ATV

Author: G.O.

  • Rizavnolli takon Hylandin, e falënderon për ndihmën e ShBA-së në energji

    Rizavnolli takon Hylandin, e falënderon për ndihmën e ShBA-së në energji

    Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka zhvilluar një takim me Colleen Hyland, Drejtoreshë për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit të ShBA-së.

    Aty, sipas Rizvanollit, është diskutuar për tema të ndryshme të zhvillimit ekonomik si eksporti, tregu i punës, punësimi i grave, tërheqja e investimeve të huaja direkte, energjia e sektori i TIK-ut.

    Ministrja tha se Hyland e njeh shumë mirë Kosovën pasi ka shërbyer si Zëvendës Shefe e Misionit në Ambasadën Amerikane në Kosovë, e më parë edhe si Këshilltare për Politikë e Ekonomi.

    “Andaj është kënaqësi të ndaj me të progresin e Kosovës gjatë këtyre viteve, për të cilin edhe ajo vetë ka kontribuar”, u shpreh Rizvanolli.

    Ajo tha se gjatë diskutimit ka shprehur mirënjohjen për përkrahjen e Qeverisë amerikane dhe agjensive si USAID e MCC “për rolin e tyre të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit të ekonomisë, e në veçanti atij të energjisë”.

  • Akili kalon në finale, Nora e Distria mposhten në gjysmëfinale

    Akili kalon në finale, Nora e Distria mposhten në gjysmëfinale

    Akil Gjakova është kualifikuar në finale të Kampionatit të Hapur Evropian të Xhudos që po mbahet në Prishtinë.

    Ai e mposhti në gjysmëfinale moldavin Petru Pelivan me Ippon.

    Në finale, Gjakova do të përballet me fituesin e duelit Lasha Shavdatuashvilit dhe Manuel Lombardos.

  • Gara: Këtë vit i kemi përfunduar 15 lokacione në kërkim të të zhdukurve, sfidë mungesa e informacioneve të besueshme

    Gara: Këtë vit i kemi përfunduar 15 lokacione në kërkim të të zhdukurve, sfidë mungesa e informacioneve të besueshme

    Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit në kuadër të Qeverisë së Kosovës, ka thënë se këtë vit kanë arritur të gërmojnë në 15 lokacione me qëllim të zbardhjes së rasteve të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.

    Ndonëse këtë vit e quan më dinamik në adresimin e informatave për gjetjen e personave të zhdukur, Gara është i rezervuar për të dhëna e shifra të personave që kanë arritur t’i identifikojnë.

    Ndërsa sfidë për ta mbetet mungesa e informacioneve të besueshme.

    E që nga përfundimi i luftës e deri më sot, Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit kanë arritur t’i kryejnë mbi 2700 lokacione në Kosovë.

    Gara ka thënë se shkaku i kushteve atmosferike dhe sezonit të dimrit, aktualisht po hasin në vështirësi të adresimit të lokacioneve të reja.

    “Edhe ky vit karakterizohet me një përpjekje dhe një angazhim në kuptim të adresimit të informatave me qëllim të realizimit të gërmimeve të nevojshme në lokacionet tanimë të shënuara në Republikën e Kosovës, karakterizohet vit me një dinamik të jashtëzakonshme në adresimin e çdo informate që do të mund të kontribuonte në zgjidhjen e cilido rast të personave të zhdukur me forcë. Sipas të dhënave që tani i kemi si institucione, gjatë këtij viti janë të paktën 15 lokacione të adresuara në kuptimin e gërmimeve vlerësuese. Tani për shkak edhe të sezonës së dimrit do të kemi vështirësi në rast të adresimit të lokacioneve me qëllim të gërmimeve por sigurisht se këtë fazë jemi duke punuar në kuptim të trajtimit të shqyrtimit të analizimit të të dhënave që kemi siguru gjatë këtyre muajve dhe pastaj për ndjekjen e procedurave për të siguruar urdhëresë nga gjykatat kompetente”, u shpreh Gara.

    Gara thotë se kanë arritur t’i përfundojnë dhjetëra mostra të ADN-së të personave të zhdukur. Disa thotë se janë në përputhje me familjarë dhe se po presin t’i njoftojnë edhe familjarët.

