ATV

Author: G.O.

  • “Askush nuk m’i ka pagu, krejt vet i kam bo”, Ana Rrustemi flet për udhëtimet e jashtëzakonshme nëpër botë

    “Askush nuk m’i ka pagu, krejt vet i kam bo”, Ana Rrustemi flet për udhëtimet e jashtëzakonshme nëpër botë

    Prezantuesja shqiptare Ana Rrustemi, e ftuar në emisionin “Libero”, në ATV ka folur rreth eksperiencës së saj, për udhëtimet jashtë vendit.

    Ajo tha se nga udhëtimet, njeriu mëson shumëçka duke përfshirë këtu, kultura të ndryshme, ushqime etj.

    “Secili udhëtim është histori, kënaqësi e eksperiencë në vete dhe secila kulturë ndryshon prej tjetrës, ushqimi, njerëzit. Ata që më njohin e dinë se deri tash kam qenë 6 herë ne Barcelonë, dikush thotë ‘a e ka gjetë kjo dikon atje, a cka po shkon atje aq shpesh ’por jo unë jam dashurua në atë qytet sepse atje edhe dritaret buzëqeshin. Ne si njerëz ndryshojmë dhe udhëtimet janë shkollë në vete, sepse thash që takon kultura të ndryshme, edukohesh. Pra. sh kruaja ime në Barcelonë rezultoi me recetën “PAE’, që është recetë tradicionale e tyre; oriz në tavë që e bëjnë më ndryshe, “kremakatala”të cilën recetë e kam sjellë edhe këtu në Kosovë”, u shpreh ajo.

    Tutje ajo tha se udhëtimet e saja i ka realizuar pa ndihmën e dikujt.

    “Ma s’pari duhesh me dashtë këtë eksperiencë sepse nëse e don ti kursen dhe brenda vitit ti kursen e ja bon vetes ëndrrën realitet, pra, krejt është sa ke dëshirë. Unë kom pas ëndrra dhe unë krejt deri tash i kom realizua vet, kurrkush as nuk m’i ka pagu. A kom shku me kredit kartela, a kom mar borxh, a kom mbledh, unë i kom bo vet”, shtoi tutje ajo./ATVLIVE.TV/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Zyrtare, Arlind Ajeti transferohet te Kluzhi

    Zyrtare, Arlind Ajeti transferohet te Kluzhi

    Skuadra romune, Kluzh ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me futbollistin shqiptar Arlind Ajeti.

    Mbrojtësi qendror në të kaluarën ka luajtur për skuadra si Torino, Frosinonne e Crotone në Itali, ndërkohë që nuk janë bërë të ditura detajet e kontratës së tij me klubin e ri.

    “Jemi të lumtur të ju njoftojmë se Arlind Ajeti është lojtari i ri i skuadrës sonë. Mbrojtësi qendror me origjinë shqiptare, i lindur në Zvicër, ka evoluar në Serie A për FC Torino, Frosinone Calcio ose Crotone. Mbrojtësi gjatë karrierës së tij luajti edhe në Zvicër për Grassoper, por edhe për FC Basel, skuadër me të cilën fitoi 4 herë titullin dhe u zhvillua në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës.”, thuhet në njoftimin e Kluzhit, përcjellë KosovaPress.

    Te Kluzhi, Ajeto do të luajë më Ermal Krasniqin i cili sezonin e kaluar u transferua nga Ballkani.

  • ​Talibanët ndalojnë organizatat suedeze në Afganistan pas djegies së Kuranit

    ​Talibanët ndalojnë organizatat suedeze në Afganistan pas djegies së Kuranit

    Administrata talibane tha të martën se të gjitha aktivitetet e Suedisë në Afganistan duhet të ndalohen pas djegies së Kuranit jashtë një xhamie në kryeqytetin suedez muajin e kaluar.

    “Pas fyerjes së Kuranit të shenjtë dhe dhënies së lejes për fyerje të besimeve myslimane… Emiratet Islamike të Afganistanit urdhërojnë ndalimin e të gjitha aktiviteteve të Suedisë në Afganistan”, tha Zabiullah Mujahid, një zëdhënës i administratës talibane në një deklaratë për media, shkruan REL.

    Që kur talibanët morën kontrollin në vitin 2021, Suedia nuk mban më një ambasadë të hapur në Afganistan.

    Urdhri pritet të ndikojnë në organizatën joqeveritare suedeze, Komitetin Suedez për Afganistanin, i cili ka një prani të konsiderueshme në të gjithë vendin, duke ofruar ndihmë në kujdesin shëndetësor, arsimin dhe zhvillimin rural me mijëra punonjës ndihmës të përfshirë.

