ATV

Author: ATVLive

  • ​Sot përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë

    ​Sot përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë

    Sot përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave. Regjistrimi ka filluar nga data 5 prill derisa është planifikuar të përfundoj më 17 maj.

    Sipas të dhënave të fundit të lëshuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës mbi 1 milionë e 420 mijë banorë janë regjistruar deri më tani ndërsa rezultatet preliminare të regjistrimit pritet të publikohen brenda tre muajve.

    Ndonëse pritshmëritë e Agjencisë së Statistikave të Kosovës ishin që procesi të përfundojë me kohë, kishte kërkesa prej disa komunave që kjo datë të shtyhet.

    Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në këtë institucion, Avni Kastrati kishte thënë se sa i përket kërkesave për shtyrje të datës, do të shikojnë nëse e njëjta ka bazë që të aprovohet.

    Ai tha se meqenëse një pjesë e madhe e regjistrueseve kanë kryer zonat e caktuara, të njëjtit mund t’i dalin në ndihmë komunave tjera në mënyrë që mos të ketë shtyrje të procesit.

    Ndërsa kishte shtuar se në disa komuna, si Prizren dhe Prishtinë janë hapur disa zyre, për qytetarët që nuk kanë pasur mundësi të regjistrohen, të shkojnë në ato zyre.

    Sa i përket pjesës veriore, ai ka theksuar se ndonëse kishte hezitim, ka prej tyre që janë regjistruar.

    Ndërsa, gjatë regjistrimit të fundit të popullsisë në Kosovë, të mbajtur në vitin 2011, procesi nuk ishte zhvilluar në katër komunat me shumicë serbe në veri, si dhe ishte bojkotuar pjesërisht edhe në komunat e tjera me shumicë serbe në Kosovë.

    Ndryshe pjesëmarrja në regjistrim kërkohet me ligj, teksa në rast refuzimi mund të penalizohen në shumën nga 30 euro-2.000 euro për person.

  • ​Për 90 vite në Cyrih, FIFA mund ta ndryshojë vendin e selisë qendrore

    ​Për 90 vite në Cyrih, FIFA mund ta ndryshojë vendin e selisë qendrore

    Shoqata botërore e futbollit FIFA ka krijuar kushte formale për një lamtumirë teorike në selinë e saj në Cyrih. Kongresi i shoqatës botërore miratoi një ndryshim në statut të premten në Bangkok. Aty thuhet se selia është në Cyrih derisa Kongresi të marrë një vendim tjetër. Nuk ka pasur një kufizim të tillë deri më tani. FIFA ka selinë në Cyrih që nga viti 1932.

    “Ka shumë organizata sportive dhe ndërkombëtare me bazë në Gjenevë dhe Lozanë, por derisa anëtarët tanë të vendosin ndryshe, Zyrihu mbetet selia jonë,” tha një zëdhënës i agjencisë gjermane të shtypit. “Në fakt, ne aktualisht po shqyrtojmë hapjen e degëve diku tjetër në Zvicër dhe kështu të zgjerojmë praninë tonë në vend”, ka shtuar ai, përcjellë KosovaPress.

    FIFA kohët e fundit ka hapur gjithnjë e më shumë zyra në vende të tjera, përfshirë Parisin. Departamenti juridik është i vendosur në Florida. “Meqenëse ne jemi një organ global qeverisës, është e vetëkuptueshme që ne kemi zyra në mbarë botën, duke përfshirë në Miami, Paris dhe Xhakarta”, tha një zëdhënës i FIFA-së.

  • ​Parashikimi i motit për sot

    ​Parashikimi i motit për sot

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell.

    Sipas institutit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 6-9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 17-22 gradë Celsius.

    “Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit e lehtë deri mesatare. Vikendi parashihet me rritje të temperaturave. Kushtet agrometeorologjike dhe biometeorologjike vazhdojnë të jenë relativisht të mira dhe stabile”, thuhet në njoftim.

  • Robert Berisha më i dashuruar se kurrë, flet për herë të parë për Anën

    Robert Berisha më i dashuruar se kurrë, flet për herë të parë për Anën

    Këngëtari Robert Berisha ishte i ftuar në emisionin STUDO A në ATV, ku bëri një rrëfim një rrëfim për jetën e tij private, familjen si dhe karrierën artistike.

    Në këtë emision ai foli edhe për herë të parë për të dashurën e tij, Ana Skrel.

    Ai tha se ajo është e rritur në Amerikë, madje nuk ka ditur asgjë as për këngët e tij.

