ATV

Author: G.O.

  • IHMK: Nga e enjtja temperaturat ulen, priten reshje bore

    IHMK: Nga e enjtja temperaturat ulen, priten reshje bore

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka paralajmëruar se nga e enjtja, ditët pasuese do të karakterizohen nga fusha termike më të ulëta, tipike dimërore, gjatë të cilave në zona malore, por edhe në disa vise të ulëta, priten reshje bore.

    Sipas IHMK-së, nga e enjtja deri të shtunën parashihet depërtimi i një mase të ftohtë ajrore me origjinë veriore, e cila “do të stabilizojë një regjim termik dukshëm më të ulët dhe do të gjenerojë kushte për mot të vranët dhe me reshje”.

    “Në zonat malore priten reshje të vazhdueshme bore, ndërsa në ultësira reshjet fillimisht do të paraqiten në formë të rigave të dobëta shiu, të cilat me rënien progresive të temperaturave do të transitojnë gradualisht në reshje bore”, thuhet në njoftim.

    Si rrjedhojë, edhe në disa zona të ultësirave priten intervale të shkurtra me reshje bore, kryesisht gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes të së enjtes dhe të premtes, varësisht nga intensiteti i masës së ftohtë dhe profili termik i shtresës së ulët të atmosferës.

    Sipas IHMK-së, të enjten temperaturat minimale do të lëvizin nga 1 deri në 3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 4 deri në 6 gradë.

    Ndërsa të premten, temperaturat minimale parashihen të lëvizin nga 1 deri në 2 gradë, ndërsa maksimalet nga 4 deri në 6 gradë Celsius.

  • Arrestohet një 19-vjeçar në Prishtinë, dyshohet për grabitje në tentativë dhe mbajtje të armëve pa leje

    Arrestohet një 19-vjeçar në Prishtinë, dyshohet për grabitje në tentativë dhe mbajtje të armëve pa leje

    Policia e Kosovës ka arrestuar një të dyshuar 19-vjeçar për tentativë grabitje dhe mbajtje të armëve pa leje në Prishtinë.

    Sipas Policisë, rasti ka ndodhur mbrëmjen e kaluar, kur i dyshuari, nën kërcënimin e armës, ka tentuar të kryejë një grabitje. Falë reagimit të shpejtë të zyrtarëve të stacionit policorë Veriu në Prishtinë dhe punës intensive hetimore, ka arritur të identifikohet dhe të arrestohet personi.

    I dyshuari, B.M., një mashkull 19-vjeçar, është dërguar në mbajtje për 48 orë, pas një vendimi të Prokurorit të Shtetit.

    Ai është nën hetim për veprat penale “Grabitje në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Policia e Kosovës ka theksuar se po vazhdon angazhimin e saj për sigurinë publike dhe do të ndërmarrë veprime të shpejta dhe profesionale ndaj çdo veprimi kriminal që kërcënon rendin dhe sigurinë në vend.

  • Mungesa e transportit publik – shkaktohen kolona të gjata në kryeqytet

    Mungesa e transportit publik – shkaktohen kolona të gjata në kryeqytet

    Qytetarët e Komunës së Prishtinës as sot nuk do të kenë transport publik në dispozicion për qarkullim në kryeqytet.

    Linjat e autobusëve të Trafikut Urban dhe operatorëve privatë kanë pezulluar punën pas bllokadës financiare që ka Komuna e Prishtinës.

    Stacionet e autobusëve në kryqytet shihet të boshatisura, në mungesë të transportit publik, teksa kolonat e gjata kanë shkaktuar kaos në trafik.

    Kujtojmë se Komuna e Prishtinës dhe Qeveria në detyrë përkatësisht Ministria e Financave i kanë vënë fajin njëra-tjetrës për alokimin e buxhetit të kryeqytetit

  • Shiu i rrëmbyeshëm godet qytetin tajlandez, vdesin 18 persona – mijëra të evakuar

    Shiu i rrëmbyeshëm godet qytetin tajlandez, vdesin 18 persona – mijëra të evakuar

    ​

     

    Pjesë të Tajlandës po përballen me përmbytje rekord, të cilat kanë shkaktuar vdekjen e të paktën 18 personave dhe kanë detyruar autoritetet të angazhojnë anije ushtarake dhe helikopterë për të mbështetur operacionet e ndihmës.

    Përmbytjet kanë goditur dhjetë provinca në jug të vendit gjatë javës së kaluar, ndërsa qyteti Hat Yai – një qendër e rëndësishme biznesi pranë kufirit me Malajzinë – ka regjistruar sasinë më të madhe të reshjeve në 300 vjet: 335 mm brenda një dite.

