ATV

Author: E.R.

  • Gjermania, e shqetësuar për ndikimin direkt rus në veri të Kosovës

    Gjermania, e shqetësuar për ndikimin direkt rus në veri të Kosovës

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI

    Përfaqësuesi i Posaçëm i Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin, shprehu shqetësimin e Gjermanisë për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor. Në një intervistë për gazetën “Welt”, ai tha se Rusia ka shtrirë ndikim direkt në veri të Kosovës. Referuar asociacionit të komunave me shumicë serbe, Sarrazin tha se pavarësisht që ende s’ka pajtim të palëve për të, për herë të parë, në tavolinë ka koncepte që po diskutohen.

    Gjermania beson se Rusia ka shtrirë ndikimin e saj direkt në pjesën veriore të Kosovës, në kuadrin e qëllimeve të saj për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor dhe për të penguar integrimin evropian.

    Shqetësimet për këtë, i shprehu Përfaqësuesi i Posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në një intervistë për gazetën “Welt”.

    “Është relativisht e qartë se Rusia nuk ka interes për paqe. Jo për ta mbështetur Serbinë, por thjesht për ta mbajtur BE-në të zënë me konfliktin dhe për ta minuar të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor. Në të njëjtën kohë, duhet pasur kujdes me interpretimin: Nga njëra anë, dëgjojmë se ndikimi rus, veçanërisht në Mitrovicën e Veriut, tani vjen drejtpërdrejt nga Moska, pra jo më nëpërmjet palëve të treta. Nga ana tjetër, ky mund të jetë edhe një justifikim i mirë për qeverinë serbe, sepse ajo pastaj mund të thotë: Ne nuk kemi të bëjmë asgjë me të, ishin rusët. Është pak si ”Macja e Shrodingerit”. Rusia është tashmë në të. Por, sa shumë apo sa pak, nuk mund të dëshmosh në fund”.

    Ai foli edhe për rritjen e nivelit të propagandës ruse në Serbi dhe investimet që Rusia ka bërë në disa personalitete në Ballkanin Perëndimor.

    Ndërsa, përmendi si problem faktin se, siç u shpreh, disa akterë politikë në Serbi nuk po zotohen për të ardhmen evropiane, pasi po presin të shohin se si do të përfundojë lufta në Ukrainë.

    Me gjithë pengesat dhe vështirësitë, Sarrazin sheh lëvizje lidhur me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    “Mund të mos ketë ende marrëveshje ndërmjet palëve për këtë çështje, por, të paktën, për herë të parë, ka koncepte në tryezë për atë se si mund të pajtohen interesat serbe dhe aftësia e Kosovës për të vepruar si shtet. Deri më tani, ky ka qenë vetëm një debat teorik. Nëse arrijmë të futemi në një proces pozitiv dhe të ndërtojmë besim të ndërsjellë se vërtet duam zgjidhje – atëherë mund të arrijmë shumë larg”.

    Megjithatë, emisari gjerman theksoi sërish rëndësinë e zbatimit nga Kosova dhe Serbia të marrëveshjes së Brukselit dhe shtojcës së Ohrit

  • Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari i katërt ka dhënë dëshminë në seancë të mbyllur

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitari i katërt ka dhënë dëshminë në seancë të mbyllur

    PËRGATITI: NORA LUTA 

    Një tjetër seancë e mbyllur për publikun është zhvilluar në Dhomat e Specializuara në Hagë, në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dëshminë e ka vazhduar dëshmitari i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Derisa, shoqëria civile ka treguar pse ndërmerren këto masa, duke theksuar edhe rëndësinë e transparencës. ZPS-ja ka paralajmëruar që edhe seanca e të martës do të jetë e mbyllur, ndërsa për të mërkurën është paraparë të jetë publike.

    Në një seancë të mbyllur për publikun, të hënën dëshmitari i katërt ka vazhduar dëshminë e tij në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Dëshmitari i mbrojtur i Zyrës së Prokurorit të Specializuar është ballafaquar me pyetjet e ekipeve mbrojtëse të të akuzuarve.