    Robert Berisha ka treguar edhe si ka ndodhur takimi i parë më Anën.

    Rrëfimin e tij e gjeni ën videon më poshtë:

  • Interesim i lartë i qytetarëve për t’u regjistruar në zyrën në Prishtinë

    Interesim i lartë i qytetarëve për t’u regjistruar në zyrën në Prishtinë

    Përgatiti: Sara Shehu

    73-vjeçari, Nexhmi Stublla, këtë të enjte u regjistrua si banor i Prishtinës, në zyrën e Komunës, e cila u hap për qytetarët para pesë ditësh. Ai thotë se nuk ka pasur mundësi të regjistrohet, pasi ndodhej jashtë vendit.

    “E kam prit me qejf regjistrimin e popullsisë, andaj kam ardhë sot me u regjistru, këtë proces duhet ta bëjnë të gjithë qytetarët, andaj unë erdha sot me realizu këtu në këtë zyrë, pasi kam qenë në Gjermani te djemtë e mi”, tha Stublla.

    Zëdhënësi i Komunës, Donat Lushaku, tha se në këtë zyrë për pesë ditë janë regjistruar rreth 1000 qytetarë.

    “Interesimi ka qenë i lartë vetëm për 5 ditë, 1000 qytetarë janë regjistruar, andaj sot dhe nesër presim që të regjistrohen edhe më shumë… numri i punëtorëve nuk është i mjaftueshëm, por ia kemi dalë”, tha Lushaku.

    Tutje, Lushaku shtoi se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës që ta shtyjë afatin për regjistrim.

    “Kryetari ka kërkuar nga ASK-ja që të rrisë afatin për regjistrim, pasi që ka ende nevojë që qytetarët që s’kanë pasë mundësi me kry këtë proces me realizu po ASK e ka anulu këtë kërkesë të kryetarit”, tha Lushaku.

    Por, Agjencia e Statistikave e Kosovës thotë se ende nuk ka vendim për shtyrje ose jo të procesit.

    “Vendimi për shtyrje ende nuk është marrë, se është e ngutshme deri më 17 maj besoj që kryhen regjistrimet. Do t’i shqyrtojmë të gjitha kërkesat dhe do ta shohim se çfarë të bëjmë”, tha Hazbije Qeriqi, zëdhënëse në ASK.

    Në kuadër të regjistrimit të popullsisë, Agjencia e Statistikave e Kosovës deri të hënën ka marrë të dhënat e 1.4 milion banorëve brenda vendit dhe të 400 mijë të tjerëve nga diaspora.

  • Bizneset në komunat me banorë serbë s’pranojnë pagesa me dinar

    Bizneset në komunat me banorë serbë s’pranojnë pagesa me dinar

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Në kuletën e saj ka mbi 2 mijë dinarë, por me këto të holla nuk po arrin të bëjë asnjë pagesë.

    Slavica Sretenovic thotë se asnjë biznes në komunën e Graçanicës nuk po pranon të kryejnë pagesë në valutë tjetër, përveç euros.

    “Ka disa ditë që përdorim vetëm euro, dinarin s’po e pranon askush, as në dyqane, as për pagesa. Pensioni e kam marrë në euro”, tha Sretenovic.

    Derisa në këtë komunë pagesat po realizohen vetëm me euro, banorët janë të shqetësuar për pensionet, të cilat, sipas tyre, i marrin në dinar.

    “Dinarët më nuk po i pranon askush andaj po përdorim vetëm euro. Pak është e zorshme sepse ku t’i gjejmë eurot nëse pensioni më del në dinarë?!”, tha Verica Rankovic, banore e Komunës së Graçanicës.

    Një prej ideve që po përmendet si zgjidhje për çështjen e dinarit është licencimi i një banke serbe në Kosovë.

    “Ekziston një ide që një pjesë e Postës e Serbisë do të ndërrojë adresën në postën e Kosovës a banka tjetër do të kërkojë licencën për punën në Kosovë, tash i kemi komunitetet shumë të ndryshme e kemi komunitetin e pensionistëve kemi komunitet që kanë pronë në Serbi që janë duke pagur tatim nga këtu”, tha Branislav Krstic, gazetar.

    Ndërkaq, sipas ekonomistit Besnik Avdiaj, ka filluar vetëdijesimi te komuniteti serb që jeton në Kosovë, se ata duhet t’iu përshtaten politikave të institucioneve vendase.

