ATV

Author: G.O.

  • Më shumë se 3 mijë të vdekur në protesta në të gjithë Iranin

    Më shumë se 3 mijë të vdekur në protesta në të gjithë Iranin

    Më shumë se 3,000 njerëz kanë vdekur në protesta në të gjithë Iranin, sipas grupit amerikan të të drejtave të njeriut HRANA, ndërsa vetëm një rritje e lehtë e aktivitetit të internetit në vend u regjistrua pas mbylljes tetëditore.

    HRANA tha se kishte konfirmuar 3,090 vdekje, përfshirë 2,885 protestues, ndërsa banorët dhe media shtetërore thanë se masat e sigurisë kishin shuar kryesisht protestat deri më tani dhe se arrestimet po vazhdonin, raportoi Reuters.

    Sipas dëshmisë së disa banorëve të kontaktuar nga Reuters, Teherani ka qenë relativisht i qetë për katër ditë.

    Djali i shahut të fundit të Iranit, Reza Pahlavi, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të rrisë presionin mbi qeverinë në Teheran për të ndihmuar protestuesit të rrëzojnë qeverinë klerikale.

    Pahlavi, djali në mërgim i Shahut të rrëzuar të Iranit, mbajti një konferencë për shtyp në Uashington për të bërë thirrje për presion politik, ekonomik dhe ushtarak mbi Teheranin, raportoi Reuters.

    Ai shprehu pretendimin se pjesë të rëndësishme të forcave ushtarake dhe të sigurisë së Iranit i kanë premtuar besnikëri dhe se ai është në një pozicion unik për të siguruar një tranzicion të qëndrueshëm për vendin.

  • Khamenei fajëson Trumpin për viktimat gjatë protestave në Iran

    Khamenei fajëson Trumpin për viktimat gjatë protestave në Iran

    Ndërsa forcat e sigurisë iraniane vazhdojnë shtypjen e protestave dhe raportohen viktima në mbarë vendin, autoritetet e Teheranit kanë drejtuar gishtin e fajit nga jashtë, duke e bërë presidentin amerikan përgjegjës për zhvillimet e fundit.

    Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka deklaruar se e mban Donald Trump përgjegjës për “viktimat, dëmet dhe shpifjet e drejtuara kundër kombit iranian” gjatë protestave të fundit.

    Deklarata është bërë përmes një postimi në rrjetet sociale në gjuhën persiane, i pari që nga 12 janari, duke rikthyer narrativën zyrtare të Teheranit mbi ndikimin e faktorëve të jashtëm në trazirat e brendshme.

    Khamenei ka përsëritur akuzat se protestuesit veprojnë në përputhje me interesat e “terroristëve të huaj”, duke përfshirë edhe udhëheqësin aktual të Shteteve të Bashkuara.

  • Rafuna: Kriza energjetike po rrezikon prodhimin dhe investimet në Kosovë

    Rafuna: Kriza energjetike po rrezikon prodhimin dhe investimet në Kosovë

    Qytetarët gjatë javës që po lëmë pas u përballen me reduktime  me reduktime të energjisë elektrike dhe lëkundje në funksionimin e bllokut “B1”, duke krijuar vështirësi në proceset prodhuese të bizneseve në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna në një intervistë për Ekonomia Online, renditi pasojat nga ndikimi i drejtpërdrejtë që këto ndërprerje po kanë në bizneset vendore, duke paralajmëruar pasoja afatgjata për ekonominë dhe investimet e huaja në vend.

