ATV

Author: ATVLive

  • Zjarrfikësit shuajnë zjarrin që kishte kapluar dy vetura në lagjen “Marigona Rezidencë”

    Zjarrfikësit shuajnë zjarrin që kishte kapluar dy vetura në lagjen “Marigona Rezidencë”

    Dy vetura janë përfshirë nga zjarri të premten në lagjen “Marigona Rezidencë” në Prishtinë. Ekipet e zjarrfikësve kanë arritur që të shuajnë zjarrin, raporton EO.

    Deri më tani nuk është raportuar për të lënduar si shkak i zjarrit, por nga pamjet e siguruar nga EO shihet që veturat janë djegur tërësisht. Nga pamjet shihet se veturat e përfshira nga zjarri janë të tipit Golf dhe BMW.

    Zëdhënës i Policisë në Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, përmes një përgjigje me shkrim për Ekonomia Online ka konfirmuar se në këtë rast dy vetura janë përfshira tërësisht nga zjarri përderisa dy të tjera pjesërisht, ndërkaq sipas, Borocit nuk raportohet për të lënduar.

    Në vendin e ngjarjes ishin ekipi i zjarrfikësve dhe njësiti policorë.

  • KFOR çon mesazh për Urën e Ibrit, publikon një video me ushtarë duke patrulluar rrotull saj

    KFOR çon mesazh për Urën e Ibrit, publikon një video me ushtarë duke patrulluar rrotull saj

    Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, sot ka publikuar një video nga Ura e Ibrit në Mitrovicë për të treguar se në atë zonë po patrullojnë.

    Në këtë video, KFOR shkruan për njësitë K9, që janë ekipe speciale me qen të trajnuar, të cilët mund të detektojnë eksplozivët dhe të sinjalizojnë ushtarët.

    “Njësitë K9 janë ekipe speciale me qen shumë të trajnuar. Ata rregullisht kryejnë inspektime për të mbajtur sigurinë dhe qetësinë. Ata mund të detektojnë eksplozivët si ato sipërfaqësore si ato nëntokësore. Kur një qen zbulon një eksploziv ai ulet dhe sinjalizon stërvitësin e tij. Lidhja mes qenit dhe pronarit të tij është esenciale për suksesin e ekipit”, thuhet në përshkrimin e videos.

    KFOR bëri deklaratën e zakonshme se vazhdon “të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”.

    Ky mesazh nga KFOR vjen pas deklaratëve të kryeministrit Albin Kurti dje se Qeveria e tij synon hapjen e Urës së Ibrit, i cili shtoi se ky veprim nuk është kundër askujt.

    “Askush nuk mund të thotë që kjo nuk është një gjë e mirë dhe e drejtë, por ne dëshirojmë që edhe të zbatohet ligji, edhe të respektohet liria e lëvizjes, por edhe të kemi paqe e siguri për të gjithë”, tha dje Kurti në një konferencë për media.

    Deklarata e tij në këtë konferencë erdhi pas një takimi që pati me ambasadorët e shteteve të QUINT-it pikërisht për këtë temë.

    “Në kuadër të informimit dhe koordinimit me partnerët tanë ndërkombëtarë, temë trajtimi në këtë takim ishte gjithashtu rëndësia e bashkërendimit të veprimeve institucionale për hapjen e urës mbi lumin Ibër edhe për vetura, në mënyrë që të mundësohet liria e plotë e lëvizjes e cila i ndihmon qytetarët në të dy anët e urës, pa dallim, dhe në të njëjtën kohë i shërben zhvillimit të ekonomisë dhe tregut përmes lëvizjes më të lehtë të mallrave dhe kapitalit”, kishte njoftuar ZKM pas këtij takimi.

