ATV

Author: G.O.

  • Të shtëna me armë zjarri te “Kodra e Trimave”, plagoset një person

    Të shtëna me armë zjarri te “Kodra e Trimave”, plagoset një person

    Një incident ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Prishtinë, ku në lagjen “Kodra e Trimave” janë dëgjuar të shtëna nga arma e zjarrit. Si pasojë e kësaj, një person ka mbetur i plagosur, raporton Gazeta Sinjali.

    Sipas informacioneve të para, ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:00 në mëngjes.

    Personi i plagosur është dërguar për të pranuar ndihmë mjekësore.

    Njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’rast kanë kryer të gjitha procedurat e nevojshme.

    Lajmi është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

    “Sot rreth orës 07:00 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen ku dyshohet se nga një person është plagosur me armë zjarri dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë mes tjerash zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

  • Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë edhe sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Në Hagë, sot do të vazhdojë dëshminë dëshmitari i radhës i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

    Dëshmitari i fundit edhe të martën, për të dytën ditë me radhë, ishte ish-komandati i UÇK-së, Shukri Buja, i cili ishte dëshmitari i 103-të më radhë.

    Sipas kalendarit të Dhomave të Specializuara, këtë javë pritet të mbahen katër seanca gjyqësore për rastin “Thaçi dhe të tjerët”.

  • Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere mblidhet sot për ndarjet buxhetore

    Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere mblidhet sot për ndarjet buxhetore

    Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere do të mblidhet sot nga ora 11:00.

    Në këtë mbledhje do të shqyrtohet në parim Projektligji mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025; votimi i raporteve vjetore të BQK-së dhe KOSTT-it etj.

     

  • Moti për sot

    Moti për sot

    Ditën e mërkurë do të mbretëroj mot kryesisht me diell, herë herë kalojnë vranësira shtresore të larta. Orëve të mëngjesit sërish priten ngrica, me minimale që zbresin në -1C e 2C. Temperaturat maksimale gjatë ditës shkojnë në 14C e 15C. Dominojnë qetësitë, e gjatë ditës frynë erë e lehtë verilindore 2-4m/s.

    Mot kryesisht me kthjellime e diell parashihet të mbajë deri nga dita e shtunë. Orëve të mëngjesit përgjatë ultësirave shfaqen kushte për formim të mjegullës apo mjegullinës.

    Temperaturat shënojnë rritje deri në 15C e 16C. Në fundjavë më pas temperaturat zbresin në 12C e 10C, e ditën e diel do të ketë shtim të vranësirave.

    Aty këtu priten kushte për të reshura shiu, e në vise malore bore. Minimalet zbresin në -2C e 2C, njofton Prishtina Weather.

  • Miza bartë rreth 100 baktere të ndryshme: Çfarë ndodh me ushqimin kur bie mbi të

    Miza bartë rreth 100 baktere të ndryshme: Çfarë ndodh me ushqimin kur bie mbi të

    Ka të paktën njëqind baktere dhe viruse të ndryshme që një mizë mund të transmetojë kur bie mbi ushqim, pohon Thomas J. Daniels, shkencëtar dhe drejtor i laboratorit mjedisor në Universitetin Fordham në Nju Jork.

    Sipas revistës “The Healthy”, kur një mizë merr baktere, ajo mund t’i transmetojë ato rreth e rrotull sa më shpejt që të ulet, madje edhe mbi ushqim, pavarësisht nga fakti se ishte vetëm mbi të për disa sekonda. “Ekziston rreziku i infektimit dhe sëmundjes, pavarësisht nga fakti se sasia e baktereve që transmetohet në atë kohë të shkurtër është e vogël”, pohon Daniels.

    Sidoqoftë, një rrezik më i madh vjen kur miza “vjell”, dmth kur gëlltit ushqimin. Kur bie mbi ushqim, miza në të vërtetë nuk e ha menjëherë, por lëshon lëngje që do ta zbusin atë, në mënyrë që të mund ta “ha” atë në një formë më të lëngshme. Lëngu i trupit që miza lëshon në ushqim është plot baktere, kështu që shanset për tu infektuar janë shumë më të mëdha nëse ushqimi është “pështyrë” sesa kur sapo u ul mbi ushqim.

