ATV

Author: ATVLive

  • Me moton “Dhuro gjak, dhuro jetë” shënohet dita botërore e dhurimit të gjakut

    Me moton “Dhuro gjak, dhuro jetë” shënohet dita botërore e dhurimit të gjakut

    Përgatiti: Donita Bytyqi

    Derisa u shënua Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut vullnetarë të shumë iu përgjigjen thirrjes për dhurim. Pjesë e vullnetarëve ishte edhe Komandanti i Njësisë Speciale të Kosovës, Amir Gërguri, i cili tha se bashku me ekipin e tij janë dhurues të rregullt.

    “Secili qytetar që ka shëndetin e mirë edhe ka mundësi të jep gjak të vijë të dhuroj gjak për ata që kanë nevojë, sepse nesër mund të jenë edhe vet ata që duhet edhe kanë nevojë për gjak”, tha Gërguri.

    Ndërkaq nënkryetarja e Federatës së Bjeshkatarëve Alpiniste të Kosovës teuta Bicaj shtoi se cdo vit bashkë me shumë miq e bashkëpunëtorë kontribuojnë duke dhuruar gjak.

    “Na si shoqëri bjeshkatare alpiniste e Prishtinës, domethënë grupi jonë jemi dhurues të gjakut, meqenëse merremi me aktivitete bjeshkatare, një nga pikat tona është edhe kjo pikë humanitare dhurimi i gjakut “dhuro gjak, shpëto jetë”, tha Bicaj.

    Numri i vullnetarëve të cilët dhurojnë gjak viteve të fundit është shtuar në Kosovë por edhe Qendra për Transfuzionin e Gjakut ka shtuar aktivitetin.

    “Qytetaria ka kuptu, një pjesë e konsiderueshme e banorve të Kosovës e kanë kuptu rëndësinë e dhurimit të gjakut, e këtë më së miri e tregon interesimi I tyre të cilët nuk rreshtin për organizime të tilla të dhurimit të gjakut”, tha Zhupi.

    Aktiviteti i dhurimit të gjakut në kryeqytet do të zgjasë deri më 15 qershor.

    “Kisha falënderu të gjithë qytetarët në Ditën Ndërkombëtare të Dhurimit të Gjakut, të cilët janë dhurues të gjakut dhe i ftoj ata që nuk e kanë bërë deri më tani, të paraqiten në Qendrën tonë domethënë mund të dhurojnë të gjithë personat e shëndosh”, tha Maliqi-Qormemeti.

    Një pjesë e madhe e nevojave të pacientëve për gjak në institucionet shëndetësore në Kosovë plotësohen nga dhuruesit vullnetarë.

  • 28 vjet burgim ndaj tetë të akuzuarve për hedhje të granatave në lokale

    28 vjet burgim ndaj tetë të akuzuarve për hedhje të granatave në lokale

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Të shumtë janë në numër, e të shumta janë edhe veprat penale që rëndojnë mbi ta.

    Ndaj Bekë Salihajt, Adhurim Krasniqit, Valdrin Beqirit, Arianit Pllanës, Adnan Murtezit, Fidan Cakollit, Gentrit Ismajlit dhe Diar Thaçit, të cilët akuzohen për hedhje të granatave në dy lokale në vitin 2022, Gjykata Themelore e Prishtinës shpalli aktgjykim dënues.

    Më së shumti u dënua Arianit Pllana e më së paku Lundrim Beqiri.

    Arianit Pllana me 4 vjet e 10 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë për veprat penale “Detyrim”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Deklarim i rremë”, tha kryetarja e Trupit Gjykues, Suzana Çerkini.

    Ndërsa, nga akuza u liruan Lundrim Beqiri, Egzon Cakolli dhe Kreshnik Kurti.

    “Nga akuza janë liruar Lundrim Beqiri, Egzon Cakolli dhe Kreshnik Kurti, të cilët akuzoheshin për pjesëmarrje në organizim të grupit kriminal, veprime përgatitore të veprave penale “Vrasje e rëndë”, “Detyrim” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, tha Çerkini.

