ATV

Author: G.O.

  • Në MPB u lansua projekti për zgjerimin e Qeverisjes së Migrimit

    Në MPB u lansua projekti për zgjerimin e Qeverisjes së Migrimit

    Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u mbajt konferencë për lansimin e projektit: ‘Zgjerimi i Qeverisjes së Migrimit nëpërmjet programimeve të bazuara në evidenca dhe Forcimi i Kapaciteteve të Autoriteteve të Migrimit në Kosovë”.

    Në këtë takim mori pjesë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kollly,  shefja e IOM-it në Kosovë, Annna Rostocka, përfaqësues të Policisë së Kosovës, si dhe organizata partnere në Kosovë.

    Në hapje të konferencës, ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla fillimisht falënderoi shtetin dhe popullin Zviceran për përkrahjen e vazhdueshme që ka ofruar për vendin dhe institucionet e Kosovës ndër vite. Ai tha se Zvicra ka qenë dhe mbetet ndër partnerët tonë kryesore drejt zhvillimit të shtetit tonë dhe përmirësimit të cilësisë së jetesës së qytetarëve të Republikës së Kosovës.

    “Migrimi mbetet një sfidë për shtetin e Kosovës, rajonin dhe më gjerë. Zhvillimet e ndryshme sidomos luftërat dhe konfliktet detyrojnë largimin dhe migrimin nga vendet e ndryshme të botës, të cilët lëvizin përmes rajonit të Ballkanit Perëndimor. Andaj, prioriteti jonë ka qenë dhe mbetet parandalimin i migrimit të parregullt, duke luftuar grupet kriminale që merren me kontrabandim me migrantë, si dhe duke zgjeruar infrastrukturën  dhe përmirësuar shërbimet për pritjen, akomodimin dhe trajtimin e dinjitetshëm të migrantëve dhe aplikuesve për mbrojtje ndërkombëtare”, theksoi ministri Sveçla.

    Ministri Sveçla vuri në dukje se projekti që po lansohet sot është i rëndësishëm në përmbushjen e objektivave tonë në fushën e migrimit.  Zgjerimi i kapaciteteve dhe infrastrukturës për pritjen dhe trajtimin e migrantëve që është pjesë e këtij projekti, reflekton prioritetet dhe politikat tona shtetërore për: menaxhim të lëvizjeve migratore, si dhe trajtimin e migrantëve sipas standardeve ndërkombëtare dhe parimeve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut etj.

    Objektiv i përgjithshëm  i këtij projekti është  që të kontribuojë në përmirësimin e qeverisjes së migrimit, duke u bazuar në evidenca gjithëpërfshirëse dhe të maksimizojë potencialin e migrimit për të arritur rezultate konkrete të zhvillimit të qëndrueshëm.

    Vlera e projekti është 2.1 milion franga zvicerane dhe financuar nga Konfederata Zvicerane dhe që do të realizohet nga organizata për migrim IOM.

  • Betimi i kryetarëve në veri mobilizon EULEX-in: Jemi në gatishmëri 24 orë për të reaguar, nëse është nevoja

    Betimi i kryetarëve në veri mobilizon EULEX-in: Jemi në gatishmëri 24 orë për të reaguar, nëse është nevoja

    Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) është duke ndjekur nga afër zhvillimet në veri të Kosovës përmes pranisë së njësisë së saj të formuar policore dhe njësisë policore të formuara rezervë.

    Ata kanë thënë se këtë monitorim po e bëjnë në koordinim me këshilltarët e tyre të lartë policor dhe stafit tjetër të pranishëm në zonë, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.

    Niveli i gatishmërisë është rritur me rastin e betimit të kryetarëve të rinj të zgjedhur në katër komunat e veriut të Kosovës.

    Nga EULEX-i thonë se janë në gatishmëri 24 orë për të reaguar nëse është nevoja.

    “Përveç kësaj, një Forcë e Reagimit të Shpejtë është në gatishmëri 24 orë në ditë në Mitrovicë, me kohë shumë të shkurtër reagimi. Duke marrë parasysh ceremoninë e betimit, EULEX-i ka rritur nivelin e gatishmërisë së tij”, kanë thënë nga EULEX-i.