    Muajin e kaluar, një emigrant irakian në Suedi dogji Kuranin jashtë një xhamie në Stokholm, duke shkaktuar zemërim të gjerë brenda botës myslimane.

    Komiteti Suedez për Afganistanin nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi urdhrin e talibanëve. Administrata talibane nuk dha detaje se cilat organizata do të prekeshin./REL/

  • Dita Botërore e Popullsisë

    Dita Botërore e Popullsisë

    Sot shënohet Dita Botërore e Popullsisë.

    OKB-ja vendosi 11 korrikun si Ditën e Popullsisë së Botës, për t’u kujtuar njerëzve se çdo njeri është i dobishëm, por ekziston vetëm një tokë për të gjithë.

    OKB-ja parashikon se numri i njerëzve në botë deri në vitin 2050 pritet të shkojë në 9 miliardë.

    Por krahas këtyre parashikimeve askush nuk mund të thotë me siguri të plotë se çfarë pasoja do të ketë rritja e popullsisë së botës në mënyrën tonë të jetesës, por një gjë është e qartë:

    Nëse të gjithë njerëzit sot do të kishin të njëjtin stil jetese siç e kanë shtresat e mesme në vendet e pasura industriale, atëherë presioni ndaj burimeve të planetit tonë të kaltër do të rritej pamasë.

  • Udhëheqësit e NATO-s mblidhen për samitin në Vilnius, Kosova jashtë agjendës

    Udhëheqësit e NATO-s mblidhen për samitin në Vilnius, Kosova jashtë agjendës

    Udhëheqësit e aleancës ushtarake të NATO-s mblidhen sot dhe nesër në Vilnius të Lituanisë.

    Samiti zhvillohet në një kohë kritike për sigurinë në Evropë, pasi lufta në Ukrainë është në mesin e një kundërofensive të Kievit.

    Samiti vjen, gjithashtu, një vit pas takimit të Madridit, ku aleatët e NATO-s kanë rënë dakord për një koncept të ri strategjik, i cili e ka veçuar Rusinë si kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë.

    Udhëheqësit e vendeve anëtare të organizatës më të madhe ushtarake në botë pritet të diskutojnë për një gamë të gjerë temash, në mesin e të cilave do të dominojnë përpjekjet e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO, si dhe pranimi i Suedisë në aleancë.

    “Vendimet që ne do t’i marrim në Vilnius do ta sjellin Ukrainën më afër NATO-s… forcimi i mbrojtjes së NATO-s do të jetë në krye të agjendës së samitit tonë, po ashtu”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

    Derisa Ukraina do të jetë në krye të agjendës së samitit, për Kosovën nuk pritet të diskutohet fare, pavarësisht rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

    Është interesante se në kohën e trazirave të fundit në pjesën veriore të Kosovës, në të cilat u sulmuan trupat e misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR, ajo nuk është zyrtarisht në agjendë.

    Prania e KFOR-it tani është rritur me 500 trupa, duke e çuar numrin e përgjithshëm të paqeruajtësve në 4.300 – por, nuk priten diskutime për këtë çështje në samit, nëse një nga liderët nuk e adreson atë në mënyrë të drejtpërdrejtë.

    Çfarë do të përfitojë Ukraina?

    Për Ukrainën, ky samit ka të bëjë me shmangien e një “Bukureshti” apo “Budapesti” tjetër. “Bukureshti” i referohet samitit të NATO-s të vitit 2008, i zhvilluar në kryeqytetin rumun. Pikërisht në këtë samit, aleanca ushtarake deklaroi bujshëm se Ukraina (si dhe Gjeorgjia), do të bëheshin anëtare të aleancës, mirëpo pa u cekur ndonjë afat kohor apo ndonjë mënyrë.

    Është e qartë se deklarata e NATO-s, në samitin që do të mbahet në Vilnius, nuk do ta ftojë Kievin të bëhet anëtar i aleancës pikërisht atë ditë, në samit.

    Në fakt, askush nuk është në humor që t’ia japë një shteti, i cili është në mes të luftës, garancitë e Nenit 5 (sulmi mbi një shtet anëtar të NATO-s, është sulm mbi çdo shtet anëtar të aleancës ushtarake). Mirëpo, ata do të tentojnë ta gjejnë një mënyrë se si t’ia premtojnë Ukrainës anëtarësimin, pasi të jenë përmirësuar gjërat paksa.

    Këtu futet në lojë “Budapesti”.

