ATV

Author: G.O.

  • Nagavci: Vendimi përfundimtar për librat publikohet brenda dy ditësh

    Nagavci: Vendimi përfundimtar për librat publikohet brenda dy ditësh

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci në emisionin “RTK Prime” nuk e ka saktësuar nëse versioni i blerjes së teksteve shkollore nga ana e prindërve dhe më pas rimbursimi i mjeteve përmes aplikimit në platformën ‘eKosova” do të jetë vendim përfundimtar i Qeverisë së Kosovës.

    Ajo ka thënë se vendimi do të bëhet i ditur për publikun në dy ditët e ardhshme.

    “Përfundimisht Qeveria do të sigurojë tekstet për fëmijët duke marrë përsipër të gjitha obligimet financiare sipas ligjit. Jemi duke e shqyrtuar, jemi me gjithçka gati. Vendimin përfundimtar do ta bëjmë publik nesër pasdite apo të enjten në mëngjes”, ka deklaruar Nagavci.

    “Obligimi ligjor i Ministrisë së Arsimit është të siguroj librat nga klasa e parë deri në klasën e pestë. Për nxënësit e klasës së gjashtë deri në klasën e nëntë me kërkesën tonë në fund të vitit të kaluar shkollor, shkollat i kanë mbledhur ato në mënyrë që ato të përcillen te gjeneratat e ardhshme”, ka thënë Nagavci.

    Për prindërit të cilët nuk dinë të qasen në platformën shtetërore “eKosova” ajo ka thënë se do ta kenë të mundshme qasjen në një linjë telefonike prej së cilës do të mësojnë për mënyrat e përdorimit.

    “Në tri vite nga 2016-ta janë shpenzuar nga buxheti i shtetit më shumë se 20 milionë euro. Në 5 vitet e fundit janë shpenzuar 54 milionë e 555 mijë e 780 euro. Pra s’po flasim për shuma të vogla, por dhjetëra mijëra euro që duhet të shfrytëzohen për tekste të mira për nxënës dhe pa asnjë abuzim”, ka thënë Arbërie Nagavci.

    Nagavci: Platformën për rimbursim synojmë ta lansojmë të enjten

    Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka thënë se opsioni i blerjes së librave nga ana e prindërve e më pas rimbursimi i mjeteve për ta përmes platformës digjitale “eKosova” është formë e lehtë dhe që nuk sjellë telashe.

    Ajo ka thënë se edhe me këtë variant, ministria i kryen detyrat me të cilat është e ngarkuar. Mbi këtë bazë, e para e arsimit në vend, ka thënë se nuk e di pse është bërë temë diskutimi kjo metodë.

    “Kemi thënë se po e shqyrtojmë mundësinë që të gjithë prindërit të aplikojnë në eKosova, në një mënyrë shumë të thjeshtë do të listohen nga regjistri civil emri i prindërve, do të selektohet shkolla dhe do të shënohet numri i xhirollogarisë”, ka thënë Nagavci në “RTK Prime”.

    Ajo ka theksuar se lansimi i platformës digjitale për rimbursimin e mjeteve për prindërit synohet të bëhet të enjten.

  • Unaza e Prishtinës mbrëmë u ndriçua për herë të parë me sistemin e mençur

    Unaza e Prishtinës mbrëmë u ndriçua për herë të parë me sistemin e mençur

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ndarë një fotografi të ndriçimit për herë të parë të Unazës së Brendshme të Prishtinës me sistemin e mençur.

    “Prishtina jonë me Sistem të Mençur të Ndriçimit për herë të parë”, ka shkruar Rama.

    “Vazhdojmë transformimin në Smart City”.

    E kënaqur me këtë pamje ka qenë edhe nënkryetarja e kësaj komune, Donjeta Sahatçiu, e cila e ka ndarë të njëjtën pamje.

    “Për herë të parë, ndriçuam unazën e brendshme të Prishtinës me sistemin smart. Që nga sonte, ndriçimi menaxhohet më shpejt e më lehtë”, ka shkruar ajo.

  • Policia zvicerane arreston dy shqiptarë, dyshohen për kultivim të marihuanës

    Policia zvicerane arreston dy shqiptarë, dyshohen për kultivim të marihuanës

    Policia zvicerane ka arrestuar dy shqiptarë që drejtonin një plantacion të paligjshëm kërpi në të cilin jetonin edhe ata.

    Tani ata duhet të përgjigjen para autoriteteve, njofton gazeta zvicerane Le Canton27.ch.

    Të premten në mëngjes, policia kantonale e Cyrihut kontrolloi një fabrikë të brendshme për kërpin CBD në Oberglatt ZH.

    Sidoqoftë, në vend të kërpit të lejuar CBD, në këtë objekt u rritën rreth 550 bimë amë për prerje të paligjshme të kërpit THC.