    “Dëmet janë të mëdha, dëme materiale për biznesin dhe kjo padyshim që e rrit koston e biznesit, po i shkakton vështirësi në procesin e prodhimit, si dhe në përmbushjen e afateve kontraktuale që i kanë për dorëzimin e sasisë, po ashtu edhe sa i përket asaj që shkon dëm si rezultat i mungesës së energjisë elektrike. E para, çdo reduktim biznesit ia rrit koston e prodhimit, për shkak se është i detyruar të përdorë alternativa të tjera nëpërmjet gjeneratorëve dhe kjo është kosto ekstra për biznesin. E dyta, e gjithë lënda e parë ose gjysmëprodukti që ndodhet në proces të finalizimit të produktit final, në momentin që ndërpritet energjia elektrike, kjo pjesë shkon dëm dhe kjo i faturohet biznesit. Po ashtu, çka është shumë më e rëndësishme, teknologjitë e fjalës së fundit që i kanë blerë bizneset tona nuk punojnë të gjitha përmes gjeneratorëve dhe në ato raste biznesi duhet të ndalë prodhimin dhe të presë derisa të kthehet energjia elektrike. Kështu që dëmet janë shumë të mëdha dhe kërkesa jonë është që të mos ketë ndërprerje të energjisë elektrike, të mos i sfidojmë bizneset edhe me reduktime të energjisë elektrike, për arsye se boll kanë pasur sfida gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti”, tha ai.

    Sipas Rafunës, nëse gjendja vazhdon, ndikimi do të jetë edhe më i madh në treg dhe në konkurrueshmërinë e produkteve vendore.

    “Ka me pasur shumë vështirësi për shkak të rritjes së kostos së prodhimit, po edhe për shkak se, në qoftë se vazhdojnë të ketë pengesa gjatë procesit të prodhimit, nuk do të mundin që në kohë ta dërgojnë mallin te biznesi dhe do të bjerë kërkesa për produktet tona. Kështu që, prapë po e them, dëmet janë të mëdha dhe kërkojmë që të stabilizohet gjendja me energji elektrike.”

    Ai ka theksuar se barra e problemeve në sektorin energjetik po u bartet padrejtësisht bizneseve, duke kërkuar angazhim më serioz të institucioneve përgjegjëse.

    “Edhe ruajtja e energjisë elektrike është në rregull të bëhet si ftesë, por duhet pasur parasysh se biznesi nuk është fajtor pse nuk është investuar në rrjetin e KOSTT-it ose në rrjetet e tjera të KESCO-s, të KEDS-it e të KEK-ut. Nuk është biznesi fajtor. Qeveria duhet ta thërrasë KEK-un, KEDS-in, ZRRE-në, KOSTT-in dhe të bisedojë se ku është problemi dhe të kërkojë prej tyre që biznesi të mos ketë ndërprerje të energjisë elektrike, se si e menaxhojnë dhe qysh është çështje e tyre. Biznesi, përkundër që kemi kërkuar një fazë tranzicioni, sepse e kemi ditur qysh në muajin qershor, kur na është thënë të dalim në tregun e lirë, që nuk është i përgatitur tregu i lirë e as nuk janë pjekur kushtet me i nxjerrë bizneset në tregun e lirë, dhe që atëherë kemi kërkuar fazën e tranzicionit sepse e kemi ditur që kemi me ardhë në këtë fazë. Duhet qeveria, nëse është në anën e zhvillimit ekonomik të vendit, t’i ftojë këto institucione që merren me tregtimin e energjisë elektrike dhe të kërkojë që ta përmirësojnë rrjetin dhe të mos e penalizojnë biznesin duke ia reduktuar energjinë elektrike”, u shpreh ai.

    Rafuna ka paralajmëruar se problemet me furnizimin me energji elektrike po ndikojnë drejtpërdrejt edhe në klimën e investimeve në Kosovë.

    “Padyshim që po, ne po e trajtojmë nga këndi i bizneseve që janë aktive, që janë brenda Kosovës, po ku mundesh me thirrë një investitor kur ke probleme me energjinë elektrike, nuk ke sasi të saj. Cili investitor do të vijë me investuar në Kosovë dhe me përcjellë orarin e reduktimeve? Thirrja e KOSTT-it që të ulet konsumi i energjisë elektrike për biznese është totalisht e palogjikshme. Nuk mundesh me i thënë biznesit mos shpenzo sot sepse je duke shpenzu tepër. Biznesi ta paguan pjesën e shpenzimit, ti e ke për obligim me furnizuar biznesin me energji elektrike”, shtoi Rafuna.