    Është një referencë për një treshe memorandumesh të vitit 1994, në të cilat Rusia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i dhanë garanci sigurie Ukrainës (si dhe Bjellorusisë dhe Kazakistanit), në këmbim që Kievi të hiqte dorë nga armët e tij bërthamore nga koha sovjetike.

    Derisa Ukraina pret anëtarësimin e mundshëm në NATO, ajo kërkon “garanci” apo “të sigurohet” se Perëndimi do të vazhdojë ta mbështesë atë ushtarakisht.

    Se si mund të shprehet kjo mbështetje, mbetet një nga enigmat e këtij samiti.

    Më hollësisht

    Shumica e përfaqësuesve të NATO-s me të cilët kam biseduar, e pranojnë me “pëshpëritje” se ekziston vetëm një garanci e pathyeshme e sigurisë: ajo e anëtarësimit në NATO. Këtë e kanë kuptuar Finlanda dhe Suedia, të cilat aplikuan për t’iu bashkuar NATO-s menjëherë pas luftës në Ukrainë. Të gjitha masat e tjera, si ato të sigurisë, në thelb mund të ofrohen vetëm në baza bilaterale nga anëtarët e aleancës.

    Është e mundur që një grup shtetesh, gjatë përgatitjeve të samitit, po në Vilnius, do të zotohen për ta mbështetur ushtarakisht Ukrainën “për aq kohë sa duhet”, duke dërguar më shumë armë, municion, apo edhe stërvitje për trupat ukrainase. Ka mundësi që grupi i shtatë shteteve më të industrializuara (G7) të bëjë një deklaratë tjetër për këtë qëllim, pasi të gjithë anëtarët e këtij grupi do të jenë në Vilnius. (Pritet gjithashtu të marrë pjesë edhe kryeministri japonez, Fumio Kishida.)

    Ajo se çfarë NATO-ja do të ofrojë si organizatë janë 500 milionë euro për vit për të ardhmen e paraparë, për ta ndihmuar Ukrainën ushtarakisht. Madje, kjo shumë mund të rritet në të ardhmen.

    Përndryshe, se çfarë fjalësh do të përdoren në samit, është problemi kryesor këtu: si mund të hartohet një deklaratë për të shmangur një “Bukuresht” tjetër, për të mos e zhgënjyer Ukrainën dhe për t’i risiguruar vendet e kujdesshme, si SHBA-ja dhe Gjermania? Siç tregohet nga paralajmërimi i presidentit të SHBA-së, Joe Biden, se nuk ka “unanimitet” për anëtarësimin e Ukrainës “në këtë moment, në mes të një lufte”, ata janë të kujdesshëm ndaj çdo angazhimi të anëtarësimit në kohë lufte, kundër një Rusie të armatosur me armë bërthamore.

    Një mënyrë tjetër mund të jetë të thuhet se Kievi do t’i bashkohet aleancës, sapo të jenë përmbushur “kushtet”, apo kur të lejojnë “rrethanat”. Është e mundur që mund të sigurohet gjithashtu një udhërrëfyes i qartë; për shembull – aleatët e NATO-s mund të raportojnë mbi situatën ose ta rishikojnë atë në samitin e ardhshëm në Uashington, verën e ardhshme.

    Ukraina po përpiqet gjithashtu ta shmangë detyrimin për të paraqitur një Plan Veprimi për Anëtarësim (MAP) përpara se të mund t’i bashkohet asaj. MAP-i është një formë e anëtarësimit në NATO, një “korridor” në të cilin vendi aspirues merr një program kombëtar të përshtatur për t’u përgatitur për anëtarësimin e ardhshëm, i cili mund të përfshijë jo vetëm aspektet mbrojtëse, por edhe çështjet politike, të sigurisë dhe ato ligjore, që aleanca beson se duhet të adresohen. Shumë vendeve ekzistuese të NATO-s nga Evropa Qendrore dhe Lindore u është kërkuar një MAP, përpara se të anëtarësoheshin. Megjithatë, zyrtarët kanë dhënë sinjale se Kievi nuk do të ketë nevojë për një të tillë, ashtu si Finlanda dhe Suedia nuk ishin të detyruara ta kishin një të tillë përpara fillimit të procesit të anëtarësimit.

