ATV

Author: K.B.

  • MPJD kërkon angazhim ndërkombëtar pas arrestimit të ish-ushtarit të UÇK-së në Serbi

    MPJD kërkon angazhim ndërkombëtar pas arrestimit të ish-ushtarit të UÇK-së në Serbi

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e shtetasit të Kosovës, Avni Qenaj, nga autoritetet e Serbisë dhe ka njoftuar se po ndërmerren të gjitha veprimet për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së tij.

    Sipas njoftimit të MPJD-së, menjëherë pas marrjes së informacionit mbi arrestimin, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka dërguar kërkesë zyrtare te autoritetet serbe për konfirmimin e arrestimit, arsyet konkrete të ndalimit, vendndodhjen ku po mbahet si dhe çdo informacion tjetër të nevojshëm për trajtimin e mëtejshëm të rastit.

    Ministria njofton gjithashtu se është informuar Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe janë dërguar nota verbale te misionet diplomatike të vendeve të QUINT-it, për të siguruar mbikëqyrje dhe angazhim ndërkombëtar në mbrojtje të të drejtave të Qenajt.

    Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi do të procedojë me kërkesën për lejimin e vizitës së të arrestuarit sapo të konfirmohet lokacioni i saktë i tij.

    MPJD rithekson se do të informojë opinionin publik në mënyrë të vazhdueshme për çdo zhvillim lidhur me këtë rast.

    Ministria i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të rrisë vigjilencën dhe presionin ndaj autoriteteve serbe, duke theksuar se Serbia vazhdon praktikën e keqtrajtimit dhe intimidimit të shtetasve të Kosovës, duke cenuar normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

  • Vdes Behar Topilla, i mbijetuari i vetëm i masakrës së Shavarinës në Drenas

    Vdes Behar Topilla, i mbijetuari i vetëm i masakrës së Shavarinës në Drenas

    Behar Topilla, një nga figurat më domethënëse të kujtesës së masakrës së Shavarinës në Gllanasellë, ka ndërruar jetë.

    Topilla ishte i vetmi që i kishte shpëtuar masakrës së 1 majit 1999, në të cilën u vranë mbi 40 civilë shqiptarë.

    Historia e tij u bë e njohur në mbarë botën përmes gazetës amerikane The Salt Lake Tribune, e cila në atë kohë botoi artikullin me titullin “Sole Survivor” – “I mbijetuari i vetëm”.

    Ai kishte mbetur i plagosur dhe i fshehur nën trupat e viktimave, derisa arriti të shpëtonte.

    Behar Topilla mbeti dëshmitar kyç i një prej krimeve më të rënda të luftës së fundit në Kosovë.

    Zëri i tij ishte pjesë e dëshmisë së gjallë për masakrën e Shavarinës, një histori që ai e mbajti në shpirt deri në fund të jetës.

    Largimi i tij lë një boshllëk të madh, pasi me të shuhet edhe një zë i pazëvendësueshëm i së vërtetës historike.

    Megjithatë, rrëfimi i tij mbetet i gdhendur në kujtesën kolektive dhe do të jetojë si dëshmi e qëndresës përballë krimeve të luftës.

  • Hamza iu drejtohet qytetarëve: Me 28 dhjetor, vota juaj do ta përcaktojë drejtimin e Kosovës – ma jepni besimin

    Hamza iu drejtohet qytetarëve: Me 28 dhjetor, vota juaj do ta përcaktojë drejtimin e Kosovës – ma jepni besimin

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka publikuar një videoadresim drejtuar qytetarëve, ku ka theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe ka kërkuar besimin për të udhëhequr vendin.

    Duke iu drejtuar qytetarëve, Hamza ka thënë se vota e tyre, do ta përcaktojë drejtimin e Kosovës.

    “Me 28 dhjetor, vota juaj do ta përcaktojë drejtimin e Kosovës. Një përgjegjësi e rëndësishme, por një mundësi e madhe për ndryshim,” ka thënë Hamza.

    Ai ka thënë se janë dy rrugë para.

