ATV

Author: G.O.

  • Irani paralajmëron se do t’i kundërpërgjigjet Izraelit nëse e sulmon Libanin

    Irani paralajmëron se do t’i kundërpërgjigjet Izraelit nëse e sulmon Libanin

    Irani ka paralajmëruar se “të gjitha frontet e rezistencës” – një grup i Iranit dhe i aleatëve të tij rajonalë – do të përballeshin me Izraelin, nëse ai sulmon Libanin.

    Komentet nga misioni i Iranit në Nju Jork vijnë pas rritjes së frikës për zgjerimin e një lufte rajonale, ku do të përfshihej Izraeli dhe lëvizja libaneze, Hezbollah, që mbështetet nga Irani. Të dyja palët janë përfshirë në shkëmbime zjarri në baza ditore, që kur ka nisur lufta në Gazë më 7 tetor 2024.

    Këmbimi i zjarrit është përshkallëzuar gjatë këtij muaji, së bashku me retorikën e të dyja palëve. Ushtria izraelite ka thënë se planet për një ofensivë në Liban “janë miratuar”, duke nxitur Hezbollahun të kundërpërgjigjet se asnjë pjesë e Izraelit nuk do të kursehej nga një konflikt i plotë.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, misioni iranian tha se “e vlerësojmë si luftë psikologjike propagandën e regjimit sionist me synimin që të sulmojë Libanin”.

    Por, shtoi se “nëse [Izraeli] nis një agresion ushtarak në shkallë të plotë, do të niste një luftë shfarosëse. Të gjitha opsionet, edhe përfshirja e plotë e Fronteve të Rezistencës, nuk përjashtohen”.

    Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit.

    Irani, që mbështet Hamasin, ka lavdëruar sulmin, që e ka cilësuar sukses, por ka mohuar se është përfshirë në të.

    Përveç sulmeve të Hezbollahut në veri të Izraelit, rebelët në Jemen, që mbështeten nga Irani, vazhdimisht kanë sulmuar anijet në Detin e Kuq, në shenjë solidariteti me palestinezët.

    Irani mbështet edhe grupe të tjera në rajon.

    Republika Islamike nuk e njeh Izraelin që nga revolucioni i vitit 1979 që rrëzoi udhëheqësin e Iranit, të mbështetur nga SHBA-ja.

    Në prill u rrit frika për një luftë rajonale, pas një sulmi ajror në Konsullatën iraniane në Damask, që la të vrarë shtatë anëtarë të Gardës Revolucionare Islamike.

    Irani u kundërpërgjigj duke lëshuar drejt Izraelit dronë dhe raketa.

    Mediat iraniane më pas raportuan se janë dëgjuar shpërthime në provincën iraniane, Isfahan, ndërkaq zyrtarët amerikanë u cituan të kenë thënë për mediat amerikane se Izraeli kishte kryer sulm hakmarrës ndaj armikut të tij të përbetuar, Iranit.

    Teherani minimizoi sulmin e dyshuar izraelit./REL

  • Lajçak në Dubrovnik, takon kryeministrin kroat, diskutojnë për dialogun Kosovë-Serbi

    Lajçak në Dubrovnik, takon kryeministrin kroat, diskutojnë për dialogun Kosovë-Serbi

    Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka njoftuar për një takim me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, në kuadër të Forumit të Dubrovnikut.

    Ai tha se me të ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

    “Gjatë Forumit të Dubrovnikut në takim me Miroslav Lajçak. Diskutuam situatën politike në Europën Juglindore dhe procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

  • Detaje të reja për sulmin në Ambasadën e Izraelit në Serbi: Polici u qëllua me hark, sulmuesi u vra

    Detaje të reja për sulmin në Ambasadën e Izraelit në Serbi: Polici u qëllua me hark, sulmuesi u vra

    Një pjesëtar i Policisë së Serbisë është gjuajtur sot me hark në qafë para Ambasadës së Izraelit në Beograd dhe aktualisht ndodhet në Qendrën Emergjente. Gjatë sulmit, pjesëtarët e policisë kanë arritur të vrasin sulmuesin.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, ka deklaruar se një person i panjohur, identiteti i të cilit është duke u përcaktuar, ka qëlluar me hark një pjesëtar, i cili ishte në detyrë për të siguruar ambasadën izraelite.

