ATV

Author: K.B.

  • Banka Qendrore Europiane refuzon kredinë për Ukrainën

    Banka Qendrore Europiane refuzon kredinë për Ukrainën

    Banka Qendrore Europiane ka refuzuar të bëhet huadhënëse në një skemë për t’i dhënë Ukrainës një kredi prej 140 miliardë eurosh, që do të shlyhej me asetet e ngrira ruse.

    Financial Times raporton se Banka arriti në përfundimin se propozimi i Komisionit Europian për këtë lloj kredie, shkel mandatin e saj. Kjo i ndërlikon më tej përpjekjet për të mbledhur fonde për Ukrainën, në një kohë kur vendi ka më shumë se kurrë nevojë për ndihmë financiare.

    Sipas planit të Komisionit Europian, vendet anëtare të unionit duhet të ofronin garanci shtetërore në rast rreziku të shlyerjes së parave.

    Megjithatë zyrtarë të Komisionit vendosën që shtetet anëtare nuk do të ishin në gjendje të mblidhnin një shumë të tillë shpejt në rast emergjence. Prandaj Komisioni iu drejtua bankës për ta pyetur nëse ajo mund të vepronte si huadhënës i fundit.

    Përgjigja e Bankës Qendrore Europiane ishte se një lëvizje e tillë është e pamundur.

    Nga një analizë e brendshme e Bankës u arrit në përfundimin se propozimi është në fakt me një financim direkt të qeverive, pasi asaj në thelb i kërkohet të mbulojë detyrimet financiare të shteteve anëtare.

    Ideja e një kredie dëmshpërblimi deri në 140 miliardë euro, bazuar në bilancet e parave të gatshme të aseteve të ngrira ruse, u paraqit më 10 shtator.

    Falë kredisë dëmshpërblimit, Ukraina mund të merrte 45 miliardë euro në vit gjatë viteve të ardhshme, nga viti 2026 deri në vitin 2028.

  • Personi që dyshohet se e theri me thikë të fejuarën është pjesëtar i FSK’së

    Personi që dyshohet se e theri me thikë të fejuarën është pjesëtar i FSK’së

    Policia e Kosovës të dielën raportoi për një rast të rëndë që ka ndodhur më 29 nëntor në Fushë Kosovë.

    Atje u arrestua një i dyshuar i cili e e kishte therrur me thikë të fejuarën e tij.

    Lajmin e ka konfirmuar vetë FSK-ja. Këta të fundit kanë bërë të ditur se janë njoftuar për ngjarjen, dhe do të ndërmarrin të gjitha veprimet bazuar në rregulloret në fuqi.

    “Ju njoftojmë se personi në fjalë është pjesëtarë i FSK-së, dhe ndodhet në ndalim policor, FSK është njoftuar për rastin dhe do të ndërmarr masat bazuar në aktet ligjore dhe rregulloret në fuqi”, thuhet në përgjigjen e FSK-së.

    Policia e Kosovës në raportin 24-orësh të së dielës, tregoi detaje për këtë ngjarje.

    “Fushë Kosovë / 29.11.2025-07:45. Njësitet policore pas pranimit të informatës lidhur me rastin, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë takuar viktimën f/k, e cila dyshohet se kishte pësuar lëndime me mjete të mprehta. Viktima pas tretmanit fillestar mjekësor në QKMF, është dërguar në QKUK dhe i është nënshtruar operimit për shkak të gjendjes kritike të saj. Lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari m/k-i fejuari i saj me të cilin ishte duke bashkëjetuar, nën dyshimin se i njëjti është i përfshirë në rast”, njoftoi Policia e Kosovës.

    Ditën e djeshme, Prokuroria Themelore në Prishtinë bëri të ditur se ka kërkuar masën e paraburgimit për të dyshuarin.

    “Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit është duke ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore ndaj personit i cili dyshohet se ka sulmuar të fejuarën e tij dhe për të cilin ekziston dyshimi se ka kryer veprën penale ”Vrasje e rëndë në tentativë”, në bazë të nenit 173 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, ka paraqitur kërkesën në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit”, thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

    QKUK-ja bëri të ditur dje se viktima është në Mjekim Intensiv, pasi nga Policia u tha se ndodhet në gjendje kritike.

    Detaje të tjera për këtë rast ende nuk dihen, megjithatë Prokuroria e Policia po i vazhdojnë hetimet.

