ATV

Author: G.O.

  • Prokuroria Speciale konfirmon se i ka kërkuar SPAK-ut të hetojë pasurinë e 89 kosovarëve në Shqipëri

    Prokuroria Speciale konfirmon se i ka kërkuar SPAK-ut të hetojë pasurinë e 89 kosovarëve në Shqipëri

    Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar se ka parashtruar kërkesë te Prokuroria e Posaçme në Shqipëri, SPAK, për të nisur hetime për verifikimin e pasurive të mundshme në Shqipëri të 89 kosovarëve.

    Siç u raportua dje, kjo pas dyshimeve se mund të krijuar mbi të ardhura kriminale.

    Nga Prokuroria Speciale e Kosovës kanë konfirmuar për gazetën online Reporteri.net se ka parashtruar kërkesë për ndihmë juridike ndërkombëtare pranë autoriteteve të drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, për ndihmë në identifikimin e pasurive për të pandehurit që janë subjekt hetimi.

    “Lidhur me çështjen për të cilën keni adresuar pyetje, Prokuroria Speciale ju konfirmon se ka parashtruar kërkesë për ndihmë juridike ndërkombëtare pranë autoriteteve të drejtësisë së Republikës së Shqipërisë, për ndihmë në identifikimin e pasurive për të pandehurit që janë subjekt hetimi”, kanë thënë nga Prokuroria Speciale në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net.

    Kërkesa e bërë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është miratuar nga Gjykata e Posaçme, që i ka dhënë dritë jeshile SPAK të kryejë hetime për llogari të palës kosovare.

    Siç raportoi dje mediumi shqiptar A2Cnn, SPAK po heton 31 persona të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal të angazhuar në trafik droge dhe pastrim të parave. Sipas raportimit, të gjithë janë identifikuar për shkak të komunikimeve në aplikacionin SKY ECC, bazuar në të dhënat e marra nga autoritetet belge dhe franceze të drejtësisë.

    Në filtër janë jo vetëm, pasuritë e tyre, por edhe të 58personave të tjerë, familjarë të tyre, në emër të të cilëve mund të jenë regjistruar pasuritë e paligjshme.

    Në zbatim të kërkesës së drejtësisë kosovare, SPAK do të gjurmojë jo vetëm pasuritë e mundshme të patundshme të tyre, por edhe nëse kanë hapur llogari bankare në banka të nivelit të dytë në Shqipëri./Reporteri.net/

  • IKShPK-ja paralajmëron rritje të rasteve me grip, apelohet për vaksinim sezonal

    IKShPK-ja paralajmëron rritje të rasteve me grip, apelohet për vaksinim sezonal

    Instituti i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka ngritur alarmin për shtimin e rasteve me grip dhe infeksione respiratore në vend, duke theksuar se javët e fundit është vërejtur një rritje e ndjeshme e qytetarëve që kërkojnë trajtim mjekësor, përfshirë edhe raste që kanë përfunduar me hospitalizim.

    Sipas të dhënave të grumbulluara nga instituti, sezoni i gripit ka hyrë në një fazë intensifikimi, çka po reflektohet me rritje të ngarkesës në shërbimet shëndetësore.

    Në këtë situatë, IKSHPK u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të shfrytëzojnë vaksinimin kundër gripit sezonal, duke e cilësuar atë si masën më të sigurt dhe më efektive për parandalimin e sëmundjes dhe komplikimeve që ajo mund të shkaktojë, përcjell Telegrafi.

    Instituti thekson se, edhe pse sezoni i gripit ka nisur, vaksinimi vazhdon të jetë i dobishëm, pasi përhapja e virusit pritet të shtohet gjatë muajve në vijim.

    Po ashtu, është nënvizuar se vaksina ndihmon në zvogëlimin e rrezikut për forma të rënda të gripit dhe ofron mbrojtje të veçantë për grupet më të ndjeshme, përfshirë të moshuarit, fëmijët, personat me sëmundje kronike, si dhe të gjithë qytetarët mbi moshën gjashtë muajsh që dëshirojnë të mbrohen nga gripi dhe pasojat e tij.

