ATV

Author: G.O.

  • Kaçaniku: Çmimet e energjisë po rëndojnë qytetarët

    Kaçaniku: Çmimet e energjisë po rëndojnë qytetarët

    Qytetarët e Kosovës po përballen me kosto të lartë jetese dhe fatura të rënduara të energjisë elektrike për muajin dhjetor. Për këtë situatë, Kryetari i Organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka kritikuar ashpër ekzekutivin, duke deklaruar se qeveritarët po vazhdojnë t’i mbajnë duart në xhepat e qytetarëve.

    Në një intervistë, Kaçaniku ka deklaruar se me energjinë elektrike “janë luajtur lojëra të shumta” dhe ka përmendur dy raste konkrete që, sipas tij, dëshmojnë mungesë profesionalizmi dhe vendimmarrje të padrejtë ndaj konsumatorit.

    Sipas Kaçanikut, njëra çështje lidhet me vonesat në aktivizimin e interkoneksionit me Shqipërinë, për të cilin ai thotë se është arsyetuar me pengesa nga Serbia. Ai ka ngritur pyetjen pse çështjet e brendshme të Kosovës duhet të varen nga faktorë të jashtëm, nëse vendimet janë në interes të qytetarëve.

    Rasti i dytë, sipas tij, ka të bëjë me rritjen e përkohshme prej 5.8% që u vendos pas një eksplodimi në KEK para rreth 10 vitesh. Kaçaniku thotë se kjo rritje u prezantua si masë e përkohshme, por po vazhdon edhe sot, megjithëse, siç u shpreh ai, masat e përkohshme nuk mund të zgjasin një dekadë.

  • KGJK zgjedh kryetarin e ri të Gjykatës Themelore në Prishtinë

    KGJK zgjedh kryetarin e ri të Gjykatës Themelore në Prishtinë

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka emëruar sot gjyqtarin Ngadhnjim Arrni kryetar të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Në mbledhjen e 357-të, Arrni siguroi tetë vota PËR dhe një abstenim.

    Deri më tani, ai ka udhëhequr Departamentin Special pranë këtij institucioni të rëndësishëm të drejtësisë.

    Krahas këtij emërimi, Këshilli miratoi tri rregullore për funksionimin e sistemit gjyqësor, përfshirë atë për Sistemin Qendror të Evidencës Penale dhe për Pagesën e Shpenzimeve të Procedurës Penale.

    Mbledhja u përmbyll me miratimin e Udhëzimit Administrativ për përmbajtjen e ueb-faqes së institucioneve gjyqësore, veprim ky që sipas zyrtarëve synon rritjen e transparencës publike.

  • Aleksandër Lumezi propozohet për Zv.Kryeprokuror të Shtetit

    Aleksandër Lumezi propozohet për Zv.Kryeprokuror të Shtetit

    Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka caktuar takimin e radhës për 29 dhjetor 2025, ku pikë e rendit të ditës është edhe përzgjedhja e Zëvendës-Kryeprokurorit të Shtetit. Sipas letrës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, për këtë pozitë e ka propozuar Aleksandër Lumezin.

    Sipas agjendës së takimit të KPK-së të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, në pikën e shtatë të rendit të ditës është “Propozimi i u.d. Kryeprokurorit të Shtetit për zgjedhjen e Zëvendës Kryeprokurorit të kësaj zyre”.

    Ndërkaq, në letrën që Qalaj ia ka drejtuar KPK-së më 24 dhjetor, propozon Lumezin për këtë pozitë.

    “ … me qëllim që të garantohet vazhdimësia institucionale, ushtrimi i plotë i kompetencave dhe përmbushja e të gjitha detyrave dhe përgjegjësive në përputhje me legjislacionin në fuqi, propozoj caktimin e prokurorit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z.Aleksandër Lumezi, në pozitën e Zëvendës Kyreprokurorit të Shtetit”, thuhet në këtë shkresë.

    Kujtojmë se Agron Qalaj është caktuar nga KPK në pozitën e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit në mbledhjen e 22 dhjetorit, pas miratimit të kërkesës së Besim Kelmendit për dorëheqje nga kjo pozitë.

  • Stuhi e fuqishme në ShBA: Borë dhe shi nga Midwest deri në New York

    Stuhi e fuqishme në ShBA: Borë dhe shi nga Midwest deri në New York

    Një stuhi e fortë dimërore do të sjellë borë dhe shi të ngrirë në pjesë të Midwest-it të sipërm sot, ndërsa sistemi do të lëvizë në verilindje të premten dhe do të dobësohet deri të shtunën në mëngjes, tha shërbimi meteorologjik.

    Shi i ngrirë parashikohet për pjesët veriore të shteteve amerikane të Minesotës dhe Uiskonsinit, dhe gjatë së premtes reshjet do të prekin Michiganin dhe më pas Pensilvaninë perëndimore dhe qendrore, sipas ABC News.

    Në New York City, reshjet e para të borës janë të mundshme të premten rreth mesditës sipas orës lokale, ndërsa reshjet kryesore të borës priten pas orës 16:00.

    Bora mund të bjerë gjatë natës dhe të prekë veriun e shtetit të Nju Jorkut, Nju Xhersin, Pensilvaninë lindore, si dhe pjesë të Connecticut, Rhode Island dhe Massachusetts.

    Në Pensilvaninë qendrore, akulli mund të arrijë më shumë se gjashtë milimetra, prandaj shoferëve u këshillohet të tregojnë kujdes shtesë, pasi ndërprerjet e energjisë elektrike janë të mundshme.

    Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA-së paralajmëroi se një kombinim i shiut të ngrirë dhe breshërve do ta vështirësojë udhëtimin nga Michigani, nëpër pjesën më të madhe të Pensilvanisë dhe në rajonin e Atlantikut të Mesëm, duke përfshirë qytetet e Uashingtonit dhe Baltimorit.

