ATV

Author: G.O.

  • Mungojnë përfaqësuesit, shtyhet raporti vjetor financiar i KPK-së

    Mungojnë përfaqësuesit, shtyhet raporti vjetor financiar i KPK-së

    Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, në mbledhjen e mbajtur të mërkurën ka votuar raportin vjetor financiar të KOSTT-it, për vitin 2022, ndërsa ai për Këshillin Prokurorial të Kosovës për vitin 2022 është shtyrë më mbledhjen e radhës, për shkak të mungesës së përfaqësuesve të KPK-së, raporton Ekonomia Online.

    Për mungesë të tyre, kritika pati deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj.

    “Është një injorance për këtë praktike, e t’i dërgojnë zyrtarët e thjesht që nuk kanë përgjegjësi. Nuk duhet të pranohen dhe të raportohen këtu”, tha ai.

    Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Halili, kritikoi mungesën e tyre.

    “Ne do te ishim mirëkuptues nëse nuk mund të jenë me agjendë sot por nuk e justifikon dëshirën ose jo me ardhë këtu”, tha ai.

  • Shkencëtarët janë shumë afër kurës për trajtimin e HIV-it

    Shkencëtarët janë shumë afër kurës për trajtimin e HIV-it

    Shkencëtarë thonë se kanë eliminuar me sukses HIV-in nga qelizat e infektuara, duke përdorur teknologjinë e modifikimit të gjeneve Crispr, që është fituar edhe çmimi Nobel për këtë teknologji.

    Teknologjia që funksionon sikur gërshërët, por në nivel molekular, mund të presë ADN-në në mënyrë që pjesët “e këqija” të mund të hiqen ose çaktivizohen, raporton BBC, përcjell Telegrafi.

    Kjo jep shpresë që studiuesit përfundimisht të heqin qafe virusin tërësisht nga trupi, megjithëse duhet ende punë për të ditur nëse trajtimi do të jetë i sigurt dhe efektiv.

    Ilaçet ekzistuese të HIV-it mund ta ndalojnë virusin, por jo ta eliminojnë atë.

    Ekipi i Universitetit të Amsterdamit, duke paraqitur një përmbledhje, ose abstrakt, të gjetjeve të tyre të hershme në një konferencë mjekësore këtë javë, theksoi se puna e tyre mbetet thjesht “dëshmi e konceptit” dhe nuk do të bëhet një kurë për HIV-in së shpejti.

    Dr. James Dixon, profesor i asociuar i teknologjive të terapisë së gjeneve dhe qelizave staminale në Universitetin e Nottingham, pajtohet, duke thënë se gjetjet e plota ende kërkojnë shqyrtim.

    “Do të nevojitet shumë më tepër punë për të demonstruar rezultate në këto analiza qelizore, që mund të ndodhin në të gjithë trupin për një terapi të ardhshme”, tha ai.

    “Do të ketë nevojë për shumë më tepër zhvillim përpara se kjo të ketë ndikim tek ata me HIV”. /Telegrafi/

  • Shtatë të vdekur pas fundosjes së një cisterne në Japoni

    Shtatë të vdekur pas fundosjes së një cisterne në Japoni

    Shtatë persona kanë vdekur pasi një anije e Koresë së Jugut u fundos afër një ishulli në jugperëndim të Japonisë, thanë rojet bregdetare, duke shtuar se anija kishte nëntë anëtarë në ekuipazh.

    Rojet bregdetare ende po kërkojnë edhe dy persona që gjendeshin në cisterne me lëndë kimike, e cila u përmbys pasi kishte njoftuar se ishte përballur me kushte të këqija në det. Për njërin prej tyre thanë se është ende gjallë, ndërkaq gjendja e tjetrit ende nuk dihet.

    Rojet bregdetare thanë cisterna Keoyoung Sun kërkoi ndihmë, pasi kishte raportuar se anija po anohej teksa po përballej me kushte të këqija të motit afër ishullit japonez, Mutsure.

    Ishulli gjendet pranë ishullit kryesor në jugperëndim të Japonisë, Honshu, rreth 1.000 kilometra larg Tokios.

    Derisa ekipet e shpëtimit arritën në skenë, anija veçse ishte fundosur, thanë rojet bregdetare. Pamjet e shfaqura nga televizioni NHK treguan anijen krejtësisht të kthyer përmbys.

    Kapiteni i anijes ishte jugkorean, ndërkaq në ekuipazh kishte edhe një tjetër anëtar nga Koreja e Jugut, një shtetas kinez dhe tetë nga Indonezia, thanë autoritetet.

    Cisterna po bartte 980 tonë acid akrilik, thanë zyrtarët. Deri më tani nuk është vërejtur se ka pasur rrjedhje të lëndëve kimike, përderisa autoritetet thanë se duhet të ndërmarrin masa për mbrojtjen e mjedisit në rast se do të ketë rrjedhje të lëndëve kimike.

    Acidi akrilik përdoret në plastikë, rrëshirë dhe veshje dhe mund të irritojë lëkurën e sytë, sipas Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Shtetet e Bashkuara.