    “Nga eshtrat e zhvarrosura gjatë këtij viti janë dërguar me dhjetëra mostra për analiza të ADN-së në Komisionin Ndërkombëtar të Personave të Zhdukur, disa prej të cilave janë kthyer raporte të përputhshmërisë, mirëpo për shumicën e tyre jemi ende në pritje të rezultateve të ADN-së dhe sigurisht që rezultatet do t’i pranojmë gjatë vitit 2024 dhe do të veprohet me njoftimin e familjeve të personave të identifikuar”, thotë Gara.

    E që nga përfundimi i luftës, ky Komision ka arritur që t’i kryejë më shumë se 2700 lokacione në tërë Republikën e Kosovës. Ndonëse këtë proces nuk dëshiron ta përkthejë në terma statistikor, Gara thotë se kanë arritur të gërmojnë në një perimetër prej katër kilometra katrorë.

    “Edhe vitin 2023 por edhe vitet paraprake, sfidë në këtë proces jo vetëm në luftën e Kosovës por edhe në luftërat tjera në Evropë e më tutje, mbetet sfidë mungesa e informacioneve të besueshme. Edhe gjatë vitit 2023 por edhe viteve paraprake, Republika e Kosovës vazhdon të mbetet shembull në rajon dhe më gjerë për mënyrën e trajtimit të çdo informate që mund të kontribuonte në zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur. Gjatë këtyre 25 viteve pas luftës, Republika e Kosovës brenda territorit të saj janë adresuar në kuptim të gërmimit vlerësues më shumë se 2700 lokacione që i bie në kuptim statistikor, i bie që çdo 4 km2 ka pasur një lokacion që ne e kemi gërmuar”, thotë Gara.

  • Zyrtarisht përfundon afati për konvertimin e targave

    Zyrtarisht përfundon afati për konvertimin e targave

    Zyrtarisht ka përfunduar afati për konvertimin e targave ilegale serbe në ato të Republikës së Kosovës.

    Afati nuk do të zgjatët më.

    Nga kjo e shtunë secili automjet që lëviz në rrugë me tabela ilegale do të gjobitet nga Policia e po ashtu mund t’i konfiskohet automjeti.

    Megjithatë në ditën e fundit të afatit shtesë, interesimi i qytetarëve në veri për ndërrimin e targave ishte i vogël.

    Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë konfirmuar se nga fillimi i procesit, më 1 nëntor e deri tash, më shumë se 4 mijë qytetarë i kanë konvertuar targat.

  • Kurti: Viti 2024 për VV-në do të jetë vit i përgatitjes zgjedhore

    Kurti: Viti 2024 për VV-në do të jetë vit i përgatitjes zgjedhore

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri Albin Kurti, u ka kërkuar të gjithë anëtarëve të Këshillave lokale që nga viti i ardhshëm të përgatiten për zgjedhjet lokale që do të mbahen në vitin 2025.

    Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Vetëvendosjes për këtë vit, Kurti u tha anëtarëve se viti 2024 për të gjitha qendrat duhet të jetë vit i përgatitjes dhe mobilizimit për proceset zgjedhore, ku theks iu dha zgjedhjeve lokale.

    “Viti 2024 duhet të jetë i aktivizuar për zgjedhjet lokale të vitit 2025 . Kandidatët për kryetar duhet që të njoh kërkesa dhe shqetësimet e secilit qytetarë” tha Kurti.

  • ​Ilir Peci i Zveçanit nuk e do shkarkimin: Në rast të zgjedhjeve të reja, e di se nuk mund të fitoj

    ​Ilir Peci i Zveçanit nuk e do shkarkimin: Në rast të zgjedhjeve të reja, e di se nuk mund të fitoj

    Kryetari i Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, thotë se në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të reja, është i vetëdijshëm për humbjen e tij.

    Ai shtoi se gjithë çfarë mbetet të shihet në të ardhmen dhe varësisht nga zhvillimet politike, do të vendos për hapat e mëtejmë, sa i përket kërkesës së qytetarëve për inicim të peticionit rreth shkarkimit.

    Peci, i cili po vazhdon të kryej detyrën e kryetarit të Zveçanit nga një zyrë alternative në fshatin Kelmend, tha se në rast të zgjedhjeve të reja, ai do të humb, ndonëse nuk është i sigurt nëse do të kandidojë sërish, për shkak se siç tha, kjo varet nga partia.

