ATV

Author: G.O.

  • Donald Trump arrin në Davos, pritet ta fillojë fjalimin për pak

    Donald Trump arrin në Davos, pritet ta fillojë fjalimin për pak

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikan, Donald Trump, tashmë ka arritur në Davos.

    Atje do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik, gjersa pritet ta fillojë fjalimin e tij para liderëve botërorë në forumin e Davosit në Zvicër pas pak çastesh.

    Trump fillimisht ateroi në Aeroportin e Cyrihut me disa orë vonesë, e më pas udhëtoi për Davos.

    Ai pritet ta përqendrojë fjalimin e sotëm kryesisht në “Amerika e Para”.

  • I njëjti virus, pasoja krejt të ndryshme: Ja pse disa sëmuren rëndë, e disa aspak

    I njëjti virus, pasoja krejt të ndryshme: Ja pse disa sëmuren rëndë, e disa aspak

    Studiuesit zbulojnë rolin kyç të reagimit të hershëm të trupit që mund ta ndalë infeksionin para se të nisë

    Dikush teshtin një herë dhe nuk i ndodh asgjë. Dikush tjetër përfundon në shtrat, me hundë të zëna, dhimbje koke dhe ndjesinë se e ka “rrëzuar” po ajo ftohje që të tjerët mezi e kanë vënë re. Dhe atëherë pothuajse gjithmonë shtrojmë të njëjtën pyetje: si është e mundur që i njëjti virus te dikush të shkaktojë simptoma serioze, ndërsa te dikush tjetër pothuajse asgjë?

    Një studim i ri shkencor ofron një përgjigje që ndryshon mënyrën se si kemi menduar deri më tani. Rezulton se shpesh rolin vendimtar nuk e luan vetë virusi, por shpejtësia dhe fuqia e reagimit të parë të organizmit tonë, pikërisht në vendin ku virusi ndeshet fillimisht, në hundë.

    Në një studim të ri, të publikuar më 19 janar 2026 në revistën prestigjioze Cell Press Blue, shkencëtarët treguan se pikërisht mbrojtja e hershme, e lindur e qelizave të mukozës së hundës, mund të vendosë nëse infeksioni do të ndalet që në fillim apo do të zhvillohet në një ftohje klasike me të gjitha simptomat e njohura, transmeton Telegrafi.

    Hunda si linja e parë e mbrojtjes

    Kur rinovirusi, shkaktari më i shpeshtë i ftohjes së zakonshme, depërton në mukozën e hundës, qelizat tona nuk qëndrojnë pasive. Ato pothuajse menjëherë fillojnë të komunikojnë dhe të aktivizojnë një sërë mekanizmash mbrojtës, me qëllim kufizimin e përhapjes së virusit.

    Studiuesit nga Universiteti Yale treguan se pikërisht ky reagim i koordinuar dhe i shpejtë i qelizave mund të jetë dallimi kryesor mes një personi që nuk sëmuret fare dhe një tjetri te i cili zhvillohen simptoma të theksuara.

    Me fjalë të tjera, nuk është vendimtare vetëm se çfarë lloj virusi është, por si reagon trupi ynë ndaj hyrjes së tij.

    Si arritën shkencëtarët në këto zbulime

    Për të ndjekur fazat më të hershme të infeksionit, studiuesit krijuan në laborator një model të ndërlikuar të mukozës së hundës njerëzore. Nga qelizat burimore të hundës, gjatë disa javëve u zhvillua një ind që imiton me besnikëri të madhe mukozën natyrore të rrugëve të frymëmarrjes.

    Në këtë model u formuan qeliza që prodhojnë mukus, si edhe qeliza me qimeza mikroskopike që ndihmojnë në nxjerrjen e mukusit dhe grimcave të dëmshme. Ky qasje u mundësoi shkencëtarëve të vëzhgonin në kohë reale se si mijëra qeliza reagojnë njëkohësisht ndaj infeksionit me rinovirus.