  • Osmani: Kosova synon forcimin e marrëdhënieve me Hondurasin

    Osmani: Kosova synon forcimin e marrëdhënieve me Hondurasin

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar presidentin e zgjedhur të Hondurasit, Tito Asfura, me rastin e fitores së tij në zgjedhje.

    Përmes një postimi në platformën X, Osmani ka shprehur urimet më të përzemërta Asfurës, duke i dëshiruar suksese në marrjen e kësaj përgjegjësie të rëndësishme shtetërore.

    Ajo theksoi se Kosova pret me interes bashkëpunimin me presidentin e zgjedhur dhe administratën e tij, me synim forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe avancimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.

  • I jepet lamtumira e fundit babit të Calit, varroset pa praninë e djalit

    I jepet lamtumira e fundit babit të Calit, varroset pa praninë e djalit

    Ceremonia e varrimit të Jahja Mustafës, babait të ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa – Cali, ka nisur sot në një atmosferë të mbushur me emocion dhe nderime.

    Në këtë ngjarje po marrin pjesë shumë qytetarë dhe ish-ushtarë të UÇK-së, të cilët kanë ardhur për të nderuar jetën dhe kontributin e Jahja Mustafës.

    Ndërsa, një detaj i veçantë mbetet mungesa e të birit, Cali, i cili aktualisht është i dënuar nga Gjykata Speciale në Hagë.

    Cali, i cili nuk pati mundësinë të vizitonte babain e tij gjatë periudhës së sëmundjes dhe as në momentet e fundit të jetës së tij, është lënë jashtë mundësisë për të qenë i pranishëm në këtë ceremoni për shkak të kufizimeve të vendosura nga autoritetet.

  • Pesë të vrarë, 21 të plagosur pas shpërthimit në një xhami të Sirisë

    Pesë të vrarë, 21 të plagosur pas shpërthimit në një xhami të Sirisë

    Pesë persona u vranë dhe 21 të tjerë u plagosën kur një shpërthim goditi një xhami në një lagje alevite në provincën siriane të Homsit të premten, tha një zyrtar lokal.

    Mediat shtetërore siriane thanë se forcat e sigurisë kishin vendosur një kordon rreth zonës dhe po hetonin rastin, transmeton Sinjali.

    Zyrtarët lokalë i thanë Reuters se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga një sulmues vetëvrasës ose nga eksplozivë të vendosur atje.

  • 100 prokurorë të angazhuar për ta mbrojtur votën në zgjedhjet e 28 dhjetorit

    100 prokurorë të angazhuar për ta mbrojtur votën në zgjedhjet e 28 dhjetorit

    Rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial janë angazhuar për të mbrojtur votën e lirë të qytetarëve dhe për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor me 28 dhjetor, kur edhe do të mbahen zgjedhjet e parakohshme.

    “Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton opinionin publik se për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen të dielën më 28 dhjetor 2025, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve, duke garantuar integritetin e procesit zgjedhor. Në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje”, kanë njoftuar nga Prokuroria.

    Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.

  • Prezantohej rrejshëm si prokurore, mashtroi mbi 30 mijë euro – arrestohet në Prishtinë

    Prezantohej rrejshëm si prokurore, mashtroi mbi 30 mijë euro – arrestohet në Prishtinë

    Një rast i rëndë mashtrimi është zbuluar në Prishtinë, ku një grua dyshohet se është paraqitur rrejshëm si prokurore e shtetit dhe ka përfituar mbi 30 mijë euro nga një qytetare.

    Sipas informatave, rasti është raportuar më 23 dhjetor 2025 në NJHP–Prishtinë, ku viktima ka deklaruar se gjatë muajit dhjetor ka rënë pre e mashtrimit nga e dyshuara O.G. E njëjta dyshohet se ishte prezantuar si prokurore e shtetit dhe, duke shfrytëzuar këtë paraqitje të rreme, e kishte vënë viktimën në lajthitje.

    Hetimet kanë zbuluar se e dyshuara, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror, i kishte premtuar viktimës se do t’i “zgjidhte” një çështje që gjoja lidhej me ankesa në rrjete sociale, ndonëse ankesa të tilla nuk ishin raportuar asnjëherë në Polici. Nën këtë pretendim, ajo kishte kërkuar dhe marrë shuma të mëdha parash, duke pohuar se ato do t’u ndaheshin zyrtarëve të tjerë.

    Si rezultat i veprimeve hetimore dhe planifikimit taktik nga NJHP–Prishtinë, më 25 dhjetor 2025, e dyshuara është arrestuar në flagrancë. Pas intervistimit dhe në konsultim me Prokurorin e Shtetit, ndaj saj është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

    Rasti është duke u trajtuar për veprat penale “Mashtrim” dhe “Prezantim i rremë si person zyrtar”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat dhe mundësinë e përfshirjes së personave të tjerë.

  • Zgjedhjet pas dy ditësh, Osmani organizon sot pritjen për mërgimtarët

    Zgjedhjet pas dy ditësh, Osmani organizon sot pritjen për mërgimtarët

    Vetëm dy ditë na ndajnë nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare me shpresë “shkrirjen” e kësaj bllokade politike.

    Ndërkohë, e para e vendit, Vjosa Osmani do të takohet sot me mërgimtarët që tanimë kanë ardhur në Kosovë.

    Osmani vendosi që dy ditë para zgjedhjeve, t’i mirëpres ata e t’i gostisë me një pritje të organizuar nga ora 18:00 në Emerald.

    Sipas njoftimit të Presidencës, kjo pritje organizohet ‘në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për kontributin e vazhdueshëm të mërgatës në zhvillimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës’.