Një zyrë ndërkombëtare që do të hetojë Rusinë për pushtimin e saj të Ukrainës, është hapur më 3 korrik në Hagë. Ky është hapi i parë drejt një tribunali të mundshëm kundër udhëheqjes në Moskë.
Qendra Ndërkombëtare për Ndjekjen e Krimit të Agresionit ka prokurorë nga Kievi, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale.
Kjo zyrë do të hetojë dhe do të mbledhë dëshmi, në një lëvizje që po shihet si hap i përkohshëm para krijimit të një tribunali special, që mund të sjellë para drejtësisë zyrtarët e Kremlinit për nisjen e luftës në Ukrainë.
Disa zyrtarë të lartë do të mbajnë një konferencë për media më vonë gjatë ditës, ndërsa pritet të flasin edhe prokurori i përgjithshëm ukrainas, Andriy Kostin, ndihmës prokurori i përgjithshëm amerikan, Kenneth Polite, dhe Komisionari i BE-së për Drejtësi, Didier Reynders.
10 vjet më parë, puna si gazetar e solli Marc Perry-n nga Anglia në Kosovë, për të cilën kishte dëgjuar vetëm nga lajmet e luftës, në atë kohë.
Me librin e tij të ri dokumentar “War in Their Own Words”, Perry sjell nga afër bisedat origjinale private të udhëheqësve perëndimorë, para dhe gjatë bombardimeve të NATO-s.
“Hera e parë që kam dëgjuar për Kosovën ka qenë gjatë luftës këtu kur shihja imazhet e refugjatëve duke e lënë vendin, dhe më kujtohet se ajo kohë më ka emocionuar shumë ndonëse nuk kam pasur një mendim konkret për njerëzit e Kosovës derisa kam ardhur të jetoj këtu, sepse kur jeton jashtë shtetit, Kosova është si një vend i vogël në hartë për të cilën pak kush e di që ekziston”, tha ai.
“Para 8 vjetëve më ka ardhur ideja ta shkruaj këtë libër, ku në fillim ideja ime origjinale në fakt ka qenë të intervistoj vetë njerëzit që kanë qenë të përfshirë në luftën e Kosovës, mirëpo e di që ky proces do kishte kërkuar një buxhet dhe mbështetje të madhe. Papritur jam zgjuar një mëngjes dhe kuptova se unë tashmë veçse kisha në duar shumë informacione, që ishin vetë fjalët e këtyre njerëzve, fjalët e Blair-it, Klinton-it, për të cilat gjithçka që duhet të bëja ishte t’i grumbulloja me një vend”, shtoi tutje ai.
Qasja në arkivat shtetërore në dokumente të deklasifikuara britanike, solli në jetë përmbledhjen e intervistave dhe letrave origjinale mes figurave të rëndësishme për Kosovën, gjatë zhvillimeve njëvjeçare në vend.
“Informatat e para që i kam poseduar për librin vijnë nga arkivat e Klintonit, pastaj informatat e dyta vijnë nga intervistat e shumta që janë të disponueshme për këdo që të përdoren, ndërsa informatat e mëvonshme i kam siguruar nga Arkivi Ndërkombëtar Britanik, sepse këto të dhëna zakonisht bëhen të ditura pas 20, 40 viteve, andaj kam shkuar aty dhe i mbaja në duar letrat që Yeltsin ia kishte dërguar Blair-it ose që Blair ia kishtë dërguar drejtuesve të tij, të nënshkruara nga vetë ata”, u shpreh Marc Perry.
“Fokusi i librit janë Klintoni dhe Blair dhe pas tyre vijnë Madeleine Albright, Ëesley Clark, disa ministër britanikë, të gjithë këta njerëz që janë shumë të famshëm këtu në Kosovë andaj i kam zgjedhur sepse e di që kosovarët dijnë se kush ata janë, janë personalitete shumë të mëdha. Librin e kam bazuar kronologjikisht ku dokumentet variojnë që nga Qershori i vitit 1998 deri në Shtatorin e vitit 1999, të gjitha janë të shkruara me rend dhe çdo informacion tjetër që më është ofruar jashtë kësaj periudhe kohore e kam refuzuar. Në fakt nuk kam pranuar një numër të madh të materialeve, librin nuk e kam bërë voluminoz qëllimshëm, sepse nëse do i përdorja të gjitha ato informacione libri do dilte gjigand, dhe lexuesit nuk do e lexonin librin”.
“Unë nuk kam dashur të fsheh aspak realitetin e luftës në Kosovë, mirëpo këtu ka edhe një numër të historive pozitive, kemi Thaçin në bisedë me Klintonin duke biseduar shumë pozitivisht bashkë për Kosovën, kemi Klintonin me Blair që flasin se si arritën të dërgojnë në fund misionin e tyre, andaj ndonëse libri përballet me horrorin e luftës, ka edhe dritë brenda tij”.
Libri tashmë është në procesin e përkthimit në gjuhën shqipe, me titullin ‘Lufta në fjalët e tyre’.
