ATV

Author: G.O.

  • Hasani: Mosanëtarësimi në Këshill të Evropës, krimi më i madh që pushteti i deridjeshëm ia ka bërë Kosovës

    Hasani: Mosanëtarësimi në Këshill të Evropës, krimi më i madh që pushteti i deridjeshëm ia ka bërë Kosovës

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti për mosanëtaresimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

    Ai ka bërë me dije se ky veprim është krimi më i madh që ia ka bërë Kosovës pushteti i Albin Kurti.

    Në një intervistë për emisionin “Context”, Hasani ka thënë anëtarësimi i Kosovës në KiE do t`i ndihmonte shumë edhe ish-krerët e UÇK-së, të cilët po mbahen në paraburgim prej 5 vitesh.

    Sipas tij, Gjykata e Strasburgut do ta ndalonte shkeljen e të drejtave të ish-krerëve te UÇK-së nga Gjykata Speciale.

    “Aty janë krijuar disa institute, disa kategori, që po të ishim ne në Këshill të Evropës, do të mund të adresoheshin. Është krimi më i madh që i është bërë Kosovës prej pushtetit të deridjeshëm. Pra, mosanteresimi. Sepse ai me automatizëm iu kish dhënë të drejt(të akuzuarve), sepse zvarritje e procedurave dhe çështje të tjera kanë mundur të sfidohet”, është shprehur Hasani.

  • UNICEF: Dy fëmijë mesatarisht vritën çdo ditë në Gazë, dhuna nuk ka ndaluar pavarësisht armëpushimit

    UNICEF: Dy fëmijë mesatarisht vritën çdo ditë në Gazë, dhuna nuk ka ndaluar pavarësisht armëpushimit

    Mesatarisht, pothuajse dy fëmijë janë vrarë çdo ditë në incidente të lidhura me konfliktin në Rripin e Gazës që nga fillimi i armëpushimit, paralajmëroi sot UNICEF, duke theksuar se dhuna nuk ka ndaluar pavarësisht marrëveshjes që synon të ndalojë vrasjet.

    Zëdhënësi i UNICEF, Ricardo Pires, tha se “që nga 11 tetori, derisa armëpushimi ka qenë në fuqi, të paktën 67 fëmijë janë vrarë në incidente të lidhura me konfliktin në Rripin e Gazës dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur”.

    Ai shtoi se kjo përkon me “një mesatare prej pothuajse dy fëmijësh të vrarë çdo ditë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit”.

    Pires thekson se pas çdo shifre është një fëmijë, jeta e të cilit u ndërpre me dhunë, duke përsëritur se këto nuk janë thjesht statistika.

    Sipas tij, ekipet e UNICEF po dëshmojnë në terren fëmijë që flenë jashtë me amputime dhe të tjerë të mbetur jetimë, të cilët dridhen nga frika ndërsa mbijetojnë në strehimore të improvizuara.

    “E kam parë vetë këtë kur isha atje për herë të fundit në gusht. Nuk ka vend të sigurt për ta dhe bota nuk mund të vazhdojë të normalizojë vuajtjet e tyre”, thekson ai.

    Pavarësisht zgjerimit të operacioneve të saj, UNICEF thotë se përpjekjet mbeten të pamjaftueshme. Pires tha se agjencia e OKB-së “mund të bënte shumë më tepër nëse ndihma që është vërtet e nevojshme do të vinte më shpejt”.

    Duke paralajmëruar për kushtet e dimrit dhe rreziqet e shtuara për qindra mijëra fëmijë të zhvendosur që jetojnë në strehimore, ai theksoi se rreziqet janë tepër të larta.

    “Fëmijët nuk kanë ngrohje, nuk kanë izolim dhe shumë pak batanije”, tha ai, duke shtuar se “infeksionet e frymëmarrjes janë në rritje ndërsa uji i kontaminuar nxit përhapjen e diarresë”.

    “Shumë fëmijë tashmë e kanë paguar çmimin më të lartë, shumë të tjerë ende po e paguajnë atë, edhe nën një armëpushim. Bota u premtoi atyre se lufta do të ndalet dhe ne do t’i mbrojmë ata”, tha ai, duke inkurajuar se “tani duhet të veprojmë”.

  • Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj një serbi për sulm kundër pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan

    Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj një serbi për sulm kundër pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë të premten kundër një burri të dyshuar për pjesëmarrje në sulmin kundër pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan, më 2023.

