ATV

Author: D.K.

  • Dua Lipa ndahet nga menaxheri pas polemikave me Glastonbury

    Dua Lipa ndahet nga menaxheri pas polemikave me Glastonbury

    Këngëtarja me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, ka ndërprerë bashkëpunimin me menaxherin e saj afatgjatë, David Levy, pas një incidenti që tronditi ekipin e saj.

    Mediat e huaja raportojnë se Levy ishte autor i një letre “private dhe konfidenciale” drejtuar themeluesit të festivalit Glastonbury, Michael Eavis. Në të, ai kërkonte që grupi pro-Palestinez Kneecap të përjashtohej nga programi për shkak të lidhjeve të pretenduara me Hezbollah. Letra u bë publike dhe kjo çoi në largimin e tij nga menaxhimi i këngëtares.

    Një burim pranë Dua Lipës tha se: “Ajo ka qenë gjithmonë shumë e qartë për mbështetjen ndaj Palestinës, dhe kjo nuk përputhej me Davidin.”

    Dua Lipa, e cila ka folur hapur për situatën në Gaza, vitin e kaluar e përshkroi atë si një “gjenocid izraelit” përpara 88 milion ndjekësve në Instagram. Ajo ka marrë pjesë edhe në protesta kundër përfshirjes së Britanisë në konflikt, duke theksuar njëkohësisht se nuk mbështet Hamas-in dhe ka shprehur ngushëllime për viktimat izraelite të sulmeve të 7 tetorit.

    Megjithëse Kneecap performuan këtë verë në Glastonbury, Dua nuk e lejoi këtë polemikë të ndikojë tek karriera e saj. Turneu i saj botëror “Radical Optimism” po vazhdon me sukses, me ndalesën më të fundit në Madison Square Garden.

    Koncertet përfshijnë hite si “Don’t Start Now”, “Maria” dhe një version të “One Way or Another” nga Blondie. Turneu, i nisur në Singapor në nëntor, do të zgjasë deri në fund të vitit 2025, duke vizituar qytete si Miami, Dallas, Los Angeles, San Francisco, Buenos Aires, Rio de Janeiro dhe Bogotá.

    Me këtë hap, Dua Lipa konfirmon se do të vazhdojë të ndërthurë aktivizmin e saj politik me suksesin muzikor, duke ruajtur pozicionin si një nga artistet më me ndikim global.

  • Gjeli, alarmi i natyrës

    Gjeli, alarmi i natyrës

    Ka mijëra vjet që njerëzit e lidhin këngën e gjelit me lindjen e diellit. Thuhet se kur gjeli këndon, dita fillon. Por a e dini se gjeli nuk pret domosdoshmërisht rrezet e para të diellit për të kënduar?

    Studiuesit kanë zbuluar se gjeli është një nga krijesat më të rregullta që ekzistojnë në natyrë. Edhe nëse mbahet në një vend krejtësisht të errët, pa asnjë rreze drite, ai përsëri këndon pothuajse në të njëjtën orë çdo ditë. Ky fenomen ka habitur shkencëtarët, të cilët e kanë quajtur gjelin një “alarm biologjik” të përsosur.

    Sekreti qëndron tek një mekanizëm i brendshëm që quhet ritëm cirkadian. Është një orë biologjike që i udhëheq gjelat, njësoj siç e kemi edhe ne njerëzit. Ky ritëm ndjek ciklin natyral të ditës dhe natës, dhe i lejon gjelit të parashikojë se kur do të lindë dielli. Kështu, ai këndon përpara agimit, duke paralajmëruar se dita po nis.

    Por kënga e gjelit nuk është vetëm një shenjë e kohës. Ajo ka një kuptim të thellë biologjik e shoqëror. Gjeli këndon për të shpallur territorin e tij, për të treguar forcën, dhe për të paralajmëruar gjelat e tjerë që të qëndrojnë larg. Në të njëjtën kohë, është edhe një mënyrë komunikimi me tufën, një shenjë se siguria dhe rendi janë nën kontroll.

