ATV

Author: G.O.

  • Bllokimi i rrugës në “Arbëri”, arrestohet një i dyshuar për kanosje – Policia jep detaje

    Bllokimi i rrugës në “Arbëri”, arrestohet një i dyshuar për kanosje – Policia jep detaje

    Është rikthyer normaliteti në lagjen “Arbëri” në Prishtinë, pas bllokimit të rrugës pranë ambasadës amerikane.

    Policia ka liruar zonën për qarkullim pas arrestimit të një personi të dyshuar për kanosje.

    Sipas njoftimit zyrtar, njësitet policore kanë vepruar menjëherë pas marrjes së informatës për një kërcënim rreth orës 11:00.

    Si masë sigurie, gjatë operacionit u kufizua plotësisht lëvizja e automjeteve dhe kalimtarëve, përfshirë edhe stafin brenda selisë diplomatike.

    I dyshuari i arrestuar tashmë ndodhet në stacionin policor dhe po intervistohet nga hetuesit për të zbardhur rrethanat e plota të rastit.

  • Protesta e nesërme në Tiranë, Rruga e Kombit pa pagesë për 24 orë

    Protesta e nesërme në Tiranë, Rruga e Kombit pa pagesë për 24 orë

    Qeveria shqiptare ka vendosur të heqë pagesën në Rrugën e Kombit për 24 orë, duke filluar nga ora 09:00 të mëngjesit.

    Ky vendim vjen pas kërkesës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, për të lehtësuar pjesëmarrjen në protestën që do të mbahet në Tiranë.

    Kështu ka bërë të ditur kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

    “Lira ka emër – Drejtësi për çlirimtarët”, bashkohemi në Tiranë për drejtësi, dinjitet dhe të vërtetën e luftës çlirimtare të UÇK”, ka shkruar Balla.

  • Zgjidhja e shpejtë natyrale kundër gëlqeres në dush – më efektive se uthulla!

    Zgjidhja e shpejtë natyrale kundër gëlqeres në dush – më efektive se uthulla!

    Shumica e njerëzve harrojnë të pastrojnë kokën e dushit, megjithëse ajo mund të bëhet një nga pjesët më të pista në banjë. Me kalimin e kohës, ajo bllokohet nga papastërtitë dhe bëhet vend ku shumohen bakteret.

    Nëse nuk pastrohet, krijohet gëlqere dhe uji nuk rrjedh mirë, çka ul presionin e ujit dhe rrit shpenzimet në faturën e ujit, pasi nevojitet më shumë ujë për t’u larë.

    Megjithatë, Francesca, një specialiste pastrimi dhe themeluese e “Thoroughly Modern Grandma”, ka ndarë një mënyrë shumë të thjeshtë për të pastruar kokën e dushit për vetëm disa minuta – dhe të duhet vetëm acid citrik.

    Ajo thotë: “A ke vënë re ndonjëherë se vrimat e kokës së dushit bllokohen? Këto mund të pastrohen lehtësisht duke e zhytur kokën e dushit në ujë të nxehtë me acid citrik. Lëreni për rreth 10 minuta dhe më pas shpëlajeni.”

    Shumë njerëz përdorin uthull ose madje edhe cola për të hequr gëlqeren, por acidi citrik është më efektiv.

    Shumë pastrues të zakonshëm apo zbardhues janë shumë të fortë dhe mund të dëmtojnë kokën e dushit. Acidi citrik, nga ana tjetër, është natyral dhe gjendet te frutat si limoni dhe portokalli. Mund ta gjesh lehtësisht në formë pluhuri në supermarkete.

    Francesca shton: “Acidi citrik është shumë i mirë për pastrim sepse ka pH të ulët, që do të thotë se është shumë acid. Ai heq gëlqeren, ndryshkun dhe papastërti të tjera. Gjithashtu ndihmon në zhdukjen e mykut dhe mund të përdoret edhe si konservues.”

    Edhe ekspertët e banjove te “Villeroy & Boch” e rekomandojnë acidin citrik, duke thënë se “funksionon më shpejt se uthulla dhe soda e bukës”.

    Ata shtojnë: “Pastrimi me sodë apo uthull është i butë, por merr më shumë kohë. Mënyra më e shpejtë është përdorimi i acidit citrik”.

