ATV

Author: G.O.

  • Horoskopi i 17 dhjetorit: Çfarë parashohin yjet për ju?

    Horoskopi i 17 dhjetorit: Çfarë parashohin yjet për ju?

    Dashi

    Do të jetë një ditë dinamike dhe vendimtare. Do të ndihesh i shtyrë të marrësh iniciativa, sidomos në punë. Kujdes me impulsivitetin në komunikim. Në dashuri, kërkohet më shumë durim.

    Demi

    Qetësia dhe stabiliteti janë pikat e tua të forta sot. Është një ditë e mirë për çështje financiare dhe planifikime afatgjata. Në marrëdhënie, një bisedë e sinqertë sjell qartësi.

    Binjakët

    Komunikimi është arma jote më e fortë. Takime, telefonata apo mesazhe të rëndësishme mund të sjellin një mundësi të re. Në dashuri, shmang keqkuptimet duke folur hapur.

    Gaforrja

    Ndjeshmëria është e lartë, por edhe intuita. Besoji ndjenjave të tua, sidomos në çështjet familjare. Në punë, mos u tërhiq nga përgjegjësitë, rezultatet do të vijnë.

    Luani

    Dita sjell vëmendje dhe protagonizëm. Mund të marrësh një vlerësim apo lajm të mirë profesional. Në dashuri, je magnetik, por mos kërko gjithmonë të kesh fjalën e fundit.

    Virgjëresha

    Një ditë ideale për organizim dhe rregullime. Çështje që kanë mbetur pezull mund të marrin zgjidhje. Në jetën personale, mos u trego shumë kritik, lejo edhe spontanitetin.

    Peshorja

    Balanca është çelësi i ditës. Mund të gjendesh mes dy zgjedhjeve, por një vendim i matur do të sjellë qetësi. Në dashuri, kërkohet kompromis dhe mirëkuptim.

    Akrepi

    Intensiteti emocional është i fortë. Sekrete apo të vërteta mund të dalin në dritë. Në punë, një strategji e zgjuar të çon përpara. Në dashuri, pasioni është në rritje.

    Shigjetari

    Dita favorizon udhëtime, plane dhe ide të reja. Do të ndihesh optimist dhe energjik. Në marrëdhënie, sinqeriteti forcon lidhjet ekzistuese.

    Bricjapi

    Përqendrim dhe përgjegjësi. Një ditë e mirë për çështje karriere dhe vendime serioze. Në jetën personale, mos harro t’i kushtosh kohë edhe emocioneve.

    Ujori

    Ide origjinale dhe dëshirë për ndryshim. Një propozim i papritur mund të të nxjerrë nga rutina. Në dashuri, kërko më shumë liri, por pa lënduar tjetrin.

    Peshqit

    Ndjeshmëria dhe kreativiteti janë në kulm. Dita është e favorshme për art, reflektim dhe lidhje shpirtërore. Në dashuri, një gjest i vogël ka kuptim të madh.

  • Trump urdhëron bllokadë totale të cisternave të naftës venezueliane

    Trump urdhëron bllokadë totale të cisternave të naftës venezueliane

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka urdhëruar bllokadë të plotë të të gjitha cisternave të naftës të sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela.

    Vendimi u bë publik përmes një postimi në rrjetin Truth Social, ku Trump deklaroi se qeveria e presidentit venezuelian Nicolás Maduro është shpallur organizatë e huaj terroriste.

    Trump akuzoi regjimin e Maduros për vjedhje të aseteve amerikane, terrorizëm, kontrabandë droge dhe trafikim të qenieve njerëzore, duke shtuar se nafta e vjedhur përdoret për të financuar aktivitete kriminale, përfshirë vrasje dhe rrëmbime.

    “Prandaj, sot po urdhëroj një bllokadë totale dhe të plotë të të gjitha cisternave të sanksionuara të naftës që hyjnë dhe dalin nga Venezuela”, shkroi ai, duke theksuar se vendi është “plotësisht i rrethuar nga armada më e madhe e mbledhur ndonjëherë në historinë e Amerikës së Jugut”.

    Deklaratat e Trump vijnë një javë pasi SHBA-të sekuestruan një anije cisternë nafte në brigjet e Venezuelës.

