ATV

Author: G.O.

  • Ushtroi dhunë fizike dhe psikike ndaj prindërve të tij, arrestohet një person në Prishtinë

    Ushtroi dhunë fizike dhe psikike ndaj prindërve të tij, arrestohet një person në Prishtinë

    Policia ka njoftuar për një rast të dhunës në familje që ka ndodhur në Prishtinë.

    Në njoftim thuhet se djali ka rrahur prindërit.

    “Prindërit kanë pësuar dhunë fizike dhe psikike nga djali i tyre i dyshuari mashkull kosovar”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Pse vyshken bimët kur e ndezim ngrohjen? Problemi nuk është tek nxehtësia

    Pse vyshken bimët kur e ndezim ngrohjen? Problemi nuk është tek nxehtësia

    Në dimër, apartamentet tona bëhen një sfidë e vërtetë për bimët e brendshme, sidomos për ato të ndjeshme ose që vijnë nga zona të tjera klimatike

    Nëse keni në shtëpi orkide, fikus, ferna, anturium apo monsterë, ndoshta keni vërejtur se gjendja e tyre përkeqësohet ndjeshëm me fillimin e sezonit të ngrohjes. Dhe kjo nuk ndodh fare nga temperatura.

    Gjatë vjeshtës dhe dimrit, bimët kërkojnë më shumë kujdes dhe një regjim të përshtatshëm mirëmbajtjeje. Është e rëndësishme t’u kushtoni më shumë vëmendje që të duken bukur tani, por edhe në pranverë. Ajri i thatë, mungesa e dritës natyrale dhe afërsia me radiatorët mund t’i dobësojnë, madje edhe t’i dërgojnë drejt tharjes. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se duhet ta ndaloni ngrohjen.

    Kira Kay, specialiste nga kopshti botanik Bloom and Wild, paralajmëron se shumë bimë të brendshme, veçanërisht ato nga zonat tropikale, si Palma Sago, e përballojnë shumë keq ajrin e thatë dhe temperaturat e larta, sidomos kur vendosen pranë radiatorëve ose oxhakëve.

    “Ngrohja shtesë nuk i ndihmon aspak bimët të mbijetojnë dimrin. Përkundrazi, mund të jetë e rëndë për to, madje në disa raste edhe fatale”, paralajmëron Kay, transmeton Telegrafi.

    Nuk është problemi te temperatura apo mungesa e dritës – bimët në dimër i vret ajri i thatë

    Problemi nuk është vetëm temperatura, por mungesa e lagështisë. Ngrohja qendrore, ngrohja në dysheme ose oxhakët e thajnë ajrin, gjë që ndikon negativisht te bimët.

    “Gjethet fillojnë të thahen dhe bimët mund të veniten. Afërsia direkte me burimet e ngrohjes i dëmton edhe më shumë”, shpjegon Kay.

    Veçanërisht të rrezikuara janë bimët me gjethe të holla dhe delikate, si fernet apo anturiumi. Sipas Kay, “sa më të holla dhe më delikate të jenë gjethet, aq më i madh rreziku që bima të dëmtohet në ajër të thatë”.

    Si t’i mbroni bimët gjatë dimrit?

    Kay rekomandon largimin e vazo­ve nga burimet e ngrohjes. Një zgjidhje e mirë është të vendosen në rafte, tavolina anësore apo në vazo të varura. Grupi­mi i bimëve në një vend gjithashtu ndihmon, sepse krijon një mikroklimë natyrale që ruan lagështinë. Gjithashtu, mund të vendosni një enë me ujë pranë bimëve, të spërkatni rregullisht gjethet ose të investoni në një lagështues të vogël ajri.

    Çfarë të bëni kur bimët fillojnë të dëmtohen gjatë sezonit të ngrohjes?

    Nëse vëreni se gjethet bien ose bima duket e dobët, nuk ka arsye për panik.

