ATV

Author: G.O.

  • Sot në Shkup mbahet protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, pritet pjesëmarrja e rreth 20 mijë qytetarëve

    Sot në Shkup mbahet protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, pritet pjesëmarrja e rreth 20 mijë qytetarëve

    Protesta e radhës kundër padrejtësive të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të mbahet sot në Shkup, në ora 13:00.

    Edhe kjo protestë ka mobilizuar shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë dhe trevave të tjera shqiptare.

    Një ditë para protestës, shumë politikanë kanë bërë thirrje që shqiptarët të marrin pjesë, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së dinjitetit dhe të së vërtetës historike.

    Një thirrje të tillë ka bërë edhe lideri i shqiptarëve të Maqedonisë, Albi Ahmeti.

    Në profilin e tij në “Facebook”, ai shkroi se nesër Shkupi do t’i bashkojë të gjithë shqiptarët.

    “Nesër, më 13 dhjetor, në orën 13:00, në Sheshin ‘Skënderbeu’ në Shkup, bashkohemi për një qëllim të qartë: kërkesën për drejtësi dhe hedhjen poshtë të akuzave të fabrikuara të Serbisë dhe Rusisë”, tha Ahmeti.

    Ai vlerësoi se emri i UÇK-së do të mbetet gjithmonë pjesë e identitetit dhe dinjitetit kombëtar.

    “Ne dalim me përgjegjësi, për të nderuar sakrificën dhe për të mbrojtur të vërtetën e historisë sonë. Liria ka emër, UÇK. Dhe ky emër mbetet pjesë e identitetit dhe dinjitetit tonë kombëtar. Ju ftoj të gjithëve që nesër të jemi bashkë”, shtoi ai.

    Mbështetje kësaj proteste i dha edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili shkroi: “Gjithmonë në përkrahje të luftës së drejtë çlirimtare!”

    Ndërsa ish-kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, bëri thirrje për pjesëmarrje të gjerë qytetare në protestën gjithëkombëtare që do të mbahet më 13 dhjetor, në ora 13:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Shkup, në mbrojtje të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

    Në një postim në Facebook, Krasniqi theksoi se pas Prishtinës dhe Tiranës, Shkupi do të jetë qendra e radhës ku shqiptarët do të ngrejnë zërin për drejtësi.

    “Pas Prishtinës dhe Tiranës, këtë të shtunë, jehona për drejtësi e shqiptarëve do të ngrihet fuqishëm edhe në Shkup. Më 13 dhjetor, në ora 13:00, në Sheshin ‘Skënderbeu’, bashkohen zërat nga të gjitha trojet për të mbrojtur dinjitetin, të vërtetën dhe luftën e drejt të UÇK-së”, shkroi ai.

    Krasniqi e cilësoi protestën si një kauzë të përbashkët të shqiptarëve kudo që jetojnë: “Një protestë gjithëkombëtare, një kauzë e përbashkët. Drejtësi dhe liri për çlirimtarët!”

    Ndërsa kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, foli për protestën e nesërme kundër Gjykatës Speciale dhe bëri me dije se janë bërë të gjitha përgatitjet për këtë tubim.

    Gucati tha se në protestë pritet të marrin pjesë rreth 20 mijë qytetarë.

    “Interesimi është shumë i madh nga qytetarët e Kosovës, sidomos nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Ne presim numër të madh protestuesish, rreth 20.000 nga të dy shtetet, megjithëse interesi më i madh vjen nga Kosova”, theksoi ai.

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ditë më parë ka deklaruar se nuk e mbështet këtë protestë, por ka siguruar se institucionet do të kujdesen që gjithçka të zhvillohet sa më mirë dhe pa incidente.

    Para kësaj proteste, OVL-UÇK ka mbajtur protesta edhe në Hagë, Tiranë, Strasbourg dhe Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po gjykohen në Gjykatën Speciale për krime që pretendohet se janë kryer gjatë luftës në Kosovë.

  • Hyrja në Vushtrri në drejtimin për Prishtinë bllokohet sot për gjashtë orë

    Hyrja në Vushtrri në drejtimin për Prishtinë bllokohet sot për gjashtë orë

    Sot hyrja në Vushtrri nga drejtimi i Prishtinës do të jetë e mbyllur për gjashtë orë.

    Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Mjedisit, Hysni Durmishi, ka njoftuar se hyrja në Vushtrri nga segmenti Smrekonicë – hyrja në Vushtrri, në drejtim të Prishtinës, do të jetë e mbyllur nga ora 08:00 deri në 14:00, për shkak të asfaltimit të bypass-it.

    “Të dashur qytetarë, nesër, më 13.12.2025, për shkak të asfaltimit të bypass-it të Vushtrrisë, segmenti Smrekonicë – hyrja në Vushtrri (drejtimi për Prishtinë) do të jetë i mbyllur nga 08:00 – 14:00”, ka shkruar Durmishi në Facebook.

    Ai ka kërkuar nga qytetarët që të përdorin rrugë alternative për lëvizje brenda qytetit të Vushtrrisë.

  • Ministri i Jashtëm i Libanit: Kemi paralajmërime për sulm të madh izraelit ndaj Hezbollahut

    Ministri i Jashtëm i Libanit: Kemi paralajmërime për sulm të madh izraelit ndaj Hezbollahut

    Ministri i Jashtëm i Libanit, Youssef Rajji, ka thënë se vendi i tij ka marrë paralajmërime nga palë arabe dhe ndërkombëtare se Izraeli është duke u përgatitur që të nisë një operacion të shkallës së lartë kundër Hezbollahut në Liban.

    Rajji tha se Qeveria e Libanit është në vlugun e angazhimeve intensive diplomatike për të parandaluar një operacion të tillë dhe për t’u siguruar që në shënjestër të tij nuk do të jenë personeli dhe objektet e saj, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

    Kryediplomati libanez tha më tej se kabineti qeveritar ende është duke u përpjekur që të negociojë me Hezbollahun, me shpresën se do ta bindë grupin për t’i dorëzuar armët me vetëdëshirë, duke argumentuar se ato janë dëshmuar joefikase “për mbështetjen e Gazës dhe mbrojtjen e vendit” gjatë dy viteve të fundit.

  • E rëndë: Gjendet pa shenja jete 29 vjeçarja në Prishtinë, dyshohet se ishte me grip ditë më parë

    E rëndë: Gjendet pa shenja jete 29 vjeçarja në Prishtinë, dyshohet se ishte me grip ditë më parë

    Një ngjarje e rëndë është raportuar pasditen e djeshme në Prishtinë, ku një grua e re është gjetur pa shenja jete në banesën e saj, në rrugën “Ismet Jashari”, mëson Gazeta Sinjali.

    Sipas informatave të para, rreth orës 15:00 Policia ka pranuar njoftim për një person të dyshuar të vdekur. Njësitë policore kanë dalë në vendngjarje, ku kanë hasur G. Sh, rreth 29-vjeçare të shtrirë në tokë. Në lokacion ka intervenuar edhe ekipi i emergjencës, i cili ka konstatuar vdekjen e saj.

    Burimet bëjnë të ditur se viktima dyshohet se kishte qenë me grip disa ditë më parë dhe kishte marrë tretman mjekësor në shtëpi. Në vendngjarje është intervistuar edhe një familjare e saj, e cila ka dhënë deklaratë lidhur me gjendjen shëndetësore të së ndjerës ditët e fundit.

    Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore, të cilët kanë tërhequr trupin e pajetë për ekzaminim të mëtejmë.

    Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat e plota që çuan në këtë rast tragjik.

  • Dy të mitur nën hetim në Gjilan për mashtrim dhe keqpërdorim të kartelave bankare

    Dy të mitur nën hetim në Gjilan për mashtrim dhe keqpërdorim të kartelave bankare

    Njësia e Hetimeve Rajonale në Gjilan, përkatësisht Ekipi i Krimeve Kibernetike, me autorizim të Prokurorit të Shtetit, ka zhvilluar veprime intensive hetimore lidhur me një rast të dyshimit për disa vepra të rënda penale financiare.

    Sipas informatave, hetimet kanë të bëjnë me dy të mitur, A.M., rreth 17-vjeçar dhe E.S., rreth 16-vjeçar, të cilët dyshohet se gjatë periudhës shtator 2025 deri më 6 tetor 2025, përmes mashtrimit kanë keqpërdorur të dhëna bankare të disa qytetarëve, me qëllim përfitimi material të kundërligjshëm.