    Kujdes: Acidi citrik është shumë i fortë, ndaj gjithmonë bëj një test në një pjesë të fshehur për t’u siguruar që nuk dëmton materialin.

    Si ta pastrosh kokën e dushit:

    Vlo ujë me një ibrik elektrik.

    Hidhe ujin e nxehtë në një enë të thellë.

    Hiqe kokën e dushit dhe zhyte në ujin e nxehtë.

    Shto disa lugë gjelle acid citrik në ujë.

    Lëre për 10 minuta (ose më gjatë nëse ka njolla të forta).

    Më pas shpëlaje mirë me ujë të ftohtë, thaje dhe vendose përsëri në vend.

     

  • Bella Hadid rikthehet në pistën e “Victoria’s Secret” një muaj pasi ishte shtruar në spital nga sëmundja Lyme

    Bella Hadid rikthehet në pistën e “Victoria’s Secret” një muaj pasi ishte shtruar në spital nga sëmundja Lyme

    Bella Hadid u shfaq në pistën e “Victoria’s Secret” në New York mbrëmë.

    Modelja 29-vjeçare u rikthye në pistë një muaj pasi përfundoi në spital dhe ishte në injeksion intravenoz.

    Ajo pati nderin ta mbyllte shfaqjen, të cilën e bëri me një set të brendshmesh argjendi, të cilat i kompletoi me krahë engjëlli të mëdhenj me detaje lulesh të bardha.

    Si kujtesë, Bella përfundoi në spital për shkak të sëmundjes Lyme, me të cilën lufton prej vitesh.

    Kujtojmë se Bella, nëna e saj Yolanda dhe vëllai i saj Anwar u diagnostikuan me sëmundjen Lyme në vitin 2012.

    Që atëherë, modelja ka qenë e hapur për jetën me sëmundjen, përballjen me përkeqësimet, lodhjen ekstreme, dhimbjet e kyçeve dhe vështirësinë në ecje.

    Në vitin 2023, Bella zbuloi se i ishte nënshtruar “mbi 100 ditësh trajtimi për sëmundjen Lyme, sëmundje kronike dhe bashkë-infeksion”, duke shtuar në atë kohë se ishte “më në fund e shëndetshme” dhe mund të ishte “vërtet” vetvetja “për herë të parë”.

    Ndërsa nuk dihet nëse aktualisht po i nënshtrohet një trajtimi të ngjashëm, mesazhi i saj i shpresës vazhdon të jehojë.

    “Universi funksionon në mënyrat më të dhimbshme dhe më të bukura, por duhet të them se nëse luftoni, do të përmirësohet. Të premtoj”, shkroi ajo në atë kohë.

    “Lëreni një hap prapa, jini të fortë, kini besim në rrugën tuaj, ecni në të vërtetën tuaj”. /Telegrafi/

     

  • Selena Gomez rrëfen emocionet pas martesës me Benny Blanco: Mendova se do të vdisja ditën tjetër

    Selena Gomez rrëfen emocionet pas martesës me Benny Blanco: Mendova se do të vdisja ditën tjetër

    Këngëtarja e njohur, Selena Gomez, e cila gjithmonë ka qenë mbështetëse e çështjeve të shëndetit mendor, ka hapur zemrën duke rrëfyer reagimin e saj të papritur pas martesës me producentin Benny Blanco.

    Në një intervistë të mbajtur më 15 tetor gjatë konferencës “Fortune’s Most Powerful Women”, Selena ka treguar se, pavarësisht se ishte moment lumturie, filloi të qante dhe e kaploi frika.

    “Mendova: ‘Do të vdes ditën tjetër’”, ka thënë ajo.

    Gomez ka shpjeguar se shpesh, kur ndodhin momente të bukura në jetën e saj, mendja e saj kapet nga frika se diçka e keqe mund të ndodhë.

    Ajo ka treguar: “Në vend që të shijoj momentin dhe të them: ‘Uau, kjo është e mrekullueshme’, menjëherë mendoj: ‘Të gjitha këto mund të zhduken nesër. Si ta parandaloj që të ndodhë?’”.

    Kjo e bën që herë pas here të bjerë në brenga dhe shqetësime të brendshme, duke e penguar të relaksohet dhe të shijojë gjërat e bukura.

    Pavarësisht sfidave emocionale, Selena shpreh shpresën për të krijuar familje me Benny.