    Interferonët – aleatët e heshtur të imunitetit

    Rolin kyç në këtë mbrojtje të hershme e luajnë interferonët, proteina që qelizat tona i prodhojnë si përgjigje ndaj infeksionit viral. Detyra e tyre është ta vështirësojnë hyrjen e virusit në qeliza dhe të pengojnë shumimin e tij.

    Kur qelizat e hundës e njohin shpejt praninë e rinovirusit, ato çlirojnë interferonë që aktivizojnë mekanizma antiviralë jo vetëm në qelizat e infektuara, por edhe në ato përreth, ende të shëndetshme. Kështu krijohet një “brez” mbrojtës që ia vështirëson ndjeshëm virusit përhapjen.

    Nëse ky reagim nis mjaft herët, infeksioni mund të ndalet para se të zhvillohet fare. Kur përgjigjja është e ngadaltë ose e dobësuar, virusi fiton kohë për t’u përhapur, për të dëmtuar qelizat dhe për të nisur procese inflamatore që çojnë në simptomat e ftohjes.

    Kur studiuesit bllokuan në mënyrë eksperimentale përgjigjen e interferonëve, rinovirusi u përhap shpejt nëpër ind, me dëmtime të theksuara të qelizave, gjë që e konfirmon edhe më shumë sa vendimtare është kjo mbrojtje e hershme.

    Kur mbrojtja kthehet në reagim të tepruar

    Studimi tregoi gjithashtu se, kur virusi tashmë është shumuar ndjeshëm, aktivizohen mekanizma shtesë që çojnë në rritjen e sekretimit të mukusit dhe në krijimin e sinjaleve inflamatore.

    Ky reagim, ndonëse pjesë e mbrojtjes, mund të kontribuojë në bllokimin e hundës, inflamacionin e rrugëve të frymëmarrjes dhe, te personat me astmë ose sëmundje kronike të mushkërive, në përkeqësimin e frymëmarrjes. Pikërisht këta mekanizma përfaqësojnë objektiva potencialë për terapi të ardhshme, të cilat do të mund të lehtësonin simptomat pa dobësuar mbrojtjen natyrore antivirale.

    Çfarë ndryshon kjo në kuptimin e ftohjes

    Edhe pse modeli laboratorik nuk përfshin të gjitha qelizat që marrin pjesë në një infeksion real përfshirë qelizat imune që mbërrijnë më vonë në vendin e infeksionit, mesazhi i këtij studimi është i qartë.

    Ashpërsia e sëmundjes shpesh nuk varet vetëm nga vetitë e virusit, por nga mënyra se si trupi ynë reagon që në fillim. Kuptimi i këtyre mekanizmave të hershëm, të lindur të mbrojtjes, hap mundësi për zhvillimin e terapive që do ta ndihmonin organizmin të reagojë më shpejt dhe më me efikasitet.

    Ndoshta për këtë arsye i njëjti virus te dikush kalon pa u vënë re, ndërsa dikë tjetër e rrëzon nga këmbët, sepse ndonjëherë fiton ai që reagon i pari, e jo ai që sulmon më fort.

    Prandaj, nuk bëhet fjalë vetëm për t’i shmangur viruset, gjë që realisht është e pamundur, por për ta forcuar organizmin në mënyrë që të jetë gjithmonë gati për një mbrojtje të shpejtë dhe të mençur. /Telegrafi/

  • Hamza kujton Ibrahim Rugovën: I priu popullit në një periudhë të rëndësishme historike

    Hamza kujton Ibrahim Rugovën: I priu popullit në një periudhë të rëndësishme historike

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka kujtuar ish-presidentin Ibrahim Rugova në 20-vjetorin e vdekjes së tij.

    Hamza ka thënë se Rugova i priu popullit në një periudhë të rëndësishme të historisë e në kohë sfidash, duke shtuar se ish-presidenti, përfaqëson një qasje të veçantë politike dhe intelektuale, e cila la gjurmë të mëdha në diskursin publik.