    E veçanta është se kjo sjellje nuk ka ndryshuar prej mijëra vitesh. Që nga kohët e lashta, njerëzit janë zgjuar me këngën e gjelit dhe e kanë parë atë si një simbol të një fillimi të ri. Në shumë kultura, gjeli përfaqëson shpresën, ringjalljen dhe ciklin e përhershëm të jetës.

    Në ditët tona moderne, kur çdo njeri mbështetet tek ora e telefonit apo tek alarmet dixhitale, gjeli vazhdon të mbetet një dëshmi e gjallë e orës natyrore që funksionon me përpikëri. Dhe ajo çka e bën më të veçantë, është fakti që ky instinkt nuk varet nga teknologjia apo mjedisi, por është i ngulitur thellë në gjenet e tij.

    Prandaj, herën tjetër kur të dëgjoni gjelin duke kënduar përpara agimit, kujtoni këtë kuriozitet. Ai nuk po reagon vetëm ndaj dritës, por po ndjek një orë të brendshme që ka rrahur me të njëjtin ritëm prej miliona vitesh. Një alarm i natyrës, i cili na kujton se jeta në Tokë ka ritmet e veta të padukshme – dhe se ndonjëherë, natyra është shumë më e saktë sesa teknologjia.

  • Kompleksi i inferioritetit: Si perfeksionizmi dhe pasiguria ju shtyjnë të ndiheni gjithmonë më pak

    Kompleksi i inferioritetit: Si perfeksionizmi dhe pasiguria ju shtyjnë të ndiheni gjithmonë më pak

    Çfarë është kompleksi i inferioritetit?

    Ekstremja e pasigurisë shpesh çon në tërheqje nga jeta shoqërore. Njerëzit që e përjetojnë shmangin kontaktet për të mos u gjykuar dhe ndihen të vetmuar dhe të izoluar.

    Ky koncept u përshkrua për herë të parë nga psikologu austriak Alfred Adler në vitin 1907. Ai e përkufizoi si ndjenjë të thellë pamjaftueshmërie dhe pasigurie, që mund të shprehet me tërheqje, shmangie, por edhe me agresivitet ose konkurrencë të tepruar.

    Shenjat më të dukshme

    • Krahasimi i vazhdueshëm me të tjerët – ndjenjë se nuk mund të arrijmë kurrë si të tjerët.
    • Humori vetë-nënçmues – shaka në kurriz të vetes për të fshehur pasiguri.
    • Perfeksionizmi i tepruar – dëshira për t’u dukur perfekt shpesh fsheh ndjesinë e pamjaftueshmërisë

    Si ndikon tek shëndeti

    Kompleksi i inferioritetit mund të prekë jo vetëm vetëvlerësimin, por edhe shëndetin mendor dhe fizik. Pagjumësia, ankthi dhe ndjenja e vetmisë janë disa nga simptomat që mund të shfaqen.

    Si ta tejkalojmë

    1. Vetëdijesimi – kuptimi i modeleve të mendimit dhe sjelljes sonë.
    2. Puna me vetveten – psikoterapia dhe teknikat e zhvillimit personal ndihmojnë në ndërtimin e një ndjenje të shëndetshme të vlerës personale.
  • Vendet ku nuk mbaron vera

    Vendet ku nuk mbaron vera

    A kishit pasur dëshirë me jetu në një vend ku gjithmonë është verë?

    Derisa ne po bëhemi gati për dimër, ani pse kanë mbet edhe disa ditë deri në përfundimin e stinës, turshitë e drutë që po shohim në tregje paralajmërojnë ditët e ftohta.

    Megjithatë, në botë janë disa vende, ku gjithmonë temperaturat janë të larta e ku stinët duken thuajse të padallueshme.

    Por, cilat janë ato vende?

    Me një temperaturë konstante që sillet nga 25 deri në 30°C gjatë gjithë vitit, Kosta Rika, në Amerikën Qendrore është një parajsë për ata që duan diell, natyrë të gjallë dhe aventura pa fund.

    Madje, edhe gjatë muajve me shi, temperaturat mbeten të ngrohta dhe të këndshme, dhe shiu zakonisht bie pasdite ose në orët e natës, duke lënë ditën të lirë për eksplorime.