    “Sot rreth orës 11:00, një person i panjohur, identiteti i të cilit është duke u përcaktuar, ka qëlluar me hark një pjesëtar të Xhandarmërisë i cili ishte në shërbimin e sigurisë në ambasadën izraelite dhe e ka goditur në qafë”, sqaroi ai.

    Daçiq ka deklaruar se pjesëtari i policisë M.J., ka përdorur armën në vetëmbrojtje dhe ka mundur sulmuesin, i cili si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë, shkruan Danas.

  • Kurti paralajmëron shtimin e disa shërbimeve të reja në E-Kosova

    Kurti paralajmëron shtimin e disa shërbimeve të reja në E-Kosova

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar në “X” për platformën “E-Kosova”, duke thënë se tashmë aty ofrohen mbi 176 shërbime dhe janë të regjistruar mbi 916 mijë përdorues, shumica gra.

    Kurti ka thënë se në E-kosova ofrohet qasje në shërbimet shëndetësore dhe familjare dhe platforma mund të përdoret për të aplikuar për grante dhe ndihma si dhe për të paguar taksat dhe shërbimet komunale.

    Kryeministri ka paralajmëruar se shumë shpejt do të shtohen edhe shërbime të tjera.

    “e-Kosova është shembulli më i mirë i faktit se ka mundësi edhe në situata të vështira dhe është dëshmi e vizionit të Qeverisë sonë për t’i kthyer situatat e tilla në ndryshime pozitive”, ka shkruar Kurti.

  • Aplikacioni Google Wallet lansohet edhe në Kosovë

    Aplikacioni Google Wallet lansohet edhe në Kosovë

    Uranik Begu nga Innovation Centre Kosovo (drejtor i Plug and Play Tech Center për Ballkanin Perëndimor), ka bërë publik një lajm të shkëlqyeshëm për Kosovën lidhur me lansimin e një aplikacioni nga Google.

    Begu ka njoftuar se në fillim të kësaj jave është lansuar në Kosovë aplikacioni Google Wallet.

    “Ky është një lajm zyrtar dhe i mrekullueshëm për Republikën e Kosovës. Falë ekipit që qëndron pas kësaj (ju e dini se kush jeni)”, ka shkruar Begu në platformën “X”. /Telegrafi/

  • KFOR: Do të vazhdojmë të sigurojmë një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë

    KFOR: Do të vazhdojmë të sigurojmë një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë

    KFOR-i përmes një njoftimi ka thënë se do të vazhdojnë të sigurojnë një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë si dhe të sigurojnë lirinë e lëvizjes.

    KFOR-i thotë se është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), respektivisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë.

    Personeli i heqjes së pajisjeve shpërthyese i caktuar në Komandën Rajonale Lindje të misionit #KFOR të udhëhequr nga #NATO zhvilloi trajnime të specializuara për punonjësit e Bashkimit Evropian që punojnë si drejtues mjetesh, në Kampin Bondsteel.

    KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë që KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundim të Ligjit (EULEX), respektivisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë.

  • ​Rrustemi: Projektligji për Byronë do të miratohet sërish gjatë këtij viti

    ​Rrustemi: Projektligji për Byronë do të miratohet sërish gjatë këtij viti

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë se Projektligji për byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme do të miratohet brenda këtij viti, me ndryshimet e parapara në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

    Ai tha se rrëzimi i Projektligjit për byronë nga Kushtetuesja është goditje për reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.

    Rrustemi në një intervistë për KosovaPress akuzoi opozitën dhe në veçanti PDK-në se kur e kanë dërguar këtë projektligj në Gjykatë Kushtetuese motivin fillestar e kanë pasur mbrojtjen e pasurisë së pajustifikueshme të zyrtarëve publikë që kanë shërbyer gjatë kohës sa kanë qenë ata në pushtet.

