ATV

Author: G.O.

  • Rusia godet një ndërtesë banimi në Zaporizhzhia – publikohen pamjet

    Rusia godet një ndërtesë banimi në Zaporizhzhia – publikohen pamjet

    Një sulm ajror rus ka goditur një ndërtesë banimi me shumë kate në qytetin e Zaporizhzhias, duke shkaktuar frikë dhe panik mes banorëve dhe duke dëmtuar infrastrukturën kritike të zonës.

    Sipas raporteve të para, ende nuk ka informacione të sakta për numrin e viktimave apo të lënduarve, ndërsa ekipet e shpëtimit janë dërguar menjëherë në vendngjarje për të kontrolluar situatën dhe për të ofruar ndihmë emergjente. Autoritetet bëjnë me dije se një objekt i rëndësishëm infrastrukture është dëmtuar gjatë sulmit.

    Incidenti ka shkaktuar shqetësime serioze për sigurinë e banorëve dhe funksionimin e shërbimeve të nevojshme, përfshirë furnizimin me ujë, energji elektrike dhe transportin publik, ndërsa dëmet në infrastrukturë mund të kenë pasoja afatgjata për jetën e përditshme të komunitetit.

    Autoritetet vazhdojnë hetimet dhe monitorimin e situatës, ndërsa ekipet emergjente po punojnë për të siguruar zonën dhe për të ndihmuar banorët e prekur. Bashkia dhe organizatat humanitare po përgatiten për të ofruar ndihmë shtesë, duke përfshirë strehim dhe furnizime bazë për familjet e dëmtuara.

    Qytetarët janë këshilluar të qëndrojnë larg zonave të prekura dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve për sigurinë e tyre.

  • Dhunoi bashkëjetuesen shtatzënë, arrestohet në Serbi 24-vjeçari shqiptar

    Dhunoi bashkëjetuesen shtatzënë, arrestohet në Serbi 24-vjeçari shqiptar

    Policia e Shtetit ka finalizuar një operacion ndërkombëtar, i koduar “The Wanted”, duke arrestuar në Serbi një 24-vjeçar shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

    I riu akuzohet për dhunën e rëndë ndaj bashkëjetueses së tij shtatzënë, ngjarje e ndodhur në janar të vitit 2025.

    Në muajin mars të së njëjtit vit, Gjykata e Dibrës i caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

    Shtetasi shqiptar u arrestua provizorisht në Serbi, ndërsa vijon procedura për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

    “Vijon bashkëpunimi ndërmjet strukturave policore, me qëllim ekstradimin e 24-vjeçarit, në Shqipëri.”, thuhet tutje në njoftim.

  • Fushata 12-ditore për zgjedhjet e 28 dhjetorit: Çfarë u lejohet partive politike?

    Fushata 12-ditore për zgjedhjet e 28 dhjetorit: Çfarë u lejohet partive politike?

    Subjektet politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit kanë nisur sot, 17 dhjetor, fushatën elektorale, e cila do të përfundojë më 28 dhjetor në orën 06:59.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur të drejtat e subjekteve politike gjatë kësaj periudhe.

    “Gjatë kësaj periudhe, subjektet politike kanë të drejtë të: Organizojnë tubime, ngjarje politike, debate, konferenca për media dhe aktivitete të ngjashme; Publikojnë dhe shpërndajnë afishe, reklama dhe materiale të tjera zgjedhore; Zhvillojnë fushatë përmes televizionit, radios, mediave të shkruara, rrjeteve telefonike, sistemit postar dhe mjeteve të tjera reklamuese, në përputhje me Kodin e Mirësjelljes, rregullat e KQZ-së dhe ligjet në fuqi”, thuhet në njoftim.

    Kosova do të votojë më 28 dhjetor në procesin e katërt zgjedhor që zhvillohet gjatë vitit 2025, duke përfshirë edhe zgjedhjet lokale.

  • LDK mban sot tubime në Klinë, Istog e Prishtinë, fton qytetarët: Le të bëhemi bashkë për shtetin

    LDK mban sot tubime në Klinë, Istog e Prishtinë, fton qytetarët: Le të bëhemi bashkë për shtetin

    ë nisjen e fushatës zgjedhore, Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë sonte tubime në Klinë, Istog dhe Prishtinë, shkruan Reporteri.net.

