ATV

Author: G.O.

  • Aksident në rrugën Klinë–Gjakovë, policia dhe emergjenca në vendngjarje pranë Gurit të Zi

    Aksident në rrugën Klinë–Gjakovë, policia dhe emergjenca në vendngjarje pranë Gurit të Zi

    Një aksident trafiku është regjistruar sot në rrugën Klinë – Gjakovë, në afërsi të lokalitetit të njohur si Guri i Zi.

    Sipas informacioneve të para, ende nuk dihen shkaqet që kanë çuar deri te ky aksident, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore dhe ekipet e emergjencës për të menaxhuar situatën.

    Autoritetet janë duke bërë vlerësimet e nevojshme për të sqaruar rrethanat e aksidentit, ndërsa nuk raportohet ende për gjendjen e personave të përfshirë.

    Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

  • Teprica e vitaminës C nxit formimin e gurëve në veshka

    Teprica e vitaminës C nxit formimin e gurëve në veshka

    Acidi Askorbik (vitamina C) është një vitaminë e tretshme në ujë, që do të thotë se organizmi i njeriut, ndryshe nga disa organizma të kafshëve, nuk është në gjendje ta sintetizojë atë, por duhet ta marrë me ushqim. Burimet më të mira të vitaminës C janë frutat dhe perimet e freskëta, veçanërisht frutat agrume (limoni, portokalli, mandarina).

    Historikisht, vitamina C përdoret në trajtimin dhe parandalimin e skorbutit, i cili ishte veçanërisht i shpeshtë tek marinarët të cilët lundronin nëpër dete për një kohë të gjatë dhe nuk ishin në gjendje të konsumonin çdo ditë fruta dhe perime të freskëta.

    Vitamina C është padyshim efektive në trajtimin e skorbutit, mund të jetë efektive në përmirësimin e absorbimit të hekurit edhe tek pacientët e sëmundja gjenetike e quajtur tirosinemia. Ajo është shumë e sigurt kur merret në doza të rekomanduara.

    Tek disa njerëz, vitamina C mund të shkaktojë nauze, vjellje, urth, dhimbje barku dhe dhimbje koke. Mundësia e shfaqjes së këtyre efekteve anësore rritet me sasinë e vitaminës C që merret.

    Sasitë më të mëdha se 2.000 mg sigurisht nuk janë të sigurta dhe mund të shkaktojnë gurë në veshka dhe diarre të rëndë. Tek personat që janë të prirë për formimin e gurëve në veshka konsumi afatgjatë dhe ditor i më shumë se 1000 mg të vitaminës C në mënyrë të konsiderueshme e rrit rrezikun e përsëritjes së gurëve në veshka. Duhet theksuar se doza prej 1000 mg e vitaminës C është 10 herë më e lartë se maksimumi i kërkuar.

    Teprica e vitaminës C nuk akumulohet, por largohet me urinë

    Sa më shumë që konsumohet vitaminë C në organizëm, më shumë tajitet në veshka. Forma më e zakonshme e gurëve në veshka janë oksalatet e kalciumit. Disa persona e metabolizojnë vitaminën C deri në oksalate. Vetë vitamina C është acid, që do të thotë se sa më shumë që gjendet në urinë, aq më acidike do të jetë urina (pH më e ulët). Rreziku më i madh i kristalizimit të oksalatit të kalciumit është në pH me vlerë 4.5-5.5.

    Mundësia e paraqitjes së gurëve në veshka mund të jetë më e lartë tek personat që kanë pH më të ulët të urinës, siç është konfirmuar me studimin e kryer në Suedi dhe të publikuar në revistën prestigjioze mjekësore JAMA. Qëllimi i studimit ishte të përcaktohet nëse marrja e vitaminës C (në sasi prej rreth 1000 mg) e rrit rrezikun e zhvillimit të gurëve në veshka. Në vitin 1997 filloi përcjellja e 48,850 pacientëve, të moshës 45-79 vjet.

