ATV

Author: K.B.

  • NASA po fton njerëzit nga e gjithë bota të dërgojnë emrat e tyre në Hënë

    NASA po fton njerëzit nga e gjithë bota të dërgojnë emrat e tyre në Hënë

    HënëShare Button Gazeta Blic NASA po fton njerëz në mbarë botën të dërgojnë emrat e tyre në Hënë në bordin e misionit Artemis II, i cili është planifikuar të niset jo më vonë se prilli 2026.

    Ky mision historik do të shënojë fluturimin e parë me ekuipazh të programit Artemis, që synon të kthejë njerëzit në Hënë dhe përfundimisht të dërgojë njerëz në Mars.

    Ja si ta dërgoni emrin tuaj në hapësirë:
    Vizitoni faqen e regjistrimit të NASA-s: https://www3.nasa.gov/send-your-name-with-artemis/

    Shkruani emrin tuaj dhe një kod PIN me 4 deri në 7 shifra;Shkarkoni kartën tuaj të personalizuar të imbarkimit.

    “Mbani gjurmët e kodit tuaj PIN. NASA nuk është në gjendje të rikuperojë një kod PIN të humbur, kështu që do t’ju duhet të mbani gjurmët nëse doni të kërkoni kartën tuaj të imbarkimit në të ardhmen”, tha NASA.

  • Netflix heq pa paralajmërim një funksion të dashur, përdoruesit revoltohen

    Netflix heq pa paralajmërim një funksion të dashur, përdoruesit revoltohen

    Netflix ka hequr pa bujë një funksion të njohur që ndikonte tek të gjithë përdoruesit që shikojnë në telefon.

    Sipas raportimeve, kompania ka mbyllur mundësinë për të shfaqur përmbajtje nga telefoni direkt në TV, një veçori që përdoruesit e Netflix e konsideronin të thjeshtë dhe të dobishme.

    Tani, për të shikuar një film apo serial në një ekran më të madh, përdoruesit duhet të përdorin telekomandën e TV-së dhe të navigojnë direkt në aplikacionin Netflix të televizorit.

    Ky ndryshim ndikon tek përdoruesit e Android dhe iPhone, duke përfshirë shumicën e televizorëve modernë dhe pajisjeve të streamingut, si Chromecasts e Google TV të rinj.

    Vetëm pajisjet më të vjetra, si Chromecast origjinal i 2013-s ose disa Google TV me Google Cast të integruar, mund të vazhdojnë të përdorin funksionin e casting-ut.

    Megjithatë, kjo veçori do të funksionojë vetëm për abonentët e planit pa reklama, që kushton të paktën 18 dollarë në muaj – një ndryshim që ka zemëruar shumë nga 300 milion përdoruesit e Netflix.

    Një përdorues shkroi në X (Twitter):

    “E para ndarja e fjalëkalimeve, tani heqja e casting-ut. Netflix po përpiqet të nervozojë gjithë bazën e përdoruesve të vet.”

    Përdoruesit shprehin frustrimin se ndryshimi e bën më të vështirë shpërndarjen e përmbajtjes me miqtë dhe familjen, duke detyruar më shumë njerëz të krijojnë llogari të reja.

    Përpara këtij ndryshimi, mjaftonte të hapje Netflix në telefon, të zgjidhje një TV të lidhur me Wi-Fi dhe të filloje shikimin në sekonda – pa u futur me kredencialet në pajisje të huaja.

    Tani, për të shikuar në TV të tjetrit, TV-ja duhet të ketë llogarinë e plotë të Netflix dhe përdoruesi duhet të navigojë me telekomandën e saj. Rregullat e Netflix për “një shtëpi” vlejnë edhe këtu: nëse llogaria është e kyçur në shtëpi, shtimi i TV-së së mikut mund të shkaktojë paralajmërime, kod verifikimi ose bllokim të shikimit, përveçse nëse paguhet për një “anëtar ekstra”.

