ATV

Author: G.O.

  • Ushtria izraelite vazhdon ofensivën në jug të Gazës

    Ushtria izraelite vazhdon ofensivën në jug të Gazës

    Dy gra dhe një burrë janë vrarë mëngjesin e 27 janarit nga, siç thanë dëshmitarët, një sulm ajror izraelit në pjesën jugore të Gazës, përderisa Izraeli po vazhdon ofensivën e tij ushtarake në enklavën palestineze.

    Sulmi ndodhi një ditë pas Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëroi Izraelin që të bëjë gjithçka që mundet për të parandaluar vdekjet, shkatërrimin apo çfarëdo akti të gjenocidit në Gazë. Si pjesë e vendimit të saj obligues, gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara i kërkoi Izraelit që brenda një muaji të dorëzojë një raport në pajtueshmëri me vendimin, që nënkupton se sjellja e ushtrisë do të jetë nën vëzhgim.

    Megjithatë, gjykata nuk urdhëroi armëpushim në luftën mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që nisi më 7 tetor, pasi grupi radikal palestinez sulmoi jugun e Izraelit.

    Lufta ka lënë të vrarë mbi 26.000 palestinezë, sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë, ka shkaktuar shkatërrim të madh në Gazë dhe ka detyruar pothuajse 85 për qind të popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të Gazës të shpërngulen. Sulmet e Hamasit, që nxitën luftën, lanë të vrarë afër 1.200 persona, shumica civilë, dhe luftëtarët e Hamasit rrëmbyen afër 250 të tjerë.

    Numri i përgjithshëm i palestinezëve të vrarë gjatë luftës u rrit në 26.257 të shtunën, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, e cila tha se ditën e kaluar u regjistruan 174 të vrarë. Kjo ministri nuk bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve të vrarë, por ka thënë se dy e treta e viktimave ishin gra dhe fëmijë, ndërkaq mbi 64.000 persona janë plagosur.

    Izraeli mban përgjegjës Hamasin për numrin e civilëve të vrarë, duke thënë se grupi radikal vepron në zonat e populluara me civilë. Sipas Izraelit, nga ofensiva e tij ajrore dhe tokësore në Gazë janë vrarë mbi 9.000 militantë.

    Pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, u zotua se do të vazhdojë luftën në Gazë.

    Ushtria izraelite tha të shtunën se ka kryer disa “operacione të shënjestruara ndaj caqeve terroriste” në qytetin e Han Junisit, në jug të Gazës, duke vrarë “disa terroristë”.

    Shtetet e Bashkuara, aleatja më e ngushtë e Izraelit, fuqishëm ka mbështetur ofensivën izraelite, por së fundmi gjithnjë e më shumë po i bën thirrje për frenim dhe që të lejojë që më shumë ndihmë humanitare të hyjë në Gazë./REL/

  • Gërvalla takon Kryeparlamentarin e Andorrës, rikonfirmohet angazhimi i përfaqësuesve të saj në KiE për Kosovën

    Gërvalla takon Kryeparlamentarin e Andorrës, rikonfirmohet angazhimi i përfaqësuesve të saj në KiE për Kosovën

    Mbështetja e parezervë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës u rikonfirmua edhe në takimin që Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla pati me Kryetarin e Parlamentit të Principatës së Andorrës, z. Carles Ensenyat Reig.

    Ministrja Gërvalla në kuadër të vizitës zyrtare në Andorra u prit edhe nga Kryetari i Parlamentit, me të cilin diskutuan në detaj për zgjerimin e bashkëpunimit për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

    Temë e bisedës ishin edhe zhvillimet e vitit të fundit në Kosovë, të arriturat në ekonomi, sundim të ligjit dhe rrugën e saj integruese drejt mekanizmave ndërkombëtar.

  • Xhensila Myrtezaj sjell këngën më të re “Zemër e helmuar”

    Xhensila Myrtezaj sjell këngën më të re “Zemër e helmuar”

    Xhensila Myrtezaj, një emër tashmë i dashur për publikun shqiptar, ka surprizuar fansat me një këngë të re që mbart emocion dhe thellësi artistike.

    Kënga e saj më e re e titulluar “Zemër e helmuar” ka të gjitha elementet të bëhet një hit i vërtetë.

    E njohur për zërin e saj unik dhe prekës, Xhensila ka arritur të sjellë një interpretim mahnitës në këtë projekt të ri.

