ATV

Author: G.O.

  • Kurti për Ibrahim Rugovën: Lider i shquar në historinë e shtetndërtimit të saj

    Kurti për Ibrahim Rugovën: Lider i shquar në historinë e shtetndërtimit të saj

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka kujtuar ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova në 20-vjetorin e vdekjes së tij, duke thënë se ishte lider i shquar politik, intelektual i angazhuar dhe studiuesin e spikatur të letërsisë.

    Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se Ibrahim Rugova është në historinë e politikës dhe kulturës në Kosovë.

    Postimi i plotë i Albin Kurtit:

    Në 20 vjetorin e vdekjes së Dr. Ibrahim Rugovës

    Në ditën kur janë bërë dy dekada nga dita e vdekjes së tij, e përkujtojmë Dr. Ibrahim Rugovën, Presidentin e Parë të Kosovës, liderin e shquar politik, intelektualin e angazhuar dhe studiuesin e spikatur të letërsisë.

    Në historinë e shtetndërtimit të Kosovës, periudha e pluralizmit partiak, e demokratizimit dhe e ndërkombëtarizimit të çështjes së vendit tonë, është e lidhur pashqitshëm me emrin e Ibrahim Rugovës. Ai ishte kryetari i parë dhe më jetëgjatë i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), që nga themelimi i saj më 23 dhjetor të vitit 1989 dhe deri kur ai vdiq më 21 janar 2006. Andaj, i tërë roli dhe kontributi politik i Dr. Rugovës ishte i prejardhur dhe i artikuluar bashkë me një plejadë njerëzish me profile të ndryshme profesionale, që veçanërisht gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, u angazhuan publikisht dhe politikisht përmes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe i qëndruan pranë Kryetarit Rugova.

    Në një kohë tejet të vështirë kur Serbia kishte vendosur një regjim apartheidi në Kosovë, Ibrahim Rugova u vendos në krye të një shteti juridikisht dhe politikisht unik, duke u votuar e zgjedhur President i Kosovës më 24 maj 1992, asaj Republike të Kosovës që e kishin shpallur delegatët e saj më 7 shtator 1990 në Kaçanik, një vit e gjysmë pasi Serbia ia kishte suprimuar autonominë Kosovës, më 23 mars 1989. Pikërisht atëherë kur më së shumti Serbia këmbëngulte që nuk ka një Republikë të Kosovës dhe kur askush përveq Republikës së Shqipërisë nuk e njihte ekzistencën e saj, Ibrahim Rugova si President i Republikës së Kosovës, arriti të imponohej si i tillë duke u takuar edhe me liderë botërorë deri te Presidenti i ShBA-së, Bill Klinton.

    Urtësia e tij në mendim dhe veprim, si dhe konsistenca e tij në rrugën e rezistencës paqësore, i hapën rrugë Kosovës në shumë forume dhe tryeza diskutimi. Ibrahim Rugova ka merita të veçanta për orientimin e qartë politik të Kosovës drejt Perëndimit dhe për ndërkombëtarizimin e drejtë të çështjes së Kosovës, veçanërisht gjatë viteve të para të dekadës së fundit të shekullit të kaluar. Ai ishte Presidenti i Parë i Republikës së Kosovës, republikës sonë të parë, të shpallur për rezistencë, por ishte edhe Presidenti i Parë i Kosovës pas çlirimit të saj. Më 21 janar 2006, Ibrahim Rugova vdiq duke qenë ende në detyrën e Presidentit të Kosovës. Vetë institucioni i Presidencës së Republikës së Kosovës, është i shenjuar nga personaliteti i tij dhe ushtrimi i gjatë i atij funksioni prej Presidentit Rugova.

    Ibrahim Rugova ka lindur në Cerrcë të Istogut, në muajt e fundit të Luftës së Dytë Botërore, më 2 dhjetor 1944, në një kohë kur po riokupoheshim në emër të çlirimit e kur Serbia po e operacionalizonte projektin e saj për pushtimin e Kosovës. Ai nuk e njohu fare babain e tij Ukën, meqë pikërisht në atë kohë të trazuar, si luftëtar vullnetar për mbrojtjen e Kosovës nga formacionet çetnike serbe, ai u zhduk së bashku me babain e tij prej shërbimit të fshehtë jugosllav, më 10 janar 1945.

