ATV

Author: G.O.

  • Kongresmeni amerikan flet për “hapin e radhës” që ShBA duhet ta marrë për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor

    Kongresmeni amerikan flet për “hapin e radhës” që ShBA duhet ta marrë për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor

    Kongresmeni amerikan, Mike Turner, në një intervistë për Balkan Debrief ka folur për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe për involvimin e SHBA-së dhe administratës aktuale për zgjidhjen e disa problemeve në rajon.

    Turner ka thënë se SHBA-ja s’është larguar nga rajoni, por s’ka qenë aktive dhe se kjo administratë dëshiron vërtetë që të aktivizohet për të zgjidhur disa çështje në rajon të cilat mund të rezultojnë në konflikte. Sipas tij, kjo është shumë pozitive.

    “Ne s’jemi larguar, por në të njëjtën kohë s’kemi qenë aktiv. Kjo administratë dëshiron që të jetë aktive në zgjidhjen e disa çështjeve që mund të rezultojnë në konflikte. Kjo është shumë pozitive. Sepse sapo kemi pasur 30 vjetorin e marrëveshjes së Dejtonit”, ka thënë ai.

    Turner ka thënë se SHBA duhet të marrë hapin e radhës për të parë mundësitë për të ndihmuar rajonin për të ecur përpara.

    “Por ka pasur edhe ngecje në rajon. Duhet të marrim hapin e radhës, për të parë se cilat janë mënyrat që mund të ndihmojmë komunitetet në rajon për të lëvizur përpara”, ka thënë ai.

  • Vazhdon procesi në QNR, rinumërohen 382 nga 914 vendvotime

    Vazhdon procesi në QNR, rinumërohen 382 nga 914 vendvotime

    Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat KQZ ka marrë vendim që të rinumërohen. 

    Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e shtunë, 17 janar 2026, ora 16:00) janë rinumëruar 382 nga 914 vendvotime, të cilat u takojnë komunave: Deçan (5/5), Gjakovë (15/15), Gllogoc (7/7), Gjilan (13/13), Dragash (57/57), Istog (6/6), Kaçanik (45/45), Klinë (6/6), Fushë Kosovë (6/6), Kamenicë (5/5), Mitrovicë e Jugut (10/10), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/9), Novobërdë (2/2), Obiliq (3/3), Rahovec (8/8), Pejë (14/14), Podujevë (11), Prishtinë (26/26) dhe Prizren (109/235).

    Sipas të dhënave, deri më tani procesi i rinumërimit është përmbyllur në 19 komuna, ndërkohë gjatë ditës së sotme është duke vijuar rinumërimi i vendvotimeve që i takojnë komunës së Prizrenit dhe më pas, të tjera komuna, sipas radhës, do të përfshihen në këtë proces.

    Nga fillimi i ditës së sotme, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, është shtuar numri i ekipeve për rinumërim, nga 20 në 26 sosh.

    “Në platfomën e KQZ-së për rezultate https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/, në hapësirën QNR> Rinumërim, do të paraqiten rezultatet pas numërimit të çdo vendvotimi”.

    Sipas vendimit të KQZ-së, në 10 komuna do të rinumërohen 100% të vendvotimeve (Dragash, Kaçanik, Lespoaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug), ndërkaq në 28 komunat tjera, do të rinumërohen nga 10% e vendvotimeve (Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut).

  • Brukseli i bën sërish thirrje Serbisë të hetojë pretendimet për përdorimin e topit zanor

    Brukseli i bën sërish thirrje Serbisë të hetojë pretendimet për përdorimin e topit zanor

    Komisioni Evropian ka përsëritur kërkesën ndaj autoriteteve të Serbisë që të hetojnë nëse gjatë protestës antiqeveritare në Beograd më 15 mars 2025 është përdorur top zanor.

    “Ashtu siç është theksuar tashmë, presim një hetim të shpejtë, transparent dhe të besueshëm mbi pretendimet për përdorimin e armëve zanore kundër demonstruesve”, thuhet në deklaratën e shërbimit për shtyp të Komisionit Evropian.