    Blloku B1 i Termocentralit Kosova B ka rënë nga sistemi më 14 janar në mëngjes, sipas të dhënave të publikuara në Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemeve të Transmetimit për Energji Elektrike, ENTSO-e” për prodhimin e energjisë në Evropë. Të dhënat e publikuara tregojnë se në mëngjes kanë qenë në funksion blloqet A3, A4 dhe A5 si dhe ai B2, por jo B1. Blloku B1 një ditë më parë kishte kapacitet prodhues prej mbi 200 megavatësh për orë.

    Rënia e tij ndodhi në kohën kur autoritetet po kërkojnë kursim të energjisë dhe kanë nisur me reduktime, për të cilat kanë thënë se po ndodhin si pasojë e mbingarkesës.

  • Një foshnje 27-ditëshe vdes nga i ftohti në Gaza

    Një foshnje 27-ditëshe vdes nga i ftohti në Gaza

    Një foshnje ka vdekur për shkak të të ftohtit të acartë që po përfshin Gazën, ndërsa mungesa e ndihmave për shkak të kufizimeve izraelite dhe mungesa e ngrohjes vazhdojnë të përkeqësojnë kushtet e jetesës.

    Foshnja 27-ditëshe, Aisha Ayesh al-Agha, vdiq në qytetin Khan Younis, në jug të Gazës, shkruan Al-jazeera.

    Vdekja e saj e rrit bilancin e viktimave midis fëmijëve në Rripin e Gazës, të cilët kanë humbur jetën për shkak të të ftohtit ekstrem që nga fillimi i dimrit, në tetë fëmijë.

  • Ambasadori suedez: Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit duhet të zbatohen

    Ambasadori suedez: Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit duhet të zbatohen

    Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka thënë se sa më shpejt duhet të formohen institucionet e Kosovës në mënyrë që të kryhen shumë punë të cilat nuk u kryen si shkak i mungesës së tyre.

    Ai ka thënë se është e rëndësishme që të formohet një qeveri stabile, qoftë e vetme apo edhe e koalicionit.

    “Nëse flasim për situatën parlamentare, mund të argumentohet se vrulli është humbur prej kohësh. Por le të fokusohemi te viti 2026-të. Zgjedhjet janë mbajtur, së shpejti do të kemi një qeveri të re dhe ka shumë çështje që duhen zgjidhur, veçanërisht sa i përket vendeve të punës, pensioneve dhe mirëqenies sociale. Për këto arsye, besoj se viti 2026 do të jetë një vit i mirë”, ka deklaruar Westerlund për EO.

    Derisa përmend miratimin e buxhetit dhe kredive nga Banka Botërore, ambasadori suedez thekson se duhet të ecet përpara me dialogun Kosovë – Serbi.

    “Natyrisht, nuk kam asnjë mendim se cila qeveri apo cili subjekt politik do të fitojë. Është gjithmonë mirë të kemi një qeveri stabile, qoftë ajo një qeveri koalicioni apo një qeveri e vetme. Duhet të miratohet buxheti, duhet të miratohen një sërë kredish nga Banka Botërore. Duhet të ecim përpara sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, theksoi ai.

    Ambasadori potencon se duhet të zbatohen marrëveshjet e arritura, ajo e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit.

    “Mendoj se e ardhmja e Kosovës është shumë e ndritshme, si në aspektin e punësimit dhe zhvillimit të kompanive, ashtu edhe në lidhje me dialogun e normalizimit. Dialogu ka qenë në vazhdim që nga viti 2011. Kemi mbi 90 marrëveshje, përfshirë Marrëveshjen e Brukselit të shkurtit 2023 dhe aneksin e Ohrit. Këto marrëveshje duhet të zbatohen”, deklaroi ai.

  • Pas ndjekjes 2 km nga policia, kapet i riu nga Ferizaj – Ai kërkohej për vrasje në tentativë

    Pas ndjekjes 2 km nga policia, kapet i riu nga Ferizaj – Ai kërkohej për vrasje në tentativë

    Në orët e para të mëngjesit të sotëm policia ka kapur një 27-vjeçar, i cili kishte pasë urdhëresë aktive nga Gjykata Themelore në Ferizaj, si person i kërkuar për veprën penale “Vrasje në tentativë”, për të cilën ishte dënuar me tre vite e gjashtë muaj burgim.

