ATV

Author: G.O.

  • Nexhat Loci ndër orëndreqësit më të vjetër në Pejë

    Nexhat Loci ndër orëndreqësit më të vjetër në Pejë

    Nexhat Loci, tash 75 vjeç profesionin e orëndreqësit e kishte filluar vite e vite më parë, në një moshë të re.

    Pos që duhesh të kesh njohuri për funksionimin e orës, t’i ndreqësh një orë dore duhet të jesh i kujdesshëm që të merresh me pjesë të imta.

    Për ta ushtruar këtë zanat duhesh edhe ta duash dhe kjo është njëra prej arsyeve qe z.Nexhat thotë të mos e ketë ndje lodhjen, transmeton atvlive.tv.

    Këtë zanat, ai ua ka mësuar djemve të ti por ata nuk e kanë ndjekur këtë rrugë.

    “ Kur e kanë kry djemtë gjimnazin i kam pyet se a po doni me ua mësua zanatin tim, ata kanë thanë që jo edhe mandej iu kam thanë vazhdoni shkollimin se unë ju përkrahu gjithmonë”, tha ai.

    Ndonëse dikur punonte shumë më shumë se sot, ai për shkak të moshës ka reduktuar punën e orarin, madje ai është i vendosur që këtë punë do e bëjë, siç thotë ai, deri në frymën e tij të fundit./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Kriza e emigrantëve në Evropë: Italia me operacione për të shpëtuar 1200 njerëz në varka

    Kriza e emigrantëve në Evropë: Italia me operacione për të shpëtuar 1200 njerëz në varka

    Roja bregdetare italiane po kryen dy operacione në shkallë të gjerë për të shpëtuar rreth 1200 emigrantë nga varkat e mbipopulluara në brigjet e Sicilisë.

    Rreth 800 persona janë duke udhëtuar në njërën nga varkat e peshkimit, ndërsa rreth 400 janë në një tjetër.

    Roja bregdetare e vendit ka shpëtuar tashmë rreth 2,000 njerëz në operacione të tjera që nga e premtja.

    Të paktën dy persona vdiqën gjatë kalimit me varkë në fundjavë, tha një organizatë jofitimprurëse gjermane ResQship, raporton BBC.

    Shkuarja e emigrantëve në Itali është rritur ndjeshëm në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë së koalicionit të krahut të djathtë për të shtypur migracionin e parregullt.

    Varka me 400 persona, e cila besohet të jetë nisur nga Tobruku në Libi, ishte ende pa ndihmë të hënën vonë në mbrëmje, sipas një linje telefonike jozyrtare për emigrantët në fatkeqësi, Alarm Phone.

    Ajo tha se kishte ngritur një alarm urgjent me autoritetet e Italisë, Greqisë dhe Maltës të dielën.

  • Policia e Kosovës përgënjeshtron mediat serbe: Nuk kemi plagosur asnjëri

    Policia e Kosovës përgënjeshtron mediat serbe: Nuk kemi plagosur asnjëri

    Një person ka mbetur i plagosur nga përfshirja me armë zjarri në mbrëmë rreth orës 23:48 në veri të Mitrovicës.

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se është duke i hetuar rrethanat e plagosjes, derisa tha se i plagosuri aktualisht ndodhet në Spitalin e veriut duke marrë trajtim mjekësor.

    PK-ja thotë po ashtu se një njësitë policor ndodhet në Spitalin e qytetit dhe po kryen hetime intensive.

    “Nga aty kan pranuar informacione se gjendet duke u trajtuar një person, i cili dyshohet se është plagosur në krahror nga arma e zjarrit, por që deri më tani ende nuk dihen rrethanat dhe shkaqet e plagosjes së tij. Policia e Kosovës, është duke kryer hetime intensive, me qëllim të zbardhjes sa më parë të këtij rasti.”, ka njoftuar policia.

    Tutje Policia ka sqaruar edhe raportimet e mediave serbe se ky institucion është përfshirë në gjuajtje me armë zjarri.

    “Andaj, bazuar në informacionet zyrtare, vërtetohet se Policia e Kosovës nuk është përfshir në asnjë rast të gjuajtjes me armë zjarri, dhe mbetet e përkushtuar në hetimin dhe ndriçimin sa më parë të rastit të personit të plagosur i cili gjendet duke u trajtuar në qendren spitalore në Mitrovicë Veriore, ku sipas mjekëve është jasht rrezikut për jetë.”, njofton tutje PK-ja.

