ATV

Author: G.O.

  • Putin thotë se është i gatshëm për bisedime të paqes, por jo me Zelenskyn

    Putin thotë se është i gatshëm për bisedime të paqes, por jo me Zelenskyn

    Presidenti rus, Vladimir Putin, edhe një herë ka përjashtuar mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta të paqes me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, të cilin e quajti “jolegjitim”. Kjo deklaratë nxiti udhëheqësin ukrainas që ta akuzjë Putinin se ka “frikë” që të negociojë një zgjidhje për luftën pothuajse 3-vjeçare, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    “Mund të negocioni me këto, por për shkak të jolegjitimitetit të tij, ai [Zelensky] nuk ka të drejtë që të nënshkruajë asgjë”, tha Putin për televizionin shtetëror rus, Rossiya 1TV, mbrëmjen e 28 janarit.

    Ai shtoi se do të “caktojë njerëz që të marrin pjesë” në negociata nëse Zelensky do të ishte prezent, në vend të mbajtjes së bisedime kokë më kokë.

    Putin disa herë ka deklaruar se ai nuk e konsideron Zelenskyn si udhëheqës legjitim, pasi që mandati pesëvjeçar presidencial i tij është dashur të përfundojë më 20 maj të vitit 2024.

    Zgjedhjet do të duhej të mbaheshin më 31 mars të vitit të kaluar, por u shtyn pasi shteti ende ka në fuqi gjendjen e luftës, për shkak të pushtimit të nisur nga Moska.

    Zelensky, i cili sipas Kushtetutës duhet të vazhdojë të shërbejë derisa të zgjidhet një president i ri, iu përgjigj pretendimit të Putinit, duke thënë se udhëheqësi rus është pengesa për bisedimet për dhënien fund të luftimeve.

    “Sot, Putini edhe një herë e konfirmoi se ai ka frikë nga negociatat, frikë nga udhëheqësit e fuqishëm dhe bën gjithçka që mundet për ta prolonguar luftën”, shkroi Zelensky në rrjetet sociale.

    “Tani, ne shohim se ka mundësi për arritjen e një paqeje të vërtetë, por Putini po bën gjithçka që të vazhdojë vrasjen në shkallë të plotë në vend të paqes, apo për një pauzë që të përgatitet për një pushtim të ri në shkallë të gjerë, duke kryer sulme hibride”.

    Ukraina ka shpallur gjendje lufte që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022 dhe i duhet që të ndryshojë ligjin në mënyrë që të mbajë zgjedhje në kohën kur gjendja e luftës është në fuqi.

    Zelensky po kërkon nga Shtetet e Bashkuara që t’i bëjnë presion Moskës për t’i dhënë fund luftës, në mes të intensifikimit të raportimeve për negociata në prapaskenë për zgjidhjen e konfliktit, pasi Donald Trump mori detyrën e presidentit.

    Që kur u inaugurua më 20 janar, Trump ka kërcënuar me vendosjen e taksave dhe sanksioneve ndaj mallrave që shkojnë nga Rusia në SHBA dhe në shtete të tjera, nëse Moska nuk ulet në tavolinën e negociatave.

    “Nëse nuk arrini marrëveshje shpejt, nuk do të kem zgjidhje tjetër përpos që të vendosë tarifa të larta dhe sanksione ndaj çdo gjëje që Rusia shet në SHBA dhe në disa shtete të tjera”, shkroi Trump më 22 janar në Truth Social.

    Këto kërcime duket se bien ndesh me lëvdatat që Trump i ka bërë në të kaluarën Putinin, me kritikat e ndihmës së SHBA-së për Ukrainën dhe dëshirës së tij për një përfundim të shpejtë të luftimeve, që nxiti shqetësime në mesin e mbështetësve të Ukrainës se ai do të mund të sakrifikonte interesat e Kievit në emër të një marrëveshjeje dhe kështu të forconte Rusinë.

    Kremlini i është përgjigjur deklaratave të ashpra të Trumpit, duke thënë se në to “nuk ka ndonjë element të ri”.