    Shtëpia e Bardhë tha se anija, e quajtur Skipper, ishte e përfshirë në transport të paligjshëm të naftës dhe do të dërgohej në një port amerikan. Qeveria e Venezuelës e dënoi veprimin, me presidentin Maduro që akuzoi SHBA-të për “rrëmbim të ekuipazhit” dhe “vjedhje të anijes”.

  • Përmbyset një autobus në Iran, të paktën 13 të vdekur – mbi 12 të lënduar

    Përmbyset një autobus në Iran, të paktën 13 të vdekur – mbi 12 të lënduar

    Një autobus udhëtarësh është përmbysur, duke shkaktuar vdekjen e 13 personave dhe plagosjen e mbi një duzine të tjerëve në një autostradë në qendër të Iranit, raporton agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.

    Autobusi po udhëtonte vonë të hënën nga Isfahani drejt qytetit verilindor Mashhad, kur goditi gardhin qendror të autostradës, kaloi në korsinë e kundërt dhe u përplas me një taksi para se të përmbysej, tha policia, raporton AP, transmeton Sinjali.

    Në aksident humbën jetën njëmbëdhjetë pasagjerë të autobusit dhe dy persona që ishin në taksi, ndërsa gjashtë gra dhe shtatë burra u shtruan në spital, raporton IRNA.

    Ekipet e emergjencës, përfshirë ambulancat dhe njësitë e shpëtimit, u dërguan menjëherë në vendngjarje pas aksidentit.

    Irani ka një nga rekordet më të këqija të sigurisë rrugore në botë, me rreth 20,000 vdekje çdo vit. Ky numër i lartë i viktimave i atribuohet mosrespektimit të gjerë të ligjeve të trafikut, automjeteve të pasigurta dhe shërbimeve të pamjaftueshme të emergjencës në zonat e gjera rurale.

  • Osmani udhëton në Bruksel për samitin BE-Ballkani Perëndimor, Presidenca: Prioritet, diskutimi për heqjen e masave

    Osmani udhëton në Bruksel për samitin BE-Ballkani Perëndimor, Presidenca: Prioritet, diskutimi për heqjen e masave

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar drejt Brukselit, ku do të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor përkrah liderëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe atyre nga Ballkani Perëndimor.

    Në këtë samit do të diskutohet partneriteti ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë në procesin e zgjerimit të BE-së dhe avancimin e perspektivës evropiane të rajonit.

    Përgjatë samitit, Presidentja do të ketë takime me liderë të institucioneve të BE-së dhe do të ketë mundësi të bisedojë me liderë të tjerë pjesëmarrës lidhur me çështje me interes për Kosovën.

    Heqja e masave ndaj Kosovës dhe ecja përpara në rrugën e integrimit do të jenë prioritet gjatë diskutimeve.

    “Në agjendën e diskutimeve të Samitit përfshihen gjithashtu Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, forcimi i integrimit ekonomik me tregun e përbashkët të BE-së, si dhe çështje që lidhen me zhvillimin ekonomik, investimet dhe reformat. Po ashtu, liderët do të diskutojnë për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, përfshirë politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, përballjen me kërcënimet hibride dhe kibernetike, si dhe menaxhimin e migracionit dhe sfidat e përbashkëta rajonale dhe evropiane.”, thuhet tutje në njoftimin e Presidencës.

  • Komisioni Evropian vendos për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës

    Komisioni Evropian vendos për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë të martën se Komisioni Evropian ka vendosur për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës.

    Sipas tij, kjo është konfirmuar nga një letër prej drejtorit të përgjithshëm për zgjerim të BE-së, Gert Jan Koopman. Në një shkrim në Facebook, Bislimi ka thënë se bëhet fjalë për projekte të lidhura me programet IPA, në vlerë prej 34.6 milionë eurosh.

    Postimi i Besnik Bislimit:

    Gjatë ditës së sotme kam pranuar një letër nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, ku komunikohet se Komisioni ka vendosur për heqjen e shumicës së masave ndaj Kosovës. Bëhet fjalë për projekte të lidhura me programet IPA, në vlerë prej 34.6 milionë euro.

    Në vazhdimësi kemi insistuar për heqjen e masave. Mirëpresim hapin e radhës nga ana e BE-së, i cili duhet të vijojë sa më parë me heqje të plotë të tyre. Nuk ka më asnjë arsye që një pjesë e tyre të mbeten në fuqi, sidomos pas transferimit të pushtetit në katër komunat në veri në mënyrë ligjore dhe të qetë.