    Thirrja e re e institucioneve në Bruksel lidhur me përdorimin e mundshëm të topit zanor, të cilin autoritetet në Beograd e mohojnë, erdhi pasi mediat evropiane e aktualizuan sërish këtë çështje.

    Portali Politico publikoi më 15 janar se shërbimet sekrete serbe, në bashkëpunim me Shërbimin Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB), kanë testuar topa zanorë mbi qen, në kuadër të hetimit të pretendimeve të demonstruesve se gjatë protestës së 15 marsit ishte përdorur armë zanore.

    Zyrtarë të Komisionit Evropian konfirmuan se janë në dijeni të “raporteve shqetësuese”.

    “Marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të zhvillohen si zakonisht, veçanërisht kur bëhet fjalë për sigurinë”, u tha nga shërbimi për shtyp i Komisionit Evropian, duke rikujtuar se, sipas standardeve evropiane për të drejtat e njeriut, autoritetet kanë detyrimin të mbrojnë pjesëmarrësit në tubime nga lëndimet dhe dhuna.

    Radio Evropa e Lirë shkroi në prill 2025 për raportin e FSB-së, të cilin atëherë e prezantoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Vuçiq tha se hetimi i shërbimit rus, i cili për eksperiment “përdori qen”, kishte përfunduar se gjatë protestës në Beograd nuk ishte përdorur armë e ndaluar “top zanor”.

    Në raportin që u publikua atëherë në faqen e Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), thuhet se pajisjet zanore që zotërojnë organet policore serbe janë testuar mbi qen në poligonin e BIA-s.

    Në raport theksohet se gjatë testimeve “objektet biologjike nuk kanë shfaqur shqetësim”, si dhe se tri ditë pas testimit nuk janë vërejtur ndryshime në gjendjen e tyre.

    “Në bazë të rezultateve të marra, mund të nxirret përfundimi kategorik se pajisjet zanore nuk janë përdorur gjatë protestës së 15 marsit”, deklaroi presidenti i Serbisë duke prezantuar raportin, për të cilin shërbimi rus nuk u deklarua publikisht.

    Autoritetet serbe, pas dëshmive të demonstruesve dhe akuzave se gjatë protestës së 15 marsit në Beograd ishte përdorur armë zanore e ndaluar, kërkuan që hetuesit rusë të zhvillonin një “hetim të pavarur”.

    Përveç FSB-së ruse, autoritetet e Serbisë ftesë për një hetim të pavarur i bënë edhe Byrosë Federale të Hetimit të SHBA-së (FBI). Megjithatë, nuk ka informacione se si FBI u është përgjigjur autoriteteve serbe.

    Studentët në bllokadë, të cilët që nga vdekja e 16 personave në Novi Sad udhëheqin protesta masive në Serbi duke kërkuar përgjegjësi nga autoritetet për tragjedinë, e kanë përfshirë hetimin e incidentit në demonstratat e 15 marsit në listën e kërkesave zyrtare.

    Deri më sot, megjithatë, nuk ka informacione zyrtare se çfarë shkaktoi frikën dhe panikun e mijëra demonstruesve që, gjatë nderimit të viktimave të aksidentit në Novi Sad, u shpërndanë papritur nga rruga — përballë, siç e përshkruan, tingujve dhe dridhjeve të forta dhe të pazakonta.

    Pasuan gjithashtu dëshmi të shumta për probleme shëndetësore në ditët pas protestës — si marramendje, humbje ndjenje, të përziera, tension i lartë i gjakut dhe probleme me dëgjimin.

    Autoritetet fillimisht mohuan se posedonin top zanor, por më vonë pranuan se policia ka pajisje sonike, duke pretenduar se ato “nuk janë përdorur kurrë”.

    Bashkimi Evropian kërkoi hetim menjëherë pas ngjarjes lidhur me pretendimet e demonstruesve.

    Hetim për incidentin po zhvillon edhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, institucion gjyqësor i Këshillit të Evropës.