    Ndërkaq, KFOR, që vazhdimisht është prezent në Urën e Ibrit, kishte dhënë qëndrimin e tij mbi këtë synim të Qeverisë së Kosovës se çdo vendim lidhur me urën të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

    Karabinierët italianë të KFOR-it kanë prani të përhershme mbi urën e Ibrit dhe kryejnë patrullime në rrethinë. Ura vëzhgohet edhe prej pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

    Kjo temë u hap pasi fillimisht u diskutua në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, e cila udhëhiqet nga Erden Atiq i Lëvizjes Vetëvendosje, që ura të hapet tërësisht për qarkullim.

    Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, pati thënë se zbatimi i vendimit për çështjen e urës u takon autoriteteve qendrore dhe institucioneve të sigurisë.

  • ​Barcelona do të marrë kredi për blerjen e Williamsit

    ​Barcelona do të marrë kredi për blerjen e Williamsit

    Barça është e bindur se do të jetë në gjendje të përballojë nënshkrimin e Nico Williams. Drejtori sportiv, Deco u takua me agjentin e tij, Félix Tainta në Zaragoza të mërkurën e kaluar dhe ndjenjat janë të mira, megjithëse shumë gjëra duhet të ndodhin ende që operacioni të realizohet.

    Njëra prej tyre është, pasi të balancohen llogaritë vjetore dhe të paraqiten paratë që korrespondojnë me Barça Vision në LaLiga, të merren paratë e nevojshme për të ekzekutuar klauzolën e futbollistit, e cila është 58 milionë euro. Klubi nuk ka shumë likuiditet financiar dhe, në fakt, tashmë po negocionte një hua të re prej 100 milionë në maj për të përballuar humbjet e shkaktuara nga dështimet e tij në Evropë. Tashmë, me sa duket, siç raportohet në ‘El Larguero’ të Cadena Ser, do të ishte koha që të trokasim sërish në dyert e subjekteve bankare në kërkim të një kredie të re.

    Po ashtu, klubi ka nevojë edhe për ulje të pragut të pagave të lojtarëve, derisa për Williamsin synohet një pagë vjetore prej dymbëdhjetë milionë euro bruto.

  • KGjK i propozon Presidentes 31 kandidatë për gjyqtarë në gjykatat themelore të Kosovës

    KGjK i propozon Presidentes 31 kandidatë për gjyqtarë në gjykatat themelore të Kosovës

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në takimin e mbajtur të premten, ka miratuar listën përfundimtare të gjithsej 31 kandidatëve për gjyqtarë në gjykatat themelore të Republikës së Kosovës.

    Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, tha se këta kandidat i propozohen Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për tu emëruar gjyqtarë në gjykatat themelore për të cilat janë propozuar.

    Ai tha se të njëjtëve ju dëshiron sukses në punë dhe karrierën e tyre si gjyqtarë.