    Përdoruesit po ankohen gjithashtu se ndërveprimet e thjeshta, si të shikosh Netflix në një projektor ose në një Airbnb, janë bërë shumë më të komplikuara.

    Një përdorues i frustruar shkroi në Reddit:

    “Casting ishte e vetmja mënyrë që unë të shihja Netflix në projektorin tim. Nuk ka Netflix të integruar, prandaj telekomanda nuk është opsion.”

    Ky nuk është hera e parë që Netflix heq pa paralajmërim një veçori. Në 2019, kompania ndaloi AirPlay për iPhone dhe iPad, duke detyruar përdoruesit të instalojnë aplikacionin në Apple TV ose të përdorin kabllo për të shikuar në ekran të madh.

    Përdoruesit shprehin zhgënjimin e tyre, duke e quajtur këtë veçori armiqësore ndaj klientit dhe duke frikësuar shumë se Netflix mund të vazhdojë të kufizojë opsionet e shikimit në të ardhmen.

  • Joseph: Ngërçi mes Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhet përmes anëtarësimit të Kosovës në NATO

    Joseph: Ngërçi mes Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhet përmes anëtarësimit të Kosovës në NATO

    Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin “Johns Hopkins”, ka vlerësuar se për Kosovën, aktualisht, anëtarësimi në NATO është çështje më e rëndësishme sesa integrimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

    Joseph mori pjesë në një seancë të Komitetit për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, ku u diskutua tema “Pika e Tensionit: Një Rrugë drejt Stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

    Ai u pyet nga kongresmeni demokrat, Bill Keating, për rolin e ndihmës së SHBA-së në stabilitetin rajonal dhe të ardhmen e Kosovës në BE dhe NATO.

    Duke iu përgjigjur, Joseph theksoi se ngërçi mes Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhet përmes anëtarësimit të Kosovës në NATO.

    “Një rrugë drejt NATO-s, qoftë edhe vetëm një rrugë, do ta përfundonte në mënyrë efektive bllokadën, sepse në atë moment Serbia nuk do të kishte alternativë tjetër. Fushata e saj e mosnjohjes, varësia nga Rusia dhe Kina në Këshillin e Sigurimit të OKB-së do të humbnin çdo peshë”.

    Profesori amerikan shtoi se mbështetja e vazhdueshme ekonomike dhe ushtarake e SHBA-së për Kosovën është thelbësore për interesat e Amerikës:

    “Duhet të kujtojmë se SHBA-ja dhe NATO-ja tashmë e kanë obligimin dhe përgjegjësinë të garantojnë sigurinë e Kosovës nëpërmjet KFOR-it. Forcimi i sigurisë ekonomike dhe ushtarake të Kosovës përmes marrëdhënieve dypalëshe shërben drejtpërdrejt edhe interesave tona të sigurisë”.

  • Trump: Kam zgjidhur tetë luftëra, Ukraina do të jetë e nënta

    Trump: Kam zgjidhur tetë luftëra, Ukraina do të jetë e nënta

    Donald Trump ka folur me gazetarët përpara një takimi të kabinetit në Uashington.

    Ai tha se lufta në Ukrainë është një “rrëmujë” dhe jo një situatë e lehtë për t’u zgjidhur, shkruan Sky News.

    “Po përpiqemi ta zgjidhim këtë çështje. Kam zgjidhur tetë luftëra. Kjo do të jetë e nënta dhe njerëzit tanë janë në Rusi tani për të parë nëse mund ta zgjidhim.”

    “Nuk është një situatë e lehtë, më lejoni t’ju them. Çfarë rrëmuje”, shtoi Trump.

    Kjo vjen ndërsa Volodymyr Zelensky, i cili ndodhet në një vizitë shtetërore në Irlandë, tha në një aktivitet në Dublin se shpejtësia e negociatave të paqes – dhe interesi i SHBA-së në negociata – i kishin dhënë atij shkak për optimizëm.

