ATV

Author: G.O.

  • Mandl: Shkuarja e Borrellit nga pozita e shefit të diplomacisë së BE-së, në favor të Kosovës

    Mandl: Shkuarja e Borrellit nga pozita e shefit të diplomacisë së BE-së, në favor të Kosovës

    Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, është deklaruar rreth largimit të Joseph Borrell nga pozita e përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

    Sipas austriakut, largimi i Borrellit do të jetë në favor të Kosovës.

    “Kosova është po ashtu një kampion për vlerat demokratike që ka treguar në krahasim me vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor. Kosova është qartazi e para dhe kjo është nënvlerësuar në raportin e Borrellit. Me një qasje direkte po them që shpresoj se nuk do të kemi nevojë që të diskutojmë më për politikat e Borrellit karshi vendeve të Ballkanit Perëndimor, sepse mandati i tij do të mbarojë, pasi që tutje këtë detyrë do ta bartë Kaja Kallas. Ajo është një personalitet mjaft premtues kur vjen puna për lidhjet me Ballkanin Perëndimor, për shkak të vlerave të saj evropiane”, ka thënë Mandl për T7.

    Ai deklaroi se masat e BE-së ishin të padrejta që nga fillimi dhe për të ishte shokuese se ato u konsideruan.

    “Këto masa kanë qenë të gabuara që nga fillimi, E kam thënë këtë që nga fillimi. Madje kam qenë i shokuar që Brukseli veç i ka konsideruar për të vendosur masa ndaj Kosovës. Ato duhet të largohen sa më parë për shkak të një analize racionale dhe të bazuar në fakte”, shtoi eurodeputeti, i cili fitoi edhe një mandat Parlamentin Evropian.

    Mandl deklaroi se duhet analizuar dëmi që këto masa ia kanë shkaktuar Kosovës, në mënyrë që kjo të shërbejë si mësim për investimet e ardhshme.

  • SPAK-u paralajmëron dërgimin e projektligjit për Zyrtarët Publik në Gjykatën Kushtetuese

    SPAK-u paralajmëron dërgimin e projektligjit për Zyrtarët Publik në Gjykatën Kushtetuese

    Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës (SPAK), ka paralajmëruar se do të i drejtohen institucioneve kompetente për të përgatitur dërgimin e Projektligjit për Zyrtarët Publik, për herë të dytë në Gjykatën Kushtetuese nëse ky ligj kalon për lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Kryetari i SPAK-ut, Ali Gashi, ka thënë për Ekonomia Online se janë të shokuar me iniciativën e qeverisë së Kosovës që me çdo kusht përmes këtij projektligji ta politizoj dhe ta kap shërbimin civil të Kosovës.

    Gashi ka theksuar se qeveria ka anashkaluar në tersi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, duke shtuar se, në këtë formë me këtë projektligj tentohet që të prekte struktura organizative e shërbyesve civil e në theks të veçanta të gjithë zyrtarët publik.

    “Ne jemi të shokuar me këtë iniciativën e qeverisë së Kosovës ose vazhdimin e tendencës që me çdo kusht me politizuar edhe me kap shërbimin civil dhe rruga me e përshtatshëm është përmes këtij ligji. Duke marr parasysh që ky projektligj i cili në një farë forme është kontrabanduar duke marr parasysh që nuk është informuar as shoqëria civile, as grupet e interesave veç sindikatat. Në një farë forme duke anashkaluar në tersi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese tentohet që të prekte struktura organizative e shërbyesve civil e në theks të veçanta të gjithë zyrtarët publik, prandaj në më kohë edhe kemi dërguar shkresat tona dhe kemi dhënë edhe rekomandimet tona dhe kemi deklaruar që si format, si variant që kanë prezantuar qeveria, është i pa pranueshëm. Ky projektligj ka për qëllim ta kap, ta politizoj dhe në një farë forme ta prish strukturën e shërbimit civil në Kosovë, një shërbim që konsiderohet si në ndër shërbimet civile me profesionale në rajon e ngritur me mund e shumë sakrifica”.