    Ndonëse u lirua nga akuza për hedhje të granatave, Beqiri megjithatë u shpall fajtor dhe është dënuar me 4 muaj burgim dhe 500 euro gjobë për posedim të paautorizuar të narkotikëve dhe substancave narkotike.

    Fidan Cakollit, Gentrit Ismajlit dhe Diar Thaçi janë dënuar me nga 3 vjet burgim se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, ndërsa Adnan Murtezi është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

    Sipas aktakuzës së ngritur më 24 shkurt 2023, grupi kriminal i organizuar, në qershor të vitit 2022 hodhi granata dore në lokalet “Missini” dhe “Riza Hair Salon” me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm.

  • Kolegji AAB mban konferencën ndërkombëtare

    Kolegji AAB mban konferencën ndërkombëtare

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Në ambientet e Kolegjit AAB këtë të premte u mbajt konferenca shkencore e Fakultetit të Komunikimit Masiv, e titulluar “Informimi, media dhe e vërteta në epokën e pas së vërtetës dhe inteligjencës artificiale.”

    Dy studiuesit më të njohur në botë në fushën e komunikimit dhe medias ishin pjesë e kësaj konference.

    Mark Deuze, profesor në universitetin e Amsterdamit, i njohur si ndër personazhet më eminente shkencore, para studentëve foli për gjetjet e tij të fundit shkencore, të përfshira në librin “Jeta në media: Një hyrje globale në studimet e medias”.

    “Gjatë kësaj konference duhet përqendruar se çfarë mundemi ne si gazetarë, studiues të fushës e profesorë të kontribuojmë në çështjet me të cilat po përballet bota e prezantohen në media, sikurse ndryshimet klimatike apo krizat me refugjatë, apo tregjet globale… luftërat, sepse të gjitha këto kanë elemente mediale e ne kemi përgjegjësi që të trajtojmë këto çështje”, tha Deuze.

    Ndërsa, Lukasz Tomczyk, i ranguar në mesin e shkencëtarëve më me ndikim, njëkohësisht profesor në një nga universitetet e Polonisë, trajtoi temën për “Krijimin e informacionit të rremë në internet për mësuesit dhe sigurinë digjitale të ekosistemit të shkollës”.

    “Një mësues është fyer vazhdimisht në një forum të caktuar online. Komentet negative erdhën si nga nxënësit ashtu edhe nga prindërit e tyre. Çështja u raportua në polici dhe postimet denigruese u hoqën, por megjithatë ka shumë raste negative që iu kanë ndodhur mësimdhënësve. Nuk është aspak e lehtë për mësuesit, një gjë e tillë nuk është aspak e duhur”, tha Tomczyk.

    Në konferencë, gjithashtu, morën pjesë edhe profesionistë të fushës së gazetarisë, marrëdhënieve me publikun, shkencave politike, marketingut e të tjerë.

  • Ministria e infrastrukturës shkel ligjin, anuloi tenderin pas hapjes së ofertave

    Ministria e infrastrukturës shkel ligjin, anuloi tenderin pas hapjes së ofertave

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Tenderin përmes të cilit synonte angazhimin e pesë konsulentëve për shërbime të ndryshme në Departamentin e Menaxhimit të Rrugëve, Ministria e Infrastrukturës e ka anuluar në mënyrë të kundërligjshme.

    Vendimin për anulim kjo ministri e arsyetoi me faktin se njoftimi për kontratë dhe dosja e tenderit nuk ishin të njëjta.

    “Anulimi i tenderit në këtë fazë dhe për arsyet e cekura nga Ministria e Infrastrukturës, përveç që dëshmon një keqmenaxhim dhe në të njëjtën kohë është i kundërligjshëm, sepse aktiviteti nuk mund të anulohet pas hapjes së ofertave për këto arsye. Nëse me të vërtetë kanë ekzistuar këto defekte, atëherë ministria ka mundur t’i përmirësojë e jo ta anulojë tenderin pasi i ka parë operatorët ekonomikë që kanë ofertuar”, tha Valmir Ilazi nga INPO.