    Në një njoftim për media, Prokuroria e identifikoi të dyshuarin vetëm si L.M., dhe tha se ai akuzohet për veprat penale, sulm ndaj personit zyrtar dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi.

    “I pandehuri L.M. akuzohet se më 29 maj 2023, në Zveçan, në bashkëkryerje me të pandehur të tjerë, përmes përdorimit të dhunës, kanë sulmuar dhe seriozisht i kanë kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it”, thuhet në njoftim.

    Në aktakuzë thuhet se nga dhuna e ushtruar ishin shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në automjetet e KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës.

    Më 29 maj të vitit 2023, 93 pjesëtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime – disa prej tyre lëndime të rënda – pas përleshjes me protestuesit serbë.

  • Parashikimi i motit për fundjavë: Në Kosovë dominon i ftohti, maksimumi 12 gradë

    Parashikimi i motit për fundjavë: Në Kosovë dominon i ftohti, maksimumi 12 gradë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se çfarë moti do të mbajë përgjatë dy ditëve të fundjavës.

    Bazuar në njoftimin e IHMK-së, të shtunën pritet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje shiu, njëjtë edhe të dielën.

    Temperaturat parashihen të lëvizin nga 0 deri në 12 gradë Celsius.

    “Të shtunën parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe me reshje shiu. Temperatura minimale do të lëvizin ndërmjet 4 deri 6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 9-12 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga veriperëndimi e lehte deri mesatare”.

    “Të dielën parashihet të mbajë mot i vranët dhe me reshje shiu. Për shkak të uljes së temperaturave në viset malore parashihet të bie borë. Reshjet e borës mund të përhapen edhe në disa zona mesatare. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0 deri 2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 2-5 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga verilindja me shpejtësi 1-6m/s”, thuhet në njoftim.

  • Shkatërrohet rrjeti kriminal i trafikut të objekteve historike, Europol arreston 35 persona

    Shkatërrohet rrjeti kriminal i trafikut të objekteve historike, Europol arreston 35 persona

    Një operacion i përbashkët i autoriteteve nga gjashtë vende evropiane, i koordinuar nga Eurojust dhe Europol, ka goditur një nga grupet më të mëdha kriminale të trafikut të objekteve historike në kontinent.

    Sipas agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale, gjatë operacionit janë arrestuar 35 persona dhe janë kontrolluar mbi 125 lokacione, ku u sekuestruan më shumë se 3000 artefakte me vlerë mbi 100 milionë euro. Vlera e përgjithshme e objekteve të dyshuara të trafikuara nga ky grup arrin 870 milionë euro.

    Operacioni u zhvillua më 19 nëntor dhe përfshiu edhe Shqipërinë, ku SPAK bashkëpunoi me autoritetet evropiane për ekzekutimin e urdhrave të hetimit dhe kontrollit të disa lokacioneve të dyshuara. Kontrolli u krye paralelisht edhe në Bullgari, Francë, Gjermani dhe Greqi.

     

    Sipas EUROJUST, gjatë aksionit u sekuestruan mbi 3000 objekte, duke përfshirë monedha antike ari dhe argjendi, vepra arti dhe antikitete të tjera. Përveç tyre, autoritetet konfiskuan dokumente, pajisje elektronike, mbi 50 mijë dollarë në para të gatshme dhe ar për investime.

    Hetimet kishin nisur pas zbulimit në vitin 2020 në Bullgari të më shumë se 7000 artefakteve të lashta, të dyshuara të vjedhura nga gërmime të paligjshme. Grupi kriminal ishte i specializuar në vjedhjen dhe trafikimin e objekteve kulturore, përfshirë maska, bizhuteri, armatura, monedha ari dhe argjendi, si dhe vepra arti, të cilat më pas shpërndaheshin nëpërmjet një rrjeti ndërkombëtar.

    Mes të arrestuarve është edhe një person i konsideruar me rrezikshmëri të lartë, i cili dyshohet se financonte gërmime të paligjshme dhe kishte krijuar rrjete trafiku që shtriheshin në disa vende evropiane.

    Operacioni vazhdon, ndërsa artefaktet e sekuestruara do t’i nënshtrohen verifikimeve për të përcaktuar origjinën dhe vendin e tyre të ligjshëm. Autoritetet evropiane njoftuan se hetimet do të zgjerohen për të identifikuar bashkëpunëtorë të tjerë dhe rrugët e trafikut që mund të përfshijnë vende të tjera të rajonit.