    “Kjo tendence vie në dy rrafshe, si duket kjo qeveri ende nuk i ka kaluar inati dhe mendon që shërbimi civil është kundër kësaj qeverie dhe dëshiron që të hakmerret. E dyta janë të pa aftë, njerëzit të cilët merren ose atyre grupeve që ju ka besuar janë njerëz që nuk kanë përvojë, nuk e din as çka është shërbimi civil, nuk  e din çka është zyrtari publik dhe bëjnë kësi ligje që fatkeqësisht po me duket jemi rekord në rajon mos të themi edhe në Evropë për ligjet të cilat janë në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese dhe kjo është fatkeqësi dhe pa përgjegjshmëri edhe në sytë e miqve tanë”, ka thënë ai.

    Kryetari i SPAK-ut ka thënë se si sindikatë nuk janë marr parasysh rekomandimet e tyre dhe në vazhdimësi kjo qeveri ju ka mbyllur dyert e bashkëpunimit.

    Ai ka akuzuar qeverinë së është duke punuar në shkatërrimin e sindikatave në Kosovë.

    “Absolutisht ne nuk jemi ftuar, ne kemi linjat tona zyrtare që komunikojmë përmes shkresave përmes grupeve parlamentare. Siç e dini ju në vazhdimësi kjo qeveri ka mbyllur dyert e bashkëpunimit, nuk i njeh sindikatat, përkundrazi qëllimi kryesor i saj ka qenë dhe vazhdon që të jetë shkatërrimi i sindikatave në Kosovë. Ne si federatë e shërbyesve civil jemi plotësisht dhe tërësisht kundër këtij projektligji pasi jemi të sigurt që këtu nuk ka asgjë parimore, nuk ka asgjë të mirëfillte, thjeshtë tendencë për politizim dhe hakmarrje ndaj shërbyeseve civil. Kjo është e pa pranueshme dhe në qoftë se ky projektligj kalon si i tillë ne jemi të obliguar që ti drejtohemi institucioneve dhe ju siguroj që ky projektligj do të përfundoj në Gjykatën Kushtetuese për herë të dytë”, ka thënë ai.

    Gashi me këtë rast ka përmendur edhe nenet që sipas tij, janë kundër kushtetues.

    “Gjykata Kushtetuese e ka thënë shumë qartë të parashikueshmëria, që një e drejtë e fituar nuk mund të tjetërsohet. Përvoja e punës nuk guxon të lëvizet, problemi është që një e drejtë e fituar në kuptimin e punës, është lëshuar tekë neni 46, tekë pozitat drejtuese të ulët dhe të mesëm ku këta tentojnë që të bëhen me mandat, aktgjykim ka thënë që kjo është e drejtë e fituar dhe nuk mund një ligj të ndërhyje në këto situata. Pastaj është tekë dispozitat kalimtare tekë neni 99, ku janë paraparë paragrafi 1,2,3,4,5,6,7 janë në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatë Kushtetuese i ka dhënë edhe arsyeshmërit edhe formën se si duhet të rregullohet në baze të konventave e rregullave, por që këta nuk i kanë marr. Paramendoni te dispozita kalimtare këta e fusin prapë në këtë projektligj që pozita drejtuese të ulëta dhe të mesme, fillon mandati me hyrjen në fuqi të ligjit bazikë. Kjo është e pa pranueshëm sepse njerëzit, këta zyrtar janë përgatitur”, ka thënë ai.

    Dërgimin e këtij projektligji për herë të dytë në kushtetuese e kanë paralajmëruar edhe partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës.

  • Hill komenton dështimin e takimit Kurti-Vuçiq: Jemi të dekurajuar, bisedimet janë e vetmja rrugë

    Hill komenton dështimin e takimit Kurti-Vuçiq: Jemi të dekurajuar, bisedimet janë e vetmja rrugë

    Në një intervistë dhënë së fundi, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, u pyet sërish mbi fjalët e tij për njohjen ndaj Kosovës, si kusht për hyrjen e Serbisë në BE. Mes tjerash, ai ka folur edhe për mungesën e takimit Kurti-Vuçiq.

    Duke folur në lidhje me këtë çështje, Hill u shpreh se SHBA-ja është pak e dekurajuar.