    Gjatë ditës, Ministria e Infrastrukturës nuk është përgjigjur në pyetjet e televizionit. Ndërkohë, rastet kur aktivitetet e prokurimit anulohen pas hapjes së tenderëve janë të shpeshta. Gjatë vitit 2023, 82% e tenderëve janë anuluar pasi Autoritetet Kontraktuese i kanë parë ofertat nga Operatorët Ekonomikë.

    Sidoqoftë, nga anulimi i tenderëve më së shumti pësojnë qytetarët, meqë shumë shërbime nuk arrihen të kontraktohen.

    Për nga numri i aktiviteteve të prokurimit të anuluara gjatë vitit 2023, prin Korporata Energjetike e Kosovës në 231 procedura të anuluara, pasuar nga Policia e Kosovës me 102 tenderë të anuluar.

  • Nisin procedurat për përzgjedhjen e kryesuesit të ri të KGJK-së

    Nisin procedurat për përzgjedhjen e kryesuesit të ri të KGJK-së

    Përgatiti: Nora Luta

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës të premten ka nisur procedurat për përzgjedhjen e kryesuesit të ri.

    Kryesuesit aktual Albert Zogajt i përfundon mandati në fillim të muajit korrik.

    Procedura e zgjedhjes së kryesuesit të KGJK-së është e përcaktuar me Ligjin dhe me Rregulloren mbi organizimin dhe veprimtarinë e Këshillit Gjyqësor.

    Sipas ligjit për këtë pozitë, kandidatët duhet të jenë nga anëtarët gjyqtarë dhe të propozohen nga së paku 3 të tjerë brenda Këshillit.

    Me vendimin e marrë gjatë mbledhjes të premten, gjyqtarët që shprehin interesim për këtë pozitë duhet t’i dorëzojnë nënshkrimet më së largu deri më 29 qershor.

    Deri tash asnjë emër nuk është konfirmuar, e as mundësia që Zogaj të kandidojë për një mandat të dytë.

    Nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike derisa tregojnë se kandidati me më së shumti vota zgjidhet kryesues, me kusht që më herët nuk i përfundon mandati si anëtar, thonë se nuk ka pengesa ligjore që Zogaj të rikandidojë.

    Por në rast se do të zgjidhej sërish, mandatin do të mund ta ushtronte vetëm deri në mars të 2026-s.

    “Procedura e votimit është e mbyllur, kurse kandidati me më së shumti vota zgjedhet kryesues për 3 vite, me kusht që më herët nuk i përfundon mandati si anëtar i Këshillit. Me legjislacionin aktual, nuk ka asnjë pengesë që Albert Zogaj të kandidoj e të zgjidhet sërish në pozitën e Kryesuesit, por mandati i dytë i tij nuk mund të jetë më i gjatë se deri në muajin mars 2026, kur përfundon edhe mandati i tij si anëtar i KGjK-së nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme”, tha Liridon Salihi, hulumtues në GLPS.

    Sipas ligjit për KGJK-në, anëtarët kanë mandat 5 vjeçar pa mundësi rizgjedhjeje, ndërsa kryesuesi 3 vjet.

    Zogajt do ta përfundojë mandatin si kryesues më 06 korrik, ndërsa do të jetë anëtar deri në vitin 2026.

  • Promovohet libri “Lufta e Kosovës 1997-1999”

    Promovohet libri “Lufta e Kosovës 1997-1999”

    Përgatiti: Sara Shehu

    Në kuadër të aktiviteteve të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, është promovuar libri “Lufta e Kosovës 1997-1999”, i shkruar nga autorët Durim Abdullahu dhe Davjola Ndoja.