    Më 8 dhjetor 2025, me autorizim të Prokurorit të Shtetit, janë iniciuar veprime fillestare hetimore për veprën penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorimi i kartelave bankare apo kreditit”. Gjatë procedurës janë siguruar prova të besueshme që ngritin dyshimin se të dy të miturit kanë qenë të përfshirë edhe në “Mashtrim” dhe “Shpërdorim të pasurisë”.

    Më 11 dhjetor 2025, me autorizim të Prokurorit të Shtetit, janë kryer kontrolle në dy lokacione të ndara në Gjilan, ku janë sekuestruar prova materiale që forcojnë më tej bazën e dyshimit ndaj të dyshuarve.

    Pas arrestimit, të miturit janë intervistuar në përputhje me procedurat ligjore për të mitur, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 24 orë.

    Rasti është duke u hetuar nga Ekipi i Krimeve Kibernetike, ndërsa hetimet pritet të zgjerohen edhe ndaj rasteve të tjera të mundshme të keqpërdorimit financiar.

  • Gjykata Kushtetuese rikthen në detyrë zëvendëskryeministren e Shqipërisë, Belinda Ballukun

    Gjykata Kushtetuese rikthen në detyrë zëvendëskryeministren e Shqipërisë, Belinda Ballukun

    Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë dhe të kthejë në detyrë zv.kryeministren e Shqipërisë, Belinda Balluku, pasi mori në shqyrtim ankimin e Kryeministrit Edi Rama kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme.

    Me shumicë votash, pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, sipas nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës. Vendimi i pezullimit do të dërgohet për botim në Fletoren Zyrtare.

    Vendimi i Gjykatës Kushtetuese

    Gjykata e Posaçme dha dy masa sigurie për Ballukun pasi e mori të pandehur, pezullim nga detyra dhe ndalim i daljes jashtë vendit. Qeveria thotë se pezullimi është ndërhyrje në kompetencat e Ekzekutivit dhe kërkon shfuqizimin e kësaj mase.

    Balluku u mor e pandehur për procedurat në tenderin e tunelit të Llogarasë dhe është nën hetim për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe.

  • Policia dhe Ambasada amerikane nisin ushtrimin e përbashkët, kërkohet mirëkuptim nga qytetarët

    Policia dhe Ambasada amerikane nisin ushtrimin e përbashkët, kërkohet mirëkuptim nga qytetarët

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ushtrimi i përbashkët i planifikuar të realizohet sot në orët e mbrëmjes (15:00 -21:00), së bashku me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, tani veçse ka filluar dhe është në fazën fillestare.

    Varësisht nga informacionet dhe skenarët e përgatitur në ushtrim, do të kyçen njësitë policore, duke filluar nga njësitë patrulluese të rendit publik, njësitë e reagimit të shpejtë e deri te njësitë elite speciale të profileve të ndryshme, të cilat do të përdorin mjetet dhe pajisjet e nevojshme logjistike, për veprime policore varësisht nga situata dhe rrethanat e paraqitura.

    “Kërkojmë bashkëpunim dhe mirëkuptim të plotë nga qytetarët e në veçanti nga pjesëmarrësit në trafik, që në këtë kohë të shmangin qarkullimin në zonën përreth Ambasadës Amerikane në Prishtinë – lagjja Arbëria, për shkak të zhvillimit të ushtrimit dhe ndërprerjes së qarkullimit të përkohshëm të disa segmenteve rrugore në atë zonë’, ka njoftuar Policia e Kosovës.

  • Ushtarët amerikanë të KFOR-it kryejnë trajnime për neutralizimin e dronëve

    Ushtarët amerikanë të KFOR-it kryejnë trajnime për neutralizimin e dronëve

    Në kuadër të misionit të KFOR-it, ushtarët amerikanë kanë kryer trajnime të specializuara për neutralizimin e dronëve.

    Sipas KFOR-it, këto ushtrime synojnë të rrisin efektivitetin e misionit përballë sfidave të reja të sigurisë.

    “Ushtarët amerikanë nga Komanda Rajonale Lindje nga misioni KFOR i udhëhequr nga NATO-ja së fundmi kanë kryer trajnime të specializuara për përmirësimin e aftësisë së tyre për të zbuluar, ndjekur dhe neutralizuar dronët – një aftësi gjithnjë e më esenciale në mjedisin e sotëm të sigurisë”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.

