ATV

Author: K.B.

  • Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar

    Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar

    Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se një miliard njerëz në të gjithë botën jetojnë me aftësi të kufizuar.

    Këta persona, përgjithësisht, kanë më shumë probleme shëndetësore, mundësi më të pakta ekonomike, edukim dhe arritje akademike më të ulëta. Kjo ndodh më së shumti për shkak të barrierave me të cilat ata përballen në jetën e tyre të përditshme, se sa si rrjedhojë ekskluzive e aftësisë së kufizuar.

    Aftësia e kufizuar nuk është thjesht një çështje e shëndetit publik, por gjithashtu e të drejtave të njeriut dhe zhvillimit të shoqërisë. Përpjekjet e OBSH-së për të mbështetur shtetet në aspekte të ndryshme, reflektohen në Planin e Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuar 2014-2021, në Raportin Botëror për Aftësinë e Kufizuar, si dhe në Konventën e të Drejtave për Personat me Aftësi të Kufizuar.

    Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar 3 dhjetor, u vendos me Rezolutën 47/3 në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Qëllimi i kësaj dite është promovimi i të drejtave, mirëqenies, si dhe rritja e ndërgjegjësimit

    Më 11 qershor 2019, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, lansoi Strategjinë për Aftësinë e Kufizuar në një linjë me angazhimet e tij, për të shndërruar Kombet e Bashkuara një organizatë gjithëpërfshirëse.

    Strategjia në fjalë, thekson nxitjen e një progresi transformues dhe të qëndrueshëm, riafirmon përmbushjen e plotë të çështjes së personave me aftësi të kufizuar, si pjesë integrale e pandashme e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

  • Turqia e gatshme të udhëheqë sigurinë e Detit të Zi

    Turqia e gatshme të udhëheqë sigurinë e Detit të Zi

    Turqia, në parim është e gatshme që me pjesëmarrjen e partnerëve të tjerë, të marrë përgjegjësinë dhe të udhëheqë sigurinë në Detin e Zi, në lidhje me garancitë e sigurisë që do të ofrohen bazuar në një marrëveshje paqeje të rënë dakord nga palët pas përfundimit të luftës në Ukrainë.

    Sipas burimeve diplomatike turke, të informuara mbi sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi, Turqia paralajmëron kundër rrezikut të zgjerimit të luftës drejt brigjeve të saj dhe përhapjes në të gjithë rajonin e Detit të Zi dhe thekson se nuk do të lejojë që siguria e Detit të Zi të kërcënohet jo vetëm nga aktorët përkatës, por nga asnjë vend në botë.

    Ndërsa Turqia mbështet fuqimisht procesin e negociatave që synojnë përfundimin e luftës ruso-ukrainase, ajo pohon se vetëm Rusia dhe Ukraina kanë të drejtë të marrin vendimin përfundimtar për çdo marrëveshje paqeje.

    Që nga fillimi i luftës, Turqia ka udhëhequr nisma në arritjen e marrëveshjeve për çështje të rëndësishme si Iniciativa e Drithërave të Detit të Zi dhe shkëmbimet e të burgosurve, si dhe i jep përparësi përfundimit të luftës.

    Ndërsa lufta i ka dëmtuar si Ukrainën ashtu edhe Rusinë në mënyra të ndryshme, Turqia, një nga vendet e pakta që mban lidhje me të dyja palët, është e gatshme të ofrojë të gjitha llojet e mbështetjes në procesin që çon drejt paqes.

    Lidhur me garancitë e sigurisë që do të ofrohen bazuar në një marrëveshje paqeje të rënë dakord nga palët pas përfundimit të luftës, Turqia riafirmon gatishmërinë e saj në parim për të marrë përgjegjësi dhe për të udhëhequr hapësirën detare me pjesëmarrjen edhe të partnerëve të tjerë në Detin e Zi.

    Raportohet se me madhësinë dhe kapacitetin e saj Turqia luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e Evropës.

    Vlen gjithashtu të përmendet se Turqia, ushtria e dytë më e madhe e NATO-s dhe kontribuesi i dytë më i madh në operacionet dhe misionet e NATO-s, eksporton produkte mbrojtëse me vlerë më shumë se 7 miliardë dollarë.

