ATV

Author: K.B.

  • Sunny Hill Festival 2026 zbulon programin e plotë: Prishtina bëhet gati për tri ditë muzikë botërore

    Sunny Hill Festival 2026 zbulon programin e plotë: Prishtina bëhet gati për tri ditë muzikë botërore

    Këtë verë, Prishtina do të presë një prej programeve më të gjera muzikore te Sunny Hill Festival, me yje ndërkombetare, DJ të njohur botëror, artiste shqiptare dhe zëra të rinj që po i japin formë skenës lokale.

    Prishtinë, 3 Korrik 2026 – Sunny Hill Festival ka zbuluar zyrtarisht programin e plotë për edicionin e vitit 2026, i cili do të mbahet më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht në Sunny Hill Festival Park, Prishtinë.

    Me Katy Perry, Lewis Capaldi dhe Martin Garrix në krye të programit, edicioni i këtij viti sjell në Kosovë disa nga emrat më të njohur të skenës ndërkombëtare. Zbulimi i plotë i programit shënon një nga momentet më të pritura të verës për publikun në vend, rajon dhe më gjerë.

    Në Sunny Hill Stage, festivali sjell emrat kryesorë të edicionit, përfshirë Katy Perry, Lewis Capaldi, Martin Garrix, Dhurata Dora, Blanco, Esdeekid, Tyson O’Brien dhe artistë të tjerë që përfaqësojnë energjinë kryesore të programit. Kjo skenë mbetet hapësira ku takohen yjet ndërkombëtarë, artistët më të dashur shqiptarë dhe publiku i madh i festivalit.

    Në anën tjetër, C4 Stage e forcon identitetin elektronik të Sunny Hill Festival, me emra si Seth Troxler, PAWSA, Adam Port & Rampa, Carlita, Salomé Le Chat, Tommy Gold, Gjin dhe Kamelia. Ky program sjell në Prishtinë një pjesë të rëndësishme të skenës elektronike ndërkombëtare, duke e bërë festivalin destinacion edhe për publikun që ndjek tingujt e house, techno dhe performancat e klubeve e festivaleve më të njohura.

    Një pjesë e veçantë e edicionit 2026 është edhe hapësira për skenën lokale, alternative dhe artistët në rritje. Përmes The Next Stage dhe The Satellite, Sunny Hill Festival krijon vend për emra si Asgjë Sikur Dielli, La Fazani, Sytë, Bana Zahiti, Erëza, Jolle, Rrezze, The Milk Snatchers, Anitë, Artssassin, Halfpint, Locky, Malix, Nautica, Sindicato Del Baile, Uran B dhe Us Two, duke e bërë programin jo vetëm ndërkombëtar, por edhe të lidhur ngushtë me skenën muzikore vendore dhe rajonale.

    Ky kombinim e bën edicionin e vitit 2026 një nga programet më të plota të Sunny Hill Festival deri më tani. Në të njëjtin festival, publiku do të ketë mundësi të ndjekë emra të mëdhenj botërorë, artistë të njohur shqiptarë, DJ të skenës elektronike dhe performues të rinj që po ndërtojnë identitetin e tyre muzikor.

    Me këtë program, Sunny Hill Festival vazhdon të pozicionohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore në rajon. Për Prishtinën, festivali nuk është vetëm një ngjarje treditore, por një moment kulturor që sjell publik, media, artistë dhe vëmendje ndërkombëtare në kryeqytet.

    Përtej skenës muzikore, Sunny Hill Festival vazhdon të ketë ndikim në gjallërimin e qytetit gjatë sezonit veror, duke kontribuar në hoteleri, gastronomi, transport dhe shërbime lokale. Në të njëjtën kohë, festivali luan rol në mënyrën se si Kosova prezantohet jashtë vendit: si një destinacion i ri, energjik dhe gjithnjë e më i pranishëm në hartën kulturore të rajonit.

    Me programin tashmë të plotë, Sunny Hill Festival 2026 hyn në fazën më dinamike të përgatitjeve, ndërsa Prishtina bëhet gati për tri ditë muzikë, skena të ndryshme dhe një program që bashkon emrat globalë me energjinë e publikut vendor dhe rajonal.

  • Publikohet çmimi i naftës për sot në Kosovë

    Publikohet çmimi i naftës për sot në Kosovë

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Industrisë ka publikuar çmimet e derivateve për 24 orët e ardhshme.

    Sipas MINT, çmimi për një litër naftë është 1 euro e 41 centë, ndërsa benzina 1 euro e 36 centë.

    Gasi do të shitet me çmim 0.64 euro për litër.

    Çmimet hyjnë në fuqi nga ora 10:00.