    Njoftimi i plotë:

    Njoftim për media

    Prishtinë, 11 prill 2023

    Policia e Kosovës me datë 10.04.2023 rreth orës 23.48 ka pranuar një informacion lidhur me dyshimet për plagosje me armë zjarri, të një personi në veri të vendit.

    Njësitet relevante policore kanë ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore lidhur me hetimin dhe verifikimin e informacionit të pranuar, duke përfshirë edhe dërgimin e një njësie policore në spitalin e Mitrovicës Veriore.

    Nga aty kan pranuar informacione se gjendet duke u trajtuar një person, i cili dyshohet se është plagosur në krahror nga arma e zjarrit, por që deri më tani ende nuk dihen rrethanat dhe shkaqet e plagosjes së tij.

    Policia e Kosovës, është duke kryer hetime intensive, me qëllim të zbardhjes sa më parë të këtij rasti.

    Vlen të potencojmë dhe njëherit të sqarojmë se, Policia e Kosovës nuk është përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo të gjuajtjes me armë zjarri ndaj asnjë grupi apo personi të caktuar.

    Andaj edhe shkrimet, apo pyetjet e adresuara Policisë së Kosovës nga disa mediume serbe, se kinse Policia e Kosovës është përfshirë, apo në formën e pyetjes se a është përfshirë në gjuajtje me armë dhe plagosje të një personi te ura e Bistricë në komunë të Leposaviqit, ju informojmë dhe njëherit ritheksojmë se Policia e Kosovës, nuk është përfshirë në asnjë rast të shkëmbimit apo gjuajtjes me armë zjarri, në asnjë lokacion në veri të Kosovës, përfshirë edhe lokacionin e apostrofuar.

    Andaj, bazuar në informacionet zyrtare, vërtetohet se Policia e Kosovës nuk është përfshir në asnjë rast të gjuajtjes me armë zjarri, dhe mbetet e përkushtuar në hetimin dhe ndriçimin sa më parë të rastit të personit të plagosur i cili gjendet duke u trajtuar në qendren spitalore në Mitrovicë Veriore, ku sipas mjekëve është jasht rrezikut për jetë.

    Po ashtu ftojmë edhe mediat që për informacione zyrtare t’i adresohen Policisë së Kosovës.

  • Liga e Kampionëve rikthehet me dy superndeshje sot

    Liga e Kampionëve rikthehet me dy superndeshje sot

    Gara më prestigjioze evropiane në nivel të klubeve, Liga e Kampionëve do të rikthehet sot me dy ndeshjet jashtëzakonisht interesante.

    Këto dy sfida janë të vlefshme për fazën gjysmëfinale dhe sot do të luhen ballafaqimet e para, raporton KosovaPress.

    Në “Estádio da Luz” të Lisbonës, Benfika e pret Interin, skuadër e cila së fundmi është futur në një krizë të thellë të rezultateve, andaj të dy skuadrat do të kërkojnë me çdo kusht kalimin në gjysmëfinale.

    Ballafaqimi tjetër i jashtëzakonshëm do të zhvillohet në “Etihad stadium”, aty ku Manchester City e pret gjigantin gjerman Bayern Mynih.

    Të dy ndeshjet nisin nga ora 21:00.

  • 38 vjet nga vdekja e Enver Hoxhës

    38 vjet nga vdekja e Enver Hoxhës

    Sot mbushen 38 vjet nga vdekja e Enver Hoxhës. Për disa ai drejtoi Shqipërinë me nder për 40 vjet, ndërsa për pjesën tjetër Hoxha sundoi Shqipërinë gjatë kësaj periudhe.

    Periudha 40-vjeçare e udhëheqjes së tij, u karakterizua nga eliminimi i opozitës, dënimet e kundërshtarëve të tij politikë me vdekje ose burgime të gjata, dhe dëbimet e familjeve të tyre nga shtëpitë ku jetonin dhe internimet e tyre në fshatra të thella, ku kontrolloheshin rreptësishtë nga policia dhe Sigurimi i Shtetit.

    Enver Hoxha u lind më 16 tetor 1908 në lagjen “Palorto”, Gjirokastër. Ai ishte udhëheqësi komunist i Shqipërisë nga viti 1944 deri në vdekjen e tij në vitin 1985, si Sekretar i Parë i Partisë së Punës së Shqipërisë. Ai ishte kryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë dhe komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura nga viti 1944 deri në vdekjen e tij. Ai shërbeu si kryeministër i Shqipërisë, 1944-1954 dhe në kohë të ndryshme ka shërbyer si ministër i jashtëm dhe si ministër i mbrojtjes.