    IKSHPK ka ftuar qytetarët që, së bashku me anëtarët e familjes, të drejtohen në qendrat e mjekësisë familjare për të realizuar vaksinimin kundër gripit sezonal. /Telegrafi/

  • Në QKUK realizohet me sukses një nga ndërhyrjet më të vështira torakale, hiqet me sukses një tumor me përmasa të mëdha

    Në QKUK realizohet me sukses një nga ndërhyrjet më të vështira torakale, hiqet me sukses një tumor me përmasa të mëdha

    ë Klinikën e Kirurgjisë Torakale të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është realizuar me sukses një ndërhyrje kirurgjikale tejet komplekse për largimin e një tumori intratorakal me përmasa të mëdha, rreth 13 me 10 centimetra.

    Sipas njoftimit, pacientja R.B., e lindur më 1974, kishte qenë më herët nën trajtim nga kardiologët për probleme kardiake, të cilat më pas u vërtetua se ishin shkaktuar nga presioni i masës tumorale mbi zemrën, duke ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e saj normal, përcjell Telegrafi.

    Pas kryerjes së ekzaminimeve të detajuara radiologjike dhe vlerësimeve të shumta mjekësore, ekipet shëndetësore vendosën që rasti të trajtohej përmes ndërhyrjes kirurgjikale.

    Operacioni u realizua me sukses nga ekipi i specializuar i kirurgëve torakalë, në bashkëpunim të ngushtë me anesteziologët, instrumentarët dhe stafin mbështetës të klinikës.

    Tumori, i cili kishte penguar funksionimin normal të mushkërive dhe zemrës, u hoq plotësisht gjatë ndërhyrjes kirurgjikale. Gjendja shëndetësore e pacientes pas operacionit është stabile, ndërsa ajo po vazhdon të monitorohet nga stafi mjekësor në përputhje me protokollet standarde të kujdesit post-operativ.

    Nga QKUK theksohet se ky rast dëshmon nivelin profesional dhe kapacitetet e Klinikës së Kirurgjisë Torakale për trajtimin e rasteve të ndërlikuara, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit multidisiplinar në ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore. /Telegrafi/

  • Posta e Kosovës paralajmëron qytetarët për mesazhe mashtruese që qarkullojnë në emër të saj: Mos u mashtroni, janë të rreme

    Posta e Kosovës paralajmëron qytetarët për mesazhe mashtruese që qarkullojnë në emër të saj: Mos u mashtroni, janë të rreme

    Posta e Kosovës ka dalë me një njoftim të rëndësishëm për qytetarët, përmes së cilit u ka bërë thirrje të gjithëve të mos jenë pre e mashtrimit, pasi thonë se persona të panjohur po dërgojnë mesazhe SMS qytetarëve, duke u paraqitur në mënyrë të rreme në emër të Postës së Kosovës.

    “Menjëherë pas identifikimit të këtij rasti, Posta e Kosovës ka njoftuar organet kompetente dhe është duke bashkëpunuar ngushtë me to për adresimin e kësaj çështjeje”, thuhet në njoftimin e Postës.

    Ky institucion ka bërë të ditur se komunikimin me qytetarët e bënë vetëm përmes kanaleve zyrtare, përmes ueb faqes, rrjeteve sociale dhe numrave zyrtarë të telefonit.

    Posta e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos klikojnë asnjë lidhje (link) të dërguar përmes këtyre mesazheve mashtruese dhe të mos bashkëpunojnë me numra apo kontakte që nuk janë zyrtare.

    “Në asnjë rrethanë, Posta e Kosovës nuk kërkon të dhëna personale apo informacione bankare përmes SMS-ve apo kanaleve jozyrtare. Raste të ngjashme janë evidentuar edhe në administrata postare të vendeve të tjera të rajonit”, thotë Posta e Kosovës.

  • Arrestohet një shtetas i Maqedonisë së Veriut në Gjakovë për dhunë familje

    Arrestohet një shtetas i Maqedonisë së Veriut në Gjakovë për dhunë familje

    Një shtetas i Maqedonisë së Veriut është arrestuar nga Policia në Gjakovë, nën dyshimin e bazuar për përfshirje në një rast të dhunës në familje.

    Sipas Policisë, incidenti që çoi në këtë arrestim ka ndodhur mbrëmjen e 23 dhjetorit, rreth orës 23:30.

    Pas lokalizimit të tij, i dyshuari është shoqëruar menjëherë në stacionin policor për verifikim.

    Atje, ai i është nënshtruar procesit të të intervistimit nga hetuesit për të sqaruar rrethanat e konfliktit familjar.