    Në këto tubime elektorale, kryetari i LDK-së dhe kandidati ynë për kryeministër, Lumir Abdixhiku, do të prezantojë Programin politik dhe vizionin e tij “për një Kosovë më të zhvilluar, më të drejtë dhe plot shpresë”.

    “Në Klinë, Istog, si dhe në Prishtinë Dega 5, përveç programit qeverisës, do të bëhet edhe prezantimi i kandidatëve tanë përkatës, njerëz të dëshmuar, të përkushtuar dhe të gatshëm për t’i shërbyer qytetarëve”, thuhet në njoftim.

    Kjo parti ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në këto tubime për ta dëgjuar programin.

    “Sot, ejani të gjithë, qytetarë, aktivistë, familjarë e miq; ejani për ta dëgjuar programin; ejani për ta dhënë mbështetjen tuaj. Zgjidh shpresën! Le të bëhemi bashkë për shtetin, për Kosovën tonë! Eja dhe bëhu ndryshimi!”, thuhet në postim.

  • Anulohet vendimi për shkarkimin e U.D. të kryeprokurorit Besim Kelmendi

    Anulohet vendimi për shkarkimin e U.D. të kryeprokurorit Besim Kelmendi

    Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar ankesën e paraqitur nga Besim Kelmendi, U.D. Kryeprokurori i Shtetit, dhe ka anuluar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK.nr.1056/2025), të datës 20 nëntor 2025, si të kundërligjshëm. Lënda i është kthyer KPK-së për rishqyrtim dhe rivendosje.

    Në vendimin e saj, Gjykata Supreme ka vlerësuar se ankesa ishte e bazuar, sipas nenit 15 të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

    Sipas Gjykatës Supreme, vendimi për shkarkim ishte marrë mbi pretendime se U.D. Kryeprokurori, përmes deklarimeve në Këshill dhe media, kishte shprehur qëndrim të njëanshëm, që sipas KPK-së kishin denigruar pozitën e tij dhe kishin cenuar besimin e sistemit prokurorial dhe të publikut. Gjykata Supreme ka vlerësuar se këto pretendime nuk e justifikonin vendimin e KPK-së dhe se ai ishte marrë në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe Kodin e Etikës Profesionale për Prokurorë.

    “Vendimi i atakuar është i kundërligjshëm, arbitrar dhe i pa bazë, sepse është kontradiktor në vetvete nga fakti se ku mbështetet një vendim i tillë (baza ligjore), dhe kjo krijon pasiguri se si ka mundësi një organ i tillë të merr vendime pa bazë ligjore specifike dhe referuar në dispozita që nuk i japin autorizime të veprojë në formën dhe mënyrën se si ka vepruar. Pra është procedurë e pa mbështetur në ligj dhe atë që nga fakti i rendit të ditës, caktimit të të njëjtit, ndryshimit të rendit të ditës, votimit, procedimit, përfundimit, rihapjes apo takimit të ri deri te vendimi i atakuar për shkarkim,” thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.

    Ky vendim i Gjykatës Supreme rikthen lëndën në KPK për rishqyrtim, duke lënë të hapur mundësinë e rivendosjes së çështjes në përputhje me ligjin.

    Kelmendi ishte shkarkuar më 20 nëntor nga Këshilli Prokurorial, me pesë vota pro edhe pse KPK-ja ka 10 anëtarë. Vendimi ishte marrë pas dëshmisë së tij të dhënë për masakrën e Reçakut. Kelmendi i pati mohuar raportimet se ka qenë bashkëpunëtor i gjyqtares hetuese të rastit të Reçakut.

  • U paralajmëruan temperatura ekstreme për fundvit, reagon Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës

    U paralajmëruan temperatura ekstreme për fundvit, reagon Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka reaguar pas parashikimit të motit që një ditë më parë bëri menaxheri i Departamentit Meteorologjik në Ofruesi e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (KANS), Sherif Gosalci.