    “Topi zanor” bën pjesë në grupin e armëve jo-vdekjeprurëse që mund të përdoren për qëllime policore dhe ushtarake – për kontroll të trazirave, zmbrapsje të sulmeve ose komunikim në distanca të mëdha.

  • Ndotja e ajrit rrit rrezikun e tensionit të lartë te fëmijët

    Ndotja e ajrit rrit rrezikun e tensionit të lartë te fëmijët

    Ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit që gjatë shtatzënisë dhe në vitet e para të jetës mund të rrisë ndjeshëm rrezikun e presionit të lartë të gjakut te fëmijët, tregon një studim i ri shkencor.

    Studimi, i publikuar në mars 2026 në revistën “Environmental Research”, zbulon se fëmijët e ekspozuar ndaj grimcave të imta të ajrit para dhe pas lindjes kanë vlera më të larta të tensionit të gjakut në moshat 5–12 vjeç. Sipas studiuesve, edhe nivele relativisht të ulëta të ndotjes mund të ndikojnë negativisht në shëndetin kardiometabolik.

    Autorja kryesore e studimit, Yu Ni nga Universiteti Shtetëror i San Diegos, thekson se provat po shtohen se ndotja e ajrit në fazat e hershme të jetës ka pasoja afatgjata në shëndet.

    Analiza përfshiu mbi 4,800 fëmijë dhe tregoi se ekspozimi gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë kishte ndikimin më të madh, duke u shoqëruar me rritje të presionit sistolik të gjakut.

  • Dalin pamjet nga sulmi ndaj stafit mjekësor në spitalin e Mitrovicës

    Dalin pamjet nga sulmi ndaj stafit mjekësor në spitalin e Mitrovicës

    Në Repartin e Ortopedisë të Spitalit të Mitrovicës me 15 janar një incident ku një infermiere dhe dy punëtorë të sigurimit fizik janë sulmuar gjatë kryerjes së detyrave të tyre të punës.

    Spitali i Mitrovicës tha se sulmi ka ndodhur derisa ata po e siguronin respektimin e rregullave të hyrjes në repart dhe mospraninë e personave të paautorizuar.

    “Si pasojë e këtij incidenti, tre punëtorët e Spitalit kanë marrë trajtim emergjent mjekësor. Spitali dënon çdo formë të dhunës ndaj stafit shëndetësor dhe punëtorëve të sigurimit fizik, si dhe kërkon nga organet kompetente që rasti të trajtohet  shpejt, në përputhje me ligjin”, kishte thënë spitali.

    Për këtë rast stafi mjekësor i spitalit ka protestuar, ndërsa organet kompetente janë duke e hetuar këtë rast.

    Më poshtë pamjet nga momenti i incidentit:

  • Haradinaj bën homazhe për Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën

    Haradinaj bën homazhe për Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar veprimtarët e shquar të çështjes kombëtare, vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, në 44-vjetorin e rënies së tyre.

    Haradinaj ka marrë pjesë në homazhet e mbajtura në Dubovik të Deçanit, duke nderuar sakrificën dhe heroizmin e tyre, të cilët i cilësoi si veprimtarë të hershëm dhe të palëkundur të lëvizjes kombëtare për liri dhe pavarësi.

    “Vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka ishin veprimtarë të hershëm të lëvizjes sonë kombëtare për liri dhe pavarësi,” ka shkruar Haradinaj.

    Ai theksoi se guximi dhe angazhimi i tyre në fazat e para të organizimit kombëtar u bënë frymëzim për breza të tërë dhe bazë e pandashme e rrugës që çoi drejt luftës çlirimtare.

    “Guximi dhe aktivizimi i hershëm në lëvizjet për liri ishin burim frymëzimi për të mos u ndalur në rrugën drejt lirisë, e cila u kurorëzua me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,” theksoi Haradinaj.

  • Vjen një lajm i keq për përdoruesit e ChatGPT

    Vjen një lajm i keq për përdoruesit e ChatGPT

    OpenAI ka njoftuar se së shpejti do të fillojë të shfaqë reklama për përdoruesit e ChatGPT që nuk paguajnë për versionin premium të këtij ‘chatboti’.