    Pas përfundimit të procedurave fillestare dhe me vendim të prokurorit të rastit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Vjedhje e rëndë në një shtëpi në Shupkoc të Mitrovicës

    Vjedhje e rëndë në një shtëpi në Shupkoc të Mitrovicës

    Një rast i vjedhjes së rëndë është denoncuar gjatë ditës së enjte në fshatin Shupkovc të Mitrovicës së Jugut.

    Pronari i shtëpisë ka raportuar në Polici se persona, deri më tani të paidentifikuar, kanë arritur të depërtojnë me forcë brenda objektit të banimit.

    Sipas raportit të Policisë, të dyshuarit kanë kontrolluar hapësirat e brendshme dhe kanë vjedhur gjësende të ndryshme me vlerë.

    Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore, të cilat kanë kryer ekzaminimet e nevojshme për të siguruar prova materiale.

  • Raportohet i zhdukur një pacient i Entit Special në Shtime

    Raportohet i zhdukur një pacient i Entit Special në Shtime

    Një rast i personit të zhdukur është raportuar paraditen e së enjtes në stacionin policor të Shtimes.

    Policia është njoftuar se një pacient është larguar pa gjurmë nga hapësirat e Entit Special, të cilat ndodhen në rrugën “Tahir Sinani”.

    Sipas të dhënave të policisë, denoncimi është bërë nga një infermier kujdestar i këtij institucioni, i cili ka kontaktuar autoritetet rreth orës 10:30.

    Ai ka sqaruar për policinë se personi është larguar në drejtim të panjohur dhe aktualisht nuk ka asnjë informacion mbi lëvizjet e tij.

    Menjëherë pas marrjes së njoftimit, njësitet përkatëse kanë nisur kërkimet në terren për të lokalizuar personin e zhdukur.

  • Arrestohet një person për sulm ndaj policisë në Gjilan

    Arrestohet një person për sulm ndaj policisë në Gjilan

    Një incident është regjistruar paraditen e së enjtes në rrugën “Nëna Terezë” në Gjilan, ku është arrestuar një person.

    I dyshuari ka shfaqur sjellje agresive ndaj patrullës policore gjatë kohës që ata po kryenin detyrat zyrtare në terren.

    Sipas raportit të Policisë, situata ka eskaluar pasi zyrtarët i kishin shqiptuar drejtuesit të automjetit një gjobë për kundërvajtje në trafik.

    Në shenjë revolte ndaj këtij ndëshkimi administrativ, ai fillimisht ka ofenduar e më pas ka sulmuar fizikisht pjesëtarët e policisë.

    Pas shoqërimit në stacion policor dhe intervistimit nga hetuesit, me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është liruar dhe rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.

  • Keqpërdori pozitën zyrtare, ngritet aktakuzë ndaj zyrtarit të Doganës

    Keqpërdori pozitën zyrtare, ngritet aktakuzë ndaj zyrtarit të Doganës

    Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj zyrtarit doganor me inicialet I.K. për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Ai dyshohet se më 16 korrik të këtij viti, në pikën kufitare në Vërmicë, duke shkelur procedurat, i ka shkaktuar buxhetit të shtetit dëm material mbi tre mijë euro.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri e regjistroi në sistem si të zbrazët një automjet komercial, duke shmangur qëllimisht kontrollin e detyrueshëm ligjor.

    Pas verifikimit nga njësia antikontrabandë, u konstatua se mjeti transportonte mallra me vlerë mbi 11 mijë euro, duke iu shmangur kështu taksave doganore. Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet konform ligjit në fuqi.

  • Sllagjan Trajkoviq dënohet me 10 vjet burgim për krime lufte në Kosovë

    Sllagjan Trajkoviq dënohet me 10 vjet burgim për krime lufte në Kosovë

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 10 vjet burgim Sllagjan Trajkoviqin, i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë.

    Trupi gjykues konstatoi se ish-pjesëtari i forcave serbe është fajtor për veprime të dhunshme të kryera gjatë periudhës 1998-1999 në rajonin e Vushtrrisë.

    Sipas aktgjykimit, Trajkoviq mbart përgjegjësi penale për kontributin e tij në maltretimin, dëbimin dhe cenimin e integritetit të civilëve shqiptarë në fshatin Reznik dhe rrethinë.

    Megjithatë, për disa pika të tjera të aktakuzës që përfshinin veprime të ngjashme inkriminuese, gjykata vendosi ta lirojë atë për shkak të mungesës së provave.