    Për palët në procedurë, sipas monitoruesve, është normale mbajtja e seancave të mbyllura për publikun, i cili dëshiron më shumë transparencë.

    Kryesisht në seancat e ndjeshme kur Prokuroria apo dëshmitarët kanë kërkuar të merren masa mbrojtëse ndaj tij. Sa i përket pjesës së redaktuar është normale për palët në procedurë, por për neve monitoruesit është sfidë.

    Seancat mund të mbyllen në këtë rast edhe për shkak të dëshmive të rëndësishme, sipas ish-prokurorit në Tribunalin e Hagës, Geoffrey Nice.

    “Me sa e di, të gjitha dëshmitë deri më tani janë dhënë në seanca të mbyllura. Kush e di pse? Ndoshta sepse kishte diçka shumë të rëndësishme dhe të fortë, apo ndoshta për ndonjë arsye tjetër?

    Gjykimi ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Jakup Krasniqi e Kadri Veseli, dhe Rexhep Selimit nisi në prill të këtij viti.

    Deri tash katër dëshmitarë janë dëgjuar në seanca të mbyllura për publikun.

    Prokuroria ka thënë për ATV-në se të mërkurën seanca parashihet të jetë tërësisht publike.

  • Sfida e ekipeve urgjente të QMU së, rrezikohen nga aksidentet në komunikacion

    Sfida e ekipeve urgjente të QMU së, rrezikohen nga aksidentet në komunikacion

    PËRGATITI: SARA SHEHU 

    Ekipet emergjente të Qendrës Mjekësore Urgjente në Prishtinë, po përballen me sfida të shumta në përmbushjen e detyrave. Për shkak të numrit të madh të rasteve në të cilat u duhet të ndërhyjnë, thonë se shpesh kanë pësuar aksidente. Në një rast kishte humbur jetën edhe njëri nga kolegët e mjekëve të urgjencës, të cilët i përgjigjen çdo thirrje për ndihmë në kryeqytet.

    Thirrjet si kjo gjithnjë kërkojnë intervenim urgjent.

    Efekt (Pranimi i rastit te aksidentit përmes thirrjes telefonike)

    Ekipet emergjente të Qendrës Mjekësore Urgjente në kryeqytet, nisen të përgatitur për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.

    Efekt (Nisja e autoambulancës nga QMU)

    Por, në përpjekje për të shpëtuar jetë, në vitin 2013 Rina Hoxha ka humbur burrin.

    “M’kujtohet rasti, është shumë i freskët. Ai vetë m’ka thirrë në telefon dhe m’ka thonë kemi bo ndeshje. Ka qenë ditë e premte, viti 2013. Por për shkak të gjendjes së rëndë që e ka pasë nuk e ka ditë as vendin ku është bo aksidenti. Mandej, na nuk kemi ditë asgjë, kemi shku në QKUK, aty ku ka qenë duke u trajtuar. Ndeshja ka qenë rrugës për Hajvali. Por për shkak të gjendjes së rëndë, pas aksidentit, pas një jave, ka rënë në komë dhe pas disa muaj ka ndërruar jetë”.

    Por, ky nuk është rasti i vetëm kur autoambulancat janë përfshirë në aksidente, në përpjekje për të arritur sa më shpejt në vendin e ngjarjes.

    “Ka qenë një aksident mjaft i rëndë. Jemi nisë për t’iu dhënë ndihmë disave në një aksident që ka ndodhur. Në këtë aksident kemi humbur edhe kolegun tonë Faton Hoxhën. Mendoj se duhet të vlerësohet më shumë puna jonë, rrezikshmëria duhet të na paguhet, sepse ende nuk na paguhet”.

    “Na me ekipin kemi qenë në një aksident trafiku, me iu ofru ndihmë. Mandej jemi thirrë për një rast tjetër urgjent dhe kemi bo aksident, sepse na ka goditë një veturë. Kam pësuar lëndime të hundës shumë të madhe. Duhet me na u pagu rrezikshmëria, të rriten pagat”.

