ATV

Author: ATVLive

  • ​Putin premton armëpushim në Ukrainë, këto janë dy kushtet e tij

    ​Putin premton armëpushim në Ukrainë, këto janë dy kushtet e tij

    Presidenti rus, Vladimir Putin ka paraqitur ato që ai tha se ishin parakushtet e Rusisë për fillimin e bisedimeve të paqes me Ukrainën.

    Ai tha se Rusia do të ishte gati për bisedime të tilla “nesër” nëse trupat ukrainase tërhiqen nga rajonet Zaporizhzhia, Kherson, Donetsk dhe Luhansk dhe nëse Ukraina heq dorë nga planet e saj për t’u bashkuar me NATO-n.

    Nëse Ukraina do të pranonte këto kushte, ai tha se Rusia do të pushonte zjarrin dhe do të fillonte negociatat.

    “Kushtet janë shumë të thjeshta”, tha ai.

    “Sapo Kievi të thotë se janë gati për një vendim të tillë dhe të fillojnë tërheqjen reale të forcave nga këto rajone dhe të deklarojnë zyrtarisht refuzimin e planeve për t’u anëtarësuar në NATO, nga ana jonë, menjëherë, fjalë për fjalë në të njëjtën minutë, do të vijë një urdhër për të ndalur zjarrin dhe për të filluar negociatat”, tha ai.

    “Ne do ta bëjmë atë menjëherë. Natyrisht, ne do të garantojmë tërheqjen e pandërprerë dhe të sigurt të forcave ukrainase”, shtoi presidenti rus.

    Duhet të theksohet se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy është zotuar të çlirojë të gjitha rajonet e pushtuara nga kontrolli rus – dhe vetë tha se të gjitha forcat ruse duhet të largohen nga Ukraina si kusht për çdo marrëveshje paqeje.

    Putin ka thënë gjithashtu se avancimi i ushtrisë së tij drejt kryeqytetit ukrainas Kiev në vitin 2022 kishte për qëllim të detyronte Ukrainën të pajtohej me një marrëveshje paqeje.

    Ai pretendoi se nuk kishte asnjë qëllim për të sulmuar Kievin.

  • ​Vuçiq bisedon me Sarrazinin për “marrëveshjet e pazbatuara” mes Kosovës dhe Serbisë

    ​Vuçiq bisedon me Sarrazinin për “marrëveshjet e pazbatuara” mes Kosovës dhe Serbisë

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të premten se ka biseduar me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si dhe për situatën në rajon.

    Vuçiq shkroi në llogarinë e tij në Instagram se ka pasur një bisedë “të hapur dhe të drejtpërdrejtë” me Sarrazin për “marrëveshjet e pazbatuar” nga dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, “në radhë të parë, ato që kanë të bëjnë me sigurinë e serbëve në Kosovë, posaçërisht themelimin e Asociacionit me shumicë serbe”.

    “Përsërita se Gjermania dhe komuniteti ndërkombëtar në Serbi kanë një partner të besueshëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, forcimin e bashkëpunimit dhe prosperitetit rajonal. Por, mbrojtja e interesave kombëtare të shtetit dhe popullit serb do të jetë gjithmonë prioriteti ynë”, tha Vuçiq.

    Një ditë më herët, ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, e ritheksoi qëndrimin e Gjermanisë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet me njohje të ndërsjellë.

    Nën ndërmjetësimin e BE-së, Kosova dhe Serbia më 2023 arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve. Më vonë ajo u bë e njohur si Marrëveshja e Ohrit, por edhe kjo ka mbetur kryesisht e pazbatuar.

    “Sa për ta rikujtuar: Lexojeni deklaratë e qartë të kancelarit OLAF Scholz gjatë vizitës së tij në Kosovë dhe në Serbi në qershor 2022, për normalizimin, përfshirë njohjen dypalëshe”, shkroi Rohde në rrjetin social X të enjten vonë.

    Ai tha se “kjo vlen ende”, duke shtuar se rruga është tashmë e hapur për Kosovën dhe Serbinë përmes zbatimit “të menjëhershëm” të marrëveshjeve të arritura më 2023 për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore.

