ATV

Author: G.O.

  • Hoxha: Inteligjenca ushtarake serbe e përfshirë në sulmin në Ibër-Lepenc

    Hoxha: Inteligjenca ushtarake serbe e përfshirë në sulmin në Ibër-Lepenc

    Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se në shpërthimin që ndodhi më 29 nëntor të vitit 2024 në kanalin “Ibër-Lepenc”, në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, kanë qenë të përfshirë pjesëtarë të inteligjencës ushtarake serbe (VBA).

    Sipas Hoxhës, njëri nga tre të arrestuarit është gjetur në posedim të dokumenteve që dëshmojnë për përkatësinë e tij në këtë shërbim.

    “Njëri nga personat e arrestuar për këtë rast është gjetur me një dokument që dëshmon se ai ka qenë pjesëtar i inteligjencës ushtarake të Serbisë”, tha Hoxha për RTK.

    Drejtori i Policisë ka shtuar se nga terreni janë mbledhur fakte të mjaftueshme, të ekzaminuara nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilat tregojnë se personat e përfshirë, me instruksione të inteligjencës serbe, kanë kryer aktin terrorist.

    “Disa pajisje të gjetura në shtëpitë e të dyshuarve janë ekzaminuar nga Policia e Kosovës dhe më pas dërguar për analizë në laboratorin e FBI-së. Analizat kanë konfirmuar se balta e gjetur në këto pajisje përputhet me vendin e ngjarjes, duke i lidhur personat me krimin”, tha Hoxha.

    Ai ka folur gjithashtu edhe për situatën në veri, luftën kundër armëve ilegale, si dhe sfidat dhe sukseset e Policisë së Kosovës. Sipas raportit vjetor të policisë, gjatë vitit 2025 është shënuar rënie e veprave penale, veçanërisht vjedhjeve dhe grabitjeve. /rtk

  • ATV-ja shënon pesëvjetorin e transmetimit

    ATV-ja shënon pesëvjetorin e transmetimit

    Pesë vjet më parë, u shënua fillimi i një epoke të re, skemës mediale iu shtua ATV.

    Me investimin më të madh në media në Kosovë, në më shumë se një dekadë, një ekip i përzgjedhur i profesionistëve, më 31 janar 2021, me lajmet e orës 19:00, filloi rrugëtimin që sot e vazhdojnë me krenari.

    Bashkë, gazetarë, kameramanë, redaktorë, producentë e regjisorë, arritën që ATV-në, në kohë rekord, ta bëjnë pjesë të përditshmërisë së secilit qytetar në vend, përfshirë edhe diasporën.

    Duke i ditur kërkesat e shikuesve në kohën që po jetojmë, vëmendje e posaçme iu kushtua pranisë online. Kjo rezultoi me qindra miliona shikime në rrjetet sociale, në të cilat ATV-ja prin bindshëm.

    Gazetarët vazhdojnë të jenë kudo e kurdo, në çdo ngjarje e zhvillim, duke bërë që ata t’i sprovojnë edhe situatat ekstreme.

    Veç angazhimit maksimal në vend, ATV-ja raportoi edhe nga jashtë. Në saje të profesionalizmit të lartë, pamjet e ATV-së u cituan edhe në mediat botërore.

    ATV-ja u bë platformë e besueshme ku flasin të gjithë.

    Gjithashtu, edhe adresë duke u bërë pjesë e çdo familjeje përmes emisioneve, kronikave e informacioneve të fundit, duke ruajtur standardet më të larta profesionale.

    Për më tepër, produksioni i ATV-së veç emisioneve prodhon edhe dokumentarë e reportazhe, duke mbizotëruar edhe me serialin më të shikuar në vend, 3 Vllaznit.
    Duke dashur të jemi afër shikuesve e larg konkurrencës, planet për të ardhmen janë ambicioze, po ashtu.

    Live apo në xhirim, në televizor, telefon, apo pajisje të tjera. Në rrjete sociale apo në youtube, ATV do të mbetet i pari, KUDO!

  • Rinumërohen mbi 99% e kutive, Kurti në mesin e katër kandidatëve të VV-së me humbjen më të madhe të votave

    Rinumërohen mbi 99% e kutive, Kurti në mesin e katër kandidatëve të VV-së me humbjen më të madhe të votave

    Rinumërimi i votave po shkon drejt përfundimit. Deri më tani janë rinumëruar 99.18 për qind e vendvotimeve, ndërsa procesi pritet të përmbyllet gjatë mbrëmjes së sotme.

    Sipas rezultateve të përpunuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherit kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është në mesin e katër kandidatëve të kësaj partie me diferencën më të madhe të votave pas rinumërimit.

    Kurti nga ky proces ka rezultuar me 498 vota më pak.