    Subjektet u monitoruan për 11 vjet, ku u dëshmua se rreziku i gurëve në veshka është rritur dy herë në krahasim me ata që nuk kishin marrë vitaminë C. Përparësia e këtij studimi është mostra e madhe, të dhënat e besueshme mbi konsumin e vitaminës C dhe monitorimi pothuajse i plotë i të anketuarve deri në fund të studimit. Përmes analizës u konstatua se pothuajse 90% e gurëve përbëhen nga oksalati i kalciumit.

    Vitamina C pluhur

    Nëse e merrni vitaminë C pluhur, është vështirë të dini saktësisht se sa keni marrë. Për më tepër, vitamina C është foto dhe termo-labile (drita dhe nxehtësia e shpërbëjnë), kështu që është më jostabile në formën e pluhurit. Prandaj, nevojat tuaja për këtë vitaminë plotësoni me fruta dhe perime të freskëta, të cilat përveç vitaminës C përmbajnë edhe fibra me cilësi të lartë dhe vitamina dhe minerale të tjera.

  • Mungesa e shiritit ngjitës në votimin me postë, KQZ del me sqarim

    Mungesa e shiritit ngjitës në votimin me postë, KQZ del me sqarim

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka dalë me sqarim pas shqetësimeve të ngritura nga disa votues jashtë Kosovës lidhur me mungesën e shiritit ngjitës në pakon e votimit përmes postës.

    KQZ thekson se procesi i votimit jashtë vendit është i rregulluar dhe i siguruar me mekanizma të tjerë, duke bërë të ditur se mungesa e shiritit ngjitës nuk ndikon në vlefshmërinë e fletëvotimit.

    “Ashtu si në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën në dhjetor të vitit 2025, edhe në zgjedhjet aktuale të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, nuk është paraparë përdorimi i shiritit ngjitës të KQZ-së”, thuhet në sqarim.

    Sipas KQZ-së, zarfi i fshehtësisë mbyllet me ngjitësin standard të vet zarfit dhe procesi mbetet i sigurt.

    “Pra, mungesa e një shiriti shtesë ngjitës nuk e cenon vlefshmërinë e fletëvotimit”, thekson KQZ.

    Institucioni shton se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie, përfshirë mikroshtypin, UV printin dhe elementin “anti-copy”, që parandalon kopjimin apo falsifikimin e tyre.

    Gjithashtu, KQZ sqaron se çdo fletëvotim i dërguar jashtë Kosovës është i vulosur në pjesën e pasme me vulë të zezë, e cila nuk nënkupton kopje të fletëvotimit.

    Përveç kësaj, procesi i votimit përmes postës sigurohet edhe përmes dëftesës së regjistrimit, një dokument unik që u dërgohet votuesve të regjistruar jashtë vendit.

    KQZ ka rikujtuar edhe procedurën që duhet ndjekur nga votuesit, duke përfshirë vendosjen e fletëvotimit në zarfin e fshehtësisë, pastaj në zarfin kthyes së bashku me dëftesën e regjistrimit dhe dërgimin e tij përmes postës.

    Në fund, KQZ ka apeluar që votuesit jashtë Kosovës të sigurohen që pakot e tyre individuale të arrijnë në adresën përkatëse më së largu deri më 6 qershor 2026.

  • Kamberi takon kongresistët amerikanë, kërkon barazi për shqiptarët në Luginë

    Kamberi takon kongresistët amerikanë, kërkon barazi për shqiptarët në Luginë

    Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, bashkë me kryesuesin e Këshillit Kombëtar në Luginë të Preshevës, Enkel Rexhepi, kanë zhvilluar një takim me kongresistët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam.

    Kamberi në një postim në rrjetin social Facebook ka thënë se takimi paraqet një moment me rëndësi të veçantë për shqiptarët e Luginës dhe për vetë perspektivën demokratike të rajonit.

    Ai ka thënë se në takim kanë ngritur zërin për politikat diskriminuese dhe përjashtuese të Beogradit zyrtar ndaj shqiptarëve të Luginës.

    Kamberi ka shkruar se ndërkohë që Beogradi kërkon standarde të larta për serbët në Kosovë, të njëjtat standarde refuzon t’i zbatojë për shqiptarët në Luginën e Preshevës. Ky dualizëm politik e moral, Kamberi ka thënë se nuk mund të vazhdojë pafundësisht.