    “E theksoj, me kohë do të vendosim për çka do që është në të mirën e qytetarëve dhe të mirën e shtetit do të veprojmë… Gjithçka mbetet të shihet në të ardhmen, të shohim si po zhvillohet situata politike, as unë dhe as tre kolegët e mijë të pjesës veriore nuk mendoj se janë për ndonjë të keqe të vendit të tyre. Po besoj se të katërtit do të jemi të një fjale dhe vendimi, dhe çka do që është në të mirë të vendit do ta bëjmë patjetër, pa marrë parasysh nëse japim dorëheqje ose jo, do të vendosim së bashku për të mirën e vendit… Nëse serbët veç kanë vendosur të marrin pjesë në zgjedhje, ne e dimë se nuk mund të fitojmë aty ku shumica janë serbë, mirëpo a do të kandidoj unë ose jo, kjo nuk varet nga unë, varet nga partia, votuesit, këshilli, të shohim”, tha ai.

    I pari i Komunës së Zveçanit flet edhe për raportet me qeverinë, të cilën e akuzoi për mos interesim të duhur për ta mbështetur nga fillimi në punën e tij.

    Sipas tij, Komuna po përballet me vështirësi të shumta, duke potencuar mungesën e hapësirave si sfidën kryesore.

    “Vetë fakti se buxheti na është vonuar rreth tre muaj e gjysmë dhe disa çështje tjera, nënkupton se qeveria nuk ka qenë e interesuar të na përkrahë nga fillimi, mirëpo për momentin raportet komunë-qeveri janë më stabile… Sfida kemi mjaft, së pari hapësira e objektit e cila na krijon probleme të mëdha… sfida kemi, por sidoqoftë kemi arritur diçka të punojmë, jemi në përfundim të gjërave që janë të rëndësishme për qytetarët… Për qytetarët serbë kemi ndriçimin në Banjskë, që ka qenë kërkesë e vetë banorëve të fshatit, sot jemi duke u marrë me një serbe e cila vuan nga një sëmundje dhe jemi në procedurë që të gjejmë një mundësi nga zyra e kryetarit që t’i ndihmojmë me një shumë të mjeteve për ndihmë asaj. Po ashtu, Kuvendi ka marrë vendim që për çdo foshnje të lindur në 2023 familjes t’u ndihmohet me 200 euro, këtu kemi kërkesa nga qytetarët serbë e shqiptarë, sa i përket fshatrave këtu, ka qenë po ashtu i nevojshëm pastrimi i rrugës, kërkesë e prindërve ka qenë edhe transporti për nxënës në shkolla, gjë që është në përfundim e sipër”, tha ai.

    Ai theksoi se për këto shtatë muaj ka arritur t’i realizojë 80 për qind të kërkesave të qytetarëve të kësaj komune pa dallim, duke përmendur ndriçimin publik në Banjskë, ndihmën financiare për personat me sëmundje të rënda dhe për foshnjet e lindura gjatë këtij viti, pastrimin e rrugëve të ndryshme etj.

    Megjithatë, shtoi ai, edhe pse buxheti komunal prej 3 milionë euro ka qenë i mjaftueshëm, Komuna nuk ka arritur t’i realizojë të gjitha kërkesat e qytetarëve deri tani, për shkak të kohës së shkurtër dhe vështirësive të ndryshme.

    “Janë gjëra të mira të cilat janë kryer për qytetarët, mirëpo s’kemi arritur t’i realizojmë të gjitha kërkesat e qytetarëve sepse ka qenë kohë shumë e shkurtër dhe e vështirë për ne… Në vitin 2023 buxheti ka qenë i mjaftueshëm sepse nuk është shfrytëzuar nga qeverisja e kaluar… Kërkesat e qytetarëve, pa i ndarë në shqiptarë e serbë, i kemi mbuluar rreth 80 për qind.. Ka qenë (buxheti) rreth 3 milionë euro për vitin 2023’, ka thënë Peci.

  • Haradinaj fton shqiptarët e Luginës për dalje masive në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi

    Haradinaj fton shqiptarët e Luginës për dalje masive në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se është shumë i nevojshëm një përfaqësim sa më i madh i shqiptarëve të Luginës në Kuvendin e Serbisë.

    Haradinaj ka bërë thirrje për dalje masive në zgjedhje.

    “Me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, këtë të diel, më 17 dhjetor 2023 në Serbi, i bëj thirrje bashkëkombasve shqiptarë në komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe në vendbanimet e tjera në Serbi, që të dalin masovikisht në mënyrë që të ketë përfaqësim dhe mbrojtje të të drejtave qytetare dhe kombëtare”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se duhet përfaqësim sa më i madh në Kuvendin e Serbisë.