    Nga Lëvizja Vetëvendosje janë mbi 25 kandidatë që kanë diferencë negative mbi 100 vota pas rinumërimit.

    Me humbjen më të madhe të votave prin Taulant Kelmendi me 921 vota më pak, i ndjekur nga Arbër Rexhaj me 623, Rea Krasniqi me 537, Albin Kurti me 498 dhe Dafina Alishani me 437 vota më pak.

    Më poshtë është lista e disa kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje që kanë mbi 100 vota minus pas rinumërimit:

    Taulant Kelmendi – 921 vota

    Arbër Rexhaj – 623  vota

    Rea Krasniqi – 536 vota

    Albin Kurti – 498 vota

    Dafina Alishani – 437 vota

    Valon Hoti – 422 vota

    Skender Thaqi – 414 vota

    Vendenis Lahu – 387 vota

    Ali Dula – 361 vota

    Filiz Mustafa – 348 vota

    Valon Ramadani – 341 vota

    Gazmend Krasniqi – 335 vota

    Arsim Berisha – 310 vota

    Gramos Agusholli – 297 vota

    Mytaher Haskuka – 259 vota

    Artan Abrashi – 248 vota

    Avni Dehari – 241 vota

    Gani Krasniqi – 222 vota

    Adelina Stublla – 212 vota

    Agon Batusha – 209 vota

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit do të bëhet nesër, duke filluar nga ora 10:00.

  • Vdes në moshën 71-vjeçare ylli i filmit, Catherine O’Hara

    Vdes në moshën 71-vjeçare ylli i filmit, Catherine O’Hara

    Catherine O’Hara, aktorja e njohur për rolet e saj në Schitt’s Creek, Home Alonedhe Best in Show, ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare.

    Lajmin e ka konfirmuar menaxheri i saj për Variety. Ajo ka vdekur pas një sëmundjeje të shkurtër, raporton theguardian.

    O’Hara e nisi karrierën e saj në komedi në vitet 1970 dhe ishte bashkëkrijuese e emisionit kanadez të skeçeve SCTV. Në vitet 1980 ajo hyri në kinematografi, me rolin e saj të parë në filmin romantik Nothing Personal, përkrah Donald Sutherland.

    Në vitin 1985, ajo luajti edhe në komedinë e zezë After Hours të regjisorit Martin Scorsese.

    Në vitin 1988, O’Hara u shfaq në filmin komedi-horror Beetlejuice të Tim Burton dhe më pas e riktheu rolin në vazhdimin e vitit 2024. Në xhirimet e filmit të parë, ajo u njoh me bashkëshortin e saj të ardhshëm, dizajnerin e produksionit Bo Welch, me të cilin u martua në vitin 1992.

    O’Hara interpretoi nënën e pakujdesshme të Macaulay Culkin në komedinë shumë të suksesshme Home Alone të vitit 1990, rol që e përsëriti edhe në vazhdimin e vitit 1992.

    “Është një film perfekt, apo jo?”, kishte thënë ajo për People në vitin 2024, duke folur për Home Alone. Ajo shtoi për përvojën: “Ishte e mrekullueshme. Të gjithë fëmijët që luanin fëmijët tanë ishin thjesht të mrekullueshëm.”

    Në vitin 1996, ajo nisi bashkëpunimin me Christopher Guest, duke luajtur në mockumentary-n Waiting for Guffman, dhe më pas në tre filma të tjerë të tij: Best in Show, A Mighty Wind dhe For Your Consideration në vitin 2006.

    Guest e ka vlerësuar O’Hara-n për aftësinë e saj për të kombinuar komedinë dhe dramën:
    “Catherine është një nga shumë pak aktoret që mund t’i bëjë të dyja. Ajo është jashtëzakonisht qesharake, por mund të kalojë edhe në një zonë emocionale që i surprizon njerëzit – është e mrekullueshme ajo kalim,” ka thënë ai.

    O’Hara gjithashtu ka dhënë zërin e saj në shumë filma të animuar, përfshirë Chicken Little, Over the Hedge, Monster House, Frankenweenie dhe së fundmi The Wild Robot.

  • I dyshuari për dhunimin e të miturës në Istog ndalohet për 48 orë, Prokuroria do të kërkojë paraburgimin e tij

    I dyshuari për dhunimin e të miturës në Istog ndalohet për 48 orë, Prokuroria do të kërkojë paraburgimin e tij

    Një ndërhyrje urgjente policore ka zbuluar një rast tronditës në Dubravë të Istogut, ku një burrë është kapur në një objekt motelesh bashkë me një vajzë 13-vjeçare dhe tashmë dyshohet për veprën penale të dhunimit.

    Pas arrestimit, të dyshuarit, siç mësoi emrin e të dyshuarit ekskluzivisht Sinjali, Tomo Prekajt i është caktuar ndalim 48 orësh me vendim të prokurorit.

