ATV

Author: G.O.

  • Rritet numri i evropianëve që po vdesin nga alkooli i tepërt

    Rritet numri i evropianëve që po vdesin nga alkooli i tepërt

    Hulumtimi i fundit i kryer nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tregon se në vitin 2019 ka pasur 2.6 milionë vdekje të lidhura me alkoolin.

    Shumica e vdekjeve janë regjistruar në Evropë.

    Siç thekson më tej OBSH, njerëzit kanë më shumë gjasa të vdesin nga problemet e lidhura me alkoolin në Evropë se kudo tjetër në botë.

    Në të dhënat globale, ka pasur 2.6 milionë vdekje të lidhura me alkoolin në vitin 2019, që është një rënie prej 2.5 për qind në krahasim me vitin 2010, por është ende “e papranueshme e lartë”, thotë Vladimir Poznijak, i cili drejton Departamentin për Alkoolin, Drogën dhe Varësinë Departamenti i Shëndetit Mendor dhe Substancave të OBSH-së.

    Rajoni evropian kishte shkallën më të lartë të vdekjeve nga alkooli – 52.9 për qind për 100,000 banorë, si dhe shkallën më të lartë të çrregullimeve të lidhura me alkoolin në botë.

    Shkalla e çrregullimeve të përdorimit të alkoolit u ul gjithashtu në Amerikën dhe vendet e Paqësorit Perëndimor, ndërsa u rrit në rajonet e Afrikës, Mesdheut Lindor dhe Azisë Juglindore.

    Përdorimi i drogës dhe varësia janë gjithashtu sfida të mëdha shëndetësore globale.

    Në vitin 2019, pothuajse 600,000 njerëz vdiqën si rezultat i përdorimit të drogave psikoaktive, sipas raportit. Çrregullimet e përdorimit të substancave janë të lidhura ngushtë me kushtet e shëndetit mendor dhe mund të rrisin rrezikun e sëmundjeve jo të transmetueshme, infeksioneve të lidhura me injeksione dhe vdekjeve aksidentale.

    Qasja në trajtim për problemet e përdorimit të substancave mbetet një pengesë kryesore në pjesën më të madhe të botës, sipas një raporti të OBSH-së. Në të gjitha vendet e përfshira në hulumtim, aplikimi i trajtimit varion nga më pak se një për qind në 35 për qind.

  • Parashikimi i motit për sot, temperaturat arrijnë deri në 38 gradë Celsius

    Parashikimi i motit për sot, temperaturat arrijnë deri në 38 gradë Celsius

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se moti sot në vendin tonë do të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Vranësirat parashihen kryesisht gjatë relievit malor.

    Sipas IHMK-së, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 15-19 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 35-38 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit me shpejtësi 1-2m/s.

  • Drejtori i AKI-së raporton sot në komisionin mbikëqyrës

    Drejtori i AKI-së raporton sot në komisionin mbikëqyrës

    Sot me fillim në ora 09:00 do të mblidhet Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

    Në këtë mbledhje do të raportojë drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti.

    Raportimi i tij vjen pas shqetësimeve të ngritura nga drejtuesit e institucioneve për situatën e sigurisë.

  • Mbytet një 13-vjeçar në lumin Drin

    Mbytet një 13-vjeçar në lumin Drin

    Një fëmijë i moshës 13 vjeçare ka vdekur aksidentalisht në lumin Drin, në fshatin Mjedë.

    I mituri ka qenë duke u larë në lumin Drin kur i ka ndodh rasti.

    Për ngjarjen ka folur edhe Policia, e cila është duke hetuar rrethanat e vdekjes së 13-vjeçarit.

    “Rreth orës 13:35, në fshatin Mjedë, dyshohet se është mbytur aksidentalisht duke u larë në lumin Drin, shtetasi D. P., rreth 13 vjeç, banues në fshatin Mjedë“, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Reagon Klinaku: Aktgjykimi i Speciales ndaj Pjetër Shalës është politik

    Reagon Klinaku: Aktgjykimi i Speciales ndaj Pjetër Shalës është politik

    Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Pjetër Shalës në Hagë.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Klinaku ka thënë se ashtu sikur në aktgjykimet e kaluara, edhe në rastin e Shalës Specialja ka marrë vendime politike.

    “Gjykata Speciale në Hagë në emër të popullit dënon luftëtarët e UÇK-së, por duke u bazuar në dëshmi të pushtuesit serb e me dëshmi të dëshmitarëve të fshehur nga populli.

    Ashtu sikur në aktgjykimet e kaluara, edhe në rastin e bashkëluftëtarit Pjetër Shala, Gjykata Speciale aktgjykimet i merr politikisht”, shkroi ai.

    Trupi gjykues i Gjykatës Speciale ka ka dënuar Shalën me 18 vjet burgim për krime lufte.

    Shala është shpallur fajtor për veprën penale të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme, si krim lufte.

    Pjetër Shala dënohet me 18 vjet burgim për krime lufte

  • Pjetër Shala dënohet me 18 vjet burgim për krime lufte

    Pjetër Shala dënohet me 18 vjet burgim për krime lufte

    Ish-anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, pseudonimi i të cilit ishte komandant “Ujku”, është dënuar të martën nga Gjykata Speciale, me seli në Hagë, me dënim unik prej 18 vitesh, në të cilin dënim i është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim.

    Në vendimin për secilën akuzë, Shala u dënua me gjashtë vjet burgim për ndalim arbitrar, 16 për torturë dhe 18 për përfshirje në një vrasje. Dënimi i njësuar ishte 18 vjet burgim.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, duke shtuar se krimet janë kryer ndaj shqiptarëve.