  • Tentoi vjedhjen, kapet në flagrancë 37-vjeçari në Prishtinë

    Tentoi vjedhjen, kapet në flagrancë 37-vjeçari në Prishtinë

    Këtë të hënë, Njësitet e Stacionit Policor Veriu në Prishtinë kanë realizuar një operacion të suksesshëm, i cili ka rezultuar me arrestimin në flagrancë të një personi të dyshuar për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

    Sipas njoftimit të policisë dhe bazuar në veprimet e ndërmarra, njësitet policore kanë identifikuar dhe arrestuar personin e dyshuar në momentin kur ai kishte hyrë në një shtëpi në Prishtinë.

    Personi i dyshuar, D.K., 37 vjeç, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është intervistuar dhe është dërguar në mbajtje për 48-orë.

  • Mediumi serb: Veselinoviqi po ruhet nga një snajper aktiv i njësisë speciale serbe

    Mediumi serb: Veselinoviqi po ruhet nga një snajper aktiv i njësisë speciale serbe

    Zvonko Veselinoviqi, biznesmeni kontroverz nga Serbia që dikur operonte në Kosovë, siç duket po mbrohet nga regjimi i Aleksandar Vuçiqit.

    Siç raporton mediumi serb N1, Veselinoviqi ruhet nga Negjelko Golje, pjesëtar aktiv i Njësisë Speciale Antiterroriste (SAJ) në Serbi, përcjell Insajderi.

    Ky informacion u konfirmua për N1 nga një burim i njohur me zhvillimet në SAJ, i cili pretendon se Gole është marrë me sigurinë e Veselinoviqit që kur Igor Zmiriq u bë kreu i asaj njësie në fund të vitit të kaluar në vend të komandantit në pension Spasoj Vuleviq.

    “Ai është gjithmonë në orare të rregullta ditore në bazë, ku shkruhet se orari i tij i punës është nga ora 7:30 e mëngjesit deri në orën 15:30. Megjithatë, që nga fillimi i këtij viti, është e qartë se ai nuk është i pranishëm, por është sekret i hapur se ai po i siguron Veselinoviqit jetesën”, sipas këtij burimi.

    Para se të siguronte Veselinoviqin, Gole ishte udhëheqës snajper i kësaj njësie.

    Ky medium më herët kishte njoftuar se dy pjesëtarë aktivë të detashmentit të Xhandarmërisë së Beogradit po sigurojnë Milan Radoiçiqin dhe Zvonko Veselinoviqin.

  • Arrestohet një person i dyshuar për zjarrvënie

    Arrestohet një person i dyshuar për zjarrvënie

    Hetuesit e Stacionit Policor në Lipjan kanë arrestuar një person të dyshuar lidhur me një rast të zjarrvënies, i cili kishte ndodhur më 03.07.2026 dhe si pasojë ishte përfshirë nga zjarri një veturë, njofton policia.

    Pas ndërmarrjes së veprimeve intensive hetimore dhe operative, policia ka arritur të identifikojë dhe arrestojë personin e dyshuar: “F.V., mashkull, 25 vjeç”, konfirmon policia.

    Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është intervistuar dhe më pas është dërguar në mbajtje për 48 orë.

  • Ministri Maqedonci: FSK më 2029 do të jetë forcë e gatshme për të mbrojtur territorin

    Ministri Maqedonci: FSK më 2029 do të jetë forcë e gatshme për të mbrojtur territorin

    Ministri në detyrë i Mbrotjjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se në vitin 2029 ushtria e Kosovës do të jetë e gatshme të mbrojë teritorin.

    Ai tha që janë në një fazë tranzicioni 10-vjeçar, e ky plan mbaron në vitin 2028.

    Maqedonci tha se kanë tejkaluar disa objektiva, jo vetëm në sasinë e mjeteve ushtarake, por edhe në llojet e armatimt.

    “Eshtë aprovuar më 14 dhjetor 2018 nga Kuvendi, gjatë kësaj faze kemi pasur një plan të tranzicionit, që tash jemi në përfundim, viti 2028 parashihet. Investimet që kemi pasur ne kemi arritur të tejkalojmë shumë nga objektivat, si në aspektin e paisjeve jo vetëm në sasi, por edhe në llojet e aramtimit sepse kemi qenë të kufizuar në atë plan. Jemi në fund të planit për arritjen e kapaciteteve operacionale. Ne planifikojmë që në vitin 2029 të kemi një forcë të gatshme për të mbrojtur territorin, të mbështesë autoritetet civile dhe të marrë pjesë në misione ndërkombëtare”, ka thënë ai në Euronews Albania.

  • Certifikimi i rezultateve, Elezi: KQZ po pret vendimet e Supremes

    Certifikimi i rezultateve, Elezi: KQZ po pret vendimet e Supremes

    Zëdhënësi i Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Valmir Elezi, tha për RTKLive se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të vendimmarrjes së Gjykatës Supreme lidhur me ankesat e paraqitura për rezultatet e shpallura më 27 qershor.

    “Nëse vendimet nuk përmbajnë obligime për KQZ-në, mund të procedohet me certifikimin e rezultateve. Ndërkaq, nëse vendimet përmbajnë obligime për KQZ-në, ato do të zbatohen fillimisht, ndërsa më pas do të procedohet me certifikimin e rezultateve”, tha Elezi.

