ATV

Author: G.O.

  • Arrestohet i mituri nën dyshimin për shpërndarje të materialeve me përmbajtje të keqpërdorimit seksual të fëmijëve

    Arrestohet i mituri nën dyshimin për shpërndarje të materialeve me përmbajtje të keqpërdorimit seksual të fëmijëve

    Një i mitur është arrestuar nën dyshimin për veprën penale “Shpërndarje e materialeve me përmbajtje të shfrytëzimit dhe keqpërdorimit seksual të fëmijëve”.

    Sipas Policisë, i dyshuari u arrestua nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme (NjHP) në Prishtinë.

    “Rasti është raportuar në fillim të muajit prill në stacionin policor në Drenas. Menjëherë janë angazhuar hetuesit e NjHP-së , respektivisht ekipi për hetimin e krimeve kibernetike, të cilët kanë ndërmarrë veprime hetimore, që kanë rezultuar me arrestimin e personit të dyshuar (i mitur). Personi i arrestuar me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në qendrën e mbajtjes për 24 orë”, thuhet në njoftim. /BetimipërDrejtësi

  • Delegacioni i Komitetit Ushtarak të NATO-s po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, policia me njoftim për qarkullimin rrugor

    Delegacioni i Komitetit Ushtarak të NATO-s po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, policia me njoftim për qarkullimin rrugor

    Një delegacion i Komitetit Ushtarak të NATO-s, po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

    Veturat e delegacionit janë parë edhe afër ndërtesës së Qeverisë.

    Për vizitën e këtij delegacioni ka njoftuar edhe Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media.

    “Me këtë rast Policia e Kosovës,  gjatë kësaj vizite, do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe rregullimin e trafikut,  gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Njoftimi i plotë:

    Njoftim për vizitën në RKS të Komitetit Ushtarak të NATO-s

    Prishtinë, më 27 prill 2026

    Me datën 27 dhe 28 prill 2026, në Republikën e Kosovës, do të qëndrojë për vizitë zyrtare një delegacion i Komitetit Ushtarak të NATO-s.

    Me këtë rast Policia e Kosovës,  gjatë kësaj vizite, do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe rregullimin e trafikut,  gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe kohës së qëndrimit të delegacionit në Kosovë.

    Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës zyrtare të vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta), ku edhe mund të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative.

    Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.

  • GLPS: Votimi i mundshëm i Presidentit/es pa kuroumin e nevojshëm përbën shkelje flagrante të Kushtetutës

    GLPS: Votimi i mundshëm i Presidentit/es pa kuroumin e nevojshëm përbën shkelje flagrante të Kushtetutës

    Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) shpreh shqetësimin serioz lidhur me mënyrën e zhvillimit të seancës së mbrëmshme të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e Presidentit/es e cila u zhvillua në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, duke e kthyer një ndër proceset më të rëndësishme shtetërore në një lojë politike.

    Përmes, një komunikate për media GLPS thekson se Gjykata Kushtetuese, në Aktgjykimet e rasteve Nr. KO 29/11, KO47/16 dhe KO68/26 ka qenë e qartë se për zhvillimin e votimit të Presidentit/es kërkohet prania e 2/3 të të gjithë deputetëve. Çdo procedim përtej kësaj nuk është çështje interpretimi, por shkelje e drejtpërdrejtë e rendit kushtetues. Thënë këtë, përveç se janë ‘nule’ të gjitha veprimet e ndërmarra në seancën  e mbrëmshme, GLPS vlerëson se thirrja për vazhdimin e saj sot në të njëjtën formë përbëjnë cenim serioz dhe të papranueshëm të Kushtetutës.