    Ai u kap kur një patrullë e stacionit policor në Ferizaj, gjatë patrullimit në magjistralen Ferizaj–Prishtinë, në fshatin Prelez i Jerlive, duke iu përgjigjur një informate për një mosmarrëveshje, ka vërejtur një person të dyshuar i cili ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes.

    “Pavarësisht urdhrave verbal për ndalim, i dyshuari ka vazhduar ikjen në këmbë në drejtim të fushave. Pas një ndjekjeje rreth dy (2) kilometra, zyrtarët policorë kanë arritur ta ndalojnë dhe ta arrestojnë atë. Gjatë kontrollit trupor, te i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar një thikë me këllëf dhe një shufër metalike. Personi i dyshuar, A.I, 27 vjeç, është shoqëruar në stacion policor”, tha policia.

    Ndërkaq, pas verifikimit të dokumentacionit, ai doli që është i kërkuar nga gjykata për vrasje në tentativë.

    “Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit dhe me autorizim të tij, i dyshuari është intervistuar për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”, ndërsa pas kompletimit të procedurave të nevojshme, është dërguar në vuajtje të dënimit”.

  • Sulmohen dy zyrtarë policorë në vendin e punës në Kaçanik

    Sulmohen dy zyrtarë policorë në vendin e punës në Kaçanik

    Dy zyrtarë policorë janë sulmuar fizikisht nga një person derisa ishin në stacionin policor në Kaçanik.

    Njëri nga ta pasi kishte marrë fillimisht tretman mjekësor në QKMF u dërgua në emergjencën e Ferizajt.

    Ndërkaq, i dyshuari u dërgua në mbajtje.

    “Stacion policor Kaçanik 16.01.2026 – 20:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që kishte sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë në vendin e punës. Pas tretmanit mjekësor në QKMF, njëri nga zyrtarët është dërguar në emergjencën e Ferizajt për tretman të mëtutjeshëm. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.

  • Arrestohen katër të dyshuar për vjedhje në Obiliq, dy prej tyre të mitur

    Arrestohen katër të dyshuar për vjedhje në Obiliq, dy prej tyre të mitur

    Policia ka njoftuar se të premten në Obiliq janë arrestuar katër të dyshuar për vjedhje të rëndë, dy prej tyre të mitur.

    Ata dyshohen për një rast vjedhjeje që daton më 9 janar të këtij viti.

    “Lidhur me rastin, është arritur të identifikohen dhe të arrestohen katër të dyshuar meshkuj kosovarë (dy prej tyre të mitur)”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

    Me vendim të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Një i mitur sulmon me thikë një të mitur tjetër në Lipjan

    Një i mitur sulmon me thikë një të mitur tjetër në Lipjan

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një i mitur është arrestuar në Lipjan pasi dyshohet se e ka sulmuar me thikë një të mitur tjetër.

    Ky i fundit është dërguar në QKUK pas plagëve të marra.

    Policia e ka cilësuar rastin si “lëndim i rëndë trupor”.

    “Rr. Skënderbeu, Lipjan  16.01.2026 – 18:35. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i mitur, pasi që kishte sulmuar me një mjet të mprehtë viktimën mashkull kosovar i mitur. I lënduari është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë.

  • Rrahmani ndër më të mirët e fazës së parë në Serie A, i vetmi nga kampionët

    Rrahmani ndër më të mirët e fazës së parë në Serie A, i vetmi nga kampionët

    Kapiteni i kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani ka gjetur vend në formacionin më të mirë të fazës së parë në Serie A nga mediumi GOAL.

    Mbrojtësi i Napolit ka spikatur me paraqitjet e tij në Serie A duke u përfshirë në 11-shen më të mirë.

    Rrahmani në javët e para të kampionatit nuk ishte në dispozicion të trajnerit Antonio Conte për shkak të një lëndimi të pësuar në ndeshjen ndaj Zvicrës. 31-vjeçari humbi shtatë ndeshje këtë edicion, por nga periudha kur u riaftësua ka qenë shtyllë e mbrojtjes së Napolit duke arritur të shënojë edhe një gol kundër Lazios.

    Rrahmani po luan sezonin e gjashtë me Napolin, teksa ka arritur të fitojë dy tituj kampioni në Serie A.