    Lëngjet që lëshon miza janë më të rrezikshme sepse vijnë nga trupi i saj, ndërsa bakteret që gjenden në trupin e saj janë më pak të rrezikshme. Prandaj, nëse vetëm një mizë ulet në ushqim, nuk keni pse ta hidhni menjëherë. Ju ka më shumë të ngjarë të infektoheni nëse më shumë miza janë ulur, gjë që ndodh zakonisht kur hani jashtë.

  • Teherani thotë se shtetasi gjermano-iranian s’u ekzekutua, por vdiq në burg

    Teherani thotë se shtetasi gjermano-iranian s’u ekzekutua, por vdiq në burg

    Gjyqësori i Iranit thotë se një shtetas gjermano-iranian, i dënuar me vdekje për akuza për terrorizëm, nuk u ekzekutua por vdiq në burg.

    Mediat shtetërore iraniane raportuan më 28 tetor se Jamshid Sharmahd u ekzekutua, duke e nxitur një fjalosje diplomatike mes Berlinit dhe Teheranit, me Gjermaninë që i mbylli të gjitha tri konsullatat e Iranit në vend.

    Megjithatë, Asghar Jahangir, zëdhënës i gjyqësorit, i kundërshtoi raportimet në media dhe tha më 5 nëntor se një komunikatë e gjyqësorit për këtë çështje ishte keqkuptuar, pasi ajo nuk theksonte saktësisht se ekzekutimi ndaj tij ishte kryer.

    Nuk janë dhënë hollësi rreth vdekjes së Sharmahd, raporton Radio Evropa e Lirë.

    “Nuk ka pasur afat kohor për zbatimin e dënimit të Sharmahdit, ai vdiq para se të kryhej dënimi me vdekje”, tha Jahangir.

    Sharmahd, 69 vjeç, akuzohej nga Irani se udhëhiqte një grup promonarkist, për të cilin Teherani beson se ishte përgjegjës për një sulm vdekjeprurës me bombë në vitin 2008, si dhe për planifikimin e sulmeve të tjera në vend.

    Katërmbëdhjetë iranianë dhe 210 të tjerë u plagosën në sulmin në xhaminë Sayyid al-Shuhada Husseiniya në Shiraz, gjatë një ceremonie për ta nderuar imamin Hussein, imamin e tretë të myslimanëve shiitë.

    Ministria e Inteligjencës e Iranit e akuzoi Sharmahdin për planifikimin e sulmit, një akuzë të cilën familja e tij e hodhi poshtë si “qesharake”.

    Pas raportimeve për ekzekutimin e Sharmahdit, Bashkimi Evropian lëshoi një komunikatë ku e dënoi “fuqishëm” ndëshkimin dhe e akuzoi Iranin se e kishte rrëmbyer “jashtëligjshëm” inxhinierin, duke e mbajtur për vite “në kushte çnjerëzore pa një gjykim të drejtë”./REL

  • Trepça sonte luan ndeshjen e radhës në Europë

    Trepça sonte luan ndeshjen e radhës në Europë

    Kampionia e Kosovës, Trepça do të zhvillojë sonte ndeshjen e pestë në grupet e FIBA Europe Cup.

    Mitrovicasit do të jenë mysafirë të MHP RIESEN Ludwigsburg në Gjermani.

    Në përballjen e parë, skuadra gjermane kishte fituar në Mitrovicë me rezultat 57:70.

    ‘Xehetarët’ kanë katër humbje në katër ndeshje të zhvilluara në Grupin H, ndërsa kundërshtari i tyre i sotëm, Ludwigsburgu ka tri fitore dhe një humbje, aq sa ka edhe Dijoni, derisa kundërshtari Caledonia ka dy fitore e dy humbje.