    Kolonat e gjatë janë pengesa më e madhe në punën e ekipeve të urgjencës.

    Efekt (Kolonat e gjata, autoambulanca duke pritur në kolonë)

    “Që 20 vjet punoj, është sfiduese shumë si punë, pasi që përballemi me komunikacion shumë të dendur e të ndërlikuar”.

    Menaxhmenti i Qendrës Mjekësore Urgjente në kryeqytet, kanë bërë të ditur se në vitin 2022 janë regjistruar 1105 aksidente me autoambulancë.

  • Vilat në tokë të shtetit, në Stankaj të Rugovës

    Vilat në tokë të shtetit, në Stankaj të Rugovës

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI 

    Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka ngritur shqetësimin se prokuroria nuk po i trajton si duhet rastet me pronat e uzurpuara të shtetit, në Stankaj të Rugovës, në të cilat janë ndërtuar vila.

    ATV-ja ka siguruar dosjen e plotë me detaje se si janë uzurpuar parcelat për 26 vila të banimit, në tokat që i takojnë Institutit Bujqësor të Kosovës.

    Shtatë muaj më parë, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit kishte denoncuar publikisht uzurpimet në Stankaj të Rugovës. Meqenëse nuk pati reagim për këto denoncime, ai vendosi që pyetjen se në pronësi të kujt janë vilat, ta bëjë përmes rrjetit social, Facebook, duke publikuar edhe fotografi.

    Por në fotografi nuk janë paraqitur të gjitha vilat. ATV-ja ka siguruar dosjen e plotë të pronave të uzurpuara në këtë pjesë të bjeshkëve të Rugovës, të cilat i takojnë Institutit Bujqësor në Pejë.

    Ministria e Bujqësisë, në vitin 2022, kishte bërë një hulumtim, të cilin e posedon ATV-ja, sipas të cilit shihet se numri total i parcelave të uzurpuara në Stankaj është 41, me një sipërfaqe prej 90 hektarësh.

    Pjesa më e madhe e sipërfaqes janë prona të lira, pa degradime e eksploatime. Një pjesë e madhe e sipërfaqes është e mbjellë me pisha ku ka kullosa. Ndërkaq, në disa parcela ka të ndërtuara objekte – vila banimi.

    Në këtë sipërfaqe janë të ndërtuara 26 vila banimi.

    Megjithatë, në bazë të fotografive të bashkëngjitura duket se uzurpatorët e kanë menduar mirë vendin se ku t’i ndërtojë ato.

    Të gjitha vilat janë ndërtuar në afërsi të rrugës që lidh fshatrat, për t’iu dhënë qasje më të lehtë.

    Për secilën prej tyre janë bërë fotografi e janë nxjerrë dokumente të pronësisë.

    Por, në bazë të gjetjeve nuk është evidentuar se kush janë uzurpatorët e tyre.

    Lidhur me denoncimin e ministrit Faton Peci, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, ka shpjeguar se lidhur me rastin kanë autorizuar Policinë e Kosovës për marrjen e informatave dhe se prokuroria që nga fillimi është marrë me këtë çështje.

    Sipas tij, Prokuroria ka hetuar edhe ndërtimet e tjera dhe jo vetëm ato ndërtime që janë në tokë të shtetit.

  • Vushtrria i kthen disa rrugë në njëkahore, qytetarët nuk e mirëpresin projektin

    Vushtrria i kthen disa rrugë në njëkahore, qytetarët nuk e mirëpresin projektin

    PËRGATITI: PRANVERA KRASNIQI 

    Komuna e Vushtrrisë sot ka shndërruar disa rrugë në njëkahore, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe shtimit të shtegut të biçikletave. Megjithatë, këtë vendim të kryetarit të Komunës nuk po e mirëpresin qytetarët, pasi, sipas tyre, ky projekt do të shkaktojë tollovi në komunikacion.

    Rruga Ismail Qemajli në Vushtrri, që nga sot u bë njëkahore.