    Vitet e fundit të jetës ishin rënduar për Hoxhën për shkak të diabetit që i ishte diagnostikuar shumë vite më parë, ai pëson një infarkt në zemër në vitin 1972, më pas një tjetër në vitin 1973, këto dy infarkte e rënduan akoma shumë shëndetin e tij. Fillimi i prillit do të shënojë edhe fundin e jetës së tij, pasi i janë paralizuar këmbët edhe goja, pëson një ishemi më 9 prill 1985, ndërsa vdes dy ditë më vonë.

    Ai u varros me një ceremoni madhështore në varrezat e dëshmorëve ku iu bënë nderimet e larta si për çdo udhëheqës. Por pas rënies së komunizmit, varri i tij u zhvendos te varrezat në Sharrë, ku ndodhet edhe sot.

    Menjëherë pas vdekjes së sekretarit të Parë të PPSH Enver Hoxha, lideri pasardhës i tij Ramiz Alia në mbledhjen e Byrosë Politike propozon që në qendër të Tiranës dhe të vendlindjes në Gjirokastër të ngrihet nga një shtatore në nder të tij, Universitetit të Tiranës i vihet emri Enver Hoxha, portit kryesor të Durrësit, e shumë uzina e hidrocentrale morën emrin e tij.

    Gjithashtu, u krijua Java e Enverit e cila festohej gjithmonë me rastin e datëlindjes së tij duke punuar me rendimente më të larta për të tejkaluar planin. Monumenti i Hoxhës u përurua në vitin 1988 dhe ishte 8 metra e lartë. Ai u rrëzua më 20 shkurt 1991 nga protestuesit dhe rrëzimi i tij simbolizon edhe rënien e komunizmit në Shqipëri.

  • 24 vjet nga rënia e Agim Ramadanit

    24 vjet nga rënia e Agim Ramadanit

    Sot bëhen 24 vjet nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani, i cili gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët.

    Ai ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët.

    Agim Ramadani u lind në Zhegër të Gjilanit, më 3 maj 1963. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen në Gjilan në vitin 1980, ndërsa Akademinë ushtarake-drejtimi i komunikacionit në Zagreb të Kroacisë.

    Me poezi dhe pikturë është marrë që nga shkollimi i mesëm. Përderisa poezitë e tij, sa ishte gjallë i mbetën të shpërndara nëpër revista të ndryshme e në dorëshkrim, si piktor organizoi ekspozita kolektive e personale në Kroaci, ku punoi si ushtarak e në Zvicër, ku jetoi si emigrant politik, meqë me fillimin e luftës në Kroaci, ai braktisi ish-Armatën Jugosllave ku punonte si oficer. Në vitin 1998 pranohet anëtar nderi në Akademinë Evropiane të Arteve.

    Ndonëse kishte të rregulluar statusin e emigrantit, Agim Ramadani në vitin 1998 iu përgjigj thirrjes së atdheut dhe u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë në Zvicër tre fëmijë dhe gruan.

    Gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët. Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe ishte i pari që shkuli gurin-piramidën-kufitare në Koshare. Pas thyerjes së kufirit, në pjesën e Kosovës, te vendi i quajtur Rrasa e Zogut, ai ra heroikisht duke mos vdekur kurrë. Njihet me emrin konspirativ-Katana.

    Llogaritet si një nga heronjtë më të njohur të historisë së re shqiptare. Në Gjilan para Teatrit Kombëtar i është ngritur një shtatore, në të cilën janë komponuar të gjitha elementet artistike dhe luftarake të Agim Ramadanit – Katanës. Është përfaqësuar në disa leksikone dhe antologji të shkrimtarëve shqiptarë, të botuara pas vitit 2000. Agimi la pas vetes tre pasardhës, djemtë Jetonin dhe Edonin, si dhe vajzën Lorinën.

  • Dhjetëra minatorë bllokohen në “Trepçë”, Januzi tregon për gjendjen e tyre

    Dhjetëra minatorë bllokohen në “Trepçë”, Januzi tregon për gjendjen e tyre

    Në orët e para të mëngjesit, dyshohet se rreth 40 minatorë të minierës së Trepçës është raportuar se kanë mbetur të bllokuar.

    Bllokimi i minatorëve ka ndodhur për shkak të prishjes së një elevatori i cili ua mundëson atyre hyrje-daljet nga thellësia e minierës.

    Kryetari i sindikatës së minatorëve, Ibrahim Jonuzi, ka deklaruar për ATV-në se deri tash nëpërmjet shkallëve alternative kanë dalë 8 minatorë, ndërsa brenda kanë mbetur të tjerët, për të cilët ka thënë se brenda një ore pritet të dalin edhe ata./ATVLIVE.TV/

  • Kërkohet ndryshimi urgjent në kalendarin e festave zyrtare

    Kërkohet ndryshimi urgjent në kalendarin e festave zyrtare

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK) kërkon nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës që me urgjencë të propozojë ndryshim plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës.

