ATV

Author: G.O.

  • ​Studim i ri jep përgjigjen për pyetjen: Kush jeton më gjatë, njerëzit e gjatë apo ata të shkurtër?

    ​Studim i ri jep përgjigjen për pyetjen: Kush jeton më gjatë, njerëzit e gjatë apo ata të shkurtër?

    Lajm i mirë për një grup të caktuar njerëzish

    Dy studiues të njohur, L.F. Martel dhe H. Biler, që në vitin 2002 publikuan rezultatet e një studimi sipas të cilit gjatësia ideale për burrat perëndimorë ishte 188 cm.

    Ata shtuan gjithashtu se kjo vazhdimisht po rritet.

    Ndërkohë, shkencëtarë të tjerë kanë vazhduar punën mbi këtë temë, duke theksuar se me përparimin e inxhinierisë gjenetike, prindërit do të jenë në gjendje të kontrollojnë gjatësinë e fëmijëve të tyre, dhe se kjo gjatësie ka gjasa të rritet me çdo brez të ri.

    Mjekësia dhe shoqëria në përgjithësi e shohin pozitivisht faktin që gjeneratat e reja janë gjithnjë e më të gjata, por shpesh anashkalohen të dhënat e shumta që tregojnë se gjatësia më e shkurtër është më e shëndetshme.

    Në 20 vitet e fundit, iluzioni “më e madhe është më e mirë” është promovuar nga studime që kanë zbuluar se njerëzit e gjatë, burrat mbi 183 cm dhe gratë mbi 165 cm, kanë norma më të ulëta të vdekshmërisë nga sëmundjet e zemrës dhe të gjitha shkaqet, krahasuar me njerëzit më të shkurtër (burrat nën 170 cm dhe gratë nën 150 cm).

    Megjithatë, një grup studiuesish analizoi më hollësisht këto studime dhe gjeti se pothuajse të gjitha këta artikuj kishin injoruar të dhëna të shumta që tregonin se gjatësia e shkurtër, në vetvete, nuk ndikon negativisht në shëndet.

    Për shembull, Studimi i Parë Kombëtar për Shëndetin dhe Ushqyerjen (NHANES I) nuk gjeti lidhje midis gjatësisë dhe sëmundjeve të zemrës kur u morën parasysh mosha dhe vitet e shkollimit për 13.031 burra dhe gra, të ndjekur për 13 vjet, transmeton Telegrafi.

    Studiuesit raportuan se studimet e mëparshme mbi gjatësinë dhe shëndetin kishin dobësi dhe pasaktësi që komprometuan gjetjet e tyre. Kështu, Okasha dhe bashkëpunëtorët nuk gjetën asnjë lidhje midis gjatësisë dhe vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet në një studim të kryer mbi 10.700 studentë të Universitetit të Glasgout, Skoci, të ndjekur për 40 vjet.

    Gjatësia mesatare para shekullit XX ishte rreth 10 cm më e ulët se sot. Megjithatë, sëmundja koronare e zemrës (SKZ) para vitit 1900 ishte e rrallë. Edhe pse vetëm rreth 50 për qind e popullsisë arrinte të jetonte deri në 50 vjeç, ata që mbijetonin deri në këtë moshë mund të prisnin të jetonin edhe 15–20 vjet të tjera. Pra, SKZ ishte e rrallë edhe pse kishte shumë të moshuar në fillim të viteve 1900 dhe më herët.

    Që nga vitet 1960, vende si India dhe Singapori kanë regjistruar një rritje të madhe të incidencës së SKZ (përfshirë të rriturit e rinj) paralelisht me ndryshimet në ushqyerje dhe me rritjen e gjatësisë.

    Gratë janë mesatarisht rreth 13 cm më të shkurtra se burrat dhe kanë norma dukshëm më të ulëta të SKZ. Edhe pse shpesh supozohet se hormonet e shpjegojnë këtë përparësi, ato mund të luajnë vetëm një rol të pjesshëm. Për shembull, bazuar në të dhënat për 1.700 persona të ndjerë në Ohajo, Miler gjeti se burrat dhe gratë me të njëjtën gjatësi kishin afërsisht të njëjtën jetëgjatësi.