    “Sipas fjalëve të mia, pak optimizëm u gjet për shkak të shpejtësisë së negociatave dhe nga ana amerikane, interesit të tyre për këtë”, tha presidenti i Ukrainës.

  • U arrestua dje në Bruksel, lirohet Federica Mogherini

    U arrestua dje në Bruksel, lirohet Federica Mogherini

    Federica Mogherini, ish-Përfaqësuesja e Lartë e BE-së dhe aktualisht rektore e Kolegjit të Europës, e cila u ndalua më 2 dhjetor si pjesë e një hetimi belg për mashtrim, korrupsion në tendera, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional. Ajo u lirua gjatë natës, bashkë me dy të ndaluar të tjerë, Stefano Sannino dhe një drejtues të Kolegjit pasi nuk konsideroheshin rrezik për arratisje.

    Hetimi lidhet me dyshimet se në vitin 2022 Shërbimi i Jashtëm i BE-së ka favorizuar padrejtësisht Kolegjin e Europës në një tender prej 654 mijë eurosh për krijimin e Akademisë Diplomatike të BE-së. Dyshohet se blerja paraprake nga Kolegji e një ndërtesë 3.2 milionë euro në Bryzh ishte pjesë e një përgatitjeje të paracaktuar për fitimin e tenderit.

    Lajmi vjen në një moment kur karriera e Mogherinit është e fokusuar në fushën akademike, pas posteve të larta politike në Itali dhe BE. Ajo ka qenë ministre e Jashtme e Italisë dhe më pas Përfaqësuese e Lartë e BE-së, e angazhuar në dosje të rëndësishme si kriza në Ukrainë dhe marrëveshja bërthamore me Iranin. Ndër vite, ajo ka përballuar kritika politike, por nuk ka qenë më parë e lidhur me skandale personale të natyrës korruptive.

  • Shoku i Will Smith padit gruan e tij për kërcënime dhe shpifje, kërkon tre milionë dollarë dëmshpërblim

    Shoku i Will Smith padit gruan e tij për kërcënime dhe shpifje, kërkon tre milionë dollarë dëmshpërblim

    Aktorja e Hollywoodit, Jada Pinkett Smith, po përballet me një padi të re prej tre milionë dollarësh të ngritur kundër saj nga Bilaal Salaam, një mik dhe bashkëpunëtor i hershëm i bashkëshortit të saj Will Smith.

    Salaam pretendon se Pinkett Smith e kërcënoi fizikisht dhe se ai dhe bashkëshorti i saj nisën një fushatë shpifjesh që dyshohet se i shkaktoi dëme financiare, dëmtoi reputacionin e tij dhe shkaktoi trauma emocionale.

    Sipas padisë, incidenti ndodhi në shtator 2021 në hollin e ‘Regency Calabasas Commons’, gjatë një feste private për ditëlindjen e Will Smith.

    Bilaal pretendon se Jada, e shoqëruar nga shtatë anëtarë të shoqëruesve të saj, iu afrua dhe e kërcënoi verbalisht, duke i thënë se ai mund të ‘zhdukej ose të qëllohej’ nëse vazhdonte të fliste për çështjet e saj personale.

    Ajo gjithashtu dyshohet se kërkoi që ai të nënshkruante një marrëveshje konfidencialiteti (NDA) dhe ekipi i saj e ndoqi atë deri në makinë, duke vazhduar të bënte kërcënime.

    Tensionet u përshkallëzuan gjashtë muaj më vonë, pas incidentit të goditjes me shuplakë të Chris Rock në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscar në vitin 2022.

    Bilaal pretendon se refuzoi ta ndihmonte çiftin me ‘menaxhimin e krizës’, duke këmbëngulur se ndërgjegjja e tij nuk e lejon të marrë pjesë në ndonjë veprim të paligjshëm, joetik ose kompromentues.

