ATV

Author: G.O.

  • Kurti: Në Rezallë 98 burra dhe djem u pushkatuan vetëm për shkak se ishin shqiptarë

    Kurti: Në Rezallë 98 burra dhe djem u pushkatuan vetëm për shkak se ishin shqiptarë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar se si në Rezallë të Skënderajit, 98 burra dhe djem u pushkatuan vetëm për shkak se ishin shqiptarë. Të shtënat kishin zgjatur 30 minuta.

    Kurti kujton se pas ekzekutimit mizor e barbarë më 5 prill 1999, forcat e armatosura të Serbisë ua rrëmbyen kufomat.

    “29 prej tyre janë gjetur në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës, në Serbi. Nga Kizhevaku i Serbisë, më 30 shtator 2021, na u kthyen në Kosovë eshtrat e shtatë prej të vrarëve në këtë masakër. Mes tyre ishin edhe dy ribashkime me eshtrat e zhvarrosura vite më parë nga varreza masive në Rudnicë të Serbisë”, shkroi Kurti në Facebook.

    Andaj, shkruan Kurti, “sot e gjithnjë u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që nga Serbia, si përgjegjëse për vrasjen dhe zhdukjen e të dashurve tonë, të kërkojnë zbardhjen e plotë të fatit të tyre dhe drejtësi për viktimat dhe familjet”.

    “Drejtësia vendore duhet pa vonesë dhe me ngulm të veprojë, që përgjegjësit, urdhërdhënësit dhe ekzekutorët, të gjykohen e të dënohen. E vërteta e krimeve të Serbisë në Kosovë nuk mund të mbulohet nga dheu i varrezave masive. Nuk mund të lejojmë harresën të mbulojë mizoritë që ndodhën në luftë”, shkroi tutje kryeministri Kurti.

    “Duke nderuar të kaluarën, me drejtësi për viktimat, angazhohemi për të ardhmen e Republikës sonë. Për Kosovën e pavarur, ku brezat e rinj rriten të lirë e të sigurt. Duke mësuar nga e kaluara, ecim përpara me shpresë dhe vendosmëri. Përkujtimi ynë është dëshmi e përkushtimit për të mos harruar sakrificat për të shtrenjtën e shenjtën liri. I përjetshëm qoftë kujtimi i martirëve të kombit nga Rezalla! Lavdi!”, përfundoi Kurti.

  • Rreziku nga pickimi i rriqrave, IKShPK-ja del me rekomandime për qytetarët

    Rreziku nga pickimi i rriqrave, IKShPK-ja del me rekomandime për qytetarët

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka dalë më disa rekomandime për qytetarët, pasi që tash me rritjen e temperaturave, rritet edhe mundësia e pickimit nga rriqrat që janë bartëse të virusit që i shkakton Ethet Hemorragjike.

    Në njoftimin e IKShPK-së thuhet se nga viti 2013 nuk është shënuar asnjë rast fatal, pasi janë realizuar me sukses masat profilaktike dhe kundërepidemike, derisa thuhet se laboratoret e IKSHPK-së janë të përgatitura dhe të gatshme për diagnostikimin e të gjitha rasteve të dyshimta në EHKK.

    “Edhe pse rreziku nga ethet hemorragjike është më i vogël se vitet e kaluara, qytetarëve u bëhet thirrje që të kenë kujdes nga pickimet e rriqrave, sidomos në zonat Malishevë, Rahovec, Suharekë dhe Klinë, por edhe në zonat e tjera, pasi që temperaturat kanë filluar të ngrihen dhe rriqrat dalin në sipërfaqe të tokës”, thuhet në njoftim.

    IKShPK-ja u ka rekomanduar qytetarëve që:

    -Të mos qëndrojnë pa nevojë në livadhe dhe vende me shkurre;

    -Nëse patjetër duhet të jeni të pranishëm në këto vende, të vishen me rroba të gjata dhe pantallonat të futen në çorapë;

    -Të lyejnë pjesët e trupit, sidomos pjesët e zbuluara si  shuplakat dhe qafën me preparate të cilat i dëbojnë insektet nga trupi i njeriut;

    -Të kontrollojnë trupin pas qëndrimit në vatra endemike si dhe pas kthimit nga punët në fusha/livadhe, ara apo vendet me shkurre;

    -Nëse u ngjitet ndonjë rriqër në trup, të shkojnë sa më parë në qendrën më të afërt mjekësore për heqjen e saj dhe marrjen e ndihmës shëndetësore;

    -Të kositet në vazhdimësi bari në oborre e livadhe;

    -Të bëhet dezinsektimi selektiv i hapësirave në vendet endemike (shkurret, kaçubat, djerrinat dhe livadhet e pakositura të lëna djerrë);

    -Të bëhet pastrimi dhe dezinfektimi i stallave në vazhdimësi;

    -Të mbahet higjiena personale në nivelin më të lartë.

