ATV

Author: G.O.

  • Zgjedhjet e 28 dhjetorit, KQZ: Nis afati për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës

    Zgjedhjet e 28 dhjetorit, KQZ: Nis afati për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njofton se ka nisur periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

    Gjatë kësaj periudhe 11-ditore, nga 26 nëntor deri më 6 dhjetor 2025, qytetarët me të drejtë vote mund ta mësojnë qendrën e tyre të votimit dhe, nëse dëshirojnë, ta ndërrojnë atë brenda komunës së tyre, duke e caktuar sa më afër vendbanimit:

    1.Përmes platformës elektronike të KQZ-së: https://qv.kqz-ks.org ose

    2.Duke paraqitur kërkesën në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku janë të regjistruar si votues.

    KQZ sqaron se ndërrimi i Qendrës së Votimit nga një komunë në komunën tjetër nuk mundësohet drejtpërdrejtë nga Komisioni, pasi kjo lidhet me deklarimin zyrtar të adresës së vendbanimit nga qytetarët/votuesit.

    Përmes KQZ-së, votuesi mund të ndryshojë Qendrën e Votimit vetëm brenda komunës së vet. Ndërsa për të kaluar nga një Qendër Votimi në një komunë tjetër, votuesi duhet të ndryshojë adresën zyrtare të vendbanimit në Zyrën e Gjendjes Civile ose përmes platformës E-Kosova.

    Ndryshimet e bëra gjatë periudhës 26 nëntor – 6 dhjetor 2025 do të reflektohen në platformën elektronike të KQZ-së pas përfundimit të saj: https://qv.kqz-ks.org.

  • Dronët rusë godasin Kievin: Një i vdekur, shtatë të plagosur

    Dronët rusë godasin Kievin: Një i vdekur, shtatë të plagosur

    Një sulm rus me dronë dhe raketa në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, ka vrarë të paktën një person dhe ka plagosur shtatë të tjerë, kanë bërë të ditur zyrtarët e qytetit.

    Herët në mëngjesin e së shtunës, ndërtesa banimi në disa lagje u goditën dhe shpërthime të fuqishme u dëgjuan në mbarë qytetin.

    Kryetari i Kievit, Vitaly Klitschko, tha se një fëmijë 13-vjeçar është në mesin e të plagosurve, ndërsa katër persona janë dërguar në spital, njofton BBC, transmeton Sinjali.

    Më herët këtë javë, një sulm i ngjashëm në Kiev kishte vrarë shtatë persona, kanë thënë zyrtarët ukrainas. Bombardimi i fundit ndodhi teksa negociatorët ukrainas po përgatiteshin për bisedime me zyrtarë amerikanë këtë fundjavë për një plan të modifikuar paqeje të SHBA-së. Shefi i administratës ushtarake të Kievit, Tymur Tkachenko, konfirmoi se sulmi i së shtunës goditi “shënjestra të shumta në periferi të kryeqytetit”.

    “Dronët e armikut janë mbi qytet dhe mbrojtja ajrore po reagon,” shkroi ai në Telegram.

    “Aktualisht, në Kiev ka gjithsej një të vdekur dhe shtatë të plagosur, përfshirë një fëmijë.”

    Trupi i një burri u gjet nga ekipet e kërkim-shpëtimit në distriktin Sviatoshynskyi, në perëndim të qytetit, konfirmoi Tkachenko.

    Dy gra janë mes të plagosurve në qytetin Brovary, në lindje të Kievit, me guvernatorin rajonal që tha se “raketa dhe dronë” kishin shënjestruar zonat banimore.

    Klitschko tha se sulmi kishte shkaktuar zjarr në katet e poshtme të një ndërtese të lartë banimi në perëndim të qendrës së qytetit, ndërsa një zjarr tjetër u vu nën kontroll në një distrikt qendror.

    Më herët këtë javë, Rusia dhe Ukraina shkëmbyen sulme vdekjeprurëse gjatë natës, të cilat shkaktuan zjarre në ndërtesa banimi dhe vranë shtatë persona në Kiev, ndërsa rajoni Rostov i Rusisë raportoi tre viktima.

    Sulmi i së shtunës vjen në kohën kur Presidenti Donald Trump po shtyn që të dyja palët të pranojnë një draft-plan paqeje, i cili fillimisht ishte i anuar ndjeshëm drejt kërkesave të Moskës. Ai u rishikua gjatë bisedimeve midis negociatorëve ukrainas dhe amerikanë në Gjenevë.

  • Sot luhet xhiroja e 15-të e Superligës, këto janë përballjet kryesore

    Sot luhet xhiroja e 15-të e Superligës, këto janë përballjet kryesore

    Albi Mall Superliga rikthehet sot (e shtunë) ku do të luhet xhiroja e 15-të, me disa përballje mjaft interesante.