    Në gjysmën e dytë të shekullit XX, ndër njerëzit që jetuan më gjatë ishin japonezët, kinezët nga Hong Kongu dhe grekët, të gjithë më të shkurtër dhe më të lehtë se evropianët veriorë dhe amerikanët e veriut. Për më tepër, të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë së Kalifornisë tregojnë se aziatikët dhe hispanikët jetojnë të paktën katër vjet më gjatë se të bardhët më të gjatë.

    Wild dhe bashkëpunëtorët zbuluan se indianët lindorë, kinezët, japonezët dhe hispanikët në Kaliforni kishin norma më të ulëta vdekshmërie nga të gjitha shkaqet dhe nga sëmundjet koronare të zemrës.

    Një raport i një studimi 25-vjeçar mbi banorët e Okinavës tregon se ata kanë jetëgjatësinë më të madhe në botë, madje edhe më të lartë se ajo e japonezëve kontinentalë. Banorët e Okinavës mbeten të fortë dhe të shëndetshëm deri në moshë të thyer dhe ruajnë një nivel të lartë aktiviteti fizik deri në të 90-tat. Ata kanë normat më të ulëta të kancerit dhe sëmundjeve të zemrës në botë, si dhe tejkalojnë shumicën e vendeve në numrin e qindvjeçarëve, me 34 për 100.000, kundrejt 5–10 për 100.000 në vendet e industrializuara. U konstatua gjithashtu se frakturat e kockave janë dukshëm më të pakta se në Japoni kontinentale dhe në SHBA.

    Banorët e Okinavës ndjekin një dietë me pak kalori dhe të pasur me fibra, të mbushur me perime, drithëra dhe sojë. Ushqimi i tyre është gjithashtu i pasur me yndyra të pangopura mono dhe poli (veçanërisht omega-3). Ata konsumojnë në sasi të vogla karbohidrate të rafinuara dhe produkte shtazore, përveç peshkut. Çaji dhe sasi të vogla alkooli konsumohen çdo ditë. Megjithatë, marrja e kripës është rreth 7 gramë, shumë më e lartë se 1 gram që konsumojnë popullata me presion të ulët të gjakut gjatë gjithë jetës.

    Studiuesit Wilcox dhe të tjerë nuk ia atribuojnë këtë shëndet superior gjeneve, sepse kur banorët e rinj të Okinavës migrojnë në Japoni kontinentale, Havai ose SHBA, shpejt zhvillojnë sëmundjet kronike të popullsisë vendase. Okinavianët janë më të shkurtër dhe më të lehtë se japonezët kontinentalë, dhe burrat e moshës 87–104 vjeç kanë mesatarisht 145,4 cm gjatësi dhe peshojnë 42,8 kg.

    Studiues të tjerë kanë gjetur shoqëri tradicionale me shëndet të mirë dhe me pak sëmundje koronare dhe kancer. Për shembull, Walker gjeti se zezakët në zonat rurale të Afrikës së Jugut praktikisht nuk kishin sëmundje koronare të zemrës dhe kishin përqindje shumë të ulët të kancerit të lidhur me ushqimin. Zezakët ishin mesatarisht rreth 10 cm më të shkurtër se të bardhët.

    Lindeberg dhe të tjerë raportuan se melanezianët që jetonin në Kitava ishin të shëndetshëm dhe se sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru praktikisht mungonin tek popullata 20-86 vjeç. Meshkujt ishin mesatarisht 161 cm të gjatë dhe peshonin 53 kg. Studimi mbi popullatat e Ishujve Solomon tregoi gjithashtu se ata nuk kishin sëmundje koronare dhe ishin të shëndetshëm, me gjatësi mesatare të burrave nga 160 deri në 163 cm.