    Për më tepër, bashkëpunimi me kompozitorin e talentuar Pirro Çakon ka sjellë një harmoni të mrekullueshme mes muzikës dhe tekstit, duke i dhënë këngës “Zemër e helmuar” një cilësi të përkryer në çdo notë.

    Me një imazh plot sharm dhe elegancë, Xhensila jep një paraqitje sensuale dhe joshëse, e veshur me një fustan të kuq të errët.

    “Zemër e helmuar” tashmë premton të bëhet një nga këngët më të dëgjuara nga adhuruesit e Xhensilës. /Telegrafi/

     

  • “Nuk i kam vërejt fëmijët, Naimi ka qenë në veturë në momentin e vrasjes”, detaje të reja nga dëshmia e Granit Plavës

    “Nuk i kam vërejt fëmijët, Naimi ka qenë në veturë në momentin e vrasjes”, detaje të reja nga dëshmia e Granit Plavës

    Ditën e djeshme në media është publikuar dëshmia e Granit Plavës, të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, me porosi të Naim Murselit, të dhënë para hetuesve policorë më 1 dhjetor 2023.

    Sipas kësaj dëshmie, Granit Plava ka thënë se Naim Murseli e ka porositur atë për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj.

    Në dëshminë e dhënë para hetuesve policorë më 1 dhjetor 2023, Plava ka deklaruar se Murseli ia ka ofruar 30 mijë euro për vrasjen e Ademajt.

    Biseda mes tyre ka ndodhur rreth një javë para se të kryhej vrasja në një pompë të derivateve në Gremnik të Klinës. Në tavolinë me ta ndodhej edhe Kushtrim Kokalla, i dyshuari tjetër për përfshirje në vrasjen e 30-vjeçares.

    Paparaci e ka siguruar dëshminë e plotë të Plavës dhënë hetuesve policorë.

    “Gjatë bisedës në prezencë të të treve, Naimi më ka thënë se do t’i marrësh 30,000.00 euro pasi ta vrasim këtë grua. Në këtë ditë është përmend edhe kallashi për ta ekzekutuar këtë grua, por nuk kam pranuar. Pak para se të largohem m’i ka dhënë dhe 400 euro, dhe Kushtrimit ia ka dhënë një shumë tjetër dhe jemi marrë vesh që të kryhet kjo punë”, ka thënë Plava. “Po ashtu, Naimi na ka thënë se ‘unë kam me shku në Shqipni dhe të kryhet kjo punë sa unë jam atje’”.

    Plava ka thënë se në momentin e vrasjes së Liridona Ademajt, në veturë ka qenë edhe Naim Murseli.

    “Unë nuk i kam vërejt fëmijët, ndërsa Naimi ka qenë në veturë në momentin e vrasjes”, ka thënë ai.

    Plava ka dëshmuar se Murseli e ka telefonuar në ditën e vrasjes së Ademajt dhe i ka kërkuar “që të kryhet kjo punë”.

    “Në ditën e vrasjes më ka thirrur në Whatsapp dhe më ka thënë se sot duhet të kryhet kjo punë, duke më thënë se ti e di se ‘kam pare unë, nëse ndodh diçka unë do të të nxjerr’. Më ka marrë me veturën e tij Range Rover rreth orës 12:00 ku kemi bërë gjiro tek Liqeni i Radoniqit. Aty është prishë goma e veturës dhe kemi shkuar në fshatin Novosellë e Epërme ku aty pronari i një vullkanizeri pasi e kemi rregulluar gomën, Naimi ka thënë se e mora këtë armë nga pronari i këtij vullkanizeri”, ka dëshmuar Plava.

     

  • Vdes zyrtari i MASHT-it Fehmi Krasniqi

    Vdes zyrtari i MASHT-it Fehmi Krasniqi

    Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se ka vdekur zyrtari i kësaj ministrie, Fehmi Krasniqi.

    Nagavci ka thënë se si punëtor shumëvjeçar në MAShTI, Krasniqi dha kontribut të madh dhe shpesh u priu proceseve të rëndësishme për zhvillimin e arsimit në Kosovë.

    “Jeta e tij ishte e lidhur me arsimin deri në frymën e fundit. Prandaj, do ta kujtojmë gjithmonë si njeriun e urtë, kolegun dhe mikun e mirë që u bë një me arsimin, i bindur se vetëm me arsim cilësor Kosova do të ecte përpara. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Krasniqi, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën!”, ka shkruar Nagavci.