    Temperaturat deri në 31 gradë celcius në 12 muajt e vitit mbretërojnë edhe në Havai të ShBA-ve.

    Me plazhe, natyrë ekzotike dhe jetë të çmendur ky vend është edhe sinonim i pushimeve pa fund.

    Edhe në Bali të Indonezisë në katër stinë të vitit, mund të bësh pushime verore, kjo për shkak të klimës tropikale, ani pse këtu ka shumë shira sezonalë. Megjithatë, është vend perfekt për ata që duan qetësi shpirtërore, kulturë dhe bukuri natyror.

    Nëse dëshiron plazhe të bardha e ushqim të shijshëm, nën diell, Tajlanda këtë e ofron çdo ditë.

    Tani do shkojmë në një vend koxha të njohur për kosovarët, në Dubai të Emirateve të Bashkuara, një destinacion luksoz, ku mund të bësh plazh kurdo që të merr malli për rreze dielli.

    Edhe Maldivet, nuk është vend i panjohur për popullin tonë, sidomos për çiftet e reja, madje nuk konsiderohet muaj i mjaltit po nuk shkovë në këtë ishull.

    Kuba më pak i pëlqyer për kosovarët, por pse jo për ata që duan të zbulojnë kulturën e larmishme e plot gojëdhëna, për të cilin ka shumë tituj e filma.

    Pse jo edhe të marrësh ngjyrë e të largohesh nga përditshmëria e ta kthesh nostalgjinë e ditëve të verës.

    https://www.facebook.com/share/p/16PqhoyCqW/

     

  • Mjeku i Harvardit tregon frutin që shmang dhe ato që përmirësojnë shëndetin e zorrëve

    Mjeku i Harvardit tregon frutin që shmang dhe ato që përmirësojnë shëndetin e zorrëve

    Dr. Saurabh Sethi rendit frutat më të mira dhe më të këqija për shëndetin e zorrëve

    Zgjedhja e frutave nuk ndikon vetëm në energjinë dhe sheqerin në gjak, por edhe në mirëqenien e sistemit tretës. **Dr. Saurabh Sethi**, gastroenterolog me diplomë nga Harvard, ka publikuar në Instagram një renditje të frutave të zakonshme sipas ndikimit që ato kanë tek zorrët, duke zbuluar edhe një frut të habitshëm që ai gjithmonë e shmang për të parandaluar inflamacionin.

    Frutat që duhet shmangur

    Në vendin e fundit të listës janë bananet e pjekura shumë, një zgjedhje e preferuar për mëngjes nga miliona njerëz. Dr. Sethi shpjegon se bananet shumë të pjekura rrisin nivelet e sheqerit në gjak dhe ofrojnë më pak “karburant” për bakteret e mira të zorrëve. Kur banania piqet, sasia e niseshtesë rezistente dhe fibrave zvogëlohet, ndërsa sheqeri rritet.

    Niseshteja rezistente është një karbohidrat që ngadalëson tretjen dhe vepron si prebiotik, duke ushqyer bakteret e mira në zorrë. Prandaj, bananet paksa të gjelbra, më të pasura me fibra dhe niseshtë rezistente, marrin vlerësim më të lartë për shëndetin e zorrëve.

    Fibra në bananet paksa të papjekura lidhet me rrezik të reduktuar të sëmundjeve të zemrës, diabetit, kancerit të zorrët dhe kapsllëkut, duke ndihmuar tretjen dhe duke siguruar ndjesinë e ngopjes më gjatë.

    Frutat më të mira për zorrët

    Në krye të listës, boronicat veçohen për përmbajtjen e lartë të antioksidantëve, të cilët luftojnë radikalet e lira dhe ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve kronike.

    Shegët përmbajnë polifenole të fuqishme që reduktojnë inflamacionin, një faktor rreziku për sëmundjet e zemrës. Studimet tregojnë se dieta e pasur me polifenole mund të ulë rrezikun për sëmundje kardiovaskulare deri në 46%.

