ATV

Author: G.O.

  • Mitrovica e Veriut anëtarësohet në Asociacionin e Komunave të Kosovës

    Mitrovica e Veriut anëtarësohet në Asociacionin e Komunave të Kosovës

    Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Asociacionit të Komunave të Kosovës sot (e martë) është bërë anëtarësimi i Komunës së Mitrovicës së Veriut në Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK).

    Votimi për anëtarësimin e Mitrovicës së Veriut në AKK ka kaluar me votat e të gjithë delegatëve të Kuvendit dhe ka ardhur pas kërkesës së Komunës së Mitrovicës së Veriut e cila ka marrë vendim në Kuvendin e Komunës për t’u anëtarësuar në Asociacion.

    Pas anëtarësimit, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq në fjalën e tij tha së është i lumtur për këtë anëtarësim, për çka falënderoi delegatët e Kuvendit të Asociacionit dhe tha se do të japin kontributin e tyre në sfidat dhe adresimet e qeverisjes lokale në nivel vendi.

    Asociacioni i Komunave të Kosovës është themeluar me 30 qershor 2001 pas zgjedhjeve të para lokale e demokratike pas luftës së fundit në Kosovë.

    Nga 38 komuna sa ka Kosova, 34 prej tyre janë anëtare në Asociacionin e Komunave të Kosovës, të cilat marrin pjesë në aktivitetet tona, japin ide e sugjerime, marrin pjesë në të gjitha strukturat e Asociacionit që nga Kuvendi, Bordi, Këshilli i Kryetarëve dhe Kolegjiumet Profesionale.

    Po ashtu komunat anëtare marrin shërbime, projekte e zhvillim të kapaciteteve nga Asociacioni i Komunave dhe Qendra e Trajnimit brenda Asociacionit.

    Anëtarësimin e një komune në Asociacion e bën Kuvendi i AKK-së me shumicën e votave dhe pas kërkesës së një komune, e cila bën kërkesë pas vendimit të Kuvendin e Komunës përkatëse ku shpreh interesim, dëshirë dhe nevojë për anëtarësim në Asociacionin e Komunave të Kosovës.

  • Portugali, pjesa më e madhe e kontinentit në rrezik maksimal nga zjarret

    Portugali, pjesa më e madhe e kontinentit në rrezik maksimal nga zjarret

    Më shumë se 100 krahina të Faro, Santarém, Leiria, Portalegre, Beja, Castelo Branco, Guarda, Aveiro, Coimbra, Viseu, Braga, Porto, Vila Real, dhe Bragança janë në rrezik maksimal nga zjarri në zonat rurale, sipas institutit kombëtar meteorologjik të Portugalisë, IPMA.

    IPMA gjithashtu ka vendosur më shumë se 40 krahina në Faro, Beja, Lisbone, Leiria, Coimbra, Aveiro, Vila Real, Porto, Braga dhe Portalegre në rrezik shumë të lartë, shkruan Lusa, transmeton KosovaPress.

    Krahina të tjera në Viana do Castelo, Braga, Porto, Aveiro, Leiria, Lisbonë, Santarém, Setúbal, Portalegre, Évora dhe Beja janë sot në rrezik të lartë zjarri.

    Për shkak të kushteve të motit, rreziku nga zjarri do të jetë i lartë të paktën deri të shtunën.

    Që nga fillimi i vitit, 6349 incidente zjarri kanë prekur 28132 hektarë zona rurale.

    IPMA parashikon një rritje të përgjithshme të temperaturës maksimale gjatë ditëve në vijim, me maksimum afër 40ºC në jug dhe në veri dhe qendër të vendit, ndoshta duke arritur në 44ºC në disa pjesë të luginës Alentejo dhe Tagus.

    Gjatë natës, temperaturat minimale do të jenë gjithashtu të larta, “me shifra mbi 20°C (netët tropikale) në një pjesë të madhe të vendit dhe mund të mos ulen as nën 25 °C në disa vende në Algarve, Alentejo dhe Beira të Brendshme.”

    Për shkak të motit të nxehtë, IPMA ka vendosur krahinat Vila Real, Bragança, Viseu, Guarda, Coimbra, Castelo Branco dhe Santarém nën një alarm të kuq nga ora 00:00 e sotme deri në orën 10:00 të së enjtes.