    Kjo dëshirë ka një rëndësi të veçantë për të, pasi më parë ka zbuluar se për shkak të disa problemeve shëndetësore mund të ketë vështirësi në shtatzëni.

    Selena dhe Benny kanë nisur lidhjen në korrik 2023, e konfirmuar publikisht në dhjetor të po atij viti.

    Martesa e tyre u zhvillua më 27 shtator në Kaliforni, në një ceremoni private me familjarë dhe miq të afërt. /Telegrafi/

  • Jennifer Lopez flet për ish-partnerët: Nuk është se nuk më donin, por nuk ishin të aftë

    Jennifer Lopez flet për ish-partnerët: Nuk është se nuk më donin, por nuk ishin të aftë

    Këngëtarja dhe aktorja, Jennifer Lopez, ka folur së fundmi nëse ka qenë ndonjëherë vërtet e dashuruar.

    Konkretisht, aktorja ishte e ftuar dje në “The Howard Stern Show”, ku promovoi “Kiss of the Spider Woman”, por njëkohësisht foli edhe për dashurinë dhe marrëdhëniet.

    “A mendon se ndonjëherë je dashuruar vërtet?”, e pyeti Stern, 71 vjeç, Lopez, 56 vjeçare.

    Pas një pauze të shkurtër, ajo u përgjigj: “Jo”, duke shtuar se kishte përjetuar dashuri të vërtetë për dikë.

    “Ajo që mësova nuk ishte se nuk më donin – ishte se ata nuk ishin të aftë… Ata nuk e kishin atë që kishin. Dhe më dhanë atë që kishin. Më dhanë gjithçka, çdo herë. Të gjitha unazat, të gjitha gjërat që mund të dëshiroja ndonjëherë. Shtëpi, unaza, martesë e të gjitha këto, por një pjesë e problemit ishte se nuk e doja veten në atë kohë”, pranoi ajo.

    Lopez është martuar dhe divorcuar katër herë, së fundmi me Ben Affleck. Ajo ka dy fëmijë me ish-bashkëshortin Marc Anthony – binjakët 17-vjeçarë Max dhe Emme.

    “Kur u divorcova herën e fundit, ishte gjëja më e mirë që më ndodhi ndonjëherë, sepse më bëri të kthehesha në një faqe të re. Dua të them, kisha një trajner fitnesi, kisha një terapist martese, kisha një terapist individual. Kisha gjithçka. Mendova, ‘Do ta zgjidh këtë, edhe nëse më vret’”, tha Lopez.

    Ajo thotë se tani ka shumë më tepër vetëbesim dhe është më e vetëdijshme për situatat që i kanë ndodhur.

    Lopez mbërriti në premierën e “Kiss of the Spider Woman” në New York e shoqëruar nga ish-partneri i saj Ben Affleck, i cili është edhe producenti i këtij projekti.

    Megjithatë, një burim pranë këngëtares zbuloi se nuk ka asnjë lidhje romantike mes tyre. /Telegrafi/

  • Orav takohet me ambasadorin e ri gjerman në Kosovë, diskutuan rreth zhvillimeve aktuale në vend

    Orav takohet me ambasadorin e ri gjerman në Kosovë, diskutuan rreth zhvillimeve aktuale në vend

    Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, është takuar me ambasadorin e sapoemëruar gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph.

    Orav u shpreh se bashkë me Rudolphin diskutuan rreth zhvillimeve aktuale në vend.

    “Pata një shkëmbim të mirë mendimesh me ambasadorin e sapoemëruar të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph. Diskutuam zhvillimet aktuale politike dhe rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të për progresin e Kosovës në rrugën e saj të integrimit në BE, në dobi të të gjithë qytetarëve të saj” shkroi Orav në “X”.

    Rudolph mori zyrtarisht kredencialet si ambasador dje, në një takim zyrtar me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.

  • Gërvalla në takim me ambasadorin gjerman vlerëson mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën

    Gërvalla në takim me ambasadorin gjerman vlerëson mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën

    Zëvendëskryeministrja, njëherit edhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka thënë se Gjermania mbetet partner strategjik i Kosovës. Këto komente ajo pasi priti në takimin e kortezisë, ambasadorin e ri të Gjermanisë në Kosovës Rainer Rudolph.

    Ajo thotë se në takim është diskutuar edhe për bashkëpunimin ën ekonomi, siguri e energji.