    Padia pretendon më tej se Bilal më pas iu nënshtrua një ‘fushate hakmarrjeje’ dhe kërcënimeve, veçanërisht kur filloi të shkruante një kujtim për kohën e tij me çiftin dhe pas një interviste virale në të cilën ai pretendoi se e kishte parë Will në një marrëdhënie intime me aktorin Duane Martin.

  • Ambasada e Italisë shpreh “keqardhje” për moscertifikimin e Listës Serbe në zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Ambasada e Italisë shpreh “keqardhje” për moscertifikimin e Listës Serbe në zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Edhe ambasada e Italisë në Prishtinë ka shprehur keqardhje lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme të 28 dhjetorit.

    Në reagimin e saj, Ambasada thekson “rëndësinë e sigurimit të një procesi zgjedhor plotësisht demokratik, ku të gjitha forcat politike të kenë mundësi të marrin pjesë në mënyrë të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.”

    Kjo është hera e tretë që KQZ-ja nuk e certifikon fillimisht këtë parti, pasi ngjashëm veproi edhe për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit dhe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

    Në të dy rastet e mëhershme, PZAP-ja ia kishte rrëzuar vendimin e KQZ-së.

  • Ish-ministri Latifi merr një detyrë të re në Universitetin e Prishtinës

    Ish-ministri Latifi merr një detyrë të re në Universitetin e Prishtinës

    Ish-ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, është zgjedhur drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës, në Universitetin e Prishtinës.

    Lajmin e ka bërë të ditur vet UP-ja, duke thënë se kjo qendër do të ofrojë mbështetje në edukim dhe hulumtim për të gjitha degët kirurgjike dhe do të trajtojë çështje të rëndësishme si diplomacia mjekësore dhe teknologjitë e avancuara.

    “Qendra pritet të angazhojë profesionistë mjekësorë dhe inxhinierë nga vendi dhe bota, me qëllim ofrimin e mundësive për bashkëpunim dhe zhvillimin e programeve të avancuara të trajnimit” thuhet në njoftimin e UP-së.

    Mes të tjerash, nga Universiteti i Prishtinës bëjnë me dije se tashmë është nënshkruar memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet UP-së dhe Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, që parasheh mënyrën se si do të funksionojë kjo qendër.

    Ky është njoftimi i plotë i Universitetit të Prishtinës:

    Prof. Rifat Latifi është zgjedhur drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës. Ai është gjithashtu themelues dhe president emeritus i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës dhe ideator i QKSTK-së.

    Qendra për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës në UP do të ofrojë mbështetje në edukim dhe hulumtim për të gjitha degët kirurgjike dhe do të trajtojë çështje të rëndësishme si diplomacia mjekësore dhe teknologjitë e avancuara. Qendra pritet të angazhojë profesionistë mjekësorë dhe inxhinierë nga vendi dhe bota, me qëllim ofrimin e mundësive për bashkëpunim dhe zhvillimin e programeve të avancuara të trajnimit.

    Objektivat kryesorë të QKSTK-së përfshijnë krijimin e programeve gjithëpërfshirëse, përmirësimin e aftësive kërkimore dhe integrimin e teknologjive të avancuara. Qendra do të shërbejë gjithashtu si platformë edhe për publikimet e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës dhe do të zhvillojë bashkëpunime me universitete e institucione ndërkombëtare.

    Përfshirja e laboratorëve të simulimit, programeve të telemjekësisë dhe përgjithësisht një qasjeje multidisiplinare ndaj trajtimit të traumës dhe urgjencës, do të jetë thelbësore në punën e QKSTK-së. Në këtë kuadër, QKSTK-ja do të prodhojë edhe literaturë shkencore dhe do të mbështesë diplomacinë mjekësore dhe shëndetin global.