    Përmes këtij postimi, IKSHPK ka bërë thirrje te qytetarët që të kontribuojnë edhe në përmirësimin e ekosistemit që nënkupton:

    -Të punohen të gjitha tokat e punueshme;

    -Të kositen  livadhet me kohë dhe nga disa herë;

    -Të pastrohen kopshtet dhe pronat përrreth shtëpive

    -Të pastrohen fermat ku mbahen bagëtitë dhe të largohen rriqrat nga trupi i kafshëve;

    -Të kihet kujdes në veshmbathje për të gjithë fermerët dhe anëtarët e tyre të familjeve që punojnë në fushë, ku nuk duhet të lihen këmbët e zbathura

    -Fëmijët mos të lejohen të luajnë në livadhe e kopshte të pa kositura dhe në mbrëmje të kontrollohen (nga prindërit) për praninë ose jo të rriqrave në trupin e tyre.

    “Personat e pickuar nga rriqrat duhet të trajtohen në qendrat e Mjekësisë familjare në komunat përkatëse, ndërsa sipas nevojës, ata referohen për trajtime në repartet infektive të spitaleve të përgjithshme dhe në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

    Trajtimi i Etheve Hemorrgajike bëhet përmes terapisë mbështetëse, me antiviral si Ribavirina dhe imunoterapi pasive”, thuhet në apelin e IKSHPK’së.

  • Lista Serbe thotë se populli serb nuk do të marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë në Kosovë

    Lista Serbe thotë se populli serb nuk do të marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë në Kosovë

    Lista Serbe ka thënë të premten se serbët e Kosovës nuk do të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë në Kosovë, për t’i dërguar “mesazh të qartë” kryeministrit kosovar Albin Kurti.

    Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë do të zhvillohet nga data 5 prill deri më 17 maj.

    Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që e gëzon edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar – e akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për “shtypjen shumëvjeçare të serbëve” në Kosovë.

    “Të nderuar qytetarë…dëshirojmë t’i dërgojmë një mesazh të qartë Albin Kurtit dhe ata që e mbështesin atë se populli serb nuk do të marrë pjesë në regjistrimin e rrejshëm të ardhshëm në organizatën e tij, me të cilën ai dëshiron të konfirmojë suksesin e tij të turpshëm në dëbimin e serbëve”, tha Lista Serbe në Facebook.

    Por, sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, çdo person mund të gjobitet nga 30 deri në 2.000 euro, nëse refuzon t’i japë informacionet e kërkuara nga regjistruesi.

    Gjobat janë edhe më të mëdha, deri në 20.000 euro, për biznese.

    Lista Serbe tha se pjesëmarrja në “proceset e organizuara nga Kurti do të ishte poshtërimi më i madh për popullin tonë, në kohën kur i njëjti ua mohoi serbëve të drejtën për pensione dhe paga, pengoi funksionimin normal të shëndetësisë dhe përfitimeve sociale, hoqi të drejtën e votës, arrestoi dhe persekutoi Serbët, e pushtoi komunat me forcë, militarizuan veriun e Kosovës…”.

    Ajo po i referohej një rregulloreje të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila nga 1 shkurti e ndaloi përdorimin e dinarin për pagesa me para të gatshme, pasi e caktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.

    “Krahas kësaj, Kurti dëshiron të sulmojë edhe Serbinë me këtë regjistrim me disa kërkesa për dëmshpërblime të luftës, gjë që e pengon edhe më shumë çdo serb të jetë pjesë e këtij procesi”, tha ajo duke iu referuar deklaratës së Kurtit, i cili tha më 30 mars se autoritetet e Kosovës po përgatiten që Serbia të akuzohet si shtet përgjegjës “për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, e që janë krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid”.

    Gjatë regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë, të mbajtur në vitin 2011, procesi nuk ishte zhvilluar në katër komunat me shumicë serbe në veri dhe ishte bojkotuar pjesërisht edhe në komunat e tjera me shumicë serbe në Kosovë.