    Përpos këtij libri, i cili paraqet studimin mbi literaturën për luftën në Kosovë i realizuar në 45 biblioteka nëpër botë, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës u hap edhe një ekspozitë me 150 libra kushtuar luftës.

    “Deri në vitet ’90, Kosova ka qenë e panjohur në botë. Luftërat në Jugosllavi dhe në Kosovë e bënë Kosovën në qendër të lajmeve nëpër botë. Në vitin 1999 u botuan mbi 900 libra për Kosovën. Gazetarë, ushtarakë, studiues e historianë kanë botuar mbi 7700 libra për luftën në Kosovë”, tha Durim Abdullahu, autor i librit dhe i ekspozitës.

    “Ne si autor jemi të nderuar që ky promovim është në këtë 25-vjetor. Hulumtimi i parë i këtij promovimi është bërë në 45 biblioteka kombëtare në botë”, tha Davjola Ndoja, bashkautore.

    Në këtë organizim, mori pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me ç’rast tha se shumë autorë nga shtete të huaja kanë shprehur interesim të botojnë libra për popullin e Kosovës.

    “Sot në vazhdën e ditëve të çlirimit jemi mbledhur edhe për këtë aktivitet. Një bibliografi e përzgjedhur. Shumë libra janë shkruar për luftën e Kosovës, por ky është libri i parë i shkruar për luftërat e Kosovës. Janë shkruar 7700 libra për luftën e Kosovës. prej këtyre librave 7000 libra janë shkruar nga autorë të huaj. Dhe kjo për mua është e pa imagjinueshme për mua. Janë të përkthyer në 28 gjuhë të ndryshme. Shtetet e huaja kanë interesim për luftën e Kosovës”, tha Kurti.

    Në këtë ekspozitë morën pjesë zyrtarë të arsimit dhe artistë të ndryshëm, të cilët e mirëpritën këtë vepër të dy autorëve shqiptarë.

  • Ushtarëve nuk u paguhet puna jashtë orarit

    Ushtarëve nuk u paguhet puna jashtë orarit

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë, jo rrallë herë u duhet të qëndrojnë brenda me orë të tëra, si gjendje gatishmërie. Por, për qëndrimin në punë jashtë orarit, ata nuk marrin kompensim me para, siç edhe ua garanton ligji.

    Këto përfitime nuk i gëzojnë as në raste të tjera, si puna gjatë festave, puna gjatë natës apo gjatë fundjavës. Sipas juristëve, pagesa është e obligueshme, me përjashtim rastet kur ushtarët individualisht duan pushim në vend pagesave.

    “Janë të qarta të gjitha beneficionet për punën shtesë, punën gjatë natës, kujdestarinë, në parim, sipas ligjit, por edhe kontratës duhet të paguhen me para, d.m.th. me pagë shtesë me përqindje siç është e përcaktuar 20, 30 apo 50 për qind. Në kontratat që posedojnë pjesëtarët në këtë nenin ku janë shtesat në pagë është një paragraf atje që i mundësohet me dëshirën e vetë me marrë pushim”, tha Visar Rrecaj, avokat.

    Por, sipas njohësve të sigurisë, pagesa mund të ndikojë negativisht te performaca e ushtarëve, meqë nuk trajnohen dinjitetshëm.

    “Mospagesa e punës jashtë orarit krijon një momentum jo të mirë në favorin e arritjes së objektivave të ushtarëve dhe që për t’i kompensuar marrin vetëm ditë pushim. Pra motivi do kish me qenë në qoftë se do kishte me iu shpërbly përmes pagës, dhe kështu do të arrihej efikasiteti në kuadër të strukturave ushtarake”, tha Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë.

    Sidoqoftë, Ministria e Mbrojtjes nuk i dha përgjigje ATV-së pse orët shtesë për pjesëtarët e FSK-së nuk paguhen. Me probleme të tilla sikurse ushtarët, përballen edhe Policët.