    Për rajonet në rrezik ekstrem, IPMA rekomandon shmangien e ekspozimit në diell sa më shumë që të jetë e mundur.

    Përsa i përket rajoneve me rrezik shumë të lartë, IPMA këshillon përdorimin e syzeve të diellit me filtra UV, kapele, bluzë, ombrellë, krem kundër diellit dhe shmangien e ekspozimit të fëmijëve në diell.

    Për rajonet me rrezik të lartë, IPMA rekomandon mbajtjen e syzeve të diellit me një filtër UV, një kapele, një bluzë dhe krem kundër diellit.

  • Rey Manaj transferohet te Sivaspori në Turqi

    Rey Manaj transferohet te Sivaspori në Turqi

    Edhe Rey Manaj këtë edicion do të luaj në kampionatin elitar të futbollit tirk.

    Sulmuesi shqiptar i cili kishte mbetur për gjashtë muaj pa skuadër, ka arritur marrëveshje me Sivasporin me të cilin ka nënshkruar kontratë tri vjeçare, përcjellë KosovaPress.

    “Sivasspor ka arritur një marrëveshje me sulmuesin Rey Manaj për 3 vite, duke filluar nga sezoni 2023-24”, thuhet në njoftimin e Sivassporit.

    26 vjeçari në të kaluarën ka luajtur edhe për skuadra të mëdha evropiane si Interi dhe Barcelona.

  • MAShTI takon shtëpitë botuese, s’ka deklarim për media

    MAShTI takon shtëpitë botuese, s’ka deklarim për media

    Përfaqësues të shtëpive botuese kanë marrë pjesë sot në takimin e ftuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

    Ky takim erdhi pas deklaratave të ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci se prindërit do t’i blejnë tekstet shkollore për nxënësit, ndërsa ministria do t’ua transferojë paratë.

    E ndonëse takimi u mbajt, askush nuk u deklarua për media.

  • Tre të mitur rrahin brutalisht bashkëmoshatarin në Han të Elezit, 17-vjeçari dërgohet në QKUK

    Tre të mitur rrahin brutalisht bashkëmoshatarin në Han të Elezit, 17-vjeçari dërgohet në QKUK

    Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë, raporton Gazeta Sinjali.

    Një rast i tillë ka ndodhur sot në orët e mëngjesit në Han të Elezit, por këtë herë janë përfshirë tre të mitur që po dyshohen se e kanë sulmuar brutalisht një bashkëmoshatar, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

    Burimet e Sinjalit brenda Emergjencës kanë bërë me dije se 17-vjeçari është transferuar në Qendrën Klinike Universitare pasi fillimisht ishte trajtuar në Spitalin Rajonal në Ferizaj.

    Sinjali mëson se të dyshuarit janë djem të axhës mes vete dhe akoma nuk dihet motivi që i ka shtyrë për t’u përfshirë në një incident të tillë.

    Posa rasti është denoncuar, të njëjtat burime thonë se Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë marrë informacionet e para për atë që kishte ndodhur.

    Me urdhër të prokurorit, kanë nisur hetimet për rastin, ndërkohë që të dyshuarit akoma nuk janë arrestuar.

  • Kryeministri Kurti u prit në takim nga kryeministri i Greqisë, Mitsotakis

    Kryeministri Kurti u prit në takim nga kryeministri i Greqisë, Mitsotakis

    Në Athinë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u prit nga Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis në pallatin Maximos, me të cilin pati një takim dypalësh.

    Fillimisht, kryeministri Kurti i uroi homologut të tij grek, Mitsotakis për rizgjedhjen e tij kryeministër dhe mandatin e ri qeveritar duke ofruar bashkëpunim të ngushtë në tema të interesit të përbashkët.

    Kryeministri tha se Kosova dhe Greqia gëzojnë marrëdhënie të mira të cilat po përmirësohen vazhdimisht si në rrafshin ekonomik përmes rritjes së shkëmbimeve tregtare ashtu edhe në rrafshin politik përmes vizitave të shpeshta të krerëve institucional të të dy shteteve.

    Ai e falënderoi kryeministrin Mitsotakis për ftesën dhe për darkën e mbrëmshme në të cilën ishin të pranishëm liderët e Ballkanit Perëndimor si dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, Kryeministri i Rumanisë Marcel Ciolacu, Kryeministri i Bullgarisë Nikolai Denkov, dhe presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.