  • Bedri Hamza viziton krerët e UÇK-së në Hagë: Kosova po i pret bijtë e saj me krenari

    Bedri Hamza viziton krerët e UÇK-së në Hagë: Kosova po i pret bijtë e saj me krenari

    Kandidati për kryeministër dhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se ka vizituar në Hagë ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

    Hamza ka theksuar se i ka gjetur ata në gjendje të mirë shëndetësore dhe me moral të lartë, duke e cilësuar procesin gjyqësor si të padrejtë dhe pranë përfundimit.

    Ai ka shprehur pritshmërinë që vendimi final të jetë i drejtë dhe ka deklaruar se Kosova po i pret ata “me krenari”.

  • Mali i Zi mbyll edhe pesë kapituj në negociatat me BE-në

    Mali i Zi mbyll edhe pesë kapituj në negociatat me BE-në

    Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi më 16 dhjetor në Bruksel se Mali i Zi kurrë nuk ka qenë më afër Bashkimit Evropian (BE).

    Ajo e tha këtë pasi Mali i Zi, në Konferencën Ndërqeveritare me BE-në të martën, mbylli pesë kapituj negociues në procesin e anëtarësimit në bllokun evropian.

    Bëhet fjalë për kapitujt: 3 – Liria e lëvizjes së kapitalit dhe e ofrimit të shërbimeve; 4 – Liria e lëvizjes së kapitalit; 6 – Ligji për tregti; 11 – Bujqësia dhe zhvillimi rural dhe 13 – Peshkimi.

    Kos përsëriti qëndrimin se Mali i Zi është udhëheqësi i procesit të integrimit dhe kandidati me rezultatet më të mira, gjë që, sipas saj, “u dëshmua sot me 12 kapituj të mbyllur” nga gjithsej 33.

    “Por, duhet të jemi të sinqertë: pjesa më e vështirë ende është përpara, sepse Mali i Zi ka njoftuar se dëshiron t’i përfundojë negociatat deri në fund të vitit 2026, dhe Komisioni Evropian ju mbështet. Për ta arritur këtë, duhet të vraponi shpejt”, tha Kos.

    Zyrtarja e lartë evropiane theksoi se Mali i Zi tani duhet t’i përshpejtojë reformat.

    “Çelësi do të jenë reformat në sundimin e ligjit. Prioritet janë emërimet, për të siguruar një gjyqësor të pavarur, ku gjyqtarët mund të marrin vendime lirshëm dhe pa presion politik. Kjo nënkupton gjithashtu vazhdimin e luftës së fortë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në mënyrë që askush të mos jetë mbi ligjin”, tha Kos.

    Ajo përsëriti se Podgorica do ta ketë mbështetjen e BE-së “në çdo hap”.

    “Viti i ardhshëm do të jetë vendimtar dhe më shumë se kurrë Malit të Zi i nevojitet unitet kombëtar për të arritur qëllimin. Viti i ardhshëm mund të jetë edhe më i mirë”, u shpreh ajo.

    Kryeministri Millojko Spajiq deklaroi se Mali i Zi ka mbyllur më shumë se një të tretën e kapitujve në negociatat për anëtarësim në BE, duke e cilësuar këtë si një sukses të madh.

    Ai tha se BE-ja me Malin të Zi po fiton një anëtar të aftë të ecë krah për krah me disa shtete anëtare, edhe pse dikur ishte republika më e varfër e ish-Jugosllavisë.

    “Mali i Zi nuk do të jetë një barrë të madhe tatimore për qytetarët e BE-së”.

    Sipas tij, çdo ditë po dëshmohet se është një qëllim realist që Mali i Zi t’i mbyllë të gjitha kapitujt deri në fund të vitit 2026.

    “Ne po krijojmë kushtet që t’i përmbushim të gjitha deri në fund të vitit të ardhshëm”, tha Spajiq.

    Nga Qeveria e Malit të Zi më herët kanë përsëritur disa herë plani që 21 kapitujt e mbetur të mbyllen gjatë vitit 2026, në mënyrë që shteti të anëtarësohet në BE më 2028.

    Më herët nga Qeveria ishte bërë e ditur se janë përmbushur të gjitha kushtet për mbylljen e Kapitullit 31, i cili lidhet me politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes, por vendimi për mbylljen e tij ishte shtyrë më herët me kërkesë të Kroacisë.