    “Jemi pak të dekurajuar aktualisht. Ne me të vërtetë përkrahim dhe vazhdojmë ta përkrahim procesin e BE-së dhe dialogun e Brukselit. Ne mendojmë që kjo është mënyra e duhur, në fakt mënyra e vetme. Mendoj që duhet të ketë një përpjekje të vërtetë për të bërë progres, sepse, e dini, ka shumë muaj që nuk po ndodhë shumë. Kështu që, mendoj se kemi disa problem me këtë. Jam i kënaqur që pala serbe ishte e gatshme të bisedojë. Është e rëndësishme”.

    Tutje, Hill nga “Blici” serb u pyet rreth deklaratave të tij për njohjen e Kosovës nga Serbia, dhe se një gjë e tillë mund të mos jetë kusht për anëtarësimin e kësaj të fundit në BE.

    “A mendoni vërtetë që kjo është e mundur”? – u pyet ai.

    Sipas Hill, qëllimet e BE-së në procesin e dialogut janë të qarta – normalizimi i marrëdhënieve, që është ligjërisht i obligueshëm.

    “Epo, fillimisht, unë vetëm po përsëris qëllimet e Bashkimit Evropian për dialogun.Qllimet janë shumë të qarta – ata duan normalizim gjithëpërfshirës, normalizim që është ligjërisht i obligueshëm. Në fjalë të tjerë, nuk mund të ketë normalizim të martën, dhe të mërkurën të mos funksionojë. Për këtë arsye, normalizim gjithëpërfshirës ligjërisht të obligueshëm. Është një detyrë e madhe. Mendoj që është shumë e vështirë për ta arritur këtë, siç tregojnë edhe ngjarjet e muajve të fundit. Sa për të ardhmen, të shohim se çka ndodhë. Mendoj që normalizimi gjithëpërfshirës është parakusht për gjithçka. Shpresoj që mund ta shohim të realizohet”, tha ai.

    Kur u pyet nëse diçka mund të ndryshojë, të paktën, që liderët e dy shteteve të ulen të flasin, Hill përmendi Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    “Nuk mund ta parashikoj të ardhmen, unë mezi e kuptoj të kaluarën, por besoj që ajo që është në tavolinë ka kuptim. Ka kuptim të ketë një Komunitet të komunave serbe. Ka kuptim të ulet tensionet. Ka me të vërtetë kuptim që Prishtina dhe Beogradi të kenë një marrëdhënie më të mirë se sa tani. Kështu që, ky është qëllimi i duhur, por natyrisht, dialogu është në një situatë të vështië aktualisht”, u shpreh ai.

    “A mund të flasim për ndonjë dialog konstruktiv, pa formimin e Asociacionit”, u pyet tutje Hill.

    “E përsëris, nuk do të doja të hyja në pjesën e punës të Lajçak, por do të doja të shihja përpjekje dhe përpjekje. E di që disa biseda të tilla ekzistojnë në disa baza apo institucione, por mendoj se duhet të ketë më shumë – për ta kuptuar logjikën se pse dialogu me të vërtetë duhet të ketë progres”, tha ai.

    Ambasadori amerikan ka folur edhe për politikën perëndimore ndaj Kosovës sa i përket dinarit e mallrave serbe:

    “Është e qartë që ka qenë një vit i vështirë për dialogun, dhe në një mënyrë ka qenë e vështirë sepse kur nuk funksionon dialogu, përdoren metoda të tjera, dhe metodat e tjera janë gjithmonë më të këqija. Kështu që nuk ka dyshim që ka shumë shqetësime për këtë, por sërish, derisa dikush të vijë me një ide më të mirë, unë nuk kam dëgjuar ide më të mirë se dialogu, dhe mendoj që duhet të mbështet më fuqishëm. Shpresoj që kjo të jetë ajo që shohim në javët dhe muajt në vazhdim”, tha ai.

  • Sot në Kosovë mban mot me diell, temperaturat deri në 30 gradë Celsius

    Sot në Kosovë mban mot me diell, temperaturat deri në 30 gradë Celsius

    Sot në Kosovë pritet të mbajë mot kryesisht stabil, me intervale të gjata kohore me diell, por edhe vranësira.