    Biseduan edhe për dialogun në Bruksel dhe bashkëpunimin rajonal. Kryeministri Kurti tha që tashmë kemi marrëveshje porse nevojitet zbatimi i plotë i saj dhe pa kushtëzime.

    Kujtoi që pas dakordimit të Bratislavës po bëhen dy muaj pa asnjë incident e protestë të dhunshme në katër komunat në veri të Kosovës. Pra kemi një situatë të de-eskaluar e ku fokusi duhet të jetë tek parandalimi i ri-eskalimit nga elementë të dhunshëm.

    Takimi u dominua nga diskutimi në forcimin e marrëdhënieve ekonomike. Kryeministri Mitsotakis e falënderoi për pjesëmarrjen në darkë Kryeministrin Kurti dhe tha se është i interesuar të forcojë lidhjet ekonomike teksa shprehu interesim për sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

    Kryeministri veçoi rritjen ekonomike për çerekun e parë të këtij viti që qëndron në 3,9% dhe rënien e shkallës së inflacionit nga 11,9% sa ishte në janar në 2,8% në qershor si dhe progresin në indikatorët e demokracisë. Tha se me strategjinë e re për energjinë, qeveria është zotuar që gjenerimet e reja në energji të jenë nga burimet e ripërtëritshme, pra solare dhe nga era. Përmendi sektorët në rritje të prodhimit të ekonomisë sikurse atë të përpunimit të metaleve dhe të drurit, tekstilit, ushqimit dhe pijeve si dhe sektorin e shërbimeve dhe teknologjisë informative.

    Kryeministri Kurti e ftoi Kryeministrin Mitsotakis për vizitë dhe për më shumë investime në Kosovë. Shkëmbimi tregtar me Greqinë vitin e kaluar ishte 308 milionë euro, një rritje prej mbi 40% apo afër 100 milionë euro krahasuar me 2021.

    Gjersa shprehu keqardhjen për zjarret që kanë përfshirë një pjesë të Greqisë, Kryeministri ofroi ndihmën e Republikës së Kosovës në përballimin me zjarret përmes njësiteve të kërkim-shpëtimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

  • Maqedoni e Veriut, 23 zjarre në 24 orë

    Maqedoni e Veriut, 23 zjarre në 24 orë

    Gjatë ditës dhe natës së kaluar në territorin e Maqedonisë së Veriut kanë ndodhur gjithsej 23 vatra zjarri në hapësirë të hapur.

    Sipas Qendrës për Menaxhimin e Krizave (QMK), nga këto zjarre, 19 janë shuar, ndërsa katër bëhen aktive.

    Nga 19 zjarre të shuar në 24 orët e fundit, dy kanë qenë në Shkup, po aq në territorin e Komunës së Shtipit, tre në Manastir dhe një në komunën e Dollnenit, afër fshatit Zhitoshe.

  • Abdullahu për tekstet shkollore: Qeveria nuk di e s’ka përvojë, para 15 vjetësh Thaçi e zgjidhi këtë çështje

    Abdullahu për tekstet shkollore: Qeveria nuk di e s’ka përvojë, para 15 vjetësh Thaçi e zgjidhi këtë çështje

    Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Faton Abdullahu, tha se konstatimi i tyre që Qeveria nuk di – nuk mundet, nuk ka përvojë dhe po gabon shumë veç se është vërtetuar pasi Ministria e Arsimit njoftoi se prindërit do t’i blejnë librat vet.

    Ai i tha Ekonomia Online se kjo qasje e Qeverisë do të prish raportet shkollë-prind, duke shtuar se çështja e teksteve shkollore është zgjidhur para 15 vjetësh nga ish-kryeministri Hashim Thaçi.

    “Kur ne tash sa kohë po konstatojmë se që kjo Qeveri, nuk dinë nuk mundet, nuk ka përvojë, po gabon shumë, ajo çfarë ndodhi dje, kjo që ka të bëjë me librat veç po e dëshmon atë që është dëshmuar edhe më herët, paaftësinë e kësaj Qeverie. Kjo është një tjetër qasje, një tjetër veprim në të vërtet që si duket në të ardhmen e afërt, do të i komplikoj, për të mos thënë i prish raportet shkollë-prind, prind-nxënës ndërkohë që kryesore është raporti nxënës-dije, ky është deformim që do të hetohet”.