    “Kjo shpesh është e kthyeshme. Në situata të tilla, duhet të prisni pjesët e dëmtuara dhe ta vendosni bimën në një zonë me kushte më stabile, larg burimeve të nxehtësisë. Spërkatja e rregullt për një ose dy javë mund të ndihmojë bimën të rimarrë forcën”, qartëson Kay. /Telegrafi/

     

  • Zelensky kërkon sisteme të mbrojtjes ajrore pas sulmeve të reja ruse

    Zelensky kërkon sisteme të mbrojtjes ajrore pas sulmeve të reja ruse

    Të paktën tre persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pasi Rusia sulmoi Ukrainën me 36 raketa dhe pothuajse 600 dronë, tha më 29 nëntor presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

    Caqet kryesore të sulmeve gjatë natës ishin infrastruktura energjetike dhe objekte civile, tha udhëheqësi ukrainas.

    Zelensky gjithashtu foli për dëme të mëdha dhe zjarre në ndërtesa banimi në Kiev dhe rrethinat e tij, dhe përsëriti thirrjen për aleatët e Ukrainës që të forcojnë mbrojtjen e saj ajrore.

    “Duhet të punojmë pa humbur asnjë ditë për të siguruar që të ketë mjaft raketa për sistemet tona të mbrojtjes ajrore, dhe që gjithçka e nevojshme për mbrojtjen tonë dhe për presion ndaj Rusisë të jetë në vend”, shkroi Zelensky në X.

    Ai përsëri bëri thirrje që Bashkimi Evropian të përdorë asetet e ngrira ruse, në vlerë prej miliarda, që gjenden në Belgjikë, nëse Moska nuk ndalon sulmet.

    Zelensky po ashtu theksoi se janë të nevojshme bisedime me të gjithë partnerët për të ndalur luftën. Ukraina aktualisht po zhvillon bisedime me Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane për të arritur një marrëveshje paqeje me Rusinë.

    Pritet gjithashtu që përfaqësues të SHBA-së të jenë në Moskë në gjysmën e parë të javës së ardhshme për negociata mbi një plan të propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, njofton rel.

    Dokumenti fillimisht përmbante 28 pika. Pas bisedimeve në Gjenevë, propozime nga Ukraina dhe BE-ja janë përfshirë në dokument, të cilat, sipas Kremlinit, i janë paraqitur gjithashtu Rusisë për shqyrtim.

    Ndërkaq, të paktën dy persona u vranë dhe 29 të tjerë u plagosën në sulmet ruse gjatë natës mbi kryeqytetin ukrainas, Kiev, tha Ministria e Brendshme të shtunën.

    Në fillim të kësaj jave, sulme të ngjashme gjatë natës lanë të vrarë shtatë persona, tha kryetari i Kievit, Vitali Klitschko.

    Ministria e Energjisë e Ukrainës përshkroi sulmet e fundit si një “sulm të madh të kombinuar” mbi infrastrukturën energjetike të vendit. Sipas të dhënave zyrtare, 500.000 persona në kryeqytetin ukrainas janë aktualisht pa energji elektrike.

    Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se, përveç infrastrukturës energjetike, janë sulmuar edhe fabrika të armëve. Këto, sipas saj, ishin përgjigje ndaj sulmeve ukrainase ndaj objektivave ruse.

    Sipas Ministrisë, mbrojtja ajrore ruse ka rrëzuar 158 dronë ukrainas brenda 24-orësh. Si zakonisht, Ministria ruse nuk dha asnjë informacion mbi dëmet e shkaktuara.

  • Gjermania harton plan sekret lufte: Dokumenti 1.200 faqesh mobilizon 800 mijë trupa kundër kërcënimit rus

    Gjermania harton plan sekret lufte: Dokumenti 1.200 faqesh mobilizon 800 mijë trupa kundër kërcënimit rus

    Gjermania ka hartuar një plan sekret ushtarak prej 1.200 faqesh, të quajtur OPLAN DEU, për përgatitjen ndaj një konflikti të mundshëm me Rusinë. Dokumenti parashikon mobilizimin e deri në 800 mijë trupave gjermane, amerikane dhe të NATO-s në frontin lindor, raportojnë mediat gjermane.

    Sipas informacioneve, hartimi i planit ka nisur rreth dy vjet e gjysmë më parë në bazën ushtarake Julius Leber në Berlin, ku 12 oficerë të lartë kanë punuar konfidencialisht në simulimin e një skenari lufte. Tani, ai plan po testohet përmes ushtrimeve praktike në të gjithë Gjermaninë.