    Prokuroria Themelore e Pejës ka bërë të ditur se për 54-vjeçarin, prokurori i rastit është duke përgatitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

    Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, tha se në vendin e ngjarjes janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme nga Policia e Kosovës:

    “Dje Policia e Kosovës ka kapur në flagrancë një person duke kryer veprën kriminale dhunimi ndaj një të miture, me ç’rast në vendin e ngjarjes ishin edhe prokurori i shtetit, mbrojtësi i viktimave dhe të gjitha organet relevante, përfshirë edhe institucionet tjera. Personi i përfshirë është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit dhe njëkohësisht po përgatitet kërkesa për masën e paraburgimit për veprën penale dhunimi”, theksoi Nikçi.

  • OKB-ja në rrezik të ”kolapsit financiar”, paralajmëron Guterres

    OKB-ja në rrezik të ”kolapsit financiar”, paralajmëron Guterres

    Shefi i Kombeve të Bashkuara u ka thënë shteteve anëtare se organizata po përballet me rrezikun e një “kolapsi të menjëhershëm financiar”, duke përmendur pagesat e papaguara dhe një rregull buxhetor që e detyron OKB-në të kthejë mjetet e pashpenzuara.

    Kështu thuhet në një letër që Reuters ka parë të premten.

    Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka folur shpesh për përkeqësimin e krizës së likuiditetit, por ky është paralajmërimi i tij më i ashpër deri tani, në një kohë kur kontribuesi kryesor – ShBA-ja – është tërhequr nga multilateralizmi në disa fronte.

    “Kriza po thellohet, duke rrezikuar zbatimin e programeve dhe duke kërcënuar me kolaps financiar. Dhe situata do të përkeqësohet edhe më tej në të ardhmen e afërt”, shkruan Guterres në letrën drejtuar ambasadorëve, të datës 28 janar.

    ShBA-ja ka shkurtuar financimin vullnetar për agjencitë e OKB-së dhe ka refuzuar të kryejë pagesat e detyrueshme për buxhetin e rregullt dhe atë të paqeruajtjes. Presidenti amerikan Donald Trump e ka përshkruar OKB-në si një organizatë me “potencial të madh”, por që sipas tij nuk po e përmbush atë, ndërsa ka nisur një nismë të quajtur “Board of Peace”, e cila, sipas kritikëve, mund të minojë strukturat ekzistuese ndërkombëtare.

    OKB-ja, e themeluar në vitin 1945, ka 193 shtete anëtare dhe punon për ruajtjen e paqes e sigurisë ndërkombëtare, promovimin e të drejtave të njeriut, zhvillimin social e ekonomik dhe koordinimin e ndihmave humanitare.

    Në letrën e tij, Guterres shkruan se “vendimet për të mos respektuar kontributet e vlerësuara që financojnë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të rregullt tani janë shpallur zyrtarisht”. Ai nuk ka treguar se cilat shtete ka pasur parasysh, ndërsa zëdhënësi i OKB-së nuk ishte i disponueshëm për koment.

    Sipas rregullave të OKB-së, kontributet përcaktohen sipas madhësisë së ekonomisë së secilit shtet anëtar. ShBA-ja mbulon 22% të buxhetit kryesor, e ndjekur nga Kina me 20%.

    Por në fund të vitit 2025, Guterres thotë se ka pasur 1.57 miliardë dollarë borxhe të papaguara, pa i përmendur shtetet përkatëse.

    “O të gjitha shtetet anëtare i respektojnë detyrimet dhe paguajnë plotësisht e me kohë, ose shtetet duhet të rishikojnë në mënyrë thelbësore rregullat tona financiare për të shmangur një kolaps të afërt financiar”, thekson ai.

    Guterres vitin e kaluar nisi një grup reformash, të njohur si UN80, që synon uljen e kostove dhe rritjen e efikasitetit. Në këtë kuadër, shtetet u dakorduan të ulin buxhetin e vitit 2026 me rreth 7%, duke e çuar atë në 3.45 miliardë dollarë.

    Megjithatë, Guterres paralajmëron se organizata mund të mbetet pa para deri në korrik.

    Një nga problemet kryesore është një rregull që sot konsiderohet i vjetëruar, sipas të cilit OKB-ja duhet t’u kthejë shteteve qindra miliona dollarë fonde të pashpenzuara çdo vit.

     

  • Ushtarët gjermanë të KFOR-it vazhdojnë patrullimet në veri të Kosovës

    Ushtarët gjermanë të KFOR-it vazhdojnë patrullimet në veri të Kosovës

    Ushtarët gjermanë nga Komanda Rajonale Lindje (RC-E) e KFOR, po vazhdojnë patrullimet e rregullta në disa komuna në veriun e Kosovës, në kuadër të zonës së tyre të përgjegjësisë.

