ATV

Author: G.O.

  • Sonte ndërrohet ora, akrepat lëvizin 60 minuta përpara

    Sonte ndërrohet ora, akrepat lëvizin 60 minuta përpara

    Natën nga e shtuna në të diel, ora e verës fillon duke i zhvendosur akrepat e orës një orë përpara, nga ora 2 e mëngjesit në orën 3 të mëngjesi.

    Ora e verës përfundon këtë vit më 25 tetor në orën 3 të mëngjesit, kështu që duke u zhvendosur një orë prapa, ora në orën 3 të mëngjesit llogaritet si 2.

    Arsyeja është e thjeshtë dhe lidhet me një rregull të pandryshueshëm të Bashkimit Evropian: ora verore fillon gjithmonë të dielën e fundit të muajit mars, ndërsa ora dimërore rikthehet të dielën e fundit të tetorit.

    Meqenëse ditët e javës bien në data të ndryshme çdo vit, ndryshon edhe data konkrete e së dielës së fundit të marsit. Në vitin 2026, e diela e fundit e muajit të tretë bie më 29 mars, prandaj edhe ndryshimi i orës do të ndodhë më herët se një vit më parë.

    Në praktikë, në orën 02:00 pas mesnate, akrepat do të zhvendosen në 03:00, çka do të thotë se qytetarët do të humbasin një orë gjumë, por ditët do të zgjasin më shumë.

  • Prokuroria Speciale nis hetimet për ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”

    Prokuroria Speciale nis hetimet për ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përmes Departamentit për Hetimin e Krimeve të Luftës, ka njoftuar se po ndjek me vëmendje zhvillimet rreth ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e vendosur në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet.

    Sipas njoftimit, Prokuroria do t’i nënshtrojë çështjen një vlerësimi të detajuar për të përcaktuar nëse ekspozita përmban elemente që mund të sjellin përgjegjësi penale, në përputhje me kompetencat ligjore dhe mandatin e Prokurorit të Shtetit.

    Ky reagim vjen pas shqetësimeve të ngritura nga qytetarë dhe figura publike lidhur me përmbajtjen e ekspozitës dhe ndikimin e saj mbi kujtesën historike dhe ndjeshmërinë kolektive.

    Prokuroria ka bërë të ditur se do të veprojë sipas ligjit dhe se çdo vendim për hapa të mëtejshëm do të njoftohet publikisht.

  • Detoksifikim nga sheqeri, humbni kilet e tepërta dhe bëjeni lëkurën rrezatuese

    Detoksifikim nga sheqeri, humbni kilet e tepërta dhe bëjeni lëkurën rrezatuese

    Nëse keni lexuar për tendencat e fundit të ushqimit të shëndetshëm, mund t’i keni lexuar dietat për detoksifikim.

    Por nëse e keni konsideruar konsumimin më të lartë të lëngjeve, agjërimin ose pastrimin në një përpjekje për të humbur peshë ose për të përmirësuar mirëqenien tuaj, ndoshta jeni të vetëdijshëm se shkurtimi në mënyrë drastike i ushqimeve nuk është efektiv si një qasje afatgjatë e jetesës për ushqim të shëndetshëm.

    Në fakt, detoksifikimi i rreptë mund të shkaktojë probleme duke përfshirë lodhjen, marramendjen dhe sheqerin e ulët të gjakut.

    Por ka një lloj detoksifikimi të qëndrueshëm që ia vlen, sipas disa ekspertëve.

    Zvogëlimi i sheqerit në dietën tuaj mund t’ju ndihmojë të hiqni kilet e tepërta, të përmirësoni shëndetin tuaj, madje edhe të keni lëkurë rrezatuese.

    “Ajo që ne kemi zbuluar në dy vitet e fundit është se sheqeri na mban mbipeshë, është gjithashtu një shkak kryesor i sëmundjeve të zemrës, ndikon negativisht në lëkurë dhe çon në plakjen e parakohshme” , tha Brooke Alpert, eksperte shëndetësore për dieta.

    Andaj mundohuni ta ulin konsumimin e sheqerit në dietën tuaj.

  • Arrestohet ish-kryeministri i Nepalit, akuzohet për vdekjen e dhjetëra njerëzve në protestat e shtatorit

    Arrestohet ish-kryeministri i Nepalit, akuzohet për vdekjen e dhjetëra njerëzve në protestat e shtatorit

    Ish-kryeministri i Nepalit, KP Sharma Oli është arrestuar për vdekjen e dhjetëra njerëzve gjatë protestave të dhunshme në shtator, që rrëzuan qeverinë dhe sollën zgjedhje të reja.

    Autoritetet vunë në pranga udhëheqësin e fuqishëm komunist në rezidencën e tij në periferi të kryeqytetit Katmandu. Ata arrestuan gjithashtu ish-ministrin e Brendshëm, i cili është akuzuar se ka urdhëruar autoritetet të qëllojnë mbi protestuesit. Për ish-kryeministrin e Nepalit kërkohet një dënim deri në 10 vite burg.

