ATV

Author: ATVLive

  • ​Kroaci-Itali, formacionet e mundshme

    ​Kroaci-Itali, formacionet e mundshme

    Mateo Retegui është favorit ndaj Gianluca Scamacca, ndërsa Giovanni Di Lorenzo pritet të startojë sërish për Italinë në ndeshjen kyçe të fazës grupore të EURO 2024 kundër Kroacisë sonte.

    Federico Dimarco u stërvit veçmas nga pjesa tjetër e ekipit të shtunën dhe të dielën, por Luciano Spalletti tha në një konferencë për shtyp para ndeshjes se mbrojtësi i Interit është sërish në formë.

    Sidoqoftë, bashkëlojtari i tij në Inter , Matteo Darmian, ka më shumë shanse për të startuar si mbrojtës i majtë, përcjellë KosovaPress.

    Italia është kualifikuar me një fitore ose një barazim ndërsa Kroacisë i duhen tre pikë për të marrë një vend në raundin e eliminimit.

    Këto janë formacionet e mundshme:

    Kroacia (4-2-3-1): Livakoviç; Stanisic, Sutalo, Pongracic, Gvardiol; Kovacic, Modric; Mario Pasalic, Sucic, Kramaric; Petkoviq

    Itali (4-1-4-1): Donnarumma; Di Lorenzo, Bastoni, Calafiori, Darmian; Jorginho; Cambiaso; Kristante; Barella; Chiesa, Retegui.

  • ​BE-ja e miraton pakon e re të sanksioneve kundër Rusisë

    ​BE-ja e miraton pakon e re të sanksioneve kundër Rusisë

    Bashkimi Evropian e ka miratuar të hënë një pako të re të sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të luftës së saj në Ukrainë.

    Pakoja e 14-të e sanksioneve kundër Rusisë përfshin ndalimin e rimbushjes së gazit të lëngshëm natyror të Rusisë në BE për qëllime të dërgimit të tij në vendet e treta.

    Kjo pako i ofron gjithashtu BE-së më shumë mjete për ta luftuar shmangien e sanksioneve.

    Sanksionet përfshijnë po ashtu masa kufizuese ndaj 116 individëve dhe subjekteve të tjera për shkak të veprimeve të tyre kundër Ukrainës.

    “Sanksionet e reja vënë në shënjestër sektorë të vlerës së lartë të ekonomisë ruse si, energjia, financat dhe tregtia, si dhe e bëjnë tejet të vështirë shmangien e sanksioneve të BE-së”, tha Këshilli i BE-së në një komunikatë.

    Pakoja e re përfshin edhe ndalimin e përdorimit të Sistemit për Transfer të Mesazheve Financiare (SPFS), një lloj sistemi SWIFT me bazë në Moskë.

    Për më tepër, partitë politike dhe organizatat, si dhe OJQ-të nuk do të lejohen më të pranojnë financim nga Rusia, tha Këshilli.

    “Sanksionet ua ndalojnë mediave të BE-së, partive politike dhe organizatave analitike të marrin fonde nga burime ruse. Janë vendosur masa edhe kundër kompanive nga Kina, Kazakistani, Kirgistani, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për anashkalimin e sanksioneve kundër Rusisë”, thuhet në deklaratë.

    Në njoftim theksohet tutje se Këshilli i BE-së i ngarkon kompanitë evropiane që të sigurojnë që partnerët e tyre në vendet e treta të mos i shkelin sanksionet evropiane.

    “BE-ja kufizon regjistrimin e të drejtave të pronësisë intelektuale në bllok për qytetarët dhe kompanitë e Rusisë”, thuhet në njoftim.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/

  • Netanyahu thotë se nuk pranon marrëveshje që i jep fund luftës në Gazë

    Netanyahu thotë se nuk pranon marrëveshje që i jep fund luftës në Gazë

    Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se është i gatshëm të pranojë vetëm marrëveshje për armëpushim të “pjesshëm”, e cila nuk do t’i jepte fund luftës në Rripin e Gazës.