    “Është goditje e madhe për reformën në drejtësi dhe për luftën kundër korrupsionit te zyrtarët publikë në Kosovë. Natyrisht se ka dëmtuar angazhimin tonë për të luftuar korrupsionin në nivel të zyrtarëve të lartë publikë dhe konfiskuar pasurinë e pajustifikueshme në Kosovë. Ne besojmë dhe jemi të bindur se është fenomen i jashtëzakonshëm që e ka gërryer pasurinë për vite të tëra…Pa dyshim, se do të procedohet i njëjti projektligj me adresimin e këtyre katër neneve, por që dëmi është në kohë. Imagjinoni 16 muaj është gjysma e mandatit të një legjislature. Për të mbajtur pengë të bllokuar dhe në fund rezulton vetëm me katër nene. Ky është dëm i madh. Vonesa e pajustifikueshme krijon aludime të llojllojshme, por unë nuk dua të lëshohem në aludime, por vetëm po konstatoj dëmin që e ka shkaktuar…Jam shumë i bindur që do të procedohet shpejt dhe brenda këtij viti. Ne jemi në një periudhë si Kuvend afër pushimit mes dy sesioneve, por gjithsesi jam i bindur se brenda këtij viti do të vijë në Kuvend dhe miratohet”, tha ai.

    Rrustemi akuzoi Gjykatën Kushtetuese se ka vonuar qëllimshëm për 16 muaj vendimmarrjen për Projektligjin për byronë.

    “Megjithatë, në rrafshin politik, jashtë aspektit formal që opozita në Kosovë, në rastin PDK që ka dërguar këtë projektligj, nuk e ka dhe nuk e ka pasur asnjëherë motivin mbrojtjen e Kushtetutshmërisë. Motivi tyre fillestar e përfundimtar është padyshim mbrojtja e pasurisë së pajustifikueshme të zyrtarëve të lartë publikë. Duke qenë se kanë qeverisur gjatë në Kosovë, dhe duke qenë se pikërisht në periudhën kur ata kanë qeverisur, e sidomos në atë periudhë, korrupsioni, keqpërdorimi i detyrës zyrtare, e pasurimi i zyrtareve të lartë publik politikanëve ka qenë i jashtëzakonshëm. Thjesht, ata po angazhohen duke përdorur çdo instrument, madje edhe Gjykatën Kushtetuese në rastin konkret për të mbrojtur pasurinë e pajustifikueshme. Por, vonim mund të ketë, por, shpëtim nga konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme nuk mund të ketë”, tha Rrustemi.

    Megjithatë, Rrustemi thotë se reforma në drejtësi nuk ka dështuar dhe se nuk duhet lokalizuar vetëm te procesi i vettingut, Këshillit Prokurorial dhe byrosë.

    “Jo, në asnjë mënyrë. Reforma në drejtësi duhet të lokalizoj te vettingu, byroja dhe KPK-ja. Është e vërtetë se këto janë më të rëndësishmet, edhe për shkak të një mesazhi që përçojnë, por angazhimi në kuadër të reformës së drejtësisë është në disa drejtime. Është në pakon e ligjeve antikorrupsion, ato kanë kaluar, siç është zgjerimi i mandatit të agjencisë për parandalimin e korrupsionit, ndryshimi i ligjeve për deklarimin e pasurisë, natyrisht edhe verifikimin e saj. Në anën tjetër janë pako e projektligjeve të ndryshme në fushën e drejtësisë që kanë kaluar gjatë kësaj legjislature. Vetëm në sektorin e drejtësisë, ky kuvend në këtë legjislaturë ka kaluar ligje sa legjislaturat e mëparshme komplet që kanë kaluar ligje. D.m.th ne kemi rreth 40 ligje vetëm në fushën e drejtësisë gjatë këtyre tri vjetëve që janë trajtuar e miratuar, disa janë në procedurë, disa do të vinë shumë shpejt në Kuvend, ndërkohë që kemi legjislatura në Kosovë që në gjitha fushat nuk kanë kaluar 45 ligje brenda një legjislature. Natyrisht, nuk kanë qenë legjislatura katërvjeçare, por angazhimi është në disa drejtime”, thotë ai.