    Në industrinë turke të mbrojtjes, e cila e bën të mundur këtë, janë punësuar 100 mijë njerëz. /AA/

  • Pesë orë bisedime në Kremlin, nuk ka marrëveshje të paqës Rusi-Ukrainë

    Pesë orë bisedime në Kremlin, nuk ka marrëveshje të paqës Rusi-Ukrainë

    Pesë orë bisedime midis presidentit rus, Vladimir Putin, dhe negociatorit të lartë të presidentit amerikan, Donald Trump, duket se nuk kanë arritur të sjellin ndonjë përparim në sigurimin e një marrëveshjeje paqeje – për Ukrainën.

    Një zëdhënës i Kremlinit tha se takimi në Moskë ishte “konstruktiv”, por pjesë të planit mbetën të papranueshme për Rusinë, shkruan BBC, transmeton IndeksOnline.

    I dërguari special i Trumpit, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, morën pjesë në bisedime pas disa javësh diplomacie intensive që synonin përfundimin e luftës.

    Ekipi amerikan nuk ka komentuar takimin, që kur është larguar nga Moska.

    Më herët të martën, Putin tha se ndryshimet e propozuara nga Kievi dhe Evropa, në një plan paqeje të mbështetur nga SHBA-ja, ishin të papranueshme, duke shtuar se nëse Evropa “dëshiron të shkojë në luftë dhe e fillon një të tillë, ne jemi gati tani”.

    Ukraina dhe aleatët e saj kanë lobuar te SHBA-ja për të ndryshuar draft-marrëveshjen e paqes, për të cilën Shtëpia e Bardhë është përpjekur të sigurojë një marrëveshje të shpejtë dhe Kremlini më parë ka lënë të kuptohet se është i hapur.

    Ky plan, i cili u pa gjerësisht si i favorshëm për Rusinë pasi u publikua në media në nëntor , ka pësuar disa ndryshime në javët e fundit.

    I pyetur në lidhje me propozimin pas takimit në Moskë, ndihmësi i lartë i Putinit, Yuri Ushakov, tha se Kremlini “u pajtua me disa pika… por disa gjëra i kritikuam”.

    Ai shtoi: “Nuk kemi dalë ende me një version kompromisi… Na pret shumë punë përpara.”

    Mosmarrëveshjet kryesore midis Moskës dhe Kievit mbeten, duke përfshirë edhe çështjen e Ukrainës që pranon të lëshojë territorin që vazhdon ta kontrollojë, si dhe garancitë e sigurisë të ofruara nga Evropa.

  • Autobusët e “Trafikut Urban” rinisin qarkullimin

    Autobusët e “Trafikut Urban” rinisin qarkullimin

    Pas grevës 1-javore, Trafiku Urban ka njoftuar se do t’i rikthehet punës nga sot

    Në njoftim thuhet se pas fillimit të alokimit të mjeteve nga Ministria e Financave dhe pagesës së faturave nga Komuna e Prishtinës, do të rifillojë ofrimin e shërbimit të transportit publik qysh nga sot.

    “Gjatë ditëve të fundit, ndërprerja e transportit ka qenë e pashmangshme për shkak të pamundësisë financiare të krijuar nga mospagesa e detyrimeve të Komunës ndaj ndërmarrjes. Shprehim keqardhje të sinqertë për vështirësitë që qytetarët janë detyruar të përballen gjatë këtyre ditëve pa shërbimin e transportit publik dhe ju falënderojmë për mirëkuptimin e treguar”, thuhet në njoftim.

    Punëtorët e Trafikut Urban dhe transportuesve privat kanë protestuar çdo ditë para objektit të Komunës së Prishtinës.

    Kuvendi Komunal i Prishtinës mbajti mbledhje të jashtëzakonshme të enjten për të miratuar bartjen e të hyrave vetanake, për t’i hapur rrugë pagesës së faturave.

    Alokimi i një pjese të këtyre mjeteve është bërë tek sot nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve. Bëhet fjalë për 2.7 milionë euro.

  • E mërkura me mot të vranët dhe me reshje shiu

    E mërkura me mot të vranët dhe me reshje shiu

    Sot, parashikohet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe herë pas here me reshje lokale shiu, të cilat në zona të caktuara pritet të jenë më intensive.

    Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i juglindjes, me shpejtësi prej 10-30 km/h, njofton MeteoKosova.

    Temperaturat minimale do të lëvizin prej 2 deri në 4°C, ndërsa ato maksimale prej 7 deri në 9°C.