    Në fund, pyetja kryesore është nëse ukrainasit do të jenë të kënaqur me rezultatin e samitit. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, parashihet të marrë pjesë, megjithëse ka pasur thashetheme se ai mund të vendosë të mos shkojë, nëse parasheh se samiti nuk është mjaft ambicioz. Megjithatë, shumica presin që ai të marrë pjesë dhe të bashkëkryesojë takimin e parë të Këshillit NATO-Ukrainë – një marrëdhënie e përditësuar politike në bazë të të cilës Kievi do të ulet në tryezë si një partner i barabartë, me të drejtën për të thirrur takime me aleancën ushtarake kurdo qe e sheh të arsyeshme.

    Anëtarësimi i Suedisë në NATO?

    Kjo është një çështje që jo shumë zyrtarë të NATO-së prisnin se do të zvarritej kaq shumë. Suedia aplikoi për t’iu bashkuar NATO-s bashkë me Finlandën në pranverën e vitit 2022, si pasojë e drejtpërdrejtë e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, dhe shumë diplomatë prisnin që ky proces të përfundonte deri në vjeshtë.

    Por, Ankaraja kishte plane të tjera.

    Turqia u kërkoi vendeve nordike, veçanërisht Suedisë, ta shfuqizonin embargon e armëve kundër Turqisë, t’i përditësonin ligjet e tyre kundër terrorizmit dhe ta ekstradonin këdo që besohet se është i përfshirë në terrorizëm, përpara se t’ua miratonte anëtarësimin në NATO.

    Në takimin e NATO-s në Madrid vitin e kaluar, Turqia pranoi që Suedia dhe Finlanda do të bashkoheshin, por Ankaraja e shtyu ratifikimin e Protokolleve të Anëtarësimit derisa gjërat të përmirësoheshin.

    Problemet me Suedinë, veçanërisht protestat në Stokholm, duke përfshirë djegien e librit të shenjët të myslimanëve – Kuranin, prishën marrëdhëniet Ankara-Stokholm, pastaj Finlanda “u nda” dhe iu bashkua e vetme NATO-së në fillim të prillit.

    Më hollësisht

    Janë dy mënyra se në çfarë drejtimi mund të shkojë ky samit: Mund të ketë përsëritje të samitit të Madridit: takim mes presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe kryeministri suedez, Ulf Kristersson, në Vilnius, një ditë para fillimit të samitit, për të kërkuar arritjen e një marrëveshjeje, në mënyrë që të hapet rrugë për ratifikimin në parlamentin turk në korrik apo vjeshtë; apo palët do të përfundojnë duke zhvilluar “bisedime konstruktive” në kryeqytetin e Lituanisë, ku kjo do të linte të nënkuptohej se palët ende kanë punë për të bërë në nivele të ndryshme diplomatike.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u takua me ministrat e jashtëm dhe shefat e inteligjencës dhe sigurisë së Finlandës, Suedisë dhe Turqisë më 6 korrik, në përpjekje për të zgjidhur detajet e zgjatura para samitit në Vilniusit. Ai e përshkroi takimin më pas si “produktiv” dhe sugjeroi se është “e mundur të kemi një vendim pozitiv” javën e samitit.

    Erdogani ende dëshiron të njihet si një burrështetas kyç dhe të pajtohet për diçka kur samiti të jetë në qendër të vëmendjes së medias, sipas zyrtarëve të NATO-s me të cilët kam biseduar në kushte anonimiteti. Ata pranojnë se kishte pritshmëri të ulëta para samitit të Madridit, por pohojnë se negociatat ballë për ballë në nivelin më të lartë më vonë bënë të mundur një marrëveshje.

    Megjithatë, ata theksojnë se mund të kërkohet gjithashtu një takim i mëtejshëm midis Erdoganit dhe Bidenit, në të cilin ky i fundit mund të premtojë dërgimin e avionëve luftarakë F-16 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Ankara, gjë që shumë besojnë se mund të çojë në vulosjen e marrëveshjes.

    Por, djegia e më shumë kopjeve të Kuranit, që po ndodh në Suedi, për shembull, mund të rezultojnë ende si një dëmtues i mundshëm. Turqia dhe pjesa më e madhe e botës myslimane reaguan me tërbim kur një personi iu dha leja ta digjte librin e shenjtë mysliman pranë një xhamie të Stokholmit, më 28 qershor, gjatë një proteste që përkoi me festën e Kurban Bajramit, një nga ngjarjet më të shenjta të kalendarit islamik.