    “A do ta kemi një qeveri stabile, një qeveri që na bashkon të gjithëve dhe një Kryeministër që u shërben me të vërtetë qytetarëve? Apo do të vazhdojmë me të njëjtin avaz të krizave, përçarjeve e papërgjegjësisë?!”

    Hamza ka kërkuar besimin e qytetarëve për të udhëhequr vendin.

    “Unë e zgjedh të parën, prandaj sot po e kërkoj besimin tuaj. Ma jepni besimin që unë ta rikthej stabilitetin në Kosovë.”

    Ai ka premtuar kabinet profesional dhe të përgjegjshëm.

    “Më besoni që unë ta formoj një qeveri me njerëz të aftë dhe të ndershëm. Një qeveri që i mban premtimet dhe që i vendos qytetarët në radhë të parë. Më besoni që unë të udhëheq me transparencë, me përgjegjësi dhe me rezultate, për t’i sjellë Kosovës zhvillim dhe mirëqenie”, ka thënë ai.

    Kreu i PDK-së, përshkruan gjendjen aktuale në vend si të rënduar.

    “Sot, Kosova është e rënduar nga krizat. Jetojmë nën një mjegull pasigurie dhe jostabiliteti. Ndërkohë që shohim çdo ditë se si shpresa tek të rinjtë tanë është zbehur”, ka deklaruar Hamza.

  • OVL e UÇK-së konfirmon se një veteran u arrestua në Serbi

    OVL e UÇK-së konfirmon se një veteran u arrestua në Serbi

    Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gazmend Syla, konfirmoi se Serbia ka arrestuar një ish-pjesëtar të UÇK-së.

    Sipas tij, Avni Qenaj nga fshati Romajë i Prizrenit, që u arrestua sot, ishte pjesë e brigadës 138 “Agim Ramadani” në Koshare.

    “Ai është arrestuar dhe sipas informacioneve që kemi, me gjasë ia kanë gjetur kartelën e anëtarësisë së veteranit që e kemi, në xhep kur e kanë kontrolluar. Ndërkaq, sipas informacioneve që morëm ne, Qenaj kishte kaluar dy-tri herë andej [nëpër Serbi] dhe nuk ka pasur ndonjë problem”, tha Syla për Radion Evropa e Lirë.

  • Sllovenia njeh patentë-shoferët e Kosovës

    Sllovenia njeh patentë-shoferët e Kosovës

    Asambleja Nacionale e Republikës së Sllovenisë ka miratuar sot ligjin që zyrtarisht njeh patentë-shoferët e Republikës së Kosovës.

    Lajmin e ka bërë të ditur ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, e cila e ka vlerësuar këtë si një hap të rëndësishëm për qytetarët kosovarë që jetojnë dhe punojnë në Slloveni.

    “Lajm i mirë për qytetarët tanë dhe mërgatën në Slloveni. Urime!”, ka shkruar Gërvalla, duke shprehur mirënjohje për bashkëpunimin mes dy shteteve.

    Me këtë vendim, kosovarët që posedojnë patentë-shofer të lëshuar nga institucionet e Kosovës do të mund ta përdorin atë zyrtarisht në territorin e Sllovenisë, pa pasur nevojë për procedura shtesë të njohjes apo konvertimit.

    Ky hap pritet të lehtësojë lëvizjen dhe punësimin e mijëra qytetarëve nga Kosova që jetojnë në këtë shtet të BE-së.

  • Dyshime për dokumente të rreme në tender publik – arrestohet një person në Gjilan

    Dyshime për dokumente të rreme në tender publik – arrestohet një person në Gjilan

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “Mashtrim në prokurimin publik”, pas përfundimit të një hetimi disa mujor të zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

    Sipas njoftimit, hetimet janë kryer në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Themelore në Gjilan dhe kanë rezultuar në sigurimin e provave relevante që lidhen me një aktivitet të prokurimit publik në këtë rajon.

    Policia njofton se dyshohet që një operator ekonomik ka paraqitur dokumentacion të paplotë, të pasaktë ose të pavërtetë, në kundërshtim me kërkesat ligjore të prokurimit publik, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm.