    Në një intervistë të transmetuar të dielën mbrëma në kanalin izraelit 14, i cili është proliderit izraelit, Netanyahu tha se është i gatshëm të bëjë “marrëveshje të pjesshme – kjo nuk është diçka e fshehtë – e cila do të na i kthente neve disa prej njerëzve”, duke iu referuar rreth 120 pengjeve që po mbahen ende në Gazë.

    “Por, ne jemi të përkushtuar për ta vazhduar luftën pas një pauze, në mënyrë që ta përmbushim synimin tonë për eliminimin e Hamasit [grupit të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE]. Nuk jam i gatshëm të heq dorë nga kjo”, theksoi Netanyahu.

    Komentet e fundit të Netanyahut nuk dallojnë shumë nga ajo çfarë kishte thënë ai në të kaluarën për kushtet që kërkonte për një marrëveshje.

    Megjithatë, ai i bëri ato në një kohë të ndjeshme, sepse Izraeli dhe Hamasi duket se po largohen çdo herë e më shumë nga propozimi më i fundit për armëpushim.

    Komentet e Netanyahut gjithashtu dallojnë shumë me kushtet e marrëveshjes së detajuar në fund të muajit të kaluar nga presidenti amerikan, Joe Biden, i cili e cilësoi planin si izraelit dhe të cilit disa në Izrael iu referuan si “marrëveshja e Netanyahut”.

    Komentet e tij mund t’i tensionojnë edhe më shumë marrëdhëniet mes Izraelit dhe SHBA-së, aleatit kryesor të tij.

    Plani me tri faza kërkon lirimin e të gjitha pengjeve të mbetura në shkëmbim të lirimit të qindra palestinezëve të burgosur në Izrael. Por, ka mosmarrëveshje dhe mosbesim mes Izraelit dhe Hamasit për mënyrën se si do të zbatohej marrëveshja, REL.

    Hamasi ngul këmbë se nuk do t’i lirojë pengjet e mbetura, nëse nuk ka armëpushim të përhershëm dhe tërheqje të plotë të forcave izraelite nga Gaza. Kur Bideni e njoftoi propozimin në fund të majit, tha se marrëveshja i përfshin të dyja këto.

    Por, Netanyahu thotë se Izraeli është i përkushtuar për ta shfarosur Hamasin dhe për t’u siguruar se ky grup nuk do të kryejë kurrë më sulm një më 7 tetor.

    Plani përfshin tri faza për t’i dhënë fund luftës me një plan shumëvjeçar për rindërtimin e Gazës, e cila është rrënuar pothuajse plotësisht si pasojë e luftimeve.

    Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

    Izraeli thotë se më shumë se 100 pengje po mbahen ende në Gazë, së bashku me trupat e pajetë të rreth 30 të tjerëve.

    Prej atëherë, lufta izraelite në Gazë i ka vrarë më shumë se 37.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

  • Pjesëtarët e KFOR-it trajnohen për kontrollin e trazirave, publikohen pamje gjatë ushtrimeve

    Pjesëtarët e KFOR-it trajnohen për kontrollin e trazirave, publikohen pamje gjatë ushtrimeve

    Njësia e Specializuar Shumëkombëshe e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR ka zhvilluar aktivitete trajnimi për kontrollin e trazirave të turmave në Prishtinë.

    KFOR ka publikuar edhe disa fotografi teksa shihen pjesëtarët e karabinierit italian duke u trajnuar.

  • Material nga NASA, çmimi marramendës i maskës së Kylian Mbappe

    Material nga NASA, çmimi marramendës i maskës së Kylian Mbappe

    Material nga NASA, çmimi marramendës i maskës së Kylian Mbappe.

    Kylian Mbappe bëri debutimin e tij në Euro 2024 pa shënuar gol dhe me hundë të thyer, diçka që do i sjellë atij nevojën që të luajë me një maskë për ta mbrojtur hundën në vazhdim të garës, diçka për të cilën padyshim do të nevojitet sa më parë operimi.