    Dokumenti detajon rrugët e transportit për trupa dhe pajisje, përfshirë porte, lumenj, hekurudha dhe autostrada. Për shkak të pozitës gjeografike dhe barrierave natyrore si Alpet, ekspertët theksojnë se çdo përforcim i NATO-s drejt lindjes duhet të kalojë përmes Gjermanisë, duke e bërë atë qendrën kryesore logjistike të aleancës.

    Plani bazohet në një qasje të re “të gjithë shoqërisë”, që bashkon sektorin civil dhe atë ushtarak, duke ruajtur elemente të doktrinave të Luftës së Ftohtë, por të adaptuara me sfidat e sotme, si infrastruktura e dëmtuar dhe kapacitetet më të vogla ushtarake.

    Zyrtarët gjermanë vlerësojnë se Rusia mund të arrijë kapacitet të plotë për të sulmuar një vend të NATO-s rreth vitit 2029, por paralajmërojnë se veprimet e fundit të Kremlinit – spiunazhi, sabotimet dhe shkeljet e hapësirës ajrore – tregojnë se rreziku mund të vijë edhe më herët. Analistët shtojnë se një armëpushim i përkohshëm në Ukrainë do t’i jepte Moskës mundësi të zhvendoste fokusin drejt vendeve të Evropës Lindore.

    Ushtrimet e fundit në Gjermaninë lindore përfshinë ngritjen e një kampi të përkohshëm për 500 ushtarë nga kompania Rheinmetall brenda 14 ditësh. Stërvitjet evidentuan pengesa të mëdha, si terreni i papërshtatshëm, nevoja për semaforë të rinj përgjatë korridoreve ushtarake dhe vështirësi në lëvizjen e mjeteve të rënda.

    Infrastruktura gjermane, dikur shtyllë kyçe e operacioneve të Luftës së Ftohtë, është rënduar ndjeshëm: 20% e autostradave kanë nevojë për riparime, një e katërta e urave nuk përballojnë më ngarkesat ushtarake, ndërsa portet në Detin e Veriut dhe Baltik kërkojnë rreth 15 miliardë euro investime.

    Rreziqet janë theksuar edhe nga incidente të fundit, si përplasja e anijes holandeze Rapida me një urë në lumin Hunte, që bllokoi transportin e municioneve për Ukrainën. Përveç kësaj, ligjet strikte për mbrojtjen e të dhënave, rregulloret e vjetra dhe kufizimet për fluturimin e dronëve në zona urbane po e vështirësojnë reagimin ushtarak në kohë reale.

    Gjatë ushtrimit “Red Storm Bravo” në Hamburg, një konvoj me 65 mjete dhe 500 ushtarë u përball me protesta të simuluara dhe sulme me dronë, duke shkaktuar vonesa të paparashikuara – një tregues i kompleksitetit të operacioneve në terren.

    Kancelari gjerman Friedrich Merz ka paralajmëruar se Evropa po hyn në një epokë të re pasigurie.

    “Kërcënimet janë reale. Nuk jemi në luftë, por nuk jetojmë më në paqe”, ka thënë ai.

    Edhe pse sekret, OPLAN DEU përshkruhet si një plan për transformimin e Gjermanisë në një shtet të gatshëm për çdo skenar lufte, duke ndërthurur logjistikën, infrastrukturën civile, ushtrinë dhe bashkëpunimin me NATO-n. Zyrtarët theksojnë se qëllimi i tij kryesor mbetet parandalimi.

    “Duam t’i tregojmë kundërshtarit se një sulm nuk do të ketë sukses”, thonë ata.

     

  • Përmbytje vdekjeprurëse në Indonezi: Numri i viktimave arrin në 248, mbi 100 persona ende të zhdukur

    Përmbytje vdekjeprurëse në Indonezi: Numri i viktimave arrin në 248, mbi 100 persona ende të zhdukur

    Indonezia po përballet me një prej fatkeqësive më të rënda të viteve të fundit, pasi shirat musonikë kanë shkaktuar përmbytje masive, rrëshqitje dheu dhe një tërmet që ka goditur zonat malore të Sumatrës.

