Author: G.O.
-

Kearns shpërndan alarmin e Zelenskyt: Kemi përgjegjësi për Ballkanin
Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka shpërndarë një video të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenksy, që alarmoi se Rusia po planifikon luftë të re e në rrezik është Ballkani. Duke shpërndarë këtë video ajo ka përsëritur shqetësimet që i pati bërë publike muaj më parë.Të enjten, Zelensky ka bërë thirrje për më shumë vëmendje për Ballkanin, përfshirë Kosovë, pasi që sipas tij ka informacione se Rusia po planifikon që ta nisë një luftë për ta larguar vëmendjen nga Ukraina.“Kam paralajmëruar vazhdimisht se ne duhet ta gjejmë përkushtimin tonë në Ballkan dhe të mos përsërisim dështimet e parandalimit. Ballkani është në fqinjësinë tonë dhe kemi përgjegjësi historike. Unë kam paralajmëruar në qershor se çfarë mund të shohim në Kosovë, por u hodh poshtë. Fatkeqësisht, shqetësimet e mia u bënë realitet”, ka shkruar ajo në Twitter. -

KOMF lanson fushatën “Ti je forca”, vlerësohet roli i punëtorëve socialë në mbrojtjen e fëmijëve e familjeve në nevojë
Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF), ka bërë hapjen e fushatës nacionale vetëdijesuese “Ti je forca”, raporton Ekonomia Online. Aty u tha se qëllimi i fushatës është promovimi i rolit dhe rëndësisë së punëtorit social dhe shërbimeve sociale për fëmijët dhe familjet në nevojë duke mos anashkaluar rolin e punëtorit social në Kosovë i cili është i një rëndësie të madhe për mirëqenien e qytetarëve të cenueshëm, veçanërisht të fëmijëve dhe familjeve në nevojë.
Donjetë Kelmendi, drejtoreshë ekzekutiv e KOMF-it, tha se në kuadrin e shërbimeve sociale të ofruara përmes institucioneve publike dhe organizatave joqeveritare, punëtorët socialë luajnë rol të shumëfishtë për mbrojtjen e fëmijëve dhe familjeve.
Sipas saj, punëtorët social ofrojnë shërbime sociale dhe familjare për fëmijët, familjet dhe qytetarët në nevojë, lehtësojnë qasjen në shërbime, veprojnë si ndërmjetës midis qytetarëve dhe shërbimeve sociale në dispozicion.
“Në Kosovë ka 38 qendra sociale. Ofruesit e punës sociale kanë nevojë për mbështetje sepse kanë shumë punë edhe pse nuk kanë kushte të mira, këta bëjnë punë të madhe për këtë arsye KOMF iu ndihmon shumë këtyre punëtorëve me qëllim të rritjes së cilësisë si edhe monitorimin e ligjit. Kemi hartuar doracakun për të iu dalë në ndihmë komunave dhe kemi mbajtur tryeza diskutimi. Kjo fushatë është një thirrje për mbështetje të punëtorëve social”.
Nona Zicherman, shefe e Zyrës së UNICEF në Kosovë, theksoi se në këtë fazë ka shumë rëndësi të diskutohet për mbrojtjen e fëmijëve, kur bota është në krizë dhe kur po vriten shumë fëmijë në Gaza.
“Në Kosovë fëmijët duhet mbrojtur nga dhuna dhe abuzimi dhe për këtë duhet të merren profesionistët që t’i mbrojmë fëmijët tanë nga abuzimi dhe keqtrajtimi, duke mos harruar punën e dedikuar të punonjësve civil”.
Anna Toness, drejtor i Programeve dhe Politikave USAID në Kosovë, tha se në kohën e pandemisë shumë sisteme patën probleme.
“ShBA-ja e ndihmoi shumë Kosovën përmes UNICEF-it. Shumë shpesh punonjësit social nuk kanë vëmendjen e duhur, por ne e dimë që mbas gjithë kësaj pune kaq të madhe ndodhen ata, prandaj edhe e gëzojnë respektin tonë”.
Vlora Limani-Hajnuni, këshilltare Politike për Mirëqenien Sociale në Ministrinë e Drejtësisë, tha se kanë hartuar politike që synim kanë përmirësimin e shërbimeve sociale.
“Projektligj për këtë çështje ka kaluar në fazën e parë në Kuvend dhe së shpejti do zbatohet. Ky projektligj për Shërbime Sociale edhe Familjare është hartuar së bashku më shoqërinë civile, dhe do të ndihmojë të gjitha viktimat dhe do zhvillojë trajnime që të iu ndihmojë për punë cilësore punonjësve social”.
Blerim Shabani, kryetar i Asociacionit të Qendrave për Punë Sociale, tha se profesionistët luajnë rol të rëndësishëm në promovimin dhe avancimin e të drejtave të personave të cenuar, raporton EO.
Sebahate Beqiri, anëtare Bordit Drejtues të KOMF-it, theksoi se shërbimet sociale kanë arritur t’i vendosin në agjenda të institucioneve rëndësinë e shërbimeve sociale.
“… shërbimi është i rëndësishëm për një individ më aftësi të kufizuar dhe për këtë duhet ende të punohet, situata sot është me e mirë po jo e kënaqur sepse ende fëmijët me aftësi kanë probleme. Kemi identifikuar shumë raste në vitin 2023 ende kemi fëmije në vende rurale të cilët kanë probleme tepër të mëdha madje kemi identifikuar fëmijë që s’kanë qenë në shkolla”, tha ajo.
Në mbyllje të fushatës u shfaq një video vetëdijesuese, e cila paraqet rëndësinë e punëtorëve social për fëmijët dhe familjet e cenueshme.
Kjo fushatë u mundësua në kuadër të projektit “Fuqizimi i akterëve të shërbimeve sociale për të ofruar shërbime cilësore dhe të qëndrueshme për fëmijët dhe familjet e cenueshme në Kosovë”, mbështetur nga UNICEF në Kosovë në partneritet me USAID në Kosovë.
-