    Shirat e pandërprera kanë prekur rëndë edhe vendet fqinje. Në Vietnam, numri i viktimave është rritur në 98 vetëm brenda një jave, ndërsa në Malajzi, mbi 19,000 banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të situatës së rënduar.

  • Spalletti zbulon arsyen pse Zhegrova po luan pak minuta te Juventusi

    Spalletti zbulon arsyen pse Zhegrova po luan pak minuta te Juventusi

    Skuadra e Juventusit mbrëmë arriti një fitore të vështirë me rezultat 2:3 ndaj Bodo/Glimtit në Ligën e Kampionëve.

    Futbollisti kosovar, Edon Zhegrova, luajti pak minuta duke u aktivizuar në minutën e 83-të, shkruan Indeksonline.

    Pas ndeshjes, trajneri Luciano Spalletti shpjegoi në njëfarë mënyre pse Zhegrova nuk po merr më shumë minuta.

    “Kemi shumë lojtarë që mund të driblojnë bukur dhe të mposhtin një futbollist, si: Yildiz, Zhegrova dhe Conceicao. Por nëse luan me të gjithë, atëherë humbet ekuilibri.

    “Duhet të luajmë futboll më cilësor. Jemi duke tentuar të dalim nga ky mediokriteti”, u shpreh Spalletti pas ndeshjes.

    Kjo ishte fitorja e parë që lojtari kosovar shijon me fanellën e “Zonjës së Vjetër”.

  • Horoskopi sot: Çfarë kanë parashikuar yjet për ju

    Horoskopi sot: Çfarë kanë parashikuar yjet për ju

    Dashi

    Ditë e bukur dhe me diell kjo e sotmja për të dashuruarit. Do kaloni çaste të mrekullueshme me atë që dashuroni dhe do mendoni se si ta bëni edhe të ardhmen po kaq të bukur. Beqarët do lodhen së kërkuari, por fatkeqësisht pa shumë fat. Gjendja financiare do fillojë dalëngadalë të konsolidohet. Bëni mirë t’i logaritni gjërat para se të kryeni çdo lloj shpenzimi.

    Demi

    Do ketë goxha mosmarrëveshje në çift gjatë kësaj dite. Do mërziteni pa masë dhe do kërkoni të largoheni nga ambienti ku ndodheni. Nëse jeni ende beqarë, do arrini më në fund të hidhni hapat e para drejt krijimit të një lidhjeje. Në planin financiar do keni fat me shumicë dhe do e përmirësoni dalëngadalë gjendjen. Borxhet shlyejini pak më vonë.

    Binjakët

    Do afroheni mjaft me partnerin tuaj gjatë kësaj dite dhe do keni mundësi të diskutoni edhe për tema delikate. Beqarët do kenë disa takime interesante dhe do arrijnë të bëjnë zgjedhjen e duhur. Shumë gjëra do ndryshojnë për ta. Gjendja e financave nuk do jetë shumë e mirë. Mundohuni të mos shpenzoni pa fund në mënyrë që të mos keni vështirësi më të mëdha.

    Gaforrja

    Ditë e mbushur me surpriza si pozitive ashtu edhe negative kjo e sotmja. Herë do dashuroheni me furi dhe herë do debatoni shumë ashpër me partnerin. Beqarët do ndihen gati për njohje të reja dhe nuk do ndalen për asnjë çast së kërkuari. Në planin financiar do iu duhet të merrni disa vendime me rëndësi në mënyrë që gjërat të ndryshojnë.

    Luani

    Ditë goxha e qetë dhe pa asnjë vështirësi kjo e sotmja për ata që janë në një lidhje. Merrini gjërat si t’iu vijnë pa u sforcuar të bëni gjëra me inat. Beqarët do kenë një ditë normale dhe pa ndonjë takim shumë të veçantë. Duhet të bëjnë edhe pak kohë durim. Për financat do jetë ditë pozitive. Planetët do iu tregojnë rrugën e duhur për ta stabilizuar gjendjen.

    Virgjëresha

    Dashuria në çift do jetë e mbrojtur gjatë gjithë kohës sot. Edhe pse të shumtë do jenë personat që do mundohen t’ua prishin planet, nuk do ja dalin dot mbanë. Beqarët do e gjejnë më në fund personin e përshtatshëm dhe do fillojnë menjëherë një lidhje. Për financat nuk do keni për çfarë të shqetësoheni. Gjendja do jetë më e mirë nga sa mendonit.