    Në protestat e udhëhequra nga të rinjtë kundër korrupsionit dhe qeverisjes së dobët humbën jetën 76 persona dhe më shumë se 2,300 mbetën të plagosur.

  • Prokuroria në Prizren kërkon paraburgim për të dyshuarin, sekuestrohen mbi 500 kg narkotikë dhe armë

    Prokuroria në Prizren kërkon paraburgim për të dyshuarin, sekuestrohen mbi 500 kg narkotikë dhe armë

    Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se i dyshuari F.N., 46-vjeçar nga fshati Maqitevë i Komunës së Suharekës, i cili ishte në kërkim nga organet e rendit, është dorëzuar në Policinë e Kosovës.

    Sipas njoftimit, rasti lidhet me një aksion të zhvilluar më 16 shtator 2025 nga Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, gjatë të cilit në një objekt në fshatin Maqitevë është zbuluar dhe sekuestruar një sasi e madhe e substancës narkotike marihuanë (kanabis sativa), mbi 500 kilogramë, saktësisht 512 kilogramë, në faza të ndryshme të përpunimit dhe tharjes.

    Gjatë aksionit janë sekuestruar edhe një granatëhedhës (mortajë), një raketë krahu, një pushkë gjuetie, fishekë, një traktor me rimorkio, pajisje dhe vegla pune për kultivim dhe përpunim, dy telefona celularë si dhe prova të tjera materiale.

    Po ashtu, prokuroria ka bërë të ditur se është lëshuar urdhër i përkohshëm për sekuestrimin dhe ngrirjen e dy parcelave me sipërfaqe prej 1963 m² dhe 1438 m² në fshatin Maqitevë.

    Sipas dyshimeve të ngritura, i pandehuri në një periudhë të pacaktuar kohore deri më 16 shtator 2025, në pjesën malore të këtij fshati, ka kultivuar pa autorizim bimën kanabis sativa me qëllim prodhimin dhe përgatitjen për shitje dhe shpërndarjen e saj në treg.

    Me këto veprime, ai dyshohet për kryerjen e veprave penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve” si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    I pandehuri aktualisht ndodhet në ndalim 48 orësh, ndërsa Prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij.

    Prokuroria Themelore në Prizren thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit.

  • Kurti shkruan për Masakrën e Podujevës: Për krimet e Serbisë ka dëshmi e dëshmitarë, ato duhet shndërrohen në aktakuza e dënime

    Kurti shkruan për Masakrën e Podujevës: Për krimet e Serbisë ka dëshmi e dëshmitarë, ato duhet shndërrohen në aktakuza e dënime

    Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i LVV, Albin Kurti, ka shkruar për 21 vjetorin e masakrës së Podujevës ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi e Llugaliu.

    Kurti ka shkruar se kjo masakër është kryer nga njësiti famëkeq “Shkorpionët”, që ishin përfshirë edhe në masakra në Bosnje e Hercegovinë.

    “Krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë kanë dëshmi dhe dëshmitarë. Ato duhet të shndërrohen në aktakuza konkrete dhe dënime të merituara. Institucionet tona kanë për obligim që këto dëshmi të bëhen themel i drejtësisë së mohuar për dekada”, ka shkruar Kurti.

  • Berisha paralajmëron protestë më 17 prill: Rama ka vetëm një rrugë – dorëheqjen

    Berisha paralajmëron protestë më 17 prill: Rama ka vetëm një rrugë – dorëheqjen

    Kreu i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha ka bërë të ditur se protesta e radhës e opozitës do të mbahet më 17 prill në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

    Në deklaratën e tij, Berisha ka akuzuar Ramën se po përpiqet të bindë qytetarët përmes sulmeve ndaj partnerëve ndërkombëtarë, duke theksuar se zgjidhja e vetme është largimi i tij nga pushteti.

    “Edi Rama mendon se do bindë shqiptarët duke sulmuar partnerët tanë. Edi Rama ke vetëm një rrugë, dorëheqjen sa më parë. Me datën 17 prill, Shqipëria në Tiranë për dorëheqjen e Edi Ramës.”

    Ai shtoi se opozita do të vazhdojë qëndresën, duke paralajmëruar mungesë stabiliteti për qeverinë aktuale.

    “Mos mendo se nuk do gjesh paqe kurrë, nuk do ketë stabilitet kurrë për ty, për organizatën tënde kriminelë dhe kartelet e drogës në Shqipëri. Opozita qëndron më e fuqishme se kurrë, më e vendosur se kurrë në misionin e saj”, u shpreh Berisha.

  • Masakra në Izbicë nga forcat serbe, Osmani: Kujtesë që s’guxon të zbehet – drejtësia të mos vonojë

    Masakra në Izbicë nga forcat serbe, Osmani: Kujtesë që s’guxon të zbehet – drejtësia të mos vonojë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar masakrën e Izbicës në 27-vjetorin e saj, duke nderuar viktimat dhe duke bërë thirrje për drejtësi.