    Nga ky mision kanë thënë se janë të gatshëm ta mbështesin Policinë e Kosovë, nëse kjo nevojitet ose kërkohet.

    “Njësia e Formuar Policore e Misionit dhe Njësia Policore e Formuar Rezervë janë të gatshme të mbështesin Policinë e Kosovës si reagues i dytë i sigurisë, nëse kërkohet dhe nëse nevojitet, në ruajtjen e stabilitetit të Kosovës dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve të saj”, thuhet më tej në përgjigjen e EULEX-it për Front Online.

    Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, më 19 maj ka bërë betimin para Kuvendit Komunal, procedurë kjo solemne për të marrë detyrën si kryetar.

    Pas betimit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, mbeten të bëjnë betimin edhe ata të komunave Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

    Nga të tri këto komuna, vetëm Zubin Potoku ka asamble funksionale.

    Bashkësia ndërkombëtare ka njohur ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 23 prillit, por ka shprehur keqardhje për mospjesëmarrjen në zgjedhje të partive nga komuniteti serb.

    Megjithatë, Bashkimi Evropian ka vlerësuar se ka pasur një pjesëmarrje të vogël të votuesve në zgjedhje dhe se zgjedhjet në veri “nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate politike”.

    Nga blloku evropian u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të gjejnë një zgjidhje politike, në bazë të së cilës, serbët do të ktheheshin në institucionet e Kosovës.

  • Në seancë private vazhdon dhënien e dëshmisë dëshmitari i gjashtë

    Në seancë private vazhdon dhënien e dëshmisë dëshmitari i gjashtë

    Edhe sot në Gjykatën Speciale në Hagë ka vazhduar dhënia e dëshmisë së dëshmitarit të gjashtë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Në seancën e sotme gjyqësore dëshmitari me kodin 4355 vazhdon t’iu përgjigjet pyetjeve të ZPS-së.

    Ndërsa, me të nisur seanca për të mbrojtur dëshmitarin e njëjta është mbyllur për publikun.

    Dëshmitari i gjashtë i ZPS-së ka nisur dhënien e dëshmisë së tij nga pasditja e djeshme. Një pjesë e dëshmisë së dëshmitarit të gjashtë u dëgjua kryesisht në seancë të mbyllur për publikun si masë për mbrojtjen e këtij të fundit.

    Ndërsa, po në seancën e djeshme gjyqësore kundër Thaçit dhe të tjerëve dëshminë e tij e përfundoi edhe dëshmitari i pestë i ZPS-së.

    Katër dëshmitarët e parë në gjykimin kundër ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryekuvendarëve, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi dhanë dëshminë e tyre në seanca të mbyllura për publikun.

    Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

    Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm.

  • Arrestohet një person në Klinë, dyshohet se ngacmoi seksualisht një grua

    Arrestohet një person në Klinë, dyshohet se ngacmoi seksualisht një grua

    Policia e Kosovës, njoftoi se është arrestuar një person, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Ngacmim seksual”.

    “Klinë 22.05.2023 – 15:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi ai ka ngacmuar seksualisht viktimën femër kosovare”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

     

  • Një burrë në Prishtinë raporton se vajza e tij është zhdukur

    Një burrë në Prishtinë raporton se vajza e tij është zhdukur

    Një burrë në Prishtinë ka raportuar në Polici se vajza e tij është zhdukur.

    “Prishtinë 21.05.2023 – 19:20. Ankuesi mashkull kosovar ka informuar se vajza e tij viktima femër kosovare është larguar nga shtëpia dhe nuk është kthyer më”, thuhet në raportin e Policisë.

    Tutje, Policia njoftoi se rasti është në procedurë hetimore, ndërsa është njoftuar edhe prokurori kujdestar.

     

  • “Inspeksioni s’po na len me punu, por na familjen diqysh po duhet me majt”, sharrëxhiu tregon sfidat e punës së tij

    “Inspeksioni s’po na len me punu, por na familjen diqysh po duhet me majt”, sharrëxhiu tregon sfidat e punës së tij

    Në kuadër të rubrikës “Profesionet” të emisionit ALARM në ATV, z. Ruzhdi Uka, tregoi për punën e tij prej sharrëxhiu, për çka tha se është profesion të cilin pavarësisht sfidave, ai e ushtron me shumë vullnet.

