ATV

Author: G.O.

  • KFOR-i publikon pamje nga dislokimi i ushtarëve hungarezë për kontrollin e trazirave

    KFOR-i publikon pamje nga dislokimi i ushtarëve hungarezë për kontrollin e trazirave

    Sot, kompania e dytë hungareze e Batalionit Rezervë Taktike – Kinetike (KTRBN) ) e misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR ka përfunduar me sukses vendosjen e saj në Kosovë.

    Në njoftimin e KFOR-it thuhet KTRBN ka aftësi të rëndësishme – duke përfshirë kontrollin e turmave dhe trazirave (CRC), kolonat shoqëruese, mbikëqyrjen, zbulimin, ndihmën ndaj popullsisë dhe detyra të tjera të këmbësorisë. – të cilat sigurojnë gatishmërinë dhe aftësinë e KFOR-it për t’iu përgjigjur shpejt dhe në mënyrë efektive zhvillimeve përkatëse të sigurisë.

    “Që nga viti 1999, kontingjenti hungarez ka qenë një kontribuues kyç në misionin paqeruajtës të KFOR-it. Ky dislokim shënon rotacionin e 33-të të kontingjentit hungarez. Është një demonstrim i prekshëm i angazhimit të gjatë të Hungarisë në mbështetje të KFOR-it”, thuhet në njoftim.

  • Osmani dekoron komandantin e KFOR-it me Medaljen Presidenciale Ushtarake

    Osmani dekoron komandantin e KFOR-it me Medaljen Presidenciale Ushtarake

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar javën e kaluar gjeneralmajorin Enrico Barduani, komandant i KFOR-it, me Medaljen Presidenciale Ushtarake.

    Në një njoftim të Presidencës thuhet se gjatë mandatit të tij në krye të KFOR-it, gjeneralmajor Barduani ka dhënë “kontribut të çmuar për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe në rajon”.

    Osmani e vlerësoi shërbimin e tij duke theksuar se dekorata është një shenjë falënderimi:

    “Një simbol i mirënjohjes së popullit tonë dhe i përkushtimit të pandërprerë të NATO-s për paqe dhe siguri afatgjate.”, thuhet në njoftim.

  • Izraeli intensifikon sulmet në Gaza, ushtria urdhëron evakuimin e banorëve nga qyteti

    Izraeli intensifikon sulmet në Gaza, ushtria urdhëron evakuimin e banorëve nga qyteti

    Shpërthime të fuqishme janë dëgjuar në Rripin e Gazës të shtunën, ku ushtria izraelite ka intensifikuar sulmet për të marrë kontrollin e plotë të qytetit më të madh palestinez. Tel Avivi e cilëson këtë zonë si bastionin e fundit të Hamasit dhe ka urdhëruar largimin e mijëra banorëve.

    Në fokus të sulmeve janë vënë ndërtesat shumëkatëshe, me arsyetimin e ushtrisë se ato shfrytëzoheshin nga Hamasi për infrastrukturë vëzhgimi. Shkatërrimi i tyre konsiderohet pjesë e strategjisë për të pastruar terrenin, pavarësisht pranisë së dendur të popullsisë civile në zonat përreth.

    Ndërkohë, situata humanitare në terren vazhdon të mbetet kritike. Qindra mijëra palestinezë vazhdojnë të jenë të bllokuar, duke u përballur me uri të skajshme. Sipas agjencive të ndihmës, numri i personave që po largohen nga Gaza është rritur ndjeshëm pas përshkallëzimit të fundit të luftimeve.

  • Procesi i Integrimit Evropian, Presidenca daneze fton Shqipërinë të hapë katër kapituj të rinj të negociatave

    Procesi i Integrimit Evropian, Presidenca daneze fton Shqipërinë të hapë katër kapituj të rinj të negociatave

    Shqipëria do të hapë katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

    Kryeministri Edi Rama njoftoi se Presidenca daneze e Bashkimit Evropian e ka ftuar Tiranën zyrtare më 16 shtator, për të konkretizuar këtë hap të rëndësishëm në procesin e integrimeve.

    Kryeministri Rama e cilësoi këtë zhvillim si një rekord absolut për shpejtësinë e këtij procesi.