    Po ashtu në objekt policët kanë gjetur edhe dy shqiptarë (22 dhe 38 vjeç), derisa ky i fundit qëndronte ilegalisht në Zvicër. Dy burrat jetonin në objekt dhe, sipas njohurive të deritanishme, mund të kenë punuar atje për një klient ende të panjohur.

    Tutje bëhet e ditur se bimët e kërpit u asgjësuan në mënyrë profesionale dhe uzina u çmontua.

    Të dy burrat u raportuan për rritjen e marihuanës dhe i moshuari u akuzua gjithashtu për shkelje të ligjit federal për të huajt dhe integrimin dhe u dërgua në zyrën e prokurorit publik në Winterthur/Unterland.

  • KRU “Prishtina” del me njoftim për lagjet që do të mbesin pa ujë

    KRU “Prishtina” del me njoftim për lagjet që do të mbesin pa ujë

    KRU “Prishtina” njofton se sot (e mërkurë), do të realizohen punime teknike në rrjetin e ujësjellësit te lagja 038.

    Me ç’rast do të mbesin pa furnizim me ujë nga ora 11:00-16:00 këto zona: Hajvalia, lagjja 038, lagja Qëndresa, lagjja Qershia, lagjja NIC, Priam Village, Swiss Village, zona industriale në Çagllavicë deri te hotel Emerald.

    “Punimet realizohen për infrastrukturë më të mirë të rrjetit të ujësjellësit”, thuhet në njoftim.

  • “Goditja”, për dy javë Policia arrestoi 155 persona dhe konfiskoi 54 armë

    “Goditja”, për dy javë Policia arrestoi 155 persona dhe konfiskoi 54 armë

    Për dy javë janë arrestuar 155 persona ndërsa janë konfiskuar 54 armë gjatë realizimit të urdhrit operativ “Goditja”, të cilin është duke e zbatuar Policia e Kosovës.

    Gjatë kësaj periudhe janë kontrolluar 35 mijë e 324 vetura dhe 420 lokale.

    Sipas njoftimit të Policisë, janë realizuar edhe 6 mijë e 29 pika kontrolli për automjete, 1765 prej tyre me radarë dhe alkool-test.

    Policia ka bërë të ditur se zbatimi i këtij urdhri do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

  • Shpëtohet në Ulqin një 4-vjeçar nga Kosova, era e tërhoqi tri kilometra larg bregut

    Shpëtohet në Ulqin një 4-vjeçar nga Kosova, era e tërhoqi tri kilometra larg bregut

    Në Plazhën e Madhe në Ulqin të hënën është shpëtuar një fëmijë katër vjeçar.

    Bëhet e ditur se roja detare në orën 09:35 ka marrë informacion se një erë e fortë nga lindja ka tërhequr një shtetas të Kosovës 4-vjeçar, i cili ndodhej në dyshek gome.

    Notarët kanë tentuar të notojnë te fëmija i rrezikuar, por rrymat e forta detare nuk i kanë lejuar në atë moment dhe dysheku është larguar nga bregu afërsisht tri kilometra drejt Ada Bojanës, shkruan Vijesti.

    “Me përdorimin emergjent të skuterit special të shpëtimit, shpëtimtari për vetëm pak minuta arriti në pozicionin e fëmijës me dyshek dhe e evakuoi atë”, thuhej në njoftimin e rojës detare.

    “Operacioni i shpëtimit zgjati 15 minuta nga momenti i marrjes së thirrjes së shpëtimit dhe analizat e UPSUL-it për vendosjen e një skuteri special në plazhin e Velikës rezultuan të ishin masa e duhur, pasi dhjetëra notarë tashmë janë shpëtuar nga mbytja”, bëhet e ditur në njoftim.

  • Zyrtari i lartë i Mbretërisë së Bashkuar vizitë në Kosovë, takon Bislimin dhe Gërvallen

    Zyrtari i lartë i Mbretërisë së Bashkuar vizitë në Kosovë, takon Bislimin dhe Gërvallen

    Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë ka njoftuar për vizitën që sot ka realizuar në Kosovë, Drejtori i Përgjithshëm për Evropë, Peter Wilson.

    Wilson në takimet me zv.kryeminstrin Besnik Bislimi dhe kryediplomaten, Donika Gërvalla, kanë biseduar për çështjet e brendshme dhe për ato rajonale.

    Wilson ka thënë se Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar ndaj raporteve dypalëshe dhe ka thënë se mbështesin stabilitetin dhe propseritin afatgjatë të Kosovës.

  • Rreth 700 të evakuuar pas zjarrit në Elba të Italisë

    Rreth 700 të evakuuar pas zjarrit në Elba të Italisë

    Rreth 700 persona janë evakuuar për shkak të zjarrit që shpërtheu mbrëmë në ishullin Elba të Italisë, në pyllin midis Rio Marina dhe Porto Azzurro, në zonën e San Felo, thanë burimet të martën.