    “Qytetarët serbë në Kosovë kanë filluar ta kuptojnë efektin që po e ka politika e Serbisë, të cilat janë plotësisht në kundërshtim me zhvillimin dhe avancimin e tyre në Kosovë dhe ata e kanë parë që institucionet tona, shoqëria jonë është rruga e duhur për ta dhe jetën e tyre”, tha Avdiaj.

    Për të gjetur një zgjidhje për përdorim të dinarit, të mërkurën është mbajtur sërish një takim ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e emisarit të BE-së, Miroslav Lajcak.

    Mirëpo, takimi maratonik përfundoi pa një marrëveshje.

  • Mbi 400 mijë qytetarë të regjistruar nga diaspora

    Mbi 400 mijë qytetarë të regjistruar nga diaspora

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Në javën e gjashtë të regjistrimit të popullsisë, mbi 400 mijë banorë janë regjistruar nga diaspora, përmes platformës online, E-diaspora.

    Por, nga organizata që lobojnë për diasporën, thonë se kjo shifër do të ishte edhe më e lartë, nëse Ministria e Diasporës dhe Agjencia e Statistikave do të angazhoheshin në fushata informuese.

    “Vetëm në Gjermani diku janë kaq kosovarë që jetojnë e veprojnë atje, nuk ka pasur kurrfarë kampanje…”, tha Lirim Krasniqi nga organizata “Germin”.

    Mungesa e fushatave nëpërmes të cilave kosovarët në diasporë do të ishin informuar rreth rëndësisë së procesit, nuk arsyetohen, thonë nga organizata Germin.

    “Për shkak të Covid-19 procesi u shty për 2 vite, atë kohë është dashur ta shfrytëzonin për përgatitje të procesit të regjistrimit të popullsisë…”, tha Krasniqi.

    Ndërkaq, evidentimi i popullatës jorezidente, po konsiderohet shumë i rëndësishëm në disa aspekte.

    “Ka rëndësi si në aspektin ekonomik, demokratik, gjeostrategjik, investime, prodhim, andaj është momenti që të dihet saktë numri i tyre…”, tha Safet Gërxhaliu, ekonomist.

    Banorët e diasporës dhe ata rezidentë në Kosovë kanë afat për t’u regjistruar vetëm deri më 17 maj 2024.

  • Zotimi qëllimisht “i vonuar”, qeveria letër të re Këshillit të Evropës

    Zotimi qëllimisht “i vonuar”, qeveria letër të re Këshillit të Evropës

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Kërkesës për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të draft-statutit evropian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, para nisjes së punimeve të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Qeveria iu përgjigj me një letër të re zotimi.

    Qëllimisht, Ministria për Punë të Jashtme zgjodhi që, një ditë para mbledhjes në Strasburg, të zotohet për hartimin e një draft-statuti të ri, të frymëzuar nga ai i “Friedrich-Ebert-Stiftung”, para fundit të muajit.

    “Po të konsideronim që është i vonuar do ta kishim dërguar më herët, nuk do ta kishim dërguar sot… Dhe, pse jo paraprakisht? Dua të ruaj procesin dhe do të bisedojmë sot as rreth partnerëve që na përkrahin edhe as rreth sigurimit të përkrahjes. Ne kemi shprehur me shumë seriozitet vullnetin tonë”, tha ministrja për Punë të Jashtme, Donika Gërvalla – Schwarz.

    Me shpresën që kërkesa e tyre do të trajtohet seriozisht, drejtuesit e politikës së jashtme zgjodhën të punojnë nga Prishtina.

    “Nuk jemi në Strasburg, sepse nuk duam të jemi në margjina të Këshillit të Evropës, por brenda, si anëtar. Prandaj, punën po e bëjmë nga këtu. Kjo nuk është dita e parë që po merremi me anëtarësimin, për dy vite radhazi kemi pasur lobim intensiv”, tha zëvendësministri për Punë të Jashtme, Kreshnik Ahmeti.

    Megjithatë, ministrja e as zëvendësi i saj nuk treguan se a do t’i qëndrojnë zotimit nëse Kosova nuk futet në rend dite.

    “Të flasim sot për këtë letër, për qëllimet pse është hartuar kjo letër. Nuk do të doja të bisedoja për opsione të tjera. Varësisht nga reagimi që do të ketë ndaj ofertës tonë, herët, mjaft herët, do t’ju informojmë rreth hapave të ardhshëm”, tha Gërvalla – Schwarz.

    Edhe pse ministrja nuk tregoi nëse ka pasur bashkërendim ndër-institucional, Presidenca reagoi duke thënë se nuk ka qenë në dijeni për letrën.