    Veprimet që injorojnë këtë rregullim nuk mund të justifikohen as me nevojën për funksionalitet institucional, sepse funksionaliteti nuk mund të ndërtohet mbi shkelje të Kushtetutës. GLPS rikujton se Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk lejon interpretime politike të përshtatura sipas interesit të momentit, por imponon detyrime të qarta dhe të padiskutueshme. Çdo tentativë për ta relativizuar këtë kërkesë, qoftë përmes interpretimeve procedurale të zgjeruara apo përmes vazhdimit të seancave pa përmbushjen e këtij kushti, përbën shkelje të drejtpërdrejtë të Kushtetutës. Një qasje e tillë nuk është vetëm e papërgjegjshme por e rrezikshme për rendin demokratik, sepse normalizon shkeljen dhe e vendos vendin në një trajektore ku normat kushtetuese zëvendësohen nga arbitrariteti politik.

    Në këtë drejtim, GLPS i bën thirrje deputetëve që të ndalin menjëherë këto veprime të paligjshme dhe të rrezikshme dhe thekson që vazhdimi i kësaj qasjeje përbën veprim të drejtpërdrejtë kundër interesit të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe është abuzim i pastër me mandatin publik.

    Përgjegjësia për këtë degradim bie plotësisht mbi ata që, me vetëdije, zgjedhin të shkelin Kushtetutën. Personat që shkelin Kushtetutën duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë publike dhe institucionale për veprimet e tyre. Shkelja e rendit kushtetues nuk është çështje politike që mund të relativizohet apo të justifikohet sipas rrethanave, por një devijim serioz nga detyrimi themelor ndaj interesit të shtetit dhe qytetarëve.

  • Mosmarrëveshje mes dy personave në Prishtinë, sekuestrohen dy armë dhe 60 fishekë

    Mosmarrëveshje mes dy personave në Prishtinë, sekuestrohen dy armë dhe 60 fishekë

    Policia ka njoftuar se dy persona në Prishtinë kanë pasur mosmarrëveshje mes vete.

    Sipas Policisë, të njëjtit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, nga i dyshuari janë sekuestruar dy armë me leje dhe 60 copë fishekë.

    Njoftimi i plotë:

    Fsh. Besi, Prishtinë / 23-27.04.2026 – NN. Është raportuar se  viktima mashkull kosovar ka pasur mosmarrëveshje me të dyshuarin mashkull kosovar. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit,  nga i dyshuari janë sekuestruar dy armë me leje përkatëse dhe  60 copë fishekë. Rasti  vazhdon në procedurë të rregullte hetimore.

  • Tragjedi në Indonezi: Dy trena përplasen mes vete, 14 viktima dhe mbi 80 të lënduar

    Tragjedi në Indonezi: Dy trena përplasen mes vete, 14 viktima dhe mbi 80 të lënduar

    Operacionet e shpëtimit vazhdojnë pranë kryeqytetit indonezian të Xhakartës, pasi dy trena pasagjerësh u përplasën, duke vrarë të paktën 14 persona dhe duke plagosur mbi 81 të tjerë, sipas përditësimeve të fundit të autoriteteve.

    Dy persona, ende gjallë, mbeten të bllokuar në fletët metalike të deformuara të një vagoni, sipas Anna Purba, një zëdhënëse e kompanisë shtetërore hekurudhore të Indonezisë KAI.

    Aksidenti ndodhi pranë stacionit të trenit Bekasi Timur, rreth 25 kilometra në lindje të kryeqytetit indonezian, shkruan TopChannel.

    Shefi i policisë së Xhakartës, Asep Edi Suheri, tha se një tren i distancave të gjata ishte përplasur me vagonin e fundit të një treni periferik vetëm për gra, i cili nuk po lëvizte.

  • I dyshuari për sulmin në Uashington akuzohet për tentativë atentati ndaj Trumpit

    I dyshuari për sulmin në Uashington akuzohet për tentativë atentati ndaj Trumpit

    I dyshuari për të shtënat në një ceremoni në Uashington, ku do të fliste edhe presidenti amerikan, Donald Trump, u akuzua për tentativë për atentat, si dhe për një komplot më të gjerë që synonte zyrtarë të lartë qeveritarë.