    “Duke e ditur diskriminimin që po u bëhet shqiptarëve në të gjitha format nga regjimi serb, do të jetë shumë i nevojshëm një përfaqësim sa më i madh në Parlament, në mënyrë që të mbrohen interesat shqiptare dhe të njoftohet opinioni për padrejtësitë dhe shkeljet e të drejtave të shqiptarëve atje”, është shprehur Haradinaj.

  • Nora fiton edhe luftën e dytë

    Nora fiton edhe luftën e dytë

    Po vazhdon suksesi i xhudistëve kosovarë në Evropianin e Xhudos që po zhvillohet në Prishtinë.

    Është xhudistja Nora Gjakova ajo që ka regjistruar edhe fitoren e dytë në këtë kampionat.

    Në xhiron e dytë të kategorisë deri 57 kilogramë, Gjakova u ballafaqua me xhudisten sllovene, Kaja Kajzer të cilën nuk e pati të lehtë për ta mposhtur, raporton KosovaPress.

    Nga dy fitore kanë regjistruar edhe dy xhudistët, Akil Gjakova dhe Dardan Cena në kategorinë 73 kilogramë.

    Ndërsa ende nuk ka luftuar Distria Krasniqi.

    Tjetër fitore e Akil Gjakovës

  • Inflacioni shtyn shefen e Bankës Qendrore të Turqisë të jetojë me prindërit

    Inflacioni shtyn shefen e Bankës Qendrore të Turqisë të jetojë me prindërit

    Shefja e re e Bankës Qendrore të Turqisë, Hafize Gaye Erkan, ka thënë se është përjashtuar prej tregut të patundshmërisë në Stamboll, për shkak të inflacionit, prandaj ka vendosur të jetojë me prindërit.

    “Nuk kemi gjetur shtëpi në Stamboll. Janë tmerrësisht të shtrenjta. Jetoj tani me prindërit e mi”, ka thënë 44-vjeçarja, e cila e ka marrë pozitën në qershor, pas dy dekadave që ka jetuar në Shtetet e Bashkuara.

    Erkan ka punuar më parë në kompani të mëdha amerikane si Goldman Sachs dhe Bankën First Republic – dhe tani ka synim që të luftojë rritjen e çmimeve.

    “A është e mundshme që Stambolli është më i shtrenjtë se Manhatani?”, ka pyetur ajo.

    Inflacioni në Turqi tani ka arritur në 61 për qind.

    Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, besohet se ka ndihmuar në rriten e inflacionit, përmes vendimeve që ka marrë, mirëpo është zotuar se ekipi i ri i ekonomistëve, me përvojë në SHBA, do ta luftojë krizën ekonomike.

    Për ta luftuar zemërimin në rritje, zyrtarët kanë marrë vendim që qiraja të mos rritet më shumë se 25 për qind, ndonëse ekspertët besojnë se diçka e tillë vetëm ka krijuar tensione të reja, pasi pronarët po dëbojnë qiraxhinjtë, ashtu që të gjejnë banorë të ri, me çmime të reja të banesave./REL/

  • Begaj thirrje shqiptarëve të Luginës për dalje masive në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi

    Begaj thirrje shqiptarëve të Luginës për dalje masive në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dalë me thirrje për shqiptarët e Luginës së Preshevës një ditë para zgjedhjeve në Serbi. Begaj ka shkruar se zgjedhjet janë një moment shumë i rëndësishëm për përfaqësimin politik dhe për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve atje.

    Kreu i shtetit shqiptar ka thënë se vetëm përmes pjesëmarrjes në zgjedhje mund të arrihet një gjë e tillë.

    “Shqiptarë të Luginës së Preshevës, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc! Zgjedhjet e ditës së nesërme janë një moment shumë i rëndësishëm për përfaqësimin tuaj politik dhe mbrojtjen e të drejtave tuaja. Vetëm përmes pjesëmarrjes masive dhe zgjedhjes së kandidatëve tuaj mund ta arrini këtë. Duke shpresuar në një proces sa më demokratik, ju inkurajoj të merrni pjesë në votime e të zgjidhni kandidatët tuaj të preferuar që do t’ju përfaqësojnë në Parlamentin e ardhshëm”, ka shkruar Begaj.

    Thirrje të njëjtë ka pasur edhe kreu i diplomacisë shqiptare, Igli Hasani. Kryediplomati shqiptar ka ftuar shqiptarët atje që t’i lënë interesat politike anash dhe të kenë unitet.

    Kryediplomati shqiptar del me thirrje për Luginën: Tregoni unitet, votoni masivisht për shqiptarët