  • Kriza me transportin urban, Rama – Muratit: Pse nuk po i qet paret?

    Kriza me transportin urban, Rama – Muratit: Pse nuk po i qet paret?

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama e ka pyetur publikisht ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Muratin se pse nuk i ka alokuar mjetet buxhetore për Trafikun Urban.

    Rama ka shkruar se Komuna që drejtohet nga ai po pret transferimin e mjeteve nga kjo ministri.

    “Pse nuk po i qet paret, Hekuran? Shërbimet janë ndalur. Punëtorët janë pa paga. Komuna po pret transferimin e mjeteve nga ministria. Javën e kaluar e votuam bartjen e mjeteve, ndonëse këto obligime kanë mundur të mbulohen lehtësisht nga 35 milionë euro të hyrat vetanake dhe nga granti qeveritare që, për ironi, as nuk kërkojnë votim në Asamble, vetëm vullnet për miratim nga ministri në detyrë, por që vazhdon t’i mbajë të bllokuara me përkushtim!”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

    “Meqë politika spektakolare paska prioritet, u detyruam të ndjekim çdo rrugë tjetër vetëm që punëtorët të marrin pagat e tyre. E thirrëm edhe seancën e jashtëzakonshme për t’i votuar 25 milionë euro nga të hyrat e vitit 2024, të njëjtat mjete që tri herë radhazi u bllokuan nga asambleistët e VV-së. Këtë herë u votuan”, shkruan mes tjerash ai.

  • Konsumoi fotoksinë, vdes në spital 15-vjeçari në Shqipëri

    Konsumoi fotoksinë, vdes në spital 15-vjeçari në Shqipëri

    Një 15-vjeçar ka vdekur në spital, pasi dyshohet se kishte konsumuar fotoksinë.

    Policia e Elbasanit thotë se fillimisht 15-vjeçari u paraqit në spitalin e Elbasanit dhe më pas u transportua drejt QSUT, ku edhe humbi jetën.

    “Në Spitalin Rajonal Elbasan është dërguar për mjekim një 15-vjeçar, i cili më pas është dërguar në QSUT, por pavarësisht ndërhyrjeve mjekësore, ai ka humbur jetën. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 15-vjeçari ka konsumuar fotoksinë. Materialet procedurale për rastin iu referuan Prokurorisë, për vlerësim”, thote policia.

  • “All I Want For Christmas Is You”, Mariah Carey fiton ende shuma marramendëse nga hiti i Krishtlindjes

    “All I Want For Christmas Is You”, Mariah Carey fiton ende shuma marramendëse nga hiti i Krishtlindjes

    Mariah Carey ka nisur tashmë të festojë me këngë Krishtlindje dhe ka çelur koncertet Yuletide në Las Vegas.

    56-vjeçarja doli në skenë me një fustan me të kuqe e të bardhë duke qëndruar në një flok gjigant dëbore.

    Sigurisht nuk mungoi hiti “All I Want For Christmas Is You”, e cila edhe sot vazhdon t’i sjellë fitime marramendëse.

    Kënga e publikuar në 1994 është kënga më e dëgjuar e Krishtlindjeve dhe grumbullon 3-4 milionë dollarë të ardhura çdo vit. Në vitin 2023 raportohej të kishte arritur në më shumë se 99 milionë dollarë.

    Këngëtarja ka rrëfyer më herët se e kompozoi duke pasur si qëllim që të mbetej diçka pa kohë. Ajo pranon se ende habitet nga suksesi i këngës, por mendon se njerëzit e pëlqejnë për shkak të vërtetësisë që ka.

    “Unë i dua vërtet festat e fundvitit. Nuk është e gënjeshtërt.”

    Mariah ka thënë se në shtëpinë e saj zbukurimet dhe festat janë po aq ekstravagante sa koncertet.

    E gjithë familja mblidhet bashkë në Aspen ku shijojnë dëborën, shëtitjet me slitë, gatimet dhe shoqërinë e Babagjyshit.

  • Gjermania aktivizon super-mburojën raketore Arrow-3

    Gjermania aktivizon super-mburojën raketore Arrow-3

    Mes shqetësimeve në rritje për sigurinë në Evropë, zyrtarë të lartë gjermanë treguan armën e re super-mbrojtëse të vendit të tyre: sistemin izraelit Arrow-3.