    “Çdo ditë dalim këtu, na i thojmë te ‘xhamia e Llapit’, dalim herët, këtu te i njëjti vend. Me këtë zanat merrem që prej mas luftës. Puna pak është e zorshme dhe e rrezikshme dhe ka më shumë harxhime, gati sa nji kerr ka shpenzime, por normal çdo punë është e zorshme, mirëpo duhet me punu me vullnet, pavarësisht se çka punon”, tha ai.

    Tutje, ai tha se problem për të, janë edhe aksionet nga Drejtoria e Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, për largimin e tyre nga rruga, ku edhe ai qëndron pothuajse gjatë gjithë ditës.

    “Çdo njani e ka kështu, si unë me këso vështirësi. Vijnë na thojnë po pengon, këqyrin me na largu, po çka po pengoj unë këtu në rrugë. Ai njeri që del me punu e me nejt në asfalt gjithë ditën në borë e në shi e në zheg, e shtyn idarja, se po duhet me majt familjen. Shteti duhet me punu ma shumë, me i rregullu do sene, se këtu në Kosovë ka pare veç duhet me punu”, shtoi ai.

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • New York Times për Masakrën e Dubravës në 1999: Gardianët serbë vranë më shumë se 100 të burgosur shqiptarë për dy ditë

    New York Times për Masakrën e Dubravës në 1999: Gardianët serbë vranë më shumë se 100 të burgosur shqiptarë për dy ditë

    Dita e djeshme shënoi 24 vite që kur forcat shtetërore serbe kryen Masakrën në Dubravë ndaj të burgosurve shqiptarë.

    Ngjarja alarmoi opinionin vendor e ndërkombëtar. Akti barbar shpërfaqi edhe një herë mendësinë e regjimit të Millosheviçit.

    Mediumi prestigjioz amerikan, “The New York Times”, në nëntor të vitit 1999 kishte publikuar një artikull të gjatë për Masakrën e Dubravës.

    “Era e keqe e tmerrit vazhdon në një burg në Kosovë”, kështu titullohej artikulli i NYT, i cili tregon se si edhe disa muaj pas masakrës, në bodrumet e ndërtesave, gjaku qëndronte ende i ngjitur në dysheme.

    Artikulli i plotë i “The New York Times”:

    Muret e larta me tulla të kuqe të burgut të Dubravës tregojnë pak. Ashtu si ndërtesat moderne të policisë jashtë, ato mbajnë shenja të dëmtimit të bombave nga sulmet e NATO-s në maj të këtij viti, por kjo është vetëm gjysma e historisë.

    Pikërisht brenda mureve të burgut ka grumbuj rrobash të braktisura, të lagura nga muajt e shiut, por që ende lëshojnë një erë të keqe trupash të vdekur. Era përshkon ndërtesat e burgut brenda, një kujtim i tmerrit që pushtoi burgun për pesë ditë në fund të pranverës. Ndërtesat përshkruhen si një vend i kaosit vrasës.

    Naser Hysaj, një ish-prokuror publik nga qyteti i afërt i Pejës dhe në atë kohë një nga të burgosurit politikë më të shquar të Kosovës, ishte në burgun e Dubravës në maj. Duke u kthyer në burg për herë të parë që nga lirimi i tij nga autoritetet serbe në shtator, ai përshkroi një përvojë të tmerrshme në të cilën të burgosurit u bllokuan fillimisht nga bombardimet e NATO-s, të cilat vranë të paktën 23 të burgosur dhe më pas nga forcat e maskuara të policisë serbe, të cilat vranë më shumë se 100 të burgosur të tjerë shqiptarë në burg për dy ditë.