    “Presidentja Osmani përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës, si institucion kushtetues me kompetenca të qarta, në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve. Kjo letër nuk është e tillë. Mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën”, thuhet në përgjigjen nga Presidenca.

    Nëse nuk do të ketë ndryshim të agjendës së Këshillit të Ministrave të premten, krerët e MPJ-së shpresojnë që ministrat, së paku, të caktojnë një datë të re për vendimmarrje lidhur me anëtarësimin eventual të Kosovës.

    Në një reagim për letrën, Gjermania e vlerësoi se hap konkret nga Kosova përbën vetëm dërgimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese.

  • Votohen në Kuvend disa marrëveshje ndërkombëtare

    Votohen në Kuvend disa marrëveshje ndërkombëtare

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Shumica e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat u hodhën në votim në seancën e së enjtes në Kuvend, janë miratuar. Miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare ishte çështje që u bllokua në Kuvend tash e një vit në mungesë të votave të mjaftueshme.

    Për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nevojiteshin së paku 80 vota të deputetëve. Por, një ditë më parë Partia Demokratike e Kosovës njoftoi se do t’i mbështesë ato.

    Krahas PDK-së, edhe AAK-ja votoi për marrëveshjen e parë në rend dite respektivisht programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Fondit për Zhvillim Ndërkombëtar. Kjo marrëveshje nuk kaloi meqë mori vetëm 77 vota për, 10 kundër dhe 1 abstenim.

    Megjithatë, PDK-ja votoi kundër ratifikimit të marrëveshjes me Danimarkën për shfrytëzimin e burgut të Gjilanit me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze. Por, pro kësaj marrëveshjeje, votuan LDK-ja dhe AAK-ja. Në total kundër ishin 75 deputetë.

    Ndërkaq, pas këtyre dy votimeve 10 marrëveshjet e radhës u votuan me më shumë se 80 vota secila.

    Ndërkohë, para se të votohej marrëveshja e bashkëfinancimit për ndërtimin e tunelit në rrugën Prizren-Tetovë, LDK-ja pati një kërkesë.

    Në mungesë të ministrit të Infrastrukturës votimi u shty për një seancë tjetër.

    Ndërkaq, me kërkesë të 44 deputetëve, Kuvendi mbajti edhe seancë të jashtëzakonshme.

    Në seancën e jashtëzakonshme, deputetët votuan pro marrëveshjes kornizë ushtarake mes Kosovës dhe Turqisë, si dhe marrëveshjes mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për trajtimin e ujërave të zeza.

    Ndërkohë, Kuvendi ka vazhduar edhe me votimin e disa projektligjeve të tjera në të cilat opozita nuk mori pjesë. Mes tyre projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

  • Serbët në Novobërdë bojkotojnë regjistrimin e popullsisë

    Serbët në Novobërdë bojkotojnë regjistrimin e popullsisë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Thirrjen për regjistrim e kanë në hyrje të komunës. Por, më shumë se kësaj, serbët e Novobërdës iu bindën thirrjes së partisë që e udhëheq këtë komunë, Listës Serbe, për bojkot të procesit të regjistrimit.

    Kur ka mbetur vetëm edhe një ditë deri në mbyllje të afatit, fare pak qytetarë të këtij komuniteti janë regjistruar në procesin e regjistrimit të popullsisë.

    “Fatkeqësisht procesi nuk ka shkuar siç duhet, sepse komuniteti serb ka filluar ta bojkotojë këtë proces të regjistrimit të popullsisë dhe sipas shifrave që i kemi ne është një numër shumë i vogël i qytetarëve të regjistruar. Deri dje numri i qytetarëve që janë regjistruar është diku 3200, që është shifër jashtëzakonisht e vogël”, tha nënkryetari i Komunës së Novobërdës, Bajrush Ymeri.

    Por ajo që s’u bë për 42 ditë, zor të bëhet në ditën e fundit, andaj shpresojnë në kohëzgjatje të afatit së paku për këtë komunë.

    Si ndihmë për ta, komuna ka hapur edhe një zyrë brenda, ku qytetarët mund të regjistrohen.

    “Duket që ka sinjale që nga dita e sotme do të nisë regjistrimi i popullsisë edhe te komuniteti serb, sipas disa informatave jozyrtare që i kam dhe ndoshta pritet edhe vazhdimi i afatit edhe për një javë pas datës 17 maj dhe ndoshta do të përfundojë siç duhet”, tha Ymeri.

    Ndryshe, komuna e Novobërdës, sipas regjistrimit të 2011-tës, rezulton t’i ketë 6729 banorë.