  • G7 e palëkundur në mbrojtje të Ukrainës

    G7 e palëkundur në mbrojtje të Ukrainës

    Udhëheqësit e G7 ranë dakord dje t’i japin hua Ukrainës 50 miliardë dollarë të krijuara nga asetet e ngrira të shtetit ruse, në ditën e parë të një samiti që pa SHBA-në të nënshkruajë një marrëveshje sigurie 10-vjeçare me Kievin për të siguruar që vendi të mund të vazhdojë të mbrohet nga Rusia.

    Presidenti i SHBA, Joe Biden përshëndeti hapat e ndërmarrë në samit si një shenjë se presidenti rus Vladimir Putin “nuk mund të na ndajë”.

    ”Ju nuk mund të na ndani dhe ne do të jemi me Ukrainën”, tha Biden gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dje në mbrëmje.

    Vërejtjet e tij erdhën pasi ai dhe Zelensky nënshkruan një marrëveshje afatgjatë që përcakton marrëdhëniet e sigurisë së Uashingtonit me Kievin në kuadër të G7-s, në Italinë jugore.

    Pesëmbëdhjetë vende të tjera kanë përfunduar tashmë marrëveshje të ngjashme afatgjata sigurie me Kievin, duke përfshirë BM, Francën dhe Gjermaninë.

    Marrëveshja e SHBA rregullon gjerësisht bashkëpunimin midis dy vendeve në të gjitha nivelet e mundshme, përfshirë pajisjet ushtarake, stërvitjen dhe manovrat.

    Në të njëjtën kohë, Ukrainës i kërkohet të zbatojë reforma të ndryshme në fushën e drejtësisë, zbatimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit, por edhe në kapacitetet dhe strukturat ushtarake për të arritur standardet e NATO-s në të ardhmen.

    Pakti i SHBA-së nuk përfshin dislokime apo armë specifike

    Siç pritej, marrëveshja nuk përmban asnjë angazhim për të vendosur forcat e armatosura amerikane për mbrojtjen e Ukrainës. Biden e ka përjashtuar gjithmonë kategorikisht këtë – pavarësisht apeleve të fundit nga presidenti francez Emmanuel Macron për të dërguar ushtarakë atje.

    Uashingtoni thotë se qëllimi është më tepër t’i mundësojë Ukrainës të vazhdojë të mbrohet.

    Marrëveshja gjithashtu nuk premton për furnizimin e sistemeve specifike të armëve.

    Megjithatë, Biden ngriti shpresat e Ukrainës se së shpejti mund të marrë sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore ”Patriot” nga aleatët perëndimorë, duke thënë se pesë vende kishin marrë angazhime për bateritë ”Patriot” dhe sisteme të tjera të mbrojtjes ajrore.

    Uashingtoni i ka ofruar tashmë Kievit një nga sistemet e avancuara të mbrojtjes ajrore dhe thuhet se mund të premtojë një të dytë në ditët në vijim, megjithëse qeveria nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë.

    Rusia pushtoi Ukrainën në fund të shkurtit 2022 dhe që atëherë ka zhvilluar një luftë agresioni në shkallë të gjerë kundër vendit fqinj.

    SHBA është aleati më i rëndësishëm i Kievit në fushatën e mbrojtjes.

    Të dyja palët kishin kohë që po negocionin marrëveshjen dypalëshe të sigurisë.

    G7 premton 50 miliardë dollarë kredi nga asetet e ngrira ruse

    Më herët, samiti në Italinë jugore filloi me një marrëveshje për t’i dhënë Ukrainës 50 miliardë dollarë hua duke përdorur interesin e krijuar nga asetet e ngrira të shtetit ruse, në një shfaqje të madhe mbështetjeje për Kievin.

    Udhëheqësit e Grupit të të Shtatëve – që përfshin BM, Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Japoninë dhe SHBA – thanë se ishte arritur një marrëveshje për paketën e madhe të kredisë.