    Deklarata e tij erdhi pak pasi ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, në një intervistë për edicionin e 13 qershorit të së përjavshmes NIN nga Beogradi, tha se njohja formale e Kosovës nuk do të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian (BE).

    Të enjten më herët, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha për Radion Evropa e Lirë se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa normalizimin e raporteve të saj me Kosovën.

    Ato arritën marrëveshje edhe për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

    Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik./REL/

  • Apeli ia dha vulën Berishës, Ambasada e SHBA reagon

    Apeli ia dha vulën Berishës, Ambasada e SHBA reagon

    Ambasada amerikane ka reaguar sot ekskluzivisht për Top Channel, pak ditë pasi Apeli vendosi t’i kthejë vulën e PD-së, ish kryeministrit Sali Berisha.

    Ambasada konfirmon qëndrimin e pandryshuar se nuk angazhohet me personat e shpallur non grata.

    Në të njëjtën kohë ajo vë theksin te fakti se të gjithë “duhet të shqyrtojnë me kujdes se si punojnë me individë të shpallur nga SHBA”.

    Reagimi i Ambasadës:

    Pozicioni ynë në lidhje me individët e shpallur non-grata mbetet i pandryshuar: ne nuk angazhohemi me persona të shpallur sipas autoritetit të sanksioneve të SHBA dhe të gjithë duhet të shqyrtojnë me kujdes se si punojnë me individë të shpallur nga SHBA.

    Angazhimet tona me aktorët politikë do të mbështeten fort tek përkushtimi që ndajmë ndaj së ardhmes euro-atlantike të Shqipërisë, përfshi sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.

    Siç ka vërejtur Presidenti Biden në mënyrë të përsëritur, lufta kundër korrupsionit është një çështje e sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara./TopChannel/

  • ​Piramida e Tiranës nderohet me çmim nga “WAN Awards EMEA”

    ​Piramida e Tiranës nderohet me çmim nga “WAN Awards EMEA”

    Piramida e Tiranës ka marrë një tjetër çmim nga juria e “WAN Awards EMEA”, vlerësuese e projekteve arkitekturore më novatore nga e gjithë bota.

    Kryeministri Edi Rama bëri sot të ditur se juria e “WAN Awards EMEA”, e cilëson Piramidën e Tiranës si një “projekt të guximshëm”, të hapur për publikun, dhe e rrethuar nga një ansambël kutish shumëngjyrëshe, të shpërndara brenda dhe përreth ndërtesës origjinale.

    Juria e “WAN Awards EMEA” vlerëson se transformimi i Piramidës tregon se si një ndërtesë mund të përshtatet për një “erë të re”, duke ruajtur historinë e saj komplekse.

    “Në vend që struktura të shembej më kot, guaska e saj e fortë prej betoni është përshtatur sipas parimeve të “ekonomisë qarkulluese”. Fletë të mëdha xhami me nivele zëvendësojnë xhamat midis trarëve të betonit të Piramidës, duke mbrojtur brendinë nga shiu, ndërsa njëkohësisht e mbajnë atë të hapur ndaj elementëve të natyrës”, vlerëson juria.

    Arkitektja e njohur Eva Jiricna, kryetare e jurisë së “WAN Awards EMEA” vlerësoi projektuesit për këtë zgjidhje kaq të mirë, “për t’i treguar publikut se pak humor mund të shërojë edhe plagët më të thella”./ATSH/

  • ​Donnarumma për ndeshjen me Shqipërinë: Është lëkura më e madhe e bananes në grupin tonë

    ​Donnarumma për ndeshjen me Shqipërinë: Është lëkura më e madhe e bananes në grupin tonë

    Portieri i Kombëtares së Italisë, Gianluigi Donnarumma ka folur në konferencën për media para ndeshjes së nesërme me Shqipërinë.

    Italia dhe Shqipëria e nisin nesër aventurën në Kampionatin Evropian Euro 2024 duke u përballur me njëra tjetrën me fillim nga ora 21:00, raporton KosovaPress.