    Përfundimi i përgjithshëm është se burrat e shkurtër jetojnë mesatarisht të paktën tre vjet më gjatë se ata të gjatë. /Telegrafi/

  • “Më ka pas thye qafën”, Emina Cunmulaj foli pa doreza për martesën e parë me një shqiptar

    “Më ka pas thye qafën”, Emina Cunmulaj foli pa doreza për martesën e parë me një shqiptar

    Modelja e njohur shqiptare me famë ndërkombëtare, Emina Cunmulaj, e cila prej vitesh jeton dhe vepron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka ndarë së fundmi disa detaje shumë personale nga jeta e saj private përmes një transmetimi të drejtpërdrejtë në TikTok.

    Gjatë bashkëbisedimit me ndjekësit e saj, Emina foli hapur për martesën e saj të parë, e cila nuk ka qenë një përvojë pozitive.

    Ajo tregoi se ka qenë e martuar me një shqiptar, por marrëdhënia ka rezultuar zhgënjyese.

    @meme_vip12♬ original sound – Informacioni_i_Dites


    “Ai më ka pa thye qafën… se kam qenë e martuar me një shqiptar. Por nuk shkon, nuk shkon more vëlla”, – tha Emina me sinqeritet, duke reflektuar mbi atë periudhë të jetës së saj.

    Përveç rrëfimit për të kaluarën, Emina iu përgjigj edhe pyetjeve dhe komenteve që lidhen me vendimin e saj për të sjellë në jetë djalin përmes procesit IVF (fertilizim in vitro) — një praktikë e avancuar që përdoret shpesh në SHBA dhe që ofron mundësinë e përzgjedhjes së gjinisë së foshnjës para lindjes.

    Madje në një intervistë për emisionin “Mam” me Orinda Hutën, filantropja ka treguar më në detaje se si ajo dhe bashkëshorti erdhën deri tek ky vendim dhe për peripecitë që kishte kaluar ajo për të mbërritur tek lindja e djalit.

    Emina Cunmulaj është e martuar me biznesmenin e njohur amerikan me origjinë iraniane, Sam Nazarian, me të cilin ka ndërtuar një familje të lumtur. Çifti janë prindër të tre fëmijëve: dy vajzave dhe një djali.

  • Parandalohen dy raste të kontrabandimit në Jarinje

    Parandalohen dy raste të kontrabandimit në Jarinje

    Dogana e Kosovës, këtë të shtunë ka parandaluar dy raste të tentim-kontrabandës në pikën kufitare në Jarinje.

    Rasti i parë, sipas doganës, ka të bëjë me një kontroll të detajuar në një automjet të udhëtarëve, i drejtuar nga një shtetas i Serbisë, në të cilin u zbuluan dhe u sekuestruan rreth 300 gram argjend të padeklaruar. Bëhet e ditur se malli ishte fshehur me qëllim të shmangies së detyrimeve doganore dhe futjes ilegale në tregun e Kosovës.

    Sakaq, në rastin e dytë, gjatë kontrollit të një automjeti tjetër, zyrtarët doganorë zbuluan sasi të konsiderueshme produktesh të qumështit, të cilat, siç thotë dogana, po tentohej të kontrabandoheshin pa dokumentacionin e nevojshëm shoqërues dhe pa respektuar rregullat e importit të produkteve me prejardhje shtazore.

    Mallrat janë sekuestruar dhe procedurat ligjore janë duke u ndjekur në bashkëpunim me institucionet kompetente.

  • Policia shpëton dy turistë gjermanë të bllokuar te Ujëvara e Shëngjergjit, kërkimi zgjati 12 orë

    Policia shpëton dy turistë gjermanë të bllokuar te Ujëvara e Shëngjergjit, kërkimi zgjati 12 orë

    Policia e Tiranës ka ardhur në ndihmë dy turistëve gjermanë që kishin mbetur të bllokuar në zonën e Ujvarës së Shëngjergjit.

    Shërbimet e Komisariatit të Policisë, në bashkëpunim me Njësinë Alpine të Forcës Kombëtare të Sigurisë Tiranë, pas marrjes së njoftimit organizuan menjëherë operacionin për shpëtimin e turistëve.

    Për shkak të terrenit të vështirë dhe të thepisur, si dhe largësisë së zonës nga rrugët e aksesueshme me automjete, kërkimi zgjati 12 orë.