    “Ata po përfitonin nga veprimi i NATO-s”, tha ai, duke iu referuar rojeve serbe. “Ata donin të na vrisnin të gjithëve”.
    Gjaku dhe aroma e vdekjes mbeten gati gjashtë muaj më vonë. Shtrati dhe rrobat janë të shpërndara në të gjithë terrenin e gjerë ku të burgosurit i tërhoqën zvarrë për të fjetur jashtë në një përpjekje për të shmangur sulmet ajrore të NATO-s. Dhe në bodrumet e ndërtesave, gjaku qëndron ende i ngjitur në dysheme, vrimat e plumbave dëmtuan muret dhe shenjat e goditjeve të shpërthimeve të granatës gërmuan dyshemetë.

    Z. Hysaj, themelues i partisë nacionaliste shqiptare të Kosovës, Balli Kombetar, po vuante një dënim prej pesë vitesh të vendosur nga autoritetet serbe, për drejtimin e asaj që ata e quajtën një organizatë “kuislinge fashiste”.
    Ai kaloi tre vjet në Dubravë nga 1995 deri në 1998, pastaj një vit në një burg serb, para se të kthehej në Kosovë gjatë fushatës ajrore të NATO-s. I liruar në fund të dënimit në shtator, ai u rikthye këtë fundjavë në burg për herë të parë dhe tregoi historinë e tij.

    “Sulmi i parë filloi më 19 maj”, tha ai për bombardimet e NATO-s. ”Ata goditën pavionin C, një bllok qelie dhe tre persona u vranë. Më 20 maj nuk pati asnjë bombardim dhe më pas më 21 maj në orën 8 të mëngjesit dëgjuam një aeroplan. Rojet ikën dhe ne dolëm me vrap në mes të oborrit. Ata po goditnin blloqe gjatë gjithë ditës”.

    Ai tha se të gjitha rojet ishin larguar nga kompleksi, duke përfshirë kullat e vrojtimit, megjithëse disa mbetën jashtë dhe mbanin siguri të rreptë rreth burgut. Disa të burgosur që ishin tashmë jashtë qelive të tyre për detyra të rregullta pastrimi ose gatimi, më pas liruan të burgosur të tjerë nga qelitë e tyre.

    Rreth 20 njerëz u vranë atë ditë, tha ai, duke vënë në dukje një krater bombë që ende kishte mish njeriu, ku disa njerëz ishin vrarë. Të burgosurit i çuan kufomat deri në skajin më të largët të terrenit dhe i shtrinë pranë fushës së sportit. Atë natë e gjithë popullsia e burgut, rreth 900 burra, flinin në bar pranë fushave sportive, që është brenda kompleksit të burgut.

    Të nesërmen në mëngjes, në orën 8 të mëngjesit, rojet u kthyen vetëm në kullat e vrojtimit dhe urdhëruan të burgosurit të mblidheshin në rreshta nga katër për t’u përgatitur për t’u transferuar në një burg tjetër. Z. Hysaj ishte duke qëndruar në anën e pasme me disa kolegë të burgosur politikë kur papritmas gardianët hapën zjarr.

    “Ata filluan të qëllojnë me automatik mbi të burgosurit”, tha ai. “Ata hodhën granata mbi muret e burgut dhe një tjetër automatik qëllonte nga një vrimë në mur”, shtoi ai, duke treguar vendin. ”Shtatëdhjetë njerëz vdiqën në ato të shtëna’.

    Z. Hysaj shpjegoi të shtënat sesi serbët i përdornin bombardimet e NATO-s si mundësi për të marrë hak dhe ndëshkim të saktë ndaj shqiptarëve dhe për ta cilësuar atë si një mizori të NATO-s.
    Por nuk është e qartë nëse gardianët kishin kontroll të plotë mbi 900 të burgosurit që tani ishin liruar nga qelitë e tyre. Ushtarët paqeruajtës spanjollë që ruajnë burgun mbështesin rrëfimin e zotit Husaj. Por incidenti mund të ketë nisur si një trazirë në burg, thanë ata, dhe nga armët e improvizuara të gjetura më vonë ishte e qartë se disa të burgosur u përpoqën të luftonin.

    “Unë u ktheva dhe vrapova poshtë shpatit dhe në atë ndërtesë, bllokun B”, tha ai. ”Kush mund të shpëtonte thjesht vrapoi”. Por ata nuk mundën të largoheshin nga kompleksi. Qindra të burgosur u larguan në ndërtesa, duke u fshehur në bodrume dhe qeli dhe më vonë duke sjellë të plagosur.