  • KQZ-ja njofton: Fushata elektorale nis më 17 dhjetor

    KQZ-ja njofton: Fushata elektorale nis më 17 dhjetor

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se fushata elektorale për zgjedhjet e parakohshme do të nisë më 17 dhjetor dhe do të përfundojë më 28 dhjetor.

    Pas shpërndarjes së Kuvendit të enjten, presidentja Vjosa Osmani ka caktuar datën 28 dhjetor për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ky vendim u mor për shkak të dështimit për formimin e Qeverisë së re, përbërjen e të cilës Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e ka propozuar dy herë pa sukses.

    Caktimi i datës së zgjedhjeve erdhi pas takimit që presidentja Osmani e zhvilloi me liderët e partive parlamentare.

    Ajo ka thënë se gjatë këtij takimi bëri përpjekjen e fundit për t’i kthyer deputetët në seancë dhe për t’i miratuar marrëveshjet ndërkombëtare, buxhetin e vitit 2026, buxhetin për tri komuna dhe financimin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK).

    Si pasojë e mungesës së konsensusit politik, Kosova vazhdon të jetë me Qeveri në detyrë që nga zgjedhjet parlamentare të fillimvitit. Tani vendi shkon në zgjedhje të reja, pa miratuar marrëveshje ndërkombëtare në vlerë prej rreth 200 milionë euro, pa miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm, si dhe pa miratuar financimin për RTK dhe për komunat e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut.

    Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit do të jenë të tretat që mbahen brenda këtij viti, pas atyre nacionale të 9 shkurtit dhe atyre lokale të 12 tetorit.

  • KQZ fillon përgatitjet për zgjedhjet e 28 dhjetorit, këto janë afatet kryesore

    KQZ fillon përgatitjet për zgjedhjet e 28 dhjetorit, këto janë afatet kryesore

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me përgatitjet për organizimin e zgedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

    Në mbledhjen e mbajtur, KQZ mori vendim për caktimin e afateve të aktiviteteve për organizimin e këtyre zgjedhjeve.

    Sipas vendimit të KQZ-së, afatet e aktiviteteve zgjedhore përfshijnë: fushata zgjedhore, aplikimi i subjekteve politike dhe dorëzimi i listës së kandidatëve për deputetë, regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës, akreditimi i vëzhguesve. Si në vijim:

    KQZ pranon ekstraktin e parë të regjistrit qendror civil nga Ministria e Punëve të Brendshme/ Agjencia e Regjistrimit Civil më së voni me datën 22.11.2025;

    KQZ merr vendim për caktimin e kufizimit të shpenzimeve të fushatës së zgjedhjeve për Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2025 më së voni me datën 24.11.2025;

    Partitë politike të regjistruara deklarojnë mos pjesëmarrjen në zgjedhje në periudhën kohore 24.11.2025 deri më 30.11.2025;

    Partitë politike të regjistruara deklarohen për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicioneve, në periudhën kohore 24.27.2025 deri më 30.11.2025;

    Periudha e aplikimit për certifikim të subjekteve politike realizohet nga data 24.11.2025 deri më 30.11.2025;

    Periudha e dorëzimit të listës së kandidatëve të subjekteve politike të certifikuara realizohet nga data 24.11.2025 deri më 07.12.2025;

    Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve pulitke në fletëvotim realizohet në datën 08.12.2025;

    KQZ merr vendim për emërimin e anëtarëve të Komisioneve  Komunale Zgjedhore me datën 26.11.2025;

    KQZ publikon listën e Qendrave të Votimit me datën 25.11.2025;

    KQZ miraton dhe publikon listën e Qendrave Komunale të Numërimit me datën 25.11.2025;

    Periudha e shërbimit të votuesve për ndërrimin e qendrave të votimit fillon me datën 26.11.2025 dhe përfundon me datën 06.12.2025;

    Periudha e kundërshtimit dhe konfirmimit e listës së votuesve fillon me datën 26.11.2025 dhe përfundon me datën 07.12.2025;

    Periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës fillon me datën 26.11.2025 dhe përfundon me datën 06.12.2025;

    Lista e votuesve që përfshinë votuesit brenda dhe jashtë Kosovës certifikohet nga KQZ, me datën 10.12.2025;