    Mediat në Gjermani shkruajnë se bëhet fjalë për sistemin më modern të mbrojtjes ajrore të Bundeswehr-it që tani është i stacionuar në Holzdorf. Të mërkurën, Inspektori i Përgjithshëm Carsten Breuer dhe Inspektori i Forcave Ajrore Holger Neumann do të japin zyrtarisht miratimin për vendosjen e sistemit.

    Një kontingjent fillestar është vendosur atje: raketat, sistemet e radarit dhe teknologjia e kontrollit janë gati. Por do të pasojnë më shumë module. Kjo nënkupton se për herë të parë, Gjermania mund të shkatërrojë raketat armike jashtë atmosferës përpara se ato të arrijnë në territorin e saj.

    Në këtë drejtim, bëhet e ditur se Forcat e Armatosura Gjermane (Bundeswehr) po investojnë afërsisht 4 miliardë euro nga fondi i tyre i posaçëm në sistemin e mbrojtjes. Eksperti i mbrojtjes i SPD-së, Falko Drobmann, ka përshëndetur këtë lëvizje. Sipas tij, “me blerjen e sistemit Arrow, Bundeswehr fiton aftësinë për të paralajmëruar popullsinë tonë herët dhe për të kapur raketat me rreze të gjatë veprimi që vijnë”. Shitja prej gati 4 miliardë eurosh (4.6 miliardë dollarë) e Arrow 3 Gjermanisë, e konsideruar marrëveshja më e madhe e eksportit të mbrojtjes në historinë e Izraelit, u nënshkrua në shtator 2023.

    Sistemi Arrow 3 është projektuar për të shkatërruar raketat balistike ndërsa ato janë ende jashtë atmosferës. Ai thuhet se ka rrëzuar qindra raketa balistike të lëshuara drejt Izraelit nga Irani dhe grupi Houthi i mbështetur nga Irani në Jemen gjatë luftës aktuale.

  • Ministria e Financave ende nuk e ka ndarë buxhetin e kërkuar nga KQZ-ja për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Ministria e Financave ende nuk e ka ndarë buxhetin e kërkuar nga KQZ-ja për zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, u diskutua për buxhetin e këtij institucioni për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.

    Ani pse KQZ kishte miratuar planin e buxhetit më 25 nëntor, drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, tha se ende nuk kanë marrë ndonjë njoftim për buxhetin nga Ministria e Financave, pra KQZ ende nuk është pajisur me mjete financiare.

    Kërkesa zyrtare drejtuar qeverisë me vlerë 11.5 milionë euro, nuk është përfillur ende nga ana e kësaj ministre.

    “Mund të na informoni se deri ku ka shkuar çështja e miratimit të buxhetit, sepse pa buxhet nuk mund të zhvilloni asnjë operacion zgjedhor. Kisha dashur me iu pyet a është vonë mosndarja e buxhetit deri në këtë kohë, sa i përket operacioneve zgjedhore?”, pyeti Ilir Gashi, anëtar i KQZ-së nga radhët e PDK-së.

    “Më 25 nëntor 2025, KQZ ka miratuar planin e buxhetit për zgjedhjet e parakohshme të Kuvendit të Kosovës. Ne menjëherë të nesërmen, përmes kërkesës, përmes arkivit dhe email-it, i kemi dërguar në Ministrinë e Financave. Aktualisht nuk kemi asnjë njoftim lidhur me kërkesën që është parashtruar”, u përgjigj Buzhala.

  • 3 shenjat e horoskopit kinez që tërheqin sukses financiar gjatë gjithë dhjetorit

    3 shenjat e horoskopit kinez që tërheqin sukses financiar gjatë gjithë dhjetorit

    Tre shenja të horoskopit kinez do të tërheqin sukses financiar gjatë dhjetorit 2025. Çdo javë e këtij muaji sjell një mundësi pune ose nevojë për të marrë vendime të shpejta, por ditët kur do të korrësh frytet e përpjekjeve të tua janë: 4, 5, 17, 18, 29 dhe 30 dhjetor.

    Ritmi dhe koha janë dy tema kryesore gjatë gjithë muajit. Nëse një mundësi të shfaqet, ajo duhet kapur në atë moment. Hezitimi mund të çojë në humbjen e mundësive.