    Sipas reagimit të publikuar në Facebook, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës është i vetmi institucion i autorizuar që mund të bëjë njoftime të tilla, bazuar në Ligjin Nr. 06/L-035 për Veprimtarinë Hidrometeorologjike, veçanërisht Nenin 13 për Sistemin e paralajmërimit të hershëm për ngjarjet e jashtëzakonshme hidrometeorologjike dhe Nenin 28 për lëshimin e informacionit të përgjithshëm meteorologjik dhe hidrologjik.

    “Neni 9, pika 2, mes tjerash thuhet: Parashikimi zyrtar i motit dhe paralajmërimi i hershëm i fatkeqësive të mundshme natyrore me origjinë hidrometeorologjike për Republikën e Kosovës jepet nga IHMK dhe janë ekskluzivitet i IHMK-së. Andaj çdo subjekt apo individ tjetër që bën njoftim, parashikim apo paralajmërim për motin, fillimisht është i jashtëligjshëm e më pas jo profesional dhe shkencërisht i pa drejtë”, theksohet në reagim.

    Sipas IHMK-së, standardet e parashikimit të motit përfshijnë rregullat globale të Organizatës Botërore Meteorologjike (OBM) për të dhënat, terminologjinë dhe saktësinë, me besueshmëri të lartë (80%+) për parashikimet afatshkurtra (1-3 ditë) dhe një saktësi në rënie për periudha më të gjata, duke përdorur kode dhe kritere të standardizuara.

    “Shërbimet Hidrometeorologjike Nacionale janë institucionet kompetente për vrojtime dhe paralajmërime të hershme të motit. Matja e elementëve kryesorë atmosferikë si temperatura, presioni, era, lagështia, reshjet dhe mbulesa e reve realizohet duke përdorur mjete si satelitë, radarë dhe sensorë tokësor. Parashikuesit më pas i analizojnë këto kushte aktuale me modele moti dhe modele historike për të parashikuar gjendjet e ardhshme, duke lëshuar alarme (vëzhgime, paralajmërime, këshilla) bazuar në nivelet e besimit dhe pragjet specifike të rrezikut”, thuhet ndër të tjera në reagim.

  • Ndalohet kontrabanda e etiketave të markave të njohura në Han të Elezit, kapen rreth 4 mijë e 500 copë

    Ndalohet kontrabanda e etiketave të markave të njohura në Han të Elezit, kapen rreth 4 mijë e 500 copë

    Në Pikën Kufitare Han i Elezit, gjatë kryerjes së kontrolleve të rregullta kufitare, zyrtarët doganorë kanë ndaluar një udhëtar për kontroll të detajuar.

    Pas verifikimit të bagazhit të tij, është zbuluar një sasi e konsiderueshme mallrash të ndryshme, përfshirë veshje, etiketa dhe aksesorë metalikë, në sasi prej rreth 4.500 copë, të cilat mbajnë shenja dalluese të markave të njohura tregtare, nën dyshimin se shkelin të drejtën e pronësisë intelektuale.

    Etiketat dhe aksesorët me shenja të mbrojtura tregtare ndalohen pasi ato mund të përdoren për t’u vendosur në produkte jo origjinale, duke i paraqitur ato në treg si mallra të markave të njohura.

    “Ky veprim dëmton drejtpërdrejt të drejtat e mbajtësve të markave, mashtron konsumatorët dhe cenon konkurrencën e ndershme në treg. Edhe në rastet kur etiketat importohen veçmas nga produktet, ato konsiderohen rrezik për keqpërdorim dhe përfshirje në zinxhirin e falsifikimit”, bëhet e ditur nga Dogana e Kosovës.

    Mallrat janë ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave përkatëse, ndërsa ndaj personit është iniciuar procedurë kundërvajtëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

  • Arrestohet burri që u denoncua se ushtroi dhunë ndaj një gruaje dhe një burri

    Arrestohet burri që u denoncua se ushtroi dhunë ndaj një gruaje dhe një burri

    Një person është arrestuar të martën në Skenderaj për dhunë në familje.