    Me formalizimin e katër kapitujve të rinj, numri total i kapitujve të hapur nga Shqipëria në vetëm 11 muajt e fundit arrin në 28, duke përshpejtuar ndjeshëm rrugëtimin e vendit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

    Sipas kreut të qeverisë, ky është një tjetër gur kilometrik në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, me objektivin e vendosur për vitin 2030.

  • Haradinaj: Kosova po i kalon në ditë të errëta, na duhet dritë

    Haradinaj: Kosova po i kalon në ditë të errëta, na duhet dritë

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në hapjen zyrtare të fushatës për zgjedhjet komunale, u shpreh falënderues për të gjithë përkrahësit e kësaj partie.

    Në fjalën e tij, Haradinaj tha se me kandidaturën e AAK-së, ka shpresë për komunat e Kosovës.

    “Një pamje që të jep shpresë, edhe na bind që për Kosovën do të ketë dritë, për komunat do të ketë dritë, për komunat e Kosovës do të ketë dritë. Kosova po i kalon në ditë të errëta, na duhet dritë. Nuk jeni vetëm parti politike. Emrat e kolegëve të nderuar, janë më shumë se parti politike, jeni qeverisja e mirë, qeverisja e duhur për qytetarët tuaj, për komunat tuaja. Ju jepi dritë përmes qeverisjes, jepni shpresë, jepni jetë qytetarëve tuaj, komunës suaj”, tha Haradinaj.

  • Memli Krasniqi për nisjen e fushatës zgjedhore: Më 12 tetor, zgjedhja është e qartë – PDK 191

    Memli Krasniqi për nisjen e fushatës zgjedhore: Më 12 tetor, zgjedhja është e qartë – PDK 191

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka nisur sot zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke publikuar një video-mesazh drejtuar qytetarëve të Kosovës.

    Në deklaratën e tij, Krasniqi rikujtoi se katër vite më parë PDK-ja fitoi besimin për të udhëhequr në më së shumti komuna të vendit, dhe se ky besim iu kthye qytetarëve me punë, projekte dhe rezultate konkrete.

    “Edhe këtë herë, zgjedhja është e qartë: për qeverisje të përgjegjshme, projekte konkrete dhe një komunë që ecën vetëm përpara. Më 12 tetor, ekziston mundësia për ta bërë Ma Mirë komunën tuaj: PDK – 191!”, u shpreh Krasniqi.

    Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor, ku PDK synon të ruajë dhe të rrisë numrin e komunave që qeveris, duke prezantuar modelin e saj të qeverisjes #MaMirë.

  • Sekuestrohen armë në një auto-sallon në Banullë të Lipjanit, Policia arreston dy persona

    Sekuestrohen armë në një auto-sallon në Banullë të Lipjanit, Policia arreston dy persona

    Dy persona janë arrestuar në fshatin Banullë të Lipjanit, pasi në auto-sallonin e tyre u gjetën armë pa leje. gjatë një aksioni të përbashkët, Policia dhe Dogana kanë bastisur biznesin e të dyshuarve, ku kanë zbuluar një sasi armatimi të mbajtur në mënyrë të paligjshme.

    Gjatë kontrollit, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar gjithsej gjashtë pistoleta, gjashtë karikatorë si dhe njëzet fishekë.

    Pas intervistimit të tyre, me urdhër të prokurorit të rastit, njëri prej të dyshuarve është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa, i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

  • Plagosje me armë zjarri në Pejë – Autori ikën, por më pas dorëzohet në polici

    Plagosje me armë zjarri në Pejë – Autori ikën, por më pas dorëzohet në polici

    Një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri të premten pasdite në rrugën “Papa Klementi” në Pejë.

    Viktima, një mashkull kosovar, është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës pas incidentit.

    Sipas njoftimit të Policisë, i dyshuari për këtë rast ishte larguar fillimisht nga vendi i ngjarjes me një veturë. Megjithatë, pak kohë më vonë, ai ka vendosur të paraqitet vetë në stacionin policor.

    Pas intervistimit nga hetuesit policorë në prani të avokatit të tij mbrojtës, me vendim të prokurorit kompetent, ndaj tij është caktuar masa e mbajtjes, ndërsa rasti po hetohet si vrasje në tentativë.