    “Të njëjtit, i propozon Presidentes së Republikës së Kosovës, për tu emëruar gjyqtarë në gjykatat themelore, si në vijim, Diellza Zeqiri, propozohet tekë presidentja e Kosovës që të emorohet në Gjykatën Themelore Mitrovicë, Dega në Vushtrri. Lavdim Makshana, në Gjykatën Themelore Prizren. Albert Haliti, në Gjykatën Themelore Prishtinë. Albina Vuçetaj, në Gjykatën Themelore Prishtinë. Liridon Pnishi, në Gjykatën Themelore Gjakovë. Biondina Zeneli, në Gjykatën Themelore Prishtinë. Rexhep Bllaca, në Gjykatën Themelore Prishtinë. Alan Taranis, në Gjykatën Themelore Pejë. Kaltrina Halilaj, në Gjykatën Themelore Gjakovë. Liridon Krasniqi, në Gjykatën Themelore Ferizaj. Rovena Kastrati, në Gjykatën Themelore Prishtinë, Dega në Fushë Kosovë. Senad Lojak, në Gjykatën Themelore Pejë, Dega në Deçan. Bardh Sylejmani, në Gjykatën Themelore Mitrovicë. Senad Lojak, në Gjykatën Themelore Pejë, Dega në Deçan. Bardh Sylejmani, në Gjykatën Themelore Mitrovicë. Shqipe Sejdiu, në Gjykatën Themelore Mitrovicë. Medina Rama, në Gjykatën Themelore Mitrovicë. Mensur Krasniqi, në Gjykatën Themelore Gjakovë, Dega në Rahovec. Rita Matoshi, në Gjykatën Themelore Ferizaj. Selvije Morina, në Gjykatën Themelore Pejë Blend Xhemajli, në Gjykatën Themelore Pejë. Sandra Fazliu, në Gjykatën Themelore Mitrovicë, Dega në Skenderaj. Shkendije Shala, në Gjykatën Themelore Ferizaj, Dega në Kaçanik. Mervan Curri, në Gjykatën Themelore Gjakovë. Senat Elshani, në Gjykatën Themelore Prizren. Arbër Beqiri, në Gjykatën Themelore Prishtinë, Dega në Drenas. Ajshe Zejnullahu-Nuza, në Gjykatën Themelore Prishtinë, Dega në Lipjan. Muhamed Avdyli, në Gjykatën Themelore Prishtinë, Dega në Podujevë. Shpetim Azemi, në Gjykatën Themelore Mitrovicë, Dega në Zubin Potok. Përparim Berisha, në Gjykatën Themelore Pejë, Dega në Klinë. Leotrim Krasniqi, në Gjykatën Themelore Prizren. Sadete Kuqi, në Gjykatën Themelore Ferizaj dhe Teuta Gashi, në Gjykatën Themelore Ferizaj”, ka thënë ai.

  • Kryeministri Kurti vizitoi vendpunimet e rrugës Kijevë – Zahaq, segmenti Kijevë – Dollc

    Kryeministri Kurti vizitoi vendpunimet e rrugës Kijevë – Zahaq, segmenti Kijevë – Dollc

    I shoqëruar nga ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe zëvendësministri i këtij dikasteri, Hysen Durmishi, si dhe zëvendësministrat Taulant Kelmendi dhe Mentor Arifaj, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot gjatë paradites vizitoi vendpunimet e rrugës Kijevë – Zahaq, segmenti Kijevë – Dollc.

    Ai u njoftua nga menaxherët e kontratave të tre loteve të këtij segmenti mbi ecurinë e punimeve. Kryeministri përshëndeti edhe falënderoi punëtorët dhe kompanitë për punën që po e bëjnë në realizimin sa më të shpejt të këtij projekti infrastrukturor me rëndësi të madhe për rajonin e Pejës.

    Në javën e parë të muajit korrik u hapën procedurat për dorëzimin e ofertës për ndërtimin e Rrugës Nacionale N9 Kijevë-Zahaq, përkatësisht segmenti Dollc-Zahaq. Segmenti i kësaj rruge ka gjatësi totale 16.27km, e ndarë në 4 lote, me buxhet të planifikuar të projektit prej rreth 46 milionë €.

  • ​KGJK kërkon rol më aktiv në hartimin e këtij projektligji kompleks

    ​KGJK kërkon rol më aktiv në hartimin e këtij projektligji kompleks

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka shprehur gatishmërinë për të kontribuar në hartimin e Projektligjit për realizimin e të drejtës për gjykim brenda afatit të arsyeshëm kohor. Megjithatë, u tha se ky projektligj është kompleks dhe ka kosto të lartë buxhetore që duhet të jetë parasysh nga Kuvendi i Kosovës.

    Kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, tha se ky institucion ka dhënë komentet e para në grupet punuese për këtë nismë qeveritare, mirëpo shtoi se do të ketë një kërkesë që gjyqtari i çështjes të ketë mundësi të reflektojë mbi urgjencën e lëndës dhe po ashtu të ketë një justifikim për të treguar pse është penguar procesi gjyqësor në një kohë të caktuar.