    “Është material i NASA-s, për të ndërtuar raketa”

    Maskat nuk janë diçka e re për ortopedin e njohur spanjoll Juan Bravo, i cili merret me këtë profesion që nga viti 1994. Ai kishte ndërtuar një maskë të njëjtë për Raul Albiol në 2011 pasi theu nofullën ndërsa vëmendjen e merr materiali që përdoret për ndërtimin e saj.

    Ka dy opsione të materialeve: termoplastike (një plastikë e ngurtë e cila bëhet e formueshme në temperatura të larta) dhe me fibër karboni. Opsioni i dytë është padyshim më i miri, por gjithashtu më i shtrenjti. Ofron rezistencë të fortë dhe mbrojtje e cila i pamundëson atij kontaktin me hundën.

    Maska krijohet me fibër karboni dhe më pas modelohet, prehet dhe lëmohet, madje edhe dekorohet nëse klienti dëshiron. Dizajni merr parasysh lëndimin: maska ​​mbështetet në zonat e shëndetshme të fytyrës, ndërsa në zonën e dëmtuar lihet një zbrazëti në mënyrë që të mos i nënshtrohet goditjeve. Një proces i mekanizuar, por në të njëjtën kohë shumë artizanal, në të cilin ka ndikim të madh Pablo Cortes Escobar, teknik ortopedik prej gati 40 vitesh. Nëse ka nevojë të kryhet shpejtë, mund të jetë gati për 24 orë, megjithëse çmimi është i nivelit elitar: 1200 euro.

    Pavarësisht se maska e Mbappe është bërë virale, ylli i Francës nuk do të lejohet të zbresë në fushë me të. Kjo pasi, rregullat e UEFA-s përcaktojnë se futbollistët lejohen të mbajnë maskë me vetëm një ngjyrë, përveç rasteve kur bëhet një përjashtim i veçantë.

  • Pavarësia e gjyqësorit diskutohet në konferencën e kryetarëve të Gjykatave Supreme

    Pavarësia e gjyqësorit diskutohet në konferencën e kryetarëve të Gjykatave Supreme

    Për herë të parë në Kosovë po mbahet konferenca e 14-të e kryetarëve të Gjykatave Supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore, ku nikoqire është Gjykata Supreme e Kosovës.

    Kryetari i Gkykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi tha se kjo konferencë është mundësi unike për diskutim.

    “Kjo konferencë organizohet për herë të parë në Kosovë. Kjo konferencë është një mundësi unike për diskutim, ku mund të flasim për sukseset dhe dështimet e sistemit gjyqësor të Kosovës. Pavarësia e gjyqësorit është baza e të gjithë shtetit të së drejtës”, deklaroi ai.

    E kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka Nimani tha se pavarësia e gjyqësorit është baza e sundimit të ligjit.

    “Më lejoni të vë theks në dy pika parësore, rëndësinë e dialogut gjyqësor dhe nevojën që përtej shkëmbimit të përvojave ky dialog të përçoj një mesazh esencial, ata të rëndësisë së pavarësisë së pushtetit gjyqësor”, tha ajo.

    Themelues i Institutit CEELI, Homer E.Moyer theksoi se forcimi i sundimit të ligjit është i rëndësishëm për vendin.

    E gjyqtari i lartë i qarkut, John Wolker tha se në historinë në tërë botën, qytetarët kanë marrë hapa të rëndësishëm për të avancuar sundimin e ligjit.

  • ​Shqipëri-Spanjë, formacionet e mundshme

    ​Shqipëri-Spanjë, formacionet e mundshme

    Kombëtarja Shqiptare do të zhvillojë sot ndeshjen vendimtare të grupit B të Kampionatit Evropian të futbollit ku do të ballafaqohet me Spanjën, aty ku edhe do të vendoset fati i saj në rrugëtimin e këtij kompeticioni.

    Me vetëm një pikë të mbledhur pas dy ndeshjeve të zhvilluara, humbjen nga Italia dhe barazimin me Kroacinë, të besuarit e Silvinjos duhet që sonte ta kërkojnë me çdo kusht fitoren për të kaluar në fazën e eliminimit direkt, derisa me një barazim eventual do të duhej të shpresonte të kualifikohej tutje nga pozita e vendeve të treta, raporton KosovaPress.