    Protesta u lejua nga një gjykatë suedeze, pas kërkesave të ngjashme që ishin refuzuar, me autoritetet që përmendnin rreziqet e sigurisë kombëtare. Së paku tre leje për djegien e librave fetarë janë dorëzuar ditët e fundit dhe autoritetet suedeze tani përballen me një problem të vërtetë. Diplomatët me të cilët kam biseduar thonë se zyrtarët suedezë do t’u thonë homologëve të tyre turq se djegësi i fundit i librit të kuranit të paktën u akuzua për agjitacion kundër një grupi etnik ose kombëtar dhe se ata planifikojnë akuza të ngjashme nëse ndodh ndonjë incident i ngjashëm.

    Nëse arrihet një marrëveshje në Vilnius, besohet se parlamenti turk do ta miratojë instrumentin e ratifikimit përpara se të shkojë në pushim deri në tetor. Hungaria, gjithashtu, ka refuzuar të ratifikojë protokollin e pranimit të Suedisë, kryesisht shkaku i solidaritetit me Ankaranë. Edhe pse ka aludime se deputetët hungarezë e shtynë votimin deri në seancën e tyre të vjeshtës, Budapesti ka deklaruar vazhdimisht se nuk do të jetë vendi i fundit që do ta ratifikojë; kështu, Suedia mund të bëhet anëtari numër 32 i NATO-s që në fillim të këtij muaji.

    *Në orët e mbrëmjes të 10 korrikut, pas takimit mes Erdoganit, Stoltenbergut dhe Kristerssonit, Turqia u pajtua të mbështesë pranimin e Suedisë në NATO. Marrëveshja parasheh që Parlamenti turk të rafitikojë “sa më shpejt që të jetë e mundur” pranimin e Suedisë në aleancë.

    Zbërthimi i detyrave thelbësore të NATO-s

    Mbase vendimi i vetëm më i rëndësishëm që ka mundësi të merret në samitin e NATO-s është aprovimi njerëzi i planit të parë gjithëpërfshirës të mbrojtjes së aleancës që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.

    Si të mbrohet çdo centimetër i territoreve të 31 vendeve anëtare është ajo që NATO-ja bën më së miri. Rekomandohet miratimi i 4.000 faqeve të planeve të klasifikuara që përfshijnë tri zona kryesore gjeografike: veriu, i cili përfshin rajonet e Atlantikut dhe Arktikut; rajoni qendror, i cili në thelb përfshin Evropën nga Baltiku deri në Alpe; dhe jugu, i cili shtrihet nga Alpet deri në Mesdhe, dhe përfshin shtetet e NATO-s pranë Detit të Zi. Sigurisht, ka edhe seksione kushtuar temave të caktuara, për shembull, siguria kibernetike.

    Nëse gjithçka shkon mirë dhe planet miratohen në samit, do të pasojë një planifikim edhe më i detajuar, që informon batalionet se çfarë zone territori apo deti duhet ta mbrojnë saktësisht, në rast të ndonjë sulmi.

    Më hollësisht

    Këto plane në thelb duhej të miratoheshin përpara samitit, por ka pasur disa pengesa – që kryesisht përfshijnë Turqinë. Ankaraja, për shembull, ka insistuar që në plane ta quajë Bosforin “ngushticë turke” dhe gjithashtu ka dashur të vinte më shumë theks në luftën kundër terrorizmit, sesa thjesht të fokusohej në kërcënimin e paraqitur nga Rusia.

    Por, problemi i madh mbetet se si të kapërcehet nga planet në realitet, dhe kjo përfundimisht do të thotë: A ka pajisje të mjaftueshme ushtarake, ushtarë dhe mjete financiare për t’i arritur të gjitha këto? Tani, NATO-ja është e mirë në përkushtim. Në Madrid, vitin e kaluar, aleatët ranë dakord për t’i pasur gati 100 mijë trupa për t’u vendosur brenda 10 ditëve, dhe 300 mijë brenda një muaji. Por, ata ende nuk e kanë arritur atë objektiv të lartë.

    Kur bëhet fjalë për shpenzimet e mbrojtjes, ato kanë performuar edhe më keq. Një angazhim për të shpenzuar 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen deri në vitin 2024, niveli që arritën të gjithë anëtarët e NATO-s gjatë Luftës së Ftohtë, u bë në samitin e NATO-s në Uells, në vitin 2014. Aleanca ushtarake, në tërësi, nuk është as afër përmbushjes së këtij zotimi, një vit pasi duhej të arrihej.

    Kriteri prej 2 për qind u arrit në vitin 2022, nga vetëm shtatë vende: Estonia, Greqia, Letonia, Lituania, Polonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Finlanda, anëtari më i ri i NATO-s, së bashku me Hungarinë, Rumaninë dhe Sllovakinë, do t’i bashkohen grupit në vitin 2023. Vitin e ardhshëm, Gjermania duhet të arrijë këtë pikë, e ndjekur nga Franca, në vitin 2025. Por, disa zyrtarë të NATO-s theksojnë se shumë vende mund të arrijnë objektivin prej 2 për qind, vetëm për të rënë nën të përsëri, menjëherë pas kësaj.