    Kroacia bllokoi mbylljen e këtij kapitulli pasi Kuvendi i Malit të Zi në vitin 2024 miratoi Rezolutën për gjenocidin në Jasenovac, me iniciativë të partive proruse dhe proserbe në shumicën qeverisëse, lider i të cilave është kryetari aktual i parlamentit, Andrija Mandiq, çka Zagrebi zyrtar e vlerësoi si provokim.

    Mali i Zi i ka nisur negociatat për anëtarësim në BE në qershor të vitit 2012.

  • Dhunimi i 13-vjeçarit nga Fushë Kosova – I dyshuar një 17-vjeçar, stafi i shkollës e denoncoi rastin

    Dhunimi i 13-vjeçarit nga Fushë Kosova – I dyshuar një 17-vjeçar, stafi i shkollës e denoncoi rastin

    Një rast i rëndë dyshohet se ka ndodhur në territorin e Ferizajt, ku një i mitur dyshohet të jetë dhunuar, ndërsa Policia e Kosovës ka nisur hetime intensive për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

    Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më datë 15 dhjetor 2025, rreth orës 11:00, stacioni policor në Fushë Kosovë ka pranuar informacion lidhur me një rast të dyshuar të abuzimit seksual ndaj një të mituri.

    Reporteri merr vesh se i dyshuari për rastin është një 17-vjeçar nga Ferizaj dhe se rasti është raportuar nga shkolla ku vijon mësimet 13-vjeçari nga Fushë Kosova.

    Ky është njoftimi i plotë i Policisë:

    Më datë 15.12.2025, rreth orës 11:00, policia e stacionit policor në Fushë Kosovë, ka pranuar informacionin lidhur me një rast të dyshuar të abuzimit ndaj një të mituri.

    Dyshimet e ngritura sugjerojnë se i mituri është kontaktuar përmes rrjeteve sociale dhe se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur diku në territorin e Ferizajt.

    Specialist të policisë për hetimin e rasteve të tilla, në bashkëpunim me institucionet relevante, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit.

    Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, gjithnjë duke garantuar konfidencialitetin dhe mbrojtjen e viktimës,

    policia ka iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Dhunimi”, përderisa po punohet intensivisht në identifikimin e të dyshuarit dhe përcaktimin e vendndodhjes së tij.

  • Nga 7 janari “Fontana di Trevi” në Romë do të jetë me pagesë

    Nga 7 janari “Fontana di Trevi” në Romë do të jetë me pagesë

    Duke filluar nga 7 janari, turistët do të duhet të paguajnë një tarifë hyrjeje për të hyrë në Shatërvanin Trevi në Romë. Kostoja do të jetë dy euro.

    Megjithatë, banorët e kryeqytetit do të vazhdojnë ta vizitojnë monumentin falas. Pagesa mund të bëhet edhe me kartë krediti.

    Sipas mediave italiane ky veprim mund të sjellë 20 milionë euro në arkën e qytetit. Numri i vizitorëve ka qenë i kufizuar për rreth një vit, me një maksimum prej 400 personash të lejuar në zonë. Duke filluar nga janari, do të ngrihen dy korsi, njëra për qytetarët romanë dhe tjetra për turistët.

    I mbështetur nga Alessandro Onorato, Këshilltar për Turizmin dhe nga administrata e qytetit, vendimi synon të mbrojë shatërvanin më të madh të Romës, i cili vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti tërhoqi mbi 5.3 milionë vizitorë, më shumë se Panteoni në të gjithë vitin 2024 (4,086,947 hyrje). Të ardhurat e gjeneruara nga shitja e biletave duhet të përdoren për të përmirësuar ofertat dhe shërbimet turistike.