    Më poshtë shpjegohet çfarë nënkupton kjo për tre shenjat që do të përjetojnë sukses financiar gjatë tërë muajit:

    1. Derri

    Vitet e lindjes: 1947, 1959, 1971, 1983, 1995, 2007, 2019

    Derr, ky është muaji për të kërkuar një rritje page ose për të testuar idetë që ke për paratë. Mënyra e vetme që do të përjetosh sukses financiar këtë dhjetor është të ndalosh shpenzimet e panevojshme. Miqësitë që të ftojnë në darka ose dreka jashtë buxhetit mund të duhet të vendosen në pritje.

    Në fillim të dhjetorit, fillo planifikimin e buxhetit herët. Nëse duhet të konsolidosh ose të planifikosh, nis nga java e parë. Mund të gjesh një ofertë me normë të arsyeshme që të të ndihmojë të shtosh para në xhep. Dritarja e parë për fitime hapet rreth datave 4-7 dhjetor; një klient mund të pranojë një propozim, ose mund të marrësh një bonus nga puna ose një projekt i kryer më herët gjatë vitit.

    Dritarja e dytë financiare hapet rreth datave 17-19 dhjetor. Përpjekjet e qëndrueshme në një projekt do të tregojnë frytet e tyre. Muaji mbyllet fuqishëm nga datat 29-31 dhjetor. Kërko rritjen e pagës ose dorëzo kërkesën për pushime herët. Gjej mënyra për të kursyer para në shtëpi, mund të gjesh diçka që lehtëson tensionin financiar pa shumë përpjekje.

    2. Lepuri

    Vitet e lindjes: 1951, 1963, 1975, 1987, 1999, 2011, 2023

    Lepur, koha e duhur në marrëdhënie është çelësi i suksesit tënd financiar. Paratë do të vijnë përmes njerëzve, partneriteteve, bashkimeve dhe mënyrës si pozicionohesh me vendimmarrësit (qoftë edhe me partnerin/en nëse je i/e martuar). Fillo muajin duke bërë diçka që të vendos në radarin e tjerëve. Posto një njoftim në rrjetet sociale ose ndaj ide mbi trendet aktuale. Nëse dëshiron të njohësh dikë, prezanto veten dhe krijo lidhje.

    Dritarja e parë financiare hapet rreth datave 4-7 dhjetor, ku do të gjesh lidhje fitimprurëse. Ji i/e përgatitur. Nëse punon në një fushë të caktuar, informohu mbi zhvillimet e lajmeve ose ekonomisë. Shpreh mendime dhe opinione, edhe nëse nuk janë të njohura. Duhet të tregosh njohuri në fushën tënde ose ekspertizë profesionale.

    Dritarja e dytë hapet në mes të muajit, rreth datave 17-19 dhjetor. Do të jetë më e lehtë të mbyllësh një ofertë, të negociosh një kontratë ose të investosh. Nëse ndihesh i/e pasigurt për atë që të paraqitet, vepro me kujdes. Suksesi financiar mund të përfshijë edhe atë që je i/e gatshëm/me të sakrifikosh. Anulo shërbime ose abonime të papërdorura në fund të muajit.

    3. Tigër

    Vitet e lindjes: 1950, 1962, 1974, 1986, 1998, 2010, 2022

    Tigër, është mirë që je i/e guximshëm/me, sepse këtë muaj duhet të veprosh para se të shohësh shpërblime premtuese për suksesin financiar. Duhet të mbetesh i/e disiplinuar, por mos lejo që të ngecësh në zonat e sigurisë. Mund të të duhet të ndërmarrësh një rrezik për të marrë atë që dëshiron në dhjetor.

    Në fillim të muajit, nis një projekt që të konsolidon imazhin që dëshiron të projektosh tek të tjerët. Bëj një hap drejt një qëllimi ose ëndrre gjatë dritares së parë për fitime financiare, rreth datave 4-7 dhjetor. Veprimet e tua mund të marrin vëmendje, prandaj ji i/e përgatitur. Nëse po nxjerr një produkt ose projekt, sigurohu që strategjia të jetë e duhura. Gabimet mund të të demotivojnë, sidomos në datat 15-16 dhjetor, por qëndro i/e fokusuar.