    Prandaj, zotimi i ri në Vilnius. Objektivi prej 2 për qind duhet të jetë “themeli” dhe jo “kulmi”. Ky nuk është problem për vendet si Estonia, Polonia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat shpenzuan të gjitha 3 për qind, ose më shumë. Por, për të tjerët, mund të jetë vetëm një premtim bosh.

    Një çështje tjetër është se NATO-s edhe një herë do t’i duhet të kthehet te gjërat themelore. Pas 20 vjetësh luftimesh kryesisht guerile në Afganistan, parashihet një nevojë për investime në avionë, tanke dhe artileri — dhe kjo ishte një nevojë e menjëhershme edhe përpara se shumë aleatë të NATO-s të fillonin të dërgonin pajisje të tilla ushtarake në Ukrainë.

    Pastaj vjen prodhimi i artilerisë. Edhe pse vendet evropiane po i rrisin ngadalë investimet, kryesisht për t’i siguruar Kievit më shumë municione, Rusia ende po shkrep në normën mujore të prodhimit të artilerisë në Evropë (aktualisht vlerësohet në 20.000-25.000 predha në muaj) vetëm brenda një dite në Ukrainë.

    Miqtë e tjerë të NATO-s

    Edhe pse Ukraina do ta marrë padyshim të gjithë vëmendjen në konferencë, vende të tjera joanëtare të NATO-s janë gjithashtu të pranishme në Vilnius.

    Këshilli i Atlantikut të Veriut (NAC) dhe “Partnerët në rrezik” – në këtë rast, Bosnje-Hercegovina, Gjeorgjia dhe Moldavia — takohen joformalisht ditën e parë, më 11 korrik, dhe të gjitha do të përfaqësohen nga ministrat e tyre të Jashtëm.

    Një takim i NAC-it me katër “Partnerët e Indo-Paqësorit” – Australinë, Japoninë, Zelandën e Re dhe Korenë e Jugut – do të zhvillohet në ditën e dytë dhe të fundit të samitit, më 12 korrik, dhe do ta ketë të njëjtin format të përdorur në Madrid, në vitin 2022.

    Më hollësisht

    Për shkak se Franca nuk është një mbështetëse e fortë e kësaj ideje, NATO-ja ende nuk ka arritur një marrëveshje për krijimin e një zyre në Tokio, që është një efekt i dukshëm i këtij konflikti të brendshëm. Megjithatë, në takim, NATO-ja do të krijojë plane të reja bashkëpunimi me katër kombet e rajonit Indo-Paqësor, duke përfshirë tema si teknologjia e re kibernetike dhe detare.

    Duket i çuditshëm kombinimi i Bosnje-Hercegovinës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë në një seancë. Dy të parët janë anëtarë të mundshëm të NATO-s, të cilët, si Ukraina, kanë oferta për anëtarësim në të ardhmen, por jo me një afat të caktuar. Moldavia, nga ana tjetër, ka një kushtetutë neutrale dhe ka një popullsi të ndarë thellësisht në lidhje me anëtarësimin e mundshëm.

    Është gjithashtu një lloj nënvlerësimi për Gjeorgjinë. Deri kohët e fundit, Tbilisi dhe Kievi vepronin “dorë për dore” kur ishte fjala për anëtarësimin në NATO; nuk është më kështu. Sipas zyrtarëve të NATO-s me të cilët kam biseduar, “shkëputja” thjesht pasqyron faktin se qeveria ukrainase po bën presion më të madh për anëtarësimin në NATO.

    Në samit, aleatët do të vazhdojnë të bëjnë premtime financiare për t’i përforcuar aftësitë mbrojtëse të Gjeorgjisë, sidomos në fusha të njohura si CBRN (mbrojtja kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore), dhe për të rinovuar disa nga objektet e trajnimit të këtij vendi.

    Për Bosnje e Hercegovinën pritet një marrëveshje për një pako mbështetëse prej 30 milionë eurove; financim në 12 projekte në fusha si siguria kibernetike, evakuimi ajror mjekësor dhe forcimin e policisë së saj ushtarake.

    NATO-ja e ka planifikuar një të ashtuquajtur “pako të zgjeruar për ndërtimin e kapaciteteve mbrojtëse ” për Moldavinë, që fokusohet në luftimin e dezinformimit, reagimin ndaj kërcënimeve kibernetike dhe në modernizimin e institucioneve mbrojtësve të vendit.