    Ukraina është duke humbur terren në fushëbetejë tash e pothuajse një vit, teksa ushtria më e madhe dhe e armatosur më mirë e Rusisë po vazhdon të thyejë mbrojtjet ukrainase dhe të shkaktojë viktima.

    Një nga problemet më të mëdha të Kievit është sfida për të rekrutuar ushtarë të mjaftueshëm për të mbushur radhët. Zelensky i ka rezistuar thirrjes për uljen e moshës së rekrutimit, në 18 vjeç, duke thënë se një gjë e tillë do të shkatërronte demografinë e shtetit./REL/

  • Dy vdekje të dyshimta në 24 orët e fundit në Kosovë

    Dy vdekje të dyshimta në 24 orët e fundit në Kosovë

    Policia e Kosovës ka njoftuar për dy vdekje të dyshimta në 24 orët e fundit në Kosovë.

    Në Obiliq një person është gjetur pa shenja jete. Rasti është duke u hetuar.

    “Obiliq 28.01.2025-NN. Është raportuar se viktima mashkull kosovar, është gjetur pa shenja jete. Në vendin e ngjarjes kanë dalur njësit relevante ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, njoftoj policia.

    Po ashtu një burrë është gjetur i vdekur edhe në Istog. Edhe ky rast është duke u hetuar nga Policia e Kosovës.

    “Istog 28.01.2025-12:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se viktima mashkull kosovar ishte pa shenja jete. Njësit relevante kanë dalur në vendin e ngjarjes ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh.

  • Disa persona raportohet se janë mbytur gjatë rrëmujës në një ngjarje fetare në Indi

    Disa persona raportohet se janë mbytur gjatë rrëmujës në një ngjarje fetare në Indi

    Disa persona besohet se janë mbytur gjatë tubimit më të madh fetar në botë të mbajtur në Indi më 29 janar, ndërkaq shumë të tjerë janë lënduar pasi turma theu kordonin e policisë dhe shtypi njerëzit e mbledhur.

    Autoritetet nuk kanë dhënë shifra zyrtare për viktimat, por një punonjës shëndetësor ka thënë se janë të paktën 15 viktima.

    Incidente vdekjeprurëse në turma të tilla ndodhin shpesh gjatë festivaleve fetare në Indi, përfshirë në Kumbh Mela, që mbledh dhjetëra miliona besimtarë çdo 12 vjet në qytetin verior të Prajagrajit.

    Teksa pelegrinët nxituan që të merrnin pjesë në ritualin e larjes në ditën e shenjtë, njerëzit që po flinin apo ishin të ulur në tokë pranë lumenjve, thanë për agjencinë AFP, se u shkelën nga një numër i madh besimtarësh që ishin nisur drejt tyre në errësirë, para agimit.

    “Isha i ulur pranë një barrikade dhe gjatë shtyrjeve, e gjitha turma ra mbi mua, duke më shtypur, teksa njerëzit tentonin të lëviznin përpara”, tha Renu Devi, 48 vjeç.

    “Kur turma u rrit në numër, të moshuarit dhe gratë u shtypën dhe askush nuk iu doli në ndihmë”.

    “Të paktën 15 persona” janë mbytur dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur, tha për AFP-në një mjek në një spital ku po trajtohen të mbijetuarit, zyrtar që foli në kushte anonimiteti pasi nuk ishte i autorizuar të fliste me mediat.

    Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, tha se kjo ishte një ngjarje “jashtëzakonisht e trishtueshme” dhe shprehu ngushëllime për familjarët e të vrarëve.

    Festivali fetar, Kumbh Mela, zhvillohet për gjashtë javë dhe është ngjarja kryesore në kalendarin fetar hindu.

    Të mërkurën shënohet një nga ditët më të shenjta të festivalit, kur njerëzit kryejnë një ritual të larjes në lumenjtë Gang dhe Jamuna, ritual që simbolizon larjen e mëkateve.