    Postimi:

    Në 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të ish-Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, nderojmë figurën e tij historike dhe kontributin e tij në rrugëtimin shtetformues të Kosovës.

    Ish-Presidenti Ibrahim Rugova i priu popullit tonë në një periudhë të rëndësishme të historisë, në kohë sfidash dhe përpjekjesh të vazhdueshme për afirmimin politik dhe ndërkombëtar të Kosovës.

    Ai përfaqësonte një qasje të veçantë politike dhe intelektuale, e cila la gjurmë të mëdha në diskursin publik dhe në proceset vendimtare të asaj kohe.

    Nderime jetës dhe veprës së ish-Presidentit Ibrahim Rugova!

  • “Drejtësi, jo politikë”, protestë paqësore më 17 shkurt në mbrojtje të çlirimtarëve që po mbahen në Hagë

    “Drejtësi, jo politikë”, protestë paqësore më 17 shkurt në mbrojtje të çlirimtarëve që po mbahen në Hagë

    Me moton “Drejtësi, jo politikë”, do të protestohet më 17 shkurt në ora 14 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, që qëllim ka vetëm mbrojtjen e çlirimtarëve të cilët po mbahen në Hagë, raporton Ekonomia Online.

    Protesta do të organizohet nga platforma “Liria ka Emër”, e cila gjatë një konference për media, Eliza Hoxha e Ismail Tasholli theksuan se data 17 shkurt nuk është zgjedhur rastësisht, por se ajo përkon me Ditën e Pavarësisë së Kosovës dhe me momentin historik të shpalljes së saj, duke e bërë këtë protestë një akt simbolik dhe qytetar në mbrojtje të parimit të drejtësisë.

    Platforma “Liria ka Emër” vlerëson se procesi gjyqësor në Hagë, i cili ka hyrë në fazën përmbyllëse pas më shumë se pesë vitesh, ka krijuar shqetësime serioze në opinionin publik. Zvarritja e procedurave, kompleksiteti i tyre, informacionet kontradiktore, si dhe perceptimi i ndikimit politik, kanë cenuar besimin qytetar se drejtësia po trajtohet si një proces thjesht juridik.

  • AUV ndalon importin e shpezëve dhe produkteve të tyre nga disa regjione të Polonisë

    AUV ndalon importin e shpezëve dhe produkteve të tyre nga disa regjione të Polonisë

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë bazuar në raportet e Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve dhe Komisionit Evropian njofton se në Poloni është konfirmuar prania e Avian Influenza (HPAI–H5N1), dhe se ka ndaluar importin e shpezëve dhe produkteve të tyre nga disa regjione të shtetit të Polonisë.

    AUV ka njoftuar edhe se kjo masë hyn në fuqi menjëherë dhe mbetet në zbatim deri në vlerësimin e mëtejshëm të situatës.

    Postimi:

    AUV ndalon importin e shpezëve dhe produkteve të tyre nga disa regjione të shtetit të Polonisë

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), bazuar në raportet e Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe Komisionit Evropian të datës 11.01.2026, njofton se në Republikën e Polonisë është konfirmuar prania e Avian Influenza (HPAI–H5N1).

    Sëmundja është evidentuar në ferma komerciale, familjare dhe te shpezët e egra në regjionet Lubuskie, Wielkopolskie, Kodzkie dhe Podlaskie.

    Në funksion të mbrojtjes së shëndetit të kafshëve dhe sigurisë ushqimore në Republikën e Kosovës, AUV vendos ndalimin e menjëhershëm të importit të shpezëve të gjalla dhe produkteve të tyre nga zonat e prekura. Përveç nëse ato kanë origjinën nga ferma të paprekura nga sëmundja, të cilat gjenden në një rreze prej 50 km larg zonave të prekura.

    Kjo masë hyn në fuqi menjëherë dhe mbetet në zbatim deri në vlerësimin e mëtejshëm të situatës.

    AUV do të vazhdojë monitorimin e situatës dhe informimin e publikut dhe operatorëve ekonomikë për çdo ndryshim eventual.

    Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë vazhdonë ta monitorojë me kujdes situatën epidemiologjike dhe të bashkëpunojë ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje. Publiku dhe operatorët ekonomikë do të informohen me kohë për çdo ndryshim eventual.

  • Zvicra synon rritjen e numrit dhe zgjatjen e misionit të ushtarëve në KFOR deri në vitin 2029

    Zvicra synon rritjen e numrit dhe zgjatjen e misionit të ushtarëve në KFOR deri në vitin 2029

    Komisioni i Politikës së Sigurisë i Këshillit të Shteteve (CPS-S) në Zvicër, ka shprehur mbështetjen për zgjatjen e angazhimit të ushtarëve zviceranë në kuadër të KFOR-it në Kosovë deri në vitin 2029, si dhe për rritjen e numrit të tyre.

    Sipas një njoftimi të shërbimeve parlamentare, komisioni vlerëson se “prania e KFOR-it dhe e kontingjentit zviceran Swisscoy në Kosovë mbetet e domosdoshme, pasi situata në terren, veçanërisht në pjesën veriore të vendit, vazhdon të jetë e brishtë”.

    CPS-S, që është Dhoma e Lartë e Parlamentit të Zvicrës, thekson se prania e KFOR-it është “ende e nevojshme edhe për të kontribuar në garantimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

    “Stabiliteti i Kosovës dhe i Ballkanit Perëndimor është edhe në interes të Zvicrës, ku jetojnë rreth 500 mijë persona me origjinë nga Evropa Juglindore, prej të cilëve mbi 150 mijë janë me origjinë kosovare”, u tha në njoftimin e shërbimeve parlamentare të Zvicrës, raporton CDT.

    Në këtë kuadër u tha se “CPS-S mbështet edhe rritjen e numrit të ushtarëve zviceranë në Kosovë nga 195 në 215”.

    Po ashtu, sipas njoftimit, propozohet që Këshilli Federal të ketë kompetencë që, gjatë mandatit, ta rrisë kontingjentin me deri në 30 ushtarë shtesë, pa afat të caktuar, për t’iu përgjigjur nevojave të mundshme të ardhshme të KFOR-it.

    Parashikohet edhe mundësia e angazhimit të përkohshëm të deri në 50 ushtarëve shtesë për mirëmbajtje, si për shembull të helikopterëve zviceranë, si dhe deri në 20 ushtarë shtesë për sigurinë e vetë kontingjentit.

  • Ambasadori britanik: Rinumërimi bartë rreziqe sa i përket afateve, me rëndësi që Presidenti të zgjidhet me kohë

    Ambasadori britanik: Rinumërimi bartë rreziqe sa i përket afateve, me rëndësi që Presidenti të zgjidhet me kohë

    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, theksoi rëndësinë që të respektohen afatet e parapara për zgjedhjen e presidentit të ri.

    Ai tha se procesi i rinumërimit të votave është shumë i rëndësishëm për integritetin e procesit.

    “Kjo dëshmon aftësinë e sistemit për të identifikuar dobësitë dhe për t’i adresuar ato, në mënyrë që të ruhet integriteti i zgjedhjeve. Kjo natyrisht bartë disa rreziqe sa i përket afateve kohore dhe shpresoj që Komisioni ta kryejë rinumërimin sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai për T7.

    Hargreaves tha se “është jashtëzakonisht e rëndësishme që pas kësaj, partitë politike të bashkohen, Kuvendi të konstituohet dhe qeveria të nisë punën, në mënyrë që buxheti dhe marrëveshjet ndërkombëtare të miratohen sa më shpejt”.

    “Po ashtu, është shumë e rëndësishme që procesi i zgjedhjes së presidentit të ri të zhvillohet sipas afateve të paraprara. Jam i bindur se të gjitha partitë janë të përkushtuara për këtë, sepse të gjithë e kuptojnë rëndësinë që këto procese tejet të rëndësishme kanë për Kosovën”, tha ai.

    Ambasadori britanik tha se Kosova këtë vit duhet të bëjë përparim drejt integrimit.