    Prokurorja federale për Distriktin e Kolumbisë, Jeanine Pirro, i bëri publike akuzat në një konferencë për media më 27 prill – dy ditë pas sulmit në darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.

    Ajo tha se i dyshuari, Cole Tomas Allen, pritet të përballet edhe me akuza të tjera, ndërsa hetimet vazhdojnë.

    “Ato janë vetëm tri akuza të përfshira në kallëzim… do të ketë akuza të tjera, ndërsa hetimet zhvillohen”, tha Pirro.

    “Por, të mos ketë asnjë dyshim, kjo ishte një tentativë për atentat ndaj presidentit të Shteteve të Bashkuara”, shtoi ajo.

    Më 25 prill, Allen, 31 vjeç nga Kalifornia, hapi zjarr me një armë gjahu ndaj personelit të sigurisë, duke shkaktuar panik, ndërsa presidenti Trump dhe zonja e parë, Melania Trump, u larguan me shpejtësi nga një sallë pranë, pa u lënduar.

    Zyrtarët thanë se një pjesëtar i sigurisë u qëllua, teksa Allen tentoi të kalonte një pikë kontrolli, por nuk pësoi lëndime serioze, pasi mbante jelek antiplumb.

    Sipas prokurores Pirro, hetuesit besojnë se ai synonte të “qëllonte sa më shumë zyrtarë të lartë të Qeverisë”.

    Në të njëjtën konferencë, ushtruesi i detyrës së prokurorit të përgjithshëm, Todd Blanche, tha se autoritetet kanë siguruar një manifest, që i dyshuari besohet se ua kishte dërguar familjarëve të tij.

    Sipas tij, është e qartë se objektivi kryesor ishte presidenti Trump, ndërsa motivet e tjera po hetohen nga FBI-ja dhe agjencitë e rendit.

    Sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë, Allen kishte rezervuar më 6 prill një dhomë në hotelin ku mbahej darka dhe kishte udhëtuar nga Kalifornia drejt Uashingtonit me tren.

    Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë në Uashington, Alex Raufoglu, ishte i pranishëm në ceromoni, kur ndodhën të shtënat.

    “Ishte tronditëse. Të gjithë po kërkonin mundësi strehimi”, tha Raufoglu, duke kujtuar momentet e para.

    “Padyshim, disa filluan të fshiheshin menjëherë nën tavolinë. Gazetarët menjëherë filluan të dokumentonin, duke kërkuar informacione. Papritur u shfaq Shërbimi Sekret dhe e shoqëroi presidentin jashtë”, shtoi ai.

  • U.D. Presidentja Haxhiu: Gratë forcojnë demokracinë dhe shoqërinë

    U.D. Presidentja Haxhiu: Gratë forcojnë demokracinë dhe shoqërinë

    Rrjeti i Grave të Kosovës ka mbajtur Kuvendin e 23-të Vjetor të Anëtareve, ku u vlerësua roli i grave në avancimin e të drejtave, forcimin e demokracisë dhe promovimin e barazisë në vend, raporton Ekonomia Online.

    Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, tha se kontributi i grave nuk kufizohet vetëm në momente historike, por edhe në përditshmërinë e tyre në shoqëri.

    “E kuptova se dhimbja e tjetrit nuk është e huaj, se kohëve të vështira u bëhet ballë, dhe se kur gratë përfshihen, shoqëria përparon”, tha ajo.

    Ajo theksoi se Rrjeti i Grave të Kosovës ka luajtur një rol të rëndësishëm në fuqizimin e grave dhe në ndikimin në politika publike ndër vite.

    “Ligjet bëhen më të mira kur mbështeten në dije. Politikat bëhen më të drejta kur mbështeten në përvojë”, u shpreh ajo.

    Anëtarja e Bordit të Rrjetit të Grave të Kosovës, Gjylieta Mushkolaj, tha se përkundër përparimeve, mbetet nevoja për angazhim të vazhdueshëm për barazi dhe drejtësi.