    Për 36 orët e ardhshme, tha zoti Hysaj, anarkia mbretëroi teksa policët e maskuar hynë në terren, duke kërkuar dhe sulmuar të burgosurit me armë automatike dhe granata. Të burgosurit u barrikaduan në dhoma dhe bodrume, duke sekuestruar si armë, hekura, drunj, tuba metalikë dhe copa xhami.
    Në bodrumin e qendrës kulturore, nën gypat e izoluar të ngrohjes dhe lavatriçet industriale, armët ishin ende përreth: një lopatë, thumba metalike, shufra druri dhe shtrirje tubash metalikë, të mbështjellë me lecka për një kapje më të mirë.

    Pellgjet e gjakut të tharë ende njollosin dyshemenë, mes rrobave të hedhura. Dy kratere të vegjël të rrumbullakët nga një granatë dore çanë dyshemenë prej betoni.
    “Ne menduam se donin të na vrisnin të gjithëve”, tha zoti Husaj, duke përshkruar gjendjen e terrorit të shumicës së të burgosurve. Vetëm një përqindje e vogël e të burgosurve, nga një bllok, ishin kriminelë të ashpër, tha ai, pjesa tjetër ishin shqiptarë të kapur për krime të lehta ose për arsye politike.

    “Disa të burgosur që përpiqeshin të arratiseshin u qëlluan duke u ngjitur në mure. Të tjerët e përfunduan vetë. Atë ditë katër persona u çmendën dhe u varën në qelitë e tyre”, tha ai.

    Vetë zoti Hysaj për pak u vra kur tre policë të maskuar e panë atë në shkallët e ndërtesës së restorantit. Ata qëlluan me një granatë, e cila goditi murin e hyrjes. Ai u përgjak deri në bodrum, ku ishin strehuar shumë të tjerë dhe fjeti atë natë në një dhomë të vogël të brendshme lavanderie.

    Policia hyri në ndërtesë të nesërmen në mëngjes. “Ata erdhën me maska, me granata dhe mitralozë”, kujton ai. “Ata sulmuan ndërtesën me granata, me raketa dhe qëlluan përmes dritareve drejt e në bodrum”.

    Era e keqe e vdekjes nga bodrumi është ende e madhe. Dyshemeja e gjelbër e linoleumit është ende e ngjitur me gjak, i cili është lyer përreth në përpjekje për ta pastruar. Z. Hysaj lëvizi me shpejtësi në errësirë, duke treguar një familjaritet me dhomat e nëndheshme.
    Serbët bërtisnin se të burgosurit, të ngujuar në bodrum, kishin pesë minuta kohë për t’u dorëzuar ose do të vriteshin, kujton zoti Hysaj.

    Duke mos parë alternativë, të burgosurit u dorëzuan më pas, duke u larguar me duar në kokë. Ata më vonë u transferuan në burgun e Lipjanit në Kosovën qendrore. Teksa u larguan, policia numëroi të zhdukurit. Erdhi në 154, tha ai.

    Me përfundimin e luftës, z. Hysaj u transferua sërish në një burg në Nish, në Serbinë jugore, ku edhe mbaroi mandatin. Duke e rijetuar sprovën e tij tani, zoti Hysaj tha se ende nuk ishte i sigurt se çfarë ishte më e tmerrshme, frika e bllokimit në burg kur sulmohej nga avionët e NATO-s apo frika e trupave të policisë serbe që e ndoqën dhe u përpoqën ta vrisnin.

    “Ne kishim frikë nga të dyja”, tha ai. ”Blloqet e burgjeve nuk ishin aq të forta dhe nëse NATO i godiste ata mund të vrisnin 300 njerëz menjëherë. Dhe pastaj nëse NATO i godiste, rojet mund të na qëllonin përsëri”.
    “Serbët na vranë si pula”, vazhdoi ai. “Ata përdorën bombardimin si justifikim”.
    Ekzistojnë gjithashtu prova të shumta që gardianët serbë vranë një numër të madh të burgosurish kur ata rivendosën kontrollin. Kur mbërritën në qershor, trupat spanjolle zbuluan një trup në burg, të cilin e quajtën Frederico. Ai kishte qenë i shtrirë atje të paktën një muaj dhe i kishin prerë fytin, thanë ata. Bodrumi ku ai ishte gjetur ishte vendi ku të burgosurit kishin marrë të plagosurit, tha zoti Hysaj.