    Përmes këtyre aktiviteteve, personeli i KFOR-it ruan vetëdijen situacionale dhe kontribuon në stabilitetin e përgjithshëm në rajon, duke reflektuar përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

    KFOR vazhdon zbatimin e mandatit të saj, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes.

    Në ushtrimin e detyrave të saj, KFOR bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), secili në përputhje me rolin e tij si reagues i sigurisë./Telegrafi/

  • Disa nga vetitë e lajthive që ndikojnë në shëndetin tonë

    Disa nga vetitë e lajthive që ndikojnë në shëndetin tonë

    Lajthitë janë shumë të pasura me proteina dhe kripëra minerale të cilat bëjnë të mundur ruajtjen e zemrës si dhe të enëve të gjakut.

    Gjithashtu këto fruta të thata janë të ushqyeshme si dhe mund të konsumohen kur janë të freskëta dhe gjithashtu kur të janë të përpunuara në ëmbëlsira.

    Disa veti të tjera mjaft të mira të lajthive janë:

    1. Janë të pasura me yndyra të shëndetshme dhe mbajnë kolesterolin e “keq” nën kontroll
    2. Përmbajnë proteina të lehta dhe fibra
    3. Janë plot me minerale dhe vitamina
  • Zvicra kryeson listën e vendeve më të shtrenjta për darkë në Europë

    Zvicra kryeson listën e vendeve më të shtrenjta për darkë në Europë

    Një studim i fundit mbi çmimet e restoranteve në Evropë ka konfirmuar atë që shumë turistë e dinë tashmë, Zvicra është vendi më i shtrenjtë në kontinent për të ngrënë jashtë, shkruan albinfo.ch.

    Sipas analizës së portalit të udhëtimeve Ferrygogo, një darkë tre-kursesh për dy persona kushton mesatarisht rreth 113 euro, duke e vendosur vendin alpin në krye të renditjes europiane.

    Mesatarja evropiane për një vakt të tillë është rreth 56 euro, çka do të thotë se darka në Zvicër është më shumë se dyfish më e shtrenjtë.

    Diferenca bëhet edhe më e dukshme në nivel qytetesh. Cyrihu dhe Gjeneva janë renditur ndër destinacionet më të shtrenjta në Evropë për restorante, me një kosto mesatare prej rreth 123 euro për dy persona për një menu tre-kursesh.

    Në Lugano, një darkë tre-kursesh për dy kushton mesatarisht rreth 135 franga dhe mund të arrijë deri në 181.

    • Në Zug, çmimi mund të shkojë deri në rreth 226 franga për dy persona në restorante më të mira.

    • Numbeo jep një mesatare rreth 150 CHF për dy në Lugano.

    Sa kushton realisht një darkë?

    Të dhënat nga platforma Numbeo tregojnë se një vakt tre-kursesh për dy persona në një restorant mesatar në Zvicër kushton mbi 100 franga zvicerane.

    Edhe statistika të tjera e konfirmojnë trendin:

    • Një meny për dy në një restorant të kategorisë mesatare arrin mesatarisht 123 euro, me raste që mund të shkojnë deri në 189 euro.

    • Çmimi tipik për një darkë më cilësore për dy llogaritet rreth 111 CHF.

    Ndërkohë, një vakt i thjeshtë për një person kushton rreth 25 franga, duke reflektuar nivelin e lartë të kostos së jetesës në vend.

    Pse është kaq e shtrenjtë?

    Ekspertët e lidhin këtë me standardin e lartë të jetesës, pagat më të larta dhe kostot e përgjithshme të shërbimeve, etj.

    Ndërkohë msatarja evropiane për një vakt të tillë është rreth 56 euro, çka do të thotë

     

  • Komuna e Prishtinës njofton se janë shtyrë afatet për pagesën e tatimit në pronë

    Komuna e Prishtinës njofton se janë shtyrë afatet për pagesën e tatimit në pronë

    Komuna e Prishtinës ka njoftuar e Ministria e Financave ka vendosur për të shtyrë afatet e pagesës së tatimit në pronë për vitin 2026.

    Afati për lëshimin e faturave është shtyrë deri me datë 31 mars 2026 derisa afati për pagesën e këstit të parë deri më 30 qershor.

    “Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka vendosur të shtyjë afatet për tatimin në pronë për vitin 2026: Afati për lëshimin e faturave: deri më 31 mars 2026, Afati për pagesën e këstit të parë: deri më 30 qershor 2026.

    Ky vendim siguron më shumë kohë për përmbushjen e detyrimeve tatimore dhe zbatimin e ligjit në mënyrë të drejtë”, thuhet në njoftim.