    “Në vitin 2026, ndërsa Kosova hyn në vitin e saj të 19-të të shtetësisë, është thelbësore që të ketë një qeveri që është në gjendje të veprojë me vendosmëri, të bëjë përparim drejt integrimit në Bashkimin Europian dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, dhe të vazhdojë në këtë rrugë të demokracisë që ka qenë mbresëlënëse gjatë viteve të fundit”.

  • Erion Veliaj bën kallëzim penal, pretendon se i është falsifikuar nënshkrimi në një dokument gjyqësor

    Erion Veliaj bën kallëzim penal, pretendon se i është falsifikuar nënshkrimi në një dokument gjyqësor

    Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka dorëzuar kallëzim penal pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal.

    Kallëzimi lidhet me një dëftesë njoftimi gjyqësore, e administruar në dosjen e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në të cilën figuron një nënshkrim në emër të Erion Veliajt, sikur ai të kishte marrë dijeni personalisht për një vendim gjyqësor.

    Sipas kallëzimit penal, ky nënshkrim nuk është firma e tij, ndërsa verifikimet zyrtare tregojnë se vendimi i Apelit nuk ka mbërritur asnjëherë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Durrës, ku Veliaj ndodhet i paraburgosur.

    Ky fakt është konfirmuar zyrtarisht me shkresë nga vetë I.E.V.P. Durrës.

  • Policia shpall në kërkim të riun në Gjakovë, të dyshuar për “vrasje në tentativë”- ia publikon foton

    Policia shpall në kërkim të riun në Gjakovë, të dyshuar për “vrasje në tentativë”- ia publikon foton

    Hetuesit policorë të Sektorit të Hetimeve Rajonale në Gjakovë, në koordinim dhe me autorizim të Prokurorit të Shtetit, kanë bërë publike fotografinë e një personi të dyshuar në lidhje me rastin e veprës penale “Vrasje në tentativë”.

    Sipas Policisë së Kosovës, gjatë fazës së hetimeve që janë në zhvillim, i dyshuari, pavarësisht thirrjeve zyrtare policore dhe kërkimeve në disa lokacione, nuk është paraqitur dhe aktualisht gjendet në arrati.

    Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për ofrimin e informatave që mund të ndihmojnë në identifikimin dhe lokalizimin e personit të paraqitur në fotografitë e publikuara.

    Policia u bën thirrje qytetarëve që çdo informacion relevant ta raportojnë përmes numrit emergjent 192, në stacionin më të afërt policor ose përmes e-mailit zyrtar: [email protected].

    Autoritetet policore theksojnë se bashkëpunimi i qytetarëve është i rëndësishëm për zbardhjen e plotë të rastit dhe vënien e të dyshuarit para organeve të drejtësisë.

     

  • Lavrov: Rusia është e gatshme të komunikojë me SHBA-në për Ballkanin

    Lavrov: Rusia është e gatshme të komunikojë me SHBA-në për Ballkanin

    Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka thënë të martën se Moska është duke komunikuar me Shtetet e Bashkuara lidhur me Ballkanin dhe se është e gatshme t’i zhvillojë ato kontakte.

    “Ne kemi më shumë mundësi të komunikojmë me Shtetet e Bashkuara [sesa me Bashkimin Evropian] lidhur me Ballkanin, kur bëhet fjalë për Bosnje-Hercegovinën dhe shtetet tjera në rajon. Këto kontakte po vazhdojnë. Nuk kanë rezultuar ende me ndonjë rezultat pozitiv apo diçka tjetër. Por, ne jemi të hapur për kontakte të tilla, dhe për sa mund të gjykoj, edhe kolegët tanë amerikanë kanë gatishmëri për t’i zhvilluar ato”, është cituar të ketë thënë Lavrov në një konferencë për media, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

    Serbia ruan marrëdhënie të ngrohta me Rusinë dhe është shteti i vetëm që nuk i ka vendosur sanksione Moskës për luftën e nisur në Ukrainë.