    Kivi është një burim i shkëlqyer i fibrave të tretshme, duke lehtësuar kapsllëkun dhe rritur frekuencën e jashtëqitjes. Një sistem tretës i rregullt ndihmon në uljen e rrezikut për kancerin e zorrës së trashë.

    Frutat në mes të listës

    Pjeprat, dardhat dhe mollëtjanë të dobishme, ndërsa rrushi dhe portokajtë marrin vlerësime më të ulëta. Rrushi përmban shumë ujë, vitaminë C dhe kalium, por ka vlerë ushqyese më të ulët se frutat e tjera. Portokajtë janë të pasur me vitaminë C, folate dhe antioksidantë, por konsum i tepërt mund të sjellë efekte negative për shkak të fotosensitivitetit.

    Megjithatë, vitamina C mbetet thelbësore për shëndetin e lëkurës, enëve të gjakut, kockave dhe kërceve, dhe mungesa e saj mund të shkaktojë skorbut. Sipas Sistemit Kombëtar Shëndetësor Britanik, sasia e nevojshme e vitaminës C mund të merret përmes dietës ditore, megjithëse disa persona mund të kenë nevojë për suplemente.

     

  • Gjenerata Z e varur nga komoditeti dixhital

    Gjenerata Z e varur nga komoditeti dixhital

    Shprehja ironike “Prek barin”, e lindur në forume si Reddit dhe Twitter, sot tingëllon më shumë si një këshillë serioze për gjeneratën Z. Thirrja për të lënë ekranet dhe për të dalë jashtë duket se është humbur mes botës virtuale, ku të rinjtë po izolohen gjithnjë e më shumë.

    Një sondazh i fundit me 2 mijë britanikë tregon shifra shqetësuese: 67% e gjeneratës Z pranojnë se nuk dalin nga shtëpia për ditë të tëra, ndërsa tek mijëvjeçarët kjo përqindje është 57%. Vetëm një në katër persona, pavarësisht moshës, mundohet të dalë çdo ditë, raportoi Independent.

    Kjo prirje shihet edhe tek fëmijët: koha që ata kalojnë jashtë është përgjysmuar brenda një gjenerate. Një e treta e tyre nuk luajnë asnjëherë jashtë çdo ditë – një fakt alarmues për shëndetin e ardhshëm të brezit të ri.

    Shkenca është e qartë: 15 minuta në natyrë mjaftojnë për të ulur stresin, përmirësuar kujtesën dhe rritur ndjenjën e lumturisë. Por rinia e shekullit XXI duket se zgjedh muret dhe ekranet, duke përballur pasoja të dukshme vetmi, depresion dhe ankth në rritje rekord.

    Në vitin 2013, një britanik i zakonshëm kalonte rreth 1 orë e gjysmë para ekranit në ditë. Sot, kjo kohë ka kaluar mbi 4 orë. Për gjeneratën Z, mesatarja arrin 6 orë në ditë. Me aplikacionet që ofrojnë gjithçka  nga ushqimi e blerjet, tek argëtimi e romancat virtuale arsyet për të dalë jashtë janë zvogëluar ndjeshëm.

    Ky “komfort” teknologjik vjen me një çmim: izolimin shoqëror. Shkathtësitë sociale, si muskuj që zbehen nga mosushtrimi, po zhduken. Jo rastësisht, pothuajse gjysma e gjeneratës Z thotë se ndihen shpesh të vetmuar, ndërsa depresioni dhe ankthi janë rritur ndjeshëm dy dekadat e fundit.

    Më pak kontakte reale me njerëzit dhe më shumë kohë në botën virtuale do të thotë një gjë: pikëpamjet tona formohen e ngushtohen nga kultura online, ku algoritmet na mbajnë të kapur me përmbajtje polarizuese.

    Në këtë realitet, thirrja dikur sarkastike “Prek barin” tingëllon sot si një recetë e thjeshtë për shëndetin dhe lirinë mendore.

     

     

  • Petrit Halilaj sjell Kosovën në Berlin

    Petrit Halilaj sjell Kosovën në Berlin

    Artisti i njohur kosovar, Petrit Halilaj ka hapur ekspozitën e tij më të re në Galerinë Kombëtare të Artit Bashkëkohor Hamburger Bahnhof në Berlin.