    Drejtori i sapozgjedhur i Qendrës, prof. Latifi, theksoi se ajo do të jetë një institucion kryesor për arsimim, kërkim dhe avancim teknologjik në fushën e kirurgjisë, duke përfshirë mjekësinë kirurgjikale, traumën dhe urgjencën.

    Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, shprehu kënaqësinë e tij për emërimin e prof. Rifat Latifit në funksionin e drejtorit të QKSTK-së në UP.

    Prof. Hajrullahu theksoi se QKSTK-ja, si qendra e parë e këtij lloji në rajonin e Ballkanit, do të ofrojë mundësi të reja për studentët dhe profesionistët e kujdesit shëndetësor. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe integrimin e teknologjive moderne për të avancuar standardet e kujdesit shëndetësor në Kosovë e përtej.

    Rektori shfaqi bindjen se nën udhëheqjen e prof. Rifat Latifit, QKSTK-ja do të kontribuojë për zhvillimin e mjekësisë kirurgjikale dhe do të inkurajojë kërkimin shkencor dhe inovacionin për të përballuar sfidat e ardhshme në fushën e shëndetësisë. Profesori Hajrullahu gjithashtu bëri thirrje për mbështetje nga institucionet e ndryshme për të realizuar qëllimet ambicioze të kësaj qendre, duke e vendosur Kosovën si lider në arsimin dhe shëndetin kirurgjik. „Qendra jonë do të jetë një platformë për edukim, hulumtim dhe zhvillim profesional, për të krijuar një të ardhme më të mirë për profesionistët e kujdesit shëndetësor në Kosovë”, tha rektori Harullahu.

    Në përfundim, prof. Latifi shprehu bindjen se QKSTK-ja është një nga iniciativat më ambicioze në fushën e shëndetësisë dhe edukimit kirurgjik në Kosovë, prandaj i duhet mbështetje serioze nga shteti i Kosovës për të realizuar potencialin e saj në vend e në tërë rajonin.

    Në shtator të vitit 2025, Universiteti i Prishtinës dhe Kolegji i Kirurgëve të Kosovës nënshkruan memorandum mirëkuptimi me të cilin parashihet në detaje se si do të funksionojë Qendra për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës.

  • Kosova nikoqire e javës së CEFTA-s

    Kosova nikoqire e javës së CEFTA-s

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim me Sekretariatin e CEFTA-s, sot organizon “Javën e CEFTA-s’ 2025 -Tregtim i Përbashkët, Drejt Evropës”.

    Në ‘Javën e CEFTA-s’ do të paraqiten disa nga rezultatet e periudhës së kaluar dhe planet e Kryesuesit të ri të radhës, përveç ofrimit të një perspektive më të gjerë të BE-së.

    Në ceremoninë e hapjes do të flasin; Rozeta Hajdari, ministre në detyrë, e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, Valentina Sujerti, drejtoreshë nga Drejtoria e Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore (online), Amer Kapetanoviq, sekretar i përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Matij Zakonjsek, drejtor nga Komuniteti i Transportit dhe Pranvera Kastrati Drejtoreshë në Sekretariatin e CEFTA-s.

    Po ashtu do të ketë diskutim të nivelit të lartë i dedikuar eksplorimit të rolit të CEFTA-s dhe marrëveshjeve rajonale tregtare në një epokë të pasigurisë së shtuar dhe të modeleve dhe aleancave tregtare që po ndryshojnë.

    Sesioni hapës do të vendosë drejtimin për “Javën CEFTA 2025”, duke trajtuar se si marrëveshjet rajonale tregtare si CEFTA kontribuojnë në qëndrueshmërinë ekonomike, konkurrueshmërinë dhe konvergjencën me BE-në në një kohë të paqëndrueshmërisë globale.