Sveçla: Policia për vitin e ardhshëm do të ketë 17 për qind më shumë buxhet
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se 17 për qind më i madh është paraparë të jetë buxheti për Policinë e Kosovës për vitin 2024.
Ai në seancën e kuvendit ka thënë se buxheti për investime kapitale në institucionin e sigurisë do të shkojnë në 21.7 milionë nga 12.6 sa ka qenë për vitin aktual.
“Kjo është rritja më e madhe ndonjëherë. Patjetër që ka probleme, nevoja të shtuara, por kurrë më herët s’ka qenë ky standard të cilin nuk e ka gëzuar më shumë sesa vitin e kaluar dhe sesa planifikohet për vitin e ardhshëm”, ka thënë Sveçla në Kuvend.
Ministri ka përmendur se në këtë mandat janë blerë më shumë autoblinda sesa që janë blerë nga të gjitha qeveritë në të kaluarën.
-

Komandanti i KFOR-it e vlerëson kontributin e Shqipërisë në këtë mision
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Shqipërisë Arben Kingji, është takuar me komandantin e KFOR-it Ozkan Ulutas.
Takimi u zhvillua në bazën e forcave paqëruajtëse të NATO-s në Kosovë në “Film City” në Prishtinë.
Gjatë këtij takimi komandanti i KFOR-it ka shprehur falënderim për kontributin në këtë mision.
Gjatë ditës së djeshme, me të parin e Aleancës Veriatlantike në Kosovë, u takua edhe ambasadori Petrit Malaj.
Malaj tha se shteti shqiptar do ta shtojë prezencën në KFOR në vitin 2024.
Chief of Defence of the Republic of Albania, Major General Arben Kingji 🇦🇱, paid a visit to the #KFOR Commander, Major General Özkan Ulutaş, at Camp Film City in Pristina. During the meeting COM KFOR expressed his appreciation for the contribution of Albania to the KFOR Mission. pic.twitter.com/KFoo3qDTdt
— NATO Kosovo Force – KFOR (@NATO_KFOR) November 16, 2023
-