    Kompania e inteligjencës artificiale bëri të ditur se reklamat ende nuk janë lansuar, por testimi i tyre do të nisë në javët në vijim.

    Është përpjekja më e fundit e kompanisë me seli në San Francisko për të gjeneruar të ardhura nga mbi 800 milionë përdoruesit e ChatGPT, shumica e të cilëve e përdorin shërbimin falas.

    Edhe pse vlerësohet në rreth 500 miliardë dollarë, kjo kompani aktualisht shpenzon më shumë sesa fiton dhe prej kohësh po kërkon mënyra për t’u bërë fitimprurëse.

    OpenAI ka bërë të ditur se reklamat digjitale do të shfaqen në fund të përgjigjeve të ChatGPT “kur ka një produkt ose shërbim të sponsorizuar relevant, bazuar në bisedën aktuale të përdoruesit”.

    Sipas kompanisë, reklamat “do të jenë të shënuara qartë dhe të ndara nga përgjigjet organike” të ‘chatbotit’.

  • Dimër i acartë në Kiev, bombardimet ruse shkaktojnë krizë historike energjetike

    Dimër i acartë në Kiev, bombardimet ruse shkaktojnë krizë historike energjetike

    Termometri në dhomën e Sergejt, në qendër të Kievit, në bregun e djathtë të Dnieprit, shënon 14 gradë me ngrohëset ndezur.

    “Ngrohin, por pak. Tubat ishin ngrirë dhe nga centrali vjen uji me temperaturë shumë të ulët”, thotë ai. Bashkëshortja e tij ulur në divan mbante mbi veten xhinse, një pulovër dhe një pallto dimri.

    Sulmet ruse ndaj termocentraleve dhe nënstacioneve kanë lënë qytetin me kapacitet shumë të ulët të energjisë. Pavarësisht punimeve të vazhdueshme për rikuperim, Kievit i mungon më shumë se gjysma e energjisë që zakonisht konsumon.

    “Sistemi mund të mbulojë vetëm 60% të nevojës aktuale energjetike; dje prodhoi 11 gigavat nga 18 gigavat të nevojshëm”, deklaroi presidenti Zelensky.

    “Është hera e parë në histori që pjesa më e madhe e qytetit mbetet pa ngrohje gjatë dimrit të acartë”, shton kryebashkiaku Vitalij Klitschko. Probleme ka pasur edhe te ndriçimi publik, me intensitet të llampave 20% më të ulët.

    Shumica e ndërtesave në Kiev, veçanërisht ato të ndërtuara në periudhën sovjetike, janë të lidhura me telerrezistencë qendrore, që furnizon me ujë të ngrohtë nga termocentralet e mëdha TPP5 dhe TPP6.

    Me temperaturat nën -20°C, bombardimet e këtyre centraleve bllokuan qarkullimin e avullit, duke çuar deri në shpërthimin e tubave.

    “Thirrëm hidraulikët, por ishin të ngarkuar”, tregon Sergej.

    Në lagje ka 3 hidraulikë për 100 ndërtesa. Shumë prej tyre janë në front. Një mik i tij, hidraulik, po shkonte te një shtëpi me një të porsalindur, ku dhoma më e ngrohtë ishte me vetëm 10 gradë.

    Qeveria ka ngritur 50 kuzhina mobile dhe ka lejuar funksionimin e taksive dhe aplikacioneve si Uber dhe Bolt gjatë gjithë natës për t’u zhvendosur në ambiente të ngrohta.

    Presidenti Zelensky ka shpallur gjendjen e emergjencës energjetike, duke theksuar se situata është dramatike.

    “Tre ditë ishim pa ujë, shkrijmë borën në ballkon për të pasur ujë”, rrëfen Olga. Me bllokimet elektrike, ashensorët bëhen të rrezikshëm, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe të sëmurët mbeten në apartamentet e tyre në të ftohtë, pa dritë dhe pa ujë.

    Lyuba punon në një kopsht ku shpesh mungon energjia elektrike, duke pamundësuar përgatitjen e ushqimit për fëmijë.