    Ekspozita, e titulluar “An Opera Out of Time”, është versioni muzeal i operës “Syrigana”, që pati premierën në qershor në fshatin Syriganë të Skenderajt. Kjo vepër lidhet ngushtë me mitologjinë lokale dhe figurat e fshatit fqinj, Runikut, duke ndërthurur tregime për luftën në Kosovë, trashëgiminë kulturore, mitet dhe sfidat e shoqërisë pas konfliktit.

    Halilaj e kthen këtë projekt në një thirrje kundër censurës dhe në mbështetje të lirisë së shprehjes, duke i bërë jehonë edhe situatave të ngjashme ndërkombëtare, përfshirë konfliktin në Palestinë.

    Megjithëse prej vitit 2008 jeton e krijon në Berlin, vendlindja e tij – Runiku i Skenderajt – mbetet burim i fuqishëm frymëzimi. Hapja e ekspozitës në kryeqytetin gjerman u prit si një homazh për kulturën dhe komunitetin kosovar, duke bashkuar elemente tradicionale me interpretim bashkëkohor dhe duke sjellë një mesazh të fuqishëm për artin si armë të kujtesës historike dhe lirisë.

  • Huawei gati për prezantimin e Watch GT 6 dhe Watch Ultimate 2

    Huawei gati për prezantimin e Watch GT 6 dhe Watch Ultimate 2

    Huawei pritet të zbulojë këtë javë modelet më të reja të orëve inteligjente: serinë Watch GT 6 dhe Watch Ultimate 2. Rrjedhjet e fundit kanë hedhur dritë mbi dizajnin dhe specifikimet e tyre, duke ngjallur interes të madh te përdoruesit.

    Njëri nga modelet do të vazhdojë trashëgiminë e vitit të kaluar me Huawei Watch Ultimate, duke sjellë një kasë të fortë dhe të përshtatshme për zhytje në thellësi. Ndërkohë që shumica e smartwatch-eve ofrojnë certifikim 5ATM (deri në 50 metra), Watch Ultimate ishte i pari nga Huawei me 10ATM, që lejon zhytje deri në 100 metra.

    Modeli i ri pritet të vijë me bateri më të fuqishme, sensorë të rinj të vendosur në anën e djathtë të kutisë, si dhe me përmirësime të harduerit dhe softuerit – duke përfshirë gjurmim më të avancuar të shëndetit dhe monitorim të përmirësuar të stërvitjeve.

    Orët do të ofrohen në dy ngjyra, të zezë dhe blu, me diametër 48.5mm. Megjithatë, ende mbetet për t’u parë nëse Watch Ultimate 2 do të ruajë kapacitetet e zhytjes deri në 100 metra dhe nëse seria Watch GT 6 do të sjellë gjithashtu kasa më rezistente ndaj ujit.

  • Jimmy Fallon: Shpresoj që Jimmy Kimmel të kthehet

    Jimmy Fallon: Shpresoj që Jimmy Kimmel të kthehet

    Moderatori i “The Tonight Show”, Jimmy Fallon, të enjten reagoi për pezullimin e bujshëm të programit të Jimmy Kimmel nga ABC, duke shprehur mbështetje dhe shpresë për rikthimin e kolegut të tij.

    Fillimisht, Fallon e trajtoi situatën me humor, duke treguar se madje edhe babai i tij kishte menduar gabimisht se ishte ai vetë – dhe jo Kimmel – që kishte hyrë në pauzë. Por më pas ai u bë më serioz, duke thënë:

    “Për t’ju thënë të drejtën, askush nuk e di saktësisht çfarë po ndodh. Por unë e njoh Jimmy Kimmelin – është njeri i mirë, i dashur dhe tepër i talentuar. Shpresoj të kthehet sa më shpejt.”

    Pas këtij momenti, moderatori riktheu atmosferën komike duke ironizuar idenë e censurës. Në një skeç satirik, ai komentoi vizitën e presidentit amerikan Donald Trump në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa çdo kritikë e tij u mbulua me dublime që paraqisnin presidentin në mënyrë vetëm pozitive.