  • Axha i të ndjerit Lulzim Fejzullahu i jep besë një muaj familjes së dorasit

    Axha i të ndjerit Lulzim Fejzullahu i jep besë një muaj familjes së dorasit

    Rrahim Fejzullahu, axha i të ndjerit Lulzim Fejzullahu, e nderojë Zotin e kombin tonë me dhënie të besës një muaj nga sot për familjen e dorasit.

    Kështu ka shkruar kryeimami i Podujevës, Bekim Jashari, duke u lutur që Zoti ta mëshirojë Lulin dhe ta bekojë familjen e Rrahimit.

    18-vjeçari Lulzim Fejzullahu, nga Podujeva, më 14 janar u godit me veturë nga persona të dyshuar të cilët më pas e rrahën për vdekje me shufra metalike.

    Fejzullahu u dërgua për trajtim në Spital, pasi mori lëndime jashtëzakonisht të rënda, ku pas disa ditë ndërroi jetë.

    Lidhur me rastin gjykata ka vendosur paraburgim nga një muaj për dy të dyshuarit të mitur.

  • Një tërmet me magnitudë 5.1 është regjistruar në Izmir

    Një tërmet me magnitudë 5.1 është regjistruar në Izmir

    Një tërmet me magnitudë 5.1 është regjistruar të shtunën në rajonin turk të Egjeut të Izmirit, tha Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të qeverisë turke (AFAD).

    Tërmeti u regjistrua në orën 08:19 sipas orës lokale (07:19 sipas orës bullgare). Epiqendra ishte në det pranë qytetit të Menderes në një thellësi prej 8.5 kilometrash.

    Tërmeti ka shkaktuar panik tek qytetarët turq.

    Guvernatori i Izmirit, Suleyman Elban ka treguar në llogarinë e tij në rrjetin social X se në këtë fazë nuk ka të dhëna për persona të lënduar dhe dëme materiale.

    Ekipet e AFAD janë dërguar në zonë për të kryer një vëzhgim në terren për dëmtime të mundshme./BTA/

  • Tharja e syve nga telefoni – Kujdesi që duhet të tregoni

    Tharja e syve nga telefoni – Kujdesi që duhet të tregoni

    Tharja e syrit është një problem shëndetësor që prek shumë njerëz në botë. Ai shkaktohet në mungesë të lotëve të mjaftueshëm që lubrifikojnë syrin.

    Një nga arsyet kryesore që shkakton tharjen e syve është përdorimi i tepërt i telefonave celularë por edhe kompjuterëve.

    Tharja e syrit është shumë e parehatshme sepse shoqërohet me djegie.

    Syri ka tendencën të thahet në situate të caktuara ku përfshihen: udhëtimi me avion, ajri i kondicionuar, ngarja e biçikletës ose qëndrimi para kompjuterit.

    Simptomat e Tharjes Së Syrit
    Shenjat dhe simptomat e tharjes së syrit janë si më poshtë:
    Kruarje dhe djegie e syrit,
    Sklepa në sy,
    Ndjeshmëri ndaj dritës,
    Ndjesia e të paturit një lëndë të huaj në sy,
    Lëngëzim të syve,
    Lodhje të syrit dhe mjegullim të shikimit.

    Kurat Më Të Mira Natyrale Kundër Tharjes së Syrit
    Ekspertët e AgroWeb.org sugjerojnë që njerëzit duhet të pasurojnë regjimin e tyre ushqimor me produkte që janë të pasura me acide yndyrore.

    Acidet omega-3 nxisin prodhimin e lotëve.

    Përpos ushqimeve, ekspertët rekomandojnë edhe disa produkte që mund të aplikohen së jashtmi.

    Vaji i Arrës Së Kokosit
    Ky vaj Lufton inflamacionin dhe ka efekt zbutës.

    Merrni dy-tre pika nga ky vaj dhe fërkoni zonën rreth syve për dy ose tre minuta.

    Prisni deri sa lëkura ta përthithë plotësisht dhe përsëriteni sërish.

    Kastraveci
    Për shmangien e kruarjeve dhe skuqjes së syrit, ekspertët e AgroWeb.org këshillojnë që të mbani feta kastraveci mbi sy për rreth pesëmbëdhjetë minuta.