    Donnarumma e cilësoi ndeshjen e nesërme si “lëkurën më të madhe të bananes në grupin tonë”.

    “Kjo ndeshje është lëkura më e madhe e bananes në grupin tonë. Duhet të jemi 100% të ndezur. Shqipëria ka shumë ritëm, shumë kërcënim. Nuk kemi mundësi t’i japim vetëm 70-80%. Kjo ndeshje do të jetë shumë e rëndësishme”, tha Donnarumma.

    Më tej, Donnarumma foli për Shqipërinë ku tha që ka shumë lojtarë të shkëlqyer, ndërsa tregoi se çka duhet të bëjë Italia nesër.

    “Shqipëria ka shumë lojtarë individualë të shkëlqyer. Duhet të bëjmë që të qëndrojmë të shtrënguar dhe kompakt dhe të mos u lëmë hapësirë për të fituar në kundërsulm. Ne mund ta fitojmë atë në minutën e parë ose të fundit – ne vetëm duhet të jemi të durueshëm dhe të mbajmë formën tonë”, tha Donnarumma.

    Për fund, Donnarumma tregoi se çka do të nënkuptonte fitorja nesër për Italinë.

    “Nëse fitojmë nesër mbrëma do të jetë një hap i madh drejt kualifikimit. Fitorja do të na vendosë në një pozicion të fortë; të mos fitojmë do të na vinte nën presion”, tha Donnarumma.

  • ​Pandeli Majko shpallet “Qytetar Nderi” i Rahovecit

    ​Pandeli Majko shpallet “Qytetar Nderi” i Rahovecit

    Për kontributin e tij të çmuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, në 25 vjetorin e çlirimit të Komunës së Rahovecit kryetari Smajl Latifi e ka shpallur qytetar nderi ish-kryeministrin e Shqipërisë, Pandeli Majko.

    Ish kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, i emocionuar për lëvdatat që u thanë ndaj tij, është shprehur se detyra e tij ishte të mos tradhtonte vetën, kombin dhe Kosovën.

    Sipas tij, kontributi i Majkos nuk krahasohet me ushtarët e UÇK-së që dhanë gjënë më të shtrenjtë, jetën.

    “Nuk mendoj se ato që i kam bërë mund të krahasohen me ato që kanë bërë ushtarët e UÇK-së që kanë dhënë gjënë më të shtrenjtë që është jeta. Detyra e kryeministrit ishte mos të tradhtonte vetën, kombin dhe Kosovën. Ishte një gjest simbolik pasi isha dhe jam i bindur se ShBA, Britania e Madhe dhe NATO nuk na kanë lënë, as nuk do të na lënë sepse me luftën e Kosovës ka qenë jo vetëm fitore..”, është shprehur Majko.

    Ndërsa, Kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi, ka thënë se Majko ishte njeriu i duhur në kohën dhe momentin e duhur për Kosovën dhe popullin e saj.

    “Që nga viti 1913 popullata e kësaj ane ka përjetuar dhunë sistematike. Populli i kësaj ane që është shtyrë dhunshëm drejt asimilimit. Humbëm shumë njerëz, gjaku i të cilëve forcon themelet e lirisë që e kemi sot. Duke qenë në krye të qeverisë zotëri Majko i mblodhi krerët pas masakrës së Reçakut dhe ju tha atyre ‘kur serbët na vrasin ne bashkohemi’. Qeveria shqiptare duke shprehur shqetësimin e saj, kërkon një ndërhyrje sa më të shpejtë në Kosovë. Gjithashtu, kanë nënshkruar një dokument sekret, ku Majko merr përsipër furnizimin e UÇK-së me armatim. Majko, ishte njeriu i duhur në kohën e duhur dhe në momentin e duhur. Kosova mbetet çështje e zemrës për atdhetarin Pandeli Majko. Qëndrimi i tij i prerë e ka rritur krenarinë tonë kombëtare”, ka thënë Latifi.

    Gjithashtu, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj ka shtuar se nën drejtimin e Majkos mijëra shqiptarë nga Kosova u strehuan në Shqipëri.