Përfundojnë bisedimet në Bruksel pa një takim trepalësh
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë zhvilluar të enjten takime në Bruksel për të diskutuar rreth zbatimit të marrëveshjeve paraprake, të arritura mes dy vendeve.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak, është takuar fillimisht me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, njëherësh shef i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e më pas me krynegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimin, zëvendëskryeministrin e vendit.
Takim trepalësh nuk ka pasur.
BE-ja ka bërë të ditur se paralelisht janë zhvilluar edhe takime ekspertësh për të pagjeturit dhe për çështje të energjisë.
Bislimi ka thënë të mërkurën se takimi i 16 nëntorit është vazhdimësi e takimit të zhvilluar më 26 tetor me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe bllokut evropian.
Petkoviq ka thënë ditë më parë se në Bruksel do të niset me një “ekip ekspertësh”.
Sipas burimeve evropiane, në agjendë të takimeve ka qenë diskutimi për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por edhe për hapat tjerë në zbatimin e obligimeve që dalin prej Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Palët kanë arritur pajtueshmëri për këtë marrëveshje në shkurt në Bruksel, ndërsa për aneksin e zbatimit, në mars në Ohër.
Megjithatë, në takimin e së enjtes, sipas burimeve të BE-së, prioritet kryesor do të ketë Asociacioni.
Drafti për këtë Asociacion u është dorëzuar palëve në tetor nga një delegacion i përbashkët i Shteteve të Bashkuara, BE-së, Gjermanisë, Italisë dhe Francës.
BE-ja e konsideron këtë draft si “plan modern evropian” dhe ka insistuar që palët ta pranojnë.
Ndonëse përmbajtja e këtij drafti vazhdon të mos jetë e qasshme për publikun, BE-ja dhe vendet kryesore anëtare, e konsiderojnë atë si propozimin më të mirë dhe si kompromis të cilin palët duhet ta shfrytëzojnë për të lëvizur përpara.
Komisioni Evropian e ka kritikuar Kosovën dhe Serbinë për mungesë gatishmërie për t’i zbatuar obligimet që dalin prej marrëveshjeve paraprake.
Në Raportin e Progresit të këtij Komisioni është konstatuar se palët nuk kanë nisur fare të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit.
Në këtë raport, Komisioni Evropian ka bërë ftesë për Kosovën dhe Serbinë që t’i qasen më me përgjegjësi obligimeve nga dialogu, duke rikujtuar se diçka e tillë është kyçe për përparimin e tyre në procesin e integrimeve evropiane.
Në takimet e fundit që kanë pasur liderët e Kosovës dhe Serbisë, me liderët e BE-së, Francës, Gjermanisë e Italisë në Bruksel, me 26 tetor, ata, sipas diplomatëve evropianë, “kanë shprehur gatishmëri që të pranojnë propozimin si bazë të mirë“.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shprehur gatishmëri të ecë përpara me këtë propozim, si dhe me zbatim të Marrëveshjes për normalizim.
Ai ka thënë se ka dashur ta nënshkruajë dokumentin, pasi “vetëm nënshkrimi nënkupton pranim dhe garanton implementim“.
Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka refuzuar ta nënshkruajë atë.
Në BE besojnë se takimet e së enjtes do të hapin rrugën për një dinamikë të re në procesin e zbatimit të marrëveshjeve.
Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut. Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar./REL/
-

Policia kërkon ndihmë për identifikimin dhe arrestimin e dy grave që dyshohen për vjedhje në Prishtinë
Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmë nga qytetarët për ofrimin e informatave që do të ndihmonin në identifikimin dhe arrestimin e dy grave, të cilët po kërkohen për përfshirje në një rast vjedhjeje që ka ndodhur në prill të këtij viti.
Duke publikuar fotografi ku shihen, Policia ka kërkuar te ata që kanë informata që mund të cojnë në identifikimin e personave apo vendodhjes së tyre, të kontaktojnë policinë në numrin e telefonit: 192.
“Njësiti i hetimeve të stacionit policor Qendra në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në identifikimin dhe arrestimin e personave që shihen në fotografi. Personat e dyshuar kërkohen për përfshirje në një rast, Vjedhje, që ka ndodhur me datën 01.04.2023, në një market në Prishtinë.
Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e personave apo vendodhjes së tyre, kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192”, thuhet në kërkesë.
-

Presidenti i Federatës Italiane të Volejbollit viziton Kosovën
Federata e Volejbollit të Kosovës, të enjten ka pasur mysafirë të veçantë. Për herë të parë në Kosovë ka qëndruar presidenti i Federatës Italiane të Volejbollit (FIPAV), Giuseppe Manfredi, i shoqëruar nga zëvendëspresidenti i Konfederatës Evropiane të Volejbollit (CEV), Renato Arena. Në selinë e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Manfredi e Arena janë pritur fillimisht edhe nga krerët e lëvizjes olimpike në Kosovë, presidenti Ismet Krasniqi e sekretari i përgjithshëm Besim Aliti.
Krasniqi e Aliti, i kanë falënderuar për vizitën që i kanë bërë Federatës së Volejbollit në Kosovë. Gjatë vizitës së tyre në KOK, ata janë shoqëruar nga presidenti i FVK-së Bahri Gjinovci, sekretari i përgjithshëm Valon Nikqi dhe anëtarja e bordit të FVK-së, Halime Fetahu. Krasniqi ka folur për raportet e mira që KOK-u i ka me Federatën e Volejbollit duke theksuar se poashtu është e rëndësishme që Federata Italiane ka poashtu raport të mirë me federatën kosovare të volejbollit.
Në anën tjetër presidenti i FIPAV, Giuseppe Manfredi ka thënë: “Nuk kam ardhur të flas shumë, por të punojmë. Trajnerët tanë më të mirë te sektorit të të rinjve janë këtu në Kosovë dhe do të punojnë me djemtë e vajzat e reja këtu. Ne nuk flasim shumë, nuk jemi këtu për të thënë shumë fjalë, por ato fjalë që i themi, jemi këtu për t’i konkretizuar e realizuar”. Kënaqësinë e tij për vizitën në Kosovë e ka treguar edhe zëvendëspresidenti i CEV Renato Arena, për të cilin është hera e dytë që e viziton vendin tonë.
Pas takimit me krerët e KOK-ut, Manfredi e Arena, e kanë vazhduar protokollin, sipas agjendës së paraparë, gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë.
-