    Bojkoti kishte ndodhur pasi autoritetet nga Beogradi u kishin kërkuar banorëve serbë në Kosovë të marrin pjesë vetëm nëse regjistrimi bëhet nga misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK./REL/

  • Theret një person në Prishtinë

    Theret një person në Prishtinë

    Një vrasje në tentativë ka ndodhur të enjten në Prishtinë.

    Policia ka arrestuar një të dyshuar që e ka therur një person.

    Viktima është dërguar në QKUK.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se me një thikë e kishte goditur viktimën mashkull kosovar dhe si pasojë viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në QKUK për tretman mjekësor”, thuhet në raportin e PK-së.

  • Një grua në Istog thërret policinë, raporton për dhunë dhe armë në shtëpi

    Një grua në Istog thërret policinë, raporton për dhunë dhe armë në shtëpi

    Një grua ka njoftuar policinë se i dyshuari mashkull kosovar në Istog i ka shkaktuar dhunë dhe ka armë në shtëpi.

    Pas raportimit, policia i është përgjigjur rastit dhe kanë arrestuar të dyshuarin.

    Lidhur me rastin është bastisur shtëpia me ç’rast janë gjetur dhe konfiskuar: dy pistoleta me dy karikatorë, dy pushkë gjuetie dhe 1 karikator si dhe mbi 130 fishekë të llojeve të ndryshme.

    Personi i dyshuar ka prezantuar lejet përkatëse për armët e lartcekura, ndërsa me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Borrell: BE-ja e shqetësuar me pasojat për serbët e Kosovës nga ndalimi i dinarit

    Borrell: BE-ja e shqetësuar me pasojat për serbët e Kosovës nga ndalimi i dinarit

    Brukseli është i shqetësuar për mungesën e konsultimeve para vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e dinarit dhe pasojat që ka në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës. Kështu është shprehur përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

    “Kjo lidhet veçanërisht me ndikimin e vendimit në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave për momentin”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Borrellit të publikuar në faqen e Parlamentit Evropian.

    Në pyetjet e deputetit francez Dominik Bild se çfarë planifikon të bëjë Komisioni Evropian (KE) lidhur me çështjen e themelimit të Asociacionit, vendimin e BQK-së dhe në lidhje me sistemin arsimor dhe shëndetësor për serbët e Kosovës, Borrell ka thënë se këto është dashur të negociohen bashkë me Asociacionin

    “Çështja e vendimit të BQK-së për operacionet me para të gatshme prek çështje që është dashur të negociohen në lidhje me Asociacionin, siç janë statusi dhe financimi i institucioneve të menaxhuara nga Serbia në Kosovë dhe integrimi i tyre në institucionet dhe kornizën ligjore të Kosovës”, ka shkruar tutje ai.

    Ai ritheksoi se themelimi i Asociacionit është obligim i Kosovës sipas së drejtës ndërkombëtare dhe buron nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, e cila është arritur nga Serbia dhe Kosova në dialog me ndërmjetësimin e BE-së dhe më pas është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

    Ndërkaq, as dje në Bruksel të dyja palët nuk kanë arritur një marrëveshje sa i përket përdorimit të dinarit.

  • Sot mbahet seancë me pyetje parlamentare nga deputetët

    Sot mbahet seancë me pyetje parlamentare nga deputetët

    Sot kuvendi i Kosovës do të mbajë seanca plenare, ku ka vetëm një pikë të rendit të ditës.

    Seanca është thirrur për të bërë pyetjet parlamentare, që deputetët u bëjnë kabinetit qeveritar.

  • 25 vjet nga masakra e Rezallës

    25 vjet nga masakra e Rezallës

    Sot mbushen 25 vjet nga masakra në Rezallës së Skenderajt, ku ushtria dhe policia serbe ekzekutoi 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth, nga të cilët 44 ishin munduar t’i zhdukin.

    Një pjesë e trupave u gjenden në Rudnicë të Rashkës dhe iu dorëzuan familjarëve. Më 5 prill 1999 serbët rrethuan shtëpitë e këtyre familjeve dhe pushkatuan pothuajse të gjithë burrat dhe djemtë e rinj.

    Nga masakra serbe në Rezallë kanë shpëtuar vetëm tre persona. Kjo masakër konsiderohet si një ndër masakrat më të pamëshirshme gjatë luftës në Kosovë.