    Peshorja

    Zjarri i pasionit do ndizet fort gjatë kësaj dite. Do i sqaroni të gjitha mosmarrëveshjet dhe do mendoni se si të krijoni një ambient sa më romantik. Idetë nuk do mungojnë nga të dyja palët. Për beqarët do ketë çështje shumë më të rëndësishme sesa dashuria. Financat do mbeten të qëndrueshme. Do mund të shpenzoni pa frikë për gjërat më të domosdoshme.

    Akrepi

    Do argëtoheni pa fund me partnerin tuaj gjatë kësaj dite dhe nuk do keni çfarë të kërkoni më shumë nga jeta. Edhe beqarët do ndihen të bekuar nga yjet, pasi do takojnë princin e tyre të kaltër. Gjithçka do ndryshojë rrënjësisht për ta. Financat do jenë të paekuilibruara. Duhet të vazhdoni të përkujdeseni kur të kryeni shpenzime, në mënyrë që gjendja të mos përkeqësohet më tej.

    Shigjetari

    Falë ndihmës që do iu japë sot Venusi, do kaloni një ditë të paqtë pranë atij që dashuroni. Do merreni vesh për gjithçka me njëri-tjetrin. Beqarët do kenë mundësi për aventura të njëpasnjëshme dhe mjaft emocionuese. Koha duhet shfrytëzuar deri në maksimum. Financat do i organizoni si duhet dhe nuk do shpenzoni më shumë sesa duhet.

    Bricjapi

    Ditë shumë e këndshme kjo e sotmja për ata që janë në një lidhje. Të dy do i përkushtoheni njëri-tjetrit dhe do mundoheni në çdo çast ta përforconi sa të mundni lidhjen. Beqarët do ndihen gati si për aventura, ashtu edhe për lidhje serioze. Mundësitë do jenë të mira, mjafton t’i shfrytëzoni. Financat do jenë në një gjendje goxha të mirë.

    Ujori

    Të dashuruarit nuk do kenë asgjë për çfarë të qahen. Secili do bëjë aq sa mundet për të ruajtur harmoninë dhe alegri­në. Beqarët do marrin propozime nga persona të mrekullueshëm dhe, për më tepër, me pozitë. Nuk duhen humbur për asnjë arsye këto mundësi. Në planin financiar do jeni të përgjegjshëm dhe nuk do hidhni hapa të gabuara.

    Peshqit

    Do tërhiqeni nga një person tjetër gjatë kësaj dite dhe ka mundësi ta tradhtoni partnerin. Kjo do jetë shkatërruese për lidhjen që keni ndërtuar deri më sot. Beqarët do fillojnë shpejt një histori dashurie pasionante. Në planin financiar do keni shumë vështirësi për t’ia dalë mbanë dhe kjo për shkak të çmendurive që keni bërë deri më sot.

  • Sot fillon regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës – qytetarët kanë afat 11 ditë për aplikim

    Sot fillon regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës – qytetarët kanë afat 11 ditë për aplikim

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se më 26 nëntor ka filluar periudha për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për votim në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

    Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar për RTKLive detaje për periudhën e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, e cila do të përmbyllet më 6 dhjetor 2025.

    Elezit ka thënë se “gjatë kësaj periudhe 11-ditore (26 nëntor – 6 dhjetor 2025), të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Aplikimi mund të bëhet përmes (1) platformës elektronike të KQZ-së https://diaspora.kqz-ks.org ose përmes (2) postës duke dërguar aplikimin në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë”.

    Më tej, Elezi ka treguar se “në momentin e regjistrimit, votuesit mund të përcaktohen individualisht për mënyrën e votimit: (1) të votojë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës; (2) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ në Kosovë; apo (3) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës”.

    Po ashtu, Elezi ka sqaruar se “në rast të plotësimit të numrit maksimal të votuesve në përfaqësi diplomatike, sipas parimit të kohës së aplikimit, aplikuesi do të udhëzohet për regjistrim për mënyrat e tjera të votimit përmes postës”.

    Sipas afateve të vendosura nga KQZ, votimi në përfaqësi diplomatike do të mbahet më 27 dhjetor 2025, pra një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë.

    Ndërkaq, votimi përmes postës do të fillojë më 12 dhjetor dhe do të përfundojë më 27 dhjetor 2025.