    “Bazuar në veprimet hetimore është krijuar dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprës penale ‘Mashtrim në prokurimin publik’,” thuhet në njoftim.

    I dyshuari është intervistuar në prani të mbrojtësit të tij ligjor, ndërsa prokurori kompetent ka lëshuar aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se hetimet lidhur me rastin do të vazhdojnë sipas procedurave ligjore, duke theksuar përkushtimin për luftimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit.

  • Deri tani ka paguar 3.4 milionë euro: Kërkohet burg për Chiara Ferragni-n

    Deri tani ka paguar 3.4 milionë euro: Kërkohet burg për Chiara Ferragni-n

    Kërkesa e Prokurorisë u paraqit këtë mëngjes në Gjykatën e Milanos: Ferragni hyri në ndërtesë përpara hapjes së zyrave për të shmangur fotografët. Është kërkuar gjithashtu dënimi i ish-krahut të saj të djathtë, Fabio Damato. Pala civile është shoqata “Casa dei consumatori”; të gjitha palët e tjera kanë arritur marrëveshje jashtëgjyqësore.

    Për akuzën e mashtrimit të rënduar, Prokuroria e Milanos kërkon që Chiara Ferragni “të dënohet me një vit e tetë muaj burg”. Kjo kërkesë u paraqit sot, 25 nëntor, nga prokurori i çështjes Eugenio Fusco, gjatë seancës paraprake lidhur me skandalin e pandoros Balocco dhe vezëve të Pashkëve të markës Dolci Preziosi. Produktet ishin promovuar nga agjencia e influencueses si të lidhura me dy nisma të ndryshme bamirësie.

    Së bashku me Ferragnin, është kërkuar dënimi me të njëjtën masë (1 vit e 8 muaj) edhe për ish-drejtorin e saj të operacioneve, Fabio Maria Damato. Ndërsa për Francesco Cannillo, president i Cerealitalia, është kërkuar një vit burg. Seanca e radhës është caktuar më 5 dhjetor, ku do të flasin avokatët mbrojtës Marcello Iannaccone dhe Marcello Bana, të cilët do të synojnë shpalljen e pafajësisë.

    Gjykatësi ka pranuar gjithashtu kërkesën e shoqatës “Casa dei consumatori” për t’u përfshirë si palë civile, pasi shoqatat e tjera kanë mbyllur çështjen me marrëveshje. Në total, mes gjobave të vendosura nga Autoriteti i Konkurrencës dhe pretendimeve për dëme, Chiara Ferragni ka paguar tashmë 3.4 milionë euro, përpara se procesi të hynte realisht në fazën kryesore.

    Përmes avokatëve të tyre, tre të pandehurit kanë kërkuar gjykim të shkurtuar, i cili parashikon uljen e një të tretës së dënimit. Për akuzën e mashtrimit të rënduar, dënimi mund të variojë nga një deri në pesë vjet burg. Uljen e dënimit e favorizojnë edhe dëmshpërblimet e kryera dhe fakti që të tre janë pa precedentë penalë. Ferragni ishte e pranishme sot në sallë, por për të shmangur turmën e fotografëve, u fut në gjykatë përpara hapjes zyrtare të ambienteve.

    “Gjithçka që kemi bërë, e kemi bërë me mirëbesim”, tha Ferragni në deklaratat e saj spontane në gjykatë.

  • 131 mace të egra u larguan nga ishulli: Ajo që ndodhi më pas i habiti edhe shkencëtarët

    131 mace të egra u larguan nga ishulli: Ajo që ndodhi më pas i habiti edhe shkencëtarët

    Disa vjet më parë, macet jetonin në Ishujt Ogasawara në Japoni dhe gjuanin pëllumba pylli me kokë të kuqe, një specie pëllumbash që jeton ekskluzivisht në ato ishuj.

    Është një zog me madhësi mesatare, rreth 40 centimetra i gjatë. Numri i tyre ra ndjeshëm në fund të shekullit të 20-të për shkak të shpyllëzimit dhe grabitjes nga macet. Në vitin 2008, numri i tyre ra nën 80 dhe specia ishte në prag të zhdukjes.