    Pas përfundimit të shkollimit fillor në Istog dhe atij të mesëm në Pejë, Ibrahim Rugova studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës, duke i ndjekur të gjitha nivelet e studimit deri më 1984, kur doktoroi. Ai punoi si hulumtues i letërsisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ku botoi dhjetëra studime, artikuj dhe libra studimorë. Ky studiues i letërsisë dhe i gjuhës, u fut në skenën politike në moshën 45 vjeçare, bashkë me kujdesin e tij për gjuhën dhe fjalën e shkruar.

    Trashëgimia politike e Dr. Ibrahim Rugovës, është e kudondodhur gjithandej universit të politikëbërjes në Kosovë: nga LDK-ja te Kuvendi dhe Presidenca e Kosovës dhe nga bashkëpunëtorët e dikurshëm të tij, te trasuesit e rrugës së tij politike. Dr. Ibrahim Rugova, ka zënë vend më vete në historinë e politikës dhe kulturës në Kosovë.

    Mes kujtimesh dhe nderimesh për Dr. Ibrahim Rugovën, të parin President të Kosovës, në historinë e shtetndërtimit të saj.

  • CNN: Trump planifikon të takohet me Zelenskyn në Davos të enjten

    CNN: Trump planifikon të takohet me Zelenskyn në Davos të enjten

    Presidenti amerikan Donald Trump planifikon të takohet me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në Davos të enjten, sipas dy personave të njohur me çështjen, raporton CNN.

    Zelensky ishte në Kiev të mërkurën, ndërsa Trump foli në Forumin Ekonomik Botëror. Në fjalimin e tij, Trump tha se planifikonte të takohej me Zelenskyn më vonë gjatë ditës.

    “Po merrem me Presidentin Zelensky dhe mendoj se ai dëshiron të bëjë një marrëveshje”, tha Trump.

    Dyshja synon të vazhdojë diskutimet rreth përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

    Takimi do të ndodhë në të njëjtën ditë kur i dërguari i jashtëm i Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, udhëtojnë për në Moskë për takime me Presidentin rus Vladimir Putin.

    “Unë besoj se ata janë në një pikë tani ku mund të bashkohen dhe të arrijnë një marrëveshje, dhe nëse nuk e bëjnë, janë budallenj”, shtoi Trump për Zelenskyn dhe Putinin.

  • ASK: Rreth 1 mijë veteranë të luftës më shumë në skemë gjatë vitit 2025

    ASK: Rreth 1 mijë veteranë të luftës më shumë në skemë gjatë vitit 2025

    Agjencia e Statistikave të Kosovës njofton se në dhjetor 2025 ka pasur rritje të përfituesve të disa skemave pensionale, përfshirë pensionet paraplegjike dhe tetraplegjike (+12,6%), pensionet e FSK-së (+8,6%) dhe për veteranët e luftës (+2,7%).

    Ndërkohë, disa skema të tjera shënuan rënie, si pensionet invalidore (-27,5%), pensionet e Trepçës (-20,6%) dhe ndihma sociale (-10,3%).

    “Në muajin dhjetor 2025, krahasuar me muajin dhjetor 2024, kishte rritje të numrit të përfituesve nga: skema për Pensionet Paraplegjike dhe Tetraplegjike (12,6 %); skema e pensioneve të Forcës së Sigurisë së Kosovë (8,6 %); skema për përkrahje financiare familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara (8,0 %); skema e pensioneve bazike të moshës (7,5 %); skema e kompensimit për punëtorët e arsimit që punuan gjatë vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 (5,1 %); skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara (4,5 %); skema për veteranët e luftës (2,7 %). skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) (0,8 %); skema e kompensimeve për personat e verbër (1,2 %)”

    “Në muajin dhjetor 2025, krahasuar me muajin dhjetor 2024, kishte rënie të numrit të përfituesve nga: skema për pensionet invalidore (-27,5 %); skema për pensionet e Trepçës (-20,6 %); skema për pensionet familjare (-10,6 %); skema e ndihmës sociale (-10,3 %); skema e pensioneve kontribut-paguesve të moshës (-2,0 %); skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës (-1,4 %)”, deklaroi ASK.