  • Moti për sot dhe nesër në Kosovë

    Moti për sot dhe nesër në Kosovë

    Sot në vendin tonë do të mbahet kryesisht mot me temperatura të larta dhe me diell.

    Temperaturën minimale do e mbajë Gjakova me 13 gradë Celsius, ndërsa atë maksimale Prishtina me 31 gradë Celsius.

    Dita e nesërme në Kosovë po ashtu do të jetë me mot të ngrohtë, derisa gjatë pasdites pritet të ketë edhe reshje shiu në disa zona. Temperatura minimale do të shënohet në Gjakovë me 15 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale në Prishtinë me 35 gradë Celsius.

    Ndërkohë, në Shqipëri do të ketë mot me diell. Temperaturën minimale do e ketë Korça me 13 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të jetë në Berat me 37 gradë Celsius. /atvlive.tv/

    Parashikimin e plotë të motit, për rajon dhe Evropë, mund ta gjeni në videon e mëposhtme:

  • Komisioni Evropian numëron investimet që i ka bërë në Kosovë përgjatë viteve

    Komisioni Evropian numëron investimet që i ka bërë në Kosovë përgjatë viteve

    Komisioni Evropian (KE) ka renditur mbështetjet financiare që i ka bërë ndër vite për Kosovën.

    KE tha se Instrumenti për Asistencën e Para-Anëtarësimit (IPA), ka qenë mekanizmi kryesor financiar i BE-së për të mbështetur Kosovën që nga viti 2007, përmes së cilës Kosova ka përfituar rreth 1.4 miliard euro.

    “Për këtë periudhë, Kosova ka përfituar rreth 1.4 miliard euro nga grantet e IPA-s. Kjo përfshin 600 milionë euro sipas IPA I (2007-2014), dhe 562 milionë euro nën IPA II (2014-2020), dhe 231.2 milionë euro deri më tani sipas IPA III (2021-2027). Kosova po përfiton gjithashtu nga financimi nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF). Investimet e përgjithshme për Kosovën në kuadër të WBIF arrijnë në 2 miliardë euro gjithsej me financim të grantit të BE-së prej rreth 280 milionë euro për 32 projekte në fushën e energjisë (përfshirë rinovimet), transportin, mjedisin, infrastrukturën digjitale dhe zhvillimin social”, thuhet në përgjigjen e KE-së për RTV21.

    Komisioni tha se 39 përqind e granteve në kuadër të IPA II është përdorur në zhvillimin e institucioneve demokratike, qeverisjen e mirë, sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore dhe 61 përqind të tjera janë investuar në mbrojtjen e mjedisit, konkurrencën, inovacionin, bujqësinë dhe zhvillimin rural, arsimin, punësimin dhe përfshirjen sociale.

    Ndëkohë, nga IPA III (2021-2027), KE tha se 32 përqind e granteve janë dhe po vazhdojnë të investohen në sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, ndërsa 68 përqind prej tyre në mjedis, lidhshmëri, rritje dhe punësim.

    “Kjo përfshin gjithashtu paketën e energjisë prej 75 milionë euro që synon mbështetjen e tranzicionit të gjelbër dhe elasticitetin ndaj energjisë. BE-ja investoi në efiçencën e energjisë dhe tranzicionin energjetik, burimet e rinovueshme të energjisë si termocentralet diellore, sistemet e ujitjes, menaxhimin e ujit dhe mbetjeve të ngurta, mbështetjen e sektorit privat, reformat arsimore, infrastrukturën e universiteteve dhe shkollave”.

    KE tha se projektet kryesore përfshijnë uljen e ndotjes së ajrit për shkak të termocentralit Kosova B përmes instalimit të pajisjeve filtruese për 73 milionë euro.

    “Të theksohet gjithashtu se 28 milionë euro ndihmuan Kosovën të ruajë stabilitetin gjatë dhe gradualisht të rimëkëmbet pas pandemisë COVID19”, tregoi Komisioni.

  • ​Sot pjesa e dytë e Testit të Arritshmërisë

    ​Sot pjesa e dytë e Testit të Arritshmërisë

    Në ditën e dytë të këtij testi, 23 mijë e 632 nxënës do të vlerësohen për arritjet, njohuritë, shkathtësitë dhe aftësitë e fituara gjatë shkollimit të tyre.