    Sot do të luhet në Skenderaj dhe në Lipjan, me Drenicën që do të jetë nikoqire e Gjilanit dhe Prishtina e Re që do të presë Prishtinën.

    Në duelin e parë, Drenica, e pozicionuar aktualisht e shtata në tabelë, pret Gjilanin, që është vetëm një pozitë më lart me 16 sosh. Të dy skuadrat nuk kanë arritur të fitojnë në xhiron paraprake, ndaj do të luftojnë për të marrë vetëm rezultat pozitiv.

    Në duelin tjetër mes Prishtinës së Re dhe Prishtinës do të ketë debutim trajnerësh. Vendasit kanë emëruar në stol Qëndrim Kidën pas largimit të Shpëtim Babajt, ndërsa në stolin e Prishtinës është ulur Afrim Tovërlani, duke zëvendësuar Arsim Thaçin.

    Në takimin e parë këtë sezon mes këtyre dy skuadrave, fitues kishte dalë Prishtina, që triumfoi me rezultat 2-0 në ‘Fadil Vokrri’.

    Të dyja ndeshjet janë parashikuar të nisin me fillim nga ora 13:00.

  • Dy anije të naftës ruse shpërthejnë pranë brigjeve të Turqisë në Detin e Zi – pamje

    Dy anije të naftës ruse shpërthejnë pranë brigjeve të Turqisë në Detin e Zi – pamje

    Shpërthime të fuqishme tronditën të premten dy anije cisterna, të cilat janë sanksionuar për transportimin e naftës ruse.

    Të dy anijet cisterna, pjesë e të ashtuquajturës “flotë në hije”, ndodheshin pranë brigjeve të Turqisë në Detin e Zi.

    Bëhet fjalë për anijet Kairos dhe Virat me flamur Gambian, të cilat po udhëtonin drejt Novorossiysk.

    E para është sanksionuar nga BE dhe Britania e Madhe, ndërsa e dyta nga BE dhe SHBA. Virat duket se ka qëndruar e palëvizshme në Detin e Zi perëndimor për pjesën më të madhe të vitit 2025.

    Pamjet tregojnë një re të dendur tymi që ngrihet nga njëra anije dhe flakë nga tjetra. Autoritetet turke kanë konfirmuar shpërthimet, por nuk është e qartë nëse ka të lënduar.

    Shkaqet mbeten aktualisht të panjohura. Nëse ky ishte një sulm i qëllimshëm, nuk është e qartë se kush mund të jetë përgjegjës.

    <

  • Roma – Napoli dhe Milan – Lazio, dy përballjet e zjarrta të Serie A këtë fundjavë

    Roma – Napoli dhe Milan – Lazio, dy përballjet e zjarrta të Serie A këtë fundjavë

    Roma – Napoli dhe Milan – Lazio janë dy përballjet më të pritura të kampionatit italian të futbollit këtë fundjavë.

    Derbi i zjarrtë mes Romës dhe Napolit luhet të dielën nga ora 20:45 dhe i takon javës së 13-të të Serie A. Do të përballen dy skuadra që luftojnë për titullin e kampionit.

    Roma renditet në vendin e parë me 27 pikë, ndërsa Napoli është në vendin e tretë me dy pikë më pak. Napolitanët janë kampionë në fuqi të elitës italiane të futbollit.

    Napoli është i pamposhtur në dhjetë nga 11 ndeshjet e fundit kundër Romës në të gjitha garat. Roma dhe Napoli janë përballur në total në 178 ndeshje, ku Roma prin me 66 fitore, Napoli ka 54, ndërsa 58 ndeshje kanë përfunduar baras.

    Roma ka regjistruar gjashtë fitore në shtatë ndeshjet e fundit, ndërsa Napoli ka katër fitore, dy barazime dhe një humbje në shtatë ndeshjet e fundit.

    Këtë edicion, Roma ka mbrojtjen më të mirë, me vetëm gjashtë gola të pësuar pas 12 xhirove, ndërsa sulmin më të mirë e ka Interi, me 26 gola të shënuar.

    Derbi tjetër mes Milanit dhe Lazios luhet të shtunën nga ora 20:45. “Kuqezinjtë” kanë 25 pikë dhe renditen në vendin e dytë. Milani nuk di për humbje në 12 ndeshjet e fundit, me tetë fitore dhe katër barazime.

    Lazio ka vetëm një humbje në tetë ndeshjet e fundit dhe ka 18 pikë në vendin e tetë të tabelës.

    Xhiroja e 13-të përfundon të hënën me ndeshjen Bologna – Cremonese, e cila nis po ashtu nga ora 20:45.