  • Sot fillon regjistrimi i popullsisë, ja çfarë duhet të dinë qytetarët

    Sot fillon regjistrimi i popullsisë, ja çfarë duhet të dinë qytetarët

    Agjencia e Statistikave të Kosovës sot nis procesin e regjistrimit të popullsisë në vend, e cila do të zgjasë deri më 17 maj. Pjesëmarrja në regjistrim kërkohet me ligj, teksa në rast refuzimi mund të penalizohen në shumën nga 30 euro-2.000 euro për person.

    ASK ka bërë të ditur se informacioni i mbledhur gjatë regjistrimit të popullsisë do të shërbejë si bazë për vendimmarrje kritike, që prek çdo aspekt të jetës, nga kujdesi shëndetësor, arsimi, zhvillimi i infrastrukturës e deri te ndarja e burimeve dhe planifikimi i politikave.

    Por, çfarë duhet të dinë qytetarët rreth projektit të regjistrimit të popullsisë ReKos 2024?

    Për t’u siguruar që qytetarët të kenë qasje për projektin e regjistrimit të popullsisë dhe të jenë të përgatitur mirë për disa detaje më specifike nga fushat kryesore, më poshtë janë dhënë disa sqarime për qytetarët. Ky informacion synon të ndihmojë në bërjen e procesit sa më të qartë dhe gjithëpërfshirës.

    Qëllimi i regjistrimit

    Regjistrimi ndihmon në kuptimin e ndryshimeve demografike, planifikimin e shërbimeve publike si: shkollat dhe spitalet, ofrimin e shërbimeve të ndryshme nga komunat, transportin, ndarjet buxhetore, ndarjen dhe kufizimet e personelit shtetëror në një zonë ose komunë, si dhe për planifikimet në të ardhmen. Është thelbësore për formësimin e së ardhmes së komuniteteve dhe kombit. Një Regjistrim i saktë siguron përfaqësim dhe shpërndarje të drejtë të fondeve qeveritare.

    Data dhe kohëzgjatja e regjistrimit të popullsisë

    Regjistrimi i Popullsisë fillon më 5 prill dhe pritet të përfundojë më 17 maj 2024. Nga data 5 prill deri më 10 prill 2024 punonjësit (regjistruesit) e regjistrimit do t’i vizitojnë zonat tuaja të banimit dhe banesat/shtëpitë më shumë për t’i shpërndarë materialet si: fletëpalosjen, letrën informuese dhe për t’u njoftuar me Zonën Regjistruese. Gjatë kësaj periudhe mund të zhvillohet ndonjë intervistë me ndonjë ekonomi familjare. Nga data 10 prill 2024 do të fillojë regjistrimi i përgjithshëm.

    Si të merrni pjesë? Personalisht: intervista duhet të zhvillohet në objektin e banimit të ose në afërsi  të banesës/shtëpisë së respodentit (qytetarit). Intervista mund të zhvillohet në: banesë/shtëpi, hyrje, korridor, në një lokal afër banesës/shtëpisë, nëse ka një kopsht, terasë, ballkon ose vende të ngjashme.

    Sa zgjatë intervista?

    Varësisht prej numrit të anëtarëve të ekonomisë familjare, moshës dhe gjinisë, pritjet janë që intervista në një ekonomi familjare me 4 anëtarë të zgjasë rreth 30 minuta.

    Kush duhet t’i jep të dhënat?

    Të dhënat rekomandohet të merren nga secili anëtarë i moshës madhore (mbi 16 vjet) nëse ata/ato janë të pranishëm gjatë intervistës. Në raste të tjera, një anëtar i ekonomisë familjare mund t’i jep të dhënat.

    Si zhvillohet intervista?

    Intervista zhvillohet ballë për ballë. Pasi të jetë prezantuar regjistruesi, duke ju informuar mbi qëllimin e regjistrimit dhe çfarë do të regjistrohet, përcaktohet vendi dhe zhvillohet intervista.

    Me çfarë pajisje grumbullohen të dhënat?

    Të dhënat grumbullohen përmes tabletëve.

    A mund të kem qasje se si po plotësohen pyetjet?

    Gjate plotësimit të pyetjeve, respodenti (qytetari) mund të shikojë se si po plotësohen të gjitha fushat në aplikacion, si dhe mund ta shikojë çdo përgjigje që jep.

    Si identifikohen punonjësit e regjistrimit?

    Regjistruesit janë të pajisur me një jelek identifikues, çantë, ID dhe Autorizim.