  • Vetëvendosje shpall zgjedhje të brendshme për listën e deputetëve

    Vetëvendosje shpall zgjedhje të brendshme për listën e deputetëve

    Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur zgjedhjet e brendshme për kandidatët për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025.

    Përmes një njoftimi, ky subjekt politik ju ka bërë thirrje të gjithë anëtarëve të saj të interesuar për të kandiduar për deputet, që të paraqesin deklaratën e kandidaturës me dokumentet shoqëruese, raporton IndeksOnline.

    Njoftimi i plotë i Lëvizjes Vetëvendosje:

    Në përputhje me Statutin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Rregulloren e Zgjedhjeve të Brendshme, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, shpall zgjedhjet e brendshme për kandidatët për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025.

    Të gjithë anëtarët e Lëvizjes, të interesuar për të kandiduar në këto zgjedhje duhet të paraqesin deklaratën e kandidaturës me dokumentacionin shoqërues nga data 02.12.2025 deri me datë 04.12.2025. Në secilën Qendër të Lëvizjes VETËVENDOSJE! janë ngritur Komisionet Zgjedhore Ad-Hoc të Qendrave, ku anëtarët e interesuar mund të drejtohen për çdo informacion të mëtejshëm.

    Me besimin e plotë në vlerat e demokracisë sonë të brendshme dhe në respektim të Statutit, ky proces synon të çojë përpara kandidatet dhe kandidatët më të përgatitur për fitoren plebishitare të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

  • Austria vazhdon angazhimin në KFOR, deri në 600 ushtarë do të vendosen më 2026

    Austria vazhdon angazhimin në KFOR, deri në 600 ushtarë do të vendosen më 2026

    Anëtarët e Komisionit të Përbashkët të Parlamentit të Austrisë miratuan unanimisht vazhdimin e angazhimit të fuqishëm të Austrisë në Ballkanin Perëndimor.

    Ministrja e Jashtme, Beate Meinl-Reisinger tha se BE-ja duhet t’u bëjë ballë përpjekjeve destabilizuese në rajon. Sipas saj, Austria është e përkushtuar që Ballkani Perëndimor të mbetet i lidhur ngushtë me Evropën dhe me projektin evropian të paqes.

    Parlamenti austriak, siç raporton Klankosova.tv, thotë se “në kuadër të operacionit shumëkombësh të paqes në Kosovë (KFOR), deri në 600 pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Austrisë do të dislokohen sërish në vitin 2026”.

    “Detyra kryesore e KFOR-it është ruajtja e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë. Po ashtu, u miratua unanimisht vazhdimi i pjesëmarrjes së Austrisë në dy misione të tjera në Kosovë. Për administratën e përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) do të dërgohen një përfaqësues nga Ministria e Brendshme si Oficer Ndërlidhës për Operacionet Policore, një anëtar nga Ministria e Mbrojtjes, si dhe deri në 50 pjesëtarë të tjerë të ushtrisë austriake”.

  • Trump shpërndan artikullin ku Presidentja Osmani ia jep atij meritat për ndaljen e konfliktit Kosovë-Serbi

    Trump shpërndan artikullin ku Presidentja Osmani ia jep atij meritat për ndaljen e konfliktit Kosovë-Serbi

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka shpërndarë sot një opinion të publikuar në “The Washington Post”, ku vlerësohet se ai e meriton Nobelin për Paqe.

    Tek arsyet, përmendet ndalja e konflikteve nëpër botë, ku përfshihet edhe parandalimi i një konflikti mes Kosovës dhe Serbisë.

    Në shkrim është theksuar edhe deklarata e Presidentes Vjosa Osmani, ku i kishte dhënë merita Trumpit

    “Për më tepër, Trump pohon se ai e parandaloi një luftë midis Serbisë dhe Kosovës (Presidentja e Kosovës mbështeti pretendimin e Trump, duke thënë se Serbia po planifikonte të sulmonte Kosovën në maj para se Trump të ndërhynte)”, thuhet në shkrim.

    Trump disa herë ka deklaruar se në mesin e luftërave që ka ndalur, është edhe ajo mes Kosovës dhe Serbisë.