    Rreth datave 17-19 dhjetor, mund të marrësh një ofertë për një promovim ose një punë të re. Mos ki frikë të vendosësh në atë kohë. Rezultatet e një rutine të re mund të shfaqen gjatë pushimeve, në datat 23-25 dhjetor, dhe kjo është koha për të vlerësuar çfarë funksionoi dhe si ta përsërisësh me përmirësime të vogla në janar.

  • Tre shqiptarë aksidentohen rëndë gjatë tentativës për t’i shpëtuar policisë gjermane

    Tre shqiptarë aksidentohen rëndë gjatë tentativës për t’i shpëtuar policisë gjermane

    Tre shqiptarë janë aksidentuar rëndë gjatë tentativës për t’i ikur policisë gjermane në Olsberg.

    Aksidenti ka ndodhur në orët e para të ditës së djeshme kur makina e tre shqiptarëve duke ikur nga policia, u përplas me një dyqan me fustane nusërie duke shkaktuar dëmtime të mëdha dhe plagosje të rënda.

    Shqiptari që ndodhej në sediljen e pasagjerit të përparmë është në gjendje kritike me shtyllën dhe shpatullat e thyera, ndërkohë që edhe dy shqiptarët e tjerë janë në gjendje të rëndë.

    Sipas policisë, një patrullë gjatë monitorimit të trafikut vuri re makinën, e cila përshpejtoi menjëherë sapo pa uniformat e policisë. Oficerët e ndoqën makinën, por e humbën nga sytë për shkak të shpejtësisë së lartë. Aksidenti ndodhi rreth një kilometër e gjysmë larg vendit ku makina u vërejt nga policia.

    Siç raporton JOQ, automjeti ka dalë nga rruga për shkak të shpejtësisë së tepërt gjatë një kthese majtas dhe më pas është përplasur me vitrinën e një dyqani veshjesh nusërie, duke përfunduar në murin pas tij dhe duke rënë mbi çatinë e dyqanit. Zjarrfikësit raportuan se dy nga burrat u nxorën nga rrënojat, ndërsa i treti ishte shtrirë pranë makinës. Aksidenti ka lënë një fushë të gjerë me mbeturina, ndërsa dyqani dhe muri kanë pësuar dëme të konsiderueshme.

    Policia njoftoi se për një nga pasagjerët ekziston një urdhër arresti në fuqi për krime kundër pronës. Dy pasagjerët e tjerë dyshohet se kishin konsumuar alkool. Meqenëse nuk është e qartë kush po drejtonte automjetin, janë marrë mostra gjaku nga të dy. Arsyeja e saktë e arratisjes mbetet nën hetim.

  • Pas vdekjes së Shpatit, bashkëshortja e tij flet mes lotësh: Nuk e di se si t’i tregoj djalit që është vetëm 3 vjeç

    Pas vdekjes së Shpatit, bashkëshortja e tij flet mes lotësh: Nuk e di se si t’i tregoj djalit që është vetëm 3 vjeç

    Bashkëshortja e këngëtarit të njohur, Shpat Kasapi, Selvije Jao, ka folur për herë të parë pas ndarjes së papritur të tij nga jeta.

    Në një deklaratë të ndjerë, ajo shprehu dhimbjen dhe respektin për bashkëshortin e saj.

    “Dhe sinqerisht më vjen keq që sot këtu të dal para jush të flas për ndërrimin e jetës së bashkëshortit tim, të një babai të mrekullueshëm, një artisti të mrekullueshëm me shumë virtyte, një artisti shumë modest”, tha ajo.

    Selvije tregoi gjithashtu lidhjen e veçantë që kishte me artistin nga Tetova.

    “Një njeri që mua si Selvije më ka kompletuar, më ka mbështetur, më ka respektuar dhe më ka dashur, mbi të gjitha më ka falë një djalë si Drita”.

    Ajo përmendi edhe djalin e tyre, Roelin, që është vetëm 3 vjeç e gjysmë.

    “Ai ende nuk e kupton se nuk e ka babanë e tij dhe unë nuk e di si do të rritet me këtë dhe nuk e di se kush do ta tregojë. Por e di që ai është shumë krenar me babanë e tij, e ka dashur shumë Shpatin dhe ai është përkushtuar deri në frymën e fundit që Roeli të ketë gjithçka të mirat”.

    Fjalët e Selvijes për jetën dhe kontributin e Kasapit si artist dhe baba, tregojnë dhimbjen e madhe të familjes pas kësaj humbjeje.