  • 1 në 3 persona mbi 65 vjeç preket nga humbja e dëgjimit

    1 në 3 persona mbi 65 vjeç preket nga humbja e dëgjimit

    Miliona njerëz në të gjithë jetojnë me probleme të dëgjimit. Ndërgjegjësimi për rreziqet që shkaktojnë humbjen e dëgjimit dhe përmirësimi i aksesit ndaj shërbimeve në nivelin e kujdesit shëndetësor parësor, mund të zvogëlojë rastet dhe ndikimin negativ të humbjes së dëgjimit. Identifikimi i hershëm i humbjes së dëgjimit është çelësi. Humbja e dëgjimit e patrajtuar mund të çojë në largimin e njerëzve nga mjediset shoqërore, duke shkaktuar ndjenja vetmie dhe izolim social. Humbja e dëgjimit e lidhur me moshën mund të menaxhohet në mënyrë efektive përmes një sërë mjetesh, duke përfshirë aparatet e dëgjimit. Ekspozimi i rregullt ndaj tingujve me volum të lartë për një periudhë të gjatë paraqet një kërcënim serioz për humbjen e dëgjimit të pakthyeshëm. Infeksionet kronike të veshit janë një ndër shkaqet kryesore të humbjes së dëgjimit. Ato janë të parandalueshme dhe mund të menaxhohen në mënyrë efektive përmes trajtimit mjekësor dhe ndërhyrjeve kirurgjike.

    Shenjat

    Shenjat klinike janë rënia e menjëhershme e dëgjimit e shoqëruar apo jo me zhurmë në vesh. Në rastin e virozave shoqërohet me bllokim hundësh, sekrecione të trashura dhe me ngjyrë, dhimbje koke, marrje mendsh etj. Në rastin e bllokimit pas daljes nga dushi mund të shoqërohet me dhimbje të kanalit. Në rastin e pacientëve me sëmundje hipertensive, që mund të anashkalojnë ose të marrin mjekim jo të rregullt dhe ngrihen në mëngjes me humbje të menjëhershme të dëgjimit zakonisht nuk kemi asnjë shenjë tjetër klinike. Pra, në situata të ndryshme edhe klinika është e ndryshme. Serioziteti i patologjisë varet nga shkalla e rënies së dëgjimit, vazhdimësia në kohë dhe nga sëmundjet e tjera shoqëruese. Në bllokimet e menjëhershme pas dushit nga dylli në vesh problemi është i zgjidhshëm në mënyrë të menjëhershme pas vizitës te mjeku orl dhe lavazhit të veshit. Në rastin e bllokimeve pas virozave dhe sidomos pas krizave hipertensive e traumave akustike problemi është më serioz.

    Diagnoza

    Në rastet e rënies së menjëhershme të dëgjimit, zhurmë në vesh dhe shqetësimi i tyre është i dukshëm, bëhet otoskopia, pra këqyrja e kanalit të jashtëm të dëgjimit deri në membranë timpanike, ekzaminimi i hundës dhe i fytit, pra i të tre organeve për të shqyrtuar një patologji të mundshme që i lidh të tria. Bëhen provat kamertonale, matja e nivelit të dëgjimit (audiometria) dhe matja e presionit në veshin e mesëm (timpanometria). Në rastin e fëmijëve të vegjël të cilët nuk bashkëpunojnë, bëhet vetëm timpanometria. Ajo që na ndihmon shumë në vendosjen e diagnozës është anamneza ose historia e sëmundjes së pacientit, shenjat e tjera shoqëruese, mosha. Rëniet e menjëhershme të dëgjimit në mosha të reja pa asnjë shenjë klinike, mund të kërkojnë edhe bërjen e një rezonance magnetike të kokës për ndonjë patologji tjetër shoqëruese që nuk ka lidhje me veshin.

    Trajtimi

    Mjekimi i rënies së menjëhershme të dëgjimit është në varësi të situatës, që e ka shkaktuar. Nëse rënia vjen nga bllokimi i kanalit nga dylli aplikohet lavazhi me ujë ose aspirimi i kanalit në varësi të sëmundjeve të mëparshme të veshit. Nëse rënia shoqërohet me probleme të tjera si gjendja virale, bllokimi i hundëve, sekrecione, dhimbje koke atëherë fillohet mjekimi edhe për patologjitë shoqëruese, që e shkaktojnë. Nëse rënia e menjëhershme shfaqet te pacientët me moshë të madhe një ndihmë të madhe në mjekim, jep kortizoni, por këta pacientë edhe mund të hospitalizohen, që të mbahen nën kontroll për problemet hipertensive që shoqërojnë mjekimin me kortizon. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe te pacientët diabetikë. Në rastin e krizave të sëmundjes menier ose sëmundjes së veshit të brendshëm fillohet një terapi specifike. Kujdes në rastet e rënies nga traumat akustike, shpërthimet e ndryshme, gjuajtjet me armë me veshët e pambrojtur, ku rëndësi ka momenti i paraqitjes te mjeku sepse edhe minuta është e rëndësishme në fillimin e terapisë dhe në rikuperimin e plotë të dëgjimit. /mapo.al