  • Aksident me fatalitet në Gjermani, kamioni përplaset me veturën – tre të vdekur

    Aksident me fatalitet në Gjermani, kamioni përplaset me veturën – tre të vdekur

    Një aksident tragjik ka ndodhur në autostradën pranë Drochtersen në Saksoni të Poshtme, ku një BMW u përplas me trafikun që vinte përballë, duke shkaktuar vdekjen e tre personave dhe lëndimin e rëndë të një tjetri.

    Viktimat janë një shofer 24-vjeçar dhe dy gra, 26 dhe 62 vjeç, të gjithë nga Ukraina.

    Sipas raportimit të gazetës Bild, makina po lëvizte në një rrugë rurale rreth orës 14:10 të së premtes, kur papritmas përshpejtoi dhe u përplas me një kamion.

    “Në një rrugë të drejtë midis dy kthesave, në një kthesë djathtas, ai u përpoq të parakalonte një makinë tjetër,” tha Matthias Bekermann, zëdhënës i policisë, për Bild.

    Pas parakalimit, pjesa e pasme e BMW-së u shkëput në rrugën e lagësht. Makina doli në trafikun që vinte përballë dhe u përplas me një kamion. Forca e impaktit shkëputi rimorkion e kamionit, të ngarkuar me një ekskavator, nga rruga dhe e hodhi midis kamionit dhe rimorkios së furgonit që BMW sapo kishte parakaluar.

    Policia po heton rrethanat e aksidentit.

  • Dy vjet nga vrasja, vëllai i Liridona Ademajt: Nuk pajtohemi me faktin që nuk je, do të luftojmë deri në frymën e fundit për të kërkuar drejtësi

    Dy vjet nga vrasja, vëllai i Liridona Ademajt: Nuk pajtohemi me faktin që nuk je, do të luftojmë deri në frymën e fundit për të kërkuar drejtësi

    Janë bërë dy vjet prej vrasjes së Liridona Ademajt që ndodhi në sy të fëmijëve të saj e me porosinë e bashkëshortit të saj Naim Murseli për të cilin tashmë ka edhe një aktakuzë e po gjykohet nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

    Në këtë përvjetor e ndjera është kujtuar nga vëllai i saj Leonard Ademaj, i cili thotë se malli për të shtohet çdo ditë e nuk mund të pajtohet me faktin që më nuk është në mesin e tyre, duke theksuar se mungesa e saj vërehet në çdo kohë.

    “Sot bëhen 2 vite që nga ikja jote Motër. Malli për ty shtohet çdo ditë, mungesa jote vërehet në çdo kohë. Këto 2 vite nuk ishin të lehta për ne si familje nuk mundemi asesi të pajtohemi me faktin qe ti nuk je më ne mesin tonë. Na ka marrë malli shumë për prezencën tënde asgjë më nuk është e njejtë”, ka shkruar Leonardi.

    Teksa shkruan për mungesën e saj, Leonard Ademaj thotë se do të luftojnë deri në frymën e fundit për të kërkuar drejtësi, duke shtuar se vitet po ecin e akoma po përballen me kriminelët që padrejtësisht ia morën jetën.

    “Vitet po ecin shpejtë e ne akoma po ballafaqohemi me kriminelët të cilët padrejtësisht të morën nga ne. Do të luftojmë deri në frymën e fundit duke kërkuar drejtësi për ty Motër. Kriminelët duhet të marrin dënimin e merituar. Të kujtojmë me mallë e shumë dashuri Familja Ademaj dhe djemtë Diar&Dion”, ka shkruar vëllai i Liridona Ademajt, Leonardi.

  • ShBA-ja ndalon përkohësisht shqyrtimin e të gjitha kërkesave për azil

    ShBA-ja ndalon përkohësisht shqyrtimin e të gjitha kërkesave për azil

    Administrata e presidentit Donald Trump ka pezulluar të gjitha vendimet për kërkesat e azilit, pas sulmit në Washington ku u qëlluan dy pjesëtarë të Gardës Kombëtare, ka bërë të ditur drejtori i Shërbimit të Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA-së (USCIS), Joseph Edlow.

    Në një postim në X të premten, Edlow ka thënë se ky pezullim do të qëndrojë në fuqi “derisa të sigurohemi se çdo i huaj është kontrolluar dhe verifikuar në shkallën maksimale të mundshme”.

    Njoftimi erdhi pak orë pasi presidenti Trump premtoi se do ta pezullojë përgjithmonë migrimin drejt SHBA-së nga të gjitha vendet e botës së tretë.

    Të enjten, Trumpi njoftoi se një pjesëtare e Gardës Kombëtare kishte vdekur nga plagët e marra në sulmin e së mërkurës, për të cilin fajësohet një shtetas afgan.

    Zyrtarët e USCIS-it, që funksionon nën Departamentin e Sigurisë së Brendshme, janë urdhëruar të mos aprovojnë, refuzojnë apo mbyllin asnjë kërkesë për azil të paraqitur nga cilido nacionalitet, shkruan BBC.