    DhTIK njofton për media se praktikat e deritanishme që ditët e festave që bien në ditë vikendi, të zëvendësohen me pushim gjatë ditëve të punës, përkatësisht neni 4 i Ligjit për Festat Zyrtare, sipas të cilit “Kur ditët e festave zyrtare të cekura në nenin 2 të këtij ligji bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi do të jenë ditët pasardhëse të punës”, është praktikë e cila ka dëmtuar dhe po e dëmton vendin në aspektin financiar dhe ndërkombëtar.

    “DhTIK kërkon që festat zyrtare të mos zëvendësohen me ditë punë në rastet kur ato bien gjatë ditëve të vikendit, por ditë pushimi të jetë vetëm dita e cila është ditë pushimi. Gjithashtu DhTIK kërkon që të festohen, por të mos jenë ditë pushimi, datat: 9 Prilli, Dita e Kushtetutës dhe 9 Maj Dita e Evropës”, thuhet në njoftim.

    DhTIK kërkon po ashtu që festat e komuniteteve të jenë ditë pushimi për këto kategori, por jo edhe për gjithë vendin.

    “DhTIK, mbetët me shpresë se këto rekomandime do të merren parasysh në mënyrë që të kontribuohet në rritjen e ditëve të punës dhe rritjen e ardhjes së investimeve nga Evropa aq shumë të nevojshme për vendin tonë me papunësinë më të madhe në Evropë dhe me të ardhurat më të vogla për kokë banori në Evropë”, thuhet në njoftim.

  • Për 24 orë mbi 60 aksidente trafiku, Pacolli: Rrugët në gjendje katastrofale, qeveria të veprojë për t’i parandaluar vdekjet

    Për 24 orë mbi 60 aksidente trafiku, Pacolli: Rrugët në gjendje katastrofale, qeveria të veprojë për t’i parandaluar vdekjet

    Kreu i AKR-së dhe biznesmeni Behgjet Pacolli ka ngritur shqetësim se nëpër rrugët e Kosovës po ndodhin shumë incidente të trafikut.

    Ai ka nxjerrë disa statistika të këtyre aksidenteve në 24 orët e fundit nëpër rrugët e vendit tonë.

    Gjithashtu ka treguar edhe shkakun që çon në këto aksidente.

    “Vetëm në 24 orët e fundit kanë ndodhur mbi 62 incidente trafiku nëpër rrugët tona. Shkaku kryesor i këtyre incidenteve janë rrugët, të cilat për shkak të mungesës së mirëmbajtjes, janë në gjendje katastrofale. Që nga viti 2020, faktikisht, në Kosovë nuk ka mirëmbajtje të rrugëve dhe gjendja e tyre është shkaku kryesor i incidenteve që po kushtojnë jetët e njerëzve. Bëj thirrje te qeveria që të veprojnë për të parandaluar vdekjen e njerëzve”, ka thënë ai.

  • ​Ulet çmimi i naftës, por jo edhe i biletave të transportit publik

    ​Ulet çmimi i naftës, por jo edhe i biletave të transportit publik

    Në muajt e fundit ka filluar të zbritet çmimi i derivateve në Kosovë, mirëpo çmimi i biletave të transportit publik në vend nuk është ulur, por ka mbetur i njëjtë. Biletat e udhëtimit në tërë vendin një vit më parë kishin shënuar ngritje, në kohën kur ishte shtrenjtuar nafta deri 1.90 euro, si rrjedhojë e invazionit rus në Ukrainë.

    Udhëtarët nga rajone të ndryshme në Kosovë, thonë se pas uljes së çmimit të naftës duhet të ulet edhe çmimi i biletave, gjersa shtojnë se për udhëtarët studentë, është i papërballueshëm.

    Edhe drejtues të shoqatës së naftëtarëve kanë konfirmuar rënie të çmimit të derivateve, dhe kanë kërkuar nga të gjitha bizneset dhe operatorët ekonomik që të reflektojnë në uljen e çmimeve.

    Udhëtari nga Juniku, Florent Kuqi, thotë se çmimi i biletës së autobusit nga Juniku në Prishtinë është 5 euro, gjersa thekson se ky çmim është i papërballueshëm për studentët.