    Ndryshe, KQZ ka publikuar, më 27.06.2026, rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 7 qershor. Sipas këtyre rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë me 47.13 % të votave, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 19.44 % të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 16.69 % të votave, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 6.74 % të votave dhe shtatë mandate, ndërsa Lista Serbe ka fituar 5.40 % të votave.

  • PDK-ja e akuzon Haxhiun se po e zvarrit dekretimin e një anëtari në KQZ

    PDK-ja e akuzon Haxhiun se po e zvarrit dekretimin e një anëtari në KQZ

    Prej rreth katër muajsh, një ulëse në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mbetet bosh, pasi ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, nuk e ka dekretuar anëtarin e propozuar nga PDK.

    PDK e konsideron këtë zvarritje të motivuar politikisht dhe paralajmëron se, nëse posti i jepet partisë së parë, do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

    Një ish-gjyqtar vlerëson se mosplotësimi i KQZ-së përbën shkelje të Kushtetutës, ndërsa nga kabineti i Haxhiut dhe LVV nuk është dhënë përgjigje.

  • Sot protestohet para Ministrisë së Bujqësisë

    Sot protestohet para Ministrisë së Bujqësisë

    Pakënaqësia e fermerëve kosovarë të qumështit ka arritur kulmin. Pas ndërprerjes së grumbullimit të qumështit të freskët, ata kanë paralajmëruar protestë për sot para Ministrisë së Bujqësisë, duke kërkuar zgjidhje urgjente për situatën që, sipas tyre, po i çon fermat drejt falimentimit.

    Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit njoftoi se vendimi për protestë u mor unanimisht në mbledhjen e mbajtur më 5 korrik, transmeton Klankosova.tv.

    “Protesta është e pashmangshme me situatën e krijuar për mosgrumbullimin e qumështit të freskët nga fermat tona, duke hasur në vesh të shurdhër tek akterët kompetentë”, thuhet në njoftimin e shoqatës.

    Sipas fermerëve, protesta do të mbahet duke filluar nga ora 13:00, para Ministrisë së Bujqësisë.

    Ata kanë paraqitur tri kërkesa kryesore: “Rifillimin e menjëhershëm të grumbullimit të qumështit; Publikimin urgjent të rezultateve, në mënyrë që të hiqen dyshimet mbi produktet vendore; Kthimin e çmimit të mëparshëm të qumështit, për të shmangur falimentimin e fermave”.

    Fermerët kanë bërë të ditur se në protestë do të marrin pjesë me mjete bujqësore dhe cisterna të qumështit.

    Njëkohësisht, ata kanë ftuar qytetarët të marrin me vete bidonë, duke bërë të ditur se gjatë protestës do të shpërndahet qumësht falas.

  • Një grua në Prizren dhe një burrë në Dragash gjenden të vdekur në orët e pasditës, Policia jep detaje për rastet

    Një grua në Prizren dhe një burrë në Dragash gjenden të vdekur në orët e pasditës, Policia jep detaje për rastet

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka thënë se sot në Kosovë kanë ndodhur dy raste të cilat dyshohet të jenë vetëvrasje.

    Rasti i parë ka ndodhur rreth orës 15:40 në Prizren, ku një grua rreth moshës 54-vjeçare është gjetur e vdekur në banesën e saj.

    “Rasti i parë është raportuar rreth orës 15:40, kur është pranuar informata se në rrugën “Turgut Özal” në Prizren, në banesën e saj, ndodhej një person pa shenja jete. Patrulla policore ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ekipi i Emergjencës ka konstatuar vdekjen e viktimës. Sipas informacioneve fillestare, viktima është femër, rreth 54 vjeçe. Bazuar në rrethanat e evidentuara në vendin e ngjarjes, dyshohet se viktima ka kryer vetëvrasje”, ka thënë ai.

    Ndërkaq, rasti i dytë ka ndodhur në Restelicë të Dragashit, ku një person rreth moshës 68-vjeçari është gjendur i vdekur.

    “Rasti i dytë është raportuar rreth orës 17:50, kur nga një zyrtar policor është pranuar informata se në një zonë pyjore në fshatin Restelicë, komuna e Dragashit, është gjetur një person pa shenja jete. Patrulla policore dhe ekipi i Emergjencës kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar vdekja e viktimës. Sipas informacioneve fillestare, viktima është mashkull, rreth 68 vjeç. Bazuar në rrethanat e para të evidentuara në vendin e ngjarjes, dyshohet se viktima ka kryer vetëvrasje”, ka thënë Bytiql.

    Për të dy rastet janë njoftuar prokurori kompentent dhe kanë filluar veprimet hetimore.

    “Për të dy rastet është njoftuar prokurori kompetent, me autorizimin e të cilit kanë filluar veprimet hetimore. Me urdhër të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion. Të dy rastet janë iniciuar dhe po hetohen si “Hetim i vdekjes”, ka thënë ai. /Gazeta Express