  • A e dini se gratë në mbarë botën jetojnë më gjatë se burrat?

    A e dini se gratë në mbarë botën jetojnë më gjatë se burrat?

    Sipas statistikave, mesatarisht gratë jetojnë 4 deri në 7 vite më shumë. Por pse ndodh kjo?

    Njëri nga faktorët është biologjik, gratë kanë një sistem imunitar më të fortë dhe hormonet si estrogjeni i mbrojnë ato më shumë nga sëmundjet e zemrës.
    Një tjetër arsye lidhet me stilin e jetesës, në përgjithësi, pra gratë janë më të kujdesshme me shëndetin e tyre, vizitojnë më shpesh mjekun dhe respektojnë trajtimet.
    Por sma mer mendje qe vlene për grat shqiptare hahah se le që nuk i vizitojme mjeket por ka edhe nga to që as barrnat si marin.

    Ndërsa burrat shpesh rrezikojnë më shumë, kanë zakone më të dëmshme si duhani dhe alkooli edhe pse kohet e fundit, fatkeqesisht edhe grate po jane te prirura te varen nga keto vese apo varesi
    Madje, edhe nga aspekti psikologjik, gratë priren të shprehin emocionet dhe stresin, ndërsa burrat shpesh i mbajnë brenda vetes, gjë që ndikon negativisht në shëndet.
    Pra, kombinimi i faktorëve biologjikë dhe atyre socialë bën që gratë të kenë jetëgjatësi më të madhe.

    E megjithatë, ekspertët thonë se burrat mund ta zvogëlojnë këtë hendek thjesht duke pasur kujdes më shumë për veten dhe duke ndryshuar zakonet e dëmshme.
    Në krye të listës është Monaco, ku gratë jetojnë mesatarisht mbi 88 vjet. Pas saj vjen Hong Kongu dhe Japonia, me po aq jetëgjatësi rreth 88 vjet.
    Edhe Koreja e Jugut është ndër vendet kryesore, ku gratë jetojnë mbi 87 vjet.

    Në Europë, vendet që dallohen janë Spanja, Italia, Franca dhe Zvicra, ku jetëgjatësia e grave lëviz nga 86 deri në 86.5 vjet.
    Ndërkohë, edhe Singapori e Australia janë në listë, me jetëgjatësi rreth 85 deri në 86 vjet
    Në Kosovë, jetëgjatësia për grate është afërsisht 79.3 vjet.

    Në Shqipëri, mesatarisht gratë jetojnë rreth 81.45 vjet.
    Gjithashtu, në Shqipëri aktualisht gratë jetojnë rreth 3.5 vjet më shumë se burrat. A dini pse gratë në Kosovë jetojnë pak më pak se gratë në vendet më të zhvilluara?

    E pse Gratë e Kosovës më pak kishit me thon ju ?
    Epo ja disa nga arsyet” “:
    Sistemi shëndetësor ynë ka vendosur të jetë pak… “ekzotik”, pra shërbime të limituara, pritje të gjata e vizita që shpesh të lënë me dorën në xhep.
    Pastaj kemi stilin e jetesës: gratë përballen me punë jashtë, përgjegjësi familjare, pazare, fëmijë, gjyshër… dhe natyrisht, që t’i përfundojnë të gjitha, stresin e ruajnë brenda. Sepse pse të qetësohen kur mund të jenë gjithmonë të ngarkuara?

    Jo vetëm kaq, por edhe sëmundjet kronike janë bërë një shoqërues i përhershëm: zemra, tensioni, diabeti… të gjitha duke pritur për momentin perfekt që gratë ta diagnostikojnë. Dhe nëse mendon se dietat dhe aktiviteti fizik do t’i shpëtonin, EH, kjo është luks për zonat rurale.

    Pra, gratë në Kosovë jetojnë pak më pak, sepse gjithçka rreth tyre duket se punon për të testuar durimin dhe shëndetin e tyre. Por mos u shqetësoni përtej statistikave, gratë e Kosovës janë të forta, të guximshme dhe shpesh arrijnë të bëjnë mrekulli… duke jetuar pak më pak, por me stil!