    “Për të ndërtuar Kosovën si një vend i lirë, ku secili individ të ketë mundësi të jetojë në mirëqenie e me dinjitet, pa diskriminim, ku barazia dhe mundësitë e barabarta i garantohen gjithësecilit. Përkundër përparimeve, sidomos këto vitet e fundit, edhe ky takim sot është një moment për të njohur përparimet, për të reflektuar mbi plagët e pashëruara dhe për të riafirmuar angazhimin tonë për një të ardhme ku gratë janë të sigurta, të barabarta dhe të përfaqësuara në çdo vendimmarrje. E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja janë të ndërlidhura, kur flasim për drejtësinë nuk mund të anashkalojmë drejtësinë tranzicionale. Po tashmë në fund e kemi edhe strategjinë shtetërore për drejtësi tranzicionale, që vërtet është një hap i rëndësishëm. Për një strategji sado e mirë në letër, mbetet e pamjaftueshme nëse nuk kthehet në drejtësi konkrete. Dhe kjo është veçanërisht e vërtet”, tha ajo.

    Drejtoresha e NDI në Kosovë, Nancy Soderberg, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me rrjetet e grave për forcimin e demokracisë dhe rritjen e përfshirjes së grave në politikë.

    “Dhe ne e dimë që kjo është thelbësore për forcimin e vetë demokracisë. Partneriteti ynë me Rrjetin e Grave të Kosovës është thelbësor për lidhjen e këtyre përpjekjeve në nivel kombëtar me realitetet në terren. Dhe janë pikërisht këto rrjete të forta që e bëjnë gjithë punën tonë më të përforcuar, më të fuqishme dhe me ndikim më të madh.Në Kosovë, puna jonë fokusohet në mbështetjen e proceseve politike gjithëpërfshirëse, forcimin e rolit të grave brenda partive politike dhe institucioneve, si dhe krijimin e rrugëve për të dalë në pah liderë të rinj”, tha ajo.

  • Kuvendi nuk miraton dy pikat e fundit të rendit të ditës në seancën e jashtëzakonshme

    Kuvendi nuk miraton dy pikat e fundit të rendit të ditës në seancën e jashtëzakonshme

    Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës nuk janë miratuar as dy pikat e fundit të rendit të ditës, raporton Ekonomia Online.

    Me 60 vota për, 47 kundër dhe një abstenim, Kuvendi nuk miratoi propozimin që shqyrtimi i projektligjit për energjinë të bëhet me shmangie nga afatet procedurale.

    Me 62 vota për, 48 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi nuk miratoi shmangien e trajtimit të projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me shmangie nga afatet e përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit.

  • Presidenti Begaj takim me kongresmenin Keith Self: ShBA, partner strategjik për rajonin

    Presidenti Begaj takim me kongresmenin Keith Self: ShBA, partner strategjik për rajonin

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar një takim me kongresmenin amerikan në Teksas, Keith Self.

    Takimi u fokusua tek rëndësia e pranisë së SHBA-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe forcimi i partneritetit strategjik mes dy vendeve.

    Në një reagim në platformën X, presidenti Begaj shkroi se “Ishte kënaqësi të takoja kongresmenin @RepKeithSelf në Teksas, të cilin e falënderova për vëmendjen e tij ndaj çështjes shqiptare dhe Ballkanit Perëndimor. Shkëmbyem mendime dhe perspektiva mbi rëndësinë e pranisë së SHBA-së në rajon, rolin e vetë rajonit, NATO-s dhe KFOR-it, si dhe forcimin e partneritetit strategjik midis dy vendeve tona.”

  • Rritet çmimi i naftës në Shqipëri

    Rritet çmimi i naftës në Shqipëri

    Bordi i Transparencës publikoi të shtunën çmimet e reja tavan për shitjen e karburanteve. Sipas njoftimit zyrtar çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 206 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 194 lekë/litër.

    Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 181 ekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 169 lekë/litër.

    Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 26 ora 14.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.