    Policia bën të ditur në raportin 24-orësh se ai dyshohet se ka sulmuar fizikisht një grua dhe një burrë.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari pas inicimit të rastit është dërguar në mbajtje.

  • Nën masa të sigurisë, tre të akuzuarit në rastin “Banjska” dërgohen në sallën e gjyqit

    Nën masa të sigurisë, tre të akuzuarit në rastin “Banjska” dërgohen në sallën e gjyqit

    Në sallën e gjykatores së Gjykatës Themelore në Prishtinë tashmë janë dërguar të akuzuarit për sulmin terrorist serb që ndodhi në Banjskë të Zvecanit me 24 shtator të 2023-ës, ku i vrarë mbeti rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, raporton Ekonomia Online.

    Tre të akuzuarit, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq u dërguan në sallën e gjyqit me masa të rrepta sigurie e me pranga në duar.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) tw mwrkurwn e 11 shtatorit tw 2024-ws  ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të akuzuarve tjerë për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.

    Kurse, kreu i këtij grupit terrorist të strukturuar, Milan Radoiçiq ngarkohet se nga viti 2017 e deri më 24 shtator 2023 ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë, e këto para i ka konvertuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, ku një pjesë të pasurive të paluajtshme e ka transferuar dhe tek personat e tretë, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë.

    45 të akuzuarit ngarkohen për veprat penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpërarja e parave”.

    Kush janë të akuzuarit që ngarkohen bashkë me kreun e grupit kriminal Milan Radoiçiq?

    Dispozitivi i parë i aktakuzës së PSRK-së ngarkon të akuzuarit: Milan Radoiçiq, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq, Vladimir Radivojeviq, Ugljesa Jarediq, Milorad Jevtiq, Vlastimir Andriq, Aleksandar Milosavljeviq, Lazar Smigiq, Veljko Djordjeviq, Vladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Milovan Krstoviq, Uros Miliq, Trajko Vasiq, Danilo Vasiq, Vukasin Jarediq, Sasa Periq, Nemanja Stankoviq, Momçilo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zarko Cvetkoviq, Krsto Damjanoviq, Stefan Milosavljeviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Miliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Millos Milenkoviq, Dorde Baloviq, Danijel Dukiq, Danilo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Millos Kragoviq, Miljan Nedeljkoviq, Nikola Iliq dhe Vladan Iliq.

    Sipas këtij dispozitivi, më 24 shtator 2023, nga ora 01:00, në fshatin Banjskë të Komunës së Zveçanit, i pandehuri Milan Radoiçiq, në cilësinë e kreut të grupit terrorist të strukturuar, së bashku me pjesëmarrësit, në role të ndryshme, duke filluar nga roli i bllokimit të rrugëve, të trajnuar në mënyrë profesionale, ku pjesa më e madhe e grupit pasi që kanë hyrë në mënyrë të organizuar përmes rrugëve malore ilegalisht në territorin e Republikës së Kosovës nga Serbia, me dhjetëra vetura e disa prej tyre edhe të blinduara, të mbushura me armë të rënda, municion, raketahedhës, eksplozivë, uniforma të kamufluara ushtarake dhe pajisje logjistike ushtarake, fillimisht kanë bllokuar rrugën tek ura e fshatit me dy kamionë.

    Tutje, sipas aktakuzës të njëjtit janë fshehur dhe kanë zënë pozicionet e tyre dhe pasi që kanë ardhur zyrtarët policorë të Republikës së Kosovës për t’i hequr kamionët dhe liruar rrugën, në atë moment i kanë sulmuar me eksplozivë dhe armë të rënda.

    Me ç’rast, sipas aktakuzës, tek ura e fshatit ka mbetur i vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku, si dhe është plagosur zyrtari policor Alban Rashiti, e janë lënduar zyrtarë të tjerë policorë: Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, sulmi ka vazhduar deri në orën 15:00 kur shumica dërmuese e këtij grupi janë arratisur në drejtim të rrugëve malore për në Serbi, e gjithë kjo me qëllim që seriozisht të destabilizojnë dhe shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike, shoqërore të Republikës së Kosovës.