    Punonjësit mund të vazhdojnë shqyrtimin teknik të aplikimeve, por pa marrë vendim përfundimtar.

    “Pasi të arrini në fazën e vendimmarrjes, ndaloni dhe mbani dosjen”, thuhej në udhëzimin e brendshëm.

    Ende ka pak detaje për pezullimin e vendimeve dhe deklaratat e mëhershme të Trumpit. Presidenti nuk ka specifikuar se cilat vende (të botës së tretë) mund të preken nga ky vendim, i cili pritet të përballet me sfida ligjore dhe tashmë ka ngjallur reagime nga agjencitë e OKB-së.

  • Edi Rama e nis ditën me urimin për festën kombëtare të çlirimit

    Edi Rama e nis ditën me urimin për festën kombëtare të çlirimit

    Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka nisur mëngjesin e kësaj të shtunë me urimin për festën kombëtare të çlirimit.

    “MIRËMENGJES dhe me urimin për festën kombëtare të çlirimit, ju uroj të gjithëve një fundjavë të paqtë”, ka uruar Rama.

    Shqiptarët festojnë sot 29 Nëntorin, Ditën e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë.

    Mijëra dëshmorë do të kujtohen si çlirimtarët e vendit pasi ata sakrifikuan gjithçka për lirinë e Shqipërisë.

    Politika shqiptare e feston sërish e ndarë Ditën e Çlirimit të vendit, edhe pse 29 Nëntori është data zyrtare e kujtimit të kësaj dite.

    Të majtët respektojnë 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë dhe 29 Nëntorin si Ditën e Çlirimit, ndërkohë që të djathtët i përkujtojnë të dy festat më 28 Nëntor.

    Debati për Festën e Çlirimit mbetet ende i ndezur në politikën shqiptare, ku e djathta ndjek të njëjtin model si gjatë mandatit të saj të parë qeverisës, kur ndryshoi datën e Çlirimit, nga 29 Nëntori më 28 Nëntor, pasi sipas saj, kjo e fundit ishte zgjedhur nga regjimi komunist duke falsifikuar historinë.

    Por 29 Nëntori e fitoi sërish statusin e Ditës së Çlirimit kur e majta erdhi në pushtet, në verën e vitit 1997, kur me një ligj të posaçëm u kthye në festë zyrtare.

    Shqipëria në Luftën e Dytë Botërore ishte një nga vendet e pushtuara nga blloku nazifashist. Në fund të nëntorit 1944, pas çlirimit të Tiranës dhe shumë qyteteve të tjera, më 29 nëntor u arrit që të çlirohej edhe Shkodra që njihet në histori si qyteti i fundit që ka fituar betejën me armikun.

  • Një vit nga shpërthimi në Ibër Lepenc, askush nuk u vë para përgjegjësisë

    Një vit nga shpërthimi në Ibër Lepenc, askush nuk u vë para përgjegjësisë

    Sot është bërë një vit nga shpërthimi terrorist serb që ndodhi në kanalin Ibër-Lepenc, në fshatin Varagë në Zubin Potok. Aty ku ishte përdorur rreth 20 kilogramë eksplozivë, me qëllimin për ta hedhur në erë kanalin, e që paraqiti sulmin më të rëndë ndaj infrastrukturës kritike që ka ndodhur që nga paslufta.

    E dëmi i shkaktuar është vlerësuar në rreth 400 mijë euro.

    Derisa Serbia u akuzua për akt terrorist, ata mohuan akuzat.

    Mirëpo as kur ka kaluar një vit nga sulmi rrethanat e ngjarjes ende janë të paqarta, madje për këtë nuk ka as aktakuzë e as përgjegjësi.

    Megjithatë në hetim për ta zbardhur rastin janë përfshirë edhe agjentë të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI).

    Derisa edhe ndërkombëtarët heshtin për të dhënë informacione, janë institucionet e Kosovës ato të cilat kanë arrestuar dhjetëra persona nën dyshimin se janë të përfshirë në shpërthim dhe kanë sekuestruar armë dhe eksplozivë.

    Në paraburgim u dërgua  Dragisha dhe Jovan Viçentijeviq janë dërguar në paraburgim.

    SERBIA PËRGJEGJËSE

    Zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë më herët se pas sulmit qëndron ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

    Radoiçiq mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023, kur u vra një polic i Kosovës, ndërsa në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti – tani në detyrë – tha se ka informacione të inteligjencës se shteti i Serbisë ishte përgjegjës për financimin, planifikimin dhe logjistikën e sulmit në Ibër-Lepenc.

    Por, ambasadori i atëhershëm amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha se SHBA-ja “nuk sheh asnjë provë që çon drejt Beogradit” lidhur me këtë rast.