gjitha gjërat nga valixhja duhet të lahen në temperaturë më të lartë, përfshirë edhe rrobat që nuk i keni veshur.

    Valixhja duhet të pastrohet me kujdes, sidomos zinxhirët dhe qepjet, ndërsa rrobat, pas larjes, është mirë të thahen edhe në program më të ngrohtë në tharëse, në mënyrë që të zvogëlohet rreziku që këta insekte të padëshiruar të futen në shtëpinë tuaj.

  • Për herë të parë synon ulësen në Kuvend, kaq vota ka “rrëmbyer” deri më tani Fahrije Hoti

    Për herë të parë synon ulësen në Kuvend, kaq vota ka “rrëmbyer” deri më tani Fahrije Hoti

    Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhja Demokratike e Kosovës, Fahrije Hoti, po shënon një paraqitje të rëndësishme në garën për ulëse në Kuvendin e Kosovës.

    Sipas rezultateve të deritanishme nga procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë, kur janë numëruar 60 për qind e votave, Hoti renditet në vendin e 26-të në listën e kandidatëve më të votuar të LDK-së.

    Deri më tani, kandidatja për deputete ka mbledhur 5845 vota gjithsej.

    Për Fahrije Hotin, kjo është hera e parë që garon për një mandat deputeteje.

  • Numërohen mbi 60% e votave, kaq vota kanë marrë kandidatët e PSD

    Numërohen mbi 60% e votave, kaq vota kanë marrë kandidatët e PSD

    Qendrat Komunale të Numërimit po vazhdojnë procesin e numërimit të votave për kandidatët për deputetë, ndërsa të dhënat po publikohen në platformën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

    Sipas të dhënave të përditësuara, deri më tani janë numëruar 61.13% të votave për kandidatët për deputetë nga zgjedhjet e 7 qershorit.

    Nga votat e numëruara deri tani, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka grumbulluar 944 vota, ndërkaq kandidatët e tjerë të kësaj partie kanë grumbulluar pothuajse të gjithë mbi 900 vota.

    1. Dardan Molliqaj 944 vota

    2. Natyra Kuçi 941 vota

    3. Teutë Rrusta 910 vota

    4. Nol Nushi 910 vota

    5. Florin Krasniqi 904 vota

    6. Frashër Krasniqi 867 vota