    Në një fshat aty pranë të quajtur Rakosh, gjykata për krimet e luftës thuhet se ka gjetur 97 trupa në një varr masiv, që mendohet se janë trupa të të burgosurve nga burgu. Hetuesit nga gjykata e Hagës kanë zhvarrosur vendin dhe kanë hetuar gjithashtu se çfarë ndodhi në burg. Por ata nuk kanë treguar ende për ndonjë gjetje.
    “Ishte e nevojshme të vija këtu”, tha zoti Hysaj teksa po largohej. “Por nuk duhet të mendoni shumë për atë që ndodhi, përndryshe çmendeni”.

  • Kapet me afër 5 mijë euro të falsifikuara, arrestohet i dyshuari

    Kapet me afër 5 mijë euro të falsifikuara, arrestohet i dyshuari

    Policia e Kosovës, ka arrestuar një person pasi të njëjtit i janë gjetur dhe sekuestruar 4 mijë e 700 euro të falsifikuara.

    Në njoftimin për media bëhet e ditur se i dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit të tij mbrojtës dhe të njëjtit i është lëshuar vërtetimi për sekuestrim të të hollave të falsifikuara.

    Për veprimet e ndërmarra është njoftuar dhe konsultuar Prokurori kujdestar i krimeve të rënda nga PTH-Prishtinë dhe i dyshuari është dërguar në mbajtje prej 48 orëve.

    “Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike ka pranuar informatën nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve të cilët sot me datë 22.05.2023 rreth orës 16:30, gjatë një operacioni policor, gjatë kontrollit të shtëpisë së të dyshuarit me iniciale (V.T.) kanë hasur në një shumë të parave €uro të cilat janë dyshuar se janë të falsifikuara. Pas këtyre veprimeve rasti ka kaluar për hetim të mëtutjeshëm në Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomike (DHKEK), me ç`rast pas analizimit të provave është arrestuar i dyshuari i lartcekur, gjithashtu është sekuestruar shuma e parave prej 94 copë kartëmonedha (në apoen) prej 50 eurove, gjithsej 4 mijë e 700 euro, që dyshohet të jenë të falsifikuara. Pas analizimit të kartëmonedhave të falsifikuara vërehet se është falsifikim i nivelit më të lartë, përmban disa prej tipareve të sigurisë dhe i rrezikshëm që qytetarët të bien pre e mashtruesve me këtë lloj falsifikimi”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Po ashtu aty thuhet se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në hetimin dhe luftimin e veprave penale të të gjitha llojeve dhe kërkon nga qytetarët bashkëpunim të plotë në parandalimin e veprave të tilla.

  • Nju Jork rrezikon të shndërrohet një lloj si Venediku

    Nju Jork rrezikon të shndërrohet një lloj si Venediku

    Ndërtimi i një milion ndërtesave dhe rrokaqiejve po e rrezikon Nju Jorkun të bëhet një lloje si Venediku, sipas një paralajmërimi të shkencëtarëve.

    Ekipi i studiueseve nga Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së dhe Universiteti i “Rhode Island” zbuluan se pesha e rrokaqiejve masive ka bërë që pesë lagjet kryesore të Nju Jorkut të fundosen me një deri në dy milimetra në vit, e me disa zona të cilat po fundosen edhe më shpejtë.

    Kjo normë mund të mos tingëllojë alarmante, siç ka theksuar gjeologu, Tom Parsons, mirëpo ulja graduale e bën që Nju Jork të jetë jashtëzakonisht i prekshëm ndaj fatkeqësive natyrore pasi ndryshimi i klimës rrit nivelin e tij të detit.