    Në disa vende kryesisht kodrinore-malore mund të ketë ndonjë rigë ose rrebesh të shkurtër shiu, ndërsa temperaturat maksimale shënojnë rritje deri në 30 gradë Celsius.

    Në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi sot pritet të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta lokale, pak më të shumta në viset malore ku mund të ndodhë ndonjë rigë shiu.

    Temperaturat shënojnë rritje të menjëhershme dhe ato maksimale mbi 30 gradë Celsius.

  • Vendimi i GJNP-së për urdhërarrestin e Netanyahut mund të vonohet nga Britania e Madhe

    Vendimi i GJNP-së për urdhërarrestin e Netanyahut mund të vonohet nga Britania e Madhe

    Një ndërhyrje e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare pritet të vonojë një vendim nëse mund të lëshohet një urdhër-arresti kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për krime të dyshuara lufte në Gaza.

    Gjyqtarët në GJNP vendosën të enjten se do të lejojnë Mbretërinë e Bashkuar të bëjë argumente ligjore në këtë rast, ndërsa ata shqyrtojnë nëse do të miratojnë kërkesat e bëra nga kryeprokurori i GJPN-së për urdhër-arrestet kundër Netanyahut dhe ministrit të tij të mbrojtjes, Yoav Gallant, raporton The Guardian.

    Sipas dokumenteve të gjykatës, pasi prokurori bëri kërkesat, Mbretëria e Bashkuar argumentoi se gjyqtarët që dëgjuan çështjen duhet të adresojnë pyetje “të pazgjidhura” në lidhje me juridiksionin e GJNP-së mbi qytetarët izraelitë përpara se të vendosin nëse do të lëshojnë urdhër-arrestet.

  • UEFA i përjashton dy gjyqtarë spanjollë nga “EURO 2024”

    UEFA i përjashton dy gjyqtarë spanjollë nga “EURO 2024”

    UEFA ka vendosur që t’i përjashtojë dy gjyqtarët spanjollë, Alejandro Hernandez dhe Jesus Gil Manzano, nga “Euro 2024” pas ankesave për gjykimin e tyre, kanë raportuar të premten  mediume të ndryshme angleze.

    Hernandez, i cili shërbeu si zyrtar i VAR-it, u përball me kritika për refuzimin e pretendimit për penallti të Skocisë në humbjen 1:0 ndaj Hungarisë të dielën e kaluar.

    Ndërsa Manzano u kritikua për gabimin e tij gjatë fitores 1:0 të Francës ndaj Austrisë.

    Krahas dy gjyqtarëve në shtëpi janë dërguar edhe ndihmësit, Diego Barbero Sevilla dhe Angel Nevado Rodriguez.

    Ky vendim që e ka marrë UEFA e ka lënë gjyqtarin Martinez Munuera si përfaqësuesin e vetëm spanjoll për pjesën e mbetur të “Euro 2024”.

    Ish-arbitri i La Ligas, Iturralde Gonzalez, i ka bërë thirrje Federatës Spanjolle të Futbollit të përmirësojë marrëdhëniet me UEFA-n pas largimit të katër nga pesë arbitrat pas fazës së grupeve.

    “Ka nevojë urgjente për një përfaqësues spanjoll në komitetin e arbitrave”, ka thënë  Gonzalez për “Cadena SER”.

  • Erdogani i gatshëm të rivendosë marrëdhëniet diplomatike me Sirinë

    Erdogani i gatshëm të rivendosë marrëdhëniet diplomatike me Sirinë

    Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se Turqinë dhe Sirinë nuk e pengon asgjë që të rivendosin lidhjet diplomatike që u ndërprenë në fillimin e luftës civile siriane më shumë se një dekadë më parë.

    Komentet e tij erdhën vetëm disa ditë pasi presidenti sirian, Bashar al-Assad, bëri komente të ngjashme, duke treguar një gatishmëri midis dy vendeve fqinje për t’i dhënë fund tensioneve dhe për të normalizuar marrëdhëniet.

    “Nuk ka asnjë arsye pse lidhjet diplomatike të mos vendosen”, u tha Erdogan gazetarëve.