    “Janë dhënë komentet besojmë se do të jepen edhe komente të tjera. Kemi propozuar që përfundimisht nëse kjo nismë shkon në Kuvend atëherë të jetë një mundësi për letër urgjencë që i drejtohet gjyqtarit të çështjes dhe të ketë një periudhë kohe kur gjyqtari do të ketë mundësi të reflektojë mbi urgjencën, po ashtu të ketë edhe justifikim që e ka pengu procesin gjyqësor në kohë të caktuar. Në këtë mënyrë komisioni apo paneli që merret me çështjen të ketë rrethana të qarta në lidhje me atë çështje. Megjithatë është një nismë komplekse ka qëndrime të partnerëve dhe ekspertëve por ne do të jemi si institucion instensivisht dhe besoj se komentet tona do të jenë të të dobishme pasi si përfundim ne duhet të përfundojmë atë ligj. Impakti financiar do të jetë i jashtëzakonshëm dhe kuvendi duhet të merr parasysh mbulimin financiar për kompensim. Propozimet e KGJK-së do të jenë serioze”, tha ai.

    Në anën tjetër, anëtari i KGJK-së, gjyqtari, Artan Abazi, tha se barrën kryesore për këtë projektligj duhet të ketë KGJK-ja, pasi e ka rolin kyç në zbatimin e tij.

    “Përkundër faktit se ne si gjykata kemi bazën ligjore edhe mos ta kishim fare këtë ligj pasi kemi nenin 31 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenin 6 të Konventës së drejtave të njeriut që na obligon që çështjet t’i gjykojmë brenda një afati të arsyeshëm kohor. Megjithatë nëse është e nevojshme që ky ligj të futet në fuqi dhe që ka parapa të arsyeshme organet kompetente atëherë mirë kishte me qenë që sistemi gjyqësor të ketë rolin kyç pasi ne kemi me zbatu këtë ligj dhe mos të shkaktojmë probleme sesa të zgjidhim atë. Nëse do të paraqiten problemet, duke marrë parasysh se kemi edhe numër të lartë të lëndëve atëherë veçse do ta bënim të paqartë situatën”, tha ai.

    Krahas këtyre, në mbledhjen e sotme KGJK-ja, mori një sërë vendimesh, ku mes tjerash dërgoj emrat e disa gjyqtarëve për dekret nga presidentja, Vjosa Osmani, si dhe hapi disa konkurse në disa prej gjykatave në Kosovë.

    Projektligji për realizimin e të drejtës për gjykim brenda afatit të arsyeshëm kohor është nismë e Ministrisë së Drejtësisë. Sipas tyre, i njëjti do të evitojë pasojat që vijnë nga stërzgjatja e lëndëve në gjykatë./KP/

  • Ekrem Bajroviq dënohet me 12 vjet burg për krime lufte kundër civilëve shqiptarë në Istog dhe rrethinë

    Ekrem Bajroviq dënohet me 12 vjet burg për krime lufte kundër civilëve shqiptarë në Istog dhe rrethinë

    Gjykata e Prishtinës ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 12 vjet burg Ekrem Bajroviqin për krime lufte ndaj popullsisë civile në Istog dhe fshatrat përreth në vitet 1998-1999.

    Në këtë dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

    Bajroviq ka qenë i implikuar në vrasjen, bastisjen, rrahje, maltretim tortura dhe trajtim në mënyrë çnjerëzore të popullatës civile.

  • Stoltenberg: Ndryshimi i pushtetit në SHBA nuk do të thotë ‘fund i NATO-s’

    Stoltenberg: Ndryshimi i pushtetit në SHBA nuk do të thotë ‘fund i NATO-s’

    Aleanca e Atlantikut të Veriut do të vazhdojë të ekzistojë nëse ish-presidenti amerikan Donald Trump zgjidhet për një mandat të dytë.

    Këtë e ka thënë në një intervistë për The Guardian, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, transmeton Ukrinform.