    Pas lokalizimit, dy turistët gjermanë u gjetën në gjendje të mirë shëndetësore.

  • Shfaqen problemet e para me iPhone 17 Pro – Përdoruesit ankohen se pjesa e pasme gërvishtet shumë lehtë

    Shfaqen problemet e para me iPhone 17 Pro – Përdoruesit ankohen se pjesa e pasme gërvishtet shumë lehtë

    iPhone-i i ri është në treg vetëm disa ditë, por tashmë po vijnë raportimet e para për probleme.

    Duket se pjesa e pasme e iPhone-ve të rinj në disa ngjyra gërvishtet shumë lehtë, ndërsa rrjetet sociale janë plot me komente dhe video lidhur me këtë. Në TikTok po qarkullojnë shumë video nga përdorues që tregojnë gërvishtjet në pjesën e pasme të pajisjes.

    Për këtë problem ka folur edhe gazetari i Bloomberg, Mark Gurman. Në një video në TikTok ai theksoi se përdoruesit kanë vënë re gërvishtje në pjesën e pasme të iPhone-ve të rinj me ngjyrë të zezë dhe të kaltër të errët.

    Ai shtoi se këto nuanca janë më të prirura për gërvishtje krahasuar me modelet e tjera, si ato me ngjyrë të artë, të kaltër dhe të bardhë tek modelet Air, si dhe ngjyrën portokalli tek modelet 17 Pro dhe 17 Pro Max.

    Por, përveç gërvishtjeve, Gurman theksoi edhe një problem tjetër – karrikuesi pa tel MagSafe herë pas here lë shenja në pjesën e pasme të modeleve më të errëta të iPhone, sidomos nëse pajisjet karikohen për një kohë më të gjatë.

    @megantinxie liked deep blue the best but ended up getting the silver 🥲 whyyyy #iphone17pro #iphone17promax #apple #iphone17 ♬ admire the perc – !


    Problemi është më i dukshëm sepse Apple këtë vit ka kaluar në përdorimin e një karikuesi alumini për modelet Pro dhe Pro Max, pasi më parë përdorte titan, përfundoi Gurman në videon e tij.

    A mund të dëmtojë problemi shitjet e telefonave të rinj?

    Analistët nga Wall Street, me të cilët ka biseduar portali MarketWatch, nuk duken të shqetësuar për këtë, as për ndikimin e mundshëm në biznesin e Apple.

    “Prezantimet e reja të iPhone-ve shpesh shoqërohen me probleme të reja. Edhe ndryshimet më të vogla në dizajn dhe materiale marrin shumë vëmendje për shkak të rëndësisë së madhe të produktit që shitet në miliona njësi çdo muaj”, tha Gil Luria, drejtor në D.A. Davidson.

    Luria shtoi se “nëse rezulton se ky është një problem i përhapur, Apple gjithmonë mund të ndryshojë drejtim. Kjo mund të sjellë disa kosto afatshkurtra, por ndoshta asgjë më shumë.”

    Dan Ives, analist i lartë në Wedbush Securities, deklaroi se situata me gërvishtjet është “mbivlerësuar” dhe e quajti iPhone 17 një produkt “fenomenal”. “Përdoruesit janë të kënaqur dhe sipas mendimit tonë ky nuk do të jetë problem,” shtoi Ives. /Telegrafi/

    @bloombergbusiness Eager shoppers around the globe waiting to purchase a new #iPhone on Friday arrived at stores to find that some of the models were already covered in scratches. Mark Gurman explains why. #tech #news ♬ original sound – Bloomberg Business

  • Sulmet izraelite vrasin 14 njerëz në Gaza, teksa disa shtete po përgatiten ta njohin shtetin palestinez

    Sulmet izraelite vrasin 14 njerëz në Gaza, teksa disa shtete po përgatiten ta njohin shtetin palestinez

    Të paktën 14 njerëz janë vrarë si pasojë e sulmeve ajrore izraelite natës në qytetin e Gazës, thanë zyrtarët shëndetësorë të shtunën.