    Njësoj edhe shumë rrugë të tjera të këtij qyteti.

    Kjo, sipas kryetarit Ferit Idrizi, është një mundësi e mirë për rritjen e sigurisë për gjithë pjesëmarrësit në trafik.

    “Ne sot kemi filluar shndërrimin e disa rrugëve dykahore në ato njëkahore, qëllimi i të cilave është që të lehtësohet qarkullimi i veturave dhe të ketë hapësira për vetë parkingje, pasi që njëri shirit duhet të jetë për biçikleta që janë të domosdoshme për qytetarët e Vushtrrisë, për shkak të figuracionit të rrafshët që e ka. Kjo ka qenë ide e imja dhe e habitatit me ekspertët që kemi diskutu”.

    Ani pse, sipas kryetarit, kjo do të rritë efikasitetin e shërbimeve në Vushtrri, qytetarët nuk po e mirëpresin këtë projekt.

    “Shumë problem, unë zakonisht për 5 minuta vij prej shtëpisë deri këtu, sot i bona 15 minuta”.

    “Po shkakton kaos, pe shihni edhe vetë”.

    “Këtu edhe më herët ka qenë problem me dalë me veturë, po që tash me qita edhe ma zi, duhet me u sill rreth e rreth”.

    Për pakënaqësitë e qytetarëve, kryetari ka një përgjigje.

    “Kjo ka qenë në plan edhe më herët, mirëpo për shkak të disa procedurave në kuvendin komunal, procesi ka zgjatë. Kaos nuk do të ketë, mirëpo vetëm t’i respektojnë shenjat e komunikacionit dhe nuk do të kenë telashe pasi edhe me rrugët e tilla që i kemi pasur edhe më herët, nuk ka pasur probleme”.

    Andaj, më qëllim të orientimit të ngasësve në trafik dhe parandalimit të aksidenteve të mundshme, Policia e Kosovës dhe Inspeksioni kanë qëndruar gjatë tërë ditës në këto pika të rrugës, të cilat janë kthyer në njëkahore.

  • “Përplasjet” mes pushtetit qendror dhe lokal, Kurti i qëndrojmë afër pushtetit lokal

    “Përplasjet” mes pushtetit qendror dhe lokal, Kurti i qëndrojmë afër pushtetit lokal

    PËRGATITI: SARA SHEHU

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk u ka dhënë përgjigje kryetarëve të komunave në kërkesën për zhbllokimin e buxhetit për investime kapitale.

    Në takimin me përfaqësuesit e komunave, ai ka theksuar se janë në hapa të duhur për të ndihmuar pushtetin lokal. Por, kryetarët e komunave thonë krejtësisht të kundërtën.

    Kërkesës së kryetarëve të komunave për zhbllokim të buxhetit për projektet kapitale nuk u dha përgjigje kryeministri Albin Kurti.

    Por, ai foli për mbështetjen e qeverisjes lokale, e cila, sipas tij, dëshmohet në buxhetin e ndarë për komunat, i cili është rreth 700 milionë euro për vitin e ardhshëm.

    “Buxheti i përgjithshëm komunal për vitin e ardhshëm arrin në vlerën e 742 milionë euro, që i bie gati 200 milionë euro më shumë për komuna, gjatë kësaj qeverisjeje, sesa asaj të mëparshme. Kjo i bie se qeverisja lokale e ka vëmendjen e nivelit qendror, por edhe financat që presin të konkretizohen përmes një bashkëpunimi të të gjithë neve”.

    Megjithatë, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, tha se Qeveria Kurti në asnjë çështje nuk ka treguar mbështetje ndaj tyre.

    Sipas Aliut, Kurti nuk po i merr parasysh as kërkesat e qytetarëve.