    Zyrtarët u kanë bërë thirrje pelegrinëve që të mos mblidheshin në vendin ku ndodhi fatkeqësia dhe të kryenin ritualin e larjes në vende të tjera.

    “Ne me përulësi iu bëjmë thirrje të gjithë besimtarëve që të mos mblidhen në vendin kryesor të larjes”, tha një nga punëtorët e organizimit të festivalit, teksa iu drejtua turmës me megafon.

    Qeveria shtetërore e Utar Pradeshit, përgjegjëse për organizimin e festivalit, tha se miliona besimtarë veçse kishin kryer ritualin e larjes mes mesnatës dhe orëve të para të mëngjesit, raporton REL.

    Ndërkaq, një zyrtar i lartë qeveritar u tha gazetarëve se punëtorët shëndetësorë po trajtojnë personat e plagosur rëndë gjatë shtypjes, duke shtuar se situata është “nën kontroll”.

    Udhëheqësi opozitar në Indi, Rahul Gandhi, fajtor për fatkeqësinë bëri menaxhimin e dobët të turmës.

    Fatkeqësi të tilla në Indi kishin ndodhur edhe në të kaluarën. Më shumë se 400 persona kishin humbur jetën pas shtypjes nga turma në një ditë të vetme të festivalit Kumbh Mela më 1954 – një nga tragjeditë më të mëdha të këtij lloji në botë.

    Ndërkaq, më 2013, 36 persona ishin shtypur për vdekje në festivalin e mbajtur në Prajagraj.

  • Arrestohet një burrë në Lipjan, dyshohet se dhunoi një grua

    Arrestohet një burrë në Lipjan, dyshohet se dhunoi një grua

    Një person është arrestuar në Lipjan pasi dyshohet se ka dhunuar një grua.

    Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur më 25.01.2025, në Lipjan.

    “Më 27.01.2025 viktima femër kosovare ka raportuar se  ndaj saj është kryer vepra e lartcekur  nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka marrë tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, njoftoj policia.

  • “Vrasje në tentativë” në Drenas, arrestohet një i dyshuar

    “Vrasje në tentativë” në Drenas, arrestohet një i dyshuar

    Një person është arrestuar në Drenas pasi ka dorëzuar armën e ftohtë me të cilën dyshohet se ka kryer veprën “Vrasje në tentativë”.

    Rrasti ka ndodhur më 25.01.2025 rreth orës 16:40, në Drenas.

    “Lidhur me rastin, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe i njëjti ka dorëzuar armën e ftohtë me të cilën dyshohet se ka kryer veprën. Pas intervistimit me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. 

  • Babai raporton vajzën e zhdukur në Pejë

    Babai raporton vajzën e zhdukur në Pejë

    Një burrë në Pejë ka njoftuar policinë se vajza e tij është zhdukur nga data 12 janar.

    Sipas raportit policor, viktima është larguar nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e saj.

    Policia njoftoi se rasti është nën hetime.

  • Grabitje e armatosur në Fushë-Kosovë

    Grabitje e armatosur në Fushë-Kosovë

    Një grabitje e armatosur ka ndodhur në Fushë Kosovë, gjatë orëve të mbrëmjes.

    Siç njofton Policia, viktima ka raportuar se derisa ka qenë në vendin e tij të punës një i dyshuar i panjohur, i maskuar dhe nën kërcënimin e armës i ka grabitur 300 euro dhe është larguar në drejtim të panjohur.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalur të gjitha njësitet përkatëse policore. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori.