    “Bashkë me kryetarin e Këshillit kombëtarë, Enkel Rexhepi, kemi ngritur zërin kundër kësaj politike diskriminuese, duke kërkuar barazi reale, përfaqësim proporcional dhe respektim të marrëveshjeve të nënshkruara. Fatkeqësisht, regjimi aktual në Beograd vazhdon të trajtojë shqiptarët si problem politik e jo si qytetarë të barabartë”, ka shkruar Kamberi.

    Ai ka vlerësuar lartë iniciatiën e kongresistit Self për Projektligjin që i kërkon që Departamentit Amerikan të Shtetit të hartojë një raport zyrtar mbi trajtimin e shqiptarëve dhe pakicave të tjera etnike në Serbi, me fokus të veçantë në Luginën e Preshevës.

    “Prandaj, angazhimi amerikan dhe iniciativa për Ligjin HR 6411 në Kongresin Amerikan janë me rëndësi të jashtëzakonshme. Ky ligj nuk është vetëm mbështetje për shqiptarët e Luginës së Preshevës; ai është një mesazh i qartë se diskriminimi, autoritarizmi dhe standardet e dyfishta nuk mund të jenë pjesë e së ardhmes evropiane të Serbisë”, ka shkruar Kamberi.

    Ai ka thënë se për vite me radhë, pushteti në Serbi ka ndërtuar një qasje sistematike të margjinalizimit ndaj shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, me siç ka thënë, pasivizim administrativ të adresave për të zvogëluar artificialisht praninë shqiptare, përjashtim nga institucionet shtetërore, diskriminim ekonomik, moszhvillim të qëllimshëm dhe mohimin e të drejtave elementare kombëtare e gjuhësore si të drejta identitare.

    “Heshtja ndaj padrejtësive në Luginën e Preshevës vetëm sa e forcon pasigurinë, emigrimin dhe destabilitetin afatgjatë në rajon. Shqiptarët e Luginës së Preshevës mbeten të përkushtuar ndaj paqes, bashkëjetesës dhe orientimit euro-atlantik. Por pa barazi reale, pa zhvillim ekonomik dhe pa respektim të marrëveshjeve të arritura, vazhdon rreziku i zbrazjes demografike dhe i destabilizimit dhe i humbjes së besimit në institucionet ndërkombëtare. Në Presheva sot nuk kemi folur vetëm për problemet e saj por edhe për nevojën që Ballkani Perëndimor të ndërtohet mbi drejtësi, barazi dhe standarde të njëjta për të gjithë qytetarët. Simetria në të drejta është koncepti politik që garanton paqe afatgjate. Koha e standardeve të dyfishta duhet të marrë fund”, ka shkruar Kamberi.

  • KQZ hap regjistrimin për votuesit me nevoja të veçanta për zgjedhjet e 7 qershorit

    KQZ hap regjistrimin për votuesit me nevoja të veçanta për zgjedhjet e 7 qershorit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se, në kuadër të organizimeve për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, është hapur periudha e regjistrimit për votuesit me nevoja të veçanta.

    Sipas njoftimit, qytetarët mund të aplikojnë deri më 31 maj 2026, qoftë përmes platformës online në faqen zyrtare të KQZ-së, ashtu edhe fizikisht në zyrat e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve.

    Përmes këtij procesi synohet që personave me nevoja të veçanta t’u mundësohet pjesëmarrje sa më e lehtë dhe e barabartë në procesin e votimit.

  • NATO: Avionët e parë luftarakë F-35 kanë mbërritur në Poloni

    NATO: Avionët e parë luftarakë F-35 kanë mbërritur në Poloni

    Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se kanë mbërritur në Poloni avionët e parë luftarakë F-35.

    “Një moment historik për Forcën Ajrore Polake dhe pjesën lindore të NATO-s, që shënon futjen e avionëve luftarakë të gjeneratës së 5-të të stacionuar përgjithmonë në rajon”, thuhet në postimin e NATO-s në Facebook.

    NATO gjithashtu ka publikar edhe disa fotografi.