    Kievi do të përdorë paratë për të forcuar mbrojtjen e tij, për të paguar për rindërtimin e infrastrukturës dhe për të financuar buxhetin e shtetit.

    Planifikimi për strukturën e paketës së kredisë ka nisur prej disa kohësh.

    SHBA fillimisht kishte bërë fushatë në favor të mbledhjes jo vetëm të të ardhurave nga interesi, por edhe vetë aseteve të ngrira dhe përdorimit të tyre për të ofruar mbështetje financiare për Kievin.

    Qeveria amerikane thotë se rreth 280 miliardë dollarë para të bankës qendrore ruse janë bllokuar në vendet perëndimore për shkak të sanksioneve të vendosura që kur Rusia filloi sulmin e saj në shkallë të plotë ndaj Ukrainës më shumë se dy vjet më parë.

    Pjesa më e madhe e parave ruse është brenda Bashkimit Evropian.

    Institucioni financiar me bazë në Bruksel, Euroclear – deri tani zotëruesi më i madh në BE i aktiveve të ngrira të bankës qendrore ruse – tha kohët e fundit se kishte mbledhur rreth 4,4 miliardë euro (4,7 miliardë dollarë) në interes në 2023.

    Por disa vende evropiane kishin rezerva të mëdha për përdorimin e parimit dhe interesit, duke rezultuar në kompromisin në të cilin interesi përdoret si kolateral për të shlyer kredinë.

    SHBA do të ndërhyjë në rast se politika ndryshon tablonë e kredisë

    Një çështje e mprehtë është se kush do të bartte rreziqet e kreditit nëse sanksionet e BE-së mbi asetet nuk mund të zgjateshin, për shembull për shkak të vetos së një shteti anëtar.

    Kjo do të thotë se interesi nuk mund të përdoret më për të shlyer kredinë.

    Të enjten, SHBA deklaroi gatishmërinë e saj për të mbajtur barrën kryesore të huasë shumëmiliardë dollarëshe, tha një përfaqësues i lartë i qeverisë amerikane në margjinat e samitit.

    SHBA është e gatshme të japë deri në 50 miliardë dollarë, ose shumën totale të kredisë për Kievin, tha zyrtari amerikan, megjithëse ai theksoi se “ne nuk do të jemi të vetmit huadhënës”, duke shtuar se do të marrin pjesë edhe të tjerë.

    Moska e zemëruar me huanë për Ukrainën

    Rusia kritikoi kredinë për Ukrainën.

    ”Përdorimi i fondeve të vjedhura nga Rusia për aventurat luftarake të regjimit të Kievit është kriminal dhe cinik dhe paraqet një goditje të mëtejshme ndaj ligjit ndërkombëtar”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Ruse, Maria Zakharova në një konferencë për shtyp.

    Ajo kërcënoi se reagimi rus do të ishte i dhimbshëm për Brukselin.

  • ​Subvencionimi i teksteve shkollore, nëntë kandidatë për ekspertë në Komisionin Hetimor

    ​Subvencionimi i teksteve shkollore, nëntë kandidatë për ekspertë në Komisionin Hetimor

    Nëntë kandidatë kanë aplikuar në konkursin për ekspertë të Komisionit Hetimor për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të Arsimit fillor dhe Arsimit të Mesëm të Ulët për vitin shkollor 2023/2024.

    Në mbledhjen e sotme të këtij komisioni u diskutua rreth angazhimit të ekspertëve, për çka u tha se duhet të ketë ekspertë të ekonomisë, auditimit dhe juridikut.

    Kryetari i Komisionit Hetimor, Shemsedin Dreshaj ka njoftuar deputetët për konkursin që ka qenë i hapur në ueb-faqen e kuvendit.

    “Ju e dini që e kemi pasur në ueb-faqen e kuvendit të hapur si konkurs i brendshëm aplikimin e kandidatëve të interesuar për ekspertë. Ne i kemi marrë një listë të tyre pasi ka përfunduar afati i aplikimit. Gjithsejtë i kemi nëntë aplikime”, u shpreh ai.