    Malaj, ka shtuar se ai ka pasur një rol kyç në intervenimin e NATO-s në Kosovë.

    “Rahoveci si shumë vende tjera në Kosovë ka treguar se fuqia dhe vendosmëria e njerëzve se tan është e pamposhtur, Dëshmi e forcës dhe rezistencës së popullit. Kujtojmë të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë sakrifica e të cilëve nuk do të harrohet kurrë. Ish kryeministri shqiptar, Pandeli Majko ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbështetjen e Kosovën në momentet më të brishta. Ka qenë një zë i fuqishëm dhe një mik i madh i cili vazhdon të jetë një mik i Kosovës. Nën drejtimin e tij Shqipëria priti qindra e mijëra shqiptarë të Kosovës. Luajti një rol kyç në intervenimin e NATO-s në Kosovë. Kontributi i tij nuk do të harrohet asnjëherë”, ka shtuar Malaj.

    Edhe ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka falënderuar Majkon për kontributin e tij gjatë luftës. Ai ka theksuar se Majko ka nderuar popullin e Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme.

    “Na keni nderuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Po shënojmë çerek shekulli nga liria jonë. Rahoveci e ka nderuar vetën në mënyrën më të mirë sepse ka zgjedhur Majkon për qytetarë nderi. Falënderoj Majkon, urime me meritë faleminderit”, ka theksuar Haradinaj.

    Pas seancës solemne të Kuvendit Komunal të Rahovecit, kryetari Latifi së bashku me ish kryeministrin e Shqipërisë Majko, ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë Malaj dhe kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj kanë vizituar kullën e heronjve të Rahovecit “Toni dhe Mici”, kanë përuruar emblemën e UÇK-së dhe vizituar kompleksin memorial në Gradish.

  • ​Statuja e Tony Blair në Ferizaj, mediumi britanik tallet për ngjashmëri me aktorin australian

    ​Statuja e Tony Blair në Ferizaj, mediumi britanik tallet për ngjashmëri me aktorin australian

    Në shënim të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, në Ferizaj të mërkurën u zbulua statuja e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair.

    Ai më 12 qershor ishte i pranishëm në ceremoni dhe mbajti një fjalim në një seancë të veçantë të Parlamentit të Kosovës.

    Megjithatë, pas publikimit të fotografisë së statujës nga ish-sekretari i Blair, Alistair Campbell, në një përpjekje për të inkurajuar publikun që të votojë për Partinë Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar, reagimet online u bënë menjëherë komike.

    Njerëzit kanë mbetur të habitur pasi statuja e Tony Blair që u zbulua në Kosovë, tërhoqi krahasime me aktorin australian dhe yllin e ‘Neighbours’, Jason Donovan, shkruan The Independent.

    Siç shkruan mediumi, Tony Blair luajti një rol kyç në vendimin e NATO-s për ndërhyrje në vitin 1999.

    “Zbulohet statuja e Tony Blair në Kosovë”, ka shkruar Campbell. “Nuk jam i sigurt se ku, nëse diku, do të ngrihen statuja për ndonjë nga pesë kryeministrat që e kanë çuar vendin tonë prapa në 14 vitet e fundit. Votoni Laburistët nëse doni një qeveri serioze që kryen punët”, është shprehur ai.

    Por përdoruesit e Twitter nuk mund t’u besonin syve të figurës së zbuluar dhe ishin të bindur se kishte pasur një gabim.

    “Statuja e Jason Donovan u zbulua. Duhet të ishte Tony Blair,” tha me shaka një përdorues në X.

    “Duke parë se pse Jason Donovan ishte në trend, tani nuk mund të mos e shoh se sa shumë i ngjan Tony Blair,” shkroi një tjetër.

    Jason Donovan luajti së bashku me Kylie Minogue në filmin hit amerikan, ‘Neighbours’. Ai u bë i famshëm në shfaqje, duke luajtur Scott Robinson nga viti 1985 deri në 1989, përpara se të fillonte karrierën e tij si solo.