    Tragjedia ka përfshirë qindra komunitete, duke lënë pas shifra që rriten nga ora në orë.

    Të paktën 248 persona kanë humbur jetën, ndërsa mbi 100 të tjerë konsiderohen të zhdukur pas përmbytjeve vdekjeprurëse në provincën e Sumatrës Veriore.

    Shirat e dendur gjatë javës së kaluar kanë bërë që lumenjtë të dalin nga shtrati dhe të përmbytin fshatra të tëra. Rrjedhat e fuqishme të ujit kanë rrëmbyer njerëz, kanë shkatërruar shtëpi dhe mijëra ndërtesa, ka njoftuar Agjencia Kombëtare e Menaxhimit të Fatkeqësive.

    Ekipet e shpëtimit po përballen me sfida të mëdha. Rrugët e dëmtuara dhe komunikimet e ndërprera kanë izoluar disa zona, duke e bërë të vështirë depërtimin në vendet ku situata është më kritike. Autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet, pasi shumë zona ende janë të paarritshme.

    Pamjet nga terreni tregojnë ekipe shpëtimi që ecin në baltë deri në bel, ndërsa qindra policë, ushtarë dhe banorë lokalë kërkojnë nën rrënoja me duar të zhveshura dhe lopata. Përpjekjet po vështirësohen nga shirat e pandalshëm.

    Ndihmat po dërgohen me aeroplanë drejt distriktit më të goditur, Tapanuli Qendror, ndërsa dëme të mëdha janë raportuar edhe në Agam të Sumatrës Perëndimore, ku të paktën 76 persona kanë humbur jetën.

  • 26 aksidente me të lënduar gjatë 24 orëve të fundit, Policia shqipton mbi 1 mijë gjoba

    26 aksidente me të lënduar gjatë 24 orëve të fundit, Policia shqipton mbi 1 mijë gjoba

    Mosrespektimi i rregullave të komunikacionit është një ndër arsyet e aksidenteve të shumta që po ndodhin çdo ditë. E një prej mënyrave të zakonshme për parandalimin e këtyre aksidenteve, është gjobitja e atyre që shkelin rregullat në trafik, shkruan Gazeta Sinjali.

    Statistikat tregojnë se mijëra gjoba shqiptohen çdo ditë në vendin tonë.

    Policia ka bërë të ditur se 1231 gjoba janë shqiptuar vetëm gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë.

    Gjatë këtyre 24-orëve, janë raportuar gjithsejt 52 aksidente, 26 prej tyre me persona të lënduar dhe 26 vetëm me dëme materiale.

    Po ashtu, Policia e Kosovës ka arrestuar 17 persona, 10 janë dërguar në mbajtje.

     

  • Zgjedhjet e 28 dhjetorit, Agim Veliu kërkon të jetë pjesë e listës së LDK-së: Përfshirja ime s’është favor personal

    Zgjedhjet e 28 dhjetorit, Agim Veliu kërkon të jetë pjesë e listës së LDK-së: Përfshirja ime s’është favor personal

    Agim Veliu, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka komentuar diskutimet që janë bërë rreth emrit të tij për të qenë pjesë e listës së kësaj partie për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Për këtë, Veliu ka falënderuar ata që kanë ngritur zërin për kontributin e tij në LDK, si dhe, ‘’për kthimin e drejtësisë dhe meritokracisë brenda’’ kësaj partie.

    Ai, nëpërmjet kësaj letre, ka shprehur gatishmërinë për t’u përfshirë në listën zgjedhore për deputet, duke theksuar se një gjë e tillë nuk është privilegj personal.

    Postimi i plotë i Veliut:

    Të dashur qëndrestarë, anëtarë dhe simpatizantë

    Ditëve të fundit kam parë një debat të gjerë në media, nga anëtarësia dhe shumë aktivistë të LDK-së lidhur me përfaqësimin në listën zgjedhore të 28 dhjetorit.