    Krahas kësaj, Rrustemi tha se mazhoranca nuk do të tërhiqet në miratimin e Projektligjit për Komisionit të Pavarur për Medie, Këshillit Prokurorial dhe atij për zyrtarët publikë, pavarësisht kritikave të ndërkombëtarëve dhe shoqërisë civile.

    “Në asnjë mënyrë, në nuk kemi fare qëllim për të kapur këto institucione, për t’i ç’kapur ato dhe për të liruar energjitë profesionale, intelektuale në Kosovë, dhe për t’i kthyer ato institucione në shërbim të interesit publik të qytetarëve dhe të shtetit. Ne nuk kemi as nevojë për t’i kapur institucionet, jo vetëm që nuk e kemi as synim, por as nevojë. Ata që pretendojnë, që kanë kapur institucionet dhe shtetin e kanë bërë për t’i mbrojtur interesat individuale dhe grupore të tyre”, tha Rrustemi.

  • Kurti: Bashkatdhetarët nga e hëna mund të marrin falas policën e sigurimit me vlefshmëri një muaj

    Kurti: Bashkatdhetarët nga e hëna mund të marrin falas policën e sigurimit me vlefshmëri një muaj

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nga e hëna bashkatdhetarët që vijnë me automjete mund të marrin falas policën e sigurimit me vlefshmëri një muaj.

    Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se edhe këtë verë Kosova i pret bashkatdhetarët krahë hapur e me zemrën plot.

    “Si çdo verë, e përherë, Kosova ju pret me krahë t’hapur dhe zemrën plot. Ju që do të vini me automjete, nga e hëna mund të merrni falas policën e sigurimit me vlefshmëri një muaj, në cilëndo prej pikave kufitare hyrëse. Mirë se vini në vendlindje! Pushime të këndshme!”, ka shkruar Kurti.

  • ​Gërvalla udhëton për Kroaci, merr pjesë në Forumin e Dubrovnikut

    ​Gërvalla udhëton për Kroaci, merr pjesë në Forumin e Dubrovnikut

    Me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grliç-Radman, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka udhëtuar për në Kroaci për të marrë pjesë në Forumin e Dubrovnikut.

    MPJ në njoftim thotë se kjo platformë tashmë tradicionale paraqet një mundësi të mirë për diskutimin e sfidave aktuale të politikës ndërkombëtare.

    “Gjatë këtij forumi, Ministrja Gërvalla do të paraqesë qëndrimet e Republikës së Kosovës rreth sfidave të paqes dhe stabilitetit në Evropë si dhe do të ndajë përvojën e Republikës së Kosovës me proceset e integrimeve euroatlantike dhe reformat e thella në sundimin e ligjit, ngritjen e standarteve të demokracisë dhe zhvillimin ekonomik. Ajo do të theksojë gjithashtu rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit multilateral për tejkalimin e sfidave globale”.

    “Në margjina të Forumit të Dubrovnikut, Ministrja Gërvalla do të zhvillojë edhe takime bilaterale me ministrat e jashtëm të vendeve pjesëmarrëse, me synim forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe promovimin e interesave të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

  • Osmani takohet me ambasadorin francez, flasin për zhvillimet e fundit dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare

    Osmani takohet me ambasadorin francez, flasin për zhvillimet e fundit dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare

    Presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar dje një takim me Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot.

    Sipas Presidencës, në takim është biseduar për zhvillimet e fundit në vend, Samitin e ardhshëm të Frankofonisë, si dhe procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

    “Në këtë takim, Presidentja ritheksoi përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim të vazhdueshëm në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Francës, në të mirë të qytetarëve të të dyja vendeve”, thuhet në njoftim.

    Reagimi i plotë i presidencës:

    “Presidentja Vjosa Osmani ka takuar dje, ambasadorin francez Olivier Guerot

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur dje në takim ambasadorin e Republikës franceze, Olivier Guerot.

    Në takim është biseduar për zhvillimet e fundit në vend, Samitin e ardhshëm të Frankofonisë, si dhe procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

    Në këtë takim, Presidentja ritheksoi përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim të vazhdueshëm në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Francës, në të mirë të qytetarëve të të dyja vendeve”.