    Pjesëmarrësit do të eksplorojnë rolin strategjik të CEFTA-s brenda Tregut të Përbashkët Rajonal 2.0 dhe përshtatjen e tij me Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

    Diskutimi do të nxjerrë në pah arritjet kryesore në integrimin rajonal tregtar të CEFTA-s, sfidat e reja nga ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit, tensionet gjeopolitike dhe politikat tregtare të nxitura nga klima, si dhe kontributin e CEFTA-s në ndërtimin e një mjedisi tregtar të parashikueshëm dhe të bazuar në rregulla, të ngritur mbi standardet e BE-së.

    Panelistë do të jenë: Pranvera Kastrati, drejtoreshë e CEFTA-s, Rozeta Hajdari, ministre në deryrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kryesuese e CEFTA-s në detyrë, Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, Kryesuese e ardhshme e CEFTA 2026, Stasa Kosarac, Ministria e Tregtisë së Jashtme dhe Marrëdhënieve Ekonomike (TBC), Zoran Dimitrovski, zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Nik Gjeloshaj, ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Jagoda Lazareviq, ministre e Punëve të Brendshme dhe të Jashtme (TBC).

  • Këto janë 22 subjektet politike që u certifikuan dje nga KQZ-ja

    Këto janë 22 subjektet politike që u certifikuan dje nga KQZ-ja

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti dje mbledhjen e 87-të në këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi.

    Në këtë mbledhje, KQZ mori vendime të veçanta për certifikimin e 22 subjekteve politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

    Gjatë periudhës 7-ditore (24 nëntor – 30 nëntor 2025) 24 subjekte politike, prej të cilave 18 parti politike, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur, kanë plotësuar online formularin e certifikimit për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

    Sipas vendimit të KQZ-së, këto janë subjektet politike të certifikuara:

    Partitë politike:

    LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – LDK;
    PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – PDK:
    KOSOVA DEMOKRATIK TÜRK PARTISI;
    INICIATIVA E RE DEMOKRATIKE E KOSOVËS;
    NOVA DEMOKRATSKA STRANKA – NDS;
    Za Slobodu Pravdu i Opstanak;
    PARTIA LIBERALE EGJIPTIANE;
    SOCIALDEMOKRATSKA UNIJA – SDU;
    JEDINSTVENA GORANSKA PARTIJA;
    PARTIA ROME E BASHKUAR E KOSOVËS;
    AAK – ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS;
    Kosovaki Nevi Romani Partia;
    FJALA;
    LËVIZJA PËRPARIMTARE E ROMËVE TË KOSOVËS (LPRK);
    KOSOVSKI SAVEZ;
    PARTIA BALLI KOMBËTAR DEMOKRAT SHQIPTAR (PBKDSH).
    Koalicionet:

    Koalicioni “Lëvizja VETËVENDOSJE!”, i përbërë nga 4 partitë politike: Lëvizja VETËVENDOSJE!, GUXO, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (PSHDK).
    Koalicioni “Koalicija VAKAT”, i përbërë nga 3 parti politike: Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB), Bošnjačka Stranka Kosova (BSK) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV); dhe
    Koalicioni “PAI – PDAK – LPB”, i përbërë nga 3 parti politike: Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB)”;
    Iniciativat qytetare:

    PSA; dhe
    Iniciativa Qytetare për Kosovë.
    Kandidat i pavarur:

    NEDŹMIDIN SEJDILAR.
    Në mesin e subjekteve politike që kanë aplikuar është dhe NISMA SOCIALDEMOKRATE – NISMA. Sipas njoftimit nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, ky subjekt politik i ka përmbushur të gjitha kriteret tjera, përveç listës së nënshkrimeve. Pas plotësimit të listës së nënshkrimeve, subjekti politik do t’i nënshtrohet certifikimit nga KQZ. Subjektit politik, i është dhënë afat për plotësim të listës së nënshkrimeve deri 3 dhjetor 2025, në orën 12:00.

    Ndërkaq, rekomandimi për certifikimin e partisë politike Srpska Lista, nuk mori votat e nevojshme për t’u certifikuar.