    “Kam punuar me të [Trump] për katër vjet. Mendoj se është e rëndësishme të mos krijohen profeci vetë-përmbushëse në një mënyrë që duke supozuar se një administratë e re në Shtetet e Bashkuara do të nënkuptojë fundin e NATO-s. Kishte shqetësime për këtë edhe në vitin 2016. Realiteti ishte se NATO është më e fortë pas katër vitesh… më shumë trupa, gatishmëri e lartë”, tha ai.

    Stoltenberg shprehu gjithashtu besimin e tij se Shtetet e Bashkuara do të mbeten një aleat i fortë i NATO-s.

    “Arsyeja pse unë pres që Shtetet e Bashkuara të mbeten një aleat i fortë… është se kritikat kryesore nga Presidenti Trump por edhe nga kandidati për zëvendëspresident, JD Vance, nuk kanë qenë kryesisht kundër NATO-s. Ato kanë qenë kryesisht kundër Aleatëve të NATO-s nuk shpenzojnë mjaftueshëm për NATO-n në mbrojtje dhe kjo po ndryshon”, tha Sekretari i Përgjithshëm.

    Ai është gjithashtu i bindur se Shtetet e Bashkuara do të mbeten në NATO, pasi Aleatët së bashku përbëjnë 50% të “fuqisë ushtarake” botërore. Nëse Shtetet e Bashkuara largohen nga blloku, NATO do të përbëjë vetëm 25% të kësaj aftësie ushtarake globale.

    Siç raportoi Ukrinform më herët, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se Shtetet e Bashkuara do të mbeten një aleat i fuqishëm dhe i besueshëm i Aleancës, pavarësisht nga rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në këtë vend, sepse mbështetja nga një NATO e fortë është në interes të sigurisë të vetë Shteteve të Bashkuara.

  • ​Danimarka mbetet pa trajner

    ​Danimarka mbetet pa trajner

    Kasper Hjulmand ka dhënë dorëheqjen nga roli i tij si trajner i ekipit kombëtar të Danimarkës pas ecurisë së tyre pa fitore në EURO 2024, njoftoi të premten Federata Daneze e Futbollit (DBU).

    Morten Ëieghorst, i cili ishte ndihmës i Hjulmand nga viti 2020 dhe gjithashtu ish-trajneri i ekipit nën-21 të Danimarkës, do të marrë detyrën si trajner i përkohshëm kombëtar deri në vitin 2025.

    Pas katër vitesh në krye të Danimarkës, Hjulmand tha se skuadra kishte nevojë për energji të re dhe kishte kërkuar që kontrata e tij, e vlefshme për një vit tjetër, të anulohej, përcjellë KosovaPress.

    Danezët kanë qenë pa fitore në shtatë ndeshjet e tyre të fundit radhazi në turnetë e mëdha – Kupën e Botës 2022 dhe Kampionatin Evropian 2024, duke shënuar vetëm tre gola.

    Një disfatë 2-0 nga Gjermania nikoqire në 1/16-ën e fundit, bëri që Danimarka të dilte nga Euro me mungesën e fuqisë sulmuese që fajësohej për zbehjen e mundësive të saj në turnetë e mëdha.

    “Kam dhënë gjithçka që kam pasur për të arritur sukses dhe për t’i bërë njerëzit të mblidhen rreth ekipit. Të përfaqësosh vendin e dikujt është absolutisht gjëja më e madhe që mund të imagjinoj,” tha trajneri në një deklaratë.

    “Kur shoh dy vite përpara Kupës së Botës 2026, mendoj se do të jetë më mirë për ekipin që të vijë një fytyrë e re me ide të reja, e cila mund të shkruajë një kapitull të ri të madh për këtë ekip të mrekullueshëm. Prandaj është më mirë që dikush tjetër të udhëheqë ekipin përpara. Nuk ka të bëjë me mua. Ka të bëjë me atë që është më e mira për ekipin”, shtoi ai.