    Izraeli i ka shtuar sulmet në një kohë kur vendet perëndimore po shfaqin gjithnjë e më shumë pakënaqësi lidhur me përshkallëzimin e luftës në Gazë, disa prej të cilave synojnë ta njohin shtetin palestinez në mbledhjen e udhëheqësve botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara javën e ardhshme.

    Të premten, Ministria e Jashtme e Portugalisë tha se do ta njohë shtetin palestinez të dielën.

    Portugalia në mesin e disa vendeve të tjera perëndimore, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë, Australinë, Maltën, Belgjikën dhe Luksemburgun, që pritet ta njohin shtetin palestinez në ditët në vijim.

    Operacioni më i fundit izraelit, i cili filloi këtë javë, e përshkallëzon më tej konfliktin që ka trazuar Lindjen e Mesme dhe, me gjasë, e shtyn edhe më larg mundësinë e një armëpushimi.

    Ushtria izraelite, e cila thotë se synon të “shkatërrojë infrastrukturën ushtarake të Hamasit”, nuk ka dhënë një afat kohor për ofensivën, por ka indikacione se mund të zgjasë me muaj.

    Hamasi është grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Bombardimet izraelite gjatë 23 muajve të fundit i kanë vrarë mbi 65.000 palestinezë në Gazë, e kanë shkatërruar pjesë të mëdha të vendit, e kanë zhvendosur rreth 90 për qind të popullsisë dhe kanë shkaktuar krizë humanitare katastrofike.

    Ekspertët thonë se Qyteti i Gazës – qyteti më i madh në vend – po përjeton zi buke.

    Rami Mhanna, udhëheqës i spitalit Shifa, ku u sollën disa nga trupat, tha se mes viktimave ishin gjashtë persona nga e njëjta familje, pasi një sulm goditi shtëpinë e tyre herët në mëngjesin e së shtunës. Ata ishin të afërm të drejtorit të spitalit, Mohamed Abu Selmiya, shtoi ai.

    Kryqi i Kuq palestinez tha se pesë persona të tjerë u vranë nga një tjetër sulm pranë Sheshit Shava.

    Ditët e fundit, Izraeli u ka bërë thirrje qindra mijëra palestinezëve që strehohen në Qytetin e Gazës të zhvendosen në jug, në atë që e quan zonë humanitare.

    Palestinezët kanë filluar të largohen nga qyteti, disa me makinë, të tjerë në këmbë.

    Izraeli hapi një korridor tjetër në jug të qytetit për dy ditë këtë javë për të lejuar më shumë njerëz të evakuohen. Por shumë palestinezë në qytetin e goditur nga uria nuk duan të shpërngulen sërish, janë tepër të dobët për të lëvizur ose nuk kanë mundësi financiare për t’u zhvendosur.

    Organizatat humanitare kanë paralajmëruar se detyrimi i mijëra njerëzve për t’u evakuuar do të përkeqësojë më tej krizën e rëndë humanitare.

    Ato bëjnë thirrje për një armëpushim në mënyrë që ndihma të arrijë tek ata që e kanë nevojë.

    Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi në jug të Izraelit, ku militantët vranë rreth 1.200 njerëz dhe rrëmbyen 251 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë.

  • Kishte një urdhërarrest nga Gjykata, arrestohet një person në Pejë

    Kishte një urdhërarrest nga Gjykata, arrestohet një person në Pejë

    Një person i kërkuar nga organet e drejtësisë është arrestuar të premten pasdite në fshatin Raushiq të komunës së Pejës. Policia ka bërë të ditur se ndalimi i tij u realizua rreth orës 14:00 nga njësitet policore gjatë një kontrolli rutinë në atë zonë.

    Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi i tij është kryer në bazë të një urdhërese të vlefshme të lëshuar nga Gjykata Themelore në Pejë. Personi në fjalë, një burrë me shtetësi kosovare, ishte në kërkim nga autoritetet pasi që i njëjti nuk ishte paraqitur për të zbatuar një vendim gjyqësor.

    Menjëherë pas ndalimit dhe përfundimit të procedurave të nevojshme policore për identifikim, i arrestuari i është dorëzuar Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe është dërguar në qendrën përkatëse për të filluar vuajtjen e dënimit.