  • Rritet kostoja e ndërtimit në Kosovë, ASK: Çmimet u ngritën me 4.3% brenda një viti

    Rritet kostoja e ndërtimit në Kosovë, ASK: Çmimet u ngritën me 4.3% brenda një viti

    Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se Indeksi i tërësishëm i Kostos së Ndërtimit në Kosovë (IKN) ka shënuar rritje gjatë tremujorit të parë të vitit 2026.

    Sipas të dhënave të ASK-së, në TM1 2026, krahasuar me TM4 2025, kostoja e ndërtimit është rritur për 2.5 për qind. Ndikimin më të madh në këtë rritje e kanë pasur transporti me 5.9 për qind, pagat me 2.8 për qind, kostot tjera me 2.6 për qind, materialet me 2.5 për qind dhe makineritë me 0.5 për qind. Ndërkohë, ulje është regjistruar vetëm te energjia, me 3.9 për qind.

    Po ashtu, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, TM1 2025, Indeksi i Kostos së Ndërtimit është rritur për 4.3 për qind.

    ASK thekson se rritja më e madhe vjetore është evidentuar te transporti me 11.5 për qind, pasuar nga pagat me 8.6 për qind, kostot tjera me 6.2 për qind, energjia me 5.5 për qind, materialet me 3.2 për qind dhe makineritë me 0.7 për qind.

    Të dhënat tregojnë se sektori i ndërtimit në Kosovë vazhdon të përballet me rritje të kostove, të ndikuara kryesisht nga transporti dhe fuqia punëtore.

  • Itali: Babai godet dy herë me thikë djalin 12-vjeçar dhe më pas tenton të vrasë veten

    Itali: Babai godet dy herë me thikë djalin 12-vjeçar dhe më pas tenton të vrasë veten

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali, ku një djalë 12-vjeçar u qëllua dy herë me thikë në gjoks në shtëpinë e tij në Napoli nga babai i tij.

    Siç bëjnë me dije mediat, ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një grindje në familje, me tehun e thikës që depërtoi në mushkëritë e të miturit.

    Pasi e kishte goditur të birin me thikë, burri më pas u përpoq t’i merrte jetën vetes duke e qëlluar veten në fyt dhe në fytyrë me thikë.

    Nëna e 12-vjeçarit thuhet se është plagosur gjithashtu në dorë, shkruan Tch.

    Babai dhe djali u shtruan në Spitalin Veçhio Pellegrini në gjendje kritike.

  • Seuli thotë se Koreja e Veriut lëshoi disa predha përfshirë raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi

    Seuli thotë se Koreja e Veriut lëshoi disa predha përfshirë raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi

    Koreja e Veriut lëshoi ​​disa predha, përfshirë të paktën një raketë balistike me rreze të shkurtër veprimi, drejt ujërave pranë bregut perëndimor të vendit të martën, tha ushtria e Koresë së Jugut.

    Ato u lançuan rreth orës 13:00 (04:00 GMT) nga afër Chongju në Provincën Pyongan të Veriut të Koresë së Veriut, tha në një deklaratë Shefat e Përbashkët të Shtabit (JCS) të Koresë së Jugut, shkruan Reutres.

    Raketa fluturoi rreth 80 kilometra (49.7 milje), tha JCS, transmeton Sinjali.

    Ky është lëshimi i parë i njohur i raketave nga Koreja e Veriut që nga 19 prilli, kur vendi testoi disa raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi, të cilat tha se ishin të pajisura me bomba thërrmuese.

    Në fillim të prillit, Pheniani tha gjithashtu se testoi një kokë të re bombë thërrmuese në një raketë balistike dhe një armë elektromagnetike, në një veprim që analistët thanë se ishte pjesë e përpjekjeve për të treguar aftësinë e Veriut për të luftuar një luftë moderne.

    Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, tha në mars se statusi i vendit të tij si një shtet i armatosur bërthamor ishte i pakthyeshëm dhe se zgjerimi i një “force bërthamore vetëmbrojtëse” ishte thelbësor për sigurinë kombëtare.