    Prandaj, për këto veprime të njëjtit po ngarkohen me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” e sanksionuar me nenin 129, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 128, paragrafi 1, pika 1.1, 1.3, 1.7 dhe 1.10 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    “Përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës”

    Në këtë dispozitiv, të gjithë të akuzuarit e lartpërmendur akuzohen se në kohë, vend dhe mënyrë sipas dispozitivit të parë, ku Milan Radoiçiq në cilësi të kreut të grupit të strukturuar me gjithë të akuzuarit tjerë, kishin vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirëorganizuar paraprakisht.

    Aktakuza thotë se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe.

    Në aktakuzë thuhet se këtë pjesë të territorit të njëjtit kanë tentuar t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur, ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile

    Prandaj për këto veprime, të njëjti po ngarkohen me veprën penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” e sanksionuar me nenin 126, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 dhe 1.2 lidhur me nenin 118 të Kodit Penal.

    Për çka akuzohet Milan Radoiçiqi?

    Dispozitivi i tretë dhe i katërt i aktakuzës ngarkon vetëm të akuzuarin Milan Radoiçiq. Ai ngarkohet se nga viti 2017 e deri më 24 shtator 2023 në cilësinë e kreut të grupit terrorist të strukturuar, ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë.

    Sipas aktakuzës, pjesa më e madhe e tyre janë përdorur për armatim të rëndë – blerje dhe furnizim me armë të rënda për grupin terrorist, uniforma ushtarake – sigurim i uniformave për pjesëmarrësit e grupit, mbështetje logjistike – sigurimi i pajisjeve dhe shërbimeve logjistike për operacionet e grupit, pagesën e pjesëmarrësve të grupit – financimin e pjesëmarrësve të grupit terrorist. Krejt kjo për të siguruar përfshirjen dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm në veprimtaritë kriminale, veprime këto me qëllim të lehtësimit dhe financimit të veprave terroriste, rrjedhimisht krijimit të kapaciteteve të nevojshme për kryerjen e akteve terroriste.

    Prandaj, për këto veprime Radoiçiq po ngarkohet me veprën penale “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit”, e sanksionuar me nenin 131 të Kodit Penal lidhur me nenin 57 të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

    Kurse në dispozitivin e katërt, Radoiçiq nga data 1 janar 2017 e deri më 24 shtator 2023, duke e ditur se një pjesë e të hyrave e tij burojnë nga aktiviteti kriminal i përcaktuar si në pikën III të dispozitivit dhe aktivitetit tjetër kriminal, përmes bashkëpunimit dhe ndihmës së të pandehurit Radule Steviq – pronar dhe person përgjegjës i bizneseve RAD D.O.O dhe Radule Steviq, B.I dhe aktivitetit ekonomik të tyre, këto para i ka konvertuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, ku një pjesë të pasurive të paluajtshme e ka transferuar dhe tek personat e tretë, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë.

    Prandaj për këto veprime, Radoiçiq po ngarkohet me veprën penale “Shpëlarja e parave” e sanksionuar me nenin 302 të Kodit Penal lidhur me nenin 56, paragrafi 1, nënparagrafi 1.1 të Ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

    Dispozitivi i pestë akuzon personin juridik “RAD D.O.O.” për shpëlarje parash

    Në këtë dispozitiv ngarkohet personi juridik “RAD D.O.O.”`me pronar të akuzuarin Radule Steviq se nga 1 janari 2017 e deri më 24 shtator 2023 duke e ditur se pasuria e të pandehurit Milan Radoiçiq buron nga aktiviteti kriminal, përmes ushtrimit të aktivitetit ekonomik, ka bashkëpunuar dhe e ka ndihmuar atë për të konvertuar pasurinë e tij, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë.

    Prandaj për këto veprime, personi juridik “RAD D.O.O.” po ngarkohet me veprën penale “Shpëlarja e parave” e sanksionuar me nenin 302 të Kodit Penal lidhur me nenin 56, paragrafi 1, nënparagrafi 1.6 lidhur me nënparagrafin 1.1 të Ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

    Për çka akuzohet Radule Steviq, personi përgjegjës i “RAD D.O.O.”?