    Dua t’i falënderoj të gjithë ata që me sinqeritet e bindje kanë ngritur zërin për kontributin tim dhe për kthimin e drejtësisë dhe meritokracisë brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Është e vërtetë se edhe në zgjedhjet e kaluara ka ekzistuar pritja që të jem pjesë e listës. Por, pavarësisht vendimeve të padrejta e të dëmshme të asaj kohe, unë kam vazhduar të qëndroj aty ku kam qenë gjithmonë, në shërbim të LDK-së, të qytetarëve dhe të vlerave që kemi kultivuar për më shumë se tri dekada.

    Dua ta theksoj qartë se përfshirja në listë nuk është favor dhe as privilegj personal. Për mua dhe për secilin që ka dhënë kontribut të gjatë në LDK, është vetëm përgjegjësi dhe vazhdimësi e punës së bërë me përkushtim, është respekt ndaj historisë sonë dhe ndaj qytetarëve që na kanë besuar për shumë vite.

    LDK është shtëpia jonë e përbashkët. Ajo është ndërtuar me mund, sakrificë dhe besnikëri nga njerëzit që ishin aty kur ishte më së vështiri dhe që vazhdojnë të jenë aty edhe sot.

    Prandaj, është e domosdoshme që dera të mos u hapet atyre që nuk kanë qenë pjesë e LDK-së, nëse kjo do të ishte arsyeja të lihen jashtë ata që e kanë themeluar, e kanë mbrojtur dhe e kanë mbajtur gjallë partinë për më shumë se 30 vite.

    Respekti për bazën, për themeluesit dhe për kontribuesit afatgjatë nuk është vetëm parim, është detyrim moral dhe institucional ndaj LDK-së, ndaj anëtaresisë dhe ndaj qytetarëve që na besojnë.

    Pavarësisht debateve të ditëve të fundit, unë mbetem i përkushtuar ndaj vlerave të LDK-së, i gatshëm ta jap kontributin tim dhe besnik ndaj secilit anëtar që e ka dashur dhe e do partinë si shtëpinë e vet.

    Faleminderit për vlerësimin, mbështetjen dhe besimin që vazhdoni të ma jepni!

    Zoti e bekoftë LDK-në!

    Zoti e bekoftë Rugovën!

    Zoti e bekoftë Kosovën!

  • Janina Ymeri në listën e LDK-së për Kuvend

    Janina Ymeri në listën e LDK-së për Kuvend

    Janina Ymeri do të jetë pjesë e listës së LDK-së për zgjedhjet e Kuvendit të Kosovës që do të mbahen me 28 dhjetor.

    Këtë e ka bërë të ditur kryetari i LDK-së, Lumri Abdixhiku i cili teka fletë për vlerat e shumta të saj thekson faktin që ajo shpalosi së fundmi një skandal energjetik.

    Postimi i plotë i Abdixhikut:

    Janina në listë për Kuvend!

    Janina Ymeri këto ditë është shndërruar në pasqyrimin më të denjë të aktivistes politike. Si veprimtare e LDK-së, ajo shpalosi skandalin e madh të mafias energjetike dhe milionat e qytetarëve të Kosovës që përfunduan në llogaritë e Vuk Hamovićit – të birit të ish-shefit të Armatës Jugosllave Rade Hamović.

    Vukvendosje – siç i dha epitet me të drejtë ajo, shërfaqë më së miri mashtrimin popullist që ndodhë sot. Njërën dorë të shtrirë tek mafia energjetike dhe milionat e popullit të Kosovës që shkojnë aty( tjetrën me gisht ndaj patriotëvë të vendit për tradhëti. Trushpëlarja kështu duket.

    Janina, e vetme, ngriti zërin, kërkoi llogari dhe artikuloi me fakte se si rrjetet korruptive në sektorin energjetik po kapnin institucionet e vendit tonë. Pa frikë. Pa hezitim. Pa kalkulim.

    Janina Ymeri përfaqëson më së miri aktivisten politike të kohës sonë: atë që nuk e tremb pushteti; atë që nuk e blen propaganda; atë që nuk e hesht padrejtësia. Ajo vjen në politikë nga beteja e së vërtetës. Nga përballja me korrupsionin.Nga përkushtimi i sinqertë për interesin publik.