    “Biletat duhet të ulen, pasi që është ulur edhe çmimi i naftës, për arsye që Kosova është pak vend i vogël dhe ka shumë pak të punësuar… Nga Juniku deri në Prishtinë, bileta është 5 euro. Për disa qytetarë është e papërballueshme, sepse ka shumë studentë që shkojnë nga Juniku në Prishtinë, Pejë dhe varët nga relacioni që është”, u shpreh ai.

    Xhevdet Spahia, thotë se biletat më shumë nga 5 euro, janë të papërballueshme për prindërit që i financojnë fëmijët gjatë studimeve të tyre në vende me distancë të largët.

    “Çmimet e biletave, të autobusëve është dashur të lirohen, për arsye se nafta është liruar, benzina është liruar dhe meqenëse është shtrenjtuar atëherë kur është shtrenjtuar dhe nafta, tash le t’i lirojnë dhe këto… Për studentë, 5 euro bileta, nga Peja, Gjakova, të vijnë deri në Prishtinë është shtrenjtë dhe prindi që duhet ta financojë atë fëmijë e ka problem. Ndoshta i ka dy tre fëmijë, në të njëjtën kohë në studime, është e papërballueshme”, theksoi ai.

    Sheref Tepeku, gjersa ankohet për çmimin e lartë të biletave, konsideron se puna e çmimeve nga linjat e autobusëve ngjason me biznes.

    “Kanë thënë që pasi është ngritur çmimi i naftës, janë ngritur dhe biletat dhe tashmë meqë është zvogëluar çmimi i naftës duhet të zvogëlohet edhe çmimi i biletave”, tha ai.

    Mendim të njëjtë nuk ka edhe Bajram Seferi, nga linja e autobusëve Pejë-Prishtinë. Ai thotë se ulja e çmimit të biletave për udhëtarë, nuk është në favorin e tyre, gjersa shton se përveç naftës ata detyrohen të paguajnë edhe shpenzimet e tjera që i posedon autobusi.

    “Jo assesi. Më së paku na konvenon neve si transportues t’i ulim çmimet e biletave, në përjashtim edhe kur ngritën çmimet e derivateve, neve transportuesit e linjave Pejë-Prishtinë, nuk është në pyetje vetëm çmimi i biletave. Ne edhe para shtrenjtimit të naftës e kemi pasur çmimin prej 4 euro për studentë dhe 5 euro për udhëtarë, andaj edhe sot janë çmimet e njëjta. Edhe pse çmimi i derivateve ka pak zbritje, çmimet e tjera janë zakonisht të larta, si p.sh çmimi për mëditjen e shoferit, mëditjen e kondukterit, çmimi për pjesët amortizuese të autobusit në fjalë, atëherë tek ne më së paku ka llogari për ta ulur çmimin e biletave… Sipas nesh çmimi nuk është i papërballueshëm. Ne i bëjmë 100 kilometra në një drejtim, dhe 100 kilometra 4 euro, nuk është një çmim aq i madh sa të mos munden ta përballojnë”, potencoi ai.

    I të njëjti mendim ishte edhe Qerim Xhaferi, nga linja e autobusëve Ferizaj-Prishtinë. Meqenëse bileta e kësaj linje është 1 euro, sipas tij nuk është e nevojshme të ulet çmimi.

    “Çmimi i biletave nuk na konvenon të ulet sepse uljen e kemi mjaftueshëm, çmimi i biletës është një euro, nuk ka çfarë të zbritet më shumë. Ne e kemi biletën më të lirë, Ferizaj-Prishtinë”, u shpreh ai.

    Në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, kryetari i Shoqatës së Naftarëve Fadil Berjani, thotë se brenda afatit kohorë ka rënie të derivateve për 0,65 centë dhe thekson se pas uljes së çmimit të derivateve duhet të ulet edhe çmimi i biletave të autobusëve.

    “Aktualisht çmimi i naftës është 1.29, ndërsa i benzinës, 1.30. Brenda afatit kohor kemi rënie të derivateve në Kosovë për 0,65 cent…Çmimet e derivateve për qytetarët tanë, janë të larta në krahasim me çfarë standardi kanë. Të gjithë duhet të reflektojnë në uljen e çmimeve, ngase të gjitha produktet dhe biletat janë rritur si pasojë e rritjes së derivateve. Tashmë çmimi i derivateve ka rënë, janë ulur çmimet, andaj biletat dhe të gjitha produktet ushqimore duhet të ulën, në mënyrë që qytetarët të kenë një jetë më të mirë dhe më të lirë”, theksoi ai.

    Kujtojmë se para 6 muajsh, një litër naftë shkonte rreth 1.90 euro-cent. Ndërkaq, çmimet e derivateve janë rritur në tregjet ndërkombëtare pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.