Qeveria përkrah Zotimin Global për Energjinë e Ripërtëritshme dhe Efiçiencë të Energjisë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Ekonominë, Artane Rizvanolli dhe ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu mirëpriti dje në ndërtesën e Qeverisë, Chargee d’affaires të Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, së bashku me ambasadorë e zëvendësambasadorë të shteteve anëtarë të BE-së, në prag të Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi Ndryshimet Klimatike, COP 28.
Në takim, Kryeministri Kurti dhe ministrat Rizvanolli dhe Aliu shprehën mirënjohjen për mbështetjen e BE-së, i informuan mbi reformat në fushën e energjisë, klimës dhe ambientit, dhe konfirmuan përkushtimin e Kosovës ndaj zotimeve globale për Energjinë e Ripërtëritshme dhe Efiçiencë të Energjisë (Global Renewables & Energy Efficiency pledge), të cilat janë në përputhje me synimet dhe politikat e Qeverisë në fushat përkatëse.
Republika e Kosovës do të marrë pjesë në COP28 për herë të dytë. Me këtë rast, Qeveria e Republikës së Kosovës edhe zyrtarisht do t’i bashkohet Zotimit Global për Energjinë e Ripërtëritshme dhe Efiçiencë të energjisë (Global Renewables and Energy Efficiency Pledge).
-

Macron shpreson se Kosova dhe Serbia do të arrijnë marrëveshje, s’ka shqetësim se mund të rifillojë konflikti
Gjatë qëndrimit të tij në Lozanë, Presidenti i Francës Emmanuel Macron pati një takim me studentët e Universitetit të Lozanës.
Sipas medias “24heures” gjatë fjalimit të tij, Macron u pyet nga publiku për situatën aktuale në Ballkan.
Macron gjatë diskutimit, raportohet se ka diskutuar edhe për tensionet në Kosovë.
“Tensionet janë qetësuar paksa tani”, tha ai.
Ai shpreson se drejtuesit e dy vendeve Kosovës e Serbisë ta pranojnë planin e hartuar që ndihmon në deeskalim të situatës dhe arritjen e një marrëveshje mes dy shteteve.
Megjithatë Macron ka frikë nga konfliktet etno-fetare që po zhvillohen në rajone të ndryshme të botës.
“Jam i shqetësuar për këto pjesë, por nuk kam frikë nga rifillimi i konfliktit në Kosovë”, përfundon ai.
-

Bajrami thotë se s’ka shanse të bëhen të gjitha rritjet buxhetore me 78 milionë euro më shumë
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka prezantuar në Kuvendin e Kosovës disa të dhëna që sipas saj, janë marr nga statistikat e ASK-së, në lidhje me rritjen ekonomike dhe rritjen e inflacionit gjatë qeverisjes së Albin Kurtit.
Sipas saj, qeveria aktuale e ka marr mandarin me 16 për qind rritje ekonomike, ndërsa sot sipas saj, rritja ekonomike është dy për qind.
Ajo tha se buxheti është rritur në disa sektorë, por është ulur në disa organizata buxhetore, duke shtuar se s’ka shanse të bëhen të gjitha rritjet buxhetore me 78 milionë euro më shumë.
“Nga ASK kjo është pamja e rritjes ekonomike të Kosovës për mandarin e qeverisë së Kosovës. Me 16 për qind e kanë marr dhe sot është në dy për qind. Dhe kjo e paraqet normën e inflacionit. Sigurisht kryeministri është shumë i zënë se dialogu ju është bëtë prioritet numër një, këto po ja dorëzoj”.
“Ju thatë se keni rritur buxhetin, por i nderuar as një herë nuk e përmend se ku e keni ulur buxhetin. Buxheti, planifikim për vitin 2024 është ngrit me vetëm 2.3 për qind ose 78 milionë euro, andaj nuk ka shanca që të bëhen të gjitha këto rritje në përqindje prej 20-30 për qind e 50 për qind me 78 milionë euro, ka organizata buxhetore të cilave ju është ulur buxheti”.