  • Arrestohet një person në Podujevë, sulmoi fizikisht një grua në qytet

    Arrestohet një person në Podujevë, sulmoi fizikisht një grua në qytet

    Një person është arrestuar të premten paradite në Podujevë, nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht një grua në rrugën “19 Qershori” të këtij qyteti.

    Policia ka bërë të ditur se incidenti ka ndodhur rreth orës 11:10, ku njësitet policore kanë ndërhyrë menjëherë pas raportimit të rastit.

    Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari është një burrë, shtetas kosovar, i cili për arsye ende të paqarta ka sulmuar viktimën, një grua po ashtu kosovare

    Pas arrestimit, i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor për intervistim. Me vendim të prokurorit të rastit, pas përfundimit të procedurave fillestare, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

  • Tatuazhet në dhëmbë – trend i ri në botë

    Tatuazhet në dhëmbë – trend i ri në botë

    Në Kinë, rinia është duke u larguar gjithnjë e më shumë nga tatuazhet tradicionale të lëkurës dhe po kthehet te një trend më të veçantë: tatuazhet në dhëmbë.

    Ky fenomen ka fituar popullaritet, veçanërisht mes të rinjve që kërkojnë të shprehin individualitetin e tyre në mënyra të pazakonta.

    Tatuazhet në dhëmbë mund të jenë të përkohshme, si ato që vendosen me ngjitës, ose të përhershme, kur dizajni bëhet drejtpërdrejt në smaltin e dhëmbit.

    Megjithatë, mjekët paralajmërojnë se tatua mund të dëmtojë dhëmbin dhe të rrisë rrezikun e konsumimit të tij.

    Për më tepër, ngjitësit mund të shkaktojnë alergji.

    Prandaj, ata këshillojnë kujdes dhe konsultim me profesionistë para se të vendosni një tatuazh të tillë.

     

  • Trump dhe Erdogan do të takohen në Shtëpinë e Bardhë, zbulohet data e fokusi i diskutimeve

    Trump dhe Erdogan do të takohen në Shtëpinë e Bardhë, zbulohet data e fokusi i diskutimeve

    Donald Trump ka njoftuar takimin e tij me Rexhep Tajip Erdogan në Shtëpinë e Bardhë më 25 shtator, në një postim në Truth Social.

    Presidenti amerikan zbuloi se ai dhe homologu i tij turk po punojnë për shumë marrëveshje tregtare dhe ushtarake.

    Midis tyre është marrëveshja për F-16, ndërsa Donald Trump shtoi se do të vazhdojnë të diskutojnë për F-35, për të cilin theksoi se pret një rezultat pozitiv.

    “Jam i kënaqur të mirëpres Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në Shtëpinë e Bardhë më 25 shtator. Ne po punojmë me Presidentin për shumë marrëveshje tregtare dhe ushtarake, duke përfshirë një blerje në shkallë të gjerë të avionëve Boeing, një marrëveshje të rëndësishme për F-16 dhe vazhdimin e bisedimeve për F-35, të cilat presim të përfundojnë me një rezultat pozitiv. Unë dhe Presidenti Erdogan kemi pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të mirë. Pres me padurim ta shoh më 25!”, shkroi ai.

    Presidenti turk gjithashtu reagoi në rrjetet sociale lidhur me takimin e njoftuar nga Trump më 25 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

    “Gjatë takimit tonë në Shtëpinë e Bardhë me homologun dhe mikun tim të çmuar, Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të diskutojmë shumë çështje me aleatin tonë, Shtetet e Bashkuara, me të cilët kemi marrëdhënie të gjera strategjike, kryesisht në tregti, investime dhe industrinë e mbrojtjes.

    Unë besoj se takimi që do të kemi me Presidentin Trump do të kontribuojë në përfundimin e luftërave dhe konflikteve në rajonin tonë, brenda kuadrit të vizionit tonë të përbashkët për paqen botërore, dhe do të forcojë më tej bashkëpunimin midis vendeve tona.”