    “Në të njëjtën mënyrë si i mbajtëm të gjalla marrëdhëniet tona me Sirinë në të kaluarën, ne patëm takime me zotin Assad që përfshinin takime familjare, nuk mund të themi se kjo nuk do të ndodhë më”, tha Erdogan.

    Bëhet e ditur se ai i referohej një pushimi që familjet Erdogan dhe Assad bënë në Turqinë jugore në vitin 2008, përpara se marrëdhënia e tyre të përkeqësohej.

    Gjatë konfliktit sirian, Turqia mbështeti grupet e armatosura të opozitës në veriperëndim të vendit me synimin për të larguar Assadin nga pushteti, shkruan abcnews.

    Ndërkohë, qeveria siriane ka dënuar në mënyrë të përsëritur kontrollin e Ankarasë mbi një territor që ajo pushtoi përmes disa inkursioneve ushtarake që nga viti 2016, duke synuar forcat kurde të mbështetura nga SHBA-ja, të cilat Turqia i konsideron si terroriste.

    Por, mediat shtetërore siriane raportuan se Assad ka pohuar se marrëdhëniet midis Sirisë dhe Turqisë mund të rregullohen, “bazuar në sovranitetin e shtetit sirian mbi të gjitha territoret nga njëra anë dhe luftimi i të gjitha formave të terrorizmit dhe organizatave nga ana tjetër”.

    Erdogan u tha gazetarëve se Turqia respekton sovranitetin e Sirisë.

    “Nuk ka dyshim që ne të kemi qëllim të ndërhyjmë në punët e brendshme të Sirisë”, tha Erdogan. “Populli i Sirisë janë vëllezërit tanë”, shtoi ai.

    Siç raportohet, Turqia është përpjekur të rregullojë marrëdhëniet me Sirinë pasi qeveria përballet me presion të shtuar në vend për të riatdhesuar miliona refugjatë sirianë mes një rënieje të madhe ekonomike dhe rritjes së ndjenjës kundër refugjatëve.

    Vitin e kaluar, ministrat e jashtëm turk dhe sirian u takuan në Moskë së bashku me homologët e tyre nga Rusia dhe Irani, duke shënuar kontaktin e nivelit më të lartë midis Ankarasë dhe Damaskut që nga fillimi i luftës civile siriane.

    Por, ato bisedime dhe një takim i mëparshëm me ministrat e mbrojtjes të të dy vendeve nuk dhanë rezultat.

  • Nga 1 korriku subvencionohet polica kufitare për mërgatën

    Nga 1 korriku subvencionohet polica kufitare për mërgatën

    Ministri i Financave, Hekuran Murati ka njoftuar se nga 1 korriku do të fillojë të subvencionohet  polica kufitare për mërgatën.

    “Bashkë me Ministrin Sveçla, Guvernatorin Ismaili, dhe BKS-në, sot kemi nënshkruar edhe marrëveshjen e cila operacionalizon subvencionimin nga Qeveria të policës kufitare për bashkatdhetarët tanë”, ka njoftuar Murati në një postim në Facebook.

    “Duke filluar nga e hëna, me datë 1 korrik, të gjithë bashkatdhetarët që udhëtojnë për në Kosovë me automjete për pasagjerë, do të mund të marrin policën e sigurimit falas në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse”, ka sqaruar ai.

    Polica e subvencionuar do të ketë vlefshmëri 1 muaj nga dita e lëshimit/hyrjes në Kosovë dhe subvencionohet vetëm për automjetet jo-komerciale për pasagjerë, deri në 9 ulëse.

    “Në subvencionim nuk përfshihen policat kufitare me afat vlefshmërie të ndryshëm prej atij 1 mujor, si dhe nuk përfshihen automjetet tjera siç janë autobusët, kamionët, motoçikletat etj”, ka thënë Murati.

    Gjithashtu, policat që merren në zyrat e BKS brenda territorit, e jo në pikat hyrëse kufitare, nuk mbulohen nga subvencionimi.

  • MPJD-ja dënon fuqishëm ndalimin e mbajtjes së edicionit 11-të të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”

    MPJD-ja dënon fuqishëm ndalimin e mbajtjes së edicionit 11-të të festivalit “Mirëdita, dobar dan!”