    Në mesazhin e saj, ajo rikujtoi krimin e kryer 27 vjet më parë, kur, sipas saj, 147 civilë të pafajshëm u vranë mizorisht nga forcat gjenocidale të Serbisë.

    “27 vjet më parë, 147 civilë të pafajshëm u vranë mizorisht nga forcat gjenocidale të Serbisë, në mesin e tyre edhe një foshnje 6-muajshe, Dafina Qelaj. Një jetë që sapo kishte filluar, u shua barbarisht, bashkë me shumë të tjera, brenda shtëpive të tyre, vetëm pse ishin shqiptarë”.

    Osmani theksoi se masakra e Izbicës mbetet një dëshmi e dhimbjes dhe e çmimit të lirisë, por edhe një kujtesë që nuk duhet të zbehet.

    “Izbica nuk është vetëm dëshmi e dhimbjes dhe e çmimit të lirisë. Është poashtu kujtesë që nuk guxon të zbehet dhe thirrje që drejtësia të mos vonojë. Krimet e Serbisë, të cilat u kryen me qëllim të shfarosjes së popullit tone, duhet të përballen me drejtësinë.Kujtimi për të rënët është obligim, ndërsa drejtësia për ta mbetet amanet. Qoftë i përjetshëm kujtimi për martirët e dëshmorët!”, tha Osmani.

  • Rusia godit masivisht qytetin e Odesës, humbin jetën tre persona

    Rusia godit masivisht qytetin e Odesës, humbin jetën tre persona

    Lufta në Ukrainë vazhdon të marrë përmasa tragjike me sulme të koordinuara nga Rusia ndaj qyteteve dhe infrastrukturës kritike.

    Sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë natës që lamë pas, rusët goditën masivisht qytetin e Odessës, duke përdorur mbi 60 dronë.

    “Ky sulm nuk kishte asnjë kuptim ushtarak, ishte thjesht terror ndaj jetës civile,” tha Zelensky përmes një postimi në Telegram.

    Nga sulmet e natës, një person humbi jetën dhe 11 të tjerë u plagosën, mes të cilëve edhe një fëmijë.

    Objektivat e goditura përfshinë një maternitet, ndërtesa banimi, biznese dhe infrastrukturë portuale. “Shërbimet tona po punojnë për të ndihmuar aty ku është e nevojshme,” shtoi presidenti ukrainas.

    Ndërkohë në veri, në qytetin Kryvyi Rig, dy burra humbën jetën nga sulmet ruse, ndërsa Kievi është kundërpërgjigjur duke goditur një rafineri të madhe nafte në Yaroslavl, në veri të Moskës. Rafineria Slavneft-Yanos, një nga pesë më të mëdhatë në Rusi, ka kapacitet prodhimi mbi 15 milion ton naftë në vit.

  • Ekspozita për masakrat, OVL-UÇK: Faji rëndon mbi çdo institucion që shpenzoi para publike për të legjitimuar këtë turp

    Ekspozita për masakrat, OVL-UÇK: Faji rëndon mbi çdo institucion që shpenzoi para publike për të legjitimuar këtë turp

    OVL e UÇK-së kundërshton fuqishëm ekspozitën në qendër të Prishtinës, e cila sipas tyre shtrembëron luftën çlirimtare dhe fyen gjakun e derdhur për liri, raporton Gazeta Sinjali.

    Në një komunikatë për media, OVL thekson se paraqitja e viktimave civile si “persona të armatosur”, pikërisht në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s, përbën një akt të poshtër moral dhe është e papranueshme.

    Organizata kërkon distancim të menjëhershëm zyrtar nga përmbajtja e ekspozitës dhe llogaridhënie institucionale, duke theksuar se askush nuk guxon të njollosë UÇK-në apo sakrificën e popullit shqiptar.

    Postimi i plotë:

    REAGIM

    Kundërshtojmë me forcë ekspozitën e vendosur në qendër të Prishtinës.

    Nën maskën e kujtesës, ky instalacion shtrembëron të vërtetën e Luftës Çlirimtare duke fyer gjakun e derdhur për liri. Paraqitja e viktimave civile si “persona të armatosur”, pikërisht në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s, përbën një akt të poshtër moral. Një qasje e tillë është e papranueshme.

    Përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi autorët e këtij shtrembërimi dhe mbështetësit e tyre politikë. Sidoqoftë, faji rëndon edhe mbi çdo institucion që shpenzoi para publike për të legjitimuar këtë turp. Financimi i kësaj përmbajtjeje nga Kuvendi i Kosovës përbën skandal të pafalshëm. Përmes tij goditet e vërteta historike dhe poshtërohet dinjiteti i luftës sonë.

    Për këto arsye, kërkojmë distancim zyrtar të menjëhershëm nga përmbajtja e asaj ‘ekspozite’, si dhe llogaridhënie institucionale.