    “Në takimin e kortezisë, prita Ambasadorin e ri të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, të cilin e urova për fillimin e mandatit dhe ripohova angazhimin e Kosovës për thellimin e marrëdhënieve me Gjermaninë, një aleate e fuqishme dhe partnere kyçe për vendin tonë. Vlerësova mbështetjen e pandërprerë të Gjermanisë në të gjitha fazat e shtetndërtimit të Kosovës dhe në rrugëtimin tonë evropian e euroatlantik. Veçanërisht theksova rolin përcaktues të mërgatës sonë në Gjermani si ura më e fortë lidhëse mes dy vendeve, me kontributin e saj ekonomik, shoqëror e kulturor, mërgata po fuqizon investimet, partneritetet dhe miqësinë afatgjatë Kosovë–Gjermani. Gjermania mbetet partnere strategjike e jona dhe, bashkë me Ambasadorin Rudolph, biseduam për zgjerimin e bashkëpunimit në ekonomi, siguri, energji dhe inovacion, për nxitjen e investimeve dhe për më shumë projekte që përfshijnë mërgatën, si bashkëpunim i vlefshëm për të ardhmen tonë të përbashkët”, shkruan Gërvalla.

  • Automjetet e FSK-së hyjnë gabimisht në veri të Mitrovicës, dërgohen nën përcjellje policore në jug

    Automjetet e FSK-së hyjnë gabimisht në veri të Mitrovicës, dërgohen nën përcjellje policore në jug

    Disa automjete të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë hyrë gabimisht në territorin e Mitrovicës së Veriut gjatë ditës së enjte, të cilët ishin parkuar në një pompë benzine në afërsi të stacionit policor në veri.

    Kështu tha për Telegrafin zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

    Ai tha se menjëherë janë afruar pjesëtarët e policisë për t’i pyetur se si mund t’i ndihmojnë dhe të njëjtën kanë thënë se e kanë habitur rrugën.

    ” Thanë që e kanë habit rrugën, kanë ardh deri te policia aty kanë pas vend për parking, policia është afruar ka fol me ta, ‘e kemi habit rrugën’, thanë. Dhe nën përcjellje të policisë u dërguan deri të ‘Kërrshi i Dudës’ në jug”, ka thënë Elshani.

  • KQZ-ja me detaje për verifikimin e rezultateve, përmbyllet procesi në 13 komuna

    KQZ-ja me detaje për verifikimin e rezultateve, përmbyllet procesi në 13 komuna

    Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka thënë se deri më tani janë verifikuar rezultatet për 1 mijë e 531 vendvotime nga votimet për kryetarë të 12 tetorit.

    Ai njëherësh ka treguar edhe për verifikimin e rezultateve për asamble.

    “Sipas informacioneve nga Qendrat Komunale të Numërimit, deri në orën 10:00 të ditës së sotme, janë verifikuar rezultatet për 1,531 vendvotime nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet për subjektet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale nga 1,494 vendvotime”.

    “Nga po kaq vendvotime, 1,494, janë numëruar votat e kanidatëve nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale. Pra, deri më tani, nga 5,142 kuti votimi që i takojnë dy llojeve të zgjedhjeve, janë procesuar 3,025”, tha ai.

    Elezi bëri me dije më tutje se deri më tani aktivitetet në Qendrën Komunale të Numërimit sa i përket numërimit të votave janë përmbyllur në 13 komuna.

    “Deri më tani (e enjte, ora 10:00), aktivitetet në QKN janë përmbyllur në 13 komuna: Hani i Elezit (e hënë), Junik, Mamushë, Zveçan (e martë), Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime, Klinë, Shtërpcë, Obiliq, Istog dhe Skenderaj (e mërkurë). Në përgjithësi, në Qendrat Komunale të Numërimit zhvillohen 3 aktivitete të rëndësishme: verifikimi i rezultateve nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave; verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale; dhe numërimi i votave të kandidatëve për anëtarë të Kuvende Komunale”, shtoi Elezi.

    Në zgjedhjet e së dielës votuan 811 mijë e 984 qytetarë nga 2milionë e 25mijë e 105 me të drejtë vote.

    Këtu mund t’i gjeni rezultatet:

    https://resultslocal2025.kqz-ks.org/results?municipality=14&electionType=1&votingStation=0&pollingClass=0