    Dispozitivi i fundit i aktakuzës ngarkon pronarin e personit juridik “RAD D.O.O.”, Radule Steviq, se duke ditur se pasuria e të pandehurit Milan Radoiçiq buron nga aktiviteti kriminal, i njëjti përmes bizneseve të regjistruara në emër të tij dhe aktivitetit ekonomik të tyre, ka bashkëpunuar dhe ndihmuar të pandehurin Milan Radoiçiq, për të konvertuar pasurinë e tij, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë.

    Prandaj për këto veprime, Steviq po ngarkohet me veprën penale “Shpëlarja e parave” e sanksionuar me nenin 302 të Kodit Penal lidhur me nenin 56, paragrafin 1, nënparagrafi 1.6 lidhur me nënparagrafin 1.1 të Ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

    Deri tani, në paraburgim për rasin e Banjskës janë Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.

    Në Bajsnkë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kishte publikuar pamje të Milan Radoiçiq, ku kishte theksuar se Radoiçiq ka qenë udhëheqës i këtij grupi terrorist dhe i sulmit ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. E vetë Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist.

  • Pijet që nuk duhet t’i konsumoni kurrë me stomakun bosh

    Pijet që nuk duhet t’i konsumoni kurrë me stomakun bosh

    Edhe pse shumë njerëz e fillojnë mëngjesin me një pije të preferuar si kafeja, ekspertët paralajmërojnë se disa pije, përfshirë kafenë, nuk janë të mira për t’u konsumuar me stomak bosh.

    Arsyeja është e thjeshtë – ato mund të irritojnë mukozën e stomakut, të shkaktojnë rritje të papritura të sheqerit në gjak ose të çojnë në shqetësime të tilla si urth, të përziera dhe dobësi.

    Nutricionistët thonë se duhet të shmangni llojet e mëposhtme të pijeve me stomak bosh.

    Kafeja – Ndërsa është një nga zgjedhjet më të zakonshme të mëngjesit, është gjithashtu një nga më problematiket kur konsumohet me stomak bosh. Rrit sekretimin e acidit në stomak, i cili mund të shkaktojë urth, dhimbje stomaku dhe acarim afatgjatë të stomakut. Përveç kësaj, kafeja me stomak bosh mund të rrisë ndjenjat e nervozizmit dhe të rrisë rrahjet e zemrës. Ekspertët rekomandojnë që të hani të paktën një meze të vogël para gllënjkës së parë.

    Alkooli – me stomak bosh absorbohet në gjak shumë më shpejt, që do të thotë një efekt më i fortë dhe më i shpejtë. Kjo mund të çojë në marramendje, të përziera, një rënie të menjëhershme të sheqerit në gjak dhe një ngarkesë më të madhe në mëlçi.

    Pije të gazuara – Pijet e gazuara, përfshirë ujin mineral, mund të shkaktojnë fryrje dhe shqetësim kur konsumohen me stomak bosh. Acidet dhe sheqernat e irritojnë më tej stomakun.

    Lëngjet e frutave (sidomos ato të agrumeve) – Edhe pse konsiderohen të shëndetshme, lëngjet e frutave janë të pasura me acide dhe sheqerna natyralë. Me stomak bosh, ato mund të shkaktojnë acarim të stomakut dhe një rritje të papritur të glukozës në gjak, e ndjekur nga një rënie e energjisë.

    Pijet energjike – Kombinimi i kafeinës, sheqerit dhe stimuluesve të tjerë i bën pijet energjike një zgjedhje veçanërisht të keqe me stomak bosh. Ato mund të shkaktojnë palpitacione të zemrës, nervozizëm dhe një rënie të menjëhershme të energjisë.

    Një stomak bosh është i ndjeshëm dhe ajo që pimë mund të ndikojë ndjeshëm në shëndetin dhe mirëqenien tonë të përgjithshme gjatë gjithë ditës. Zgjedhja më e sigurt në mëngjes është një gotë me ujë ose një çaj bimor i butë, ndërsa pijet e tjera duhet të lihen për gjatë ose pas vakteve. Ndryshimet e vogla në zakone mund të bëjnë një ndryshim të madh në tretje dhe mirëqenien e përgjithshme të trupit.