    Mitrovicasit presin përkrahje nga një numër i madh i tifozëve shqiptarë në Gjermani.

    Takimin e fundit, Trepça e zhvillon ndaj Caledonia më 13 nëntor.

  • Krasniqi e Hamza vizitojnë familjen e Thaçit dhe Veselit: Padyshim, dielli do të lindë përsëri

    Krasniqi e Hamza vizitojnë familjen e Thaçit dhe Veselit: Padyshim, dielli do të lindë përsëri

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi së bashku me kandidatin për kryeministër i kësaj partie, Bedri Hamza, me rastin e 4 vjetorit të arrestimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, kanë vizituar familjet e dy ish-liderëve të PDK-së.

    “Sot, kur po bëhen 4 vite nga arrestimi i tyre nga Dhomat e Specializuara në Hagë, në dy takime të përzemërta që pata me Lumen dhe Endritin, gruan dhe të birin e Presidentit Thaçi, si dhe me Violetën, bashkëshorten e kryetarit Veseli – rikthyem në kujtesë momentet më krenare me ta si familjarë e bashkëpunëtorë, fjalët me peshë e rrugën që na e trasuan drejt fitoreve e sukseseve”, ka shkruar ai.

    Krasniqi ka thënë se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli u lindën për t’i shërbyer atdheut.

    “Fati i Kosovës, u bë fati i tyre. Rrugëtimi i tyre ndër dekada, si çlirimtarë, shtetformues dhe liderë vizionarë – është një histori e jashtëzakonshme dashurie dhe kontributi për Kosovën. Thënë më mirë, ata dhe shokët e tyre janë vetë historia”, ka shkruar ai.

    Kreu i PDK-së tha se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të gjithë shokët e tyre do të dalin faqebardhë edhe nga kjo betejë e fundit për të vërtetën e lavdisë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Pa dyshim, dielli do të lindë përsëri”, shkroi ai.

  • Çfarë ndodh nëse keni pirë ujë me mangan? Flet infektologu Hamdi Ramadani

    Çfarë ndodh nëse keni pirë ujë me mangan? Flet infektologu Hamdi Ramadani

    Vlerat e larta të Manganit në ujin e Liqenit të Badocit vazhdojnë të jenë ende prezentë dhe si i tillë ky uji ende nuk rekomandohet të përdoret për pirje e veçanërisht te grupet më të ndjeshme siç janë fëmijët 0-5 vjeç, personat e moshuar dhe ata që kanë sëmundje.

    Por, ky uji mund të përdoret për larje të enëve dhe rrobave.

    Ndërkohë, në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin “Alarm”, në ATV, infektologu Hamdi Ramadani ka folur për problemet shëndetësore që shfaqen me konsumimin e ujit me vlera të larta të manganit.

    Ai tha se nga rritja e vlerave të manganit rrezikohen më së shumti fëmijët.

    Ramadani tha se kur fëmijët dhe të rriturit pinë ujë me nivele të larta mangani për kohë të gjatë, ata mund të përballen me probleme me kujtesë, përqendrim dhe aftësi motorike.

    “Ashtu edhe siç e dini tash e disa javë ne përballemi me këtë situatë shqetësuese, për shkak të rritjes së vlerave të larta të manganit në ujin e Liqenit të Badocit.
    Kjo është shqetësuese sepse kur vlera e manganit rritet, atëherë ky ujë paraqitet si ujë i ndotur dhe jo i pijshëm. Në vlera normale, mangani ka dobi të shumta, por kur kalon mbi vlera normale atëherë paraqiten disa çrregullime në aspektin e sistemit qendror nervor sidomos te fëmijët; të tilla si çrregullime me të mbajturit mend, zhvillimi mentale nuk do të ishte në nivel e duhur, mund të ketë dhimbje barku, etj”, tha ai.

    Tutje, Ramadani apeloi që uji që vjen nga ky liqen të mos konsumohet për pirje dhe të përdoret si ujë teknik për higjienë personale dhe ambientale./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: