ATV

Author: G.O.

  • Gjuha e urrejtjes dhe dezinformomi gjatë zgjedhjeve lokale, identifikohen 152 shkelje të partive

    Gjuha e urrejtjes dhe dezinformomi gjatë zgjedhjeve lokale, identifikohen 152 shkelje të partive

    Gjatë zgjedhjeve lokale që u mbajtën me 12 tetor, vetëm në rrjetet sociale janë evidentuar 152 shkelje të kodit të sjelljes, që nënkupton gjuhë të urrejtjes, ngacmim personal, dezinformim dhe nxitje për dhunë. Kështu u bë e ditur gjatë lansimit të raportit të Demokracia për Zhvillim (D4D) dhe Qendra për Dialog Humanitar, me temën “Monitorimi i Kodit të Sjelljes për Përdorimin e Përgjegjshëm të Rrjeteve Sociale gjatë Zgjedhjeve Lokale në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.

    Sipas këtij raporti rezulton që më së shumti shkelje të jenë bërë nga Lëvizja Vetëvendosje, e pasuar nga PDK, Alternativa, AAK, Lista Serbe, Lista “Guxo” dhe LDK.

    Drejtoresha ekzekutive në D4D, Rrezarta Delibashzade-Krasniqi, ka thënë se shkeljet më të mëdha kanë ndodhur në rrjetin social “Facebook”

    Ajo tha se nga gjetjet e tyre kanë identifikuar 152 shkelje të deklaratës së mirësjelljes të nënshkruar nga vetë subjektet politike, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile.

    “Nga gjetjet tona të monitorimit kemi identifikuar 152 shkelje të deklaratës së mirësjelljes të nënshkruar nga vetë subjektet politike, mediat dhe OJQ-të. Kryesisht këto shkelje janë të bëra nga subjektet politike. Platformat ku janë bërë shkeljet më të mëdha është ‘Facebook’ me 95 për qind, pastaj ‘TikTok’ dhe ‘Instagram’”, tha ajo.

    Ajo ka shpjeguar edhe llojet e shkeljeve dhe partitë e targetuara për gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin.

    “Llojet e shkeljeve janë: 66 për qind nga kandidatët për kuvendet komunale, 33 për qind nga ana e mediave, 11 për qind nga analistët politikë dhe 10 për qind nga kandidatët për kryetar komune, si dhe 1 për qind nga subjekti politik. Partitë politike me më së shumti shkelje janë identifikuar në këto 18 komuna: Lëvizja Vetëvendosje, pastaj e përcjellur nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Pastaj i kemi me përqindje më të ulët Listën Serbe, LDK-në dhe Guxo. Nëse e marrim nga partitë politike më të targetuara për gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin, në këtë drejtim e para më e targetuara është PDK-ja, pastaj Lëvizja Vetëvendosje, LDK-ja, AAK-ja, Lista Serbe, Guxo dhe të tjera”, tregoi ndër të tjera ajo.

    Po ashtu shpjegoi se 14 për qind e gjuhës së urrejtës ishte ngacmim personal .

    Këshilltari i lartë në Qendrën për Dialog Humanitar, Mark Baskin, ka thënë se çrregullimet e informacionit, mund të jenë kërcënim për demokracinë e shtetit të Kosovës.

    “Rrjetet sociale janë bërë një formë dominuese e komunikimit në Kosovë; kur vëren të dhënat me burime ndërkombëtare ose vendore, 95% e shtëpive në Kosovë kanë një lloj qasjeje në internet, 90% e kosovarëve nga mosha 15–35 vjeç përdorin internetin në përditshmëri, 83% e njerëzve deri në moshën 74-vjeçare përdorin internetin në përditshmëri. Shpërndarja e gjerë në rrjetet sociale e lajmeve të rreme, ekzagjerimi dhe shpifja e informacioneve minojnë kapacitetin e qytetarëve që të bëjnë zgjedhje inteligjente në votime dhe kërkimin e llogarisë nga qeveria. Këto çrregullime të informacionit, duke përfshirë divizionin, gjuhën seksiste dhe të ashpër, gjuhën e urrejtjes, përmbajtje të rreme, përmbajtje të përdredhur dhe manipuluese, mund të kërcënojnë demokracinë e Kosovës, siç mund të kërcënojnë demokracinë e çdo shteti tjetër. Pra, kjo është arsyeja pse jemi përfshirë, sepse mund të çojë deri në konflikt. Gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2025 në Kosovë kemi eksploruar këto dinamika”, tha ai.

    Gjatë diskutimit ajo që u konsiderua si befasuese ka qenë se shkelja më e madhe e shkeljeve është bërë nga këshilltarët në nivel lokalë, në komuna të ndryshme e për këtë përgjegjëse u bënë partitë politike.

  • Kjo është pjesa e kanalit Ibër–Lepenc që është dëmtuar

    Kjo është pjesa e kanalit Ibër–Lepenc që është dëmtuar

    Mbulesa e kaltër mbrojtëse e vendosur mbi bajpasin e kanalit të Ibër-Lepencit është pikërisht pjesa ku është raportuar dëmtimi më i ri i këtij rrjeti ujor, rreth një vit pas shpërthimit të fundit në këtë kanal. Policia e Kosovës ka njoftuar se persona të panjohur kanë përdorur mjete të forta për të dëmtuar një segment të kanalit në komunën e Zubin Potokut.

    Sipas raportit 24-orësh, incidenti dyshohet të ketë ndodhur ndërmjet datave 22 dhe 25 nëntor 2025. Autoritetet kanë konstatuar se dëmtimi është shkaktuar në pjesën e bajpasit, ku mbulesa e kaltër plastike — e cila shërben për izolim dhe mbrojtje të kanalit — është shqyer dhe dëmtuar dukshëm. Rasti është iniciuar si asgjësim apo dëmtim i pronës.

    Ky zhvillim vjen rreth një vit pas sulmit të 29 nëntorit 2024, i cilësuar nga institucionet shtetërore si akt terrorist, kur një shpërthim dëmtoi rëndë strukturën e kanalit në fshatin Varage.

    Policia ka nisur hetimet dhe po punon për identifikimin e personave përgjegjës, ndërsa dëmtimi i një infrastrukture të tillë strategjike ka ngritur sërish shqetësime për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me ujë në rajon.

  • Merz: Putin duhet të pranojë se nuk mund të largohet me sukses nga lufta në Ukrainë

    Merz: Putin duhet të pranojë se nuk mund të largohet me sukses nga lufta në Ukrainë

    Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar të mërkurën se presidenti rus, Vladimir Putin, duhet të pranojë se nuk ka mundësi të largohet me sukses nga lufta në Ukrainë.

    “Ne duam që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë Merz në Bundestag.

    Ai ka theksuar se një marrëveshje e negociuar midis fuqive të mëdha pa pëlqimin e Ukrainës dhe pa pëlqimin e evropianëve nuk mund të jetë baza për një paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme.

    “Por një marrëveshje e negociuar midis fuqive të mëdha pa pëlqimin e Ukrainës dhe pa pëlqimin e evropianëve nuk do të jetë baza për një paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”, ka shtuar ai.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar të martën se ishte gati të diskutonte një kornizë të mbështetur nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës me Rusinë dhe të trajtonte pikat e diskutueshme me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, duke theksuar se bisedimet duhet të përfshijnë edhe aleatët evropianë.

    “Vendimet për çështjet evropiane mund të merren vetëm me pëlqim të ndërsjellë. Ukraina nuk është një gur shahu, por një aktor sovran për interesat dhe vlerat e veta”, ka deklaruar Merz.