    Kastraveci është një burim shumë i mirë i vitaminës A që luan rol ushqyes për sytë.

    Kosi
    Kosi përmban vitaminat D, B dhe A.

    Ekspertët e AgroWeb.org këshillojnë ngrënien e kosit rregullisht dhe mundësisht çdo ditë.

    Ngrënia e kosit do ju ndihmojë kundër kruarjeve por do të ofrojë ushqyesit e duhur për shëndetin e syve.

    Kompresa Me Ujë Të Ngrohtë
    Ekspertët e AgroWeb.org këshillojnë gjithashtu që të mbani kompresa të ngrohta mbi sy për rreth 7 deri në 8 minuta.

    Ngrohtësia do të stimulojë qarkullimin e gjakut rreth syve dhe do të nxisë lubrifikimin e tyre./AgroWeb.org

  • Erërat e fuqishme, Komuna bën thirrje për kujdes gjatë lëvizjes te rrugët rreth objektit komunal që i ra çatia

    Erërat e fuqishme, Komuna bën thirrje për kujdes gjatë lëvizjes te rrugët rreth objektit komunal që i ra çatia

    Komuna e Prishtinës u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë lëvizjes, në veçanti në rrugët “Ardian Krasniqi”, “Radovan Zagoviq” dhe “Nora e Hotit”, të cilat gjenden rreth objektit të Komunës së re, ku ditë më parë ra çatia e objektit duke lënë të lënduar një 23-vjeçare.

    Për çdo rast rreziku, Komuna ka publikuar disa numra kontakti.

    “Për shkak të erërave të fuqishme që po mbizotërojnë në #Kryeqytet, ju bëjmë thirrje të keni kujdes gjatë lëvizjes, e në veçanti në rrugët “Ardian Krasniqi”, “Radovan Zagoviq” dhe “Nora e Hotit” të cilat gjenden në lagjen “Arbëria” rreth objektit të Komunës së re deri në sanimin e plotë dhe evitimin e rrezikut në kulmin e ndërtesës.

    Çdo rast rreziku ju lutemi raportoni në Qendrën Emergjente të Kryeqytetit në numrat: 0800 112 33 ose 0800 112 44”, thuhet në njoftim.

  • Kryeministri Kurti ngushëllon familjen e Akademikut Feriz Krasniqi

    Kryeministri Kurti ngushëllon familjen e Akademikut Feriz Krasniqi

    Kryeministri Albin Kurti u ka shprehur ngushëllime familjes, kolegëve e miqve të Akademikut Feriz Krasniqi, i cili vdiq dje në moshën 93-vjeçare.

    Kurti ka treguar se takimin e fundit me të e kishte pasur më 17 dhjetor të vitit që shkoi, derisa tha se e kishin lënë që më 15 shkurt të takoheshin për ta shënuar 54 vjetorin e e Universitetit të Prishtinës.

    Kurti ka thënë se Krasniqi ishte një nga figurat më të respektuara në botën akademike dhe shkencore në Kosovë

    “Gjashtë javë më parë, më 17 dhjetor, kur bashkë me Profesor Ferizin i shkuam në vizitë mikut të tij Profesor Minir Dushit, ai mbështetej në bastunin e tij për të ecur dhe mbështetej në kujtesën e kthjellët dhe përvojën e gjatë prej 93 vjeçari për të biseduar. Shumë i këndshëm në bisedë dhe fort dashamirës mes miqsh, Profesor Feriz Krasniqi ishte një nga figurat më të respektuara në botën akademike dhe shkencore në Kosovë”, ka shkruar Kurti.

    Krasniqi ka qenë fillimisht Prorektor i Universitetit të Prishtinës mes viteve 1973 – 1975, para se ta merrte drejtimin e tij nga detyra e Rektorit të Universitetit të Prishtinës në dy mandate, gjatë periudhës 1975 – 1979. Ai e udhëhoqi Universitetin e Prishtinës në një dekadë kyçe, kur u themeluan dhe u ngritën shumë fakultete dhe degë të tij. Si rektor i UP-së, Feriz Krasniqi e ka bartur procesin e arritjeve dhe të nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit me Universitetin e Tiranës, në një kohë kur pedagogët nga Tirana dhanë shumë kontribut për zhvillimin e Universitetit të Prishtinës.

    Osmani ngushëllon familjen e akademik Feriz Krasniqit: Kontributi i tij për themelimin e UP-së është tejet i çmuar