  • Forcat izraelite vrasin 11 palestinezë në Gaza, përfshirë dy fëmijë

    Forcat izraelite vrasin 11 palestinezë në Gaza, përfshirë dy fëmijë

    Forcat izraelite vranë të mërkurën të paktën 11 palestinezë në Gaza, përfshirë dy djem 13-vjeçarë që po mblidhnin dru zjarri, tre gazetarë dhe një grua, thanë spitalet në enklavën e shkatërruar nga lufta.

    Dy djemtë u vranë në incidente të ndara. Në një sulm, një 13-vjeçar, babai i tij dhe një 22-vjeçar u goditën nga dronë izraelitë në anën lindore të kampit qendror të refugjatëve Bureij, sipas zyrtarëve nga Spitali i Martirëve Al-Aksa në qytetin qendror Deir al-Balah, i cili mori trupat, Associated Press.

    Ushtria izraelite tha se një sulm erdhi pasi vuri re dhe goditi disa persona që po përdornin një dron në Gazën qendrore që përbënte një kërcënim për trupat e saj.

  • Vetëdorëzohet në polici i dyshuari për “Vrasje në tentativë” në Ferizaj

    Vetëdorëzohet në polici i dyshuari për “Vrasje në tentativë” në Ferizaj

    Policia e Kosovës ka arrestuar A.R., 31-vjeçari i dyshuar në lidhje me rastin e “Vrasjes në tentativë” dhe “Mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, që ka ndodhur më 21 dhjetor 2025 në Ferizaj.

    Rasti ka ndodhur rreth orës 23:50 në rrugën “Wesley Clark”, ku si pasojë e një sulmi, një person ka mbetur i plagosur. Policia njofton se më 21 janar 2026, rreth orës 11:15, i dyshuari A.R., 31 vjeç, ka kontaktuar Qendrën e Komunikimit Rajonal të Policisë në Ferizaj dhe ka shprehur vullnetin për vetëdorëzim.

    “Pas kësaj, hetuesit rajonalë përgjegjës për rastin, në bashkëpunim me një njësi patrulluese, kanë shkuar në adresën e të dyshuarit, ku edhe është realizuar arrestimi i tij. I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe për të gjitha veprimet hetimore të policisë është njoftuar prokurori i rastit, i cili ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • KFOR-i pret në takim Qendrën për viktimat e torturës, flasin për ndikimin e traumës së luftës në shoqëri

    KFOR-i pret në takim Qendrën për viktimat e torturës, flasin për ndikimin e traumës së luftës në shoqëri

    Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, është takuar të mërkurën me drejtoreshën ekzekutive të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës – një organizatë joqeveritare që luan rol kyç në mbështetjen e viktimave të torturës dhe traumave të luftës në Kosovë.

    Sipas njoftimit të KFOR-it, një nga temat kryesore të diskutimit ishte ndikimi afatgjatë i dhunës seksuale të lidhur me konfliktin, e cila preku mijëra njerëz gjatë luftës – gra, vajza, burra dhe djem të të gjitha përkatësive etnike.

    “COMKFOR rikonfirmoi rëndësinë e kuptimit të këtyre dinamikave komplekse shoqërore, në përputhje me mandatin e KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit në Kosovë”, thuhet në njoftim.

    Diskutimi përfshiu gjithashtu sfidat me të cilat përballet kjo qendër në zhvillimin e një sistemi institucional për mbështetje, njohje dhe llogaridhënie ndaj të mbijetuarve.

    “Të kuptuarit e ndikimit të thellë dhe afatgjatë të traumës së luftës dhe të dhunës seksuale të lidhur me konfliktin në shoqërinë kosovare është thelbësor për misionin tonë”, ka thënë Ulutash.

  • Parttipati: Rugova ishte vizionar i paqes – i mësoi botës se guximi e dinjiteti, janë rrugët drejt lirisë

    Parttipati: Rugova ishte vizionar i paqes – i mësoi botës se guximi e dinjiteti, janë rrugët drejt lirisë

    E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së SHBA-së, Anu Prattipati, sot bëri homazhe pranë varrit të ish-presidentit Ibrahim Rugova në 20-vjetorin e vdekjes së tij.

    Ajo e përshkroi Rugovën si një vizionar të paqes dhe theksoi se ai i mësoi botës rrugët e vërteta drejt paqes.