    Hjulmand udhëhoqi Danimarkën në gjysmëfinalen e Euro 2020 dhe u vlerësua për ecurinë e tyre mbresëlënëse në kualifikueset e Euro 2024.

  • Manastirliu: Do të mbështesim shkollat shqipe kudo që ka shqiptarë

    Manastirliu: Do të mbështesim shkollat shqipe kudo që ka shqiptarë

    Ministrja e Arsimit të Kosovës, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci dhe homologia e saj nga Shqipëria, Ogerta Manastirliu kanë marrë pjesë në Seminarin e XVII-të mbarëkombëtar me mësuesit e Gjuhës Shqipe dhe të Kulturës Shqiptare në Diasporë.

    Aty u tha se misioni i këtyre mësuesve kërkon angazhim dhe punë të palodhur në të gjitha nivelet.

    Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Republikës së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu ka deklaruar se të gjithë mësuesit e mbledhur në këtë seminar janë përbashkuar me një qëllim madhor, e që është ruajtja dhe fuqizimi i gjuhës shqipe.

    “Të dashur mësues tonë të diasporës jam vërtetë e emocionuar që ju shoh këtu, të gjithë së bashku të përbashkuar në qëllimin madhor, në ruajtjen dhe fuqizimin e gjuhës sonë të bukur shqipe. Në transmetimin e vlerave më të mëdha që kombi ynë ka, në përmbushje të një misioni historik që secili prej nesh si shqiptarë ka atë të identitetit tonë kombëtar gjuhës sonë të bukur shqipe….Prishtina nuk do të ishte kaq e bukur pikërisht në këtë ditë nëse prezenca juaj nuk do të na kishte motivuar ne kaq shumë bashkë me Arbërien si dy ministre të Arsimit që jo vetëm punojmë së bashku me ekipet tona për të fuqizuar sistemin arsimor, por që pjesë të misionit tonë të përbashkët kemi edhe mbështetjen e shkollave apo klasave shqipe kudo ku shqiptarët janë”, ka thënë ajo.

    Sipas ministres Manastirliu, ky seminar ka mbledhur 150 mësues nga diaspora të cilët me shumë profesionalizëm po u mësojnë brezave të ri gjuhën shqipe.

    “Sot jam e lumtur që kemi mbledhur 150 mësues të diasporës të cilët me shumë përkujdes, me shumë profesionalizëm, me shumë dashuri e me shumë përkushtim mësojnë gjuhën shqipe për tashmë breza dhe teksa vija për këtu nga Tirana mendoja se sa shumë sakrifica ju keni kaluar dhe se çfarë ju keni bërë se bashku në shoqatat ku aderoni, në lidhjet e mësuesve që keni krijuar dhe po krijohen rishtazi për të fuqizuar pikërisht atë mision të përbashkët që ne kemi dhe që është trashëgimia më e madhe që ne kemi që është gjuha jonë e bukur shqipe”, është shprehur ministrja Manastirliu.

    Ndërsa, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se një ndër vlerat e këtij seminari është si rezultat i punës së përbashkët mes dy ministrive të Arsimit, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë.

    Ministrja Nagavci ka thënë se duhet të gjenden mënyra të reja për ta kultivuar gjuhën shqipe tek brezat e ri në mërgatë.

    “Rivënia në fokus e gjuhës amtare dhe gjetja e mënyrave të reja për të kultivuar atë tek brezi i ri i mërgatës janë elemente që jo gjithnjë vetëm duhet ti kemi, por vazhdojmë t’i kemi më shumë përkushtim në vëmendjen tonë, posaçërisht në vendet ku ju jetoni dhe veproni që shqipja të flitet aq shpesh sa do të duhej dhe do të kishim dëshirë që të flitej”, ka thënë ajo.

    Seminari i Diasporës i cili i hapi punimet të enjten bashkon mësues të gjuhës shqipe nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët jetojnë dhe veprojnë në shtete të ndryshme të botës. /kp