  • Parashikimi i motit për sot: Vranësira gjatë ditës dhe reshje të herëpashershme

    Parashikimi i motit për sot: Vranësira gjatë ditës dhe reshje të herëpashershme

    Këtë të mërkurë vendi do të përfshihet nga mot kryesisht i vranët, ndërsa në zona të caktuara priten edhe riga të herëpashershme shiu.

    Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, temperaturat minimale do të luhaten nga 3 deri në 5 gradë Celsius.

    Ndërsa temperaturat maksimale që pritet të arrijnë nga 10 deri në 13 gradë Celsius.

    Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i jugperëndimit, me një shpejtësi të lehtë prej 1 deri në 5 metra për sekondë.

  • OKB: Çdo 10 minuta vritet një grua në familje

    OKB: Çdo 10 minuta vritet një grua në familje

    Organizata e Kombeve të Bashkuara, në rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Grave ka nxjerrë shifra alarmante.

    Përafërsisht çdo dhjetë minuta, një grua ose vajzë bie viktimë e dhunës vdekjeprurëse brenda një marrëdhënieje ose familjes, vlerëson OKB.

    Vitin e kaluar, rreth 83.000 gra në mbarë botën u vranë qëllimisht dhe në rreth 60 përqind të këtyre rasteve, autori i krimit ishte një anëtar i familjes ose partner, njoftoi OKB.

    Vrasjet e grave shpesh janë pjesë e një “dhune në vazhdimësi”, tha Sarah Hendriks, Drejtoreshë e Politikave në UN Women.

    “Ajo fillon me kontrollin, kërcënimet dhe ngacmimet, përfshirë ato në internet. Çdo grua dhe vajzë ka të drejtë të jetë e sigurt në të gjitha aspektet e jetës së saj. Shtetet duhet të bëjnë më shumë për të parandaluar këto vrasje dhe për t’i nxjerrë përgjegjësit para drejtësisë”, shtoi Hendriks.

    Shifrat bazohen në të dhëna nga 117 vende. Sipas statistikave të OKB-së, femicidet – rastet e dhunës vdekjeprurëse në të cilat gratë vriten për shkak të gjinisë së tyre – janë veçanërisht të shpeshta në vendet afrikane. Amerika e Jugut dhe e Veriut vijnë pas tyre. Ndërsa ende mjaft femicide ndodhin në shumë vende aziatike dhe evropiane, numri i tyre është relativisht më i ulët në krahasim me popullsinë.

    Një studim i kohëve të fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) zbuloi se më shumë se 30 përqind e të gjitha grave në mbarë botën kanë përjetuar dhunë në një moment të jetës së tyre. OBSH vlerëson se ka 840 milionë viktima.

    Për më shumë se tre dekada, 25 nëntori në mbarë botën kujtohet si “Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave”. Në këtë ditë aksioni të njohur edhe si “Dita Portokalli” ndërtesat ndriçohen në ngjyrë portokalli, zhvillohen mitingje e evenimente të ndryshme për të rritur ndërgjegjësimin për dhunën e përhapur ndaj grave dhe vajzave.

  • iPhone Fold pritet të kushtojë më shumë se 2,000 dollarë

    iPhone Fold pritet të kushtojë më shumë se 2,000 dollarë

    Thuhet se iPhone i parë i palosshëm nga Apple do të lançohet vitin e ardhshëm.

    iPhone Fold (emri i pritur) nuk do të jetë i lirë, dhe një analist ka ndarë çmimin e pritur të pajisjes së palosshme.

    Sipas një analisti të Fubon Research, i cili e bazon vlerësimin në të dhënat e zinxhirit të furnizimit dhe kërkesat e marzhit të Apple, iPhone Fold pritet të kushtojë rreth 2,399 dollarë.

    Në krahasim, Samsung Galaxy Z Fold7 fillon nga 1,999 dollarë, kështu që nuk është për t’u habitur që iPhone i palosshëm i Apple do të ketë një çmim më të lartë.

    Fubon Research beson se kostot e materialeve të iPhone Fold për panelin e ekranit, menteshën dhe komponentët e lehtë janë arsyeja pas çmimit më të lartë.

    Megjithatë, analisti pret që Apple të shesë 15.4 milionë njësi të iPhone të palosshëm, duke përfshirë 5.4 milionë njësi në vitin 2026.

    Thuhet se iPhone Fold do të ketë një ekran fleksibël 7.58 inç pa palosje dhe një ekran mbulues 5.8 inç. Gjithashtu, pritet të ofrojë një bateri më të madhe se iPhone 17 Pro Max.