    Kancelari ka shtuar se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë popullin ukrainas dhe do të përdorë asetet e ngrira ruse për këtë qëllim. Ai ka bërë të ditur se ndihma financiare e Gjermanisë për Ukrainën do të rritet në 11.5 miliardë euro në buxhetin e vitit 2026, nga 8.5 miliardë euro që ishin planifikuar më parë.

  • Labi për Shpat Kasapin: E rëndë të besoj se nuk është më mes nesh

    Labi për Shpat Kasapin: E rëndë të besoj se nuk është më mes nesh

    Humbja e papritur e këngëtarit të njohur, Shpat Kasapi, ka tronditur skenën muzikore shqiptare dhe publikun e gjerë.

    Lajmi për vdekjen e tij ka shkaktuar pikëllim të madh tek kolegët, fansat dhe gjithë komuniteti artistik, duke lënë një boshllëk të thellë në muzikën shqiptare.

    Mes reagimeve, kanë qenë të shumta edhe ato që shprehin lidhje të veçanta personale dhe kujtime të përbashkëta me Shpatin.

    Artistët kanë ndarë mesazhe ngushëllimi dhe fotografi që tregojnë afërsinë dhe respektin për të ndjerin.

    Labinot Tahiri – Labi ka reaguar me një postim të ndjerë në rrjetet sociale, duke ndarë dhimbjen dhe duke përkujtuar miqësinë e gjatë me Kasapin.

    Postimi i plotë i Labit (pa ndërhyrje):

    “Ngushëllime nga zemra për familjen Kasapi dhe për gjithë publikun shqiptar për ndarjen nga nga jeta të një djali të sinqertë dhe artist të skenës, Shpat Kasapi.U prehsh në paqe vëlla.

    Kjo foto është bërë para disa viteve, ku jemi unë dhe Shpati.

    E rëndë shumë me e besu se nuk është më mes nesh. Zoti e pastë pranuar shpirtin e tij në parajsë, Labi”. /Telegrafi/

  • Dita e Forcës, FSK-ja të enjten hap dyert për qytetarët

    Dita e Forcës, FSK-ja të enjten hap dyert për qytetarët

    Forca e Sigurisë së Kosovës bën të ditur se të enjten, më 27 nëntor organizon Ditën e Forcës-Ditë e hapur nga ora 09:00 deri në ora 14:00.

    Në kazermën “Adem Jashari “ në Prishtinë nga ora 09:30 do të jenë të pranishëm udhëheqësit e lartë shtetërorë, mysafirë e ambasador të vendeve mike.

    “Të gjithë qytetarët janë të mirëseardhur të vizitojnë kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës në: Prishtinë, Prizren, Pomozotin, Istog, Ferizaj, Mitrovicë dhe Gjilan. Në të gjitha kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, qytetarët do të kenë mundësi të shohin kapacitetet ushtarake të cilat do të jenë të ekspozuara në këtë ditë feste”, thuhet në njoftim.

  • Big Mama pas vdekjes së Shpat Kasapit: U zgjova me lajmin më të trishtë, ma këpute shpirtin

    Big Mama pas vdekjes së Shpat Kasapit: U zgjova me lajmin më të trishtë, ma këpute shpirtin

    Këngëtarja e njohur, Big Mama, ka shprehur dhimbjen e saj të thellë pas lajmit për vdekjen e artistit shqiptar, Shpat Kasapi.

    Përmes një mesazhi të ndjerë në rrjetet sociale, ajo ka shkruar: “O Shpat bre, nuk dua ta besoj. U zgjova me lajmin më të trishtë dhe ma këpute shpirtin”.

    “Fëmijëria jonë dhe kujtimet tona sot dhembin më shumë. Do të më mungosh përgjithmonë vëlla. Prehu në paqe”.

     

  • Dëmtohet një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit, policia jep detaje

    Dëmtohet një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit, policia jep detaje

    Është dëmtuar me mjete të forta nga persona të panjohur një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok, njofton Policia e Kosovës.