    Periudha e votimit përmes postës fillon me datën 12.12.2025 dhe përfundon me datën 27.12.2025;

    Fushata zgjedhore e subjekteve politike të certifikuara fillon me datën 17.12.2025 dhe përfundon me datën 28.12.2025;

    Periudha e regjistrimit të personave me nevoja të veçanta fillon me datën 11.12.2025 dhe përfundon me datën 21.12.2025;

    KQZ emëron këshillat e vendvotimeve, më së voni me datën 16.12.2025;

    KQZ emëron këshillat e vendvotimeve në përfaqësi diplomatike më së voni me datën 16.12.2025;

    KQZ emëron ekipet e numërimit për Qendrat Komunale të Numërimit më së voni me datën 16.12.2025;

    Periudha e aplikimit për akreditimin e vëzhguesve fillon me datën 05.12.2025 dhe përfundon me datën 20.12.2025.

  • Reuters: Washingtoni i ka dhënë afat një javë Zelenskyt për planin 28 pikësh, refuzimi mund të çojë në pasoja serioze

    Reuters: Washingtoni i ka dhënë afat një javë Zelenskyt për planin 28 pikësh, refuzimi mund të çojë në pasoja serioze

    Një plan i ri i administratës Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë parashikon që Kievi t’i lëshojë territor Rusisë, njohjen “de facto” të Krimesë dhe territoreve të tjera ukrainase të marra me forcë nga Kremlini si ruse dhe kufizime në madhësinë e ushtrisë së Ukrainës, sipas një drafti të planit që mediat botërore raportojnë se e kanë parë.

    Shumë nga idetë e paraqitura në planin 28-pikësh janë refuzuar në negociatat e mëparshme nga Ukraina dhe zyrtarët evropianë dhe do të shiheshin si lëshime ndaj Rusisë.

    Siç raporton Reuters me burime, Ukraina po përballet me një presion shumë më të fortë nga Uashingtoni sesa në përpjekjet e mëparshme për negociata me Moskën. Këtë herë, sipas burimeve, administrata amerikane i tha qartë Kievit se duhet të bjerë dakord me kornizën e marrëveshjes amerikane të paqes dhe atë së shpejti.

    Një nga burimet tha se SHBA kanë dhënë Ukrainës një afat – ata duan që Kievi të nënshkruajë marrëveshjen kornizë deri të enjten e ardhshme. Përveç kësaj, Uashingtoni e bëri të qartë se refuzimi mund të çojë në pasoja serioze, thekson raportimi.

    Burimet  e Reuters pohojnë se zyrtarët amerikanë kanë treguar se në rast të një refuzimi, mbështetja kryesore do të reduktohej ose edhe do të pezullohej, kryesisht dërgimi i armëve dhe shkëmbimi i inteligjencës. Pikërisht mbi këtë mbështetje mbështetet mbrojtja ukrainase për gati tre vjet.

    Kremlini tha të premten se Rusia nuk kishte marrë ende asgjë zyrtare nga Shtetet e Bashkuara mbi planin 28-pikësh të paqes për Ukrainën, por se ishte gati të negocionte.

    Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska dhe Uashingtoni ende nuk po i diskutojnë propozimet në detaje, por se kontaktet po zhvillohen.

    Edhe presidenti ukrainias, Zelensky konfirmoi se kishte marrë planin e SHBA-së, por nuk komentoi drejtpërdrejt përmbajtjen e tij. Ai postoi në Telegram gjatë natës se Ukraina ishte “e gatshme për punë konstruktive, të ndershme dhe të shpejtë”.

  • Zbulohet plani i ShBA-së për përfundimin e luftës në Ukrainë

    Zbulohet plani i ShBA-së për përfundimin e luftës në Ukrainë

    Qeveria amerikane nën Presidentin Donald Trump ka hartuar një plan për t’i dhënë fund luftës së agresionit rus kundër Ukrainës, e cila vazhduar për tre vjet e gjysmë.