    Më në veçanti Manhattan është shumë i pasigurt, ndërsa ka pasur shqetësime edhe për rrethet e Brooklyn dhe Queens, sipas sondazhit.

    “Nju Jork po përballet me sfida të rëndësishme nga rreziku i përmbytjeve. Kërcënimi i rritjes së nivelit të detit është tre deri në katër herë më i lartë se mesatarja globale përgjatë bregut të Atlantikut të Amerikës së Veriut. Popullsia prej 8.4 milionë banorësh po përballet me një shkallë të ndryshme të rrezikut nga përmbytjet në qytetin e Nju Jorkut”, shkruan Parsons dhe ekipi i tij në raportin e ri.

    “Nju Jorku i ka përjetuar tashmë këto efekte të ashpra për më shumë se një dekadë. Dy uragane të fundit kanë shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha në Nju Jork,” tha Parsons.

    Gjeologu amerikan dhe kolegët e tij kanë shprehur shqetësimin se integriteti strukturor i shumë ndërtesave të Nju Jorkut mund të rrezikohet në të ardhmen.

    Ekspozimi i themeleve të ndërtesave ndaj ujit të kripur mund të gërryejë çelikun dhe betonin e dobësuar kimikisht duke shkaktuar dobësim strukturor.”

    Dhe përveç kësaj, shkencëtarët i shtojnë edhe një faktor tjetër rreziku: indiferencën e kompanive të ndërtimit që ndërtojnë prona në vijën bregdetare të Nju Jorkut.

    “Qëllimi i këtij raporti është të rrisë ndërgjegjësimin për rritjen e rreziqeve të ardhshme të përmbytjeve nga ndërtimi i çdo ndërtese të re shumëkatëshe në zonat bregdetare, lumore ose buzë liqenit.”/atvlive.tv./

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Asociacioni dhe pasojat e moszbatimit të Marrëveshjes së Ohrit – mesazhet që përcollën dy senatorët amerikanë gjatë qëndrimit në Kosovë

    Asociacioni dhe pasojat e moszbatimit të Marrëveshjes së Ohrit – mesazhet që përcollën dy senatorët amerikanë gjatë qëndrimit në Kosovë

    Senatorët amerikan Chris Murphy dhe Gary Peters, qëndruan dje në Kosovë, ku patën takime me krerët e shtetit.

    Ata thanë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të pajtohen kurrë me ndonjë lëshim apo hap të ndërmarrë nga Kosova që do të rrezikonte sigurinë dhe të ardhmen e saj referuar diskutimeve rreth Asociacionit të Komunave me shumice Serbe .

    Por, të dy kërkuan si prej Kosovës ashtu edhe prej Serbisë që të bëjnë hapa njëkohësisht ne zbatimin e ujdive të arritura së fundmi në Bruksel e në Ohër.

    Murphy që është edhe pjese e Komitetit të Senatit për Politikë të Jashtme deklaroi se pasojat e moszbatimit të marrëveshjes do te afektojnë rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe në mos integrimin në NATO.

    Sipas tij këto mund të jenë ndër pasojat që do të prekin edhe qytetarët si në Kosovë po ashtu edhe në Serbi nëse liderët e të dyja vendeve nuk bëjnë zgjidhje të vështira politike, por qe janë të nevojshme për të arritur fillimisht normalizimin dhe më pas njohjen reciproke.

    Derisa nuk dhanë një datë se kur Kosova përfundimisht mund të bëhet pjesë e NATO-së, por siguruan që SHBA-të po punojnë nuk këtë drejtim për të arritur unanimitetin në Aleancë që aktualisht nuk ekziston për pranimin e Kosovës në aleancën veri atlantike.

    Senatorët Murphy dhe Peters, zhvilluan takime edhe me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidenten e Kosovës Vjosa Osmani.

    Murphy në një konferencë për media pas takimit me Kurtin, ishte i qartë sa i përket Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

    Ai tha se kjo çështje duhet të marrë fund gjatë këtij viti.

    “Që të mundësohet drejt normalizmit e cila do të çojë deri tek njohja e ndërsjellë. Më vjen mirë që dëgjuam për planet tuaja për zbatimin e marrëveshjes”, tha ai ndër të tjera.