  • 22-vjeçari i dyshuar për vrasjen e Charlie Kirk, nën mbikëqyrje speciale në burg

    22-vjeçari i dyshuar për vrasjen e Charlie Kirk, nën mbikëqyrje speciale në burg

    Tyler Robinson, 22-vjeçari i dyshuar për vrasjen e Charlie Kirk, aktualisht po mbahet nën vëzhgim nga stafi i burgut në Njësinë e Strehimit Special, raporton TMZ.

    Zëdhënësi i Sherifit të Qarkut Utah, Rreshteri Raymond Ormond, i tha TMZ se Robinson ndodhet në Njësinë e Strehimit Special nën “Mbikëqyrje Speciale”, ndërsa profesionistët e shëndetit mendor po vlerësojnë nëse ai paraqet rrezik për veten ose të tjerët.

    Sipas tyre, po analizojnë nëse ai mund të jetë “vetëvrasës”.

    “Nuk e dimë nëse ai ka bërë ndonjë koment që mund të tregojë se po mendon të vetëvritet në burg… megjithëse burime të zbatimit të ligjit na thanë më herët të premten se Tyler dyshohet se i kishte treguar të atit se do të preferonte të vdiste nga vetëvrasja sesa të dorëzohej në polici.”, thuhet në raportimin e TMZ-së.

  • Këto janë sloganet që partitë prezantojnë për zgjedhjet lokale

    Këto janë sloganet që partitë prezantojnë për zgjedhjet lokale

    Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit fillon sot.

    Subjektet politike të certifikuara nga KQZ-ja do të zhvillojnë fushatë për 30 ditë, gjatë të cilave do të prezantojnë programet dhe vizionin e tyre për qeverisje komunale.

    Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e ka hapur fushatën mbrëmë në Prishtinë, partitë e tjera kanë paralajmëruar nisjen e aktiviteteve sot.

    Partitë tashmë kanë zbuluar sloganet që do të përdorin për të tërhequr votuesit: LVV-ja me “Bashkë për komunat”, PDK-ja “Ma mirë për komunën”, LDK-ja “Kosova përtej”, dhe AAK-ja “Dritë për komunat”. Liderët e tyre shprehen optimistë se këto slogane do t’i ndihmojnë të korrin fitore më 12 tetor.

    Kryetari i VV-së, Albin Kurti, gjatë hapjes së fushatës mbrëmë, e ka përshkruar partinë e tij si opsionin e duhur për Kosovën.

    “Së bashku e dimë çka na duhet, kush mundet, kush ka vullnet dhe dije. Më 12 tetor, të gjithë së bashku të votojmë opsionin që na duhet, kryetarin që mundet, që ka vullnet e që ka dije, e ai kryetar e ka numrin 105, dhe i përket Lëvizjes sonë kombëtare e përparimtare, zhvilluese dhe modernizuese, Lëvizjes VETËVENDOSJE!”

    Edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, shprehet optimist: “Me numrin 191, PDK hyn në zgjedhjet lokale për t’ua sjellë komunave të Kosovës modelin e qeverisjes #MaMirë – me punë, përgjegjësi dhe vizion. Me kandidatët më të mirë për kryetarë, këshilltarët më të përgatitur komunalë dhe programin më zhvillimor, jemi gati për fitore. Bashkë, përpara!”

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se koha dhe momenti janë në favor të partisë së tij.

    “Gati për nesër. Të gjitha rrugët na bashkojnë në Pallat të Rinisë nga ora 18:00, në hapjen e madhe të fushatës lokale dhe prezantimin e kandidatëve tanë. LDK ju pret. Koha është në anën tonë. Populli i Kosovës është ngopur me fjalë e urrejtje të thatë; le të kthehemi në gjenezë! Një Kosovë e shkollës e shëndetës, rrugës e dritës, kulturës e familjes.”

    Kurse kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar sukseset e partisë së tij në qeverisje komunale dhe ka prezantuar fushatën:

    “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të hapë zyrtarisht fushatën për Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit 2025, më 13 shtator 2025, duke filluar nga ora 13:00, në Hotel Venus, Prishtinë. Slogani ynë është ‘Dritë për Komunat’, kjo vjen për faktin se qeverisja e AAK-së në komuna ka dëshmuar rezultate konkrete, duke ofruar modele të suksesshme të udhëheqjes dhe zhvillimit lokal. Kryetarët tanë dhe ekipet qeverisëse kanë arritur suksese të prekshme, duke u renditur lart në tabelat e performancës komunale.”, tha ai.