    Nga ana tjetër, Spanja që tashmë e ka siguruar kualifikimin, pritet që të luajë me lojtarët që kanë pasur më pak minutazh dhe kjo jep më shumë mundësi që Shqipëria të synojë maksimumin e pikëve.

    Ndeshja do të zhvillohet me fillim nga ora 21:00 në stadiumin “Merkur Spiel-Arena” në Dusseldorf me fillim nga ora 21:00. Në të njëjtin orar zhvillohet edhe ndeshja tjetër ë këtij grupit, ajo ndërmjet Kroacisë dhe Italisë.

    Këto janë formacionet e mundshme:

    Shqipëria: Strakosha; Hysaj, Djimsiti, Ajeti, Mitaj; Asllani, Ramadani, Bajrami, Laci; Abrashi, Broja

    Spanja: Raya; Navas, Vivian, Laporte, Grimaldo; Merino, Zubimendi, Olmo; Torres, Joselu, Oyarzabal

  • ​Dyshohet për një person të vdekur në Sllatinë

    ​Dyshohet për një person të vdekur në Sllatinë

    Një person dyshohet se është gjetur pa shenja jete brenda një veture me targa të Shqipërisë në Sllatinë.

    Në pamjet e siguruara nga KosovaPress, shihet se në vendin e ngjarjes kanë arritur ekipet e policisë të cilët po inspektojnë lokacionin.

    KosovaPress ka kontaktuar me Policinë e Kosovës për rastin në fjalë dhe do të iu mbajë të informuar në lidhje me rastin.

  • ​Konfiskohet një armë në një aheng familjar në Mitrovicë

    ​Konfiskohet një armë në një aheng familjar në Mitrovicë

    Policia e Kosovës ka konfiskuar një armë gjatë një ahengu familjar në Mitrovicë.

    Policia kishte pranuar informatën në orët e mbrëmjes të datës 23 qershor.

    Poashtu policia ka njoftuar se ka identifikuar vendin nga ku ishin dëgjuar të shtënat, me ç’ rast në vendin e ngjarjes, në një aheng familjar nga i dyshuari në cilësi të provave materiale është konfiskuar një armë e llojit pistoletë me tre fishek.

    “Për të shtëna me armë është intervistuar i dyshuari m/k/sh, shtetas i Republikës së Kosovës, ku pas intervistimit me urdhër të prokurorit të rastit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

    Ndaj tij poashtu është iniciuar rast për veprën penale “Mbajtje ne pronësi, kontroll, posedim të pa autorizuar të armës dhe përdorim i armës’’.

  • Parlamenti spanjoll nesër debaton propozimin për njohjen e Kosovës

    Parlamenti spanjoll nesër debaton propozimin për njohjen e Kosovës

    Grupi parlamentar i partisë katalunase ‘Junts’ ka paraqitur një nismë për t’i propozuar qeverisë spanjolle njohjen e Kosovës si shtet sovran.

    Kjo nismë e cila do të debatohet dhe votohet nesër në parlament, argumenton se Kosova është një shtet ligjor dhe demokratik me 1.7 milion banorë, i njohur nga mbi 100 vende, përfshirë 22 anëtarë të BE-së.

    Sipas Europapress.es, në këtë nismë Junts kujton vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nga viti 2010, që shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare. Refuzimi i Spanjës për njohjen e Kosovës, sipas Junts, pengon përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në BE dhe destabilizon rajonin në një kohë të tensionuar për shkak të luftës në Ukrainë.

    Junts thekson se është e papranueshme që Spanja ndjek të njëjtën strategji si Rusia, Kina dhe Bjellorusia me mosnjohjen e Kosovës. Ata vënë në dukje se Spanja tashmë ka marrëdhënie indirekte me Kosovën dhe njeh pasaportat kosovare që nga janari.

    Propozimi i Junts kërkon që parlamenti të nxisë Qeverinë spanjolle të njohë menjëherë Republikën e Kosovës si shtet sovran.