    Në këtë pjesë, nxënësit do t’i nënshtrohen testit në lëndët Matematikë, Informatikë, Fizikë, Kimi dhe Biologji.

    Në mbajtjen e pjesës së parë të Testit të Arritshmërisë, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se testi mbahet në në 176 qendra të testimit.

    Ajo ka thënë se pret respektim të rregullave në mënyrë që rezultatet të jenë reale.

  • Qalaj-Qeverisë: Për shkak të politikave të gabuara, po ndodh ikja masive e të rinjve

    Qalaj-Qeverisë: Për shkak të politikave të gabuara, po ndodh ikja masive e të rinjve

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rashit Qalaj, tha se me veprimet e fundit po duke se Qeveria po i bënë nder dikujt tjetër, raporton Ekonomia Online.

    Sipas tij, për shkak të politikave të gabuara të Qeverisë, po ndodh ikja masive e të rinjve dhe se bizneset po sjellin punëtorë nga jashtë.

    Ai shton se në këto kushte, veprimet e Qeverisë për t’i goditur komunat në të hyrat buxhetore është e papranueshme.

    “Sa është presioni psikologjik i situatës së sigurisë në vend nuk do shumë koment. Që nga paslufta e deri më sot qytetari nuk ndihet i sigurt që Qeveria me veprimet e saja ka rënë në kurth dhe siç duket po i bën nder dikujt tjetër”.

    “Përveç krizës globale, qytetari është ballafaquar me një mosplanifikim të mirë që nuk ka marrë diçka nga Qeveria. Kushtet atmosferike dhe dëmet që u janë shkaktuar nga vërshimet si në kulturat bujqësore por edhe në ato familjare, bujqit dhe qytetarët kanë nevojë për përkrahje”.

    “Kemi filluar për shkak të migrimit tash të importojnë edhe fuqi punëtore. Për ditë bizneset po sjellin punëtorë e të cilët qëndrojnë për një kohë të shkurtër, ata ikin nga Kosova dhe kjo po bëhet për shkak të ikjes masive të të rinjve. Në këto kushte, t’i godasësh komunat e Kosovës për të hyrat buxhetore është e papranueshëm”.

  • Erdogan kushtëzon pranimin e Suedisë në NATO me anëtarësim të Turqisë në BE

    Erdogan kushtëzon pranimin e Suedisë në NATO me anëtarësim të Turqisë në BE

    Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha të hënën se Bashkimi Evropian duhet të hapë rrugën për anëtarësimin e Ankarasë në bllokun evropian, përpara se parlamenti i Turqisë të miratojë aplikimin e Suedisë për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s.

    Duke folur përpara nisjes së tij për samitin e NATO-s në Vilnius të Lituanisë, Erdogan tha se pranimi i Suedisë varet nga zbatimi i një marrëveshjeje të arritur verën e kaluar gjatë samitit të aleancës në Madrid, duke shtuar se askush nuk duhet të presë që Ankaraja të bëjë kompromise.

    Liderët e NATO-s do të takohen në Vilnius më 11 dhe 12 korrik për të trajtuar një sërë çështjesh, duke nisur nga ndasitë lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës dhe pranimin e Suedisë, e deri te rritja e furnizimeve me municion dhe shqyrtimi i planeve të mbrojtjes pas shumë dekadash.

    Ky do të jetë samiti i katërt i NATO-s që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, pasi samiti i parë ishte mbajtur virtualisht më 25 shkurt 2022, një ditë pasi Rusia nisi luftën. Dy samitet e tjera janë mbajtur në Bruksel dhe Madrid.

    Qëndrimi i Turqisë për Suedinë mbetet i njëjtë, duke u shprehur se Stokholmi nuk e ka trajtuar sigurinë e Ankarasë me seriozitet.

    Ndër vite, Suedia e ka akuzuar dhe kritikuar Turqinë për abuzim dhe shkelje të të drejtave themelore të njeriut dhe standardeve demokratike të jetesës, gjë që ka irrituar politikanët në Ankara.

    Ndërsa, në anën tjetër, Turqia pretendon se Suedia është duke strehuar anëtarë të grupeve që autoritetet turke i konsiderojnë terroriste.

    Në këmbim të anëtarësimit të Suedisë në NATO, Qeveria turke ka kërkuar ekstradimin – apo dorëzimin e personave të kërkuar.

    Suedia thotë se ka zbatuar marrëveshjen e Madridit – duke përfshirë ligje më të ashpra kundër terrorizmit – dhe se disa nga kërkesat e tjera të Ankarasë janë të pamundura për t’u përmbushur.

    Turqia ka hapur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 1999.