    Sistemet e përdorura gjatë trajnimeve përfshijnë mjete që ndërhyjnë në funksionimin e dronëve:

    “Sistemi prish frekuencën e kontrollit të dronit, duke e detyruar atë të kthehet te operatori i tij, dhe gjithashtu mund të ndërhyjë në sinjalet GPS/GNSS, duke bërë që droni të qëndrojë pezull, të ulet ose të rrëzohet”.

    KFOR-i thekson se këto ushtrime forcojnë aftësitë teknike të ushtarëve, duke nxjerrë në pah rëndësinë e koordinimit, punës ekipore dhe përshtatshmërisë në përballimin e kërcënimeve ajrore në zhvillim.

    “Këto ushtrime forcojnë aftësinë teknike duke theksuar koordinimin, punën ekipore dhe përshtatshmërinë në përgjigje të kërcënimeve ajrore në zhvillim. KFOR-i i zotëron këto aftësi dhe i ka përdorur tashmë ato në skenarë operacionalë, duke rritur efektivitetin e misionit në adresimin e sfidave të reja të sigurisë”.

  • Paralajmëron Rutte: Rusia mund të sulmojë një vend të NATO-s brenda pesë viteve

    Paralajmëron Rutte: Rusia mund të sulmojë një vend të NATO-s brenda pesë viteve

    Rusia mund të sulmojë një vend të NATO-s brenda pesë viteve të ardhshme, ka paralajmëruar shefi i aleancës ushtarake perëndimore në një deklaratë të bërë gjatë vizitës së tij në Berlin.

    “Rusia tashmë po rrit fushatën e saj të fshehtë kundër shoqërive tona,” tha Mark Rutte në një fjalim në Gjermani.

    “Ne duhet të jemi të përgatitur për shkallën e luftës që kanë përjetuar gjyshërit ose stërgjyshërit tanë” – tha ai.

    Ai përsëriti deklaratat e ngjashme të bëra nga agjencitë perëndimore të inteligjencës për qëllimet e Rusisë, të cilat Moska i hedh poshtë si histeri.

    Paralajmërimi i Rutte-s vjen ndërsa presidenti amerikan Donald Trump po përpiqet t’i japë fund pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, i nisur në shkurt 2022.

    Më herët këtë muaj, presidenti rus Vladimir Putin tha se vendi i tij nuk planifikon të shkojë në luftë me Evropën, por është “i gatshëm menjëherë” nëse Evropa e dëshiron – ose e nis një luftë.

    Por siguri të ngjashme janë dhënë nga Moska edhe në vitin 2022, pak para se 200,000 trupat ruse të kalonin kufirin dhe të pushtonin Ukrainën.

    Putin ka akuzuar vendet evropiane për pengimin e përpjekjeve të SHBA-së për të sjellë paqe në Ukrainë – një referencë ndaj rolit të aleatëve evropianë të Ukrainës, të cilët së fundmi kanë tentuar të ndryshojnë një plan paqeje të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës, drafti fillestar i të cilit shihej si favorizues për Rusinë.

    Por Putin nuk ishte i sinqertë, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s në kryeqytetin gjerman, Berlin.

    Mbështetja për Ukrainën, shtoi ai, është një garanci për sigurinë evropiane.

    “Vetëm imagjinoni nëse Putini do ta arrinte qëllimin e tij; Ukraina nën çizmen e pushtimit rus, forcat e tij duke shtyrë përreth një kufiri edhe më të gjatë me NATO-n, dhe rreziku dukshëm i rritur i një sulmi të armatosur kundër nesh.”

  • FSK shënon një tjetër arritje: Kadeti Dakaj përfundon trajnimin në Sandhurst

    FSK shënon një tjetër arritje: Kadeti Dakaj përfundon trajnimin në Sandhurst

    Ambasada Britanike në Kosovë ka njoftuar se kadeti i FSK-së, Gent Dakaj, ka përfunduar me sukses trajnimin në Akademinë Mbretërore Ushtarake Sandhurst në Britani të Madhe.

    Dakaj është nderuar me Medaljen Sandhurst, e cila iu dorëzua nga gjeneralmajori Nick Cowley, komandant i Komandës së Trajnimit Individual të Ushtrisë.

    “Jemi krenarë për këtë arritje të FSK-së,” theksoi Ambasada, duke i uruar suksese Dakajt në karrierën e tij të ardhshme.

    Ky është një tjetër sukses që thekson bashkëpunimin e ngushtë mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në fushën e sigurisë dhe trajnimit ushtarak.