    “Fushë Kosovë 28.01.2025-20:50. Viktima mashkull kosovar ka raportuar se derisa ka qenë në vendin e tij të punës  një i dyshuar i panjohur, i maskuar dhe nën kërcënimin e armës i ka grabitur 300 euro dhe është larguar në drejtim të panjohur. Nuk raportohet për të lënduar. Në vendin e ngjarjes kanë dalur të gjitha njësitet përkatëse policore. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori. Rasti nën hetime”.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sipas kalendarit sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Ndryshe edhe dje ka dëshmuar Naser Krasniqi. Seanca në këtë rast gjyqësor do të ketë sot dhe nesër.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Disa rajone ruse raportojnë për sulme masive ukrainase

    Disa rajone ruse raportojnë për sulme masive ukrainase

    Zyrtarët në disa rajone ruse kanë raportuar për sulme masive ukrainase me dronë gjatë natës që kanë pasur për shënjestër infrastrukturën e energjisë, përfshirë një central bërthamor. Ndërkaq, presidentët e Ukrainës dhe Rusisë kanë këmbyer akuza lidhur me mundësinë e negociatave të paqes.

    Zyrtarët qeveritarë në rajonet e Rusisë të Smolenskut, Nizhni Novgorodit, Tverit, Kurskut, Leningradit dhe Brianskut thanë se zonat e tyre janë goditur nga dronët e Ukrainës më 28-29 janar, ndërkaq aeroportet në Kazan dhe Shën Petersburg kanë ndaluar përkohësisht operimin për shkaqe sigurie.

    “Në disa zona në rajonin e Smolenskut, objektet civile ishin subjekt i një sulmi masiv me dronë“, shkroi në Telegram guvernatori, Vasily Anokhin.

    “Sistemet e mbrojtjes ajrore dhe ato të luftës elektronike të Ministrisë ruse të Mbrojtjes janë duke i shkatërruar dronët… Një nga dronët u rrëzua gjatë përpjekjes për të sulmuar një ndërtesë me energji bërthamore. Nuk ka viktima apo dëme”, shtoi Anokhin.

    Informacione të tjera nuk u dhanë, por centrali bërthamor në Smolensk është një ndërtesë e madhe për prodhimin e energjisë që gjendet rreth 100 kilometra nga qyteti i Smolenskut.

    Ndërkaq, guvernatori i rajonit rus, Nizhni Novgorod, Gleb Nikitin, tha se një dron ra në territorin e një kompleksi të karburanteve dhe energjisë në zonën industriale të Kstovskit, por nuk raportoi për viktima apo dëme të mëdha.

    “Shërbimet speciale po punojnë në vendngjarje dhe po përdoren të gjitha mjetet e nevojshme për të lokalizuar zjarrin në një nga njësitë e rafinerisë së naftës”, tha Nikitin.

    Guvernatorët rajonalë në rajonin Briansk, në kufi me Ukrainën, dhe Tver, në afërsi të Moskës, po ashtu raportuan për sulme me dronë. Në këto dy rajone, zyrtarët nuk raportuan për viktima apo dëme.

    Autoritetet në aeroportin e Kazanit – kryeqytetit të Republikës ruse të Tatarstanit – thanë se të gjitha fluturimet janë ndërprerë për shkaqe sigurie, ndonëse nuk njoftuan nëse aeroporti ishte cak i ndonjë sulmi.

    Agjencia shtetërore e lajmeve, TASS, po ashtu ka raportuar se fluturimet në aeroportin Pulkovo në Shën Petersburg janë ndërprerë për shkaqe sigurie, por nuk u dhanë më shumë detaje.

    Ministria ruse e Mbrojtjes tha se ka rrëzuar 104 dronë ukrainas në disa rajone gjatë natës. Ky pretendim i Rusisë nuk ka mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

  • Qytetarët në Maqedoninë e Veriut pro bojkotit të marketeve

    Qytetarët në Maqedoninë e Veriut pro bojkotit të marketeve

    Kroatët e zgjuan rajonin, bojkot në markete për shkak të çmimeve të larta përhapet në mënyrë masive.

    Vazhdoi në Bosnjë dhe Hercegovinë, pastaj në Malin e Zi, tani edhe në Maqedoninë e Veriut, shkruajnë mediat vendase.

    Qytetarët e Maqedonisë organizohen për bojkot të marketeve të premten më 31 janar.

    Qytetarët thonë se do ta përkrahin bojkotin, se çmimet e ushqimeve janë tepër të larta.