  • ​Policia gjermane frikësohet nga tifozët e Anglisë: Mos pini alkool, tymosni kanabis

    ​Policia gjermane frikësohet nga tifozët e Anglisë: Mos pini alkool, tymosni kanabis

    Policia gjermane ka lëshuar një paralajmërim për tifozët anglezë përpara fillimit të Kampionatit Evropian Euro 2024, dhe i ka inkurajuar ata të pinë kanabis në vend që të pinë alkool, sipas raportimeve.

    “Mail Sport” zbuloi në fillim të javës se forcat e policisë gjermane kishin kërkuar që në “VELTINS Arena” t’u shërbente tifozëve të Anglisë birrë me përqindje alkooli të ulët përpara ndeshjes hapëse me Serbinë, raporton KosovaPress.

    Ata janë të shqetësuar se si tifozët anglezë ashtu edhe ata serbë mund të shkaktojnë probleme brenda dhe rreth stadiumit në Gelsenkirchen, shtëpia e Schalke 04, nëse janë të dehur.

    Tani thuhet se forcat e policisë së Gelsenkirchen do të preferonin që tifozët e Anglisë të tymosnin kanabis sesa të pinin alkool, pasi kjo do t’i bënte ata ‘më të qetë’ dhe ‘të qetë’.

    Një zëdhënës i policisë së Gelsenkirchen tha: “Nuk është problem për fansat të pinë kanabis në rrugë. Nëse shohim një grup njerëzish që pinë alkool dhe duken paksa agresivë, dhe një grup tjetër duke pirë kanabis, sigurisht që do të shohim grupin që pi alkool.

    Pirja e alkoolit mund ta bëjë dikë më agresiv, dhe pirja e duhanit kanabis i vendos njerëzit në një humor të ftohtë. Ne duam të parandalojmë dhunën dhe t’i mbajmë njerëzit të sigurt. Fokusi ynë do të jetë te fansat që po pinë dhe potencialisht po bëhen të dhunshëm – kjo është arsyeja pse ne vendosim masa paraprake sigurie për alkoolin”.

    Më 1 prill në fillim të këtij viti, Gjermania iu bashkua listës së vendeve që kanë legalizuar kanabisin për përdorim personal. Parlamenti i vendit miratoi një ligj që do të legalizojë kultivimin dhe konsumimin e një sasie të kufizuar të drogës. Vendimi u mor në një përpjekje për të rregulluar sjelljen e 4.5 milionë gjermanëve që vlerësohet se e përdorin atë.

  • Mbi tre mijë ankesa të konsumatorëve në MINT, Hyseni: Projektligji adreson çdo manipulim në treg

    Mbi tre mijë ankesa të konsumatorëve në MINT, Hyseni: Projektligji adreson çdo manipulim në treg

    Përfaqësues të institucioneve dhe organizatave në vend kanë dhënë propozimet e tyre sa i përket plotësimit dhe ndryshimit për Projektligjin për Mbrojtjen e konsumatorit. Në dëgjimin publik për këtë projektligj i mbajtur nga Komisioni për Ekonomi, është theksuar nevoja e zbatimit të këtij projektligji me ndryshimet e propozuara nga të njëjtit.

    Kryesuesi i Grupit për Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit, deputeti Driton Hyseni ka theksuar se ky ligj synon të mbrojë konsumatorët nga çdo manipulim që mund të jetë prezent në tregun e ofrimit të produkteve dhe shërbimeve në vend.

    “Ligji trajton sidomos aspektet e të drejtave të konsumatorit në thelb, por sigurisht edhe pjesën e praktikave të padrejta tregtare. Synon që në mënyrë më të mirë të mbrojë konsumatorët nga çdo manipulim që mund të jetë prezent në tregun e ofrimit të produkteve dhe shërbimeve në vendin tonë. Në këtë drejtim, ligji është jashtëzakonisht përmbajtjesor, ndoshta është tentuar që në mënyrë maksimale me gjitha pjesët e neneve që janë të përfshira në ligj, të përmbush çdo nevojë të mundshme që ka konsumatori drejt mbrojtës së drejtave të tij”, tha Hyseni.