    Portali amerikan i lajmeve Axios publikoi detaje, ashtu edhe agjencitë e lajmeve AP dhe AFP shkruajnë se e kanë parë dokumentin. Parlamentari ukrainas Oleksiy Honcharenko, anëtar i partisë opozitare Solidariteti Europian, gjithashtu e postoi planin në internet nëpërmjet Telegramit. Ja një përmbledhje e propozimeve:

    Siguria ukrainase dhe evropiane

    Konfirmohet sovraniteti i Ukrainës. Rusia, Ukraina dhe Evropa deklarojnë se konfliktet e 30 viteve të fundit kanë mbaruar dhe bien dakord të mos sulmojnë njëra-tjetrën. Rusia dhe SHBA-të rifillojnë bisedimet mbi kontrollin e armëve bërthamore.

    Ukraina me kushtetutë heq dorë nga anëtarësimi në NATO

    NATO zotohet të mos e anëtarësojë asnjëherë Ukrainën dhe të mos stacionojë trupa në Ukrainë. Avionët luftarakë evropianë do të jenë të vendosur në Poloni. Rusia do të marrë detyrim ligjor të heqë dorë nga sulmet e agresionit kundër Evropës dhe Ukrainës.

    Ukraina nuk do të ketë armë bërthamore. Ajo do të marrë – megjithëse nuk specifikohet më tej në tekst – “garanci të besueshme sigurie” nga SHBA-të, të cilat nga ana tjetër do të kompensohen për ofrimin e këtyre garancive. Nëse Ukraina sulmon Rusinë, këto garanci do të anulohen. Nëse Rusia sulmon Ukrainën, sanksionet do të rivendosen dhe Moska do të humbasë të gjitha privilegjet sipas marrëveshjes së paqes. Madhësia e ushtrisë ukrainase do të kufizohet në 600,000 trupa. Ukrainës do t’i lejohet t’i bashkohet BE-së.

    Një grup pune amerikano-rus për çështjet e sigurisë do të monitorojë marrëveshjen. Një “Këshill Paqeje” i kryesuar nga Presidenti i SHBA-së Trump do të garantojë respektimin e marrëveshjes.

    Çështjet Territoriale

    Krimeja dhe territoret e pushtuara ukrainase të Donjeckut dhe Luhanskut njihen de facto si territor rus. Ushtria ukrainase tërhiqet nga pjesët e Donjeckut që ende i kontrollon; këto zona do të konsiderohen një zonë tampon e demilitarizuar dhe do të njihen si territor rus. Në rajonet jugore të Zaporizhjas dhe Khersonit, vija aktuale e frontit vendoset si vijë ndarëse.

    Ushtria ruse tërhiqet nga urat që aktualisht i mban të zëna në rajonet Kharkiv dhe Sumy. Rusia heq dorë nga çdo pretendim i mëtejshëm territorial. Çështjet territoriale do duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore; përndryshe, të gjitha garancitë e sigurisë janë të pavlefshme. Centrali bërthamor i Zaporizhjas do të vendoset nën juridiksionin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) dhe energjia elektrike që prodhon do të ndahet në mënyrë të barabartë midis Ukrainës dhe Rusisë./DW

  • FSK-ja vlerësohet për ngritjen e aftësive në ushtrimin e NATO-s “Golden Sabre 25”

    FSK-ja vlerësohet për ngritjen e aftësive në ushtrimin e NATO-s “Golden Sabre 25”

    “Golden Sabre 25”, i organizuar dy herë nga NATO, është një ushtrim në të cilin ka marrë pjesë dy herë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës.

    Ky ushtrim është cilësuar si një hap i rëndësishëm drejt avancimit të bashkëpunimit ndërinstitucional mes KFOR-it, FSK-së, Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.

    Më tej, thuhet se “Angazhimi i FSK-së në këtë kontekst shumëkombësh, me kapacitetet specialistike të Gardës Kombëtare, përbën një dëshmi të qartë të avancimit të aftësive në realizimin e detyrave kyçe për ofrimin e Mbështetjes Ushtarake për Autoritetet Civile( MUAC) në përputhje me standardet e NATO-s. Ky aktivitet mblodhi pjesëmarrës nga vende të ndryshme partnere dhe aleate, me qellim të rritjes së ndërveprueshmërisë dhe testimit të gatishmërisë dhe përgjigjes së koordinuar ndaj krizave, në një mjedis kompleks operacional”.

    FSK vazhdon të thellojë angazhimin e saj në iniciativa të përbashkëta vendore dhe ndërkombëtare, duke u mbështetur në partneritet të qëndrueshëm dhe në vizionin e një vendi të sigurt, të integruar dhe të gatshëm për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin global.