    “E kemi ftuar kryeministrin në takim për shumë çështje që nuk kemi marrë përgjigje nga takimet e së kaluarës. Edhe pse ne përballemi me shumë kërkesa, këto janë thelbi i atyre që ne kërkojmë. Shumë projekte tona nuk po mund të zhvillohen për shkak të pronave të menaxhuar nga AKP-ja. Nga këto çështje morëm zotimin nga kryeministri që këto kërkesa do të zbatohen. Falënderoj kryeministrin që na ka pranuar në takim. Ne edhe këtu i thamë kryeministrit, kryetarët nuk janë opozitë e asnjërës nga qeveritë, sepse ne bëjmë detyrën tonë dhe jemi më shumë kërkues, sepse ndaj neve kërkues janë qytetarët dhe dëshirojmë që t’i evitojmë pengesat që i kemi në zhvillim e sipër.”

    Ai ka kërkuar nga kreu i ekzekutivit që të mos bëjë politikë me komunat, pasi sipas tij opozita e Qeverisë është në Parlamentin e Kosovës, ndërsa kryetarët e komunave iu takojnë të gjithë qytetarëve të tyre.

    Në takimin e përfaqësuesve të komunave me kryeministrin janë riadresuar kërkesat për bartjen e përgjegjësisë së faljes së Tatimit në Pronë, kthimi i pronave nga AKP-ja dhe themelimin e grantit të IV që do të krijojë barazi financiare për komunat e Kosovës.

  • Të premten bëhet betimi i kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut

    Të premten bëhet betimi i kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut

    PËRGATITI: DONISA FAZLIU

    Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, të premten do ta bëjë betimin si kryetar i ri i kësaj komune.

    Kështu ka njoftuar ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, sipas të cilit do të organizohet ceremoni betimi në secilën komunë.

    Tri javë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në 4 komunat në veri të vendit, Erden Atiq, të premten do ta bëjë betimin si kryetar i ri i komunës së Mitrovicës Veriore. Këtë e ka bërë të ditur, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

    Ai tha se seancat për betimin e kryetarëve të zgjedhur do të organizohen edhe në tri komuna të tjera..

    “Nuk digjet mandati i kryetarëve dhe asamblistëve të komunave. Janë të parapara afatet ligjore që janë tri herë nga 15 dhe mandej prej momentit kur konstituohet Kuvendi, fillon rrjedha e afatit prej 30, për dhënien e betimit të kryetarëve të komunave. Me ta jemi dakorduar individualisht që me secilën komunë do ta organizojmë seancën e betimit të kryetarit dhe aty ku ka nevojë edhe të konstituimit të Kuvendit. Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut ka dërguar informacione në MAPL që të premten do të organizohet seanca për betimin e kryetarit dhe gjithçka do të jetë në proces të organizimit mes Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut… në sallën e Kuvendit Komunal aty ku e kanë vendin asamblistët dhe kryetari i komunës”.

    Ndërkaq, Krasniqi tha se janë duke e trajtuar ende vendimin për hapjen e urës mbi lumin Ibër.

    “Vendimi është marrë në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës së Veriut. Është aktualisht në Ministrinë tonë në trajtim e sipër, kurdo që përfundon vlerësimi i ligjshmërisë së aktit, ne do ta dërgojmë tek instancat e tjera”.

    Erden Atiq u zgjodh kryetar i komunës së Mitrovicës së Veriut me 66,9 për qind të votave të qytetarëve.

  • Vetingu në pritje të kushtetueses, Komisioni ad hoc kërkon nga Kuvendi që t’i vazhdohet mandati

    Vetingu në pritje të kushtetueses, Komisioni ad hoc kërkon nga Kuvendi që t’i vazhdohet mandati

    PËRGATITI: NORA LUTA

    Gjykata Kushtetuese ende nuk ka dalë me një vendim rreth vlerësimit të amendamenteve kushtetuese rreth procesit të vetingut.

    Shoqëria civile pret që të kjo të ndodhë brenda një periudhe të arsyeshme kohore, megjithëse sipas ligjit nuk ka një afat të përcaktuar.

    Në pritje të vendimit të Kushtetueses, puna e Komisionit Ad Hoc për të përfunduar këtë proces brenda gjashtë muajve ashtu siç ishte planifikuar, nuk do të mund të realizohet.