    Ndërsa, në emër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, Nijazi Shala ka thënë se ky projektligj mundëson rregullimin e tregjeve në vend, derisa shton se ka prioritet të mbrojë interesat ekonomike të konsumatorit.

    “Rëndësia e projektligjit është gjithashtu e natyrës ekonomike, sepse mundëson gjithashtu rregullimin e tregjeve synim drejt një kompeticioni perfekt, që çon drejt një ekonomie diferencimi, apo konkurrence të ndërtuar mbi kualitetin dhe cilësinë e produkteve dhe shërbimeve, të një ekonomie të shëndosh…(pjesët që janë risi në këtë projektligj) kisha veçuar dy prej tyre, është harmonizimi me rregulloren e Ministrisë së Ambientit për kthimin e ambalazhit dhe trajtimin e qeseve plastike, si dhe ndalimin e konsumimit të pijeve energjike nën moshën 18 vjeçare”, tha ai.

    Në këtë dëgjim publik, Shala bëri të ditur se janë rreth 3 mijë ankesa nga konsumatorët, që sipas tij, 60 për qind prej tyre janë trajtuar nga MINT-i.

    “Ankesa përgjatë vitit 2023 janë rreth 3 mijë dhe rreth 60 për qind prej tyre, janë trajtuar”, tha ai.

    Ndërsa, deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Valentina Rexhepi-Bunajku u shpreh skeptike për zbatimin e ligjeve në vend. Ajo theksoi ka shumë ligje që nuk zbatohen në vend.

    “Neve po na intereson se cili nen duhet plotësuar apo ndryshuar që t’i dilet në ndihmë konsumatorëve apo në të mirën e tyre. Sa i përket implementimit dhe ankesave është pjesë e inspektoratit, ka shumë ligje në vend që janë mirë të shkruara, por pak të zbatueshme, por për zbatueshmërinë e ligjeve nuk është tema”, tha Rexhepi-Bunjaku.

    Ndërsa, nga Shoqata e Bankave, Partin Pruthi ka thënë se nuk kanë probleme me ligjin, pasi sipas tij, nuk ka shumë dallim sa i përket kredive konsumuese në këtë ligj prej atij që është në fuqi.

  • AUV me rastin e Kurban Bajramit: Therjet e kurbaneve të bëhen vetëm në thertore të licencuara

    AUV me rastin e Kurban Bajramit: Therjet e kurbaneve të bëhen vetëm në thertore të licencuara

    Të nderuar qytetarë të besimit islam me rastin e festës se ‘’Kurban Bajrami’’ e cila festohet me datë 16 Qershore e Diele.

    Ju apelojmë qe therjen e Kurbaneve ta bëni vetëm në thertoret e licencuara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Therja jashtë këtyre objekteve, përveçse se përben shkelje ligjore ajo rrezikon shëndetin e përgjithshëm publik.

    Tani qe po mbretërojnë temperatura të larta, rrisin rrezikun e kontaminimit të produkteve qe i ekspozohen të nxehtit. Objektet e thertoreve përveç se janë nën mbikëqyrje kontrolli, ku secila kafshë i nënshtrohet inspektimit para therjes, gjatë procesit të therjes dhe pas therjes, ato posedojnë frigoriferë, kushte teknike sanitare dhe higjienike.

    Në transport të përdorin mjete adekuate duke respektuar kushtet për mirëqenje të kafshëve. Tregtimet të bëhen në tregjet e autorizuara ose blerjet direkte nga ferma, tregtimet në hapësira tjera do të pengohen dhe ndëshkohen.

    Në të gjithë vendin janë mbi 50 objekte të aprovuara për therjen e kafshëve, të cilat kanë kapacitete të mjaftueshme për të plotësuar nevojat e qytetareve. Duhet secili ta ndjejmë si obligim qe mos të krijojmë imazhe të prerjes-therjes së kafshëve në hapësira publike, në mënyrë jo humane dhe në kushte jo higjienike.

    Festoni sigurt dhe shëndetshëm