    Kur kthehet rryma, ndizen të gjithë frigoriferët, bojlerët, ngrohësit dhe larëset e rrobave. Pika e tensionit djeg siguresat, dhe nuk ka personel për t’i zëvendësuar.

    Situata është e ngjashme edhe në Odessa, ku sulmet ruse po krijojnë emergjenca serioze.

    Parashikimet e motit flasin për akoma më shumë probleme me motin, ndërsa Zelensky paralajmëron se Rusia po përgatit një tjetër valë sulmesh. Negociatat diplomatike të ditëve në vijim kërkojnë kujdes: Moska shpesh shoqëron çdo marrëveshje me sulme, edhe pse shpesh nënshkruan akorde të përkohshme.

    Sot në Miami, ekipi diplomatik ukrainas, Umerov, Budanov dhe kreu i partisë kryesore Arakamia do të takohen me përfaqësuesit e Trump. Marrëveshja për garancitë e sigurisë mund të jetë pranë.

    “Për ne është e përfunduar, nëse ka miratimin amerikan mund të nënshkruhet gjatë forumit në Davos”, thotë Zelensky. Por Trump thotë se ai nuk do të nënshkruajë.

    Zelensky përgjigjet:

    Thjesht nuk jemi në të njëjtën linjë për disa çështje. Është e kuptueshme, unë mbroj interesat e shtetit tonë, por ultimatumet nuk janë të dobishme.

  • Osmani: 17 janari, ditë e humbjeve të shumëfishta por edhe e krenarisë kombëtare

    Osmani: 17 janari, ditë e humbjeve të shumëfishta por edhe e krenarisë kombëtare

    Presidentja Vjosa Osmani ka bërë homazhe në nderim të Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës.

    Ajo më pas ka deklaruar se 17 janari shënon një ditë humbjesh të mëdha por njëherësh edhe ditë krenarie që lidhen me këto figura të rëndësishme kombëtare.

    “17 janari është një prej ditëve më të kobshme për kombin tonë, për popullin tonë”, ka thënë Osmani në një video të publikuar në faqen e Presidencës në Facebook”.

    “Është dita kur u vranë mizorisht Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Njëkohësisht, është edhe dita kur u vra Smajl Hajdaraj. Po ashtu, është dita kur humbëm heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

    “Një ditë e humbjeve të shumëfishta, por njëkohësisht edhe një ditë krenarie për kombin tonë”.

  • Garda e Iowas tregon për pritjen e komandantit të FSK-së: Përforcim i partneritetit ndërmjet dy vendeve

    Garda e Iowas tregon për pritjen e komandantit të FSK-së: Përforcim i partneritetit ndërmjet dy vendeve

    Garda Kombëtare e Iowas ka njoftuar për vizitën e komandantit të FSK-së, gjeneral-lejtënant Bashkim Jashari.

    Përmes një njoftimi, Garda bëri me dije se komandanti i FSK-së dhe rreshteri Bedri Zuka gjatë gjithë javës kanë pasur mundësinë të marrin informacione për aftësitë e Gardës amerikane.

    “Garda Kombëtare e Iowa-s ishte e nderuar të presë Gjeneralin Bashkim Jashari, shefin e mbrojtjes së Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe komandantin rreshter Maj. Bedri Zuka, komandant udhëheqës i lartë i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjatë vizitës në Iowa këtë javë.

    Delegacioni mori pjesë në adresën e Kushtit të Gardës në Kapitolin e Iowa-s, u angazhua me ligjvënësit e Iowa-s në një pritje të organizuar nga @TAG, dhe vizitoi Iowa Veterans Home në Marshalltown.

    Gjatë gjithë javës, udhëheqësit e Forcës së Sigurisë së Kosovës morën orientime dhe informime për kapacitetet e Gardës Kombëtare të Iowa-s, vëzhguan trajnime në Camp Dodge, si dhe morën pjesë në shkëmbimet e stafit, duke përforcuar partneritetin e qëndrueshëm shtetëror ndërmjet Iowa-s dhe Kosovës”, është thënë në njoftimin e Gardës Kombëtare të Iowas.