    Pavarësisht sanksioneve të OKB-së mbi programet e saj të armëve bërthamore dhe raketave balistike që nga viti 2006, Koreja e Veriut ka përshpejtuar përpjekjet vitet e fundit për të ndërtuar arsenalin e saj nën udhëheqjen e Kim, duke marrë dënimin nga Koreja e Jugut, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara.

    Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Jugut i kërkoi Koresë së Veriut t’u përgjigjet propozimeve të paqes dhe përpjekjeve të Seulit për të ulur tensionet të martën.

    Seuli do të ruajë qëllimin e tij për denuklearizimin e plotë të Gadishullit Korean, ndërkohë që ndjek një qasje pragmatike dhe me faza për zgjidhjen e çështjes bërthamore të Koresë së Veriut në koordinim të ngushtë me bashkësinë ndërkombëtare, tha zëdhënësi.

  • Kongresmenët amerikanë në Preshevë, Rexhepi: Diskriminimi ndaj shqiptarëve në Luginë duhet të ndalet

    Kongresmenët amerikanë në Preshevë, Rexhepi: Diskriminimi ndaj shqiptarëve në Luginë duhet të ndalet

    Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, ka bërë të ditur se sot në Preshevë po qëndrojnë kongresmenët amerikanë Keith Self dhe Suhas Subramanyam, të cilët u pritën në zyrat e Këshillit Kombëtar Shqiptar së bashku me deputetin Shaip Kamberi dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

    Gjatë takimit, sipas Rexhepit, u diskutuan në detaje problemet me të cilat shqiptarët e Luginës së Preshevës po përballen prej dekadash, duke përfshirë pasivizimin e adresave, mosnjohjen e diplomave, mungesën e përfaqësimit institucional dhe mungesën e zhvillimit ekonomik.
    “Patëm mundësinë të shtjellojmë të gjitha temat dhe çështjet me të cilat, tash e me dekada, përballet Lugina e Preshevës. Pasivizimi, mosnjohja e diplomave, mospërfaqësimi në institucione, varfërimi dhe moszhvillimi i komunave tona kanë një qëllim të qartë: shpopullimin e Luginës nga shqiptarët”, ka deklaruar Rexhepi.

    Ai ka theksuar se mungesa e investimeve dhe moszbatimi i marrëveshjeve të arritura për integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore vazhdojnë të mbeten shqetësime serioze për komunitetin shqiptar në jug të Serbisë.

    “Mungesa e investimeve, bllokimi i mjeteve nga Republika e Kosovës për Këshillin Kombëtar Shqiptar, centralizmi i shtetit në çdo institucion, moshapja e kufirit Miratoc–Llojan, moszbatimi i Planit 7 Pikësh dhe i Planit Aksional për integrimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore janë dëshmi të qarta të një qasjeje diskriminuese”, është shprehur ai.

    Në takim ishte e pranishme edhe Teuta Fazliu, e cila sipas Rexhepit është një nga rastet e shqiptarëve të prekur nga pasivizimi i adresave dhe që çështjen e saj e ka dërguar deri në Gjykatën e Strasburgut.

    “Kongresmenët patën mundësinë që nga ajo personalisht të dëgjojnë shembuj konkretë se si pasivizimi i adresave po i selekton veçanërisht shqiptarët”, ka thënë Rexhepi.

    Një vëmendje e veçantë gjatë takimit iu kushtua edhe projektligjit të iniciuar nga kongresmeni amerikan Keith Self, për të cilin Rexhepi tha se po shihet si një shpresë e madhe për mbështetje ndërkombëtare ndaj shqiptarëve të Luginës.

    “Projektligji i kongresmenit Keith Self, i cili ka gjetur mbështetje nga të dy kampet politike në SHBA, mbetet shpresa jonë e madhe për mbështetje ndërkombëtare që do ta detyrojë Qeverinë e Serbisë të ndalojë diskriminimin dhe shkeljen e të drejtave themelore të njeriut ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, deklaroi ai.

    Në fund, Rexhepi ka falënderuar kongresmenët amerikanë për vizitën dhe mbështetjen e tyre, duke nënvizuar lidhjen e fortë të shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    “Shqiptarët në përgjithësi, e ata të Luginës në veçanti, mbeten komuniteti më proamerikan në rajon”, përfundoi ai.