    “…është e dhimbshme se si ka mundësi që pak ditë para se të filloj shkolla të vije ky lajm kaq i keq ndërkohë që dihet se para 15 vite, në atë kohë kryeministri Thaçi, kishte zgjedh këtë problem dhe ajo gjeti rrugë dhe filloi të zbatohet tash sa kohë”.

    Sipas tij, jeta e qyetarëve po bëhet edhe më vështirë cdo ditë nga veprimet e Qeverisë, raporton EO.

    “…kështu erdhi kjo Qeveri dhe prishi çdo gjë dhe kjo është në dëm të nxënësve, në dëm të prindërve, më e keqja në dëm të kualitetit të jetës së qytetarëve, në dimrin që po hymë, që ka probleme shumë tjera me çmimet, më rritjen e çmimeve, me inflacionin, e me të tjerë që determinohen nga këto, që e bëjnë jetën e qytetarëve të vështirë, dhe krejt kësaj kjo Qeveri i’a shton edhe këtë çështje, punën e librave”.

    Duke komentuar siç tha ai qasjen përjashtuese ndaj Prokurorisë, Abdullahu tha se Qeveria po i mbron hajnat, duke prekur themelet e sigurisë nacionale.

    “Nuk ka gjë më të keqe se sa kjo qasje përjashtuese, që e bën Qeveria me vetëdije, thjesht kur po i qaset kështu Prokurorisë – Qeveria po i mbron hajnat e vet dhe po e sulmon për mungesë të moralshmes, mungesë të profesionalizmit, e akuzon për kapje e të tjera e të tjera, të kësaj natyre Prokurorinë, e turpshme, por të njëjtën kohë shumë e rrezikshme sepse po prek në themel të sigurisë, nacionale të Kosovës”.

  • Në nder të Violeta Rexhepagiqit krijohen pulla postare

    Në nder të Violeta Rexhepagiqit krijohen pulla postare

    Nga sot, Posta e Kosovës lëshoi në qarkullim postar llojin e ri të pullave postare “Personalitete – Violeta Rexhepagiq”, për nderim të gazetares dhe kantautores avangarde të rok skenës kosovare të viteve ’80-ta.

    Violeta Rexhepagiq u lind në Prishtinë, në shkurt të vitit 1965. Karrierën muzikore e filloi në fëmijëri, si interpretuese e rreth 40 këngëve për fëmijë. Ndërkaq, në vitet e ’80-ta solli një stil unik dhe avangardë në rok skenën kosovare. Ajo përfaqësoi për dy herë Kosovën në përzgjedhjen e përfaqësueses së ish Jugosllavisë për “Këngën e Eurovizionit”, njëherë me grupin “Vivien” dhe njëherë si soliste.

    Përpos si interpretuese, Violeta ishte autore dhe gazetare e disa emisioneve në Televizionin e Prishtinës. Me mbylljen e TVP-së, Violeta angazhohet nga Skyneës si raportuese nga zonat e luftës.

    Pas luftës në Kosovë, e vazhdoi veprimtarinë në lëmin e gazetarisë në RTK, deri më ndarjen e hershme nga jeta në vitin 2020.

  • PSG tronditë Realin, zbulon çmimin e Kylian Mbappes

    PSG tronditë Realin, zbulon çmimin e Kylian Mbappes

    Paris Saint Germain është gati të lërë Kylian Mbappen të largohet këtë verë, por vetëm nëse ndonjë skuadër është e gatshme të paguajë 250 milionë euro.

    Superylli e bëri rikthimin e tij në ekipin e parë me një gol në barazimin 1-1 të PSG-së me Toulouse të shtunën, ku ai dukej se tregonte se e ardhmja e tij, të paktën për disa muajt e ardhshëm, do të ishte në kryeqytetin francez.

    Por pas thashethemeve për një kohë të gjatë që Real Madridi po përgatit një ofertë prej 120 milionë euro për të siguruar shërbimet e tij këtë verë, PSG thuhet se ka caktuar një çmim të lartë për 24-vjeçarin, përcjellë KosovaPress

    Sipas gazetës spanjolle “AS”, skuadra pariziene po mban shpresë për të rënë dakord për një kontratë të re me sulmuesin, kontrata e të cilit skadon në më pak se 12 muaj.

    Por megjithatë janë të gatshëm ta lënë atë të shkojë nëse oferta e duhur paraqitet nga gjigantët e La Liga-s.