    Sipas raportit të policisë, rasti ndodhur mes datave 22-25 nëntor të këtij viti.Policia jep detaje po ashtu se dëmi është bërë pikërisht në (bajpas), në vendin ku ka ndodhur sulmi një vit më parë.

    “Zubin Potok 22-25.11.2025 – NN. Është raportuar se persona të panjohur me mjete të forta kanë dëmtuar një pjesë të kanalit të Ibër-Lepencit (bajpas-it)”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë së Kosovës.

    Në mbrëmjen e 29 nëntorit në Varage ndodhi një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit, sulm ky i cili ishte dënuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera të QUINT-it.

  • Reagon Ermal Fejzullahu: Nuk po muj me besu, na theve zemrat Shpat

    Reagon Ermal Fejzullahu: Nuk po muj me besu, na theve zemrat Shpat

    Ermal Fejzullahu ka shprehur mërzinë për vdekjen e Shpat Kasapit, kolegut të tij që nga koha e fëmijërisë.

    “E filluam karrierën bashkë e shumë kujtime të bukura patëm me të të cilat do t’i ruaj tanë jetën” shkruan Ermali ndër të tjera në mesazhin prekës për Shpatin.

    Tashmë familjarët kanë konfirmuar lajmin për vdekjen e Shpat Kasapit.

    Është bërë e ditur se vdekja e tij ka ndodhur në Itali.

  • Izraeli nis një operacion të ri në Bregun Perëndimor

    Izraeli nis një operacion të ri në Bregun Perëndimor

    Ushtria izraelite njoftoi më 26 nëntor për një operacion të ri “kundër terrorizmit” në veri të Bregut të okupuar Perëndimor.

    Ushtria dhe shërbimi i brendshëm i sigurisë thanë përmes një deklarate të përbashkët se “nisëm të operonim si pjesë e një operacioni të gjerë kundër terrorizmit në zonën e Samarisë së Veriut” – duke përdorur termin biblik izraelit për një pjesë të Bregut Perëndimor.

    Ndërkaq, në një përgjigje për AFP-në ushtria izraelite tha se operacioni është i ri dhe nuk është pjesë e operacionit të saj kundër terrorizmit që nisi në janar të këtij viti, i cili kryesisht shënjestron kampet e refugjatëve palestinezë.

    Dhuna në Bregun Perëndimor, që Izraeli e ka okupuar që nga viti 1967, është rritur që kur Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi Izraelin në tetor të vitit 2023, duke nxitur luftën në Gazë.

    Dhuna nuk është ndalur pavarësisht armëpushimit të brishtë që është në fuqi në Gazë që nga 10 tetori.

    Trupat izraelite ose kolonët kanë vrarë më shumë se 1.000 palestinezë – shumica nga ta militantë, por edhe dhjetëra civilë – në Bregun Perëndimor që nga fillimi i luftës, sipas të dhënave të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

    Të paktën 44 izraelitë, përfshirë ushtarë dhe civilë, janë vrarë gjatë sulmeve palestineze ose gjatë operacioneve ushtarake izraelite, sipas të dhënave zyrtare të Izraelit.

  • Përleshje mes të miturave në Gjilan, përdoret edhe thika

    Përleshje mes të miturave në Gjilan, përdoret edhe thika

    Një përleshje mes tri femrave të mitura ka ndodhur në rrugën “Tirana” të Gjilanit, pas një mosmarrëveshjeje mes tyre.

    Policia ka bërë të ditur se gjatë incidentit është përdorur edhe një mjet i mprehtë – thikë.

    Të miturat e lënduara kanë marrë tretman mjekësor, ndërsa gjendja e tyre raportohet të jetë jashtë rrezikut për jetë.

    Me vendim të prokurorit, dy nga të dyshuarat janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa rasti po hetohet si “lëndim i lehtë trupor”.