    Informacioni i kërkuar në regjistrim

    Pyetjet e zakonshme që parashtrohen në Regjistrim janë aplikuar edhe në ReKos 2024. Pyetësorët janë në harmoni me rekomandimet ndërkombëtare, duke përfshirë rekomandimet nga UNECE dhe Eurostat. Pyetësorët e regjistrimit janë publikuar në ueb faqen e ASK-së dhe secili qytetar ka qasje për pyetjet që do të parashtrohen për qytetarët. Për qasje më të detajuar rreth Regjistrimit dhe për t’u informuar, luteni ta vizitoni ueb faqen e Agjencisë së Statistikës së Kosovës: https://ask.rks-gov.net/Rekos

    Kush regjistrohet?

    Të gjithë qytetarët, që në periudhën ndërmjet 5 prillit deri më 17 maj 2024 qëndrojnë në Kosovë duhet të regjistrohen. Më pas, ASK-ja në bazë të kriterit të popullsisë së zakonshme rezidente do ta bëjë klasifikimin e personave rezidentë dhe jo rezidentë (gjatë kësaj periudhe mund të ketë numër të caktuar që regjistrohen, por që mund të jenë: turistë, punëtorë me punë te përkohshme nga shtetet e tjera, vizitë, ndonjë aktivitet kulturor a sportiv, kryesisht nga shtetet e tjetra).

    Regjistrimi i diasporës

    Për popullsinë e lindur në Kosovë ose kanë prejardhje nga Kosova, por që jetojnë jashtë Kosovës për më shumë se 12 muaj (ka një vendbanim-shtetet tjetër rezident) ata regjistrohen përmes një aplikacioni online (www.ediaspora.rks-gov.net) gjatë gjithë periudhës së Regjistrimit.

    Në çfarë gjuhe zhvillohet intervista?

    Intervista zhvillohet në gjuhën që e flasin komunitetet. Në ReKos 2024 gjuhët në program/aplikacion që do të mund të parashtrohen pyetjet janë: shqip, serbisht, anglisht dhe turqisht.

    Dokumentacioni i nevojshëm

    Nuk nevojiten dokumentet për t’i verifikuar disa përgjigje që kërkohen në pyetësor, si: pronësia, qiraja, verifikimi i adresës ose të ardhurat. Meqenëse numri personal duhet dhënë për çdo anëtar të familjes është mirë që të përgatiten më parë (skanohen ose printohen) numrat personal të çdo anëtari të familjes. Numri personal gjendet në pasaportë, letërnjoftim si dhe në ekstraktin e lindjes (ekstrakti mund të shkarkohet pa pagesë në eKosova).

    A duhet të jepen të dhënat e plota dhe të sakta?

    Të dhënat që kërkohen në pyetësor për te gjitha fushat janë obligative të plotësohen dhe në bazë të Ligjit për Regjistrimin e Popullsisë, të dhënat duhet të jenë të sakta, pasi ato do të verifikohen nga burimet e tjera dhe çdo mospërputhje mund të jetë pjesë për ndëshkim.

    Mosdhënia e të dhënave të sakta është vepër e dënueshme dhe dënimi është nga 30 euro deri 2.000 euro.

    Në cilat pyetje mund të mos përgjigjem?

    Në pyetjet rreth: përkatësisë etnike, religjionit dhe gjuhës që flisni mund të mos jepni përgjigje dhe nuk ka dënime.

    Privatësia dhe konfidencialiteti Të dhënat tuaja personale janë të mbrojtura me Ligjin për Regjistrimin e Popullsisë, Ligjin për Statistikat Zyrtare dhe Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Të dhënat do të anonimizohen dhe do të përdoren vetëm për analiza statistikore.

    Detyrimet ligjore

    Pjesëmarrja në regjistrim kërkohet me ligj. Komunikoni qartë këtë dhe refuzimi nënkupton se ju mund të penalizoheni në shumën nga 30 euro-2.000 euro për person.

  • Osmani flet me Hovenierin për procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE

    Osmani flet me Hovenierin për procesin e anëtarësimit të Kosovës në KiE

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim të rregullt Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier.

    Siç njoftoi Presidenca, në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend me fokus të veçantë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Tutje, Presidentja Osmani dhe Ambasdaori Hovenier diskutuan edhe për përgatitjet që po bëhen për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, si dhe aspekte të ndryshme të bashkëpunimit bilateral.