    Deputetët e këtij Komisioni i kanë kërkuar Kuvendit të Kosovës që atyre t’iu vazhdohet puna në afat të pacaktuar kohor.

    Amendamentet që do t’i hapnin rrugë procesit të vetingut ka dy muaj që i janë dorëzuar Gjykatës Kushtetuese për vlerësim.

    Megjithatë, shoqëria civile thotë se sipas ligjit, gjykata nuk ka një afat brenda të cilit do të duhet të vendosë nëse të njëjtat amendamente janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

    Sipas ligjit, gjykata nuk ka një afat që duhet vendosur për kushtetutshmërinë e këtyre amendamenteve. Besoj që tashmë janë duke i shqyrtuar.

    Në pritje të vendimit të Kushtetueses, puna e Komisionit Ad Hoc për të përfunduar këtë proces brenda gjashtë muajve, ashtu siç ishte planifikuar, nuk do të mund të realizohet.

    Të hënën, deputetët e këtij Komisioni i kanë kërkuar Kuvendit që atyre t’i vazhdohet puna në afat të pacaktuar kohor.

    Ky proces nuk varet nga ne në këtë fazë. Nuk kemi të drejtë as të interesohemi për procesin, sepse mund të konsiderohet ndërhyrje politike. Në seancën plenare propozoj që komisionit i duhet një afat shtesë pa kufizim kohor, meqë lidhet me çështjen e vlerësimit të Gj. Kushtetuese.

    Varemi nga një rrethanë jashtë Kuvendit të Kosovës. Kjo është arsye që mbase Kryesia e Kuvendit dhe Kuvendi mund të bëjë ndonjë përjashtim.

    Megjithatë, sipas KDI-së, kërkesa e tillë është në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit.

    Komisioni Ad-hoc për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar kishte miratuar amendamentet kushtetuese për procesin e Vetingut, në shkurt të këtij viti.

    Në anën tjetër, sistemi i drejtësisë ka insistuar se i njëjti proces mund të ndodhë edhe pa ndryshime kushtetuese.

    Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial kanë thënë se nuk i frikësohen vetingut, por kanë vlerësuar se ky proces duhet të ndodhë për krejt sistemin, jo vetëm për krerët e tij.

  • Albina Kelmendi e elektrizon skenën e Liverpool me këngën “Duje”

    Albina Kelmendi e elektrizon skenën e Liverpool me këngën “Duje”

    Albina Kelmendi dhe familja e saj sonte përfaqësuan Shqipërinë në natën finale.

    Ata u kualifikuan në natën finale në gjysmëfinalen e dytë si e para derisa deri me tani kënga e tyre është vlerësuar nga publiku mbarë botëror, sidomos është lavdëruar nga rrethet konservatore të Europës për shkak të mesazhit të saj – që është ruajtja e familjes.

    Duje është një këngë me tekst të Erjona Rushitit kurse është kompozuar me motive folklorike nga Enis Mullaj,

    Për herë të parë në “Eurovision”, sivjet votimi konsiderohet “i hapur” për të gjithë botën. Për herë të parë në historinë e garës, shikuesit nga vendet jo-pjesëmarrëse, përfshirë Kosovën, mund të votojnë për të preferuarin e tyre. Juria, e cila nuk kishte të drejtë vote në gjysmëfinale, ka të drejtë të votojë në finalen e madhe.

     

  • Privilegjet e ish-presidentëve: Sejdiu mori mbi 300 mijë euro, Atifete Jahjaga rreth 170 mijë euro, Thaçi 83 mijë euro

    Privilegjet e ish-presidentëve: Sejdiu mori mbi 300 mijë euro, Atifete Jahjaga rreth 170 mijë euro, Thaçi 83 mijë euro

    Mjaftojnë 6 muaj punë në krye të pozitave udhëheqëse të shtetit, për të siguruar gjithë jetën me pagë të majme e përfitime tjera.