    Ndalimi i festivalit “Mirëdita, Dobar dan” në Serbi me urdhër të ish-zëdhënësit të regjimit gjenocidal të Millosheviqit, aktualisht Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Brendshme, Ivica Daqiq, është edhe një dëshmi e vazhdimit të politikës, mendësisë dhe veprimeve të regjimit të kaluar.

    Këtë fushatë të egër publikisht e nisi njeriu i listave të zeza dhe ish shefi i BIA, Vulin, të cilit pastaj iu bashkua ai që duhej të ishte në krye të organizimit të festivalit dhe mirëvajtjes së tij, Ministri i Kulturës, Nikola Selakoviq. Kjo dëshmon qartë se si regjimi autoritar i presidentit serb Vuçiq funksionon, dhe se ky regjim është vazhdimësi besnike e politikave, mendësisë dhe veprimeve kriminale të regjimit të Millosheviqit.

    Ky vendim i qeverisë serbe vërteton edhe një herë se qeveria serbe është kundër çdo lloji dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i bënë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të dënojnë me gjuhën më të ashpër veprime të tilla të autoriteteve të Serbisë për ndalimin e festivalit i cili është mbajtur 10 herë, në Kosovë dhe Serbi dhe që kishte për qëllim të bashkonte artin, kulturën, aktivistë të të drejtave të njeriut e të paqes dhe që synonte të krijonte ura bashkëpunimi dhe nxiste ndërtimin e paqes në rajon.

    Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi po përcjell nga afër të gjitha zhvillimet e fundit dhe do t’ju njoftojë në kohë reale për zhvillimet e reja mbi këtë çështje.

  • Kurti: Vuçiq s’ishte i gatshëm për nënshkrim e as për tërheqjen e letrës së Bërnabiqit e dorëzimin e Radojiçiqit

    Kurti: Vuçiq s’ishte i gatshëm për nënshkrim e as për tërheqjen e letrës së Bërnabiqit e dorëzimin e Radojiçiqit

    Kryeministri Albin Kurti, siç bën zakonshëm kur kthehet nga Brukseli, nisi mbledhjen e Qeverisë duke njoftuar për atë që ndodhi në ditën e takimeve atje.

    Kurti e përsëriti se Marrëveshja Bazike ndodhet në sulm nga Serbia dhe tha se tri kushtet e vëna nga ai ishin të domosdoshme për t’u takuar me të për një dialog në mirëbesim.

    “Për aq kohë sa Radoiçiq dhe grupi i tij është i lirë dhe i mbrojtur në Serbi nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim. Në shkurt të vitit të kaluar u dakorduam për marrëveshjen bazike në Bruksel që u shpall si ligjërisht e obligueshme”, tha Kurti, duke thënë se pas marrëveshjes që garanton që palët s’e sulmojnë njëra-tjetrën ndodhi sulmi terrorist në Banjskë.

    “Ne kemi pranuar marrëveshjen dhe kemi kërkuar disa herë që të formalizohet me nënshkrim dhe deponim në organizatën e Kombeve të Bashkuara. Mirëbesimi në dialog dhe zbatim të marrëveshjes është humbur edhe me letrën e Bërnabiqit Ajo letër duhet të tërhiqet”.

    “Për të garantuar respektimin e marrëveshjes në të ardhmen duhet që ajo të nënshkruhet, sepse vetëm nënshkrimi garanton zbatimin e saj dhe të ketë tërheqje të letrës së Bërnabiq dhe nënshkrim të marrëveshjes nga Vuçiq. Në tri takime bilaterale ne paraqitëm këto kërkesa të garancisë që në fakt janë mburojë për vetë marrëveshjen bazike që është në sulm nga Serbia. Presidenti i Serbisë nuk ishte i gatshëm për asnjërën, as të nënshkruajë marrëveshje, as të tërheqë letrën për refuzimin e saj, por as të dorëzojë kryekriminelin Radoiçiq”.

    Kurti këmbënguli që marrëveshja duhet të zbatohet e plotë dhe jo vetëm disa nene të saj.

    Ai përmendi edhe anulimin e festivalit kulturor nga autoritetet serbe në Beograd dhe tha se kjo ndodhi një ditë pas takimeve bilaterale të Brukselit.