Suksesi i madh që libri ka arritur edhe jashtë Kosovës, ka rezultuar në njohjen më të mirë të historisë së luftës në vendin tonë nga ndërkombëtarët.
Me rastin e përfundimit të mandatit të tyre, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar me Medaljen Presidenciale Ushtarake: kolonelin Chris M Mabis dhe nënkolonelin Jared B. Sheets, për udhëheqjen dhe përpjekjet e jashtëzakonshme për garantimin e sigurisë, paqes dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, gjatë shërbimit të tyre në kuadër të forcave paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë.
Ajo poashtu i ka ndarë Mirënjohje Presidenciale togeres Ryann Laky nga Shtabi i Gardës Kombëtare të Indianës, për kontributin e saj në ndërlidhjen dhe bashkëpunimin me policinë e Kosovës si dhe fuqizimin e grave në sektorin e sigurisë.
Pasi që ka falënderuar të tre ushtarakët amerikanë dhe gjithë ushtarë e KFOR-it për angazhimin e tyre për garantimin e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke rrezikuar edhe jetën e tyre, Presidentja Osmani theksoi se lidershipi i tyre ka luajtur rol thelbësor në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon në një kohë të ndjeshme.
“Populli i Kosovës është përherë falënderues ndaj kontributit të pazëvendësueshëm dhe të çmuar të Ushtrisë amerikane dhe ushtrive të tjera aleate për paqen dhe stabilitetin. Marrëdhëniet tona me SHBA-të janë ekzistenciale dhe nuk do të ndalemi në angazhimin për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve strategjike në mes të Republikës se Kosovës me Shtetet e Bashkuara te Amerikës”, ka theksuar Presidentja Osmani në këtë ceremoni.
Ndërkaq ushtarakët amerikanë falënderuan Presidenten Osmani për nderimin, duke shfaqur shpresën që paqja dhe stabilitetit të jenë afatgjate në Kosovë, njësoj sikurse edhe raportet me SHBA-të.
Shqipe Sylejmani, një artiste shqiptare, në një intervistë virtuale ka shpalosur detajet e një serial që synim ka promovimin e Kosovës.
Ajo tha se ky serial ka për qëllim promovimin e Kosovës, e përmes të cilit tregohen traditat, ushqimet dhe thesaret e tjera të Kosovës.
“Sot promovohet seriali ynë “Pa kufij”. Në prill kemi filluar me xhirime, janë xhiruar 5 episode me tematika nga kultura që e karakterizojnë Kosovën. Si p.sh kemi qenë në bibliotekën kombëtare, kemi qenë në Prizren, në “Stone Castle”, etj., pra jemi munduar që me përmbledhë sa më shumë kulturë të Kosovës dhe me i shpërnda”. Transmetimi nis qysh sot në televizionin SRF 1, nga 18:35 dhe çdo ditë do të transmetohet një episod”, tha ajo.
Pos kësaj ajo tregoi se planifikon që të shkruajë edhe një librin e saj të radhës, në të cilin tha se do të shkruajë për femrat shqiptare.
Inspektorati Policor i Kosovës ka mbajtur ceremoni me rastin e përvjetorit të 17-të, raporton Ekonomia Online. Me këtë rast u bë edhe nënshkrimi i Deklaratës për themelimin e Forumit Rajonal të Agjencive Mbikëqyrëse Policore.
Kreu i IPK-së, Kushtrim Hodaj tha se themelimi i Forumit Rajonal vjen pas konferencës rajonale së mbajtur në Prizren ku një prej konkluzioneve ishte ai për themelimin e forumit të përbashkët të agjencive të mbikëqyrjes/kontrollit policor të Republikës së Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Malit të Zi.
“Falënderim i veçantë për ShBA-në për mbështetjen e vazhdueshme, në trajnime e mbështetje me pajisje. Kemi luftuar korrupsionin në Polici në tri pikat kufitare dhe jo vetëm. Bashkëpunojmë me Prokurorinë, AKI-në, Avokati i Popullit, Agjencinë Kundër korrupsion dhe institucione që kanë synim fuqizimin e sistemit”.
“Bashkëpunim kemi edhe me shtet e rajonit. Në maj të këtij viti mbajtëm konferencë rajonale, prandaj sot është një ditë e veçantë sepse do të nënshkruajmë Deklaratën për themelimin e Forumit Rajonal të Agjencive Mbikëqyrëse Policore. Do të shërbejmë për shkëmbim të informacioneve”.
Gjithashtu, me rastin e shënimit të këtij përvjetori, IPK në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut ka organizuar edhe dhurimin vullnetar të gjakut nga punonjësit e IPK-së.
Shkrimtarja ukrainase Victoria Amelina ka vdekur nga plagët e marra pasi një raketë ruse goditi një restorant picash në qytetin lindor të Kramatorskit të martën.
Studiuesja e krimeve të luftës bëhet personi i 13-të që ka vdekur në sulm.