    Kur filluan të largonin macet nga ishulli në vitin 2010, pëllumbat e egër me kokë të kuqe u rikthyen nga pragu i zhdukjes. Midis viteve 2010 dhe 2013, ata kapën 131 mace, duke e ulur numrin e tyre në më pak se 20. Gjatë së njëjtës periudhë, numri i përgjithshëm i pëllumbave të vëzhguar u rrit nga 111 në 966 të rritur dhe nga nëntë në 189 zogj të vegjël.

    Ezistenca e jashtëzakonshme e zogut

    Shërimi jashtëzakonisht i shpejtë i pëllumbave ka tërhequr vëmendjen e studiuesve nga Universiteti i Kiotos.

    “Shumica e specieve, numri i të cilave bie në nivele kaq të ulëta, vuajnë nga bashkimi brenda familjes, i cili grumbullon mutacione gjenetike të dëmshme. Kjo e bën të vështirë rikuperimin, madje edhe me masa intensive konservimi”, shpjegon Daichi Tsujimoto, autori kryesor i një studimi të ri, të botuar në revistën Communications Biology, që analizon rikuperimin e kësaj specie.

    Megjithatë, pëllumbi i egër kokëkuq i ka tejkaluar të gjitha pritjet. Prandaj, shkencëtarët donin të hetonin arsyet gjenetike për një rezistencë të tillë. Ata krahasuan të gjithë gjenomet e pëllumbave të egër kokëkuq si të atyre të egër ashtu edhe të atyre të robëruar, si dhe popullatat e egra të nënllojeve më të përhapura japoneze. Ata matën shkallën e kryqëzimit brenda familjes dhe ngarkesën gjenetike (numrin e mutacioneve të dëmshme) në të dyja speciet, raporton BBC Wildlife Magazine.

    Rezultatet ishin të habitshme. Pëllumbat e egër me kokë të kuqe kishin më pak mutacione të dëmshme sesa të afërmit e tyre më të përhapur. Kjo sugjeron që rezistenca e tyre gjenetike është rezultat i mbijetesës afatgjatë si një popullatë e vogël dhe e izoluar para mbërritjes së njerëzve, shpjegoi udhëheqësi i ekipit Yuji Isagi.

    Gjatë shekujve, procesi i inbredimit gradual ka pastruar gjenomin e tyre nga mutacionet e dëmshme. Ky proces njihet si pastrim gjenetik. Ai u ka lejuar zogjve të mbijetojnë më lehtë pasi popullatat u shkatërruan nga grabitqarët dhe të riprodhohen më shpejt kur kërcënimi është hequr.

    “Kjo histori unike evolucionare u ka dhënë qartë zogjve një qëndrueshmëri që nuk e shohim te speciet e tjera të rrezikuara”, shton Isagi.

    Studimi sfidon bindjen e përhapur gjerësisht se bashkimi brenda familjes e bën gjithmonë më të vështirë rikuperimin për shkak të ekspozimit ndaj mutacioneve të dëmshme. Në vend të kësaj, ai thekson se popullatat e vogla, në kushte të caktuara, mund të përshtaten gjenetikisht me kalimin e kohës dhe të mbijetojnë edhe rënie shumë të rënda të popullatës.

  • Kryesuesi i KPK-së: Kelmendi u shkarkua për shkak të qëndrimeve të njëanshme e denigruese ndaj sistemit prokurorial

    Kryesuesi i KPK-së: Kelmendi u shkarkua për shkak të qëndrimeve të njëanshme e denigruese ndaj sistemit prokurorial

    Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj, tha se Besim Kelmendi është shkarkuar nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit për shkak të qëndrimeve të njëanshme dhe denigruese në takimet e Këshillit dhe prononcimet për medie. Ai tha se mirëpresin faktin që Kelmendi do të ndjek rrugët ligjore për të kontestuar vendimin për shkarkimin e tij.

    Në një konferencë për medie të thirrur të martën, Hajdaraj duke folur për zhvillimet e fundit në KPK, tha se në mbledhjen e 20 nëntorit, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi dhe katër anëtarë të tjerë lëshuan kundërligjshëm mbledhjen.