    “E ngarkuara me punë, Anu Prattipati, iu bashkua Presidentes Vjosa Osmani në nderimin e Dr. Ibrahim Rugovës me rastin e 20-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta. Si një vizionar i paqes, Dr. Rugova i mësoi botës se guximi dhe dinjiteti — jo dhuna — janë rrugët e vërteta drejt lirisë”, deklaroi ajo.

  • Çitaku për protestën e 17 shkurtit: Në ditën e Pavarësisë, nuk do të heshtim – Protestojmë për drejtësi

    Çitaku për protestën e 17 shkurtit: Në ditën e Pavarësisë, nuk do të heshtim – Protestojmë për drejtësi

    Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku iu është bashkuar thirrjes së platformës “Liria ka Emër” për protestën paqësore që do të mbahet në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, pra me 17 shkurt, e që qëllim ka thirrjen për drejtësi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Ajo ka shkruar se do të protestojnë për drejtësi dhe për ata që Kosovës ia sollën lirinë dhe ndërtuan shtetin.

    “Drejtësi, jo politikë!Në ditën e Pavarësisë, nuk do të heshtim. Protestojmë për drejtësi, për ata që na sollën lirinë dhe që ndërtuan shtetin: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Pa politikë. Pa zvarritje. Sepse drejtësia për çlirimtarët është drejtësi për Kosovën.#UÇK”, ka shkruar Çitaku.

  • Trump: E dua Evropën, dua ta shoh atë mirë, por nuk po ec në drejtimin e duhur

    Trump: E dua Evropën, dua ta shoh atë mirë, por nuk po ec në drejtimin e duhur

    Trump thotë se Evropa “nuk po shkon në drejtimin e duhur”, duke shtuar se “pjesë të Evropës janë bërë të panjohura”.

    Sipas tij, “përqendrimi në energjinë e gjelbër dhe migrimi masiv po e lëndojnë Evropën”.

    “E dua Evropën, dua ta shoh atë mirë, por nuk po ecën në drejtimin e duhur,” theksoi Trump në fjalimin e tij, i cili po ndiqet nga përfaqësues të lartë politikë dhe ekonomikë nga mbarë bota e që mbahet në Davos të Zvicrës.

  • Haradinaj për ftesën e Trumpit për Osmanin: Është lajm i mirë, veçanërisht në këto kohë tejet kritike për sigurinë globale

    Haradinaj për ftesën e Trumpit për Osmanin: Është lajm i mirë, veçanërisht në këto kohë tejet kritike për sigurinë globale

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka vlerësuar lajm të mirë ftesën që Presidenti i Amerikës, Donald Trump i dërgoi Presidentes Vjosa Osmani për të marrë pjesë Bordin e Paqes, e për cka thotë se kjo pjesëmarrje forcon rolin e Kosovës si një faktor konstruktiv të paqes dhe stabilitet rajonal dhe global.

    “Është lajm i mirë ftesa e Presidentit Trump drejtuar Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, veçanërisht në këto kohë tejet kritike për sigurinë globale. Pjesëmarrja e Kosovës dhe e Shqipërisë në Bordin e Paqes, si pjesëtare të një strukture ku marrin pjesë liderët e botës demokratike në përpjekje për ndërtimin dhe ruajtjen e paqes, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Trump, është një dritare shprese për ne”, ka shkuar Haradinaj.

    Ai më tej thekson se rikthimi i Kosovës si një partner i besueshëm dhe serioz i Shteteve të Bashkuara është jetik jo vetëm për garantimin e sigurisë kombëtare

    “Kjo pjesëmarrje përforcon rolin e Kosovës si një faktor konstruktiv i paqes dhe stabilitetit rajonal dhe global dhe krijon mundësi konkrete për riforcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në, i cili ka qenë dhe mbetet shtylla kryesore e sigurisë, shtetndërtimit dhe orientimit euroatlantik të Kosovës. Rikthimi i Kosovës si një partner i besueshëm dhe serioz i Shteteve të Bashkuara është jetik jo vetëm për garantimin e sigurisë kombëtare, por edhe për avancimin e interesave tona shtetërore, përfshirë integrimin euroatlantik, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit”, nënvizon ai.