    LDK është shtëpia e njerëzve të tillë; të drejtë, të guximshëm, profesionalë. Njerëzve që nuk e përdorin politikën për vete, por për vendin.

    Prandaj jam i lumtur t’ju njoftoj se Janina Ymeri do të jetë pjesë e listës sonë për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ajo ka treguar se si duket aktivisti i vërtetë: me fakte, me integritet dhe me vizion për një shtet ligjor.

    E tani është koha që ky integritet të përfaqësohet në Kuvend.

  • Laura Fazliu në repesazh, mbetet në garë për medaljen e bronztë në Abu Dabi

    Laura Fazliu në repesazh, mbetet në garë për medaljen e bronztë në Abu Dabi

    Laura Fazliu po merr pjesë sot në Grand Slamin e xhudos në Abu Dabi, duke garuar në kategorinë deri 63 kilogramë.

    Në raundin e parë, Laura ishte e lirë, ndërsa në raundin e dytë arriti të mposhtë Yeji Kim nga Koreja e Jugut, duke fituar me Ippon pas rreth dy minutash luftë.

    Në çerekfinale, ajo u përball me Enkhriilen Lkhagvatogoo nga Mongolia.

    Lufta ishte e barabartë, por një moment pakujdesie i kushtoi dhe Mongolja arriti të fitojë me Yuko, duke kaluar në gjysmëfinale.

    Laura në repasazh ku do të ndeshet me Lubjana Piovesana nga Austria.

  • Moldavia mbyll përkohësisht hapësirën ajrore për shkak të dronëve

    Moldavia mbyll përkohësisht hapësirën ajrore për shkak të dronëve

    Moldavia, që gjendet në kufi me Ukrainën, mbylli hapësirën e saj ajrore për një orë gjatë natës, pas inkursionit të dronëve të rinj, tha Ministria e Mbrojtjes më 29 nëntor.

    Ky shtet i vogël që gjendet në kufi me Ukrainën e shkatërruar nga lufta dhe me Rumaninë, vend anëtar të NATO-s, vazhdimisht është përballur me shkelje të hapësirës ajrore që kur Moska nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

    Incidenti i fundit vjen pasi Moldavia raportoi më herët këtë javë se një dron ishte rrëzuar në territorin e saj, teksa gjithsej gjashtë dronë që kishin kaluar hapësirën e saj ajrore.

    Hapësira ajrore e Moldavisë “u mbyll përkohësisht për rreth një orë e 10 minuta, mes orës 22:43 dhe 23:53, si masë emergjente, pasi dy dronë të paidentifikuar fluturuan ilegalisht mbi territorin kombëtar, duke krijuar një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e aviacionit”, tha Ministria e Mbrojtjes në një komunikatë për media të shtunën.

    Ajo shtoi se dronët e tipit Gerbera nuk ishin zbuluar nga radarët e Moldavisë, por inkursioni i tyre ishte “konfirmuar nga autoritetet kufitare ukrainase”.

    “Nuk janë identifikuar objekte, copëza apo elemente që paraqesin rrezik për popullsinë dhe të dy dronët janë larguar nga hapësira ajrore kombëtare, duke u futur thellë në territorin ukrainas”, tha Ministria e Brendshme, njofton rel.

    Megjithatë, tha ajo, dy avionë që po vinin drejt Kishinievit nga Parisi dhe Barcelona gjatë mbylljes së hapësirës ajrore devijuan fluturimet drejt Rumanisë.

    Një tjetër aeroplan që po përgatitej të nisej nga Kishinievi u ndalua përkohësisht.

    “Moldavia i dënon fuqishëm këto veprime të paligjshme dhe të rrezikshme, të cilat vunë në rrezik sigurinë e fluturimeve civile dhe jetët njerëzore”, tha Ministria e Mbrojtjes, duke i cilësuar shkeljet si “akte armiqësore të frikësimit dhe destabilizimit”.

    Të mërkurën, Moldavia thirri ambasadorin rus në bisedë për shkak të rrëzimit të një droni, ndërsa vendosi dronin e rrëzuar para Ministrisë së Jashtme dhe i dorëzoi atij një notë proteste.