    Autoritetet nuk kanë dhënë më shumë detaje se si anija u fundos./REL/

  • Osmani: Serbia s’mund të jetë kurrë anëtare e NATO-s, ende fle mbi varret masive

    Osmani: Serbia s’mund të jetë kurrë anëtare e NATO-s, ende fle mbi varret masive

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se shteti i Serbisë nuk mund të jetë pjesë e NATO-s përderisa ka shkelur vlerat me të cilat është ndërtuar NATO-ja.

    Osmani ka thënë se Serbia është një shtet që fle mbi varreza masive dhe se nëse dikush e konsideron atë si aleate të NATO-s, nuk i ofendon vetëm shtetet anëtare të kësaj organizate, por të gjitha “viktimat e Serbisë së Millosheviqit”.

    “Serbia është një shtet që akoma fle mbi varreza masive. Kushdo që e konsideron Serbinë afër NATO-s, nuk i ofendon vetëm shtetet anëtare, por edhe viktimat e Serbisë së Millosheviqit”, tha ajo.

    Këtë deklaratë për medie, Osmani e ka bërë pas adresimit në ditën e dytë të konferencës “Java e Gruas 2024”.

  • Dyshohet se goditi me veturë tre persona, arrestohet i dyshuari në Deçan

    Dyshohet se goditi me veturë tre persona, arrestohet i dyshuari në Deçan

    Është arrestuar dje një person në Isniq të Deçanit, pasi dyshohet se kishte goditur me veturë një burrë dhe dy gra e më pas ishte larguar në drejtim të panjohur.

    Siç njoftoi Policia, rasti ka ndodhur më 17 mars, ndërkohë që viktimat kanë pranuar tretman mjekësor.

    Tutje, në raportin policor thuhet se i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

  • Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, sot do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

    Ndryshe edhe sot vazhdon dëshminë, dëshmitari i ZPS-së me kodin w04571, i cili ka filluar dëshminë dje përmes video-lidhjes.

    Sipas përmbledhjes së shkurtër të lexuar nga ZPS-ja në sallë të gjyqit, ky dëshmitar është shqiptar i Kosovës, i cili pretendon se ishte arrestuar dhe mbajtur nga anëtarë të UÇK-së në gusht 1998 ose rreth kësaj date.

    Ky është dëshmitari i 52-të i ZPS-së deri më tani.

  • Austriakes i vidhet vetura në Prishtinë

    Austriakes i vidhet vetura në Prishtinë

    Një shtetase e Austrisë ka njoftuar policinë se persona të panjohur i kanë vjedhur veturën e saj me targa të Austrisë.

    Policia ka nisur hetimet për rastin.

    “Rr. Ymer Alushani, Prishtinë 14.03.2024-08:00. Ankuesja femër shtetase austriake ka raportuar se, nga persona të panjohur i është vjedhur vetura e saj me targa të Austrisë. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në njoftim.

  • Arrestohen tre persona për vjedhje në Ferizaj

    Arrestohen tre persona për vjedhje në Ferizaj

    Janë arrestuar tre persona në Ferizaj, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale vjedhje e rëndë.

    Sipas policisë, të dyshuarit kanë kryer vjedhje në një objekt banesor.

    “Rr. Rr. Reçaku, Ferizaj  31.01.2024, 00:05. Pas një pune hetimore nga njësia e hetimeve janë identifikuar dhe arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë të cilët dyshohet se kanë kryer vjedhje në një objekt banesor. Me vendim të prokurorit pas intervistimit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

  • “Dardanët” sot ushtrojnë stërvitjen e fundit para nisjes drejt Armenisë

    “Dardanët” sot ushtrojnë stërvitjen e fundit para nisjes drejt Armenisë

    Kombëtarja e Kosovës do ta zhvillojë sot seancën e fundit stërvitore në Kosovë para ndeshjes miqësore me Armeninë.

    “Dardanët” janë grumbulluar të hënën pasdite nën drejtimin e selektorit të ri, Franco Foda, ndërsa ushtruan edhe dje.

    E Federata e Futbollit të Kosovës njofton se Verdhekaltrit do të ushtrojnë nesër paradite nga ora 10:45 në Kampin Nacional në Hajvali.

    Ndërsa, në orët e pasdites, Vedat Muriqi me shokë do të udhëtojnë drejt Yerevanit, ku edhe do të ushtrojë para ndeshjes me armenët.

    Kosova do të luajë me Armeninë në udhëtim më 22 mars, ndërsa pas katër ditësh, respektivisht më datën 26 të këtij muaji, “Dardanët” do të përballen me Hungarinë në Budapest.

    Kjo do të jetë një mundësi e mirë për trajnerin e ri të Kosovës që t’i provojë lojtarët dhe t’ua shfaq atyre idenë dhe filozofinë e tij.

  • Osmani sot mban adresim në konferencën “Java e Gruas 2024”

    Osmani sot mban adresim në konferencën “Java e Gruas 2024”

    Në Kosovë po vazhdon të mbahet konferenca “Java e Gruas 2024”.

    Në lidhje me këtë konferencë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nga ora 10:10 do të mbajë adresimin mbi temën “Avancimi i lidershipit gjithëpërfshirës si domosdoshmëri strategjike në adresimin e sfidave të shekullit 21”.

    Pas Osmanit, në kuadër të konferencës “Java e Gruas”, diskutim të hapur do të mbajë edhe zëvendëskryeministrja, Emilja Rexhepi.