    Disa shtëpi dhe një vend kampingu janë evakuuar si masë paraprake, shkruan ANSA.

    Burimet e qeverisë rajonale të Toskanës thanë se zjarri tani po kontrollohet, dhjetëra ekipe tokësore, dy helikopterë rajonalë dhe dy Canadair (avion zjarrfikës) po operojnë në ishull.

    Deri më tani janë djegur 14 hektarë.

    Nga të evakuuarit, 150 janë vendosur në ndërtesa komunale ndërsa pjesa tjetër kanë gjetur strehim të pavarur.

  • Rama reagon pasi nuk mori ftesë për darkën në Greqi

    Rama reagon pasi nuk mori ftesë për darkën në Greqi

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama reagoi sot pas mungesës së ftesës për të marrë pjesë në darkën informale të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, që u zhvillua mbrëmë në Athinë, ku u ftua presidenti Bajram Begaj, i cili refuzoi takimin.

    Rama ka shkruar në X, arsyeja e mospjesëmarrjes është e thjeshtë, “nuk doja të shqetësoja mikpritësin dhe të ftuarit e tij, duke e shtuar zhurmën para se miqtë e mi të mirë të mbledhur në Athinë të përfundonin punën e tyre”.

    Ai ka shkruar se është i lumtur që Kyriakos mori iniciativën për të darkuar me liderët shumë të rëndësishëm dhe për të diskutuar të ardhmen evropiane të Ballkanit në sfondin e agresionit rus.

    Sipas tij, rajoni ka nevojë që Greqia të përfshihet më shumë në rrugën tonë të përbashkët.

    “Unë i kam thënë gjithmonë atij apo miqve të tjerë grekë, duke e thënë publikisht në disa raste, se sinqerisht besoj se shteti i tyre ka një rol të natyrshëm për të luajtur në Ballkan duke pasur parasysh profilin dhe përvojën e tij në BE. Shpresoj shumë që takimi të ishte produktiv dhe sigurisht, më mirë të mos e kisha parë darkën e përdorur për t’i dërguar Shqipërisë një mesazh kontradiktor kundrejt qëllimit shumë më ambicioz të nismës dhe shpresoj që ky fakt fatkeq të mos i ngatërroi të nderuarit. Për sa më përket mua, të flasësh, të komunikosh, të debatosh me miqtë, aleatët, partnerët dhe fqinjët, para së gjithash, është thelbi i politikës ndërkombëtare dhe të përpiqesh, gjithmonë të përpiqesh të vendosësh veten në vendin e tjetrit është një domosdoshmëri. Aq më tepër kur gjërat duket se shkojnë keq”, ka shkruar ai.

    Rama theksoi se tetorin e ardhshëm Shqipëria do të kryesojë Samitin e Procesit të Berlinit të këtij viti në Tiranë.

    “Në tetorin e ardhshëm Shqipëria do të kryesojë Samitin e Procesit të Berlinit të këtij viti në Tiranë. Natyrisht, miku im i dashur dhe kolegu shumë i respektuar në Athinë ka qenë i ftuar të marrë pjesë dhe nuk mund ta imagjinoja kurrë të përgjigjesha me të njëjtën monedhë, duke ftuar në vend të tij Presidentin grek, për të cilin kam respektin më të madh. Unë e kuptoj presionin e palëve të treta, të etur për të shfrytëzuar çdo rast për të bërë mizën buall. Por ne të gjithë kemi sfida shumë më të mëdha përpara, ka male të vërteta për t’u ngjitur. Ajo që duhet të na bashkojë në kohë të tilla të trazuara për hir të popullit tonë, vendeve tona, rajonit tonë, Evropës sonë është më e madhe se ajo që na ndan. Shumë gjëra vihen në rrezik globalisht, që ne të bëhemi peng i politikës së brendshme fisnore”, ka shkruar ai.

  • ​Guardiola i nënshtrohet një operacioni urgjent

    ​Guardiola i nënshtrohet një operacioni urgjent

    Pep Guardiola i është nënshtruar sot një operacioni urgjent për një problemi me shpinën, ka njoftuar Manchester City.

    Trajneri i spanjoll ka vuajtur nga dhimbje të forta në shpinë për disa kohë së fundmi dhe ka fluturuar në Barcelonë për një operacion urgjent të kryer nga Dr Mireia Illueca.

    Operacioni është kryer me sukses, dhe Pep tani do të shërohet dhe rehabilitohet në Barcelonë.

    Në mungesë të tij, ndihmës trajneri Juanma Lillo do t’i mbikëqyrë stërvitjet e ekipit të parë deri në kthimin e Pep. Ai pritet të kthehet pas pushimit të ardhshëm për ndeshjet ndërkombëtare.