    Kjo mundësohet falë Ligjit për Përfitimet e ish-Zyrtarëve të Lartë dhe Ligjit për Presidentin e Republikës së Kosovës.

    Ish-Presidentët  pas përfundimi të mandatit përfitojnë 70% të pagës aktuale të kësaj pozite si dhe privilegje tjera të shumta.

    Fatmir Sejdiu, ish-President i Republikës së Kosovës nga tetori 2010 deri në mars 2023, nga paga mujore ka marrë mbi 300 mijë euro.

    Veç kësaj, ai ka të angazhuar edhe tre punëtorë si staf mbështetës paga e të cilëve për secilin për çdo muaj është nga 594 euro. Si dhe shpenzime për mbushje te telefonit për çdo njërin 40 euro në muaj.

    Sipas të dhënave nga Zyra e Presidencës, ish-Presidenti Sejdiu, mesatarisht ka shpenzuar 95 euro në muaj për karburante dhe shpenzimet maksimale të lejuara për reprezentacion janë deri në 100 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sejdiu gjithashtu, ka shpenzuar edhe mbi 4 mijë e 200 euro në udhëtime zyrtare nga viti 2013 deri në vitin 2022.

    Për udhëtime zyrtare dhe akomodim, më shumë del të ketë shpenzuar ish-presidentja e vendit, Atifete Jahjaga. Që nga 2016 deri në 2022, Jahjaga në këtë kategori ka shpenzuar mbi 43 mijë euro.

    Ndërsa nga paga e saj mujore, nga prilli 2016 deri në marsin 2023 rezulton se ka marrë rreth 170 mijë euro.

    Edhe ish-Presidentja Jahjaga ka të angazhuar 3 punëtorë staf mbështetës, paga e të cilëve është 594 euro në muaj dhe 40 euro shpenzime për mbushje telefonike.

    Ajo mesatarisht për një muaj ka shpenzuar 85 euro derivate  si dhe shuma e lejuar për reprezentacion është deri në 100 euro.

    Edhe ish-Presidentit Hashim Thaçi i ka vazhduar paga mujore dhe nga nëntori 2020 deri në mars 2023 rezulton se ka marrë shumën prej 83 mijë euro.

    Ai gjithashtu ka të angazhuar tre punëtorë si staf mbështetës, të cilët gjithashtu paguhen 594 euro në muaj dhe shfrytëzojnë nga 40 euro mbushje. Meqenëse ish-Presidenti Thaçi përballet në një proces të gjykimit në Hagë, ai nuk ka bërë shpenzime të derivateve dhe shpenzime tjera që ia lejon ligji.

    Ndryshe, sipas Ligjit për përfitimet e ish-zyrtarëve të lartë, këto përfitime që i ofron ligji, ish-funksionarit të lartë nuk i takojnë nëse gjatë ushtrimit të funksionit ai ose ajo shpallen fajtor me vendim të formës së prerë të gjykatës për vepër penale të dënueshme me burgim mbi gjashtë muaj.

    Gjithashtu, një përfitim i tillë nuk paguhet, nëse ish-Zyrtari i Lartë ushtron ndonjë funksion për të cilin paguhet nga Buxheti i Kosovës dhe për të cilin është përcaktuar një pagë e barabartë ose më e lartë se paga që ka marrë gjatë ushtrimit të funksionit në krye të institucionit përgjegjës.

    Në rast se ish-zyrtari i lartë vdes, atëherë nga ky ligj përfiton e veja ose i veu dhe fëmijët nën moshën 18 vjeçare dhe kanë të drejtë të marrin një përfitim monetar në një vlerë vjetore prej 60 %.

    Ndërsa, me Ligjin për Presidentin e Republikës së Kosovës, ish-Presidenti dhe familja e tij ose saj, kanë të drejtë në sigurim të plotë shëndetësor dhe shërbime mjekësore në spitalet ushtarake dhe publike gjatë tërë jetës, si dhe përfitime tjera të përcaktuara me këtë ligj.