Shoqata e shkrimtarëve “PEN Ukraine” tha se mjekët “bënë gjithçka që mundën për të shpëtuar jetën e saj, por fatkeqësisht plaga ishte fatale”.
Aktivistët e të drejtave të njeriut e kanë quajtur sulmin një krim lufte, transmeton Klankosova.tv.
Kramatorski është nën kontrollin e Ukrainës, por është afër pjesëve të pushtuara nga Rusia të Ukrainës.
Amelina, 37 vjeçe, po darkonte me një delegacion gazetarësh dhe shkrimtarësh kolumbianë në sallën e njohur “Ria Lounge” të qytetit kur raketa goditi. Rreth 60 persona të tjerë u plagosën në sulm.
Ajo u dërgua me urgjencë në spitalin në Dnipro, por nuk I mbijetoi plagëve, tha PEN Ukraine.
“Me dhimbje të madhe ju informojmë se zemra e shkrimtares Victoria Amelina pushoi së rrahuri më 1 korrik”, thuhet në një deklaratë të grupit, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
“Në ditët e fundit të jetës së Viktorias, familja dhe miqtë e saj ishin pranë saj”.
Amelina ishte një nga shkrimtaret e reja më të famshme të Ukrainës, e cila filloi të dokumentonte krimet e luftës pas pushtimit të plotë të Rusisë vitin e kaluar. Ajo gjithashtu filloi të punojë me fëmijët pranë vijës së frontit.
Basketbollistët e Kosovës po vazhdojnë me përgatitje për garat evropiane. Nga dita e djeshme kanë filluar dy herë në ditë, në mëngjes dhe mbrëmje nën udhëheqjen e trajnerit Rami Hadar.
Atmosfera te Dardanët është shumë e mirë dhe lojtarët po japin maksimumin. Dominic Artis do të arrijë sonte vonë dhe i bashkohet ekipit të hënën në stërvitje, kurse Mikaile Tmusiq ka munguar dy ditët e para me leje për arsye familjare.
Ndërkohë, të dielën pasdite Musab Mala ka stërvitur veçmas, kurse Shëndrit Llapi, nuk ka stërvitur në mbrëmje, por të dy priten të jenë të gatshëm në ditët e ardhshme.
Dardanët janë në grup me Zvicrën dhe Danimarkën, në Rrethin e Tretë Parakualifikues për Eurobasket 2025.
Sfida e parë për Dardanët është më 19 korrik në Prizren kundër Zvicrës. Më 26 korrik do të jenë mysafirë të Danimarkës dhe tri ditë më vonë ndaj Zvicrës. Përballja e fundit është ndaj Danimarkës më 5 gusht në Prizren.
Një shpërthim i fuqishëm ka dridhur mbrëmë në ora 12:50 veriun e Mitrovicës.
Banorët e lagjes “Tre Rrokaqiejt” ku ndodhi shpërthimi thanë për “Mitropol” se ky ishte shpërthimi më i fuqishëm që ka ndodhur gjatë viteve të fundit dhe dyshimet janë se është hedhur një granatë dore.
Mjeti shpërthyer u hodh në drejtim të një veture të tipit ‘Shkoda’ e cila është djegur dhe ka shkaktuar tym të madh, me ç’rast është larguar nga vendi ku u djegur pas rreth një ore, në ora 01:50.
Sipas asaj që raportuan banorët, shpërthimi ka ndodhur tek vendi që njihet si ‘Qershija’, apo ‘Teqja e Vjetër’.
Pas shpërthimit dhe djegies së veturës, ekipe të rendit publik dhe ekipe nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës kanë dalë të patrullojnë në rrugët e veriut të Mitrovicës.
Sot në vendin tonë do të mbahet mot me vranësira dhe kthjellime.
Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 13 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 27 gradë Celsius.
Dita e nesërme në Kosovë do të jetë me kthjellime dhe me reshje shiu, gjatë pasdites. Temperatura minimale do të shënohet në Gjakovë me 14 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Pejë me 28 gradë Celsius.
Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell dhe kthjellime. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 13 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 33 gradë Celsius. /atvlive.tv/
Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:
Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton sot do të vizitojë për herë të parë Shqipërinë.
Clinton dhe delegacioni që e shoqëron, sipas njoftimit do të mbërrijë në Tiranë, pasdite. Në orën 19:00, Clinton do të pritet nga kryeministri Edi Rama në një ceremoni të posaçme zyrtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë kryeministrisë, me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve.
Pas ekzekutimit të himneve kombëtare të SHBA-së dhe Shqipërisë, Rama dhe Clinton do të bëjnë parakalimin ceremonial dhe do të nderojnë flamujt e dy vendeve.
Në orën 19:05, kryeministri Rama do të mbajë fjalën e rastit dhe më pas do të ftojë presidentin Clinton të marrë çmimin e akorduar.
Ndërsa, në orën 19:25 do të zhvillohet ceremonia e nderimit të presidentit të 42-të të SHBA-ve, Bill Clinton me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike” që do të pasohet nga fjalimi i presidentit.