    Opinioni është nga Marc A.Thiessen

  • Ushqimet ultra të përpunuara, ja dëmet që shkaktojnë në shëndet

    Ushqimet ultra të përpunuara, ja dëmet që shkaktojnë në shëndet

    Në një seri artikujsh të botuar të mërkurën, më 19 nëntor, në revistën shkencore The Lancet, disa grupe kërkimore kanë shqyrtuar plotësisht efektet shëndetësore të ushqimeve ultra të përpunuara (UPF). Le Monde, e cila paraqet gjetjet, përmbledh një përfundim të padiskutueshëm: sa më shumë UPF të ketë në pjatën tonë, aq më të mëdha janë rreziqet shëndetësore.

    Këto ushqime, drithërat e mëngjesit, ëmbëlsirat me qumësht, salcat industriale, biskotat, pijet freskuese etj., prodhohen nëpërmjet proceseve fiziko-kimike që e ndryshojnë thellësisht ushqimin origjinal. Ato shpesh përmbajnë aditivë që mungojnë në gatimin shtëpiak, siç janë emulsifikuesit, ëmbëlsuesit, përmirësuesit e shijes, konservuesit, nitritet, sheqeri invert etj. Edhe dy produkte të ngjashme mund të klasifikohen ndryshe në varësi të procesit të tyre të prodhimit.

    Rreziku i sëmundjes së Crohn u rrit me rreth 90%

    Studiuesit vunë re se njerëzit me ekspozimin më të lartë ndaj ushqimeve ultra të përpunuara kishin një rrezik afërsisht 90% më të lartë për të zhvilluar sëmundjen e Crohn-it , si dhe një rrezik në rritje të obezitetit abdominal (33%), dislipidemisë (26%), depresionit (23%), sëmundjes kronike të veshkave (22%) dhe obezitetit (21%). Vdekshmëria e përgjithshme u rrit gjithashtu me afërsisht 18%, sipas njëzet studimeve të njëpasnjëshme.

    I njëjti trend është regjistruar për sëmundjet kardiovaskulare, hipertensionin dhe diabetin e tipit 2. “Disa kancere, siç është kanceri i zorrës së trashë, duket se favorizohen gjithashtu nga ushqimet ultra të përpunuara, por lidhja nuk është vërtetuar ende me të njëjtat nivele provash”, shpjegon Mathilde Touvier, drejtoreshë e grupit të kërkimit të epidemiologjisë ushqyese në Inserm, sipas Le Monde .

    Përtej kalorive: UPF-të prishin metabolizmin

    Studiuesit shqyrtuan gjithashtu edhe pak prova klinike të disponueshme: edhe me një konsum të barabartë kalorish , ushqimet ultra të përpunuara prishin metabolizmin, shtimin në peshë, pjellorinë mashkullore dhe mekanizmat e ngopjes. Me fjalë të tjera, natyra e tyre e dëmshme nuk kufizohet vetëm te yndyrnat ose sheqeri: ato janë problematike në vetvete.

  • OSBE të zhgënjyer pas moscertifikimit të Listës serbe

    OSBE të zhgënjyer pas moscertifikimit të Listës serbe

    Misioni i OSBE-së në Kosovë, ka reaguar pasi sot KQZ nuk e ka certifikuar Listën Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Në lidhje me këtë vendim, OSBE janë shprehur të zhgënjyer dhe të shqetësuar, si dhe kanë dënuar veprimet si këto që minojnë të drejtën e subjekteve politike për të marrë pjesë në zgjedhje.

    Nga OSBE kanë thënë se këto veprime përfaqësojnë një largim të qartë nga standardet zgjedhore të pranuara ndërkombëtarisht.

    “Ne jemi seriozisht të shqetësuar nga polarizimi politik në rritje brenda KQZ-së, i reflektuar në sjelljen e votimit që duket se drejtohet nga interesa partiake dhe jo nga kriteret ligjore dhe parimet demokratike. Një sjellje e tillë minon paanshmërinë dhe besueshmërinë thelbësore për një organ të pavarur të menaxhimit të zgjedhjeve. Këto veprime rrezikojnë të dëmtojnë besimin e publikut në procesin zgjedhor dhe të përforcojnë perceptimet se vendimet janë të motivuara politikisht dhe jo të udhëhequra nga drejtësia, përfshirja dhe transparenca”, thuhet në reagim.

    Misioni i OSBE-së i ka kërkuar KQZ-së dhe të gjithë aktorëve politikë që të mbështesin profesionalizmin, paanshmërinë dhe standardet demokratike, duke siguruar që zgjedhjet e 28 dhjetorit të zhvillohen plotësisht sipas praktikave më të mira ndërkombëtare të vendosura.