    Sipas tij, në atë takim anëtarët e Këshillit erdhën të përgatitur dhe me qëllim për të bllokuar punën e Këshillit, e që në asnjë rrethanë nuk duhet të bllokohet, por të ketë funksionim normal për të përmbushur mandatin e tij.

    Besim Kelmendi në mbledhjen e 20 nëntorit u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Vendimi u mor nga pesë anëtarë të Këshillit të pranishëm në atë takim, pasi fillimisht takimi u mbyll në mungesë kuorumi me largimin e Kelmendit dhe katër anëtarëve tjerë nga kjo mbledhje. Ky vendim ka nxitur reagime të shumta dhe është cilësuar si kundërligjor. Vetë Kelmendi ka paditur KPK-në duke kërkuar anulimin e vendimit.

    “Nga qëndrimet e njëanshme dhe denigruese të shprehura nga zoti Kelmendi në takimet e Këshillit dhe prononcimet për medie, është zbehur ndjeshëm roli unifikues që i takon Kryeprokurorit të Shtetit në sistemin prokurorial, si dhe ka cenuar besimin e publikut në sistemin prokurorial”, tha Hajdaraj.

    Andaj, ai thotë se për këtë arsye kanë marrë vendim për shkarkimin e Kelmendit nga kjo pozitë.

    Sipas tij, për shkak të këtyre arsyeve dhe të tjera politike, sistemi prokurorial ka mbetur pa dekretimin e Kryeprokurorit të Shetit. Tha se në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, kanë marrë vendim për shkarkimin e Kelmendit, ndërkaq theksoi se në vend të tij caktuan Agron Qalajn.

    “Ne e mirëpresim qasjen e zotit Kelmendi për të ndjekur të gjitha rrugët ligjore për ta kontestuar ligjshmërinë e këtij vendimi. Ne duhet t’i besojmë sistemit tonë gjyqësor për vendimet që merr, përfshirë edhe këtë çështje”, shtoi Hajdaraj.

    Por, sipas tij, tentimi për të penguar punën dhe funksionimin e Këshillit Prokurorial, përbën sulm të drejtpërdrejtë në punën e këtij institucioni dhe kërcënim për sigurinë juridike.

    Hajdaraj tha se Besim Kelmendi ka mundur të ndjek të gjitha rrugë ligjore ndaj kujtdoqoftë e jo të dalë në konferencë për shtyp për të shfaqur pretendime për presion, shantazh e forma tjera ndaj një prokurori brenda sistemit.

    “Kësisoj ai nuk e ka kryer detyrën e tij sipas Kushtetutës dhe Ligjit, përkundrazi me këto veprime ka lëkundur seriozisht besimin e publikut në sistemin prokurorial”, u shpreh Hajdaraj.

    Ai i bëri thirrje Qalajt që të shqyrtojë të gjitha pretendimet e Kelmendit, për të trajtuar dhe hetuar përgjegjësinë e gjithë personave të përfshirë në rast.

  • Punëtori i Trafikut Urban me lot në sy: Më vjen marre prej qytetarëve kur po i shoh që kanë mbetë rrugëve

    Punëtori i Trafikut Urban me lot në sy: Më vjen marre prej qytetarëve kur po i shoh që kanë mbetë rrugëve

    Një punëtor i Trafikut Urban ka shpërthyer në lot sot gjatë protestës së mbajtur për mos marrjen e pagave për disa muaj

    Ai u pa me lot në sy kur po fliste për qytetarët që siç tha ai kanë mbetur rrugëve.

    “Më vjen marre prej qytetarëve kur po i shoh që kanë mbetë rrugëve” – Punëtori i Trafikut Urban ‘shpërthen’ në lot gjatë pro’testës: Më vjen keq për çdo pasagjer”, tha punëtori i Trafikut Urban.

    Sipas tij, Komuna duhet të flas me Qeverinë.

    Ai madje tha se buxheti i Trafikut Urban është dëmtuar me lirimin nga pagesa të disa kategorive, dhe se lirimi duhet të jetë për kategoritë e caktuara që janë me social, e jo ata që marrin paga.