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja tha se duhet të formohet një grup për të shqyrtuar këto aplikime.

    “Unë e mora materialin pardje por ishte vetëm në versionin e shkurtër sepse në email tha që versioni më i gjatë do të jetë fizik sot. Unë e kam parë një pjesë të CV-ve, por jo të gjitha kualifikimet e tyre. Sipas rregullit në të kaluarën, ne e kemi bërë një grup më të ngushtë prej dy-tri vetave që i kanë parë këto dhe pastaj i kanë propozuar komisionit për votim”, tha Muja.

    Ndërkaq, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu propozoi që ekspertët të jenë të fushave të ndryshme për të ofruar ekspertizë në këtë proces të hetimit.

    Duke ironizuar, Haxhiu se për aspekte të filozofisë duhet të thirret kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

    “Në bazë të nevojave që i kemi në fushën e sferave të ekonomisë ta kemi një ekspert, në fushën e sferave të juridikut apo legjislacionit të kemi një ekspert dhe nga ana e auditimit ta kemi një ekspert. Prej tre ekspertëve që i kërkojmë që të kemi një gjithëpërfshirje dhe gjithsecili në aspektin e tij të ofrojë një ekspertizë për neve. Nëse janë më shumë se dy-tre të së njëjtës fushë e vendosim pastaj ne se cili është me eksperiencën më të mirë për ta angazhuar në komision. Në kandidaturë po e shoh që ka edhe të fushës së filozofisë dhe mendoj që ndoshta mund të na hyjë edhe në punë por për aspekte të filozofisë e kemi kryetarin e kuvendit dhe nëse na duhet e marrim kryetarin e kuvendit për çështje të filozofisë”, u shpreh ai.

    E kryetari i këtij komisioni hetimor, Shemsedin Dreshaj ka njoftuar se një pjesë e Drejtorive Komunale të Arsimit i kanë dërguar dokumentacionet.

    “Dua të ju informoj që një pjesë e DKA-ve i kanë dërguar dokumentacionet, një pjesë kanë kërkuar afat shtesë. Unë mendoj që sa më shumë dokumente që të marrim është aq më mirë për neve. Një pjesë kanë pasur vërejtje në raport që dokumentacionin nuk kanë arritur ta dërgojnë në mënyrë elektronike”, përfundoi Dreshaj.

    Në mbledhjen e këtij komisioni u vendos që të premten të përcaktohen tre ekspertë dhe të aprovohen listat e subjekteve për intervistim. Anëtarët e këtij komisioni do të mblidhen sërish të martën në orën 13:00./kp

  • Ambasadorja e SHBA-së rrëfen për mizoritë e luftës që pa në Kosovë

    Ambasadorja e SHBA-së rrëfen për mizoritë e luftës që pa në Kosovë

    Ambasadorja aktuale e SHBA-së në Ukrainë Bridget A. Brink gjatë një fjalimi ka folur për fillimin e karrierës së saj diplomatike.

    Ajo thotë se karriera e saj nisi kur serbët po kryenin krime lufte ndaj kosovarëve.

    “Isha diplomatja e vetme që raportoja mizoritë e tmerrshme, për familjet e vrara brutalisht, të gjymtuar, të lënë në lëndinat e tyre të përparme”, ka thënë ajo.

    Sipas saj, ajo që po ndodhte në Kosovë gjatë luftës, ishte një përgjegjësi e rëndë për të përballuar për një oficer i ri në shërbim.

    “Jetë dhe shtëpi të shkatërruara me ligësi që nuk e dija se mund të ishin edhe të mundshme”, ka thënë ajo.

    Brink thotë se iu bashkua shërbimit të jashtëm për të bërë ndryshime të mëdha. “Por u bëra dëshmitare e një horrori”.