    Ndryshe, Shala është arrestuar më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe është transferuar në objektin e Gjykatës Speciale, në Hagë të Holandës, më 15 prill 2021.

    Shala ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi të, duke i konsideruar akuzat ndaj tij si “të fabrikuara”.

  • Arrestohen dy persona në Vushtrri, dyshohen për mashtrim dhe ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike

    Arrestohen dy persona në Vushtrri, dyshohen për mashtrim dhe ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike

    Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Policisë së Kosovës ka arrestuar dy persona në Vushtrri.

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë, përmes një komunikate për media njoftoi se dy personat me iniciale N.M,. dhe P.I., me dyshimin se kanë kryer veprat penale “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike“ nga neni 256 i KPRK dhe “Mashtrimi” nga neni 323 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    “Të dyshuarit, me aktvendim të prokurorit gjenden në ndalim 48 orësh, dhe “Gjatë ditës së sotme (16 korrik) Prokuroria Themelore në Mitrovicë do të i paraqesë Gjykatës Themelore – Dega Vushtrri kërkesë për caktimin e masës së sigurisë – masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Prokurorisë.

  • Blinken: Numri i viktimave në Gazë, “në mënyrë të papranueshme i lartë”

    Blinken: Numri i viktimave në Gazë, “në mënyrë të papranueshme i lartë”

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u tha dy zyrtarëve të lartë izraelitë se numri i viktimave civile në Gazë është “në mënyrë të papranueshme i lartë”.

    Ushtria izraelite kreu disa sulme vdekjeprurëse në ditët e fundit, duke përfshirë një në një kamp refugjatësh.

    Në përgjigje, Hamasi – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera, i cili kontrollon Gazën – tha se është tërhequr nga negociatat për armëpushim.

    Blinken priti të hënën në Uashington dy zyrtarë izraelitë me ndikim – ministrin e Çështjeve Strategjike, Ron Dermer, dhe këshilltarin për Siguri Kombëtare, Tzachi Hanegbi – “për të shprehur shqetësimin tonë serioz në lidhje me viktimat e fundit civile në Gazë”, tha zëdhënësi i tij, Matthew Miller.

    “Numri i viktimave civile mbetet në mënyrë të papranueshme i lartë. Ne vazhdojmë të shohim shumë civilë të vrarë në këtë konflikt”, u tha Miller gazetarëve.

    Të shtunën, sulmet izraelite vranë më shumë se 90 njerëz në kampin Al-Mavasi në Gazë, tha Ministria e Shëndetësisë në këtë enklavë.

    Lufta shpërtheu pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng qindra të tjerë.

    Në përgjigje, Izraeli nisi një fushatë intensive sulmesh në Gazën e kontrolluar nga Hamasi, e cila vazhdon ende.

    Sipas autoriteteve atje, mbi 38.000 njerëz u vranë prej se nisi lufta.

    Bisedimet e zyrtarëve izraelitë me Blinkenin u përqëndruan edhe tek armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit, ndihma humanitare në Gazë dhe planet e pasluftës, tha Miller.

    Vizita e tyre u realizua disa ditë përpara se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të mbajë një fjalim në Kongresin amerikan, më 24 korrik./REL

  • AGK-ja i kërkon Osmanit qëndrim publik për Ligjin e KPM-së

    AGK-ja i kërkon Osmanit qëndrim publik për Ligjin e KPM-së

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, që të formojë qëndrim rreth Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave.

    Ky ligj u miratua javën e kaluar në Kuvend, ndërsa përmes një komunikate për media, AGK thotë se po ndjek me interesim reagimet pas miratimit të Ligjit për KPM-në.

    “Shqetësimeve të AGK-së, i janë bashkuar Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë, Misioni i OSBE-së në Kosovë, si dhe shumë prej përfaqësive të huaja diplomatike në Kosovë, duke vënë në pah që ligjin nuk është në pajtim me standardet e Këshillit të Europes.

    AGK-ja, kërkon nga Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Vjosa Osmani – Sadriu, që të formojë qëndrim rreth këtij ligji dhe ta ndajë atë me publikun dhe të mos kufizohet vetëm tek roli i saj formal i dekretimit të ligjeve”, thuhet në reagim.

    Sipas AGK-së, mediat e lira dhe pluralizmi medial janë gurëthemeli i një shoqërie demokratike dhe kur ky themel fillon të lëkundët seriozisht atëherë Presidentja e shtetit ka për obligim që të deklarohet publikisht.

    “Nga Presidentja pritet që të deklarohet publikisht dhe të ndërveprojë me institucionet e tjera vendimmarrëse në mbrojtje të lirisë së medias dhe shtypit si bazament i një demokracie të shëndoshë të një shteti që aspiron integrimin në BE”, përfundon komunikata e AGK-së.

  • ​Përmbytjet kanë lënë të paktën 40 të vdekur në Afganistan

    ​Përmbytjet kanë lënë të paktën 40 të vdekur në Afganistan

    Të paktën 40 persona humbën jetën ndërsa 347 të tjerë u plagosën nga përmbytjet në Afganistan, tha një zyrtar të martën.

    Të gjitha viktimat u raportuan në provincën lindore Nangarhar, tha Sharaf Zaman, zëdhënës i Ministrisë së Përkohshme të Shëndetit Publik. Shifrat mund të rriten, shtoi ai.

    Rajoni pati stuhi të forta, breshër dhe reshje të dendura shiu ditët e fundit.

    Shërbimet shëndetësore po u ofrohen personave të prekur dhe administrata e përkohshme po koordinohet me organizatat ndërkombëtare për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve, sipas zëdhënësit./AA/